Michel Bastos duke festuar me Dejan Lovren. Lyoni ka shënuar fitore prej 3-1 si mysafir i Hapoel Tel Aviv, ndërsa me dy gola të vonshëm Schalke e ka mposhtur Benficën.
Francezët kaluan në epërsi përmes Michel Bastos, i cili realizoi nga pika e bardhë (8’), ndërsa i njëjti lojtar dyfishoi avantazhin me një supergoditje (36’).
Vendasit arritën të ngushtojnë epërsinë me anë të një goli të shënuar nga pika e bardhë përmes Vincent Enyeama (79’). Mirëpo në minutat shtesë Miralem Pjanic ngriti epërsinë në 3-1.
Nga ana tjetër Schalke ka shënuar fitore prej 2-0 kundër Benficës në takimin e zhvilluar në Gelsenkirchen.
Është dashur të pritet minuta e 73-të për t’u realizuar goli parë, ndërsa realizues ishte Jefferson Farfan.
Ish-sulmuesi i Milanit, Klaas Jan Huntelaar, dyfishoi epërsinë për t’i dhënë fund dyshimit për fituesin në minutën e 85-të.
Pas xhiros së dytë, Grupit B i prin Lyoni me gjashtë pikë, ndërsa Schalke dhe Benfica kanë nga tre pikë.
Roberto Soldado në një duel me Rio Ferdinand Manchester United ka shënuar fitore plotësisht jo të merituar në udhëtim te Valencia në Mestalla dhe atë me rezultat minimal 1-0, pesë minuta pa përfunduar takimi.
Valencia mbyti anglezët për 85 minuta, me raste të shumta dhe goditje të cilat ishin ndalur nga Edwin Van der Saar. Por, u desh që të inkuadrohej Javier Hernandez për t’ia shkaktuar humbjen e parë Valencias këtë sezon, kur shënoi golin e fitores për United (85’), pas një pasimi nga Maccheda. Shumë instruksione, shumë raste, asnjë gol...e kundërta për Djajtë...pak instruksione, pak raste, 1 gol, por 3 pikë të mëdha.
Edhe Rangers shënoi fitore minimale ndaj Bursasporit, me anë të golit të Steven Naismith (18’), që u gjend mirë në zonën e turqve.
Rangers është lider në Grupin C me katër pikë ashtu si Manchester United që gjendet në pozitën e dytë, por me golaverazh më të fortë se Djajtë e Kuq. Valencia është në pozitën e tretë me tri pikë, kurse Bursaspori e sheh veten në pozitën e fundit pa pikë dhe pa gol të shënuar.
Christian Noboa David Villa shpëtoi Barcelonën nga turpi që e priste në Rusi, pasi që Blaugranët mezi arritën të nxjerrin një barazim 1-1 në udhëtimin e vështirë në Rusi.
Ishte David Villa ai që i pari e goditi shtyllën (12’), për ta gjallëruar ndeshjen. Pas një ndërhyrjeje të Daniel Alves ndaj Vitali Kaleshinit brenda zonës, ishte Christian Noboa (30’), ai që realizoi për 1-0 nga pika e bardhë.
Barcelona filloi mirë pjesën e dytë, me disa raste të pashfrytëzuara. Sidoqoftë, një ndërhyrje e Lasha Salukvadzes bëri që Andres Iniesta të rrëzohej në zonë dhe të akordohej penalti (60’). I saktë nga penaltia ishte David Villa.
Me t’u barazuar rezultati në 1-1, u inkuadrua futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi. Messi u përpoq mjaft, por Barcelona nuk arriti të bëjë asgjë. Madje Rubin Kazan ka mundur edhe të shënojë fitore, kur Obafemi Martins lëshoi një mundësi të qind për qindt në minutën e 87-të. Messi rezikoi karrierën për një barazim dhe nuk bëri asgjë...Nga ana tjetër, Kopenhaga turpëroi Panathinaikosin në transfertë, të cilën e mposhti me rezultat 2-0. N’Doye kaloi në epërsi danezët (28’), ndërsa Vingaard përshëndeti grekët me një gol fenomenal nga gjuajtja e lirë (37’) për 2-0.
