Tifozët e Barcelonës tani për tani mund të jenë të relaksuar, pasi që superylli i tyre, Lionel Messi, nuk ka pësuar ndonjë lëndim të përmasave të mëdha.Messi ishte goditur qëllimisht nga Tomas Ujfalusi në minutën e fundit të sfidës ndaj Atletico Madridit, për t’u larguar më pas nga fusha me dhimbje të mëdha. Ekzistoi frika për ndonjë frakturë apo thyerje, por nuk bëhet fjalë për asnjë prej këtyre.
Kemi të bëjmë me një dëmtim të lehtë në ligamentet e gjurit të këmbës së djathtë dhe sipas parashikimeve të para, Messi pritet të mungojë vetëm dy javë, por nuk do të jetë prezent në tri ndeshje të La Ligas dhe në një të Ligës së Kampionëve. Nesër pritet të kryhen testet e mëtutjeshme dhe të përcaktohet koha e saktë e rikthimit të futbollistit më të mirë në botë.
Barcelona i është hakmarrë Atletico Madridit për humbjen e vetme sezonin e kaluar prej 2-1 në Vicente Calderon, pasi që ka mposhtur madrilenët në të njëjtin stadium me të njëjtin rezultat.Barcelona u shfaq më e sigurt që nga fillimi i takimit dhe rrjedhshmëria e fluiditeti në pasime ishte më i lartë se tek nikoqirët.
Pas një goditjeje të David Villës, e cila përfundoi në shtyllën e Atleticos, ishte Pedro ai që me një pasim fenomenal gjenë Lionel Messin, i cili përballë portierit (13’) nuk di të dështojë dhe realizoi për 1-0.
Vendasit shtrënguan dhëmbët dhe një harkim të përkryer nga këndi të Simaos e shfrytëzoi për mrekulli Raul Garcia, që kërceu mbi portierin katastrofal Victor Valdes, për të shënuar me kokë golin e barazimit (25’).Ndeshja mbaroi vetëm pas gjysmë ore lojë. Lionel Messi harkon çuditshëm nga këndi dhe po këtë harkim e ndali me gjoks në zonë Gerard Pique, që realizoi bukur për 2-1 dhe fitoren e Barcelonës. Në vazhdim të takimit dominuan katalanasit, por rezultati nuk ndryshoi.

Me këtë fitore Barcelona e sheh veten në pozitën e katërt me 6 pikë, ashtu si Villareali, Atletico Madridi dhe Espanyoli. Në vendin e parë pas javës së tretë mbetet Valencia me 9 pikë.
Chelsea ka arritur që të shënojë fitore të lartë ndaj Blackpoolit me rezultat 4-0, për të mbajtur kreun në tabelën e Ligës Premier.Serinë e golave e hapi Salomon Kalou (1’), ndërsa atë e vazhdoi për 2-0 Florent Malouda (12’).
Pas gjysmë ore lojë mysafirët me golin e tretë i goditi Didier Drogba për 3-0, ndërsa Florent Malouda mbaroi takimin pas vetëm 41 minutash lojë, kur realizoi për 4-0 dhe rezultatin përfundimtar.
Chelsea nuk di për humbje dhe barazime edhe pas javës së pestë, duke mbajtur kështu kreun me 15 pikë.
Dimitar Berbatov ia siguroi fitoren Manchester Unitedit në sfidën kryesore të javës së pestë në Ligën Premier ndaj Liverpoolit, ndërsa me paraqitjen fantastike të bullgarit, i kënaqur u tregua edhe Sir Alex Ferguson.“Mendoj se është mirë, pasi që ai tani ka besim në vetvete. Ai u kritikua shumë sezonin e kaluar nga mediat dhe kjo ndodh kur ne blejmë një lojtar për shumë para dhe ai nuk shënon hettrik në çdo ndeshje. Ai ka vazhduar të jetë fantastik dhe unë kurrë nuk dyshova në cilësitë e këtij lojtari, këtë e keni parë edhe vetë sot”.
“Nga një ndeshje për të cilën i thashë vetes se do të shkojë deri në dhjetë gola në të mirë tonën, ne përfunduam në 2-2, por rezultati ishte i mirë në fund të ditës. Ata nuk bënë asgjë dhe është dashur të varen nga vendimet e anësorit për t’u rikthyer në ndeshje”.
