Pep Guardiola është afër nënshkrimit të kontratës së re me Barcelonën, bën të ditur zëvendëspresidenti i klubit.
Pas vetëm dy vitesh qëndrimi në maje të Barcelonës, Pep Guardiola fitoi tetë tituj. Barcelona dëshironte ta mbajë lojtarin për një afat më të gjatë, por ai ishte i gatshëm për vetëm një vit vazhdim të bashkëpunimit.
Megjithatë, informatat e fundit thonë se Guardiola së shpejti do të mund të nënshkruajë kontratë të re trevjeçare me ekipin spanjoll.
“Trajneri shumë shpejt mund të nënshkruajë marrëveshje të re. Ne donim marrëveshje afatgjate me Pep, por ai vendosi të jetë vetëm njëvjeçare. Tash trajneri e ka hapur derën për një marrëveshje më të gjatë. Kjo nuk do të jetë problem, pasi klubi është shumë i kënaqur me punën e tij”, ka thënë zëvendëspresidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu.
Sulmuesi i Hamburgut, Ruud van Nistelrooy, thotë se njëshi i Arsenalit, Robin van Persie, nuk është një golashënues natyral.
Van Nistelrooy është rikthyer në ekipin kombëtar holandez për kualifikimet për Euro 2012, derisa Van Persie qëndron jashtë fushe për shkak të lëndimit.
“Robin ka thënë në televizion se sa vështirë ishte të jesh sulmues për Holandën. Ai ishte aq i sinqertë për atë. E kam ditur saktësisht se si është ndjerë. Van Persie nuk e ka këtë në gjakun e tij. Dhe ju mund të shihni vetë se ai nuk është gola-shënues i vërtet... por është një lojtar i shkëlqyeshëm”, ka thënë Nitelrooy.
Përforcimi i ri i Barcelonës, Javier Mascherano thotë se është një gënjeshtër absolute se ai është larguar nga Anfield për shkaqe familjare.
Pasi u transferua te Barcelona, Mascherano haptas sulmoi Liverpoolin duke thënë se Redsat i kanë dhënë atij premtime të rrejshme.
“Kur filluan ta përfshijnë edhe familjen time dhe të flasin gjëra që nuk kanë kuptim, isha i lënduar. Ata më premtuan diçka gjithë vitin dhe kurrë nuk e plotësuan premtimin e tyre. Dhe kjo nuk kishte aspak të bënte me familjen time. Kur i dëgjoni gënjeshtrat e tilla, filloni të nervozoheni”, ka thënë argjentinasi për Guardian.
Për dallim prej fjalëve negative të klubit, Mascharano ka fjalë të mira për ish-trajnerin Rafa Benitez.
Ish-trajneri i Interit, Jose Mourinho thotë se Milani do të jetë më ndryshe me Ibrahimovic dhe Robinho, por shpreson që Nerazurët t’i fitojnë të gjithë trofetë përveç Ligës së Kampionëve.
Mourinho arriti të fitojë në të gjitha frontet me Interin, duke i sjellë triumf historik ekipit italian. Por në fillim të këtij sezoni rivali kryesor i Interit, Milani, është përforcuar dukshëm dhe është një prej kandidatëve kryesor për të fituar Skudeton.
“Milani me Ibrahimovic dhe Robinho do të jetë më ndryshe, por nuk dua të flas për Skudeton. Megjithatë, forca Inter. Shpresoj se ata do të fitojnë gjithçka me përjashtim të Ligës së Kampionëve. Çdo të diel flas me Massimo Morattin”, ka thënë Mourinho për Gazzetta dello Sport.
Joe Hart thotë se ai do të dëshironte të largohet nga Manchester City nëse nuk do të ishte startues këtë sezon.
Portieri i Cityt, Joe Hart, sezonin e kaluar ishte i huazuar te Birmingham ku pati një paraqitje impresive, derisa Shay Given ishte portieri i parë te City. Por këtë sezon gjërat kanë ndryshuar, dhe Hart ka zënë vendin para Given, i cili tash qëndron në stol.