Pas dy xhirove të luajtura është Kopenhaga ajo që kryeson në Grupin D me gjashtë pikë. Barcelona është në pozitën e dytë me katër pikë, kurse Rubin Kazan i treti me një pikë të vetme. Panathinaikos është pa pikë.
Dy golashënuesit e Interit, Samuel Eto dhe Wesley Sneijder Skuadra e Interit ka shënuar fitore të lartë prej 4-0 kundër Werder Bremenit në takimin e xhiros së dytë të Ligës së Kampionëve në kuadër të Grupit A.
Nerazzurrët i dhanë fund takimit që në pjesën e parë duke realizuar tre gola, ndërsa më meritori për këtë avantazh ishte Samuel Eto’o.
Eto’o e shënoi golin e parë në minutën e 22-të pas një asistimi të Esteban Cambiassos, ndërsa pesë minuta më vonë dyfishoi rezultatin me ndihmën e Lucios.
Kamerunasi ishte i përfshirë edhe në golin e tretë, por këtë radhë në rolin e asistuesit, pasi që realizues ishte Wesley Sneijder (34’).
Super-Eto’o kompletoi het-trikun e tij në minutën e 81-të kur Sneijder ia ktheu shërbimin. Në takimin tjetër të Grupit A, Tottenhami e ka mposhtur Twenten me rezultat 4-1.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa Rafael van der Vaart dështoi të realizonte nga pika e bardhë (41’). Holandezi e përmirësoi gabimin e tij në minutat e para të pjesës së dytë (47’), kur pas një asistimi të Peter Crouch kaloi vendasit në epërsi.
Një tjetër penallti për Spursat e ekzekutoi Roman Pavlyuchenko, i cili ngriti epërsinë në 2-0 (50’).
Mysafirët nga Holanda ngushtuan epërsinë përmes Nacer Chadli (56’), mirëpo Pavlyuchenko realizoi sërish nga pika e bardhë (64’), edhe pse tre minuta më parë anglezët mbetën me një lojtar më pak (pas përjashtimit të Van der Vaart me kartonin e dytë të verdhë).
Mungesa e një lojtari në fushë nuk u vërejt aspak te Tottenhami duke qenë se Spursat arritën të realizojnë edhe golin e katërt përmes Gareth Bale (86’
Transferi i dështuar i Liverpoolit, Alberto Aquilani, ka zbuluar se Rafa Benitez e ka kërkuar atë te Interi, para se të kalonte si huazim te Juventusi.
“Interi më kërkoi gjatë verës, ata tentuan që të më marrin. Kishte diçka të vogël, por jo më”, theksoi Aquilani.
Alberto Aquilani u detyrua të largohej nga Liverpooli, pasi që nuk arriti të adoptohej në Angli, për shkak të lëndimeve të shumta që e përcollën.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, i njohur për shpenzimet e tija në të kaluarën, ka deklaruar se ai nuk është fare i interesuar në shërbimet e sulmuesit të Liverpoolit, Fernando Torres.
“Është me rëndësi të riaftësojmë lojtarët e lënduar, pasi që ky muaj është shumë i rëndësishëm. Mendoj se në këtë moment ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjet që i kemi deri në dhjetor, ne nuk mund të mendojmë për Torresin dhe kësolloj gjërash”, u shpreh Mancini.
Manchester City ka qenë, është dhe do të mbetet një nga skuadrat më të interesuara për shërbimet e supersulmuesit spanjoll, Fernando Torres, që pritet të largohet në fund të këtij sezoni, nëse Liverpooli përsëri bën shaka me ndjenjat dhe ëndrrat e tij.
Sepp Blater Që nga 1 tetori i vitit 2010, FIFA Sistemi i Transferimeve (TMS), duhet të përdoret për çdo transfer në futboll. TMS është një sistem online që supozohet se do t’i lehtësojë transferimet ndërkombëtare, t’i shpejtojë dhe t’i bëjë më transparente ato.
