Shoqata e futbollistëve të Serie A (AIC), ka vendosur që të shtyjë përkohësisht grevën e paralajmëruar për datat 25 dhe 26 shtator, ndërsa kjo ka bërë që aksioni në futbollin italian të vazhdojë ashtu siç është paraparë.
I gjithë problemi u krijua pas ankesave të Massimo Oddos se futbollistët nuk po paguhen me rregull, ndërsa kësaj iniciative iu bashkua edhe AIC, që ka paralajmëruar edhe greva, të cilat tani janë shtyrë për një afat të pacaktuar kohor, por nuk janë anuluar tërësisht, derisa të mos arrihet konsensusi me drejtuesit e Lega Calcio.
Shtyrja e grevës bën që në fundjavë të shohim superderbin e futbollit italian mes Romës dhe Interit.
Numri një i Britanisë në tenis, Andy Murray, thotë se ai ka nevojë që të bëhet fizikisht më i fortë dhe ta përmirësojë lojën e tij, nëse e ka ndërmend që ta sfidojë tenistin numër një në botë, Rafael Nadal.
“Unë kam edhe katër ose pesë muaj për t’u përgatitur për ‘grand slamin’ e radhës”.
“Më duhet të forcohem fizikisht, ta përmirësoj lojën time dhe më pas do t’ia jap vetes rastin për ta mposhtur atë”, u shpreh Murray për BBC.
Mbrojtësi çek, Tomas Ujfalusi, është dënuar me vetëm dy ndeshje moslojë nga komiteti disiplinor i Federatës Spanjolle të Futbollit (FEF), pas startit të ashpër në superyllin e Barcelonës, Lionel Messi.
Komisioni disiplinor e mori këtë vendim duke u bazuar në nenin 115 të statutit të FEF-së, i cili bëri që ndërhyrja ndaj Messit të konsiderohet si mesatare.
Për këtë arsye, Ujfalusi do të mungojë vetëm në dy ndeshje për Atletico Madridin. Vendi ku është shkaktuar lëndimi u vlerësua si jo dhe aq i rrezikshëm, përndryshe në rastet tjera Ujfalusi do të mungonte deri në 12 ndeshje.
Manchester United është duke e shqyrtuar mundësinë e lansimit të një oferte sensacionale për ta rikthyer superyllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, përsëri aty ku e ka vendin, në futbollin anglez dhe shtëpinë e tij, Old Trafford.
Sipas Goal.com, burimet nga kryeqyteti spanjoll besojnë se bosi i Djajve, Sir Alex Ferguson, është duke e menduar ofertën prej 100 milionë eurosh për asin portugez.
Sidoqoftë, nëse marrim parasysh faktin që klauzola e Ronaldos është dhjetë herë më e madhe se sa oferta e mundshme e United, atëherë Florentino Perez nuk do ta shiste kurrë portugezin.
Këto spekulime vijnë pak kohë pas spekulimeve se Cristiano Ronaldo nuk është i lumtur te Real Madridi, për shkak të formës jo të mirë që është duke e kaluar te gjiganti spanjoll.
Kapiteni legjendar i Barcelonës, Carles Puyol, do të lë fansat e faqes së tij në Facebbok që të vendosin se kur ai duhet t’i varrë këpucët.
Kapiteni legjendar është thënë se do të pensionohej nga kombëtarja spanjolle pas Botërorit, një hipotezë e cila është hedhur poshtë nga ‘bisha katalanase’.
Sport njofton se Puyol u ka thënë miqve të tij se ai do të luajë deri në moshën 40 vjeçare, nëse faqja e tij e fansave në Facebook arrin 250 mijë të tillë. Për momentin, faqja e Puyol ka mbi 50 mijë fansa.
Trajneri i Atletico Madridit, Quique Sanchez Flores, ka kritikuar reagimin e mediave, pas lëndimit të Lionel Messi nga starti i dhunshëm i Tomas Ujfalusit.
