Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, ishte fare pranë kalimit te Real Madridi, në momentet e fundit të mbylljes së afatit kalimtar veror.
El Mundo Deportivo pohon se Mourinho ka pasur dëshirë që të transferojë një sulmues tjetër në Bernabeu, ndërsa kërkoi nga Florentino Perez që të shfrytëzojë deklaratat e Eto’os se do të dëshironte që të luante në Bernabeu.
Sidoqoftë, Florentino, i cili thuhet se ka marrëdhënie të mira me ish-sulmuesin e Barcelonës, ka refuzuar që t’i bëjë ofertë Interit.
Trajneri i Holandës, Bert van Marwiijk, ka vendosur që ta emërojë si kapiten mesfushorin eksploziv të Bayernit, Mark van Bommel, njofton Voetbal International.
Holanda ka qenë në kërkim të një kapiteni të ri, për shkak se ish-kapiteni Giovanni van Bronckhorst u penzionua pas Botërorit të vitit 2010.
Van Bommel ka debutuar në fanellën e përfaqësueses holandeze në tetor të vitit 2000 ndaj Qipros, ndërsa që nga ajo kohë ka pasur 63 paraqitje.
Mesfushori holandez, Rafael Van der Vaart, është shprehur të jetë i shokuar me mënyrën e shpejtësisë së negociatave për transferimin e tij te Tottenhami, por është shprehur i lumtur me faktin që gjithçka përfundoi me sukses.
“Katër vite te Spursat për 11 milionë euro, unë vërtet nuk mund ta besoj këtë. Është keq që tani nuk mund të luaj ndaj Ajaxit në Ligën e Kampionëve, por unë do të përballem me Twenten”.
“Interesimi i Tottenhamit erdhi shumë shpejtë dhe unë nuk kam pasur shumë kohë për të menduar. Por, unë dua të luaj sërish futboll dhe nëse është e mundur çdo javë, me një klub të bukur. Unë jam totalisht i lumtur. Unë jam i kënaqur që do luaj në Angli. Se sa do t’i përshtatet stilit tim të lojës, kjo mbetet të shihet. Jam krenar me këtë transferim”, tha Van der Vaart për De Telegraaf.
Mesfushori i Barcelonës, Javier Mascherano, beson se kalimi në Camp Nou te Barcelona ia ka dhënë atij mundësinë ultimative për të fituar trofe.
“Unë kam qenë i pafat në aspektin e fitimit të titujve, unë nuk kam fituar asgjë në Evropë dhe nuk do të doja të thosha në fund të karrierës se nuk kam fituar asgjë”.
“Unë jam te klubi ideal për të fituar tituj. Ne do të luftojmë deri në pikën e fundit për të fituar tituj. Ekipi nuk është lodhur së fituari dhe në çdo ndeshje dëshiron të vazhdojë të tregojë se është më i miri në planet”, theksoi Mascherano.
Sipas Jose Mourinhos, dy transferet e reja të Realit, Mesut Ozil dhe Sami Khedira, po e kanë të vështirë t’i përshtaten jetës në Spanjë
“Ata nuk flasin spanjisht. Ata mund të thonë ‘Buenos dias’ dhe ‘Hola’, por kjo është e tëra. Madje ata nuk flasin as anglisht”.
“Pjesëmarrja e tyre në jetën shoqërore me skuadrën, është e barabartë me zero. Ozil jeton me Khediran dhe Khedira me Ozilin”, tha strategu i Realit.
Drama e minutave të fundit për të ardhmen e mesfushorit holandez, Rafael Van der Vaart, ka marrë fund, pasi që zyrtarët e Ligës Premier kanë dhënë dritën e gjelbërt që të kompletohet transferimi i tij, përkundër faktit se afati kalimtar i transferimeve është mbyllur të martën.
Spursat kanë pohuar se për shkak të problemeve në serverët e kompjuterëve të tyre për shtypjen e dokumentacionit për transferimin e holandezit, ky kalim nuk ka mundur të realizohet me kohë. Kjo është marrë parasysh nga trupi drejtues i Ligës Premier, që ka aprovuar transferimin e Van der Vaart në White Hart Lane, negociatat për të cilin filluan në ora 16:00 të martën.
“Ne jemi të ngazëllyer të bëjmë të ditur se kemi arritur marrëveshje me Real Madridin për transferimin e Rafael Van der Vaart”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga klubi anglez.
Mbrojtësi i Barcelonës, Carles Puyol, do të përballet me mungesë tri javore nga fushat e blerta, pasi që ka pësuar një dëmtim në muskulin e kofshës së majtë.
Ky lëndim i pësuar gjatë fazës përgatitore para takimit ndaj Racing Santanderit, e lë ikonën katalunase në tribuna për ndeshjet ndaj Herculesit, Atletico Madridit dhe Sporting Gijonit në La Liga, ashtu si ndaj Panathinaikosit në Ligën e Kampionëve.
