Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, pret që Chelsea ta mbrojë me lehtësi titullin e kampionit të Ligës Premier.
“Chelsea për momentin është ekipi më i mirë në Ligën Premier. Ata do ta fitojnë titullin e Ligës Premier shumë lehtë”. Ata përbëjnë një ekip të fortë, pasi që kanë luajtur së bashku me vite të tëra”.
“Ata kanë menaxher fantastik në Carlo Ancelottin dhe ata kanë punuar për të ardhur në situatën ku janë aktualisht”, u shpreh Mancini para takimit ndaj Chelseat që zhvillohet të shtunën.
Piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, thotë se përvoja e tij si kampion i dyfishtë i Formula 1, mund t’i japë atij gjithë atë që i duhet për ta fituar luftën për titull në kampionatin më prestigjioz automobilistik, Formula 1.
“Të luftosh për titullin e parë është vërtet një gjë stresuese. Shpeshherë, kjo nuk është gjëja më e mirë. Unë nuk e kam presionin e të qenit kampion i botës për herë të parë. Unë garoj në mënyrë më të relaksuar. E di se çfarë duhet të bëj”, theksoi spanjolli.
Stërvitjet e lira në Singapor i fitoi skuadra Red Bull, një gjë kjo jo dhe aq pozitive për Alonson, që u shpreh: “Ne e dimë se Red Bull është skuadra favorite. Ata kanë pasur makinën më të mirë, gjatë gjithë sezonit. Ne e dimë se do të jetë e vështirë. Ne respektojmë rivalët tanë, por në të njëjtën kohë jemi të sigurtë se do të kemi mundësitë tona”, përfundoi Alonso.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ka dhënë një deklaratë sensacionale, ku ka premtuar se do t’i nxjerrë Giallorosët nga kriza e thellë pikërisht në sfidën kryesore të javës së pestë në Serie A, ndaj Interit.
“Unë mund të them se e kam të njëjtën Romë e cila ka luajtur aq mirë viteve të fundit. Është moment i vështirë për ne, ndërsa Interi po bën mirë. Është më e vështirë tani, sepse kemi shfaqur paraqitje të mirë ndaj Brescias. Ne e dimë se është e vështirë dhe e dimë se vështirësitë nuk do të zhduken vetvetiu”.
“Ne nuk jemi në depresion. Ne jemi vetëm të zhgënjyer. Kur ndodhin këto gjëra, ju ndjeheni të viktimizuar. Sidoqoftë, mua më duhet të fokusohem për sfidën e nesërme, pa shkuar në të kaluarën. Interi është duke ecur, përderisa ne jemi në ndërtim e sipër. Ne përballemi me një ekip të madh”.
“Ne shënojmë pak? Nuk është kjo punë e vetëm një reparti. Është për një ekip të tërë. Herët apo vonë të gjithë do të përshtaten. Gjyqtarët? Unë shpresoj se do shohim futboll të pastërt. Ne mund të dalim nga kjo krizë, vetëm nëse luajmë futboll”, deklaroi Ranieri.
Njeriu më kontravers në futbollin italian, Luciano Moggi, ka thënë se Juventusi nuk e ka cilësinë e duhur për të luftuar për Scudetto.
“Mendova se Juventusi i ka lënë prapa problemet në Udine, por fatkeqësisht Palermo na tregoi se kjo nuk ndodhi”.
“Unë e njoh zhveshtoren e Juventusit dhe kam parë limite. Unë nuk do të ndalem së thëni, se ekziston një mungesë brengosëse e cilësisë dhe kjo nuk është pozitive për lojtarët. Kur luajnë ndaj ekipeve të dobëta, ata shfaqen, por vuajnë ndaj të mëdhenjve”, shkroi Moggi në kolumnën e tij në Tuttomercatoweb.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka folur për udhëtimin e skuadrës së tij në Baski, ku pritet të takohet me Atletico Bilbaon, një sfidë të cilën strategu katalanas e konsideron si të vështirë.
