Cristiano Ronaldo dhe Jose Mourinho Cristiano Ronaldo ka shënuar golin vendimtar për të ndihmuar Realin e Madridit të shnojë fitore me rezultat 2-1 në fushë të Real Sociedad.
Pjesa e parë e takimit pati një mori rastesh, por nuk rezultoi me gol. Reali i Madridit pati posedimin më të madh të topit dhe kontrolloi ndeshjen, por shanset më të mëdha i takuan ekipit vendas.
Ndryshe nga pjesa e parë, pjesa e dytë krijoi edhe më shumë raste dhe solli tre gola. Pesë minuta në pjesë të dytë mesfushori argjentinas Angel di Maria i dha epërsinë Real Madridit me anë të një goli të bukur të shënuar në këndin e golit.
Por pas më pak se dhjetë minutash loje, vendasit arritën të rihapin ndeshjen, falë golit të barazimit të shënuar nga Raul Tamudo pas një harkimi të topit nga gjuajtja e lirë nga ana e Antoine Griezmann.
Ai që ia solli tre pikët Real Madridit ishte Cristiano Ronaldo me anë të një goditje të lirë nga më se 27 metra, pas një devijimi nga Pepe.
Me fitoren e sotme, Reali mbledh shtatë pikë nga tre ndeshje, dhe mban kreun e tabelës, të cilët do të vazhdojë ta mbajë edhe më pas, nëse Atletico Madrid dhe Valencia dështojnë të shënojnë fitore në takimet e nesërme.
Atletico nesër përballet me Barcelonën në derbin e javë në La Liga që zhvillohet në Vicente Calderon, ndërsa Valencia udhëton në fushë të Hercules, që javën e kaluar befasoi Barcelonën në Camp Nou, duke e mposhtur me rezultat 2-0.
Milani nuk ka arritur të nxjerrë më shumë se një pikë në takimin e javës së tretë të Serie A të zhvilluar në San Siro ndaj Catanias.
Rossonerët krijuan një morri rastesh, veçanërisht në pjesë të parë, por dështuan të shënojnë fitore për të marrë tre pikë nga kjo ndeshje, duke luajtur barazim 1-1.
Mysafirët befasuan në minutën e 28-të të ndeshjes kur kaluan të parët në epërsi, pasi mbrojtësi Ciro Capuano heshti turmën në San Siro me anë të një goli të shkëlqyeshëm të shënuar me një goditje prej afro 30 metra.
Por vendasit arritën të barazojnë me anë të sulmuesit veteran Filippo Inzaghi në minutën e fundit të pjesës së parë, pas një asistimi të Ronaldinhos. Pjesa e dytë solli raste më të rralla, e që kryesisht ishin pozita jashtë loje të Inzaghit, pa rezultuar me ndonjë gol.
Pas tre javësh në Serie A, Milani mbledh katër, me një fitore, një humbje dhe këtë barazim.
Pamje nga ndeshja KEK-u ka shënuar fitore të merituar me rezultat 3-0 si nikoqir i Flamurtarit në ndeshjen e javës së shtatë të Raiffeisen Superligës së Kosovës, duke marrë edhe kreun e tabelës.
Vendasit dominuan gjatë gjithë ndeshjes duke krijuar një mori rastesh në të dy pjesët, tre prej të cilave edhe u shndërruan në gola.
Goli i parë për KEK-un erdhi pas katër minutash lojë me anë të Florim Berbatovcit, që ishte edhe i vetmi gol i pjesës së parë të ndeshjes.
Pjesa e dytë po ashtu solli një lojë më sulmuese të ekipit vendas, e që rezultoi me dy gola të tjerë. Së pari Krenar Kosumi dyfishoi epërsinë pas gati një ore lojë (59), para se, pas një harkimi të Petrit Preniqit, Naim Kodraliu të vulosë fitoren prej 3-0 të ekipit vendas (89').
Me tre pikët e reja, KEK-u ngjitet në maje të tabelës me 14 pikë, një më shumë se Prishtina, e cila nesër do të ketë rastin të rikthehet në maje, nëse shënon fitore në fushë nikoqire ndaj Drenicës.