Puyol tashmë është lënë jashtë kombëtares për ndeshjet ndaj Lichtensteinit dhe Argjentinës.
Michael Ballack ka arritur që me sukses të mposhtë Philipp Lahmin në luftën për shiritin e kapitenit të kombëtares gjermane, ka konfirmuar përzgjedhësi Joachim Loew, para zhvillimit të ndeshjeve kualifikuese për Euro 2012.
“Pas një bisede të hapur personale me Michael Ballack, kam vendosur që ai të jetë edhe më tej kapiten i ekipit tonë. Philipp Lahm, që ishte i shkëlqyer si kapiten gjatë Botërorit, do të jetë zëvëndësues i Ballack. Kur Philipp të mos jetë i gatshëm, Schweinsteiger do ta marrë shiritin”, theksoi Loew.
Selektori gjerman shtoi se portieri i parë i kombëtares gjermane do të jetë Manuel Neuer i Schalkes.
Mesfushori italian, Andrea Pirlo, mendon se suksesi për Italinë është i bazuar në përbërësit e cilësisë, pasi që ai është duke synuar fitoren ndaj Estonisë dhe Ishujve Faroe.
“Ne duhet të fillojmë të luajmë futboll. Afrika e Jugut tregoi se nëse keni cilësinë atëherë do të fitoni. Pasime të shpejta dhe top në këmbë, ne duhet të mësojmë të luajmë kështu”.
“Problemi me Italinë është që ne të gjithë kemi pak cilësi, lojtarët, tifozët dhe stadiumet. Ne duhet ta rigjejmë këtë. Ne duhet të fillojmë me dy fitore dhe të luajmë mirë në Talin (kryeqyteti i Estonisë). Nuk do të jetë lehtë ndaj Estonisë. Ata janë ekip i mirë. Ne duhet të fitojmë”, deklaroi Pirlo.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka këmbëngulur se ai është njeriu i duhur për t’i dhënë stabilitet afatgjat klubit nga Santiago Bernabeu, ndërsa ka ironizuar kur tha se ai nuk është Harry Potter për të bërë magji për kohë aq të shkurtër.
“Unë jam trajner, nuk jam Harry Potter. Ai është magjistar. Magjia është iluzion dhe unë jetoj për futboll, i cili është real”.
“Unë jam te Reali që vetëm dy muaj. A e dini se sa seanca stërvitore ka mbajtur komplet ekipi duke përfshirë edhe transferet e reja? As dhjetë. Profili im si trajner është i ndryshëm me atë që ka qenë viteve të fundit. Nëse gjërat shkojnë keq, unë do të largohem. Në atë rast do të më priste një nga skuadrat më të forta në botë”.
“Ky stabilitet personal më lejon të them se jam njeriu ideal për ta drejtuar Realin, sepse unë nuk kam frikë nga asgjë. Reali ka nevojë për stabilitet dhe unë jam këtu për t’ia dhënë këtë”, deklaroi portugezi.
Përforcimi i ri i Liverpoolit, Paul Konchesky, është i ngazëllyer për shkak të transferimit të tij në Anfield, dhe dëshiron të ftojë trofe me klubin e tij të ri.
Roy Hodgson arriti ta transferojë mbrojtësin e majtë të Fulhamit në ditën e fundit të afatit kalimtar, me anglezin që nënshkroi marrëveshje katërvjeçare me Redsat.
“Jam shumë i ngazëllyer që jam këtu. Mezi pret të filloj të luaj për Liverpoolin. Dua të fitoj trofe. Besoj se ky klub është i aftë ta bëjë këtë dhe shpresoj se do të fillojmë që këtë vit”.
“Shumë mirë njihem me menaxherin dhe e di se çfarë mund të bëjë ai, dhe po ashtu ai më njeh mirë mua dhe kualitetet e mia. Kam kaluar dy vite e gjysmë të shkëlqyeshme me të”, ka thënë Konchesky për faqen zyrtare të klubit .
UEFA ka konfirmuar se vuvuzelat nuk do të lejohen në asnjë ndeshje këtë sezon që është nën autoritet të drejtpërdrejtë të kësaj organizate.
Instrumenti, që ishte aq i zhurmshëm dhe prodhim i Kupës Botërore të kësaj vere në Afrikën e Jugut, shihet si shumë shqetësues nga shumë personalitete të futbollit dhe nuk do të dëgjohet as në ndeshjet e Ligës së Kampionëve e as në Europa League.
Ndalimi po ashtu vlen edhe për kualifikimet për Euro 2012, me UEFA-në që i ka informuar 53 anëtarët se ndalimi do të zbatohet për ‘arsye të lidhura me kulturën dhe traditën e futbollit evropian’, me drejtuesit që preferojnë të dëgjojnë këngët dhe himnet se sa zhurmat e pamend në fusha.
