Skuadra e Liverpoolit i është gëzuar fitores në kuadër të Europa League, duke e mposhtur Steaua Bucurestin me rezultat 4-1.Transferi i sivjetmë i ‘Të Kuqve’, Joe Cole, e hapi serinë e golave në minutën e parë të takimit, ndërsa Cristian Tanase barazoi shifrat (13’) për të vendosur rezultatin përfundimtar të pjesës së parë.
Pjesa e dytë u takoi tërësisht vendasve, të cilët shënuan tri herë. Fillimisht David N’gog riktheu avantazhin e Redsave nga penalltia (56’), ndërsa Lucas (81’) dhe sërish N’gog (90’) vendosën rezultatin përfundimtar prej 4-1.
Takimi tjetër i Grupit K, ndërmjet Napolit dhe Utrechtit, ka përfunduar pa gola.
Në takimet tjera, PSG ka mposhtur Sevillan me epërsi minimale prej 1-0, Porto ka fituar me rezultat 3-0 përballë Rapid Viennas, me rezultat të njëjtë Stuttgarti ka mposhtur Young Boys, ndërsa PSV Eindhoven dhe Sampdoria kanë barazuar 1-1.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka komentuar fillimin jo të këndshëm të sezonit për Interin, me vetëm një fitore në katër ndeshje nën drejtimin e Rafa Benitez.Jose Mourinho e ka udhëhequr Interin drejt tre titujve sezonin e kaluar, por Benitez nuk ka impresionuar për këtë pak kohë sa ka drejtuar Interin. Megjithatë Ancelotti beson se është vetëm çështje kohe, para se lojtarët t’i përshtaten ish-menaxherit të Liverpoolit.
“Nerazzurët po kalojnë kohë të vështira pasi ata duhet t’i adoptohen një trajneri të ri. Ka përgatitje dhe ide të ndryshme dhe taktika të reja për të përvetësuar”, ka thënë ish-menaxheri i Milanit për Sky Sports.
Ylli i Milanit, Ronaldinho, ka lavdëruar pronarin e klubit, Silvio Berlusconi, duke thënë se Kryeministri Italian është si baba i tij dhe ka treguar shumë besim në aftësitë e tij.Bosi i Milanit solli mesfushorin në San Siro në vitin 2008 për një shumë prej rreth 18.5 milionë eurosh, dhe braziliani dëshiron ta shpërblejë këtë besim.
“Ai është si prind. Si një vëlla i madh, si baba. E di se mund të llogaris në të. Ne kemi një raport të shkëlqyeshëm. Unë kam besim të plotë te ai dhe unë e kam besimin e tij. Nëse kam nevojë për diçka, i telefonoj atij”, ka thënë Ronaldinho për L’Equipe.
Mesfushori i Barcelonës, Javier Mascherano, beson se ai nuk do të ketë problem t’i adaptohet futbollit spanjoll dhe tashmë po përshtatet me jetën në Primera Division.“Nuk jam i shqetësuar, por duhet të jem i kujdesshëm të mos marr kartonë pas 20 minutash, pasi kjo ndikon në pjesën tjetër të lojës. Duhet të adaptohem, pasi kam kaluar shumë kohë në një ligë tolerante në kuptim të kontaktit fizik, dhe ndonjëherë harroni kur luftoni për top dhe duhet ta ndërpres këtë”.
“Por dua ta bëj të qartë se nuk kam qenë cak i arbitrave këtu, vetëm se futbolli këtu është ë ndryshe. Guardiola dëshiron që unë të luajë më shumë me top, pasi ndryshe nga futbolli anglez, mesfushorët defanziv luajnë rolin e tyre në përcjelljen e topin përpara. Ai gjithmonë më thotë për t’u pozicionuar dhe ta bëj veten të lirë, dhe ku duhet të jem kur ne bëjmë presion ndaj kundërshtarit”.
“Por vërtet nuk ka shumë dallime nga ajo çfarë gjithmonë kam bërë. Është pak a shumë e njëjta gjë, vetëm se duhet të luani një rol më të madh në lëvizjet konstruktive”, ka thënë Mascherano.