“Van der Saar nuk pati nevojë të intervenonte asnjëherë dhe Scholes kontrolloi mesfushën. Ne u shfaqëm të rrezikshëm në sulm me Berbatov dhe Rooney, ndërsa nuk mund të besoja se do ta humbisnim ndeshjen”, ka thënë Ferguson.
Menaxheri i Blackburnit, Sam Allardyce, ka këmbëngulur se bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, nuk është menaxher më i kompletuar se ai, pas kritikave të këtij të fundit për stilin e lojës së Allardyce.“Ekziston një problem këtu me perceptimin. Arsene shihet si një francez i sofistikuar, përderisa unë jam vetëm një fshatar anglez nga pjesa qëndrore e Anglisë, por a është Wenger më i avancuar se unë në nivelin e trajnerit? Nuk ka gjasa”.
“Jam tepër i inatosur në Liverpoolin që e la Benitezin të largohet. Ai më urreu mua dhe më pëlqeu që t’ia bëja futbollin bajat. Për vite të tëra, sa herë e vizitonte Boltonin, ai kurrë nuk arriti të nxirrte rezultat pozitiv dhe na akuzoi për mashtrim”, u shpreh Allardyce.
Trajneri i Interit, Rafa Benitez, u shpreh të jetë mjaft i kënaqur me fitoren ndaj Palermos pasditen e të dielës, ndërsa ka qetësuar tifozët Nerazzur sa i përket shëndetit të kapitenit legjendar Javier Zanetti.“Zanetti është mirë. Ai kërkoi që ta thërrasim mjekun për shkak se ai nuk frymoi si duhet pas një goditjeje në gjoks”.
“Kjo është fitore e madhe, marrë parasysh mungesën e Sneijder dhe kjo është një gjë pozitive. Më pëlqeu paraqitja e Eto’os. Ne luajtëm shumë mirë ndaj një ekipi që ëvshtirë humbet në shtëpi. Penaltia? Ajo nuk kishte të bëjë asgjë me penalti”, deklaroi spanjolli.
Manchester City më në fund ka filluar ta tregojë fytyrën e vërtetë, pasi që ka mposhtur Wiganin në transfertë me rezultat 2-0.Tevez zhbllokoi rezultatin në fund të pjesës së parë (43’), kur realizoi për 1-0 pas një pakujdesie në mbrojtjen e nikoqirëve.
Futbollisti më i paguar në botë, Yaya Toure, ka shënuar golin e tij të parë në fanellën e Manchester Cityt, kur shfrytëzoi një top të mirë nga Carlos Tevez (70’).
Me këtë fitore, Manchester City ngjitet në pozitën e katërt me tetë pikë pas pesë ndeshjeve të luajtura në Ligën Premier.
Roma edhe zyrtarisht është në krizë të thellë, pasi që nuk ka arritur që të mbajë epërsinë prej dy golave ndaj Bolognas, në sfidën e zhvilluar në Olimpico të Torinos, e cila përfundoi me rezultat 2-2.Roma filloi mirë takimin, kur Marco Boriello (7’), iu gëzua golit të tij të parë në fanellën Giallorose. Matteo Rubin realizoi autgol (59’), për të dyfishuar kështu epërsinë e romakëve.
Kur të gjithë menduan se Roma iu rikthye fitoreve, kështu nuk mendoi Marco Di Vaio, që realizoi dy herë (78’ dhe 90’), për të dëshpëruar mijëra tifozë të Romës dhe bastegjinjtë anëembanë globit.
Në ndeshjen tjetër, Genoa barazoi me Parmën në transfertë me rezultat 1-1.
Udinese ka pësuar humbje të lartë nga Juventusi në Friulli me rezultat 4-0, me Bianconerët që rikthehen fuqishëm në skenën e futbollit italian.Juventusi shkeli Udinesen në të gjitha aspektet dhe goleadën e hapi transferi i ri, Leonardo Bonucci, i cili realizoi pas një tollovie në zonë (18’). Për 2-0 u përkujdes Fabio Quagliarella (24’), që shfrytëzoi një harkim preciz të transferit të ri, anësorit serb Milos Krasic.
Ishte përsëri Krasic ai që vazhdoi me kërdinë në krahun e djathtë dhe që asistoi për mrekulli për Claudio Marchision, që tundi rrjetën për herë të tretë me një vollej (43’).
Ndeshja tashmë kishte përfunduar në pjesën e parë, por nuk la pa folur as Vincenzo Iaquinta, që me një goditje të fortë arriti ta vulosë kapitulimin e Udineses para tifozëve vendas (77’).