“Tomas Ujfalusi nuk tentoi ta lëndonte Messin, ishte fatkeqësi. Shpresoj se dënimi nuk do të jetë i rëndë. Gjithë kjo ndodh për shkak se kemi të bëjmë me Messin, një lojtar të madh dhe lëndimet e tij na mohojnë mundësinë për ta shikuar atë. Por, neve vetëm na duhet që ta shikojmë historinë e Tomasit, i cili kurrë nuk ka lënduar askë me qëllim”.
“Shkalla e gjithë kësaj që ka ndodhur, varet nga profili i lojtarit. Unë kam parë shumë starte të ashpra, të cilat përfunduan pa lëndime. Por, ne të gjithë e dimë se nëse kjo ndodhë në këmbët e Messit, ose të Cristiano Ronaldos, atëherë njerëzit qajnë dhe na e bëjnë jetën kërdi. Tomas ka kërkuar falje pas ndeshjes”, deklaroi Flores.
Kapiteni legjendar i Interit, Javier Zanetti, ka një javë në dispozicion që të relaksohet, pas ekzaminimeve mjekësore të martën, të cilat zbuluan se ai ka pneumothorax.
Mesfushori u godit në gjoks në ndeshjen ndaj Palermos të dielën, ndërsa tani ka një javë pushim, që do të thotë se ai do të mungojë në sfidat ndaj Barit, Romës dhe eventualisht ndaj Werder Bremenit në Ligën e Kampionëve.
“Javier Zanettit i është dhënë një pushim njëjavor, pas ekzaminimeve të kryera në qendrën stërvitore, pas incidentit të ndodhur në minutat përfundimtare të sfidës ndaj Palermos”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga Interi.
Trajneri i Interit, Rafael Benitez, ka lansuar një sulm në drejtim të drejtorëve të ish-skuadrës së tij, Liverpoolit, për të cilët thotë se nuk kanë lidhje me futboll.
“Vitin e kaluar te Liverpooli pata të bëj me drejtorë të cilët nuk ditën asgjë për futboll dhe se nuk mund të flisje me ta për futboll”.
“Marrëdhëniet e mia me presidentin e Interit, Massimo Moratti, janë të mira, ai është një njeri që di se çka është futbolli”, ka thënë Benitez për The Guardian.
Jo, nuk kemi të bëjmë me ndonjë lojtar të Arsenalit, por me vetë menaxherin, francezin Arsene Wenger, i cili është dënuar së fundmi me një ndeshje moslojë nga Federata Angleze e Futbollit (FA).
Francezi është dënuar nga FA për shkak se ofendoi dhe pati kontakt fizik ndaj gjyqtarit Martin Atkinson. Wenger do të paguajë 8000 mijë funte për incidentin e ndodhur.
Dënimin për një ndeshje mos qëndrim në stol, Wenger pritet ta kryejë ndaj Tottenhamit, në derbin e Londrës Veriore që zhvillohet sonte mbrëma.
Strategu i Barcelonës, Pep Guardiola, ka pranuar në një konferencë për shtyp se ai do ta ketë të vështirë të gjejë zëvëndësimin e duhur për Lionel Messin, ndërsa ka kërkuar nga skuadra e tij që të vazhdojë të luajë në të njëjtën mënyrë.
“Lionel Messi është spektakolar dhe do të jetë e vështirë të gjejmë zëvëndësimin, por ne duhet të kërkojmë mënyra se si të sulmojmë pa atë. Ne kemi lojtarë të mirë dhe ne mund ta bëjmë këtë”.
“Unë nuk jam i sigurt se kur mund të rikthehet Messi. Nëse ai do të jetë i gatshëm, ai do të luajë ndaj Rubin Kazanit. Nëse jo, ai do të pushojë edhe një javë. Nuk ka limit kohor për këtë”, u shpreh Guardiola.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka mirëpritur idenë e fitimit të katër titujve këtë sezon nga Chelsea.