“Ky është moment historik për futbollin. TMS është një online sistem relativisht i thjeshtë, por që do të ketë imnpakt të jashtëzakonshëm në transferimin e lojtarëve. Falë TMS-së, autoritetet në futboll do të kenë më shumë detaje për çdo transfer”, theksoi Blatter për faqen zyrtare të FIFA-s.
Të dyja klubet duhet t’i japin TMS-së të njëjtat informacione, në të kundërtën, transferi do të bllokohet dhe federata përkatëse nuk do ta japë Certifikatën Ndërkombëtare të Transferimeve.
Në përgjithësi, më shumë se 30 detaje për secilin transfer duhet të vendosen në TMS, duke përfshirë informacione mbi lojtarin, klubin, të gjitha pagesat përfshirë shumën e transferit, kohën dhe detajet bankare. Me anë të këtij sistemi, pritet të përshpejtohet dukshëm procesi i transferimeve dhe do të mund të shohim dhjetëra prej tyre në ditët e fundit të afateve kalimtare.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, thotë se ai është krenar me fitoren ndaj Auxerre, përkundër faktit se Los Blancos mezi shënuan.
“Ne vuajtëm, por nuk e di nëse ekziston ndonjë ekip që ka fituar si mysafir në Ligën e Kampionëve. Ekipi bëri impenjim të madh, përkundër faktit se mungoi freskia, nga impenjimet e ndeshjeve të kaluara”.
“Ky ekip, kur të gjejë golin me frekuencën e sezonit të kaluar, atëherë do kthehet dhe besimi në lojë dhe ne do vuajmë më pak”, u shpreh Valdano.
Portieri i cili shkëlqeu ndaj Partizanit në Ligën e Kampionëve, Lukasz Fabianski, ka thënë se ai është i gatshëm për derbin londinez ndaj Chelseat.
“Në përgjithësi, jam i kënaqur me paraqitjen time ndaj Partizanit. Nuk po flas vetëm për intervenimet, por për leximin e lojës, daljen pas harkimeve dhe lojën me këmbë. Çdo aspekt i të qenit portier është me rëndësi për mua, kështu që jam i kënaqur me paraqitjen time”.
“Jam i gatshëm të luaj ndaj Chelseat. Unë gjithmonë isha i gatshëm dhe kështu do jem. Unë kurrë nuk jam ndier i ofenduar pas gjithë atyre gjërave që u thanë. Unë kam tentuar të shikoj punën time”, u shpreh Fabianski.
Roberto Mancini ka pasur lajme të mira për tifozët e Manchester Cityt para sfidës ndaj Juventusit në Europa League, pasi që konfirmoi gatishmërinë e Micah Richards për ndeshjen ndaj Bianconerëve. ‘Mancio’ gjithashtu paralajmëroi një rikthim të shpejtë të Mario Balotellit.
“Situata është që ne kemi mundur ta rikuperojmë Micah Richardsin për të enjtën, por më duhet të shoh edhe njëherë në stërvitje. Balotelli mund të jetë i gatshëm në fund të tetorit. Sot, ai ishte në Itali dhe gjithçka është në rregull, pas katër javësh ai do jetë në fushë”, theksoi Mancini.
Mario Balotelli është jashtë fushave të lojës që nga ndeshja debutuese në Europa League ndaj Timisoaras, ku u lëndua në gju dhe realizoi gol.
Supersulmuesi i milanit, Zlatan Ibrahimovic, mund të mos luajë ndaj Parmës në fundjavë, njoton La Repubblica.
Sulmuesi i cili shënoi golin e barazimit ndaj Ajaxit të martën mbrëma, e ka lënduar muskulin pas dueleve të shumta me lojtarët holandezë.
Milani pritet të mos e ndiej mungesën e Ibrahimovic, që shënoi pesë gola në gjashtë ndeshje, pasi që pritet rikthimi i Patos pas lëndimit dhe i Ronaldinhos.
Mesfushori i Manchester Cityt, David Silva, ka deklaruar se ish-skuadra e tij, Valencia, mund të konsiderohet lirisht pretendente për titull në La Liga.
I pyetur nëse Los Che duhet të konsiderohen kandidatë për titull kampioni, Silva tha: “Shpresoj se po. Jam krenar që ata po luajnë mirë dhe se po bëhen ekip i madh”.