"Vetëm dua të luaj. Qëndrimi në stol thjesht nuk më intereson, vetëm kur jam në fushë kënaqem në futbollin. Nëse Shay do të ishte zgjidhja e parë, atëherë do të duhej të kërkoja zgjidhje tjetër, por për fat tash për tash luaj dhe dua të kënaqem në këtë", ka thënë Hart.
Chelsea raportohet se ka shpërdoruar mundësinë për të siguruar shërbimet e përforcimit të ri të Tottenhamit, Rafael van der Vaart, në ditën e fundit të afatit kalimtar.
London Evening Standard shkruan se ish ylli i Real Madridit, ishte në rrugë për të kaluar nga Bayern Munich, por marrëveshja dështoi në ditën e fundit.
Më pas lojtari i është ofruar Chelseat, si edhe Tottenhamit në orët e fundit të mbylljes së afatit kalimtar, por Blutë nuk kishin qenë të interesuar për të pasi mesfusha nuk ka qenë një zonë ku ata kanë nevojë të forcohen.
Mbrojtësi i Arsenalit, Armand Traore, është i kënaqur me huazimin e tij te Juventusi.
21-vjeçari erdhi në Olimpico të Torinos për të konkurruar për një vend në fushë me Paolo De Ceglie.
I brohoritur nga fansat e Juventusit: “Traore, je i madh”, lojtari është përgjigjur: “Jo, është Juve që është klub i madh, ky është vërtetë një klub i madh”.
Së fundi mediat shkruan se Juventusi ka opsion për të nënshkruar me lojtarin edhe në mënyrë të përhershme, edhe pse u raportua se lëvizja e tij ishte një huazim i pastër.
Por Juve raportohet se ka paguar edhe 500 mijë euro shtesë, për të pasur privilegjin e nënshkrimit të tij për një shumë rreth 4.5 milionë euro në fund të sezonit.
Roma ka zbuluar se kishte bërë ofertë të vonshme për të transferuar mesfushorin kosovar të West Ham United, Valon Behrami.
Avokati i klubit italian, Antonio Conte, ka thënë se klubi nga kryeqyteti ishte i pasuksesshëm në tentimin për të transferuar lojtarin e përfaqësueses së Zvicrës në ditën e fundit të afatit kalimtar.
"Presidentja Rosella Sensi dhe drejtues të tjerë ekzekutiv u përpoqën të nënshkruajnë me Behramin. Daniele Prade (drejtori sportiv) u përpoq deri në fund, por kishte probeleme gjithë kohës, pasi neve na mungonin disa detyrime të cilat kërkoheshin që Roma ta përmbyllë marrëveshjen", ka thënë Conte për Centro Suono Sport.
Në anën tjetër edhe një klub tjetër i Serie A, Cesena, ka pohuar se kishte bërë ofertë për shqiptarin, e cila ishte refuzuar nga West Ham United.
Real Madrid ka kritikuar menaxherin e Tottenhamit, Harry Redknapp, për gënjeshtra rreth transferimit të mundshëm nga Bayern Munich të mesfushorit Rafael van der Vaart.
Van der Vaart u bë lojtar i Tottenhamit për vetëm 8 milionë funte, gjatë një transferimi që u realizua në çastet e fundit të afatit kalimtar, por Real Madrid është i pakënaqur me Redknapp i cili tha se holandezi ishte kërkuar nga Bayern.
"Është absolutisht e pavërtetë se Real Madridi ka pranuar ofertë prej 21 milionë euro nga Bayern Munich për Van der Vaart. Në të vërtetë, ekipi gjerman kurrë nuk ka treguar interesim për të nënshkruar me lojtarin, andaj supozimet e bëra në Angli më kanë befasuar”, ka thënë drejtori sportiv Miguel Pardeza.
Juventusi i ka lënë disa lojtarë të mëdhenj jashtë listës së lojtarëve që do të luajnë në Europa League.