Juventusi nuk ka arritur të shënojë fitore para tifozëve të vet përballë Lech Poznan, në kuadër të Grupit A të Europa League.Zonja e Vjetër u befasua dy herë nga Artjoms Rudņevs (14’ dhe 30’), i cili krijoi epërsi të dyfishtë për polakët.
Në fund të pjesës së parë (45’+1), Giorgio Chiellini shfrytëzoi gabimin e mbrojtjes mysafire pas një asisti të Alessandro Del Pieros për ta kthyer Juven në lojë.
Në minutat e para të pjesës së dytë (50’), Chiellini realizoi edhe golin e dytë për bardhezinjtë pas një krosimi nga këndi të kapitenit Del Piero.
Alex Del Piero dëshmoi se edhe në moshë 35-vjeçare është sulmuesi kryesor te Juventusi kur nga 27 metra la të shtangur portierin Kotorowski, për të kaluar vendasit për herë të parë në epërsi.
Mirëpo, mysafirët nuk kishin ardhur të mposhteshin, ashtu që në minutat shtesë shënuan golin e tretë dhe barazuan rezultatin për të nxjerrë një pikë të artë nga ky takim, ndërsa Rudņevs kompletoi het-trikun e tij me një gol të jashtëzakonshëm.
Në takimin tjetër të grupit A, Manchester City ka shënuar fitore prej 2-0 si mysafir i RB Salzburg, ndërsa realizues ishin David Silva (6’) dhe Jo (63’).
Nga takimet tjera veçojmë humbjet e Atletico Madridit, Villarrealit dhe Palermos, ndërkohë Bayer Leverkusen ka shënuar fitore të lartë prej 4-0 kundër Rosenborgut.
Skuadrat kryesore italiane planifikojnë ta testojnë Tottenhamin me oferta gjatë afatit kalimtar të janarit për shërbimet e Gareth Bale.21-vjeçari është në formë të jashtëzakonshme në këtë fillim sezoni, ashtu që, sipas Itasportpress, përveç interesimit të mëhershëm të Real Madridit, ai tani është në shënjestër të Milanit, Juventusit dhe Interit.
Pasi nënshkroi zgjatjen katërvjeçare të kontratës në muajin maj, Spursat nuk do të jenë në disponim të pranojnë oferta me shifra të vogla.
Legjenda braziliane Rivaldo ka mohuar sërish spekulimet të cilat e lidhin atë me një kthim në La Liga për të luajtur te skuadra e Mallorcas.Dy sezonet e fundit, 38-vjeçari i ka kaluar te skuadra uzbeke Bunyodkor, ndërsa së fundmi ai kërkoi shfuqizimin e kontratës dhe është lojtar i lirë.
Sipas spekulimeve, është thënë se Mallorca interesohet për shërbimet e ish-lojtarit të Barcelonës dhe Milanit. Mirëpo, gjatë një konference për shtyp, Rivaldo ka mohuar spekulimet se do të transferohet te ndonjë skuadër, duke lënë të kuptohet se do t’i japë fund futbollit aktiv.
Trajneri i Juventusit, Luigi Del Neri, do të bëjë disa ndryshime në njëmbëdhjetëshin e parë në takimin e Europa League kundër Lech Poznan.Sipas Tuttosport, portieri Marco Storari do të pushojë për t’i dhënë shans Alex Manningerit, derisa pritet që mbrojtësi Nicola Legrottaglie të bëjë paraqitjen e parë këtë sezon.
Derisa Mohammend Sissoko, Zdenek Grygera dhe Davide Lanzafame do të shfaqen në fushë, Fabio Quagliarella dhe Amauri nuk do të jenë aty.
Kjo do të thotë se Del Neri në sulm të luajë me dyshen Alessandro Del Piero dhe Vincenzo Iaquinta.
Atletico Madridi është njëra nga skuadrat më të mira në Evropë dhe do t’i shkaktojë mjaft telashe Barcelonës në ndeshjen e fundjavës në Vicente Calderon- ka thënë mesfushori spanjoll Andres Iniesta.“Është realitet se Atletico Madridi e ka fituar Superkupën e UEFA-s, ka fituar dy ndeshjet e para në La Liga, dhe ka lojtarë të rëndësishëm të cilat janë në formë të mirë. Do të jetë vështirë”.
“Shumë nga lojtarët e tyre janë ndërkombëtarë dhe sot, (Atletico) është një nga skuadrat më të mira në Evropë”, ka thënë Iniesta në një intervistë për Marca.
