Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, i cili u lëndua në ndeshjen e javës së kaluar kundër Cesenas, pritet të kthehet në fundjavë në ndeshjen e radhës në Serie A.
Braziliani mungoi në takimin e Ligës së Kampionëve kundër Auxerre, mirëpo trajneri Massimiliano Allegri ka njoftuar se gjasat janë të mëdha që ai të kthehet në vikend.
“Konfirmoj se ka gjasa që ai të jetë në fushë”, tha Allegri gjatë një konference për shtyp.
Anësori i Juventusit, Simone Pepe, ka kërkuar kohë që skuadra të përshtatet në mënyrën dhe taktikat e trajnerit Luigi Del Neri.
Bianconerët nuk e kanë filluar mirë sezonin, duke mos arritur të regjistrojnë fitore as në Serie A e as në Europa League, mirëpo Pepe ka kërkuar durim derisa bardhezinjtë ta gjejnë mënyrën e të fituarit.
“Ku gjendet Juventusi aktualisht është treguar në ndeshjen kundër Lech Poznan”.
“ E dimë se nuk po bëjmë gjëra të mëdha dhe e dimë se duhet të përmirësohemi. Nuk është problemi i mënyrës se si ne i qasemi lojës, por na nevojitet kohë që të përshtatemi në skemat dhe lëvizjet e Del Nerit”, ka thënë mesfushori italian për Sky Italia.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, është në dyshim për t’u paraqitur në ndeshjen e të dielës kundër Palermos.
Holandezi pësoi një lëndim në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Twentes, ndërsa Goal.com Italia njofton se ai mund të mungojë në fundjavë.
Sipas njoftimit, të premten Sneijder është stërvitur ndaras nga skuadra dhe ekzistojnë shqetësime se ai nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Rafa Benitez.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, ka mohuar spekulimet për pakënaqësinë e tij me trajnerin Claudio Ranieri, në lidhje me humbjen prej 2-0 nga Bayern Munichu.
Totti është cituar të ketë thënë se “Roma nuk luajti futboll” dhe kishte kritikuar mënyrën e tyre defensive të të luajturit, gjë që në media u përhap si kritikë ndaj trajnerit Ranieri.
“Ky mesazh u adresohet të gjithë tifozëve të Romës: Njerëzit e vërtetë si unë dhe trajneri e duan fanellën e Giallorossëve”, ka thënë sulmuesi italian duke shpjeguar më tutje se krejt çfarë ka thënë është keqinterpretuar, dhe se ai dhe Ranieri kanë raporte shumë të mira.
Jose Mourinho Jose Mourinho ka pranuar se do t’i pëlqente të ishte trajner i kombëtares së tij, Portugalisë, mirëpo e ka bërë të qartë se ai ka kontratë me Real Madridin.
Pas largimit të Carlos Queiroz, Federata Portugeze e Futbollit është në kërkim të një trajneri të ri, ndërsa emri i trajnerit të Realit është i pari në listë.
“Unë kam një kontratë me Real Madridin dhe nuk mund të bëj diçka që mund ta dëmtojë klubin...”.
“Unë do të doja t’i ndihmojë vendit tim, mirëpo nëse më duhet tash të them nëse do të shkoj ose oje, do të them se nuk do të shkoj”, ka shpjeguar ish-trajneri i Chelseat dhe Interit.
Drejtori i Interit, Marco Tronchetti Provera, ka dhënë shenja për mundësinë e kalimit të yllit të Real Madridit, Kaka, te trekampioni Inter.
Mospërshtatja e brazilianit në lojën e Los Blancos ka nxitur spekulime se ai mund të kthehet në Serie A, ndërsa Interi dëshiron t’i hakmerret Milanit për transferimin e Zlatan Ibrahimovicit.
“Do të më pëlqente ta shihja Kaka-n duke luajtur për Interin. Lojtari të cilin e pamë te Milani ishte i madh, dhe do të më pëlqente ta shihja me fanellën nerazzure”, ka thënë Provera për Sky Sport Italia.
Anësori i Sevillas, Jesus Navas, do të qëndrojë dy javë jashtë fushe, si pasojë e një lëndimi muskulor në ndeshjen e të enjtes mbrëma kundër Paris Saint-Germain.
