Zlatan Ibrahimovic AC Milan Sipas një liste të publikuar nga sportivja italiane, La Gazzeta dello Sport, ish-sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovic, ka vazhduar të jetë mbret në Serie A, tani edhe me skuadrën e tij të re, Milan, pasi që mban ende pozitën e parë në listën e lojtarëve më të paguar.
‘Ibracadabra’ është në krye të listës me 9 milionë eurot që i fiton te Milani.
Në pozitën e dytë radhitet befasisht Samuel Eto’o, i cili fiton 8 milionë euro për sezon. I treti në këtë listë është braziliani që ankohet pikërisht për pagën e tij, Ronaldinho, i cili nuk ndihet i kënaqur me 7.5 milionë euro.
Njeriu i cili pritet të shkarkohet shumë shpejtë nga posti i përzgjedhësit të Portgualisë, Carlos Querioz, ka deklaruar se ai nuk frikësohet nga ‘sëpata’ e Federatës Portugeze të Futbollit.
“Marrëdhëniet e mia me federatën portugeze kanë qenë gjithnjë të mira, nuk kam nevojë të frikësohem”.
“Barazimi ndaj Qipros dhe humbja nga Norvegjia? Ata ishin fantastikë dhe bënë gjithçka në mundësitë e tyre. Gjërat nuk shkuan mirë dhe kjo është keq për ta. Kështu që, unë u jap atyre fjalë të guximit dhe solidaritetit”, u shpreh Queiroz.
Mesfushori i Milanit, Kevin Prince Boateng, ka thënë se atij do t’i duhet kohë për t’u përshtatur në San Siro, përkundër faktit se dëshiron të jetë i suksesshëm.
“Mendoj se kam kohë. Unë posa fillova, por nuk do të vë presion mbi vetvete”.
“Ne do të shohim se si do të shkojë sezoni dhe se si do të dalin llogaritë në fund. Unë kam pasur gjithmonë besim në aftësitë e mia dhe jam i bindur se do t’ia dali këtu, por tani për tani nuk ndjej presion”, tha Boateng.
Përzgjedhësi i Anglisë, Fabio Capello, ka konfirmuar se ai do të largohet nga posti i selektorit të Albionëve pas përfundimit të Euro 2012.
I pyetur nëse Euro 2012 do të jetë gara e fundit e madhe për të si menaxher i Anglisë, Capello tha: “Absolutisht. Po. Natyrisht, ne duhet të kualifikohemi, por pas kësaj do të jem shumë i moshuar. Dua të kënaqem me jetën si pensioner”, theksoi Capello.
Fabio Capello ka qenë nën zjarrin e mediave angleze pas dështimit në Botërorin, Afrika e Jugut 2010, por vazhdoi kontratën e tij deri pas përfundimit të Euro 2012.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, është i lumtur që sulmuesi i tij, Fernando Torres, nuk luajti për Spanjën në ndeshjen miqësore ndaj Argjentinës.
“Ne biseduam me përzgjedhësin e Spanjës dhe ai më tha se ishte e pamundur që ai të mos grumbullohej me pjesën tjetër të skuadrës. Nëse ai do ta bënte këtë me Torresin, shumë lojtarë tjerë të mëdhenjë do të dëshironin poashtu që të mos grumbulloheshin me skuadrën”.
“Për shkak të drejtësisë, ata u ndjenë të obliguar për të marrë të gjithë, por fatmirësisht ata dëgjuan lutjen time dhe ata nuk e mbingarkuan, ndërsa fakti se nuk mori pjesë në lojë, do të thotë se ai do të vijë në formë të mirë dhe do të jetë në gjendje të punojë me neve”, tha Hodgson.

Interi është i gatshëm të transferojë mbrojtësin e Boltonit, Gary Cahill.
The Sun shkruan se Manchester United dhe Arsenali, i cili vizion të shtunën Boltonin, e kanë monitoruar ish-lojtarin e Aston Villas tashmë një kohë.
Por tash ata kanë konkurrencën e Interit, menaxheri i të cilit klub, Rafa Benitez, është një admirues i kamotshëm i lojtarit.