Takimi tjetër i sotëm i Superligës së Kosovës, ai mes Lirisë dhe Trepçës i zhvilluar në Prizren, ka përfunduar pa gola.
Rosicky i dëshpëruar pas penaltisë së dështuar Tomas Rosicky ka humbur një penalti derisa Sunderlandi ka shënuar gol në minutën e katërt shtesë të ndeshjes, për të ndaluar me barazim 1-1 Arsenalin e mbetur me dhjetë lojtarë në fushë, në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin e Dritave.
Djelmoshat e Arsene Wenger e panë veten në epërsi pas 13 minutash lojë, falë një goli të bukur të kapitenit Cesc Fabregas, të cilën epërsi e ruajtën deri në sekondat e fundit të ndeshjes.
Një prej momenteve kyçe në ndeshje ishte largimi i mbrojtësit të Arsenalit, Backary Sagna, me kartonin e dytë të verdhë në pjesën e dytë të takimit (63’).
Edhe pse me një lojtar më pak në fushë, Topçinjtë kishin shansin e artë të dyfishojnë epërsinë. Me pesëmbëdhjetë minuta të mbetura, mesfushori francez Samir Nasri u faulua në zonën e rreptësisë nga Al-Muhamadi, ndërsa Tomas Rosicky dështoi të shënojë nga pika e bardhë, pasi goditja e tij goditi pjesën e jashtme të shtyllës.
Kur u mendua se Arsenali do të fitojë tre pikë dhe të marrë kreun e tabelës, ndodhi befasia e radhës, kur në sekondat e fundit të ndeshjes, pas një harkimi të topit nga këndi nga ana e Andy Reid dhe një rrëmuje para portës së Manuel Almunia, Darren Bent dërgon topin në rrjet për të nxjerrë një pikë nga takimi.
Me një pikë të fituar, Arsenali vazhdon të qëndrojë në pozitën e dytë me 11 pikë, një më pak se Chelsea, që nesër mund të zgjerojë në katër pikë avantazhin në maje të tabelës nëse shënon fitore ndaj Blackpool.
Lazio ka arritur të kthehet nga disavantazhi 1-0 për të fituar në fund me rezultat 2-1 në ndeshjen përballë Fiorentinës të zhvilluar në Artemio Franki të Firencës.
Të zgjedhurit e trajnerit serb Sinisa Mihajlovic, e panë veten në avantazh falë një penaltie të shndërruar në gol nga Adem Ljajic (19’), por ekipi romak arriti të barazojë që në pjesë të parë falë golit të shënuar nga mesfushori Cristian Ledesma (32’).
I futur në lojë si zëvendësues, sulmuesi çek Libor Kozak arriti të shënojë në minutën e 67-të të takimit, për t’ia sjellë fitoren ekipin vendas.
Fitorja 2-1 është e dyta radhazi në Serie A për Lazion, derisa fillimi i dobët i sezonit për Fiorentinën e le këtë ekip me vetëm një pikë nga tre ndeshjet e para të sezonit.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, zotohet se ai nuk ka frikë nga presioni që shkakton të qenit lojtar i gjigantit spanjoll.
Spanjolli thotë se ai tashmë është përshtatur mirë në Camp Nou dhe se po kënaqet duke luajtur në Ligën e Kampionëve.
“Presioni për rezultate më bën edhe më të lumtur. Shumë ekipe përpiqen të na kopjojnë dhe ne mund të jemi vërtet krenar për këtë ekip. Jam rehatuar mirë dhe jam i lumtur dhe me fat që jam këtu. Dhe tashmë i njoh lojtarët dhe strategjinë tonë, që e bën më të lehtë për mua”.
“Në të vërtet jam krenar që jam pjesë e kësaj gjenerate të futbollistëve dhe këtu te Barcelona ndjehem si në shtëpi dhe kjo është familja ime”, ka thënë Villa.
Pep Guardiola thotë se ai nuk është i paepur të shënojë fitore në Vicente Calderon, pavarësisht se ka dy humbje radhazi atje.
Barcelona ka dështuar të mposhtë Atletico Madrid në stadiumin Vicente Calderon në dy sezonet e kaluara, por Pep Guardiola thotë se ai nuk është i obsesinuar për të shënuar fitore në kryeqytetin spanjoll.
