Philippe Coutinho Supertalenti i Interit, Philippe Coutinho, është shprehur tejet i ngazëllyer me debutimin e tij ndaj Barit të mërkurën mbrëma në San Siro.
“Rafa më tha të luaj në mes, në pozitën e Sneijderit, edhe të sulmoj, por edhe të kthehem në mbrojtje. Futbolli italian është i vështirë, por më pëlqen dhe po provoj të mësohem me të. Ata ndërhynë në mua disa herë”.
“Sidoqoftë, jam i kënaqur. Më duket se jam duke u përmirësuar ditë pas dite. Ishte ndeshja ime e parë në San Siro. Ishte e bukur, një emocion i mrekullueshëm dhe unik”, deklaroi Coutinho për Inter Channel.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka pranuar se ekipi i tij është vënë në kërkim të identitetit, ndërsa thotë se Merengezëve do t’u marrë kohë ky proces.
“Një prej gjërave më të rëndësishme është që ta gjejmë identitetin tonë…Më duhet kohë për ta gjetur atë”, u shpreh Mourinho për Record.
Portugezi gjithashtu lëvdoi rivalin e përbetuar, Barcelonën, duke thënë se katalanasit janë favoritë për të fituar edhe La Ligan edhe Ligën e Kampionëve.
Pinilla dhe Pastore festojnë golin e parë. Zonja e Vjetër është turpëruar para tifozëve të vet duke u mposhtur nga Palermo me rezultat 1-3, në takimin e fundit të xhiros së katërt të Serie A.
Mysafirët kaluan shumë herët në epërsi (2’), kur pas një aksioni të Ilicic dhe Pinilla, ky i fundit goditi në portë, ndërsa topin e kthyer nga portieri Storari e shfrytëzoi Javier Pastore për t’ua dhënë epërsinë sicilianëve. Në pjesën e dytë, ishin sërish mysafirët ata që shënuan. Këtë radhë Storari mbrojti goditjen e Pastores, por jo edhe atë të Josip Ilicic (62’).
Pesë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit, Cesare Bovo shënoi një gol të bukur nga gjuajtja e lirë për t’i dhënë fund dilemës për fituesin. Golin e nderit për vendasit e shënoi Vincenzo Iaquinta pas një krosimi të Mottas (87’).
Pas xhiros së katërt, Juventusi mban vendin e 15-të me katër pikë, po aq sa ka Palermo një vend më poshtë.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, mezi e pret duelin kryesor të javës së pestë ndaj Romës që zhvillohet të shtunën në Olimpico, pikërisht në kohën kur Roma është në krizë të thellë të rezultateve, kurse Interi në krye të tabelës së Serie A.
“Roma-Inter? Është një ndeshje në të cilën vërtet më pëlqen të luaj, pasi që kam të bëj me një ekip të fortë”.
“Është gjithnjë pasionante të konfrontohesh në një stadium me një atmosferë të bukur, përkundër faktit se tifozët nuk janë të mirë me ne”, deklaroi Eto’o.
Kevin Prince Boateng - AC Milan Mesfushori i Milanit, Kevin-Prince Boateng, ka këmbëngulur se nuk ka nevojë për panikë, përkundër faktit se tashmë Rossonerët janë pesë pikë prapa Interit.
“Ekipi vrapoi dhe luftoi shumë gjatë gjithë ndeshjes. Ne vështirë se rrezikuam diçka ndaj Lazios”.
“Për çdo rast, them se jemi në rrugë të mirë”, ka thënë Boateng.
Real Madridi është duke vazhduar tentimet për të joshur mbrojtësin e majtë të Tottenhamit, Gareth Bale.
AS pohon se 21 vjeçari është shndërruar në një nga caqet kryesore për Real Madridin, për të përforcuar krahun e majtë të mbrojtjes gjatë janarit.
Oferta minimale që duhet të bëjë Real Madridi është 20 milionë funte, një shumë që pritet të mundësohet nga shitja e lojtarëve të panevojshëm.
Mesut Ozil është i bindur se tifozët e Real Madridit do të fillojnë së shpejti që të festojnë, kur Los Blancos të luajnë me stil më atraktiv.