“Shpresoj se kjo do qëndrojë kështu deri në fund të sezonit. Ne e dimë se Real Madridi dhe Barcelona do të luftojnë për titull, por shpresoj se Valencia do jetë aty pari”, ka thënë Silva për AS.
Legjenda e Manchester United, Mickey Thomas, ka deklaruar se njerëzit janë maksimalisht të angazhuar që ta shkatërrojnë superyllin e Djajve të Kuq, Wayne Rooney.
“Njerëzit po shikojnë në Wayne Rooneyn dhe po shikojnë gjatë gjithë kohës për ndonjë problem për të. Ai nuk po shënon, ai nuk po luan mirë si sezonin e kaluar dhe njerëzit po shikojnë në të, duke vënë edhe më shumë presion. Ai është djal i ri, 24 vjeçar, ndërsa ai po përjeton presione të mëdha në moshë shumë të re”.
“Mendoj se ai do ta tejkalojë këtë. Unë kam besim të madh në të dhe aftësitë e tij dhe ai do të rikthehet shumë mirë, nuk dyshoj për këtë. Vetëm më duhet të them se duhet të jeni të kujdesshëm me Rooneyn. Ka shumë njerëz që angazhohen për shkatërrimin e tij”, tha Thomas.
Superylli i LA Galaxy, David Beckham, ka pranuar se gjasat që ai të rikthehet te Milani janë të vogla.
I pyetur nëse ai do të rikthehej te Milani, Beckham tha për faqen zyrtare të FIFA-s: “Nuk mendoj kështu”.
“Kurrë mos thuaj kurrë, por pas lëndimit tim, unë kam nevojë që të fokusohem për ta rikthyer gjendjen optimale fizike. Fizikisht unë kam nevojë ta rregulloj veten pas një kohe të gjatë jashtë aksionit. Nuk mund të them se është e sigurtë se nuk do rikthehem, por të presim dhe të shohim”, përfundoi Becks.
Ndeshja e Interit ndaj Werder Bremenit në Ligën e Kampionëve ia ka rizgjuar dashurinë për futbollin gjerman, njërit prej mbrojtësve aktualisht më të mirë në botë, Lucio, i cili thotë se do të rikthehet një ditë në Bundesliga.
“Unë kam biseduar me bashkëshorten time për një rikthim në Bundesliga. Kur do të jem 34 vjeçar dhe kontrata ime të skadojë, atëherë dua të luaj në Brazil, por para kësaj dua të rikthehem në Bundesliga. Ky është objektivi im”, theksoi Lucio.
Van Gaal nuk pa potencial te Lucio, një gjë që nuk ndodhi te Jose Mourinho, që e transferoi ‘bishën’ në Meazza. Lucio me Interin e fitoi Ligën e Kampionëve, pikërisht kundër Bayernit të Louis Van Gaal.
“Falë vendimit të tij për të më larguar, unë fitova Ligën e Kampionëve”, përfundoi Lucio.
Mesut Ozil si lojtar i Werderit Sulmuesi i Werder Bremenit, Hugo Almeida, ka thënë se skuadrës së tij do t’i mungojë mesfushori Mesut Ozil në ndeshjen e të mërkurës mbrëma kundër Interit në kuadër të Ligës së Kampionëve.
“Më duket se ende po kërkojmë stilin tonë të lojës. Pjesa më e madhe e skuadrës është ende këtu, mirëpo na mungon Mesut Ozil. Ai ishte një ‘plejmejker’ i shkëlqyer”.
“Për më shumë, në Ligën e Kampionëve ka shumë stres. Sidoqoftë, problemi ynë kryesor janë lëndimet e shumta”, ka thënë portugezi për SPOX.
Mesfushori gjerman Mesut Ozil në afatin kalimtar veror braktisi Werderin për t’iu bashkëngjitur Real Madridit.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka thënë se gjendja shëndetësore e superyllit argjentinas Lionel Messi është në rend të parë, prandaj ai do të kthehet në fushë vetëm atëherë kur do të jetë plotësisht i shëndoshë.