“Unë pres një ndeshje të zjarrtë. Ata luajnë futboll të drejtpërdrejtë dhe në atë aspekt ata janë superiorë, ndërsa ne duam të jemi më të fortë se kundërshtarët e tyre të mëparshëm”.
“Nëse dominojmë lojën me pasime, atëherë ne mund t’i mposhtim. Ne jemi në disponim të mirë. Unë nuk jam i pakënaqur me mënyrën se si po luajmë për momentin. Ky kamnpionat do të jetë i barabartë dhe të gjithë mund të mposhtin të gjithë, ndërsa çdo ndeshje është e vështirë”, sqaroi Guardiola.
Sulmuesi i Palermos, Javier Pastore, është bërë atraksion i klubeve më të mëdha evropiane, por presidenti i klubit sicilian, Maurizio Zamparini, nuk e ka ndërmend të lëshojë pe sa i përket shërbimeve të tij.
“Ai është Zidane i ri. Ai është shumë i fortë dhe i kompletuar. Brenda dy viteve ai do të jetë po aq i vlefshëm sa Messi”.
“Ai nuk do të largohet nga Palermo, as në janar e as në qershor. Real Madridi e ka kërkuar atë, por unë tashmë kam refuzuar. Unë e konsideroj atë të pashitshëm”, deklaroi Zamparini.
Trajneri i Interit, Rafa Benitez, është duke tentuar që ta nxjerrë veten nga polemikat e referimit në futbollin italian, pasi që pret që në ndeshjen Roma-Inter të tregohet fytyra e vërtetë e referimit në Serie A.
“Mendoj se kjo ndeshje është e duhura për të treguar se në çfarë niveli janë referët. Unë gjithmonë kam pasur besim në gjyqtarët italian. Ata kanë treguar se janë të mirë. Ne duam të luajmë futboll dhe të përqëndrohemi në këtë”.
“Ranieri? Ai ka përvojë dhe është i mirë. Unë i dëshiroj atij çdo të mirë në kampionat, por vetëm pas ndeshjes ndaj Interit. Roma është ekip cilësor me lojtarë të mëdhenj. Ne e kemi parë këtë në superkupë. Do të jetë e vështirë për ne”, ka thënë Benitez.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka kritikuar ashpër trajnerin e Sporting Gijonit, Manuel Preciado, pas vendimit për të bërë tetë ndryshime për sfidën e të mërkurës ndaj Barcelonës, të cilën Sportingu e humbi minimalisht.
“Sportingu ka luajtur një ndeshje me shumë rezervistë. Do të jetë e vështirë që ta fitojmë titullin. Ne do të duhet të gëlltisim shumë pikë, dhuarata për Barcelonën”.
“Unë mund të flas sy më sy me njerëzit dhe t’u jap atyre kritika konstruktive. Lojtarët janë të lumtur. Çfarë na pëlqen më së paku është përqëndrimi që na duhet kur luajmë në shtëpi. Është një gjë, që shumë lojtarëve nuk u pëlqen”, u shpreh Mourinho
Trajneri i Milanit, Massimilano Allegri, është i gatshëm që t’u kthehet fitoreve në sfidën ndaj Genoas, për t’u treguar të gjithëve se kush janë Rossonerët dhe se ata nuk do të luftojnë për mbijetesë, por për titullin e kampionit në Apenine.
“Më pëlqeu ekipi që luajti ndaj Lazios. Ata ishin kompaktë dhe konkretë. Ne krijuam raste për gol, por duhet të përmirësohemi edhe më shumë. Unë mund të ndryshoj diçka për të shtunën, por më duhet të vendosi. Unë do të jap vlerësimet për situatën pas stërvitjeve”.
“Robinho? Ai ende nuk ka luajtur një ndeshje të tërë nga fillimi, por kjo nuk do të thotë se ai nuk do të jetë titullar. Ai po stërvitet dhe është në formë të mirë. Për çdo rast, them se jemi në rrugë të mirë dhe se po luftojmë për ta fituar titullin”, u shpreh Allegri.
Humbja prej 3-1 ndaj Palermos e Juventusit, e ka lënë presidentin e klubit Bianconer, Andrea Agnelli, të zhgënjyer dhe të lënduar, por ai vazhdon të shpresojë se do të shohë dritë në fund të tunelit.