“Jam i sigurt se së shpejti Bernabeu do të duartrokasë lojën tonë. Ne jemi liderë dhe dimë se si të përmirësohemi”.
“Ne kemi një rrugë të vështirë para nesh, por ne jemi të rinj dhe jemi në gjendje për t’u zhvilluar më tutje. Ne do të jemi edhe më të fortë dhe tifozët do të kënaqen duke na shikuar”, tha Ozil.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është duke planifikuar lansimin e një oferte për portierin e Atletico Madridit, David De Gea.
Sipas The Mirror, Ferguson mungoi në sfidën e Carling Cup të cilën e fitoi United me rezultat 5-2 ndaj Scunthorpe, për shkak se ai shkoi për ta shikuar kundërshtarin e United në Ligën e Kampionëve, Valencian, të luajë ndaj Atletico Madridit.
Mediumet angleze pohojnë se kjo nuk ishte vizitë për të shikuar kundërshtarin, por për të parë formën e portierit të Atletico Madridit, për të cilin pritet të lansohet së shpejti një ofertë prej 12 milionë funtesh.
Portieri më i mirë në botë, Iker Casillas, është vënë në mbrojtje të Cristiano Ronaldos, duke thënë se portugezi është lindur për të shënuar gola.
“Cristiano Ronaldo mund të jetë vetiak, por në sensin më të mirë të fjalës, sepse ai është lindur për të shënuar gola. Unë nuk e kam këtë, e as që do ta kem, e as që do të kem ndonjë problem me Ronaldon, për arsye se ai është kampion i madh”.
“Real Madridi është aq i rëndësishëm për ne, sa që ne bisedojmë për gjithçka. Në zhveshtore jemi sikur një familje. Ronaldo është lindur për të shënuar gola”, ka thënë Casillas.
Interi mund të mbetet pa shërbimet e mbrojtësit të hekurt, Walter Samuel, kur Nerazzurët do t’i shkojnë Romës të shtunën në kuadër të derbit të javës së pestë në Serie A.
Mbrojtësi argjentinas ishte zëvëndësuar nga Ivan Cordoba në fitoren prej 4-0 të Interit ndaj Barit të mërkurën mbrëma, për shkak të një dëmtimi. Në faqen zyrtare të Interit është konfirmuar se Samuel ka pësuar një zgjatje të muskulit të këmbës së djathtë, një lëndim që thuhet të mos jetë serioz.
Sidoqoftë, dëmtimi e vë atë në rrezik për të mos u ftuar nga Rafael Benitez, që po vazhdon me përgatitjet para derbit ndaj Romës. Thiago Motta gjithashtu nuk ishte në gjendje që të stërviste me pjesën tjetër të skuadrës dhe kështu është në dyshim edhe ai për sfidën kundër Giallorosëve.
Juventusi dhe Interi mund të jenë dy nga skuadrat më tradicionale italiane, por këtu mbarojnë ngjashmëritë mes dy gjigantëve të futbollit italian, pasi që presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, ka sulmuar përsëri pronarin e Interit, Massimo Moratti, për qëndrimin e këtij të fundit ndaj Calciopolit.
Siç dihet, Andrea Agnelli po bën çmos për të rikthyer dy titujt e marrë nga Interi pas Calciopolit, ndërsa këtë dëshiron ta bëjë duke e detyruar FIGC-në të hapë një process të ri hetimor të quajtur “Calciopoli 2”. Këto tentime nuk u mirëpritën nga Massimo Moratti, që ka thënë se Juventusi po sillet vërdallë mjegullës.
“Moratti? Ndoshta ai ishte nervoz kur është dashur të mendojë për ne. Unë shikoj se çfarë po bëhet me Juventusin. Ne jemi të qetë. Ne e dimë se çfarë kemi thënë, kështu edhe FIGC-ja dhe ne po presim për gjykimin e tyre”.
“Unë jam shumë transparent kur bëhet fjalë për marrëdhëniet tona me Interin, pasi që nëse shikoni dëshmitë e reja, edhe Interi u bëri telefonata gjyqtarëve atëkohë”, precizoi Agnelli, i cili ka ende hesape të pa sqaruara me Massimo Morattin sa i përket Calciopolit.