“Nuk jam i obsesinuar për të mposhtur ata në Vicente Calderon. Dua të fitoj atje, siç dua të fitoj çdo kund tjetër. Nuk është ndonjë ndjenjë e veçantë. Çdo menaxher në botë dëshiron të fitojë”, ka thënë ai për Marca.
Paul Scholes beson se rivaliteti në mes të Manchester United dhe Liverpool do të vazhdojë të rritet siç rritet edhe urrejtja në mes të fansave të secilës palë çdo vit.
Rivaliteti i Djajve të Kuq dhe Redsave është zhvendosur në një nivel më të lartë, me të dyja ekipet që kanë grumbulluar nga 18 tituj të kampionit.
“Nuk mund të largoheni nga fakti se të dyja ekipet vërtet nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin. Ne të dyja palët dëshirojmë të fitojmë dhe nuk mendoj se kjo ndonjëherë do të ndryshojë”, ka thënë Scholes për Sportinglife.
Andre Schuerrle Mainz ka bërë edhe befasinë e radhës duke mposhtur Werder Bremenin në fushë mysafire dhe duke ruajtur i vetëm kreun e Bundesligës.
Andre Schuerrle edhe një herë ishte inspirim për Mainzin, pasi u inkuadrua si zëvendësues në pjesën e dytë të ndeshjes. Pas një pjese të parë pa gola, Marcel Risse ishte ai që theu rezultatin (53’), para se Schuerrle të vulosë tre pikët e reja për ekipin mysafir (61’).
Me fitoren e sotme Mainz mban kreun e tabelës, dy pikë mbi Hoffenheim, që po sot barazoi ndaj Kaiserslautern. Bremen mban pozitën e dhjetë, me vetëm katër pikë nga po aq ndeshje.
Po me rezultat 2-0 fitore ka shënuar edhe Wolfsburg si nikoqir i Hannoverit, me të dy golat po ashtu të shënuara në fillim të pjesës së dytë. Diego ishte ai që shënoi golin e parë për vendasit (55’), para se Edin Dzeko të vulosë tre pikët e reja për Wolfburgun (68’).
Bayern Munich ka dominuar në posedim por nuk ka arritur të krijojë mjaft raste për të shënuar fitore në ndeshjen si nikoqir i Koln.
Kampioni i Gjermanisë, edhe pse me plot vetëbesim pas fitores në mesjavë në Ligën e Kampionëve ndaj Romës, dështoi të shënojë fitore në javën e katërt të Bundesligës, duke nxjerrë vetëm një barazim pa gola ndaj Kolnit në Allianz Arena.
Të zgjedhurit e trajnerit Louis Van Gaal dështuan të thyejnë mbrojtjen mirë të organizuar të ekipit mysafir, ndaj të cilit nuk kanë fituar në shtëpi që nga viti 2002.
Vendasit krijuan disa raste me anë të Ribery dhe Klose, por jo aq sa të mund të nxjerrin tre pikë. Me pikën e vetme, bavarezët mbledhin pesë pikë, me vetëm një fitore në katër javë.
Derisa në këtë ndeshje nuk u shënua asnjë gol, në takimin tjetër mes Stuttgartit dhe Monchengladbach u shënuan plot shtatë gola, dhe të gjitha golat nga ekipi vendas, që shënoi fitoren e parë të sezonit.
Pavel Pogrebnyak ka shënuan hat-trick (2’, 54’ dhe 60’), derisa nga një gol kanë shënuar Georg Niedermeier (22’), Zdravko Kuzmanović (64’), Matthieu Delpierre (73’) dhe Ciprian Marica (80’).
Tre pikët e sotme janë edhe të vetmet Stuttgartin, pas tre humbjeve në tre ndeshjet e para të sezonit.
Dy mesfushorët sulmues të Realit, Mesut Ozil dhe Cristiano Ronaldo Trajneri i Realit të Madridit, Jose Mourinho, do të nxjerrë në fushë në ndeshjen e sotme kundër Real Sociedad katërshen më të mirë sulmuese që ka në dispozicion.

