Clarence Seedorf Një prej futbollistëve më të mirë të Milanit në ndeshjen ndaj Ajaxit, Clarence Seedorf, ka thënë se Rossonerët po luajnë shumë me topa të gjatë dhe se nuk mund të varen nga Zlatan Ibrahimovic.
“Nuk më pëlqeu loja që bëmë sonte, ne luajtëm tepër me topa të gjatë. Nuk mund të mendojmë gjithmonë se Ibra është aty për të na shpëtuar. Baraspesha është e duhur, por bëmë pak në aspektin e freskisë së treguar, edhe pse një barazim si mysafir në Ligën e Kampionëve është rezultat i mirë”.
“Moduli i lojës? Milani ka luajtur që moti me këtë formë. Allegri e di se çfarë ekipi kemi dhe se dimë se si të luajmë me këtë formë edhe pse këtë sezon është dashur të ndryshojmë paksa”, tha Seedorf pas ndeshjes.
Festa e Giallorossëve Roma ka shënuar fitore prej 2-1 përballë CFR Cluj në kuadër të xhiros së dytë të Grupit E, ndërsa me rezultat identik Bayern Munichu e ka mposhtur Baselin.
Giallorossët e patën të vështirë të vinin deri de zhbllokimi i rezultatit, ndërsa këtë e bëri nga distanca mbrojtësi Philippe Mexes (69’).
Nuk kaluan as dy minuta, dhe transferi i sivjetmë i romakëve, Marco Borriello dyfishoi epërsinë.
Krejt çka bënë rumunët deri në fund të ndeshjes ishte një gol i shënuar nga Rada (78’).
Ndërkohë në takimin tjetër të Grupit E, Bayerni është kthyer nga disavantazhi prej një goli për të fituar tre pikë të plota si mysafir i Baselit.
Alexander Frei kaloi vendasit në epërsi (18’) pas një asistimi të Marco Streller, mirëpo Bastian Schweinsteiger nuk kishte udhëtuar për t’u mposhtur.
Mesfushori gjerman realizoi të dy golat për bavarezët, njërin nga penalltia (56’) dhe tjetrin me ndihmën e Holger Badstuber, i cili asistoi te Schweini një minutë pa përfunduar koha e rregullt e takimit.
Pas xhiros së dytë, në Grupin E prin Bayerni me gjashtë pikë, ndërsa CFR Cluj dhe Roma kanë nga tre pikë.
Nicolas Anelka dhe Florent Malouda Chelsea ka arritur të shënojë fitore prej 2-0 në përballje ndaj Marseille, kurse nga ana tjetër Spartaku i Moskës ia tregoi vendin Zilinës, të cilën e mposhti me rezultat 3-0.
Chelsea ishte skuadra që dominoi në këtë takim. Golin e parë e shënoi John Terry, pas harkimit të të riut Gael Kakuta (7’).
Harkimi i Michael Essien në zone, e prek Mbian në dorë, duke bërë që gjyqtari të akordojë penalti për Blutë, të cilën e realizoi pa problem Nicolas Anelka (28’).
Ishte kjo një paraqitje me stil e Chelseat, që me dy gola të herëshëm kreu punën në këtë takim. Spartak Moska mposhti lehtë Zilinën me rezultat 3-0, me anë të dy golave nga Ari (34’ dhe 61’). Kapakun dëbimit të Zilinës ia dha Ibson (89’) që realizoi për 3-0.
Pas xhiros së dytë në Grupin F prinë Chelsea me gjashtë pikë, ashtu si Spartak Moska që është në pozitën e dytë me pikë të njëjta, por me golaverazh më të dobët. Zilina dhe Marseille janë pa pikë.

Jan Vertonghen në duel me Zlatan Ibrahimovic Milani nuk ka arritur të shënojë fitore përballë Ajaxit në Amsterdam Arena duke barazuar me rezultat 1-1.