Interi dhe Juventusi pritet që të masin forcat në derbi d’Italia që zhvillohet në kuadër të javës së pestë, të dielën më 3 tetor në ora 20:45.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, ka deklaruar në një konferencë për shtyp se dallimi mes Barcelonës dhe Real Madridit mund të vërehet shumë lehtë.
“Dallimi mes Real Madridit dhe Barcelonës është i qartë, vetëm shikoni në të gjithë titujt që kemi fituar dy vitet e kaluara. Barcelona ka bërë një gjë të cilën asnjë skuadër nuk do ta bënte dhe kjo është fitimi i gjashtë titujve”.
“Unë nuk mund të bazohem në vetëm një titull dhe kështu dua që Barcelona të luftojë për gjithçka. Fizikisht unë ndjehem mirë, ne jemi të përgatitur për një sezon të vështirë. Vështirë se ka kohë për stërvitje, por ekipi po reagon mirë pas çdo ndeshjeje”, u shpreh David Villa.
Ikona e Liverpoolit, Steven Gerrard, u ka bërë thirrje lojtarëve më eminent të klubit nga Anfield, që të ringjallen pas eliminimit turpërues në Carling Cup nga skuadra e ligës së katërt angleze, Northampton.
“Ata do të mësojnë nga përvoja. Futbolli nuk është vetëm për gjëra të mira. Përgjatë karrierës time, unë kam përjetuar edhe gjëra të mira edhe gjëra të këqija dhe ndoshta kam mësuar më shumë nga situatat e rënda, sepse së pari e shikoni veten, shikoni se çfarë ishte e gabuar dhe më pas tentoni të mësoni nga gabimet”.
“Unë e kuptoj frustrimin e të gjithëve, por mendoni pak në Carling Cup dhe rastin që mund t’iu jepni lojtarëve të rinj. Nëse fusni në fushë skuadrën më të mirë, atëherë fëmijët tanë kurrë nuk do ta kenë mundësinë për t’i përjetuar tifozeritë dhe garat e mëdha. Ka gjëra pozitive, përpos këtij frustrimi”.
“Gjëja e fundit që dua tani është që njerëzit të qëndronë kokëulur, pasi që kemi një ndeshje të madhe pas tri ditësh. Askujt nuk i dhemb më shumë se vetë lojtarëve të cilët kanë luajtur. Ne të gjithë kemi qenë atje dhe e kemi përjetuar atë. Të gjithë janë të zhgënjyer, por nuk është fundi i botës. Ka kaluar ajo dhe tani me rëndësi është që të marrim tri pikë ndaj Sunderlandit”, deklaroi Gerrard.
Lewis Hamilton e sheh ngasësin e Ferrarit, Fernando Alonso, si rrezikun dhe rivalin kryesor për titullin e kampionit të botës në Formula 1.
“Fernando duket se do të jetë rreziku kryesor, për shkak se Ferrari ka filluar t’i marrë më seriozisht garat. Unë them se ata janë rivalët tanë më të mëdhenj për momentin”.
“Favoriti para garës në Singapor? Le të jetë ai që e ka fituar garën e kaluar, pra ai është Alonso. Kështu është më mirë për mua”, tha Hamilton.
Fernando Alonso gjendet 21 pikë prapa vendit të parë, Mark Webber dhe 16 pikë prapa Lewis Hamilton, që është në pozitën e dytë të renditjes së ngasësve.
Zëvëndëspresidentit të Milanit, Adriano Gallianit, është duke i tejkaluar durimi, pas barazimit tjetër ndaj Lazios në Serie A.
“Unë kam shpresuar se deri në këtë moment do të kishim pasur më shumë pikë. Por, është herët të bëjmë gjykime. Ne luajmë çdo tri ditë dhe vlerësimet bëhen në bazë të rezultateve”, theksoi Galliani.