Juventusi me këtë fitore ngjitet në pozitën e nëntë me katër pikë, por me rëndësi është që Bianconerët kanë rigjetur veten me zakonin e vjetër – fitoret. Udinese ende është a pikë edhe pas javës së tretë.
Interi ka arritur që të përmbysë epërsinë prej një goli të Palermos në ndeshjen e zhvilluar në Renzo Barbera, për ta fituar atë në fund me rezultat 2-1.Interi filloi më mirë takimin ndaj Palermos me raste të shumta, por pa konkretizim. Golin e parë e shënuan sicilianët, të cilët kaluan në epërsi me anë të Josip Ilicic (28’), i cili realizoi pas goditjes së bllokuar nga Julio Cesar.
Ishte Eto’o ai që me dy golat e tij, ia siguroi fitoren e parë Interit në udhëtim këtë edicion. Pas një pasimi të mirë të Militos, Eto’o tejkaloi Salvatore Munoz, për të lansuar më pas një goditje të ulët, e cila ishte e pandalshme për portierin Sirigu.
Pas një bashkëpunimi të mirë të Stankovic dhe Maicon në zonën e reptësisë, ishte Eto’o ai që përsëri shfrytëzoi rasitn dhe shënoi për 2-1 dhe fitoren e madhe të Interit (70’).
Palermo pati rastin që në fund me anë të Javier Pastores të barazojë rezultatin, por Julio Cesar ishte në vend.
Interi pas javës së tretë gjendet në pozitën e dytë me shtatë pikë, ashtu si Cesena, e cila ka golaverazh më të mirë. Palermo nuk di për fitore ende dhe gjendet në fund të tabelës me vetëm një pikë.
Dimitar Berbatov ka shënuar fitore ndaj Liverpoolit në ndeshjen kryesore të kësaj jave të zhvilluar në Old Trafford, e cila përfundoi me rezultat 3-2, në të mirë të sulmuesit bullgar që shënoi het-trik.Ndeshja filloi me dominim të lartë të vendasve, të cilët nuk lanë që Liverpooli të marrë frymë.
Pas një harkimi në zonë nga legjenda Ryan Giggs, mirë u zbulua Dimitar Berbatov që me kokë zhbllokoi rezultatin për 1-0 (42’).
Pjesa e dytë, ishte jashtëzakonisht interesante. United vazhdoi përsëri me dominim, i cili u dyfishua me anë të një goli fenomenal të shënuar përsëri nga sulmuesi bullgar, Berbatov (59’). Sigurisht se fotografia e Reinas në panoramën e Old Trafford duket e jashtëzakonshme, ashtu si vet goli.
Atëherë kur të gjithë menduan se ndeshja ka përfunduar, ndodhi pikërisht e kundërta. Në minutën e 64-të akordohet penalti për The Reds, të cilën e konkretizoi ikona Steven Gerrard.
Nuk kaluan as gjashtë minuta të plota (70’) dhe përsëri del në skenë Steven Gerrard, i cili barazoi rezultatin nga goditja e lirë, pas hapësirës së krijuar nga Darren Fletcher.
Gjithçka foli për barazimin e katërt të Manchester United në katër ndeshjet e fundit ashtu si për heroizmin e Steven Gerrard nga ky takim, por kështu nuk mendoi Dimitar Berbatov, që ia rrëmbeu shfaqjen ikonës së The Reds dhe shënoi me kokë për fitoren e madhe prej 3-2 në derbin më të madh anglez.
Manchester United me këtë fitore thyen tabunë e barazimeve në ndeshjet e fundit dhe vazhdon garën për majen e tabelës, kurse Liverpooli duhet të mendojë seriozisht se si t’u rikthehet fitoreve, pasi që punët nuk i ka mirë.
United pas javës së pestë gjendet në pozitën e tretë me 11 pikë, ashtu si Arsenali në pozitën e dytë, por me golaverazh më të dobët. Liverpooli aktualisht gjendet në pozitën e 16-të me vetëm pesë pikë pas pesë javësh.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, ka pohuar se Lionel Messi tentoi që ta bindë Pep Guardiolën që të mos e largonte atë nga Barcelona, përkundër këmbënguljes së teknikut katalanas për shitjen e sulmuesit kamerunas.“Unë kam luajtur dhe kam fituar tituj me Ronaldinhon, Messin dhe shumë lojtarë të tjerë të mëdhenjë. Kur Ronaldinho erdhi te Barcelona, ata nuk fituan asgjë. Kur unë arrita, ne fituam gjithçka”.
