Cristiano Ronaldo Pas fitores bindëse ndaj Espanyolit në mesjavë, Reali i Madridit nuk ka mundur të nxjerrë më shumë se një barazim pa gola në fushë të Levante, duke humbur kështu edhe kreun e tabeles.
Të zgjedhurit e trajnerit ishin më dominues si në posedim ashtu edhe në raste të krijuara, por mbrojtja vendase e Levante funksionoi shumë mirë për të parandaluar pranimin e ndonjë goli.
Më i vërejtur te madrilenët pa dyshim se ishte Ronaldo, i cili pati disa raste të mira shënimi, veçanërisht në pjesën e parë të takimit, por asnjëra nuk përfundoi në vendin e duhur.
Barazimi i sotëm do të thotë se Reali humb kreun ndaj Valencias, që sot më herët shënoi fitore me rezultat 2-0 në fushë të Sporting Gijon me golat e Mehmet Topal dhe Roberto Soldado. Valencia tash mbledh 13 pikë, dy më shumë se Real Madridi.
Nëse Barcelona shënon fitore sonte në fushë të Atletic Bilbao, atëherë do të ngjitet në pozitën e dytë të tabelës, me një pikë më shumë se Reali.
Zlatan Ibrahimovic duke festuar golin Zlatan Ibrahimovic ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes për t’i dhënë fitoren 1-0 Milanit në derbin përballë Genoas të zhvilluar në San Siro.
Pavarësisht disa rasteve të krijuara përmes Ronaldinho, Robinho e Boateng në pjesën e parë të ndeshjes, goli i parë për Rossonerët erdhi vetëm në pjesë të dytë. Katër minuta pas pauzës, pas një harkimi të Pirlo, Ibrahimovic reagoi me këmbën e gjatë të tij për të shënuar golin e avantazhit (49’).
Ndryshe nga Genoa që pati raste më të rralla, vendasit krijuan raste të shumta edhe gjatë pjesës së dytë të ndeshjes, por asnjëri prej tyre nuk arriti të konkretizohet.
Fitorja është e dyta në pesë ndeshje në Serie A për Milanin, dhe e para që nga java a parë. Rosonerrët tash mbledhin tetë pikë në pozitën e katërt, e cila megjithatë rrezikohet nga Cesena, Lazio dhe Chievo, që kanë nga shtatë pikë dhe nesër luajnë ndeshjet e radhës.
Sonte më vonë zhvillohet edhe derbi i javës në Serie A, ai mes Romës dhe Interit në Olimpico.
Piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, do të startojë nga pole pozicioni në garën për Çmimin e Madh të Singaporit, pas një paraqitjeje fantastike në kualifikime.
Se gara e nesërme në Singapor do të jetë fenomenale, këtë na garantojnë rezultatet tjera të kualifikimeve. Sebastian Vettel i Red Bull starton nga linja e parë në pozitën e dytë, kurse i treti në kualifikime u rendit Lewis Hamilton.
Lideri aktual në renditjen e ngasësve në Formula 1, Mark Webber i Red Bull, arriti që të siguronte vetëm pozitën e pestë startuese.
Meteorologët kanë paralajmëruar reshje shiu në garën për Çmimin e Madh të Singaporit, që zhvillohet të dielën pasdite.
Frederic Piquionne duke festuar golin e fitores për West Hamin West Ham United ka shënuar fitoren e parë të sezonit duke mposhtur njërin prej favoritëve për katërshen më të mirë, Tottenhamin.
Pasi u eliminua nga Kupa Carling nga Arsenali në mesjavë, të zgjedhurit e trajnerit Harry Redknapp edhe një herë dështuan të shënojnë fitore, kësaj here në Upton Park.
Frederic Piquionne çoi në avantazh ekipin vendas pas më pak se gjysmë ore lojë, gol që ishte i mjaftueshëm për t’i siguruar tre pikë West Hamit.