Milani që nga koha kur e mposhti Leccen me rezultat 4-0, nuk di për fitore në Serie A, ndërsa nga ana tjetër, rivali i drejtpërdrejtë për titull, Interi, ka filluar edhe zyrtarisht ‘stërvitjet’ sezonale, me fitoren prej 4-0 ndaj Barit.
Marco Boriello Roma Sulmuesi i Romës, Marco Boriello, ka dhënë një deklaratë shokuese ndaj ish-ekipit të tij, Milanit, duke thënë se Rossonerët gjithmonë ndihmohen nga arbitrat.
Roma pësoi disfatë nga Brescia të mërkurën mbrëma dhe Boriello ndjen se gabimet e gjyqtarit, Carmine Russo, ishin kruciale në rezultatin përfundimtar.
“Ishin dy penalti të paakorduara, ndoshta tri. Te Milani, këto gjëra kurrë nuk kanë ndodhur. Tani e kuptoj dallimin se si është të luash për Romën dhe si për Milanin. Për çdo rast, them se ne jemi ekip i madh dhe dimë se si të kthehemi”.
“Ne do të dimë se si të rikthehemi. Më kujtohet kur Russo referoi sa isha te Milani, ai shpeshherë kërkoi fanellën time, por tani as që më foli”, u shpreh Boriello.
Ricardo Carvalho Real Madrid Mbrojtësi i Real Madridit, Ricardo Carvalho, ka pohuar se mediat spanjolle janë duke tentuar që ta destabilizojnë bashkëlojtarin e tij, Cristiano Ronaldo, me analizat e vazhdueshme të paraqitjeve të tij.
“Në Angli, mediat nuk e shpenzojnë kohën e tyre në paraqitjet e lojtarit dhe atje lojtari respektohet më shumë. Por, për shkak se Ronaldo është lojtar i madh, tentimet për ta destabilizuar atë janë normale. Ai u rrit në Portugali, që është pranë Spnjës dhe besoj se ai do të di se si t’i menaxhojë këto situata”.
“Ne e dimë se tifozët nuk janë të kënaqur me ekipin dhe se ne duhet të luajmë më mirë. Gjëja e parë që Jose Mourinho kërkon nga ne është që t’i fitojmë ndeshjet. Ne po përgatitemi që me kohë të luajmë më mirë”, ka thënë Carvalho.
Franck Lampard është në dyshim për supersfidën që e pret Chelsean ndaj Manchester Cityt, pasi mesfushori ndërpreu stërvitjet për shkak të një dëmtimi.
Lampard ka pësuar një dëmtim në ije dhe u ka thënë miqve të tij të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge, se ai është në luftë me kohën për të qenë i gatshëm ndaj Manchester Cityt.
Lampard ka munguar në katër ndeshjet e fundit të Chelseat, që prej kohës kur u lëndua në fitoren prej 2-0 ndaj Stoke Cityt. Dilema e Ancelottit tani qëndron në atë se kush duhet ta zëvëndësojë mesfushorin anglez, pasi që Salomon Kalou është lënduar ndaj Newcastle, kurse Malouda është anësor. Ramires nuk besohet të jetë opsion për zëvëndësim, pas paraqitjes zhgënjyese në Carling Cup.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, pret të jetë i gatshëm për ndeshjen e javës së ardhshme, derbin londinez kundër Chelseat.
Fabregas është pritur të qëndrojë jashtë fushe për tre javë, që nënkuptonte se ai do të mungonte në udhëtimin në Stamford Bridge, por spanjolli beson se do të jetë i gatshëm për këtë sfidë.
“Lëndimi nuk është aq i keq sa është menduar së pari. Nuk ka dëmtim të muskulit dhe unë do të kthehem plotësisht për 10 deri në 11 ditë. Mendoj se do të kthehem për ndeshjen kundër Chelseat”, ka thënë Fabregas.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se Chelsea mbetet rivali i tyre kryesor për titullin.
Pavarësisht kërcënimit të vazhdueshëm nga Arsenali dhe ambicieve të Manchester Cityt, Ferguson mendon se janë kampionët në fuqi rivalët e tyre kryesor për titull.
