Besim Kabashi Kampioni i WKA në kategorinë e rëndë në Taiboks, Besim Kabashi, ka arritur që të shndërrohet në kampion të dyfishtë të botës, kur mposhti në Munich të Gjermanisë taiboksierin italian, Luca Panto, pas raundit të parë me nokaut (KO).
Kabashi e fitoi titullin e më të mirit të globit në prani të 2800 spektatorëve, ndër të cilët ishin shumë personalitete shqiptare dhe gjermane.
Kampionit shqiptar nuk iu nevojit shumë kohë për ta vënë në dysheme kampionin e Italisë, Luca Panto, pasi që mjaftoi një kombinim me duar “majtas-djathtas”, një veprim që e la të shkatërruar përtokë rivalin dhe që zgjoi në këmbë të pranishmit.
Për ta përcjellë këtë ndeshje të Taiboksit, prezent ishin edhe dy boksierët e njohur shqiptarë, Nuri Seferi dhe Haxhi Krasniqi.
Trajneri i Ajaxit, Martin Jol, ka lëvduar Milanin dhe sulmuesin Zlatan Ibrahimovic, para ndeshjes së dy gjigantëve që zhvillohet në kuadër të Grupit G të Ligës së Kampionëve të martën.
“Milani ka shumë klas në çdo pjesë të fushës, sidomos në sulm edhe pse në mbrojtje ai është solid dhe i mirë”.
“Zlatan Ibrahimovic është sulmuesi më i mirë në botë dhe Milani nuk është më pak sulmues se Real Madridi. Ne po shpresojmë ta ndryshojmë ndeshjen në favor tonin”, u shpreh Jol.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka refuzuar të japë sqarime për lënien jashtë nga skuadra të mesfushorit Pedro Leon, për sfidën e të martës në Ligën e Kampnionëve ndaj Auxerre.
“Unë nuk kam nevojë ta arsyetoj mungesën e tij në listën e skuadrës. Unë do t’ia sqaroj këtë presidentit, nëse ai më pyet për këtë”.
“Ju po flisni për Pedro Leon sikur të ishte Maradona ose Zidane, por deri muajin e kaluar ai luajti për Getafen. Ai do të luajë kurdo që ai fillon të punojë ashtu si dua unë, ndërsa do të jetë e vështirë për të që të luajë nëse nuk punon si dua unë”, ka thënë Mourinho.
Frank Lampard Chelsea ka konfirmuar se Frank Lampard nuk do të luajë në takimin e Ligës së Kampionëve kundër Olympique Marseille, ndërsa njëherit ai do të mungojë edhe në derbin e vikendit ndaj Arsenalit.
Lëndimi e ka mbajtur mesfushorin larg fushe që nga muaji gusht, ndërsa është bërë e ditur se ai do të mungojë edhe në takimin e të martës në Stamford Bridge.
Konfirmimin e ka bërë trajneri Carlo Ancelotti, i cili ka thënë se anglezi nuk do të jetë në dispozicion as në takimin e fundjavës ndaj Arsenalit, dhe po ashtu nuk do të luajë për përfaqësuesen e Anglisë.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, i ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij se Ajaxi nuk do të luajë lojë të mbyllur në takimin e të martës mbrëma në Amsterdam Arena.
“Ndeshja kundër Ajaxit nuk do të jetë e lehtë. Është gjithmonë vështirë të luhet në fushë të tyre. Ata janë një skuadër e re me teknikë të shkëlqyer”.
“Është një ndeshje vitale për ne sa i përket progresit. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përsërisim sakrificën që bëmë kundër Genoas (në fitoren prej 1-0)”, ka thënë ish-sulmuesi i Ajaxit.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, do të mungojë në ndeshjen e ardhshme të cilën Djajtë e Kuq e zhvillojnë në Mestalla kundër Valencias në kuadër të Ligës së Kampionëve, për shkak të një lëndimi.
Rooney u zëvendësua në minutën e 61-të të sfidës ndaj Boltonit, për shkak të një lëndimi që e detyroi atë të mbante një qese me akull në nyje.
Pos Rooneyt, përballë Valencias nuk do të paraqitet as Ryan Giggs, ndërsa forcat sulmuese të United mbi supe do t’i ketë bullgari në top formë, Dimitar Berbatov.
I rikthyeri në luftën për titullin e kampionit në Formula 1, piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, ka thënë se ai është në top formë, pikërisht në klimaksin e sezonit.