Të parët në epërsi kaluan holandezët, të cilët konkretizuan me gol një aksion të bukur, ndërsa realizues ishte Hamdaoui (23’).Nesta nuk do ta harrojë një kohë të gjatë, jo golin, por driblimin që ia bëri Suarez... Megjithatë nuk kaloi shumë kohë (37’) dhe Rossonerët barazuan shifrat. Me një krosim të bukur Andrea Pirlo e gjeti Clarence Seedorfin, ndërsa ky i fundit asistoi te Zlatan Ibrahimovic, i cili me fuqi e futi topin në rrjet. Atëherë kur keni nevojë për gola, lirisht thërrisni Ibrën... Përkundër lojës së hapur, në pjesën e dytë, asnjëra nga skuadrat nuk arritën të realizojë golin e fitores.
Ndërkohë Real Madridi ka shënuar fitore minimale prej 1-0 si mysafir i Auxerre.
Heroi i mbretërve në këtë takim ishte Angel di Maria, i cili realizoi golin e vetëm në ndeshje (81’). Pas xhiros së dytë, në Grupin G prin Reali me gjashtë pikë, ndërsa në vendin e dytë gjendet Milani që ka katër pikë pas dy ndeshjesh.
Wolfgang Stark dhe Denilson Arsenali ia ka bërë me dije Partizanit të Beogradit se më mirë e ka që të mos paraqitet fare në Ligën e Kampionëve, pasi që edhe para publikut serb, Topçinjt ishin në nivel të lartë. Nga ana tjetër, Shakhtari vazhdoi me formën e mirë.
Arsenali ishte dukshëm ekipi më i mirë në Beograd. Revolveristët në epërsi i kaloi Andrey Arshavin (15’), pas një depërtimi në thellësi dhe kombinimi me Wilshere, për të lansuar më pas një goditje në portën serbe.
Pas lojës me dorë në zonë nga Denilson, Cleo realizoi nga pika e bardhë (33’) për 1-1.
Pas një ndërhyrjeje ndaj Marouane Chamakh nga Jovanovic, është ky i fundit ai që ndëshkohet me karton të kuq. Me këtë rast u akodrua penalti, të cilën e ekzekutoi Andrey Arshavin dhe të cilën e ndali portieri Vladimir Stojkovic.
Megjithatë, fqinjët tanë veriorë nuk u mbajtën dot. Marouane Chamakh u gjend mirë në zonë pas një topi të kthyer nga portieri, për të realizuar për 2-1 (71’), kurse me kokë Sebastian Squillaci vetëm sa e finalizoi debaklin e Partizanit për 4-1.
Shakhtari nga ana tjetër ka shënuar fitore të thellë prej 3-0 në tranfertë te Braga. Golat i shënuan Adriano (56’ dhe 72’), kurse në minutën e fundit ishte Costa ai që realizoi nga penaltia për rezultatin përfundimtar.
Arsenali pas xhiros së dytë është lider me gjashtë pikë, ashtu si Shakhtari që gjendet në pozitën e dytë në Grupin H me pikë të njëjta me Topçinjt, por me golaverazh më të dobët. Braga dhe Partizani nuk kanë asnjë pikë të vetme.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, do të jetë jashtë aksionit për së paku tri javë, për shkak të një lëndimi në nyje.
24 vjeçari ka pasur një start të tmerrshëm këtë sezon, jo vetëm për shkak të vobekësisë në shënimin e golave, por edhe për shkak të skandaleve të fundit në jetën private. Lëndimi në nyje vetëm sa i shton problemet për sulmuesin anglez, që do të mungojë pos ndaj Valencias, edhe ndaj Sunderlandit dhe Malit të Zi në kuadër të Euro 2012.
Rooney nuk është mungesa e vetme e Djajve të Kuq. Edhe truri i mesfushës, Paul Scholes, do të mungojë së paku për 10 ditët e ardhshme për shkak të një dëmtimi në pulpë të këmbës.
Kampioni i Italisë, Interi, do ta ketë në dispozicion sulmuesin, Diego Milito, për ndeshjen ndaj Werder Bremenit në Ligën e Kampionëve, pasi që ‘Il Principe’ u është rikthyer stërvitjeve.
Milito e pësoi një zgjatje muskulore në ndeshjen kundër Romës, ndërsa tani Il Corriere dello Sport njofton se zërat se argjentinasi nuk do jetë në gjendje të luajë ndaj klubit gjerman, janë të pavërteta, pasi që Milito është i gatshëm për duelin e vështirë.