Blaugranët të mërkurën ndeshen me skuadrën ruse Rubin Kazan, ndërsa paraqitja e Messit është e dyshimtë si pasojë e lëndimit që pësoi në fund të ndeshjes kundër Atletico Madridit.
Gjatë një konference për shtyp, Guardiola tha me vendosmëri se ‘numri dhjetë’ do të paraqitet në fushë vetëm nëse është i gatshëm dhe se do ta ruajë maksimalisht asin e tij.
“Disponimi i tij është i mirë, ai e ka kompletuar mirë stërvitjen. Do të shohim si do të shkojnë gjërat dhe do të vendosim. Na duhet të flasim me të. Shëndeti i tij vjen para gjithçkaje tjetër, por kjo ndeshje është e rëndësishme”, ka thënë trajneri.
Fadil Vokrri dhe Fatmir Vata Fatmir Vata e ka quajtur kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, si njërin prej futbollistëve më të mirë të të gjitha trojeve shqiptare.
Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare është duke qëndruar për herë të parë në Kosovë dhe ka shfrytëzuar rastin për të vizituar Federatën e Futbollit të Kosovës. Gjatë takimit Vata ka theksuar se me Fadil Vokrrin ka marrëdhënie të mira me vite “sepse z. Vokrri është padyshim futbollisti më i mirë i gjithë trojeve shqiptare”.
Vata po ashtu ka falënderuar tifozët kosovar të kombëtares shqiptare, dhe shpreson se ata do të jenë në numër të madh kur ai edhe zyrtarisht do të largohet nga futbolli aktiv.
“Për gjithë këto vite si futbollist dhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë jam munduar që ta prezantoj vendin dhe shqiptarët në mënyrën sa më të mirë. Unë iu jam mirënjohës gjithë adhuruesve të mi e në veçanti këtyre nga Kosova që nuk kanë munguar kurrë dhe i ftoj në ndeshjen e radhës kur unë zyrtarisht do ta lë futbollin aktiv të vijnë në Tiranë”.
“Unë tash do të vazhdoj me futbollin si menaxher dhe do të jem gjithmonë në shërbim të futbollit dhe futbollistëve shqiptarë kudo që ata të gjenden”, ka thënë Vata.
Angel Di Maria - Real Madrid Xabi Alonso ka lëshuar lëvdata për fituesin e ndeshjen së mbrëmshme për Real Madrid, Angel Di Maria.
Argjentinasi shënoi golin e vetëm në ndeshjen kundër Auxerre për t’i dhënë tre pikë të reja Realit që e mbajnë atë në maje të grupit.
“[Di Maria] bëri një shfrytëzim të mirë të hapësirës dhe po ashtu pas një pune të mirë të Karim Benzema, për të shënuar golin e fitores. Ne ishim mirë të organizuar kundër një ekipi që mbrohej. Ne kishim durim për të marrë tre pikë shumë të rëndësishme, që do të thotë se ne nuk do të ndjejmë presion në grup”, ka thënë Alonso.
Menaxheri i Milanit, Massimilliano Allegri, ka mbetur i zhgënjyer pas barazimit 1-1 në Ligën e Kampionëve ndaj Ajaxit.
“Ekipi luajti mirë, ne krijuam shanse për të fituar dhe nuk i shfrytëzuam ata, andaj mbetet diçka pozitive që kthehemi të pamposhtur nga Amsterdami”.
“Mendoj se ne mund të kishim bërë më shumë pasime nëpër fushë dhe lojtarët të bëjnë presion nga prapa. Shanset tona më të mira erdhën nga lëvizjet e thjeshta, që na lejuan neve të shkojnë drejtpërdrejt në gol”.
“Ne kemi nevojë të përmirësohemi, por është vështirë kur luani çdo të tretën ditë dhe rrallë keni kohë për t’u stërvitur. Jam krenar të shoh se ekipi përparon fizikisht dhe psikologjikisht”, ka thënë Allegri.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho është shprehur i kënaqur me fitoren e mbrëmshme ndaj francezëve të Auxerre.