“Kupa Botërore ishte karakterizuar nga vuvuzelat dhe shfrytëzimin e vazhdueshëm të tyre. Në kontekst specifik të Afrikës së Jugut, vuvuzela jep ngjyra lokale dhe folklor, por UEFA ndjen se shpërndarja e gjerë e përdorimit të instrumentit nuk do të ishte e përshtatshme në Evropë, ku zhurma e vazhdueshme do të ishte shumë e theksuar”.
“Për të shmangur rrezikun e efekteve negative në stadiume ku luhen ndeshjet e garave të UEFA-së dhe për të mbrojtur kulturën dhe traditën e futbollit evropian – këndimin, himnet, etj – UEFA ka vendosur që me efekt të menjëhershëm vuvuzelat nuk do të lejohen në stadiumet ku zhvillohet ndeshje të garave të UEFA-së”, thuhet në deklaratën e organit udhëheqës të futbollit në Evropë.
Nënshkrimi i Romës, Marco Borriello, ka thënë se ka qenë presidentja Rosella Sensi ajo e cila e ka bindur atë të kalojë në kryeqytetin italian.
Borriello ka shtuar se ai nuk është dashur të mendohet dy herë për t’iu bashkuar klubit, pasi realizoi transferimin e tij në formë huazimi me opsion për ta bërë atë të përhershëm për rreh 10 milionë euro në fund të sezonit.
“Roma ka folur me mua për planet dhe strategjitë e tyre. Rosella Sensi fliste me zemër, Roma nuk më bëri të mendoj se jam vetëm një numër”.
“E kam Romën në gjak. Dua t’i bëj të lumtur fansat. Kam realizuar ëndrrën e jetës time. Jam i lumtur. E kam zgjedhur Romën pasi e di se është një transferim permanent. Roma beson në mua dhe unë llogaris ta shpaguaj këtë besim”, ka thënë Borriello për Il Corriere dello Sport.
Philippe Mexes është i gatshëm të nënshkruajë kontratë të re me Romën, bën të ditur drejtori Gian Paolo Montali.
Pasi ka transferuar Marco Borriellon në ditën e fundit të afatit kalimtar, Roma tash ka kthyer vëmendjen kah kontratat e lojtarëve që tashmë janë në klub. Dhe Mexes është në listë, pavarësisht një vere të pasigurt rreth të ardhmes së tij.
“Ne po llogarisim shumë në Mexes. Ai ka edhe një vit në kontratën e tij dhe prioritare është rinovimi i saj. Në disa javët e ardhshme do të punojnë në këtë”, ka thënë Montali për L’Equpe.
Tottenhami është në pritje të pohimit të FA për transferimin e Rafael van der Vaart, pasi ende është e paqartë nëse holandezi do të transferohet në White Hart Lane.
Holandezi ishte në prag të transferimit në Bayern Munich ku do të kalonte për një shumë prej 18 milionë funtesh. Por ky transferim dështoi në momentin e fundit dhe Reali zbriti çmim më shumë se përgjysmë, dhe Van der Vaart ishte i hapur për kalim në ekipet tjera në vetëm dy orë para fundit të afatit kalimtar. Tottenhami reagoi shpejt dhe ofroi 8 milionë euro për holandezin.
“Mendova se Van der Vaart do të shkonte në Bayern për 18 milionë funte. Por përnjëherë ai ishte në dispozicion për një çmim shumë më të lirë”, ka thënë trajneri i Tottenhamit, Harry Redknapp.
“Rafael është lojtar kualitativ. Kur dëgjuam se për atë çmim (8 milionë funte) mund të transferojmë një lojtar të tillë, reaguam menjëherë. Por pasi gjithçka ndodhi në momentin e fundit, ende duhet të presim pohimin për transferim”, ka përfunduar Redknapp.
Fernando Torres është i zhgënjyer që Liverpooli nuk ka arritur të gjejë pronarë të rinj, të cilët do t’i mundësojnë klubit t’iu kthehet ditëve të famshme në Anfield.
Bashkë-pronarët e Liverpoolit, George Gillet dhe Tom Hinks, e nxorën klubin në shitje në muajin prill, por blerësi ende nuk është gjetur.
“Është e rëndësishme të vijnë pronar të rinj dhe të krijojnë një ekip më konkurrues. Nuk kemi ngecur shumë prej të tjerëve. Vitin e kaluar kishim një sezon të keq, por më herët ishim vetëm katër pikë prapa Manchester United.