“Një kampionat që është i gjatë nëntë muaj, nuk e di se ekziston në sportet tjera. Ne jemi në një sport ku nuk mund të jeni plotësisht të përgatitur, të fokusuar dhe plotësisht të motivuar në çdo garë, çdo muaj. Ju keni rënie dhe ngritje”.
“Por, tani për tani, në këtë pikë të kampionatit, unë jam në top formë, jam 100 përqind i motivuar dhe i fokusuar. Shpeshherë, viteve të kaluara në shtator lodhesha, por çfarë tani kur garat janë të gjata dhe stresuese? Këtë vit është më ndryshe. Ndjej sikurse kampionati po fillon tani, kështu që ndjehem mjaft i lumtur që gara e ardhshme do zhvillohet në Japoni”, ka thënë Alonso.
Mesfushori i Valencias, David Albelda, është duke e shijuar maksimalisht ndjenjën e të qenit në maje të tabelës së La Ligas, pasi që duket se nuk i intereson se çfarë bën Jose Mourinho dhe Real Madridi i tij.
“Gjëja e vetme që mendoj se nuk duhet ta bëni është që të ziheni me lojtarët kundërshtarë. Mendoj se në futboll janë kode të caktuara të cilat duhet të respektohen”.
“Mourinho është duke bërë atë që mendon se është më e mira për klubin, por ne nuk mund t’i shikojmë ata çfarë janë duke bërë. Real Madridi shikon punën e vet dhe ne tonën”, tha Albelda.
Trajneri i Bayernit, Louis Van Gaal, ka nënshkruar kontratë të re njëvjeçare, e cila do ta mbajë atë në Bavari deri më 30 qershor, 2012.
Van Gaal nënshkroi kontratën me të arritur në Basel, ku Bayerni pritet të takohet me rivalin zvicëran në kuadër të Ligës së Kampionëve. Konfirmimin e bëri drejtori, Karl-Heinz Rummenigge, një konfirmim mjaft i çuditshëm ky, pasi Bayerni fundjavën e kaluar pësoi humbje nga Mainzi.
“Gjithmonë do preferoja që t’i bëja gjërat që ju nuk do t’i prisnit. Pas fitores, të gjithë mund ta rinovojnë kontratën. Për këtë arsye, është e mirë për publikun që, madje pas disfatës nga Mainzi, ne kemi dashur që trajneri ynë të qëndrojë”, u shpreh Rummenigge.
Paolo Di Canio ka lansuar një sulm sensacional në drejtim të kapitenit të Romës, Francesco Totti, duke e quajtur atë egoist, pas reagimit kur u zëvëndësua në sfidën ndaj Interit, të cilën e fitoi Roma minimalisht, falë golit të zëvëndësuesit të Tottit, Mirko Vucinic.
“Ai e di se është i mbrojtur. Në Romë, të gjithë e dinë se ai dy apo tri vitet e fundit është stërvitur vetëm dy apo tre ditë në javë”.
“Ju kurrë nuk duhet të injoroni bashkëlojtarët tuaj, por të bashkoheni me ta. Francesco ka qenë lojtar i madh, por tani është më ndryshe. Kur ai u zëvëndësua, Roma është dukur si një ekip ku të gjithë ndihmojnë njëri tjetrin. Frustrimi i Vucinicit pas golit ishte gjithashtu edhe ndaj Tottit”, ka thënë Di Canio.
Lojtarët e Barcelonës Lojtarët e Barcelonës kanë pranuar se shpërthimet e shpeshta të Jose Mourinhos vetëm sa e rrisin motivimin e lojtarëve për të luajtur sa më mirë.
Strategu portugez, i cili për shumë njerëz është trajneri më i mirë i të gjitha kohërave, ka kritikuar kohëve të fundit rivalët e Barcelonës, se ata po lejojnë që të mposhten me lehtësi nga Blaugranët.
Këto deklarata janë pritur me sens humori nga lojtarët e Barcelonës, të cilët me një deklaratë të përbashkët kanë theksuar se: “Mourinho na detyron që të luajmë më mirë e më mirë. Ai është motivues i veçantë për ne”.
Vetë Guardiola ka refuzuar t’i përgjigjet kundërshtarit të tij të përbetuar, Jose Mourinho.
Asi i Manchester United, Paul Scholes, ka pranuar se ai nuk ishte llogaritur nga ekpsertët e futbollit si një nga mesfushorët më elitarë edhe për vitet aktuale.