“Liga Premier është një ligë shumë e vështirë, është fisnike dhe nuk mund ta mohoni këtë kur vjen puna te fitimi i Ligës Premier. Gjithmonë shoh në ekipet të cilat fitojnë në ligë një vit më herët, duhet të keni një cak për të punuar”.
“U takon të tjerëve, përfshirë edhe neve, ta bëjmë këtë dhe Chelsea është kampion. Ata kanë pasur një fillim të mirë të sezonit dhe i shoh ata si rrezik kryesor për ne. Ndeshjet me rëndësi do të jenë atë kundër njëri-tjetrit. Vitin e kaluar ne i humbëm të dyja këto ndeshje dhe kjo ishte që vendosi titullin”, ka thënë Ferguson.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, është i zemëruar nga mënyra se si ekipi i tij pësoi humbje nga Brescia.
Roma u mposht me rezultat 2-1 pas një goli të shënuar nga Përparim Hetemaj dhe një penaltie kontroverse, e cila largoi nga fusha edhe Philippe Mexes për shkak të kartonit të dytë të verdhë.
“Gjithkush e pa se ekipi bëri gjithë çfarë mundi, por fatkeqësisht ndeshja u vendos nga vendimet e arbitrit. Penaltia as që ekzistoi dhe ne duhej të kishim së paku edhe dy gjuajtje të lira. Si mund të jepni ri-dhënie nga këndi për një faul ndaj Matteo Brighi?”.
“Plus kushdo që e mbulonte Marco Borriello, as që shikonte në top, vetëm e rrëzonte atë. Vërtet djelmoshat nuk e merituan humbjen. Ishte një prej atyre ditëve të këqija”, ka thënë Ranieri.
Ish-trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, përflitet se mund të marrë nën drejtim ekipin e Sevillas.
Sportivja Cadena Ser shkuan se eliminimi i Sevillas nga Liga e Kampionëve ka bërë që presidenti Jose Maria del Nido të humbë besimin në trajnerin Antonio Alvarez.
Ish-menaxheri i Real Madridit dhe Villarrealit, Pellegrini, tash është në listën e opsioneve të Del Nido. Edhe kiliani raportohet se është i gatshëm t’i rikthehet futbollit, pasi u shkarkua nga Reali verën e kaluar.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, thotë se klubi mund të presë të kritikohet pas eliminimit nga Kupa Carling nga ekipi i ligave më të ulëta, Northampton Town.
Të Kuqtë u eliminuan nga gara pasi humbën 4-2 në penalti, pasi loja shtesë përfundoi me rezultat 2-2.
“Ne dëshironim të dilnim mirë në Kupën Carling dhe nuk e bëmë këtë. Ne nxorëm barazim ndaj një ekipi që është tre liga poshtë neve. Nga ne u prit të fitojmë dhe kur nuk e bëni këtë, mund të pritni të kritikoheni”.
“Kjo është një goditje e madhe për klubin. Kupa Carling është një garë ku mund t’ia dilnim mirë dhe kishim për kundërshtar një rival të një lige të ulët. Çfarëdo që ndodhi, kjo nuk rezultoi me fitore, është një gjë shumë negative dhe një pengesë për klubin, një prej shumë me të cilat përballemi për momentin”, ka thënë Hodgson pas takimit të mbrëmshëm.
Sami Khedira thotë se bashkëlotjari i tij te Real Madridi, Cristiano Ronaldo, është një lojtar ekipor.
Ronaldo është kritikuar së fundi për lojë vetjake dhe mos-bashkëpunim me lojtarët tjerë të ekipit, por kështu nuk mendon Khedira.
“Cristiano Ronaldo është një lojtar i shkëlqyeshëm individual, por ai po ashtu është edhe një lojtar i shkëlqyeshëm ekipor. Ai luan me ekipin. Ai na ndihmon neve të fitojmë sa më shumë pikë”, ka thënë mesfushori gjerman.
Menaxheri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ekipi i tij vuajti në fitoren minimale ndaj Sportig Gijon në mungesë të Lionel Messi.
David Villa shënoi golin e vetëm të ndeshjes, derisa Messi qëndroi jashtë fushe për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen e kaluar kundër Atletico Madrid.