“Një barazim jashtë shtëpisë është i mirë, por fitorja është e rëndësishme në Ligën e Kampionëve. Ne donim të sigurojmë gjashtë pikë, rrezikuam dhe fituam. Situata jonë është shumë e mirë në një grup shumë të vështirë”, ka thënë Mourinho pas fitores së mbrëmshme.
Klubi spanjoll ka investuar shumë këtë verë me qëllim që të jetë konkurrues edhe në La Liga e edhe në Ligën e Kampionëve, ku ka dështuar të ketë sukses në vitet e fundit. Dhe ishte pikërisht përforcimi i verës, Angel Di Maria, ai i cili siguroi fitoren e mbrëmshme për Realin.
Real Madridi herën e fundit fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2002 kur goditja e famshme e Zinedine Zidane i dha fitoren gjigantit spanjoll në finalen kundër Bayer Leverkusen në Hampden Park, Glasgow.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, është i gatshëm për ndeshjen e nesërme të Europa League kundër Manchester Cityt.
Të enjten Juventusi udhëton në City of Manchester Stadium ku do të përballet me klubin anglez në kuadër të garës evropiane, para se të ndeshet me kampionin e Serie A, Interin, gjatë vikendit në Giuseppe Meazza.
“Fitorja ndaj Cagliarit ishte vendimtare, pasi tash do të kemi dy ndeshje të vështira në udhëtim. Kjo do të fillojë të enjten në Manchester, pastaj vazhdon të dielën në San Siro kundër Interit. Me mendje tashmë jam atje”, ka thënë Del Piero.
Menaxheri i Romës, Claudio Ranieri, thotë se ata ishin me fat që arritën të shënojnë fitore në Ligën e Kampionëve ndaj Cluj.
Philippe Mexes dhe Marco Borriello shënuan për të ndihmuar Romën të shënojë fitore 2-1 në Olimpico.
“Jam i kënaqur me paraqitjen, që ishte e rëndësishme pas fitores ndaj Interit. Ne luajtëm shumë mirë dhe e dija se do të kemi vështirësi, andaj e kemi lëvizur topin shpejt. Është turp që nuk e përfunduam ndeshjen siç donim dhe ishim me fat që Traore goditi në vend se të pasojë”, ka thënë Ranieri.
“Kishte mungesë të përqendrimit gjatë lojës në ndalime. E dinim se djaloshi është i mirë në ajër, pasi ai shënoi kundër Basel. Ne nuk duhej të lejonim ata tre kundër-sulme, por fatmirësisht shtylla ishte e mirë me ne”, ka shtuar italiani.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, thotë se ata duhet të jenë të kujdesshëm me rivalin e sotëm të Ligës së Kampionëve, Rubin Kazan.
Rusët arritën t’i mposhtin spanjollët me rezultat 2-1 në Nou Camp sezonin e kaluar, dhe pastaj i ndaluan me barazim pa gola në Kazan.
“Ne jemi favoritë në letra, por vitin e kaluar treguam se nuk mund ta fitonim asnjërën ndeshje. Është një test për të parë se si do të performojmë në udhëtim nga shtëpia në garën evropiane. Ata janë fitues të kampionatit”, ka thënë Pique.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, thotë se për të është me rëndësi vetëm fitorja e mbrëmshme ndaj Auxerre.
Higuain thotë se ai është i qetë edhe pse nuk po arrin të shënojë gola së fundi.
“Ne jemi të lumtur, ne kemi fituar dy ndeshje tash. Është shumë e rëndësishme fitorja, pasi Milani ka barazuar, ishte një ndeshje e rëndësishme”.
“Kur të vijnë (golat), le të vijnë. Jemi të qetë, janë momente që ndodhin në karrierën e një lojtari dhe duhet të përballeni me qetësi me këtë”, ka thënë Higuain.
Carlo Ancelotti beson se ekipi i tij është në kontroll të grupit F kualifikues në Ligën e Kampionëve.