“Kur Pep Guardiola dëshiroi që unë të largohesha, Messi shkoi te ai dhe i tha: ‘Le të shkojë kush ke dëshirë ti, por jo Eto’o’. Të gjithë trajnerët e mi do t’iu thonë se unë jam profesionist i madh. Unë kam qenë shembull në aspektin e disiplinës dhe gjithnjë kam qenë rigoroz e professional”, ka thënë Eto’o për L’Equipe.
Menaxheri i Interit, Rafa Benitez, nuk është vonuar dhe i është kundërpërgjigjur menjëherë rivalit të tij të përbetuar, Sir Alex Ferguson, pas sulmit të këtij të fundit se tekniku spanjoll është fajtori prapa dështimit të Liverpoolit.“Sinqerisht, unë jam i befasuar që një menaxher aq me përvojë dhe aq i rëndësishëm si ai ka mundur të flasë kësolloj gjërash për mua, duke marrë parasysh se unë jam në Itali vetëm që tri muaj”.
“Unë vetëm mund të shtoj se tifozët e Liverpoolit e dijnë gjithë tregimin dhe e dijnë të vërtetën. Ata gjithashtu e dijnë se është e lehtë të gjykosh, kur ke qenë në krye të një klubi për 24 vite”, deklaroi Benitez.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli, thotë se nuk ka kurrfarë problemi mes tij dhe trajnerit Jose Mourinho.“Mourinho dhe Roberto Mancini janë top menaxherë, por njerëzit kanë mendimet e tyre. Është e vërtetë se Mourinho më telefonoi para se të kaloja te City”.
“A më kërkoi te Reali? Pyeteni atë. Ai njëherë më tha se unë jam aq i mirë, sa që ka nevojë për mua vetëm 20 minuta”.
“Unë nuk do të bëja tri gjëra, të cilat i kam bërë më parë. Unë kurrë nuk do ta hidhja fanellën e Interit në tokë, kurrë nuk do t’i ofendoja tifozët, kurrë nuk do të kaloja kohën me vajza të këqija që u pëlqen vetëm publiciteti im. Unë më shumë preferoj të jem i vetmuar, se sa të qëndroj me këta njerëz pa tru”, u shpreh SuperMario.
Trajneri i Milanit, Max Allegri, ka pranuar se ai dhe ekipi i tij janë zënë në kundërsulme në barazimin turpërues prej 1-1 ndaj Catanias në San Siro.“Edhe njëherë sonte i bëmë të njëjtat gabime dhe lejuam shumë kundërsulme, sidomos kur kishim dizavantazh. Ne nuk është dashur të goditeshim në atë mënyrë, sepse kishte mjaft kohë. Ne ende jemi në fillim dhe duhet ta pasojmë topin përreth më pastërt”.
Ne duhet të fitojmë në shtëpi dhe duhet të bëjmë më mirë, sidomos në aspektin e etikës së punës. Ne e dimë se Serie A është e vështirë dhe çdo ndeshje është e vështirë, kështu që duhet të kemi durim dhe të luajmë si skuadër e pjekur”, u shpreh Allegri.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, beson se ekipi i tij nuk meritoi më shumë se një barazim ndaj Real Sociedadit.“Në pjesën e parë Real Sociedadi meritoi fitoren dhe në të dytën ishte më i mirë se ne. Për mua, rezultati i drejtë do të ishte barazimi”.
“Më tregoni, cili ekip që luan të mërkurën në Ligën e Kampionëve, luan të shtunën në kampionat lokal? Pse nuk është luajtur të shtunën Hercules-Valencia?”.
“Na mungoi intensiteti në lojë, kemi ritëm të ndryshëm. Ne duhet ta gjejmë ekuilibrin në mesfushë dhe të jemi në gjendje të luajmë me të njëjtin intesitet. Këto janë tri pikë të arta”, u shpreh Mourinho.
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Vincent Kompany, ka mohuar spekulimet se klubi nga Eastlands po dështon të fitojë ndeshjet, për shkak se lojtarët janë të dhënë pas parave.“Unë nuk e njoh një lojtar që ka shenja të dollarit apo të funtit në sytë e tij kur ai është në fushë. Të hollat dhe pagën e vendos klubi dhe lojtarët nuk kanë çfarë të bëjnë. Ne duam të jemi më të mirët, në çdo aspekt.