Edhe Liverpooli ka dështuar të nxjerrë më shumë se një pikë në takimin si nikoqir i Sunderlandit. Redsat kaluan në avantazh që në fillim të ndeshjes me anë të Dirk Kuyt (4’), por mysafirët barazuan që në pjesë të parë falë një penaltie të shndërruar në gol nga Darren Bent (25’).
Me të filluar pjesa e dytë Bent shënoi golin e dytë dhe të avantazhit për Sunderlandin (48’), por pas pak më shumë se një ore lojë, kapiteni Steven Gerrard shënoi për të barazuar dhe vulosur rezultatin (64’).
Sot ishte dita e dështimeve për favoritët, pasi më keq se Liverpooli pësuan edhe Chelsea dhe Arsenali, të cilët u mposhtën nga Manchester City, respektivisht West Bromwich Albion.
Gonzalo Jara dhe Peter Odemwingie festojnë pas golit të dytë të mysafirëve Arsenali ka zhgënjyer fansat në Emirates Stadium duke pësuar me rezultat 3-2 nga West Bomwich Albion.
Topçinjtë patën disa raste në pjesë të parë, me Andrei Arshavin që goditi dy herë radhazi shtyllën gjatë një tentimi, por megjithatë ata nuk arritën të gjejnë portën e mysafirëve mirë të organizuar në mbrojtje.
Mysafirët në anën tjetër po ashtu patën rastin e artë të kalojnë në epërsi në pjesë të parë, kur portieri i Arsenalit, Manuel Almunia, fauloi në zonën e rreptësisë sulmuesin kundërshtar Peter Odemwingie, por Chris Brunt nuk ishte i saktë nga pika e bardhë.
Me pesë minuta lojë në pjesë të dytë, Odemwingie çoi në avantazh ekipin mysafir falë një pune të mirë nga Jerome Thomas. Me plot energji pas golit të parë, vendasit shënuan edhe një gol tjetër të shpejtë. Pas një pasimi të shkëlqyeshëm të Brunt, Gonzalo Jara çon topin në rrjetën e Almunias.
Edhe pse kishin iniciativën, të zgjedhurit e Arsene Wenger nuk arrinin të çanin mbrojtjen mysafire, dhe ishin pikërisht këta të fundit që befasuan edhe njëherë duke trefishuar rezultatin. Ishte Thomas ai që pas një asistimi të Brunt fundosi çdo shpresë të vendasve për të fituar takimin (73’). Wenger duket i shqetësuar në një moment gjatë ndeshjes
Vendasit filluan të këndellen në pjesën e fundit të takimit. Me 15 minuta të mbetura Samir Nasri shënoi golin e parë për Arsenalin, ndërsa në minutat shtesë shënoi edhe një gol tjetër, por vetëm sa për të ngushtuar në 3-2 disavantazhin dhe për të ruajtur ca fytyrën e ekipit të tij.
Cesc Fabregas ka shikuar nga anash këtë disfatë të ekipit të tij, pasi spanjolli qëndron jashtë fushe për shkak të një dëmtimi.
Me këtë disfatë, Arsenali humbi rastin t’i afrohet në një pikë liderit të tabelës, Chelseat, që po ashtu u mposht më herët nga Manchester City. Kjo i shkon për shtati Manchester United, që nesër udhëton te Bolton dhe të ngushtojë diferencën e katër pikëve ndaj Chelseat.
Autori i golit të parë, Sami Allagui Mainz ka treguar se jo rastësisht është lider i tabelës së Bundesligës, pasi mposhti në shtëpi të vet kampionin në fuqi, Bayern Munich.
Mysafirët kaluan në epërsi pas 15 minutash lojë, me anë të Sami Allagui, avantazh të cilin e ruajtën deri në çastet e fundit të pjesës së parë, kur vendasit neutralizuan rezultatin me anë të një autogoli të Bo Svensson.
Me 13 minuta të mbetura deri në fund të ndeshjes, Adam Szalai riktheu epërsinë për Mainzin, gol që doli të ishte edhe ai i fitores dhe forcimit të kreut për këtë ekip.