Mesfushori i Tottenham Hotspur Rafael van der Vaart mund të mungojë në ndeshjen e radhës kundër Wolverhampton Wanderers të shtunën për shkak të një lëndimi në pulpë të këmbës.Lojtari 27-vjeçar paraqitjen e tij të parë në Ligën e Kampionëve për Spursat e bëri në barazimin e mëhershëm 2:2 me Werder Bremenin, dhe kishte paraqitje pozitive pasi që asistoi Peter Crouch të shënojë një gol.
Por ish-lojtari i Real Madridit nuk mundi t’i shkojë lojës deri në fund pas një lëndimi të pulpit të këmbës, për të cilin raportohet se nuk është i natyrës serioze.
Gazeta britanike “Daily Mail” ka raportuar se lëndimi i pësuar në Bremen ka gjasa ta lërë mesfushorin jashtë ekipit të parë gjatë ndeshjes së Ligës Premier, e cila do të mbahet të shtunën kundër “Ujqve” të shtunën.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të zhvillojë një miqësore me ekipin e ligës së parë të Zvicrës, Xamax Neuchatel, muajin e ardhshëm, ka bërë të ditur FFK me anë të një komunikate për media.Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, qëndroi një ditë në Zvicër me qëllim të sigurimit të një rivali për një ndeshje miqësore për Përfaqësuesen e Kosovës, dhe arriti të kompletojë me sukses një marrëveshje me skuadrën Xamax.
Ndeshja do të zhvillohet me datën 9 tetor, në stadiumin e qytetit të Neuchatel, Stade de la Maladiere. Ndeshja do të fillojë në orën 19.30, ndërsa pritet edhe pëlqimi i policisë kantonale, e cila do të merr përsipër sigurimin e kësaj ndeshjeje.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, beson se ekipi i tij do të bëjë përmirësime natyrale në ndeshjen e sotme të Europa League kundër ekipit polak Lech Poznan.Biankonerët kanë nxjerrë vetëm një pikë nga dy ndeshjet e para të Serie A, por Del Piero është i bindur se ata do të bëhen më të mirë për ndeshjen e parë të sezonit në garën evropiane.
“Ne kemi shumë për t’u përmirësuar. Ne kemi nevojë të bëhemi më efikas në sulm dhe të jemi më të fokusuar dhe të organizuar në anën e mbrojtjes. Megjithatë unë besoj se ne kemi bërë një hap përpara kundër Sampdorias, me respekt për ndeshjen e parë në Bari”, ka thënë Del Piero.
Zlatan Ibrahimovic është i ngazëllyer me paraqitjen e tij me ekipin e ri, në fitoren 2-0 ndaj Auxerre në Ligën e Kampionëve.Sulmuesi suedez shënoi të dy golat e fitores për Rossonerët, që të dyja në pjesën e dytë të ndeshjes dhe në një periudhë prej tre minutash (66-të dhe 69-të) dhe ka lavdëruar bashkëlojtarët e tij të rinj, të cilët krijuan një pjesë të dytë ‘të përkryer’.
“Ne vuajtëm nën agresionin e kundërshtarëve tonë, por ishte një pjesë e dytë e përkryer. Ishte një mbrëmje e mrekullueshme. Pas pushimit, fokusi ynë ndryshoi dhe ne luajtëm shumë më mirë”.
“Kjo ishte ndeshja ime e parë në San Siro për Milanin dhe vërtet doja t’ia dal mirë. Gjithmonë dua të fitoj, çdo herë”, ka thënë Ibra.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, është i ngazëllyer me fitoren e thellë ndaj Braga në Ligën e Kampionëve, edhe pse do të dëshironte të shënonte hat-trick.Fabregas shënoi dy herë, sa edhe Carlos Vela, ndërsa dy golat tjerë në fitoren 6-0 i shënuan Andrey Arshavin dhe Marouane Chamakh.
“Gjithmonë ka pasur një stërvitje të mirë këtu për shkak se Liga Premier dhe Liga e Kampionëve kanë ndeshje jo të lehta”, ka thënë Fabregas për ITV1.