Cahill së fundi u rikthye në kombëtaren angleze si zëvendësues në pjesën e dytë të fitoren 4-0 ndaj Bullgarisë në Wembley.
Portieri i Italisë dhe i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka mbrojtur ish-përzgjedhësin Marcello Lippi dhe vendimet e tij, pasi që mendon se ato ishin të drejta.
“Nga shiqimi i parë është shumë lehtë të japësh një përgjigje të përkryer. Prapa zgjedhjeve të Lippit kishte një sens koherence dhe qëndrueshmërie. Ai deshi që t’i shpërblente ata që punuan në ciklin dyvjeçar, duke i dhënë precedencë shumëanshmërisë dhe stabilitetit”.
“Në fund të ditës, gjithçka nuk shkoi si duhet. Revolucioni i vërtetë ishte në thirrjen e lojtarëve të cilët nuk ishin këtu më parë, por kjo nuk do të thotë se zgjedhjet e Lippit duhet të kritikohen pa të drejtë”, ka thënë Buffon.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është i bindur se do të kthehet me kohë nga faza e rikuperimit, për të luajtur ndaj Ajaxit të mërkurën në Ligën e Kampionëve.
“Unë po mendoj vetëm se si t’i ndihmoj ekipit dhe besoj se mund të jem i gatshëm për ndeshjen ndaj Ajaxit. Unë ndjehem më mirë dhe ne do të shohim se si do të zhvillohet situata”.
“Unë nuk jam ende në formë të përkryer, por jam pothuajse 100 përqind i gatshëm. Unë do të kthehem sa më shpejtë që është e mundur dhe ne do të shohim pas disa ditësh nëse do t’i bashkohem grupit”, theksoi Ronaldo në një konferencë për shtyp.
Real Madridi ka bërë të ditur se ka pasur rritje prej 8.6 % të fitimit bruto nga viti i kaluar, në 442.3 milionë euro për sezonin 2009-2010.
Gjigantët spanjollë kanë bërë të ditur në faqen zyrtare të tyre detajet financiare, ndërsa një nga statistikat që ka rënë në sy është dhe ulja e borxhit nga 244.6 milionë, në 82.1 milionë euro.
Asetet neto për Los Blancos pësuan rritje prej 12.2 % dhe arritën në 219.7 milionë euro, ndërsa fitimi para taksave ishte 31 milionë euro, një rritje prej 24.2%. Profiti neto u rrit për 11.5%, pra për 24 milionë euro.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli, pritet që të operohet në gju, të enjtën në spitalin Pavia afër Milanos.
“Lëndimi i italianit është në meniskun lateral, një nga dy strukturat kryesore të gjurit dhe sipas të dhënave të para kemi menduar se riaftësimi do bëhej pa operacion”.
“Ishte shpresuar se këto simptoma do të tejkaloheshin lehtë, por kur Balotelli filloi programin e tij të rikuperimit, është bërë e qartë se ne është dashur të marrim hapa tjerë konkretë”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga klubi anglez.
Mario Balotelli për shkak të këtij operimi pritet të jetë rreth gjashtë javë jashtë fushave të blerta.
Gerard Houllier është emëruar edhe zyrtarisht si menaxher i Aston Villas, pasi e la postin e tij te Federata Franceze e Futbollit (FFF).
Ish-menaxheri i Liverpoolit është rikthyer në Ligën Premier pas gjashtë viteve të kaluara ne Anfield.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar që iu bashkova këtij klubi të madh dhe historik. Ishte shumë vendim i vështirë të largohesha nga FFF, por nuk munda ta refuzoj rastin të menaxhoj një ekip, angazhimin e të cilit si brenda si jashtë fushe e kam admiruar që një kohë të gjatë”.
“Aston Villa është një nga klubet më të mëdha angleze, që ka tifozë të mrekullueshëm. Është sfidë e madhe dhe mezi po pres që t’ia filloj punës”, deklaroi Houllier për faqen zyrtare të klubit të tij të ri.