“Është shumë e vështirë, kjo është një gjë shumë e vështirë për t’u arritur. Pse jo? Katër tituj të fituar do ta kompletonin një sezon fantastik. Mendoj se mbajtja e titullit do të jetë e vështirë edhe nëse njerëzit na shohin si një nga ekipet më të mira me Manchester Unitedin, Arsenalin dhe Liverpoolin”.
“Por, do të jetë sezon i vështirë. Kjo është arsyeja pse jemi këtu, ne duam të dëshmojmë se jemi kampionë dhe se duam ta mbajmë titullin e Ligës Premier”, u shpreh Drogba.
Katrahura e krijuar nga presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, kur tha se Interi është Juventusi i ri, pasi që po manipulon me gjyqtarët, ka zgjuar polemika të mëdha në Apenine, ndërsa tani ka detyruar krijuesin e Calciopolit, Luciano Moggi, ta thyejë heshtjen dhe të flasë për pohimet kontraverse.
“Zamparini po fliste për fuqi, por ai duhet të jetë më konkret. Unë e pashë një intervistë që e dha për Il Corriere dello Sport, në të cilën ai ka thënë se po kthehemi në kohërat e Calciopolit”.
“Zamparini duhet të thotë nëse njerëzit e përfshirë në Calciopoli janë ende në të, ose ata janë jashtë tij, duke parë se futbolli po bëhet më i keq”, deklaroi Zamparini.
Lëndimi i Messit Mbrojtësi i Atletico Madridit, Tomas Ujfalusi, mund të dënohet me 12 ndeshje moslojë, pas startit të ashpër ndaj superyllit të Barcelonës, Lionel Messi, në sfidën e fundjavës së kaluar.
“Ujfalusi erdhi nga largësia dhe e goditi në nyje kundërshtarin e tij, pa mundësi për të luajtur në top. Lojtarit iu nevojit ndihma mjekësore dhe është dashur të zëvëndësohej”, theksoi raporti i gjyqtarit kryesor të takimit Atletico – Barcelona.
Sipas rregulloreve të La Ligas, dënimi më i vogël për Ujfalusin mund të jetë me tri ndeshje moslojë, por sipas të gjitha gjasave ai do të marrë maksimumin e dënimit, 12 ndeshje moslojë.
Ujfalusi ka kërkuar falje për incidentin, por komisioni disiplinor i Federatës Spanjolle të Futbollit do të mblidhet sot, për të marrë një vendim për mbrojtësin.
Trajneri i Interit, Rafael Benitez, ka hedhur poshtë spekulimet se ai është acarruar me Diego Militon, ndërsa ka thënë se polemikat vijnë pak para dy ndeshjeve të rëndësishme ndaj Romës dhe Juventusit.
“Unë kam mësuar një gjë nga spekulimet se unë i kam prishur raportet me Militon. Ne po u afrohemi ndeshjeve ndaj Romës dhe Juventusit, ndërsa gjithë këto gjëra janë duke u shfaqur tani… A do të kenë impakt negativ? Më pëlqen të punoj në fushë, të qëndroj i fokusuar. Gjëja më e rëndësishmne është që lojtarët e mi të punojnë mirë. Çfarë njerëzit thonë në publik, kjo nuk është me rëndësi”.
“Pohimet e Zamparinit? Unë po vij nga Liga Premier dhe mund t’iu them se presidentët atje nuk flasin aq sa bëjnë këtu. Gjithashtu, ne patëm 17 goditje ndaj Palermos…unë kam respekt për të gjithë në futboll dhe kështu nuk do të shtoj asgjë rreth kësaj çështje. Unë jam trajner që flet për futbollin”, deklaroi Benitez.
Sulmuesi i Parmës, Sebastian Giovinco, thotë se ai kurrë nuk ka marrë shpjegim për faktin se pse nuk është aktivizuar se ish-klubi i tij, Juventus.