“Ekziston shpirt i vërtet te klubi, etikë e madhe e punës dhe nëse njerëzit duan që ne të dështojmë, atëherë çfarë. Ne tani jemi në elitë. Unë nuk ndjej dhimbje ose hidhërim ndaj njerëzve që nuk janë të rëndësishem. Njerëzit që na gjykojnë duhet të jenë tifozët. Për mua, City është klub më i madh se Chelsea dhe Blackburni, kështu që nuk shoh arsye pse ne nuk duhet të jemi të suksesshëm”, ka thënë Kompany.
Chelsea thuhet të jetë pranë ofrimit të një kontratë të re menaxherit aktual, Carlo Ancelotti, të cilin e dëshiron në Stamford Bridge deri në vitin 2014.Besohet se Roman Abramovich është i kënaqur me progresin që po bënë Chelsea nën drejtimin e Ancelottit. Italiani e kishte dërguar Chelsean drejt dyshes historike të titujve, ndërsa skuadra e tij shënoi hiç më pak se 100 gola.
Tani, The Mirror spekulon se 51 vjeçarit pritet t’i ofrohet kontratë e re, që do të duhet ta mbajë atë në pozitën aktuale deri në vitin 2014. Ancelotti ka edhe dy vite kontratë me Chelsean, e vlefshme 3 milionë funte për sezon.
Njeriu që e shënoi golin e parë ndaj Real Sociedadit, Angel Di Maria, ka deklaruar pas ndeshjes se fitorja e Los Blancos i jep moral shtesë Atletico Madridit, që ta mposhtë Barcelonën në Vicente Calderon.“Ç’është e vërteta, ishte shumë ndeshje e mirë, por gjëja më e rëndësishme është që tani po ecim përpara. Sociedadi bëri presion dhe u dëshmua kundërshtar i vështirë, që e bën këtë fitore tejet të rëndësishme”.
“Kjo fitore është enkurajim për Atletico Madridin, që ta mposhtë Barcelonën dhe që ne të përfitojmë në krye të tabelës”, u shpreh Di Maria.
Pasi arriti që të renditej në dhjetëshen më të mirë të globit në Kampionatin Botëror të xhudos në Tokio të Japonisë, Majlinda Kelmendi vazhdoi me sukseset e saj, kësaj radhe duke fituar për herë të dytë titullin e kampiones evropiane në xhudo për juniore.Në Kampionatin Evropian të zhvilluar në Sofje të Bullgarisë, Majlinda spastroi rend një nga një kundërshtaret e saj dhe atë me shumë lehtësi, deri në momentin kur në finale u takua me austriaken Tina Zeltner, ndaj të cilës shfaqi paraqitje të denjë për t’i shtuar edhe një medalje tjetër Kosovës në sportin e xhudos.
Krenaria e sportit kosovar, Majlinda Kelmendi, shpreson që statusi i saj si xhudiste të rregullohet në të ardhmen, pasi që dëshiron të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, Londra 2012.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ndjen se ish-trajneri i Liverpoolit, Rafael Benitez, është përgjegjës për katastrofën e sezonit të kaluar në Anfield.“Unë nuk e di nëse vendi i shtatë pas përfundimit në vendin e dytë prapa nesh, ka të bëjë diçka me pozitën financiare. Viteve të fundit ata kanë shpenzuar shumë para në lojtarë, larg më shumë se Manchester United. Ata kanë pasur ansambël të gjerë të lojtarëve dhe kështu unë nuk e di nëse kjo ka të bëjë diçka me gjendjen financiare”.
“Unë kurrë nuk kam qenë vetiak. Duhet ta kontrolloni Benitezin dhe jo mua”, theksoi Ferguson i pyetur për marrëdhëniet e tij me teknikun spanjoll, për të vijuar më tej: “Unë gjithnjë kam pasur marrëdhënie të mira me menaxherët e Liverpoolit dhe të dyja klubet u kanë hyrë si duhet ndeshjeve. Kjo ndryshoi viteve të fundit, por për mu kjo nuk është e rëndësishme”, përfundoi Fergie.