Me gjashtë fitore nga gjashtë ndeshje, Mainz tash mbledh pikë të plota, 18 pikë, për të forcuar kreun e tabelës së Bundesligës. Bayerni do të mbajë pozitën e tetë me dhjetë pikë më pak, vetëm tetë nga gjashtë ndeshje.
Kapiteni i Cityt, Carlos Tevez, duke reaguar pas golit te shenuar Carlos Tevez ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes për të ndihmuar Manchester Cityn të mposhtë kampionin në fuqi dhe liderin e tabelës së Ligës Premier, Chelsean.
Pasi u eliminua nga Kupa Carling nga Newcastle United, Chelsea ka pësuar edhe disfatën e dytë të javës, duke u mposhtur kësaj here nga Manchester City në kuadër të javës së gjashtë të Ligës Premier.
Pjesa e parë u dallua vetëm për një goditje me kokë të Branislav Ivanovic që goditi shtyllën, por një veprim magjik i kapitenit të Cityt në pjesën e dytë ishte i mjaftueshëm për të ruajtur tre pikë në stadiumin City of Manchester.
Pas gati një ore lojë, argjentinasi iku me vrap në pjesën e Chelseat duke shmangur mbrojtjen e mysafirëve dhe duke mposhtur portierin Petr Cech (59’). Goli i Tevez ishte i pesti i tij në katër ndeshjet e fundit kundër Chelseat në Ligën Premier, ndërsa vetëm i dyti që Petr Cech pranon këtë sezon.
Si rezultat i fitores, City i është afruar në katër pikë Chelseat, që mbetet në maje pavarësisht se pësoi humbjen e parë të sezonit. Arsenali dhe Manchester City mund t’i afrohen në një pikë kampionit nëse shënojnë fitore.
Thomas Muller thotë se, pas një fillimi të ngadalshëm të sezonit, Bayern Munich ka nevojë të mposhtë Mainzin në takimin e sotëm.
Bayern Munich ka pasur një fillim jo të këndshëm të sezonit në Bundesliga dhe mbledh tetë pikë nga pesë ndeshje, me dy fitore, dy barazime dhe një humbje. Si rezultat, ata duhet të fitojnë tre pikë në takimin e sotëm ndaj liderit të tabelës, Mainz, që ka pesë fitore në pesë ndeshjet e para të sezonit.
“Ne jemi ende ca nën presion, për shkak se nuk i kemi pikët që kemi dashur. Andaj sigurisht se do të kërkojmë vetëm fitore. Mainz ka një formë më t emirë, por ne kemi një ekip më të mirë”, ka thënë Muller.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho thotë se ai mund të rikthehet te Interi në të ardhmen.
Mourinho u largua nga klubi italian në mënyrë miqësore dhe i pëlqen ideja për t’u kthyer dhe për ta drejtuar klubin drejt sukseseve në të ardhmen. Më herët gjatë javës, presidenti i Interit, Massimo Moratti, tha se Mourinho ka menduar me kokë jo me zemër kur është larguar.
“Fjalët e Morattit janë fjalë të një miku i cili më do, por e di çfarë unë dua. Për mua ishte një zgjidhje e jetës, Interi më dha gjithçka. Një rikthim te Inter? Nuk do ta përjashtoja. Por gjithmonë ua dua më të mirën të gjithëve”, ka thënë Mourinho për mediat spanjolle.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se mesfushori Paul Scholes është më i miri me të cilin kam punuar.
Ferguson madje ka shkuar aq larg sa e ka vlerësuar Scholes mbi legjendën e United, Bryan Robson.
“Bryan Robson ka qenë një lojtar i pabesueshëm. Fatkeqësisht kur erdhi në klub ai ishte 31. Do të doja të kishte qenë 21-vjeçar. Roy Keane ka qenë një lloj tjetër lideri. Ai ishte shembull, derisa Robson menaxhonte ekipin në fushë”.