Blutë shënuan fitoren e dytë në fazën grupore të garës evropiane, kësaj here duke mposhtur Marseille me rezultat 2-0 falë golave të shënuar nga John Terry dhe Nicolas Anelka. Fitorja vjen pas të parës së shënuar kundër Zilina dhe Ancelotti mendon se tash ekipi i tij i ka gjërat në duar, pasi ka maksimum gjashtë pikë.
“Mendoj se ne jemi në kontroll të kualifikimeve tona. Kjo fitore është një hap i mirë. Ne kemi edhe katër ndeshje të tjera për të luajtur dhe dy të ardhshmet kundër Spartak Moskës do të jenë të rëndësishme. Ka gjasa të mira që ne të përfundojmë në pozitën e parë”, ka thënë Ancelotti.
Dirk Kuyt ka paralajmëruar bashkë-lojtarët e tij te Liverpooli të kenë kujdes nga rivali i radhës në Europa League, Utrecht.
Kuyt është një ish-lojtar i Utrecht dhe ua ka përcjellë lojtarëve dhe trajneri informata mbi klubin holandez.
“Ai na tha se ata janë një ekip i papërshtatshëm. Me sa duket çfarëdo ekipi me të cilin luani në Europa League do të jetë i papërshtatshëm, veçanërisht në udhëtim. Ne duhet të shkojmë atje të luajmë me shumë vetëbesim, pas rezultatit që morën në shtëpi në ndeshjen e parë”, ka thënë mesfushori Jay Spearing.
Menaxheri i Marseille, Didier Deschamps, ka thënë se ish-klubi i tij Chelsea dominoi si teknikisht ashtu edhe fizikisht gjatë ndeshjes së mbrëmshme të Ligës së Kampionëve.
Ish-mesfushori i Bluve, udhëhoqi ekipin francez në betejën në Stamford Bridge, por dështoi të nxjerrë ndonjë rezultat pozitiv, duke humbur me 2-0 dhe ishte plot lëvdata për ekipin kundërshtar.
“Ne ishim të humbur nga superioriteti i Chelseat. Ne u dominuam si teknikisht ashtu edhe fizikisht. Ne patëm një pjesë të parë të vështirë, dhe na mungoi agresiviteti në një kohë. Kishte një zbrazëtirë në mes të ekipeve sonte. Ne u përpoqëm shumë në pjesën e dytë, por ata mund të kishin shënuar edhe një gol të tretë. Kishte një dallim të madh në mes të dy ekipeve”, ka thënë Deschamps.
Anësori i Manchester United, Nani, mendon se ai është në formën më të mirë në jetën e tij.
Portugezi shënoi një gol të shkëlqyeshëm në barazimin e të dielës kundër Boltonit, kur vrapoi nga gjysma e stadiumit duke dërguar një goditje precize prapa portierit Jussi Jaaskelainen.
Nani pritet të jetë kyç edhe në takimin e sotëm kur United udhëton në Mestalla, ku Djajtë e Kuq do të kërkojnë të thyejnë rekordin negativ prej vetëm një fitore në 18 ndeshje në udhëtim ndaj rivalëve spanjoll.
“Ndjehem më i sigurt tash se sa në çdo stad tjetër të karrierës. E di se jam në një moment shumë të mirë në karrierën time dhe paraqitjet e mia kanë qenë të një niveli të lartë. Po ia dal mirë dhe po luaj në një nivel të rëndësishëm për ekipin. Kjo më jep vetëbesim në çdo ndeshje dhe shpresoj të vazhdojë”, ka thënë Nani.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, beson se Gareth Bale mund të bëhet mbrojtësi i majtë më i mirë në botë.
Bale ka shkëlqyer si anësor i majtë këtë sezon në White Hart Lane, por Redknapp e sheh atë të tërhequr në mbrojtje dhe thotë se ai mund të bëhet më i miri në botë në këtë pozitë.
“Mendoj se në disa vitet e ardhshme, ai do të bëhet mbrojtësi më i mirë në botë. Por ai po ashtu ka edhe lojtarë të tjerë të mirë në krahun e majtë dhe më përshtatet ta luaj atë si anësor të majtë shumicën e kohës pasi Benoit Assou-Ekotto është një mbrojtës i majtë i top, top-klasit”, ka thënë Redknapp.