“Messi është një lojtar i pazëvendësueshëm, nëse sot ai do të ishte këtu, ne do të kishim fituar 5-0, por ai nuk ishte dhe ne duhej të luajmë dikë tjetër në vendin e tij”.
“Sot Villa ka kontribuar shumë, por i ka munguar preciziteti në pjesën e parë, por pastaj ai shënoi. Ai ndihmon shumë kur vjen nga jashtë si edhe në ballë dhe në qendër”, ka thënë Guardiola pas fitores së mbrëmshme.
Menaxheri i Interit, Rafa Benitez, është i kënaqur pasi Diego Milito shënoi në fitoren e tyre ndaj Barit.
Milito përfundimisht i dha fund mungesës së golave këtë sezon me dy gola, me Samuel Eto’o që po ashtu shënoi dy gola, që të dyja nga penaltitë.
“Ai tashmë ka dhënë shumë për ekipin, por e vetmja diferencë këtë herë në dallim prej ndeshjeve tjera është se topi preku rrjetën. Jam i lumtur për të dhe për Eto’o”.
“Çdokush e di se Eto’o do të preferonte të luajë si sulmues i qendrës, por ne kemi biseduar gjatë verës. Ideja është se ai mund të luajë në të djathtë ose në të majtë, por më afër golit se sezonin e kaluar”, ka thënë Benitez.
Menaxheri i Milanit, Massimiliano Allegri, është i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij pas barazimit 1-1 ndaj Lazios.
Zlatan Ibrahimovic shënoi i pari për Rossonerët, ndërsa për Lazion një pikë nxori Sergio Floccari.
“Ne treguam shenja të qëndrueshmërisë. Më ka pëlqyer mënyra se si ka luajtur Milani, pasi ekipi punoi shumë dhe ne nuk pranuam në kundërsulme. Mendoj se mbrëmja ishte një ndeshje intensive dhe në pjesën e parë ne patëm tre raste të pastra”.
“Pas pauzës, po ashtu kishim edhe më shumë shanse. Nëse do të ishim kthyer me fitore, atëherë do të ishim këtu duke thënë se Milani ka zbuluar veten. Ne jemi në rrugë të duhur”, ka thënë Allegri.
Mesfushori i Arsenalit, Tomas Rosicky mendon se ky mund të jetë sezoni i Kupës Carling për Arsenalin.
Topçinjtë nuk kanë fituar trofe që nga Kupa FA e vitit 2005, që u zhvillua në Cardiff. Rosicky, i cili iu bashkua ekipit nga Borussia Dortmund një sezon më pas, mendon se edhe një vit pa trofe do të jetë shumë.
“Është e rëndësishme t’i japim fund kësaj thatësie të trofeve, pasi nuk kemi fituar për një kohë të gjatë. Mund ta shihni se edhe menaxheri është duke kërkuar. Ai dëshiron ta fitojë Kupën Carling më shumë këtë sezon, pasi e solli gjithë ekipin këtu. Kjo na dha më shumë shanse për ta fituar”.
“Ne kemi një ekip mjaft të mirë për të garuar në të gjitha nivelet. Unë erdha në vitin 2006 dhe nuk kam fituar ende asgjë. Erdha këtu të fitoj trofe, andaj le ta fitojmë atë me stil”, ka thënë mesfushori 29-vjeçar.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, beson se Los Blancos duhet të vazhdojnë të përmirësohen pas çdo ndeshjeje.
“Ne duhet të vazhdojmë të përmirësohemi në mënyrë që të tejkalojmë pritjet. Më shumë kërkohet nga ne ditë pas dite”.
“Ne duhet të jemi më të duruar se kurrë dhe ta përmirësojmë performancën tonë individuale në mënyrë graduale, për t’u bërë ekip sa më i mirë”, deklaroi Ramos.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, u është përgjigjur komenteve të bëra nga agjenti i tij, duke thënë se ai nuk do të largohet nga Interi.
“Ne po flasim për rinovimin me Interin, sepse unë dua të qëndroj këtu në Milano. Unë shpresoj se këto negociata do të përfundojnë sa më shpejtë që është e mundur”.