Marca shkruan se Mourinho do të luajë me formacioni 4-2-3-1 me Cristiano Ronaldo, Mesut Ozil, Angel Di Maria dhe Gonzalo Higuain që do të udhëheqin sulmin.


Madrid po ashtu është forcuar nga rikthimi i Sergio Ramos. Ai pritet të dalë në fushë në krahun e djathtë të mbrojtjes. Xabi Alonso dhe Sami Khedira do të ruajnë pozitat e tyre në mesfushë.


Formacioni i mundshëm:


Casillas


Ramos – Pepe – Carvalho – Marcelo


Xabi Alonso – Khedira


Di Maria – Ozil – Ronaldo


Higuain

Sulmuesi i Fiorentinës, Alberto Gilardino, është cak i ekipit të Ligës Premier, Newcastle United, që thuhet se bën gati 15 milionë euro për të sjellë lojtarin në kampionatin anglez.
Itasportpress shkruan se 28-vjeçari, i cili pati një fillim jo aq mbresëlënës të sezonit, është në listën e blerjeve të klubit anglez dhe mund të transferohet që në janar.
Po ashtu është raportuar se pavarësisht rezistencës nga Fiorentina, që ka thënë se do t’i mbajë të gjithë yjet, një shumë prej 15 milionë eurosh mund ta detyrojë ekipin italian të heqë dorë nga shërbimet e lojtarit.
Anësori i Manchester Cityt, David Silva, thotë se ai mund të ketë një sukses në Ligën Premier.
“Njerëzit thonë se duhet të jeni i madh dhe i fuqishëm për të luajtur në Ligën Premier, por nuk mund ta vlerësoni lojtarin nga madhësia. Duhet të shikoni në kualitetet e tyre. Shikoni në Spanjë, ne fituam Kupën Botërore me lojtarë të vegjël”.
“Në ekipet spanjolle kemi tre mënyra për ta fituar ekipin. Ne jemi të mirë teknikisht, të shpejtë, por po ashtu të fuqishëm. Jam i sigurt se unë mund të jem sukses në futboll anglez. E them këtë, por më duhet kohë”, ka thënë Silva.
Sam Allardyce ka thënë se as atij dhe as Mark Hughes nuk i është dhënë mjaft kohë për të drejtuar klubet e mëhershme, dhe thotë se ai do të fitonte tituj çdo vit nëse do të ishte menaxher i Real Madridit ose Manchester United.
Allardyce dhe Hughes sonte do të përballen me njëri tjetrin në cilësinë e menaxherëve të Blackburn, respektivisht Fulham. Më herët që të dy kishin dështuar me klube më të mëdha, Hughes u shkarkua nga Manchester City sezonin e kaluar, derisa Allardyce kishte një përvojë jo të mirë me Newcastle United.
“Nuk jam një trajner që i përshtatem Boltonit ose Blackburnit, do të përshtatesha më shumë në Inter ose Real Madrid. Nuk do të ishte problem për mua të shkoj dhe të menaxhoj këto klube, pasi do të fitoja dy trofe ose vetëm ligën secilën herë. Më jepni Manchester United ose Chelsea dhe do të bëj të njëjtën gjë, nuk do të ishte problem”, ka thënë Allardyce.
Veterani i Manchester United, Ryan Giggs, pret që Fernando Torres të rikthehet në formën e tij më të mirë për ndeshjen e nesërme me Liverpoolin.
Giggs nuk mendon se kritikat e drejtuara ndaj spanjollit gjatë kësaj jave janë të pa vend.
“Torres është gjithmonë i rrezikshëm. E kam parë atë në ndeshjen kundër Birminghamit dhe ai nuk fluturonte, por ishte megjithatë ende i rrezikshëm”.
“Ai është një lojtar i klasit botëror. Kur ai fiton shanse, ai i shfrytëzon ato, andaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm nga kjo”, ka thënë 36-vjeçari Giggs.