Italiani u largua nga Juventusi gjatë kësaj vere, në përpjekje për të luajtur më rregullisht, pas një viti qëndrimi jashtë fushe.
“Nuk jam larguar nga Juve kur Diego arriti, pasi doja të luaj të gjitha letrat e mia në mënyrën e duhur. Në të vërtetë, vitin e kaluar luajta gjashtë ndeshjet e para me Ferrara dhe arrita rezultate të mira”.
“Por pas një momenti të caktuar nuk dola më fushë më. Nuk e di përse”, ka thënë Giovinco.
Sulmuesi i Manchester United, Dimitar Berbatov, ia ka veshur formën e tij të re angazhimit të palodhshëm gjatë verës.
Bullgari, i cili shënoi hat-trick në fitoren 3-2 të Manchester United ndaj Liverpoolit gjatë vikendit, ka zbuluar se ai ka harxhuar shumë kohë nëpër rrugë gjatë kësaj kohe dhe kjo i ka ndihmuar atij të arrijë formën e mirë për fillimin e sezonit të ri, që mund të jetë më i miri në karrierën e tij me Djajtë e Kuq.
“Jam shumë i lumtur dhe me shumë vetëbesim për momentin. Mendoj se gjithçka që mendoj në fushë do të bëhet e vërtetë dhe kjo është një ndjenjë e tmerrshme”.
“Kam punuar shumë në fituesin tim. Shumë. Nuk kam peshë të tepërt djem, jam i sigurt se mund ta shihni nga trupi im. Por jam përpjekur të punoj edhe më shumë në këtë aspekt. Kam vrapuar nga 10 kilometra çdo ditë gjatë pushimit të sezonit. Kam parë ndeshjet e Kupës së Botërore, pastaj kam vrapuar. Pastaj kam shikuar një tjetër, dhe kam bërë një vrap tjetër. Kjo ka qenë rutina ime”, ka thënë Berbatov.
Anësori i Chelseat, Florent Malouda, e sheh Manchester Cityn si një rival serioz për titull.
Blutë do të përballen me Cityn këtë vikend në sfidën e parë serioze të sezonit të ri.
“A mund City ta fitojë titullin? Sigurisht. Do të jetë një ndeshje taktike. Duke njohur menaxherin e tyre, sigurisht se ata i kanë parë ndeshjet tona dhe kanë parë se ne mund të udhëtojmë dhe të nxjerrim pikë”.
“Unë pres që kjo të jetë një ndeshje e vështirë. Ata e kanë përforcuar ekipin nga viti i kaluar, kur na mposhtën neve dy herë. Sfida e vërtetë është të fitojmë atje dhe të nxjerrim pikë. Lojtarët e tyre do ta shohin këtë si shans të tregojnë se janë të gatshëm të luftojnë për titull”, ka thënë Malouda.
Fiorentina raportohet se është duke kërkuar mesfushorin e Realit të Madridit, Mahamadou Diarra.
Ish-ylli i Lyonit nuk është në mesin e favoritëve që nga arritja e trajnerit të ri Jose Mourinho në Santiago Bernabeu.
Sportivja spanjolle Marca shkruan se një largim i Diarra në muajin janar është më se i mundshëm, me një varg ekipesh të interesuara për të.
Në kampionatin italian më e favorizuara duket të jetë Fiorentina, ndërsa për të është i interesuar edhe ekipi i Lorik Canës, Galatasaray.
Presidenti i UEFA-së, Michel Platini, thotë se ai kurrë nuk do të mund të luante në Itali, nëse sot do të ishte futbollist aktiv, për shkak të talentëve të shumtë të rinj që ka kjo ligë.
Legjenda 55-vjeçare e futbollit ishte një prej emrave më të mëdhenj të Serie A në vitet 1980-ta, kur luajti për Juventusin.