Por, përderisa Milito është rikthyer, Goran Pandev nuk do të jetë në gjendje të luajë, për shkak të një dëmtimi në nyje.
Gjiganti italian Milan, ka marrë lajme të mira në aspektin e lëndimeve, pasi që do ta ketë të gatshëm për lojë supertalentin, Alexandre Pato, për sfidën ndaj Parmës.
Sulmuesi brazilian pritet të rikthehet në aksion të dielën, kur Rossonerët përballen me Parmën. Sulmuesi i ri mungoi në tri ndeshjet e fundit për shkak të një lëndimi në kofshë.
Sidoqoftë, Milani do të duhet t’ia dalë edhe pa Paton në sfidën e vështirë ndaj Ajaxit në Ligën e Kampionëve.
Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Stan Collymore, ka dhënë një deklaratë sensacionale ku ka pohuar se sulmuesit të Manchester United, Wayne Rooneyt, mund t’i kenë kaluar vitet kulmore të karrierës së tij si lojtar.
“Unë frikësohem se tashmë mund të kemi parë më të mirën nga Wayne Rooney dhe arsyeja është – ai mentalisht është duke kaluar nëpër shumë momente të vështira. Ne e dimë se ai ia ka bërë këtë vetes”.
“Çështja është që ju jeni duke e shitur martesën, pasi që u thoni njerëzve se jeni i lumtur me vajzën, djalin, nënën, ndërsa gazetat shkruajnë. Nuk mund t’ua mbyllni derën po këtyre gazetave, kur keni bërë diçka të gabuar”.
“Problemi nuk është fakti se nuk do ta shohim formën e mirë të Wayne Rooneyt, por ai do të qëndrojë në shtëpi. Çfarëdo që të ndodhë në jetën e tij private, do të zgjidhet nëpër momente të ndryshme për shumë muaj dhe vite të tjera dhe kjo mund të ketë impakt mental në ju, pasi që sa herë do të dilni në fushë, ju nuk do t’i justifikoni aftësitë e juaja futbollistike, por shumë gjëra të tjera”.
“Reklama e Nike që thotë se kemi të bëjmë me lojtarin potencial më të mirë të Botërorit ka pasur impakt të madh dhe për këtë arsye, shpresoj se do t’i ha fjalët e mia, do të isha i lumtur, por me sa po shoh, mendoj se tashmë kemi parë më të mirën nga Rooney”, deklaroi Collymore.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i bindur se nuk do të ketë kurrfarë incidentesh në ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve përballë Partizanit të Beogradit.
Partizani do të kërkojë të vazhdojë serinë negative të Arsenalit, që nuk ka fituar në udhëtim në Ligën e Kampionëve që nga shtatori i vitit të kaluar.
Megjithatë, serbët kanë një histori të problemeve në garën evropiane dhe ishin lënë jashtë Kupës UEFA në vitin 2007/08 për shkak të përplasjeve në ndeshje kualifikuese kundër Zrinjski Mostar, derisa në shtatorin e vitit të kaluar një tifoz i ekipit francez Toulouse vdiq në spital, pasi u lëndua pas dhunës në një bar para ndeshjes së dy ekipeve në kuadër të Europa League.
“Ne gjithmonë jemi brenda stadiumit, andaj nuk e dimë se çfarë ndodh jashtë tij, unë ia lë këtë UEFA-së dhe autoriteteve serbe. Jam i sigurt se ata do t’ia dalin mirë. Serbia është një vend tradicional futbolli dhe besoj se do të jetë një ndeshje shumë pasionuese pasi ata janë njerëz shumë pasionuar pas futbollit”, ka thënë Wenger.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, thotë se ekipi i tij ka pasur një renditje të vështirë të ndeshjeve dhe është i bindur se ata do të mund t’iu kthehen rezultateve pozitive.