Andaluzianët u mposhtën para tifozëve të vet me rezultat minimal nga PSG, ndërsa një tjetër goditje ishte edhe lëndimi i Navas.
Sipas AS, edhe pse spanjolli luajti deri në fund të ndeshjes, lëndimi do ta detyrojë atë që të pushojë nga 10 deri në 15 ditë për t’u rikuperuar.
Juventusi planifikon të shtojë edhe një vit në kontratën e Alessandro Del Pieros për të vlerësuar paraqitjet e jashtëzakonshme të tij.
Është thënë se ky do të jetë sezoni i fundit i kapitenit legjendar pas 17 vitesh me fanellën bardhezi, mirëpo La Stampa njofton se drejtuesit e Juves janë të impresionuar me paraqitjet e sulmuesit 35-vjeçar, ashtu që planifikojnë ta mbajnë edhe për një vit në skuadër.
Trajneri Luigi Del Neri është shprehur mjaft i kënaqur me paraqitjen e kapitenit në ndeshjen kundër Lech Poznan, ku asistoi në dy gola dhe e shënoi të tretin.
Ish-drejtori i Juventusit, Luciano Moggi, ka porositur drejtuesit të reagojnë për të zgjidhur problemet e klubit.
Juventusi është kritikuar për dështimet e hershme të sezonit, dhe duket se do të kalojë shumë kohë derisa ekipi të marrë veten.
“Ndoshta jo shumë njerëz më besojnë mua, por duke parë Juventusin të pranojë tre gola në shtëpi nga Lech Poznan, vërtet më lëndon. Kjo dëmton krenarinë, kujtimet e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve dhe Skudetot”.
“Tre gola mbrëmë, tre gola të dielën, ndjehem si një luan i mbyllur. Nëse do të mund, do ta ndihmoja këtë ekip, që për mua ka nënkuptuar po thuajse të gjithë karrierën time në futboll”, ka thënë Moggi për Tuttomercatoweb.
Anësori i Aston Villas, Ashley Young, beson se menaxheri i ri Gerard Houllier është personi i duhur për të çuar klubin drejt suksesit.
Ish-menaxheri i Liverpoolit do të marrë nën drejtim klubin nga Villa Park javën e ardhshme dhe Young pret që ai të sjellë një kulturë të fitores me vete dhe të ndihmojë ekipin të fitojë trofe këtë sezon.
“Shikoni në historinë e tij dhe se sa mirë ai ia ka dalë si menaxher, dhe ai mund të sjellë sukses këtu. Ta çojmë klubin përpara, kjo është ajo që ne duam dhe mezi presim të punojmë me menaxherin”.
“Vitin e kaluar ne vuajtëm – ishte zhgënjim në të dy kupat – por, shpresojmë të jetë më ndryshe këtë herë. Ne duam të fitojmë trofe me Aston Villan”, ka thënë Young.
Legjenda e Milanit, Paolo Maldini, beson se Rossonerët këtë sezon janë të aftë të fitojnë trofe.
Maldini ka folur në një ngjarje të organizuar nga fondacioni Milan dhe ka përmendur kualitetin e lojtarëve që ka në dispozicion trajneri Massimilliano Allegri.
“Në sulm ka shumë lojtarë me kualitet të shkëlqyeshëm si Ibra, Ronaldinho, Robinho dhe Pato, andaj është logjike të presim që Rossonerët të fitojnë këtë vit dhe të luftojnë një qëllim të madh”, ka thënë Maldini.
Portieri i Arsenalit, Manuel Almunia Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se përgjigja e portierit Manuel Almunia ka qenë fantastike.
33-vjeçari spanjoll ishte afër të largohet nga Emirates këtë verë, por vazhdoi të jetë pjesë e klubit londinez dhe tashmë ka treguar një formë të mirë. Wenger ka lavdëruar aftësitë e Almunia për të lënë prapa afatin kalimtar dhe për të treguar paraqitje të mira për klubin.