Ish-trajneri i Milanit, Leonardo, ka shpjeguar se pse ai u largua nga klubi italian pas 13 vitesh atje dhe ka sulmuar presidentin e klubit, Silvio Berlusconi
“Atij nuk i pëlqen asgjë që nuk është pasqyrë. Është e pamundshme të bashkë-ekzistosh me presidentin. Është edhe një stil tjetër. Nuk e di se pse ai flet aq shumë për mua, duhet të ketë diçka gabim te ai”, ka thënë Leonardo për La Gazzetta dello Sport.
Braziliani më tej thotë se ai nuk do ngurronte të drejtojë Interin.
“Nëse Massimo Moratti më telefonon? E njoh atë për shumë vite. Ne gjithmonë kemi pasur takime të këndshme... kurrë mos thuaj kurrë”, ka shtuar Leonardo.
Mesfushori i Manchester Cityt, Yaya Toure, ka pohuar rëndësinë që ekipi i tij të shënojë fitore në ndeshjen e të dielës ndaj Wigan Athletic, nëse ata duan të sigurojnë një pozitë që dërgon në Ligën e Kampionëve.
“E dimë se do të jetë vështirë në çdo ndeshje. Wigani është një ekip si Sunderlandi dhe Blackburni, ata do të punojnë fuqishëm, nuk do të jetë e lehtë për ne, por tre pikët janë shumë të rëndësishme. Wigani do të jetë plot vetëbesim pasi mposhti Tottenhamin”, ka thënë ish-mesfushori i Barcelonës.
Toure po ashtu ka folur rreth dallimit mes futbollit spanjoll dhe atij anglez.
“Mendoj se i jam përshtatur Ligës Premier. Nuk është aq e lehtë, por kam shumë respekt për Chelsea dhe Manchester United. Ndryshimi më i madh është se në Spanjë luhet më ngadalë, por me më shumë kualitet. Këtu çdokush lufton dhe vrapon për mundësinë për të luajtur futboll. Më pëlqen kjo”, ka shtuar Toure.
Mesfushori i Arsenalit, Jack Wilshere, ka zbuluar se ai synon të ndjekë hapat e bashkëlojtarit të tij Cesc Fabregas.
18-vjeçari tashmë ka shkëlqyer për Topçinjtë këtë sezon dhe fitoi paraqitjen e parë me kombëtaren Angleze muajin e kaluar në miqësoren kundër Hungarisë.
“Të shihja Cesc kur ai ishte i ri dhe kur edhe unë isha i ri, ishte një mundësi e përkryer të mësoj nga ai. Në fushën e stërvitjeve ai është shumë ndihmues dhe kur ai është në fushë më tregon gjëra të bëj”.
“Ai më thotë se nuk do të luaj çdo javë, siç bën ai, dhe se duhet të zhvillohem ngadalë dhe pastaj të inkuadrohem në ekip në mënyrë të përhershme”, ka thënë Wilshere për The Guardian.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson thotë se mbrojtësi serb Nemanja Vidic do të jetë kapiten i ekipit për ndeshjen e nesërme kundër Liverpoolit dhe për gjithë pjesën e mbetur të sezonit.
Rio Ferdinand ka qenë vazhdimisht zëvendës-kapiten gjatë disa viteve të kaluara dhe është emëruar madje edhe kapiten i Anglisë nga Fabio Capello kur ai vendosi t’ia marrë shiritin John Terryt.
31-vjeçari ishte kapiten edhe të martën kur Vidic mungoi në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve ndaj Ranger, por të premten mbrëma Ferguson ka konfirmuar se mbrojtësi serb përsëri do të udhëheqë ekipin kundër Liverpoolit, siç ka bërë edhe në katër ndeshjet tjera të Ligës Premier deri tash.
“Siç bëra të ditur javën e kaluar, ajo që dëshirojmë ne është dikush i cili është vazhdimisht në dispozicion tonin. Çdokush e di se Nemanja Vidic do të jetë gjithmonë këtu. Ai ka qenë në formë gjithë sezonin dhe kurrë nuk e leni atë jashtë ekipit, përderisa dëshironi ta pushoni. Ai filloi vitin si kapiten dhe do të mbetet i tillë”, ka thënë Ferguson.
Mesfushori i Liverpoolit, Joe Cole, beson se kapiteni i Reds, Steven Gerrard, meriton ta shtojë në listë edhe titullin e kampionit të Ligës Premier.