“Por nuk mund ta mposhtni Scholes si futbollist. Ai është një lojtar i pabesueshëm dhe gjithmonë do të shihet si një prej më të mirëve të të gjitha kohëve. Neve nuk na mungon lidershipi në ndeshjen e përgjithshme. Paul Scholes vrapon në mesfushë çdo ndeshje. Liverpoli u mundua ta mbulojë atë javën e kaluar – e pamundshme”, ka thënë Ferguson.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai nuk ka frikë të harxhojë para gjatë afateve kalimtare, por megjithatë mundohet t’i shmangë sa më shumë harxhimet.
Dje Topçinjtë publikuan raportin financiar të vitit deri më 31 maj, ku klubi regjistroi përfitime rekorde. Për më tepër edhe borxhi i klubit është zvogëluar dukshëm në krahasim me vitin e kaluar.
Wenger shpesh kritikohet për shkak se nuk ka investuar shumë lojtarë të rinj në ekip, megjithatë strategu francez e mbron mënyrën e tij të veprimit në treg, duke thënë se ai mundohet t’i harxhojë paratë sa më mençur që mundet.
“Kam një reputacion të gabueshëm. Nuk kam frikë të harxhoj para. Por puna e menaxherit nuk është të harxhojë sa më shumë që mundet, por të angazhojë edhe ndonjë si shembull i Marouanne Chamackh, i cili erdhi si agjent i lirë”.
“Por në vend se të merrni merita për këtë, njerëzit ju akuzojnë se pse e keni blerë lojtarin pa dhënë para. Njerëzit thonë, ‘pse nuk keni harxhuar 20 milionë funte për të?’. Nëse do ta kisha blerë para dy vitesh për 20 milionë funte, gjithçka do të ishte OK. Por kur e angazhoni si agjent të lirë, bëhet fjalë për, ‘ohh, ai përsëri nuk harxhoi para’”, ka thënë Wenger.
Massimiliano Allegri beson se Milani së shpejti do të tregojë se nuk është një ekip i moshuar dhe as i ngathët, por një ekip i shkëlqyeshëm me ambicie të kampionit.
Milani kishte një fillim të mirë të sezonit të ri pasi shënoi fitore të thellë prej 4-0 ndaj Lecce në javën e parë të Serie A. Por në katër ndeshjet e fundit, Rossonerët kanë pësuar një humbje dhe dy barazime, edhe pse në ekip sollën dy yje, Zlatan Ibrahimovic dhe Robinho.
“Është e vërtetë se jemi pesë pikë prapa Interit, por në të njëjtën kohë jemi një ekip në ndërtim. Për më tepër, me mungesën e Pato dhe Ambrosini, unë kam pas pasur vetëm disa raste stërvitje me të gjithë ekipin”.
“A është Milani i plakur dhe i ngathët? Kemi për detyrë ta hedhim poshtë këtë, ekipi është krenar dhe lojtarët e dinë këtë. Kemi treguar se nuk jemi të plakur dhe të ngathët, kemi djelmosha të mençur dhe kampionë të vërtetë. Nëse bëjmë përpjekje më të mëdha, së bashku do të mund ta hedhim poshtë një etiketim të tillë dhe t’i gjejmë fitoret të cilat do të na sjellin trofe të mëdha”, ka thënë Allegri.
Raul Schalke Sulmuesi veteran, Raul, po përballet me vështirësi gjatë karrierës së tij të hershme te Schalke, por ai nuk beson se transferimi në Gjermani ka qenë një gabim.
Pasi ka dështuar në javët e para të sezonit, Raul ka mohuar spekulimet se ai është penduar që është larguar nga Real Madridi kësaj vere për të kaluar te Schalke.
“Vendimi im për të ndjekur karrierën te Schalke nuk është kurrfarë gabimi. Ne kemi një ekip të shkëlqyeshëm. Sigurisht, fillimi ka qenë i vështirë, por sezoni zgjat 10 muaj”, ka thënë ish-kapiteni i Realit.
Schalke ka nxjerrë vetëm tre pikë nga pesë ndeshjet e para të sezonit të ri në Bundesliga.
Me menaxherin e Lyonit, Claude Puel, që duket se është afër largimit nga detyra, ish-mesfushori i gjigantit francez, Juninho, ka thënë ai dëshiron të jetë trajner në të ardhmen te ish-klubi i tij.