“Juventusi po kalon nëpër një periudhë të vështirë. Ekipi duhet të punojë. Por, kjo është ajo që kam pritur. Na është nevojitur kohë që ky projekt të funksionojë. Por, kjo është ajo që kam pritur”.
“Sidoqoftë, cilësia nuk vihet në dyshim. Ekipi ynë mund të mposhtë çdo ekip në botën e futbollit”, deklaroi Agnelli.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, e ka emëruar skuadrën që pritet të luajë në sfidën kryesore të javës së gjashtë ndaj Manchester Cityt në Eastlands.

Blutë i shkojnë Cityt me një seri prej pesë fitoreve radhazi në Ligën Premier, por do të përballen me testin e parë serioz këtë sezon, kur të ndeshin brinjtë me titanët e Roberto Mancinit.


Ashtu siç është pritur, Ancelotti ka bërë ndryshime drastike në lojën e tij, pas disfatës turpëruese nga Newcastle në Carling Cup, duke lënë vetëm tri lojtarë të asaj ndeshjeje në skuadër. Pos John Terryt, Nicolas Anelkas dhe Rramiresit, të gjithë të tjerët e humbën vendin e tyre dhe kjo do të thotë se Drogba do të luajë, ashtu si Michael Essien.


Frank Lampard nuk është riaftësuar pas operacionit në hernia dhe mund të mungojë në dy ndeshjet e ardhshme.


Ekipi i Chelseat ndaj Manchester Cityt: Cech, Ivanovic, Alex, Terry, Cole, Essien, Mikel, Ramires, Anelka, Drogba, Malouda.

Gjigantët gjerman të Bayernit të Munichut, janë të gatshëm që të bëjnë një ofertë luksoze për portierin e Liverpoolit, Pepe Reina, me t’u hapur afati kalimtar dimëror, njofton Daily Mail.
Bayerni është që një kohë të gjatë në treg për një portier dhe skuadra gjermane është duke e menduar një ofertë prej 17 milionë funtesh për portierin spanjoll, të cilit i është bezdisur Anglia.
Që nga koha kur u transferua te Liverpooli, portieri 28 vjeçar ka pasur 266 paraqitje. Më herët gjatë javës, është spekuluar se edhe Reina edhe Torres do të largohen në janar nga Anfield, pasi menaxhmenti i Liverpoolit është duke bërë shaka sa i përket gjetjes së pronarit të ri.
Didier Drogba thotë se ai dhe bashkë-lojtari i tij te Chelsea, Nicolas Anelka, janë një kombinim i përkryer sulmues.
Drogba thotë se ai dhe partneri i tij Nicolas Anelka janë aq të mirë në krijimin e golave, sa edhe në shënimin e tyre, derisa Blutë përgatiten të udhëtojnë te Manchester City.
“Ka lojtarë në ekipin tonë të cilët mund të shënojnë gola, por të njëjtët lojtarë janë të aftë edhe të asistojnë. Kjo ndihmon, nëse unë mund të dal jashtë kuadratit në të djathtë ose në të majtë, për të krijuar ca hapësirë dhe e di se Nico dhe Florent Malouda do të lëvizin në atë situatë. Ata të dy tregojnë kuptim dhe dëshirë për të shënuar gola, dhe kjo i bën gjërat vërtetë interesante”, ka thënë Anelka.
Samuel Eto’o thotë se ai ka biseduar me presidentin e Interit, Massimo Moratti për angazhim të tre shtyllave të Barcelonës, Lionel Messi, Andres Iniesta dhe Xavi.
“Messi është një futbollist i shkëlqyeshëm dhe një personalitet shumë i mirë. Kam respekt të madh për të siç i respektoj edhe Iniesta, Xavi dhe Valdes”.
“Para takimit me Barcelonën vitin e kaluar, bisedova me Presidentin dhe i thash Morattit se nëse dëshiron të sjellë futbollistë te Inter, kampionët si ata do të ishin simbol për klubin, si njerëz dhe futbollistë”, ka thënë Eto’o.