Ish-lojtari i Chelseat iu bashkua Redsave gjatë verës si transferim i lirë, pas spekulimeve të vazhdueshme që e lidhnin atë me një transferim te Arsenali dhe Tottenhami. 28-vjeçari beson se bashkëlojtari i tij i ri, meriton të fitojë titullin e kampionit të Anglisë.
“Ai është një lojtar i tmerrshëm. E kam njohur Steven që kur kam pasur 17 ose 18 vjet dhe jam stërvitur dhe kam luajtur me të për Anglinë për 10 vjet, andaj e di se çfarë ka te ai, por kur e shoh atë në fanellën e Liverpoolit, ai është edhe më i mirë”.
“Ai është lojtar fantastik dhe nëse ai luan mirë, edhe ekipi luan mirë, dhe tashmë më takon mua të asistoj për të dhe të përpiqem t’i ndihmoj klubit të ecë përpara. Një lojtar si ai, meriton ta fitojë kampionatin, e di se këtë ai e dëshiron gjatë katër ose pesë viteve në klub”, ka thënë Cole.
Liverpooli të dielën takohet me rivalin e përbetuar, Manchester United.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, edhe njëherë ka këmbëngulur se ai do të vazhdojë me stilin e tij të vjetër të lojës edhe në Bernabeu, pasi që ka hedhur poshtë kritikuesit e lojës së tij.
“Unë fitoj shumë. Njerëzit lodhen së shikuari stilin tim të futbollit dhe mezi presin që unë të humbas. Por, ka njerëz që gjithashtu e admirojnë punën time dhe të cilëve u pëlqen ajo që bëj unë”.
“Shumë njerëz në Kongresin e Trajnerëve të UEFA-s më kanë thënë se u pëlqen stili im i lojës dhe mënyra se si e fitova Ligën e Kampionëve. Unë nuk punoj për t’u krahasuar me të tjerët”.
“Më pëlqen ajo që bëj dhe jam i bindur se rezultatet e arritura janë fakti më i mirë për ta mbrojtur veten. Ka momente kur nuk më pëlqen ajo që është thënë dhe unë mund të paramendoj se ndeshja mund të duket defensive dhe e keqe edhe nëse ka 35 goditje dhe përufndoi me rezultat 0-0”.
“Unë jetoj për futboll dhe për familjën time. Unë nuk kam jetë shoqërore. Gjithë ajo që bëj është e bazuar në punën time dhe rezultatet e mia”, tha ‘I veçanti’.
Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso, ka thënë se do të jetë një moment i rëndësishëm për të kthimi në San Sebastian ku do të luajë kundër ish-klubit të tij Real Sociedad.
Dy skuadrat ndeshen të shtunën, ndërsa kjo është hera e parë që Alonso luan kundër klubit ku e filloi karrierën.
“Real Sociedad ka një trajner të mirë, i cili i angazhon shumë të zgjedhurit e tij. Ata po ashtu kanë një skuadër të ndërtuar parimisht nga lojtarët e akademisë, që e bën përkushtimin e tyre edhe më të madh”.
“Do të jetë e veçantë të luaj kundër ish-skuadrës sime. Kam qenë tifoz që kur isha i vogël dhe që nga mosha dhjetëvjeçare i kisha biletat sezonale dhe shkoja në secilën ndeshje”, ka treguar spanjolli për Realmadrid.com.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka thënë se skuadra e tij e meriton vendin e parë në Ligën Premier, edhe pse akoma nuk është ndeshur me ndonjërin nga rivalët kryesorë këtë sezon.
Blutë kanë shënuar 17 dhe kanë pranuar vetëm një gol deri më tani në Kampionatin anglez, duke shënuar fitore përballë West Bromwich, Wigan, Stoke City dhe West Ham.
“Tash është një moment i rëndësishëm. Kemi shumë ndeshje dhe nuk kemi kohë të stërvitemi siç duhet, por jemi të gatshëm të luajmë kundër ndonjë skuadre të madhe”, ka thënë trajneri italian.
Njëherit, Ancelotti ka konfirmuar se Chelsea do të luajë pa mesfushorin Frank Lampard në ndeshjen kundër Blackpool.