“Disa njerëz nuk më llogaritën, më lanë jashtë opsioneve kur e pata problemin me syrin, por ajo kurrë nuk më interesoi, pasi që ende jam këtu”.
“Unë e dija se njerëzit kishin dyshimet e tyre, por unë dhe stafi mjekësor i United nuk i kemi pasur ato. Ne gjithnjë e kemi ditur se unë do të kthehesha në gjendjen më të mirë, por se do të merrte paksa kohë. Ne të gjithë kemi dëshirë që t’u dëshmojmë njerëzve se e kanë pasur gabim dhe unë nuk dalloj prej të tjerëve në këtë aspekt”, ka thënë Scholes.
Manchester United është duke synuar rikthimin e yllit të Atletico Madridit, Diego Forlan, në Old Trafford.
Tuttomercatoweb shkruan se Interi është tejet i interesuar në shërbimet e sulmuesit uruguaian, por Nerazzurët pritet që të kenë konkurrencë të fortë nga bosi i United, Sir Alex Ferguson.
31 vjeçari luajti për dy vite në Old Trafford, nga sezoni 2002 deri në vitin 2004, ndërsa shënoi vetëm 10 gola në 63 paraqitje.
Milani vazhdon të lidhet me një transferim të sulmuesit urugaian, Luis Suarez, me rastin e udhëtimit të Rossonerëve në Amsterdam për t’u përballur me Ajaxin.
Sipas Tuttosport, Milani është duke e shqyrtuar seriozisht një paramarrëveshje me drejtuesit e Ajaxit dhe së paku filimin e negociatave për Luis Suarez, kur Adriano Galliani të ulet fare pranë drejtuesve të klubit më të madh holandez.
Duke filluar nga Marco Van Basten e deri te Klaas-Jan Huntelaar, Milani gjithnjë ka pasur nderin që të ketë më të mirët e akademisë më të mirë në botë, atë të Ajaxit të Amsterdamit.
Luciano Moggi beson se tashmë ikona e Milanit, Zlatan Ibrahimovic, do t’ia sjellë klubit Rossoner Scudetton e parë pas gjashtë viteve dhe trofeun e parë pas katër vitesh.
“Ekzistojnë lojtarë të cilët mund ta ndryshojnë ekpin dhe një ndeshje në mënyrë individuale. Ibrahimovic është një prej tyre”.
“Ai është klasi botëror dhe ai ka nevojë të jetë në gjendjen më të mirë për të luajtur ashtu si di më mirë. Falë tij, Milani do ta mposhtë Interin në luftën për Scudetto”, u shpreh Moggi.
Me t’u larguar Jose Mourinho nga Giuseppe Meazza, tani duket të kenë filluar dhe përçarjet e para në zhveshtoren e Interit, pasi që një pjesë e lojtarëve është kthyer kundër sulmuesit, Samuel Eto’o.
Il Corriere dello Sport pohon se dëshira e Samuel Eto’os që të realizojë gola, po i shkakton probleme trajnerit Rafa Benitez. Lojtarët janë të pakënaqur nga veprimet e sulmuesit kamerunas, i cili u tregua egoist në disa raste ndaj Romës. Kundër Eto’os thuhet se janë kthyer edhe figurat prominente si Maicon, Pandev e Sneijder.
“Ekziston njëlloj egoizmi aty pari në sulm”, kishte thënë Maicon pas humbjes minimale ndaj Romës.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, foli para mediave për gjendjen shëndetësore të superyllit Lionel Messi, për të cilin ka thënë se do të kthehet shumë shpejtë në fushën e lojës.
“Vitin e kaluar Rubin Kazan na mësoi disa gjëra. Ne e dimë se kudo që të shkojmë në Ligën e Kampionëve, na pret ambient i vështirë. Ne e duam Messin të shëndoshë dhe ai do të jetë i tillë shumë shpejtë”, theksoi Zubizarreta.
Lëndimi i Messit dhe rrezikimi i mundshëm i tij ndaj Rubin Kazanit, ka zgjuar reagime të shumta në qarqet katalanase, të cilat kanë kundërshtuar këtë opsion, pasi që sipas tyre Messi duhet të riaftësohet plotësisht dhe të mos u hyjë rreziqeve.
Interi mund ta mbrojë titullin e kampionit të Evropës. Ky është mendimi i legjendës Nerazzure, Sandro Mazzola, i cili ka deklaruar për Goal.com se Rafael Benitez është njeriu i duhur për të vazhduar sukseset e Jose Mourinhos.