“Unë e përjashtoj mundësinë e kalimit te Real Madridi, sepse nuk i kam harruar ngjarjet që kanë ndodhur shumë kohë më parë. Real Madridi është ekip i fortë, që po drejtohet nga njeriu që më ka mundësuar fitimin e të gjitha trofeve”.
“Unë e përsëris për të njëqindtën herë dhe nuk do ta përsëris më, se unë do të jem te Interi deri në fund të këtij sezoni dhe nëse e rinovoj, do të qëndroj deri në fund të kontratës së rinovuar”, u shpreh holandezi.
Juventusi është tejet i interesuar për shërbimet e anësorit dhe supertalentit kosovar që luan për Baselin, Xherdan Shaqiri.
Sipas sportal.it, 18 vjeçari i talentuar ka rënë në syrin e drejtuesve Bianconer pas paraqitjeve të shkëlqyera në St. Jakobs Park. Shaqiri konsiderohet si një nga talentët më të mëdhenjë në botën e futbollit dhe në kërkim të tij janë vënë skuadra si Barcelona, Liverpooli, Dortmundi, Arsenali, PSV Eindhoven, Interi dhe Milani.
Xherdan Shaqiri shënoi një gol të shkëlqyer ndaj Anglisë në kualifikimet për Euro 2012, ndërsa do ta ketë rastin për të shkëlqyer edhe në Ligën e Kampionëve, pasi që Baseli është në grup me Bayernin, Romën dhe Clujin.
Trajneri i Juventusit, Luigi Del Neri, ka kërkuar nga lojtarët e tij që të qëndrojnë në tokë pas fitores prej 4-0 ndaj Udineses, para takimit me Palermon të enjtën.
“Do të ishte jo me vend nëse do të thoshim se jemi kthyer. Ne nuk kemi bërë asgjë, është njëjtë si më parë. Ne jemi një ekip që po tenton ta gjejë identitetin, të luajë maksimalisht, por të mos u hyjë veprimeve të rrezikshme”.
“Do të jetë ndeshje e komplikuar kjo ndaj Palermos, pasi që ata kanë sulmues të rrezikshëm. Por, ne po mendojmë për të punuar. Kjo është vetëm një mënyrë për t’u përmirësuar. Çdo ndeshje është test për ne, por testet janë për t’u kryer me sukses”, ka thënë Del Neri.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka refuzuar transferimin e mesfushorit të Real Madridit, Mesut Ozil, për gjysmë çmimin e transferimit të asit gjerman nga Werderi në Santiago Bernabeu.
Sport pohon se presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, kishte arritur një para-marrëveshje me gjigantët gjerman për transferimin e Ozil, e vlefshme 7.5 milionë euro, e cila përfshiu dhe mundësinë e huazimit në rast se bën telashe Guardiola.
Por, strategu katalanas ishte i qartë dhe i prerë, pasi që nuk pranoi transferimin e gjermanit me origjinë turke. Rastin e shfrytëzoi Florentino Perez, që e solli supermesfushorin te Real Madridi për 15 milionë euro.
Skuadra ambicioze e Bundesligës, Schalke, nuk di ende për fitore në këtë sezon, por për trajnerin Felix Magath, rikthimi i formës më të mirë për Mbretërit e Kaltër do të vijë shumë shpejtë.
“Disfata ndaj Dortmundit na bën të ndihemi vërtet keq për tifozët, sepse ata na kanë dhënë përkrahje fantastike deri tani këtë sezon. Qëllimi është që ta vëmë nën kontrollë nervozizmin e shfaqur në derbi ndaj Dortmundit. Unë jam i bindur se gjithë ajo që na duhet është një fitore. Ajo më pas mund të bëjë mrekullira”.
“Ne kemi luajtur vetëm katër ndeshje dhe jemi të sigurtë se do të përmirësohemi. Ndryshimi i gjërave mund të na çojë drejt problemeve të reja, ashtu siç e pamë dhe Bayernin sezonin e kaluar. Ata shpenzuan shumë më shumë para në ekipin e tyre se sa ne”, deklaroi Magath.