“Nuk e di nëse në këtë moment të veçantë do të kisha gjetur hapësirë në kampionatin italian. Tash atje ka shumë të rinj. Unë arrita në moshën 27 vjeçare. Isha krijuar si lojtar dhe kisha vështirësi në fillim”.
“Por, pastaj falë përvojës time arrita ta imponoj veten time dhe të fitoj në një ligë të vëshitrë si ajo e Italisë. Tash askush nuk do të rrezikonte me një lojtar të moshës time. Mbase as nuk do të luaja”, ka thënë Platini.
Mbrojtësi i Atletico Madrid, Tomas Ujfalusi, i ka kërkuar falje yllit të Barcelonës, Lionel Messi, rreth ndërhyrjes së fundit që e la atë të shtrirë.
Messi do të mungojë dhjetë ditë deri në dy javë për shkak se ka dëmtuar ligamentin në këtë përplasje me Ujfalusin.
"Më vjen keq. Doja t´i kërkoja falje publikisht pasi nuk kam menduar ta lëndoj atë. I kam dërguar atij një sms, kam dashur të bisedoj, por nuk kam mundur, ai ishte i tërbuar", ka thënë Ujfalusi.
Në prag të takimit të Kupës Carling përballë Arsenalit, trajneri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se ai nuk ka dyshime se Tottenhami së shpejti do të jetë në nivel me Topçinjtë në kuptim të madhësisë dhe presigjit.
Spurs më 30 shtator do të kuptojnë nëse do të fitojnë leje për të ndërtuar një stadium të ri në vlerën e 400 milionë funteve, që do të ketë kapacitet prej 60 mijë vende dhe do të jetë i gatshëm për sezonin 2013/14.
Derisa ata po luajnë sezonin e parë në Ligën e Kampionëve, Spurs besojnë se koha po shkon në favor të tyre për të mposhtur rivalin e Londrës Veriore.
"Nuk kam parë çfarë Van der Vaart ka thënë, por Arsenali dhe Spurs që të dyja janë klube të mëdha. Nuk ka dyshime në këtë. Arsenali ka qenë më i suksesshëm viteve të fundit, por ne po i afrohemi. Kur të fitojmë stadiumin e ri, do të kemi 60 mijë njerëz në javë siç kanë klubet më të mëdha, andaj ata që të dyja janë klube të mëdha", ka thënë Redknapp.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, thotë se triumfi në Kupën Carling është prioritet për Të Kuqtë këtë sezon.
Liverpooli të mëkurën do të përballet me Northampton, menjëherë pas humbjes nga Manchester United gjatë vikendit.
"Kemi nevojë për kohë, para se menaxheri i ri të marrë gjithçka në duar dhe t´i implementojë idetë e tij. Sigurisht ne po përmirësohemi dhe paraqitja ishte vërtet e mirë. Nëse luajmë kështu çdo javë, do t´i mposhtim shumicën e ekipeve në ligë. Por luajtëm kundër një djaloshi në formë dhe ai ishte dallimi".
"Ajo tashmë është bërë dhe ne duhet të flasim për ndeshjet që vijnë në rradhë. Ne kemi ndeshjen e Kupës kundër Northampton – dhe kjo garë është shumë e rëndësishme për ne – para se të luajmë ndaj Sunderlandit javën e ardhshme. Askush nuk do t´i varr buzët, pasi ne duam të sigurohemi se do të shkojmë në pauzën ndërkombëtare muajin e ardhshëm pasi t´i kemi fituar të gjitha ndeshjet", ka thënë Gerrard.
E dashura e Iker Casillas, Sara Carbonero E dashura e kapitenit të Real Madridit, Iker Casillas, ka kritikuar bashkëlojtarin e këtij të fundit Cristiano Ronaldo.
Reporterja sportive Sara Carbonero e ka quajtur Ronaldon "egoist" kur ka analizuar lojën e anësorit gjatë një emisioni televiziv.