Një fillim i tmerrshëm i sezonit në Ligue 1 e ka lënë Lyonin në zonën e rrezikut, dhe tashmë janë përmendur emra si Marcello Lippi dhe Paul Le Guen për të marrë detyrën trajnerit nga Puel. Juninho, një favorit i fansave të klubit gjatë shtatë viteve sa qëndroi te Lyoni, sigurisht se do të ketë mbështetjen e përkrahësve të tij në rast se konkurron për një pozitë në klub.
“Dua të udhëheq Olimpique Lyonin. Dua të jem trajner i Lyonit një ditë, kjo është e sigurt. Por vetëm nëse jam i aftë për këtë. Por nëse përgatitem, mendoj se jam në gjendje”, ka thënë Juninho për mediat franceze.
Juninho aktualisht është duke luajtur për ekipin e Katarit, Al-Gharafa.
Chelsea do t’u japë fund shpresave të Manchester Cityt, thotë se portieri Petr Cech.
Me vetëm pesë ndeshje të Ligës Premier të zhvilluara këtë sezon, portieri i Bluve ndjen se ndeshja e sotme do të jetë një goditje e radhës për ambiciet e mëdha të Cityt.
“Nëse do të mund ta fitojmë këtë ndeshje kundër Cityt, ne do të jemi 10 pikë përpara tyre dhe kjo është një avantazh i madh në çdo stad të sezonit. Ne do ta shohim këtë si një ndihmë të madhe për të lënë njërin prej rivalëve tonë prapa për pjesën e mbetur të sezonit”, ka thënë Cech.
Jose Mourinho dhe Cristiano Ronaldo Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka mbrojtur Cristiano Ronaldon rreth thënieve se ai është egoist.
Ronaldo u etiketua si vetjak më herët gjatë javës nga prezantuesja televizive Sara Carbonero, e cila është po ashtu e dashura e portierit të Madridit, Iker Casillas.
“Një sulmues duhet të jetë vetjak. Është një egoizëm pozitiv dhe është një karakteristikë e madhe e sulmuesve që shënojnë shumë gola”.
“Kundër Espanyol, edhe kur ne fitonim 3-0, Cristiano vinte prapa për të mbrojtur hedhjet nga këndi, që tregon se ai është një lojtar ekipor dhe jo vetjak”, ka thënë Mourinho.
Mesfushori holandez Clarence Seedorf thotë se Zlatan Ibrahimovic do t’i dëshmojë vlerat e tij te Milani.
“Fansat bëjnë mirë të ëndërrojnë dhe ne do të përpiqemi t’i bëjmë ata të ëndërrojnë përsëri, por ne duhet të jemi realist. Ne po ndërtojmë një shtëpi: do të na duhet kohë ta shohim Milanin ashtu siç dëshirojmë. I kërkoj çdokujt të ketë pak durim”.
“Ibrahimovic është një djalosh i mirë, ai është bujar dhe kujdeset për ekipin. E kam njohur atë kur ai ishte te Juventus. E kam ndjekur atë që kur ai arriti në Itali nga Ajaxi, pasi më pëlqeu shumë. Transferimi te Milani ishte ëndërr e tij, por shumë gjëra ndodhin në Milan”.
“Milani mund t’ia dalë mirë në Ligën e Kampionëve dhe në Serie A, por testi i vërtetë është Serie A. Gjëra të caktuara vijnë vetvetiu në Ligën e Kampionëve, pasi ka ekipe që ju japim më shumë hapësirë. Është një garë ku vlerësoni veten dhe gjeni vazhdimësinë lojë pas loje”, ka thënë Seedorf.
Kapiteni i Manchester Cityt, Carlos Tevez, thotë se ai vitin e kaluar kishte qenë afër të nënshkruajë me Chelsean.
Por, argjentinasi thotë se nuk pendohet që e ka zgjedhur Manchester Cityn dhe shpreson se klubi i tij është i aftë të sfidojë Chelsean për titull.