“Manuel Almunia është në resht të parë për momentin, për shkak të kualiteteve të tij dhe mënyrës se si ka pranuar atë çfarë ka ndodhur me të. Që nga fillimi i sezonit, mënyra se si ai është përgjigjur ndaj sfidës, ka qenë e jashtëzakonshme. Kjo është arsyeja se pse i jap përkrahjen time të plotë”, ka thënë Wenger.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka dërguar një mesazh paralajmërimi për bashkëlojtarët e tij, që të jenë të kujdesshëm në ndeshjen e radhës kundër Palermos që zhvillohet këtë vikend.
“Ndeshja e të dielës do të jetë shumë e vështirë. Publiku në stadiumin Renzo Barbera do të jetë kundër nesh. Palermo është një ekip shumë i mirë. E kam parë ndeshjen, ata duke luajtur kundër Brescia, dhe mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Zanetti.
Interi aktualisht mbledh katër pikë nga dy ndeshje, derisa Palermo ka vetëm një pikë nga po aq ndeshje.
Trajneri i Juventusit, Gigi del Neri, ka kritikuar lojtarët e tij për mospërqendrim pas barazimit të mbrëmshëm me rezultat 3-3 në Europa League ndaj Lech Poznan, ndeshje kjo e zhvilluar në Olimpico të Torinos.
“Ky rezultat na bën neve të shohim te vetja. Ne po vijmë nga rrethana të vështira, pastaj humbasim kur jemi duke e kontrolluar ndeshjen. Ne u përpoqëm shumë për të shënuar golin e tretë dhe u lodhëm, andaj duhej ta kishim ulur tempon”.
“Një gol i vonshëm mund të ndodhë, veçanërisht pasi Lech shënoi një gol të shkëlqyeshëm. Problemet janë gjithmonë të njëjtat: mungesë e koncentrimit dhe vetëbesimit në atë çfarë bëjmë në fushë. Sot nuk po flas për kualitetet e kundërshtarit, por për gabimet tona”, ka thënë Del Neri.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, është i impresionuar me paraqitjen shumë më ndryshe të ekipit të tij në ndeshjen e parë të sezonit në Europa League.
Hodgson bëri tetë ndryshime nga ekipi që luajti barazim pa gola ndaj Birminghamit gjatë vikendit të kaluar dhe Redsat arritën të shënojnë fitore me rezultat 4-1 ndaj Steaua Bukureshtit.
“Mendoj se është e rëndësishme të marrësh vendime dhe t’i marrësh ato për një arsye të duhur. Unë nuk kam dyshuar në atë, duke marrë parasysh se kemi shumë lojtarë të cilët luajnë futboll me kombëtare, ky ishte momenti i duhur për t’iu dhënë pushim dhe për t’i lejuar ata të përgatiten për ndeshjen e të dielës (kundër Manchester United)”.
“Ata që u inkuadruan bënë një punë të mirë dhe siguruan rezultat të mirë dhe sipas mendimit tim, vendimi do të ishte i mirë edhe nëse nuk do të kishim nxjerrë një rezultat të mirë”, ka thënë Hodgson.
Mesfushori i Manchester Cityt, David Silva Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka lëshuar lëvdata për paraqitjen e David Silva në fitoren e mbrëmshme prej 2-0 ndaj Red Bull Salzburg në kuadër të Europa League.
Mesfushori spanjoll, i cili nënshkroi nga Valencia gjatë kësaj vere, ka përjetuar një fillim të mbarë të karrierës së tij në Eastlands dhe tregoi se vërtet vlen 24 milionë euro me një paraqitje të shkëlqyeshme kundër austriakëve.
“David është një lojtar fantastik dhe për të është një situatë tjetër tash. Ai është duke luajtur një lloj futbolli tjetër. Por pas një muaji, ai është i gatshëm të japë 100 për qind për ekipin. Ai do të jetë një lojtar i rëndësishëm për të ardhmen. Ai është lojtar i fuqishëm, i cili luajti për Valencian në Ligën e Kampionëve për shumë vite. Ai di të luajë futboll”.
“Arsenali ka dy ose tre lojtarë si David dhe ata luajnë vërtet mirë. David mund të luajë në çdo pozitë. Për Valencian ai luante ose në të djathtë ose në të majtë, por mendoj se kjo pozitë (prapa sulmuesve) është më e mira për të”, ka thënë Mancini.