“Mendoj se Benitez ishte zgjedhja më e mirë pas Jose Mourinhos. Unë gjithmonë e kam thënë këtë. Unë nuk shohë trajnerë tjerë pos Benitezit që mund të vazhdojnë atë që ka lënë në gjysmë Jose Mourinho. Ai është trajner i shkëlqyer dhe mendoj se ai do të vazhdojë sukseset e Interit”.
“A mund ta mbrojë Interi trofeun e Ligës së Kamnpionëve? Po, ata e kanë ekipin për ta bërë këtë. Mendoj se ata do të kualifikohen lehtë nga grupi dhe më pas do të shohim se cilat do të jenë rrethanat në shkurt, por jam i sigurt se ata mund ta bëjnë këtë. Megjithatë, do të jetë e vështirë”, tha Mazzola.
Milanin e pret udhëtimi i vështirë në Amsterdam për t’u përballur me Ajaxin, ndërsa për sfidën skeptik u shpreh tekniku Rossoner, që pret një ambient të zjarrtë në Amsterdam Arena.
“Është ndeshje me rëndësi kjo ndaj Ajaxit dhe është një ndeshje që është gjithçka tjetër pos e lehtë. Është gjithnjë e vështirë të luash në stadiumin e tyre. Ata kanë ekip të ri. Është ndeshje fundamentale për ne që të kualifikohemi më tej”, theksoi Allegri.
Sipas spekulimeve, thuhet se Ronaldinho mund të lihet jashtë formacionit startues pas formës së dobët të treguar javët e fundit në Serie A.
Mesfushori i Juventusit, Alberto Aquilani, ka thënë se është herët për të bërë paragjykime për gjasat e Juventusit për Scudetto pas fitores prej 4-2 ndaj Cagliarit, pasi që italiani mendon se Interi është ende një hap para.
“Ishte me rëndësi për mua që të fitoj sa më shumë minuta pas vitit të fundit te Liverpooli. Të dielën mund të tentojmë t’i afrohemi Interit, por ne nuk jemi në garë me ta. Ne po tentojmë të gjejmë baraspeshën”.
“Çfarë mund të arrijë Juventusi? Nuk e di. Po mendoj për ndeshjen ndaj Manchester Cityt, që pritet të jetë e vështirë dhe në të cilën nuk mund të luaj. Interi? Ata kanë diçka më shumë se ne”, u shpreh Aquilani.
Roy Hodgson thotë se ka nevojë për kohë që Liverpooli të kthehet në kahen e dëshiruar
Liverpooli po kalon një start zhgënjyer të sezonit, pasi Të Kuqtë barazuan edhe në ndeshjen e fundit, atë kundër Sunderlandit në Anfield. Presioni në Roy Hodgson po rritet ashtu si edhe padurimi i fansave.
“Futbollistët përpiqen të përballen me pritjet e mëdha këtu. Ky është problemi jonë më i madh për momentin. Gjithçka është e re, ka shumë futbollistë të rinj, paqartësi rreth pronësisë së klubit dhe renditje të dobët në tabelë, njerëzit thonë se kjo nuk është mjaft mirë. Nuk them se jemi mjaft mirë, por llogaris se është diçka që mund të parashikohej”, ka thënë Hodgson.
Trajneri po ashtu ka dalë në mbrojtje të sulmuesit kryesor të ekipit, Fernando Torres.
“Torres të cilin e patë në ndeshjen kundër Sunderlandit, ishte shumë më ndryshe nga ai i javëve të para. Njerëzit dëshirojnë ta shohin më të mirën nga ai për momentin, por ai erdhi nga Kupa Botërore dhe ka nevojë për kohë, ka nevojë për ndeshje”, ka shtuar Hodgson.
Sir Alex Ferguson thotë se Ryan Giggs do të pauzojë për rreth dy javë, derisa Wayne Rooney do të jetë i gatshëm për ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Valencias.
Dy lojtarët e Manchester United pësuan lëndime në barazimin e djeshëm prej 2-2 ndaj Boltonit në Reebock Stadium. Derisa Ryan Giggs ka pësuar lëndim më të rëndë dhe do të mbetet jashtë fushe për rreth dy javë, Wayne Rooney u ankua për dhimbje në nyje, por do të jetë i gatshëm për të mërkurën.
“Ryan është i lënduar më seriozisht dhe ai do të qëndrojë jashtë fushe për rreth dy javë. Kur është fjala te Wayne, mendoj se ai do të jetë i gatshëm për takimin e të mërkurës”, ka thënë Ferguson.