“Gjithmonë jam ndjerë fantastik këtu. Jam i lumtur që jam këtu”, ka shtuar spanjolli i pyetur nëse ai është i lumtur te Arsenali, pas spekulimeve të verës për një transferim te Barcelona.
Fabregas ka thënë se ai është ca i zhgënjyer që nuk mundi të shënojë hat-trick. “Jam ca i zhgënjyer pasi doja ta arrij atë, është një gjë që ë nuk e kam bërë si profesionist”.
Mesfushori i Manchester United, Ryan Giggs, thotë se Djajtë e Kuq duhet ta mposhtin Liverpoolin gjatë vikendit, me qëllim që të ringjallin formën e tyre.United nuk po arrin të nxjerrë rezultate pozitive këtë fillim sezoni, pasi ata barazuan në tre nga katër takimet e fundit, së fundi kundër Rangers në Ligën e Kampionëve.
“Turma do të ndizet. Zakonisht është një ndeshje e shpejtë dhe një ndeshje e egër, atmosfera do të jetë e mrekullueshme këtu dhe të gjithë lojtarët do të jenë të gatshëm”.
“Ju e ndjeni këtë intensitet kur luani me Liverpoolin, pavarësisht se si luajnë ata. Chelsea dhe Arsenali po ashtu janë ndeshje të mëdha, por një derbi lokal kundër Liverpoolit dhe historia në mes dy klubeve e bën këtë shumë të veçantë”, ka thënë Giggs.
Menaxheri i Milanit, Massimiliano Allegri, beson se ekipi i tij kishte mësuar disa mësime nga humbja e vikendit ndaj Cesena, kur ata mposhtën ekipin francez Auxerre në Ligën e Kampionëve.Rossonerët shënuan fitore 2-0 në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të garës evropiane dhe paraqitja është lavdëruar nga Allegri, i cili po ashtu zhvilloi takimin e parë në këtë garë.
“Më pëlqeu durimi që ekipi e tregoi gjatë kësaj ndeshje. Auxerre punoi shumë fuqishëm në pjesën e parë dhe ne kishim disa shanse për të kaluar në avantazh, po ashtu duke rrezikuar që me kundërsulme të pësojmë. Ishte identike edhe ndaj Cesena, por fatmirësisht ata e dërguan topin e fundit gabimisht”.
“Pasi kaloi në avantazh, ekipi luajti mirë, edhe pse në pesë minutat e fundit, ne duhej ta mbanim topin më mirë”, ka thënë Allegri për Sky Italia.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, thotë se ekipi i tij kishte frikë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Munichut.Gialorossët u mposhtën me rezultat 2-0 nga finalistët e vitit të kaluar dhe paraqitja e tyre u kritikua nga Ranieri, për të qenit shumë pasiv dhe jo mjaft pozitiv.
“Ne ishim shumë më sulmues sezonin e kaluar, por sonte ne e pritëm Bayernin shumë dhe thjesht ishim shumë pasiv. Mendoj se kjo mund të jetë për shkak të pesë golave që pranuam gjatë vikendit dhe të vish këtu kundër nën-kampionëve të Evropës, ishte një moment shqetësues”.
“Ndoshta Bayerni besoi në rezultat më shumë, plus ata u ndihmuan nga një gol i klasit botëror i Thomas Muller. Nuk isha i zhgënjyer me ekipin, por duhet të jemi ca më të vendosur për ta bërë veten tonë të dëgjohet dhe për të përkrahur sulmuesit”, ka thënë Ranieri.
Portieri i Sevillas, Andre Palop, thotë se ata janë duke e konsideruar garën e Europa League shumë serioze.Pasi ka përfunduar në pozitën e katërt në Primera Division sezonin e kaluar, Sevilla pati rastin të kualifikohet për këtë sezon në Ligën e Kampionëve, por befasisht u eliminua nga Braga në fazën eliminatore, për të kaluar në Europa League, të cilën garë e kishin fituar në vitin 2006 dhe 2007.
“Është e qartë se ne do të dëshironim të ishim në Ligën e Kampionëve, por një lojtar dëshiron të fitojë cilëndo garë në të cilën merr pjesë. Ne do të shkojmë në ndeshje me të njëjtën dëshirë sikur të ishte Liga e Kampionëve. Nuk ka dallim në përballjen e një ekipi në Ligën e Evropës dhe një ekipi në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Palop.