“Shpresojmë të gjejmë shoqëri e cila do ta blejë klubin dhe do ta bëjë të luftojë financiarisht me Chelsean dhe United. Është keq që nuk u kualifikuam për në Ligën e Kampionëve, por Liverpooli edhe më tej është një klub i madh në Angli dhe është privilegj të luhet në Anfield”, ka thënë Torres.
Alexandr Hleb thotë se ai ka mundur të nënshkruajë edhe me Liverpool ose Tottenham, por e ka zgjedhur Birminghamin me qëllim që të ketë më shumë minutazh në fushë.
Bjellorusi bëri lëvizjen në ditën e fundit të afatit kalimtar, dhe në sezonin në vijim do të luajë për Birmighamin, ku do të qëndrojë si huazim njëvjeçar nga Barcelona.
“Kishte shumë oferta, Luiverpool, Tottenham, Benfica. Por ishte e patjetërsueshme të shihen me kujdes të gjitha opsionet. Me disa nuk arritëm të merremi vesh për kushtet. Birmingham më ka dashur më shumë se çdokush tjetër, andaj ata ishin prioritet për mua”, ka thënë Hleb.
Menaxheri i Fulhamit, Mark Hughes, thotë se nuk ka pasur kurrfarë shansesh që klubi të lejonte portierin Mark Schwarzer t’i bashkohet Arsenalit.
Numri një i Fulhamit joshi interesimin e Topçinjve, por rezistenca e trajnerit Mark Hughes nuk lejoi që Schwarzer të ndërrojë ambient.
“Kemi biseduar për situatën e Mark në disa raste dhe ne dëshironim që ai të qëndrojë. Ne e kuptonim se kishte interesim nga Arsenali, por duke marrë parasysh situatën e portës, nuk kishte shanse që ai të largohej”, ka thënë Hughes.
Anësori i Arsenalit, Theo Walcott, thotë se lënia jashtë Kupës së Botës ka ndihmuar lojën e tij të përmirësohet.
Walcott u la në mënyrë të befasishme jashtë Botërorit, Afrika e Jugut 2010, gjatë të cilit Anglia dështoi të tregojë lojë të mirë duke u eliminuar herët në garë.
“Kam pasur një pushim të bukur gjatë verës dhe gjithçka ka shkuar mirë, andaj vetëm duhet t’i mbaj këmbët në tokë. Është një prej atyre gjërave që ndodhin (mospërfshirja në Botëror). Nuk ia kam kthyer gishtin askujt, nuk e kam fajësuar askënd, është zhgënjyese, por nuk do ta fajësoj as veten”.
“Vetëm duhet të sigurohem që kjo të mos ndodhë përsëri, duke punuar fuqishëm në stërvitje. Nuk kam dashur të mendoj shumë për këtë dhe kam pasur një pushim të mirë mental gjatë verës, pasi dëshironi ta kaloni kohën me familjen kur mundeni. Por tash shkon mirë dhe kaq mund të bëj”, ka thënë Walcott.
Jose Mourinho thotë se ai mund t’i bëjë ballë presionit te Real Madrid, pasi ai është një person ‘Special’.
Mourinho thotë se arritja e tij është e veçantë për Realin pasi reputacioni i tij është i tillë a dështimi do të thotë se ai mund të kalojë te një ‘tjetër klub i madh’.
“Profili im si trajner është më ndryshe nga ai që Madrid ka pasur këto vite. Nëse gjërat shkojnë keq këtu dhe unë duhet të shkoj, do të gjej klub menjëherë ditën tjetër. Por jo Palmeiras ose Gava ose në qytetin tim. Do të jem përsëri me një prej klubeve më të mira në botë”, ka thënë Mourinho.
Seydou Keita ka nënshkruar vazhdimin dyvjeçar të kontratës me Barcelonën, e cila do ta mbajë atë në Camp Nou deri në vitin 2014.
Përfaqësuesi i kombëtares së Malit, i cili kishte kontratë me Barcën deri në vitin 2012, ka vendosur të qëndrojë më gjatë me kampionin e Spanjës, ndërkaq klauzula blerëse e tij është çuar në 100 milionë euro.
“Këtu ka shumë kërkesa dhe nëse mundem jam i sigurt se do të pensionohem këtu. Kjo është ëndrra ime, por duhet t’i merrni gjërat hap pas hapi”, ka thënë Keita.
Adriano Galliani Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka lëvduar presidentin e klubit, Silvio Berlusconi, për kompletimin e dy supertransferimeve të Robinhos dhe Zlatan Ibrahimovicit.
“Robinho do të veshë fanellën me numër 70, ndërsa Ibrahimovic atë me numër 11. Robinho na kushtoi 18 milionë euro plus bonuset”.
“Për aq shumë vite nuk e kam parë Berlusconin të jetë aq i dashuruar në Milanin. Të dielën Ibrahimovic më tha që të shkoj dhe ta blej Robinhon”, tha Galliani për Sky Sport 24.