Sir Alex Ferguson thotë se Real Madridi është sfida më e vështirë për Jose Mourinhon.
Mourinho, i cili shpesh përmendet si pasues i Sir Alex Ferguson te Manchester United, verën e kaluar vendosi të largohet nga Interi me të cilin fitoi tre trofe brenda një sezoni, për të kaluar në Santiago Bernabeu. Por Ferguson mendon se portugezi do ta ketë vështirë te klubi spanjoll.
“Puna në Real Madrid është sfida më e vështirë në karrierën e tij, pa dyshim. Kam biseduar me Jose disa herë. Ai nuk menaxhon një klub normal, ai ndonjëherë menaxhon një cirk”.
“Ndonjëherë ata janë një ekip fantastik në aspekt të kualitetit të futbollit që mund ta tregojnë. Por ai është një klub i vështirë për ta drejtuar”, ka thënë Ferguson.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, thotë se top katërshi është më e mira që mund të arrijë Liverpooli këtë sezon.
Liverpooli ka filluar dobët sezonin, duke qëndruar në pozitën e 16-të me vetëm pesë pikë të mbledhura nga po aq ndeshje, ndërsa së fundi pësoi goditje pasi u eliminua nga Kupa Carling nga ekipi i tre ligave më poshtë, Northampton.
“Cak real është të përpiqemi të kapim vendin e katërt. Fitimi i titullit, sigurisht, është një mundësi pasi ka shanse që kjo të ndodhë. Por realisht, fokusi jonë është të përfundojmë në top katërsh”.
“Nëse përfundojmë të parët, të dytët ose të tretët, do të jetë fantastike, shkëlqyeshëm, dhe sigurisht nuk do të heqim dorë në këtë, do të luftojmë deri në fund. Por në fillim të sezonit keni qëllime dhe aspekte reale, pasi përfunduam në pozitën e shtatë sezonin e kaluar, caku jonë gjithmonë ka qenë të rikthehemi në top katërsh”, ka thënë Gerrard.
Javier Pastore ishte ylli i mbrëmjes së kaluar kur Palermo tronditi Juventsin duke e mposhtur me rezultat 3-1 në Torino.
Argjentinasi, i cili njihet edhe si ‘Flaco’, shënoi një gol, goditi shtyllën një herë dhe shkëlqeu në fitoren e mbrëmshme.
“Jam i lumtur për fitoren. Ne kemi nxjerrë një rezultat të shkëlqyeshëm dhe kjo ishte një gjë e rëndësishme. Po luaj mirë, ekipi po bën gjëra të mira dhe ne duhet të vazhdojmë për të nxjerrë rezultate pozitive”, ka thënë Pastore për Sky Italia.
Mesut Ozil - Real Madrid Mesut Ozil nuk ka dyshime se ai do të arrijë të pasurojë potencialin e tij nën drejtimin e trajnerit të Real Madridit, Jose Mourinho.
Ozil ka treguar një formë impresive në këtë fillim sezoni për Real Madridin, ku u transferua gjatë verës nga Werder Bremen. Por mesfushori i kombëtares gjermane shpresoj forma e tij të përmirësohet edhe më tej.
“Mourinho gjithmonë ka qenë i suksesshëm dhe ka nxjerrë më të mirën nga çdo lojtar. Sipas mendimit tim, ai është trajneri më i mirë në botë”, ka thënë Ozil.
Trajneri i Juventusit, Gigi del Neri, pas humbjes ndaj Palermos mbrëmjen e kaluar thotë se ata ende i bëjnë të njëjtat gabime.
Biankonerët edhe pse fituan bindshëm me rezultat 4-0 ndaj Udineses gjatë vikendit të kaluar, u turpëruan në takimin e mbrëmshëm ndaj Palermos duke pësuar me rezultat 3-1.
“Ka qenë një paraqitje shumë e vështirë dhe energjike, por ne bëmë të njëjtat gabime dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Ne krijuam disa shanse të mira shënimi dhe përpjekja nuk mungoi, por ne bëmë të njëjtat gabime në mbrojtje”.