“Ne mund ta sfidojmë Chelsean për titull. Ne mund të luajmë në nivelin e tyre, mu për shkak të asaj çfarë ndodhi sezonin e kaluar. Ne i mposhtëm ata dy herë”
“Kur Manchester United nuk më dëshironte, bisedova me Ancelottin, por nuk kishte kurrë një ofertë konkrete. Unë flas vetëm për oferta të vërteta, të shkruara, dhe kjo ishte një rast te City”, ka thënë 26-vjeçari.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, e di se klubi super i pasur Manchester City ëshë duke synuar disa prej super-lojtarëve të tij.
Ish-menaxheri i Cityt, Mark Hughes, ishte gati të çajë bankën për të nënshkruar me Terryn vitin e kaluar, ndërsa këtë vit u përfol për të kalim të Didier Drogba në Manchester.
“Terry i ka rrënjët e tij këtu te Chelsea. Nuk mund të them se është e pamundshme për Cityn t’i marrë lojtarët tanë, por do të jetë shumë vështirë për ta, pasi mendoj se të gjithë janë të lumtur të qëndrojnë këtu”, ka thënë Ancelotti.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka mohuar spekulimet se ai po ka probleme me trajnerin Jose Mourinho, ndërsa është i bindur se mund të fitojë një vend startues në formacionin e ekipit.
“Ne po flasim shumë së bashku. Vërtet, nuk kam ndonjë problem me të. Unë e di se ai më do mua dhe mbështetet tek unë”.
“Gjatë seancave stërvitore, ai gjithmonë më shtrëngon në qafë, për të më detyruar të jap më të mirën. Ai është shumë kërkues dhe për mua, kjo është shenjë e mirë. Kjo do të thotë se ai llogarit në mua. Fatmirësisht, ndjehem mirë mentalisht edhe fizikisht. Unë jam i bindur se radha ime do të vie. Është në dorën time që të jem vendimtar kur të më vijë rasti”, u shpreh Benzema për L’Equipe.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka deklaruar se futbollisti më i rrezikshëm i Manchester Cityt është sulmuesi argjentinas, Carlos Tevez.
“Mancini është menaxher shumë kompetitiv dhe unë kam marrëdhënie të mira me të, duke nisur që nga e kaluara, kur ne ishim bashkëlojtarë në kombëtaren italiane. Është lehtë të thuash për një ndeshje se ishte e lehtë kur ajo është fituar me rezultat 6-0, por para fillimit, është gjithmonë e vështirë”.
“Nuk pajtohem me Mancinin kur thotë se ne tashmë e kemi fituar titullin, pasi që edhe City ka gjasa dhe jam i sigurt se ata një ditë do të jenë në vendin e parë”.
“Carlos Tevez është futbollisti më i rrezikshëm i Manchester Cityt. Ai ka cilësinë, ai ka fuqinë dhe ai ka mentalitet shumë të mirë. Më pëlqen mënyra se si luan ai, por duhet të kemi kujdes nga ai”, tha Ancelotti.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka shpërthyer në raport me mediat britanike, pasi këto të fundit kishin shkruar në titujt kryesorë se Ferguson e ka quajtur sulmuesin e Liverpoolit, Fernando Torres, si një mashtrues, një gjë që mohohet nga skocezi.
“Mendoni për Berbatovin që shënoi het-trik, të parin pas 64 viteve në ato takime dhe ju keni menduar se ai do të zinte vend në kryetitujt e gazetave, por kjo nuk ndodhi”.
“Ishte gjithçka për mua duke thënë se Torres është mashtrues, gjë që është absolutisht qesharake nga mediat. Unë thashë mjaft mirë, se ai ka simuluar në disa raste. Kjo nuk është sikurse të thuash se ai është mashtrues. Kjo mund t’i ndodhte secilit lojtar duke parë momentin dhe duke e shfrytëzuar situatën”.
“Por, kjo që bënë mediat është zhgënjyese. Mendova se Berbatov do t’i okuponte kryetitujt, gjë që ai vërtet e meritoi”, deklaroi Ferguson.