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, mund të rikthehet nga lëndimi më herët se sa është paraparë dhe të shfrytëzohet si zëvendësues kundër Rubin Kazan.
Rikuperimi i shpejti i Messi nga lëndimi i marrë në takimin kundër Atletico Madrid po vazhdon të befasojë çdokënd, pasi argjentinasi pritet të jetë në stol në ndeshjen e të mërkurës të Ligës së Kampionëve kundër Rubin Kazan.
Sportivja spanjolle Sport shkruan se Messi nuk do të jetë në 11-shen startuese në Rusi, por ai do të jetë i gatshëm të inkuadrohet si zëvendësues nëse ekipi ka nevojë për të në këtë ndeshje. Argjentinasi megjithatë është optimist për rikthim në formacionin startues për ndeshjen e vikendit të radhës, kundër Mallorca.
Sulmuesi brazilian Adriano është i pakënaqur me qëndrimin në stol në fitoren befasuese prej 1-0 të Romës në derbin e vikendit ndaj Interit.
Adriano shpresonte të del në fushë në Olimpico ndaj ish-klubit të tij, por në vend të tij u zgjodh Julio Baptista.
“Pse nuk luajtët? Nuk e di. Pyeteni trajneri, mos më pyetni mua”, ka thënë Adriano.
Por Ranieri ka dhënë një shpjegim logjik gjatë konferencës për shtyp.
“I thash Adrianos të nxehet dhe e pyeta nëse është i gatshëm, por ai më dha se nuk ishte nxehur aq shumë. Andaj kërkova nga Baptista dhe ai tha se ishte i gatshëm. Kur ka vetëm pak minuta të mbetura, këto vendime duhet t’i bëni brenda sekondash”, ka thënë Ranieri.
Sulmuesi i Parmës, Hernan Crespo, thotë se ai kurrë nuk e kishte refuzuar Fiorentinën gjatë karrierës së tij.
Argjentinasi ka folur pas humbjes së mbrëmshme ndaj Fiorentinas.
“Lexova gazetat sot se kisha refuzuar Fiorentinën dy vite më parë, por kjo nuk është aspak e vërtetë”, ka thënë Crespo.
“Do të isha i lumtur të luaj në Firencë, por zgjodha Genoan, edhe pse në fund e gjeta veten te Parma, dhe duke parë si shkojnë gjërat mund të them se nuk kam bërë zgjidhjen e gabuar”, ka shtuar ish-sulmuesi i Interit.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka dyshime për të ardhmen e tij me Chelsean.
Sulmuesi erdhi në Stamford Bridge për 24 milionë funte në vitin 2004 dhe ende ka edhe dy vite të mbetura nga kontrata e tij.
Por Drogba, 32-vjeçar i suspenduar për ndeshjen e nesërme të Ligës së Kampionëve kundër ish-klubit të tij, Marseille, thotë se ai mund të largohet nga klubi anglez.
“Kur nënshkrova kontratën e re te Chelsea, gjithmonë kam thënë se dua ta përfundoj karrierën këtu. Por mund të them se gjithçka mund të ndodhë. Kur isha te Marseille kam thënë se do të doja ta përfundoj karrierën atje por, një javë më vonë gjithçka ndryshoi”, ka thënë Drogba.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është i shqetësuar rreth golave të paktë të shënuar nga lojtarët e tij në javët e para të sezonit.
Ekipi i Mourinhos ka shënuar vetëm tetë gola në gjashtë ndeshje në ligë dhe Ligën e Kampionëve, pavarësisht se ka pasur mundësi të shënojë shumë herë më shumë, dhe portugezi e di se ky është një problem urgjent.
“Ne kemi krijuar shumë shanse, disa shumë të mira, dhe me sa duket jam i shqetësuar pasi duhet të shënojmë për të fituar. Çdo pikë llogaritet, por për ne çdo ndeshje që luajmë duhet edhe ta fitojmë. Andaj kjo do të thotë dy pikë më pak se sa mund të kishim pasur. Ne nuk jemi të lumtur që kemi siguruar vetëm një pikë, pasi duhet ta fitojmë çdo ndeshje”.
“Në mbrojtje jemi të qëndrueshëm, kemi pranuar një gol në gjashtë ndeshje. Ka probleme taktike. Nuk është te kualiteti i lojtarëve, pasi të gjithë e dimë se ata janë lojtarë me shumë gola, por në këtë moment nuk mund të shënojnë. Ky është shqetësimi im”, ka thënë Mourinho.