Jose Mourinho ishte i ngazëllyer pas paraqitjes së Realit të Madridit në fitoren 2-0 ndaj Ajaxit në Ligën e Kampionëve.Trajneri portugez, i cili triumfoi në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, me Interin, e pa ekipin e tij të luajë fuqishëm për fitore. “Ne luajtëm shumë mirë, ne bëmë shumë presion dhe nuk i lejuam ata të luajnë si duan. Një ditë ndonjë ekip i dobët do të paguajë për gjithë ato shanse të humbura”, ka thënë Mourinho.
“Ishte një ndeshje e djelmoshave kundër djelmoshave, pasi Madridi ka një ekip të djelmoshave. Nëse e largoni Casillas dhe Carvalho, atëherë është një ekip i gjithë në djem, përveç Xabi Alonso i cili është baba”.
“Nuk jam i shqetësuar që Cristiano nuk ka shënuar. Golat do të vijnë. Ai ka punuar shumë mirë dhe mund të shënojë disa gola në çdo ndeshje. Cristiano dhe Higuain, shumë trajnerë duan të ketë sulmues të tillë. Golat do të vijnë”, ka shtuar Mou.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka qenë plot lëvdata për Nicolas Anelka pasi Blutë fituan në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve.Francezi shënoi dy gola për të ndihmuar ekipin e tij të shënojë fitore 4-1 ndaj ekipit sllovak Zilina në kuadër të grupit F.
“Çelësi [i fitores] ishte Anelka, ai luajti një ndeshje fantastike. Ai krijoi hapësirë, ai kishte mundësi, ai ishte çelësi i kësaj ndeshje. Ai mund të luajë në ballë, ndonjëherë e shfrytëzojmë atë më anash, ndonjëherë luan në mes, por ai ka treguar disa aftësi nëse luan në krah”, ka thënë Ancelotti
Italiani po ashtu është impresionuar edhe nga sulmuesi i ri Daniel Sturridge, i cili shënoi golin e katërt të ndeshjes për Blutë.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i ngazëllyer me paraqitjen e Jack Wilshere në fitoren e mbrëmshme ndaj Braga.Pas një huazimi te Bolton Wanderers, Wilshere këtë sezon u rikthye te Arsenali, dhe trajneri francez është më se i kënaqur me formën e tij.
“Ishte e rëndësishme [huazimi te Bolton] pasi kjo përshpejtoi karrierën e tij duke u përballur në Ligën Premier dhe duke luajtur ndeshje të vështira.
“Por, sigurisht, Jack është edukuar këtu dhe ai ishte një lojtar i jashtëzakonshëm që kur u largua nga Boltoni. Por kjo është pjesa finale e edukimit të lojtarit - ai duhet të integrohet në ekipin e parë dhe të luajë nën presion. Kjo ka qenë e rëndësishme për të”, ka thënë Wilshere.
I pyetur nëse ka pritur nga Wilshere të luajë një rol qendror kaq herët në sezon, Wenger ka thënë: “Sinqerisht jo. Por futbolli ju mëson një bë – bëhuni i hapur dhe kurrë mos i definoni opinionet”.
Shqipëria është ngritur tre pozita më lartë në renditjen më të re të FIFA-s.Nga vendi i 70-të, të cilin e mbante në muajin gusht, kombëtarja kuqezi është ngritur në vendin e 67-të, dhe kjo vjen pas barazimit prej 1-1 ndaj Rumanisë dhe pas fitores minimale kundër Luksemburgut.
Ndërkohë, në krye të renditjes botërore është kampioni i Evropës dhe botës, Spanja, që përcillet nga finalisti i KB 2010, Holanda, ndërsa në vend të tretë pozicionohet Gjermania.
Top pesëshin e përmbyllin Brazili dhe Argjentina, kurse në dhjetë vendet e para bëjnë pjesë Anglia, Uruguai, Portugalia, Egjipti dhe Kili, kurse Italia pozicionohet në vendin e trembëdhjetë.
Shqipëria, rezultatin më të mirë në renditjen e FIFA-s e ka arritur në gusht të vitit 2006 (vendi i 62-të), ndërsa rezultatin më të ulët në gusht të viti 1997 (vendi i 124).
