“Gjashtë pikë nga gjashtë ndeshjet e para nuk është diçka që ne kemi dashur. Njerëzit të cilët na kritikojnë neve për këtë, duhet të shohin në ndeshjet që kemi pasur. Ka qenë një fillim i vështirë. Arsenali në shtëpi dhe pastaj luajtëm me Manchester City, Manchester United dhe Birmingham në udhëtim, kjo kurrë nuk është e lehtë”.
“Jo shumë ekipe shkojnë në City of Manchester Stadium, Old Trafford ose St Andrew dhe të fitojnë. Këto tre ekipe kanë rekorde shumë të mira në shtëpi”, është arsyetuar Reina për fillimin e dobët të sezonit.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka besim të plotë në aftësitë e Nicolas Anelka për të udhëhequr sulmin e ekipit për ndeshjen kundër Marseille.
Anelka do të jetë lojtari lider i sulmit të Bluve në ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve, pasi Didier Drogba është ende i suspenduar. Kjo do të jetë hera e parë që Anelka do të pushtojë televizionet franceze pas incidentit në Kupën Botërore me kombëtaren franceze.
“Nuk mendoj se ai do të jetë i frikësuar ose do të bëjë panik për shkak se ndeshja do të shfaqet në televizionet në Francë. Ai është në një moment fantastik dhe do të luajë për ekipin ashtu siç luan gjithmonë”.
“Ai ka aftësi të luajë në çdo pozitë në sulm. Ai është i përkryer për të luajtur në sulm pasi ka shpejtësi, ka kualitet dhe mund t’i përkrahë lojtarët që vijnë nga mesfusha. Ai është sulmues fantastik për këto arsye. Ai është i aftë të luajë në çdo pozitë në fushë”, ka thënë Ancelotti.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, thotë se ata duhet ta fitojnë Skudeton për të heshtur kritikët.
“Milani duhet ta fitojë ligën. Ne nuk jemi një park zbavitës. Milani po zhvillohet dhe fatmirësisht diferenca në maje është më e vogël – Dhjetë pikë në pesë ndeshje do të thotë se ka një ekuilibër të mirë”.
“Në këtë ekuilibër ne përpiqemi të rikuperojmë disa pozita të tjera në tabelë. Sidoqoftë, aty ka një ekuilibër. Ekipet më të vogla të cilat dikur vinin në San Siro të mbrohen, tash luajnë. Ata sulmojnë”, ka thënë Galliani.
Ai po ashtu ka shtuar se Rossonerët sonte do të kërkojnë fitore ndaj Ajaxit për të nderuar presidentin e tyre, Silvio Berlusconi, që ka investuar aq shumë në këtë klub.
Trajneri i Auxerre, Jean Fernandez, ka thënë në prag të takimit të sotëm ndaj Real Madridit se gjiganti spanjoll është klubi më i madh në botë.
“Real Madridi është klubi më i madh në botë. San Siro ishte shumë emocionuese, por kjo do të jetë diçka më ndryshe. Të shohësh gjithë ata lojtarë të mëdhenj - [Cristiano] Ronaldo, [Gonzalo] Higuain, [Mesut] Oezil, [Angel] Di Maria – në stadiumin Stade de l'Abbe-Deschamps, do të jetë një moment fantastik në karrierën time si menaxher”.
“Nuk duhet të keni frikë në futboll. Pas 20 minutash ne barazonim me Milanin, dhe kështu ishte edhe pas 40 minutash. Pastaj kishin një shans të palëshueshëm në fund të pjesës së parë. Nëse do të kishim shënuar, ndoshta do të ishim kthyer me ndonjë pikë nga San Siro. Kjo do të na japë neve vetëbesim për pjesën e mbetur të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Fernandez.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, i ka dhënë një pamje të re ekipit për udhëtimin e sotëm në Serbi për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Partizanit të Beogradit.
Topçinjtë do të drejtohen nga Tomas Rosicky dhe do të përfshijnë të rinj si Wojciech Szczesny, Henri Lansbury dhe Kieran Gibbs.
19-vjeçari Lansbury, i freskët pasi shënoi në Kupën Carling në fitoren ndaj Tottenhamit javën e kaluar, do të përfshihet në vend të të lënduarit Abou Diaby, derisa Gibbs është përfshirë pavarësisht se ka lëndim në këmbë.