"Cristiano Ronaldo ka qenë thjesht egoist dhe individualist në fushë dhe, mirë, kjo është arsyeja se pse Real Madridi nënshkroi me të. Ajo çfarë është e vërtetë është se ai nënshkroi për 96 milionë euro, por pasi ka luajtur mirë, mund t´ia falim këtë", ka thënë Carbonero.
Portieri i Interit, Julio Cesar, thotë se ata janë në maje të tabelës për të vazhduar të qëndrojnë aty për kohë të gjatë.
Fitorja ndaj Palermos i ka barazuar Nerazzurët me pikë me ekipin e Erjon Bogdanit, Cesena, që ka befasuar në tre ndeshjet e para të sezonit.
“Samuel Eto'o është ai që duhet të jetë në ballë të kamerave televizive, por do të jem unë ai që do t´i jap komplimente atij dhe ekipit. Ne fituam tre pikë në një fushë të vështirë dhe kundër një ekipi vërtet të mirë, por unë besoj se rezultati ka qenë i drejtë, duke marrë parasysh se si luajtëm ne” .
“Tash shpresojmë të qëndrojmë në maje të tabelës. Të fillojmë në këtë mënyrë është vërtet e rëndësishme. Gjëja më e vështirë në një sezon kaq të gjatë është të qëndrojmë të parët, por të jemi aty që tash, kjo na jep më shumë siguri. Shpresojmë të qëndrojmë aty për një kohë të gjatë”, ka thënë portieri brazilian.
Trajneri i Lazios, Edy Reja, është i bindur se ata mund ta mposhtin Milanin në ndeshjen e nesërme.
Reja beson se një fitore kundër Milanit, do të ishte një kujtim afatgjatë në mendjen e lojtarëve të Lazios.
"Ne do të duhet të luajmë me kujdes dhe të tregojmë përqendrim të veçantë", ka thënë Reja.
Kërcënimi i pjesshëm do të jetë nga treshja sulmuese Ronaldinho-Ibrahimovic-Robinho dhe Reja është i vetëdijshëm për këtë.
"Këta tre lojtarë mund ta vendosin ndeshjen në çdo kohë. Për këtë arsye ne duhet të përqendrohemi. Respekti dhe vetëbesimi jonë po rritet, por ende dua të shoh intensitet për 90 minuta", ka shtuar trajneri i Lazios.
Gerard Pique ka akuzuar lojtarët e Atletico Madrid për shkak se e kishin pasur cak bashkëlojtarin e tij të Barcelonës, Lionel Messi gjatë ndeshjes së të dielës.
Messi pësoi lëndim të gjurit gjatë një përplasje me mbrojtësin e Atletico, Tomas Ujfalusi, gjatë fitores së mundimshme të Barcelonës.
"Tash duket se gjithçka është e lejueshme në botën e futbollit... Më vjen shumë keq. Ata kërkonin ta gjuanin atë. Ata provonin gjithçka për të ndaluar lojtarët e mëdhenj", ka thënë Pique.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka shkuar shumë larg sa i përket postit të tij, duke thënë se ndjenja e të qenit trajner i klubit mbretëror spanjoll, është sikur të kesh shkelur në hënë.
“Nga pikëpamja e prestigjit, të bëhesh trajner i Realit është sikur të kesh shkelur në hënë. Është klubi më i rëndësishëm në botë. Do të thotë se unë kam arritur majen, por nuk kam fituar asgjë ende. Ne do të shikojmë se si ta shkruajmë historinë moderne, histori e cila ende duhet ndërtuar”.
“Dhjetë vitet e fundit kanë kaluar shpejtë. Unë jam po aq i pasionuar, sikur kur fillova karrierën si trajner dhe nuk mendoj për asgjë tjetër pos për dekadën e ardhshme. Unë mendoj se do të jem si Sir Alex Ferguson. Do të bëhem 70 vjeçar dhe do të jem i pasionuar për këtë zeje sikurse që jam tani”, ka deklaruar Mourinho.