Sulmuesi i Chelseat, Nicolas Anelka, beson se për shkak të dendësisë së ndeshjeve dhe sezonit të vështirë, qëndrueshmëria e ekipit do t’i ndihmojë klubit të mbrojë titullin e ligës këtë sezon.
“Ne nuk e kemi ndryshuar ekipin shumë. Kjo do të thotë se çdokush e njeh njëri-tjetrin, që e bën më të lehtë për gjithkënd. Andaj, ndoshta kjo është arsyeja se pse ne po ia dalim mirë”.
“Unë kam luajtur si sulmues kryesor në vend të Didier Drogba në Ligën e Kampionëve gjatë të mërkurës dhe dhashë më të mirën për të ndihmuar ekipin. Shumë lojtarë ndonjëherë do të qëndrojnë në stol për të pushuar këtë sezon dhe çdokush e di këtë”.
“Kjo është sepse kemi shumë ndeshje dhe e dimë se do të jetë një sezon i vështirë. Çdokush e pranon këtë, pasi duam të fitojmë. Chelsea ka shumë lojtarë të mëdhenj që mund të shënojnë, dhe kjo është mirë për klubin”, ka thënë Anelka.
Andrey Arshavin ka porositur shokët e tij të Arsenalit të mos entuziazmohen shumë me fitoren e thellë ndaj Braga në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve.
Arshavin shënoi një gol në fitoren 6-0 të Arsenalit, para se të zëvendësohet pas një ore lojë, megjithatë ai duket skeptik rreth lojës së Arsenalit.
“Nuk mund të themi se kemi luajtur një ndeshje fantastike. Kemi treguar se çfarë mund të bëjmë dhe se dimë si të luajmë futboll. Në përgjithësi, në shtëpi dhe gjithmonë luajmë ndeshje të mirë. Gjëja kryesore është se ne fituam dhe kryesojmë në renditje”, ka thënë mesfushori rus.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se ai kurrë nuk do të mund të punojë për Milanin.
I pyetur nëse do të mund të ndjekë shembullin e Zlatan Ibrahimovic dhe të drejtojë rivalin e ish-klubit të tij, portugezi ka thënë se ai nuk është Ibrahimovic.
“Unë nuk jam Ibra. Unë jam shumë i dashuruar me familjen e Interit për të qenë në gjendje të menaxhoj atje. Megjithatë, gjithçka është e mundshme në futboll. Por nuk besoj se kjo do të ndodhë [me Milanin]”, ka thënë Mourinho.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ka ngritur supet rreth kritikave për taktikat e tij, pas humbjes nga Bayern Munich në Ligën e Kampionëve.
Francesco Totti kritikoi lojën e Romës dhe tha se Roma nuk mund të luajë më në atë mënyrë pas humbjes prej 2-0 në Allianz Arena.
“Nuk di asnjë për këtë. Nuk kam lexuar asgjë për të. Nuk dua të komentoj. Bukuria e sportit është se brenda tre ditësh ne fillojmë përsëri. Kam pasur shumë momente si ky në karrierë”, ka thënë Ranieri.
Ndërkohë edhe Presidentja e Romës, Rosella Sensi, po ashtu ka shprehur mendimin e saj për rezultatin. “Nuk jam e kënaqur, por kam besim. Ishte një ndeshje e çuditshme”, ka thënë ajo.
Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka shprehur zhgënjimin e tij pas barazimit 3-3 ndaj Lech Poznan në ndeshjen e parë të sezonit në Europa Legue.
Ekipi i tij ishte në disavantazh 2-0 në Torino, para se dy gola të Chiellinit të barazojnë rezultatin dhe një gol tjetër nga Alessandro Del Piero t’ia japë avantazhin ekipit vendas. Megjithatë mysafirët shënuan edhe një gol të vonshëm, kur sulmuesi Rudnevs kompletoi hat-trick në minutën e 92-të, për të befasuar ekipin italian.
“Është turp për atë gol në fund, por asnjëri prej nesh nuk mundi vërtetë të bëjë më shumë rreth tij. A jam i kënaqur me dy golat e mi? Krahasuar me rezultatin, kjo as nuk është gjëja e dytë më e rëndësishme sonte, por e treta”, ka thënë Chiellini.