Milani dështoi të shënonte fitore në San Siro përballë publikut vendas ndaj Catanias, ndërsa si shkak për barazimin dëshpërues e ka bërë mbrojtjen e çeliktë të ishullorëve.“Është gjithnjë e vështirë të thyesh mbrojtjet kur ke të bësh me dhjetë njerëz në të. Ne jemi larguar nga fusha kokëlartë për impenjimin e shfaqur në këtë ndeshje. Ekipi po përmirësohet dhe është me rëndësi që të jemi kokëlartë, pasi që dëshirojmë t’u japim vazhdimësi paraqitjeve”.
“Humbja e javës së kaluar ndaj Cesenas është tashmë prapa nesh dhe përkundër lëshimit të dy pikëve ndaj Catanias, ne nuk duhet të jemi të dëshpëruar. Shpeshherë ju luani keq dhe fitoni, ndërsa ditëve tjera paraqitja juaj e mirë nuk i korespondon rezultatit. Sidoqoftë, ky është futbolli dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë shumë javë pas jave”, deklaroi mjeshtri brazilian.
Miliarderi dhe pronari i Chelseat, Roman Abramovich, u ka thënë drejtuesve të klubit nga Londra Perëndimore, se tashmë kanë mbaruar ditët e shpenzimeve marramendëse për Blutë.Kjo do të thotë se lojtarëve do t’u reduktohen fitimet nga bonuset, që automatikisht është shkurtim i pagës. Gjatë javës, drejtori Bruce Buck, qëndroi në qendrën stërvitore në Cobham, ku ka njoftuar lojtarët dhe trajnerët se transferimet e reja do të vijnë nga paratë që ka gjeneruar klubi nga sukseset e ekipit.
Sidoqoftë, nga kjo politikë e re e rusit Abramovich nuk janë prekur lojtarët që kanë nënshkruar kontratat e tyre para vitit 2009, pasi që ata do të vazhdojnë të fitojnë bonuset, ashtu siç është e paraparë në kontratën e tyre.
Këto shkurtime financiare te Chelsea vijnë pak pasi është njoftuar se kompanitë e Abramovich janë në krizë të thellë financiare, ashtu si në borxhe marramendëse.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka fajësuar gjyqtarët për golin e barazimit të shënuar nga Sunderlandi ndaj Arsenalit në sekondat përfundimtare të takimit të zhvilluar të shtunën mbrëma në Stadiumin e Dritave.“Goli ishte shënuar pas kohës shtesë. Unë e di se gjyqtari mund të lejojë më shumë dhe është minimumi ai katër minutëshi, por nuk ndodhi asgjë gjatë katër minutave, që do të mund ta justifikonte zgjatjen e kohës, ndërsa unë nuk kam çfarë të bëj për këtë”.
“Ne luftuam shumë ne pjesën e dytë dhe edhe me një lojtar më pak ne ishim më të mirët. Në pjesën e parë ne patëm vështirësi pas ndeshjes prej 6-0 ndaj Bragës, por në pjesën e dytë ne e kemi gjetur elementin tonë”.
“Edhe me 10 lojtarë ne gjithnjë e kemi dominuar lojën dhe është frustruese, por nga ana tjetër ka shumë gjëra pozitive që mund t’i nxjerri nga kjo ndeshje për ekipin tim”, u shpreh Wenger.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka thënë se rezultati ndaj Manchester Unitedit në superderbin e të dielës që zhvillohet në Old Trafford, nuk do të jetë indikator në gjithë sezonin e Liverpoolit.“Kjo ndeshje erdhi paksa herët. Pesë ndeshje të luajtura dhe është ende herët për të bërë parashikime. Këto ndeshje duhet të vijnë më vonë. Unë do të isha shumë i befasuar nëse njerëzit inteligjent të cilët e shohin sezonin si maratonë, do të fillonin të bënin parashikime kontradiktore pas ndonjë humbjeje si për njërin ekip, ashtu dhe për tjetrin”.
“Ne do të vëmë në fushë një ekip që do të mbrohet mirë dhe do të sulmojë mirë, ne kemi tentuar këtë në çdo ndeshje deri tani. Gjëja e parë që duhet të bëni kur do të shkelni në Old Trafford, është që të mbroheni mirë, pasi që ata kanë shumë sulmues të mirë. Asgjë nuk ndryshon nga ndeshjet e kaluara. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë, i dimë principet tona të punës dhe do të tentojmë që ato t’i shfaqim në fushë”, u shpreh Hodgson.
