Juve i ka lënë jashtë garës evropiane Gigi Buffon, Fabio Quagliarella dhe Alberto Aquilanin. Biankonerët nuk mundën ta përfshijnë ish sulmuesin e Napolit dhe ish mesfushorin e Liverpoolit pasi ata tashmë kishin marrë pjesë në këtë garë me klubet tyre.
Në anën tjetër Buffon nuk do të rikthehet në fushë deri në janar, për shkak të operacionit, andaj nuk është përfshirë në ekip.
Dy nënshkrimet e reja, Armand Traoré dhe Leandro Rinaudo janë në listë, por Hasan Salihamidzic dhe Fabio Grosso janë lënë jashtë liste, pasi nuk u pajtuan të largohen nga klubi gjatë verës.
Ish drejtori gjeneral i Juventusit, Luciano Moggi, beson se Milani e ka transformuar veten në një prej pretenduesve për titull gjatë kësaj jave.
Milani solli Zlatan Ibrahimovic dhe Robinho në ditët e fundit të afatit kalimtar dhe Moggi është i impresionuar nga ky veprim.
"Klubi ka punuar vërtet mirë, Ibra dhe Robinho janë lojtarë absolutisht të nivelit të lartë dhe veçanërisht mund tu ndihmojnë atyre të fitojmë përsëri. Pa dyshim arritja e Robinhos dhe Ibrahimoviac do ta inspirojë trajnerin, i cili ka dashur lojtarë të mëdhenj në ekipin e tij. Kjo mund ta bëjë diferencën gjatë sezonit", ka thënë Moggi.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka sulmuar sërish ish-trajnerin e tij, Pep Guardiola, duke thënë tani se ai nuk është trajner, pasi që nuk di t’i zgjidhë problemet me lojtarët e tij.
“Unë nuk kam thënë asgjë, por nuk mund t’ia lejojë vetes të qëndroj në tribuna dhe të shikoj motin. Askush te Barcelona nuk dëshiroi të më shiste, por problemet filluan në mars. Unë kërkova sqarime, por ai nuk mu përgjigj”.
“Një trajner i madh i zgjidhë problemet me lojtarët e tij. Një i vogël, u ikë problemeve të tij. Në fillim ne patëm marrëdhënie të mira, më pas rastësisht, unë nuk e di se çfarë ndodhi. Unë nuk mund t’ia lejojë vetes të kaloj edhe një vit apo tri të tjera në tribuna, sepse unë pashë se çfarë ndodhi sezonin e kaluar me Thierry Henryn”.
“Robinho është magjistar. Ne kemi sulmin më të fortë në Evropë. Nëse unë do të isha trajner i Milanit, atëherë do të isha tejet i kënaqur”, deklaroi Ibrahimovic.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, duket se ka ndikim të madh në lojtarët e tij. Tani Fergie ka shprehur talentin e tij në stilistikën e flokëve, duke e detyruar transferin e ri, Bebe, t’i shkurtojë flokët karakteristikë të tij.
“Unë po punoj shumë, të gjithë më ndihmojnë shumë. Unë jam përshtatur mirë, duke parë kohën e shkurtër që kam qenë këtu”.
“Veteranët gjithashtu më ndihmojnë. A më detyroi Ferguson t’i shkurtoj flokët? Pak a shumë…”, tha ish-sulmuesi i Vitoria Setubal.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, ka këmbëngulur se barazimi në javën e parë ndaj Mallorcas, nuk do të thotë asgjë sa i përket garës për titull në La Liga.
“Ne nuk kemi mundur ta fitojmë ndeshjen e parë, por është me rëndësi që t’i marrim gjërat ngadalë. Kampionati është i gjatë dhe vërtet nuk ka lidhje se si fillojmë, por se si do të përfundojmë. Do të shohim çfarë do të ndodhë”.
“Mourinho është një trajner serioz dhe motivues, i cili është mësuar së fituari. Ne shpresojmë se ai mund të dëshmojë se Reali është një nga ekipet më të mira këtë vit. Me rëndësi është që të gjithë po mësojmë nga ai”, tha Higuain.