“Palermo luajti mirë dhe ata dhanë më të mirën në çdo situatë të cilën ata e kanë krijuar. Ne kemi vuajtur kur ata kaluan në epërsi, por më shumë si grup në mbrojtje se si individë. Ekipi duhet të punojë shumë, të përmirësohet dhe të përpiqet të mos hutohet përsëri”, ka thënë Del Neri.
Marek Hamsik ka nënshkruar kontratë të re me Napolin e cila do ta mbajë atë te ky klub deri në vitin 2015.
Mesfushori sllovak tashmë një kohë të gjatë ishte pajtuar të vazhdojë qëndrimin në klub, pasi i kishte dhënë fjalën presidentit Aurelio De Laurentiis, ndërsa kjo tash edhe është zyrtarizuar.
“Jam shumë i lumtur me rinovimin. Gjithmonë kam thënë se jam i lumtur në Napoli. Është një qytet të cilin e dua dhe ndjej se është i imi. Është një ndjenjë e veçantë me klubin. Është një projekt i rëndësishëm dhe të gjithë ne dëshirojmë të realizojmë objektiva të mëdha”, ka thënë Hamsik.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, thotë se forma e tyre do të përmirësohet në javët në vazhdim.
Madridi ka marrë 10 pikë nga katër ndeshjet e para në ligë dhe është ngjitur në maje ë tabelës së kampionatit spanjoll këtë javë, pasi mposhti Espanyol me rezultat 3-0 për të shënuar fitoren e tretë radhazi.
Megjithatë, derisa rezultatet kanë shkruar në favor të madrilenëve, paraqitja e tyre nuk ka qenë aq mirë e pritur nga tifozët.
“Ne po mbledhim pikë dhe po tregojmë se jemi një ekip i qëndrueshëm, që në këtë nivel të sezonit është gjëja më e rëndësishme. Ne duam të vazhdojmë të përmirësohemi dhe t’i japim një imazh më të mirë vetes para fansave, dhe për këtë punojmë fuqishëm çdo ditë. Ne po bëhemi më të mirë”, ka thënë Sergio Ramos.
Manchester United dhe Chelsea janë alarmuar pasi kanë dëgjuar lajmin se bisedat për kontratën e re të Wesley Sneijder me Interin janë ndërprerë.
Diskutimet e holandezit me klubin italian raportohet se kanë dështuar pasi Interi nuk ka mundur të plotësojë nevojat financiare të Sneijder.
Është besuar se Nerazzurrët dëshironin ta vazhdonin kontratën e Sneijder deri në vitin 2016, por zëdhënësi i lojtarit, Soren Lerby, konfirmoi se gjërat nuk po shkojnë si duhet për momentin.
Kjo gjë ka bërë që dy gjigantët anglez të mendojnë për transferim të holandezit, që sezonin kaluar ndihmoi Interin të fitojë tre tituj, Kupën e Italisë, Skudeton dhe Ligën e Kampionëve, ndërsa po ashtu ndihmoi kombëtaren e Holandës të arrijë deri në finale të Kupës Botërore.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, raportohet se është i gatshëm të largohet nga klubi anglez.
Daily Star shkruan se spanjolli është zhgënjyer se si klubi është duke performuar nën drejtimin e menaxherit të ri Roy Hodgson dhe dëshiron të largohet.
Manchester City tashmë është lidhur me një transferim 50 milionë funtesh të 26-vjeçarit, i cili beson se hierarkia e klubit nuk i ka mbajtur premtimet për të sjellë lojtarë kualitativ, në tentim për të sfiduar Chelsean, Manchester United dhe Arsenalin në garën për titull.
Torres ishte afër të largohet nga Anfield gjatë kësaj vere pasi menaxheri Rafael Benitez u largua drejt Interit, por vendosi të qëndrojë kur menaxheri i ri Roy Hodgson nënshkroi me Joe Cole dhe premtoi edhe nënshkrime të reja.
Ish-sulmuesi i Atletico Madrid tash është duke e menduar të ardhmen e tij, me edhe afatin kalimtar dimëror të hapur si opsion për largim.