Trajneri i Valencias, Unai Emery, ka deklaruar se ka vend për përmirësime te skuadra e tij, përkundër faktit se Valencia sigurt është duke qëndruar në krye të La Ligas.
“Ne duhet të vazhdojmë të punojmë që të jemi të gatshëm fizikisht dhe mentalisht. Ka hapësirë për përmirësime, për të mbajtur nivelin e intensitetit të lojës tonë, veçanërisht në Mestalla. Ne duhet të shfaqim më shumë rregullsi dhe më shumë efektivitet para golit”.
“Ekzistojnë një numër skuadrash të forta. Kemi favoritë të tillë si Barcelona, Real Madridi, Villareali, Sevilla, Atletico Madridi, Getafe dhe natyrisht Valencia. Gjithashtu vlen të përmenden edhe skuadrat e promovuara, Hercules, Real Sociedad dhe Levante, ashtu si skuadrat që po vuajnë aktualisht”, theksoi Emery.
Valencian e pret javën e ardhshme udhëtimi i vështirë në Camp Nou, për t’u përballur me Barcelonën.
Gjermania do të ndeshet me Turqinë të premtën në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012, ndërsa vëmendja tashmë ka rënë mbi futbollistin me origjinë turke, por me nënshtetësi gjermane, Mesut Ozil, mbi atë se si do të ndihet kur do të luajë kundër vendlindjes së tij.
“Për mua, kurrë nuk ka qenë në pikëpyetje çështja e të luajturit për një ekip tjetër pos Gjermanisë. Unë jam lindur këtu, unë jam i lumtur këtu dhe jam krenar që luaj për Gjermaninë”.
“Familja ime është nga Turqia, kam shumë miqë atje të cilët më thërrasin dhe janë krenarë me mua. Ata ndjekin atë që bëj te Real Madridi dhe jam shumë i kënaqur që ata janë duke më mbështetur. Kjo më bën vërtet të lumtur. Nëse do të shënoja gol, do reagoja në mënyrë spontane”, theksoi Ozil për faqen zyrtare të FIFA-s.
Përzgjedhësi i Holandës, Bert van Marwijk, ka dhënë arsyet e tij për mos grumbullimin e Nigel De Jong, duke thënë se ai shkoi shumë larg kur ia theu këmbën Hatem Ben Arfas gjatë një ndeshjeje të Ligës Premier.
“Nigel thjeshtë ka shkuar shumë larg. Është vërtet trup që kjo i ka ndodhur atij. Nuk ka fitues në këtë situatë. Hatem Ben Arfa ka pësuar një lëndim serioz, Nigel po merr kritika të mëdha dhe mua më duhet të bëj pa një prej lojtarëve kryesorë në dy ndeshje të rëndësishme”.
“Nuk pata nevojë për shumë kohë për të vendosur çfarë të bëj me De Jong. Unë ndjeva menjëherë se ndërhyrja e De Jong ishte e papranueshme. Nigel tashmë është përfshirë në një numër incidentesh, ndërsa unë kam biseduar me të disa herë. Kjo thjeshtë ishte tepër”, theksoi Van Marwijk.
Liverpooli ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje për shitjen e klubit, me kompaninë New England Sports Ventures (NESV).
Marrëveshja është arritur pas ofertës së bërë nga kompania e cila ka në pronë të saj edhe klubin amerikan të bejsbollit, Boston Red Sox. Oferta mori aprovimin e bordit të Liverpoolit, por me kundërshtim të tashmë ish-pronarëve Tom Hicks dhe George Gillet.
Hicks dhe Gillet do ta kundërshtojnë shitjen deri në momentin kur marrëveshja të aprovohet nga zyrtarët e Ligës Premier.
Urgjenca e shitjes së Liverpoolit erdhi pak para afatit të caktuar nga Banka Mbretërore Skoceze, me këtë të fundit që ka përkrahur marrëveshjen për shitjen e Liverpoolit, pas borxheve prej më se 350 milionë funtesh të akumuluara nga ish-pronarët Hicks dhe Gillet.
Mesfushori i Bayernit të Munichut, Hamit Altintop, ka komentuar mbi futbollistët të cilët kanë prioritet më shumë të hollat se sa futbollin.
“Unë e di se sot kryesisht flasim për prespektiva. Ku mund të arrij më shumë? Ku mund të zhvillohem në një lojtar më të mirë? Futbolli është më shumë çështje e zemrës, por tek e fundit është biznes”.
“Unë respektoj vendime të tilla, por nëse më pyesni nëse unë i mbështes ata, atëherë them se jo”, u shpreh Altintop për Suddeutsche Zeitung.
Pak orë pasi është bërë e ditur se Interi është duke planifikuar supertransferime në afatin kalimtar dimëror, spekulime të reja flasin për një interesim të shtuar të Milanit për të rikthyer asin dhe legjendën e gjallë të klubit, Kaka.
Panorama.it shkruan se klubet milaneze do të luftojnë me njëri tjetrin për firmën e brazilianit, i cili duket se do të largohet nga Bernabeu me të ardhur janari. Interi është skuadër tejet e interesuar për shërbimet e Kaka, një gjë kjo e përkrahur dhe nga legjenda Nerazzure, Jose Mourinho, që tani drejton Realin.
Interi dëshiron që t’i hakmirret Milanit për faktin se e transferoi një prej sulmuesve, ndoshta më të mirin në histori të Interit, Ibrahimoivc. Që Kaka të shfrytëzohet si mjet revanshimi nuk do të lejojë Milani, që pritet të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira të Gallianit me Florentino Perezin.
Legjenda e Real Madridit, Zinedine Zidane, ka thënë se Jose Mourinho është njeriu i duhur për të patur sukses në Santiago Bernabeu.
“Ekipi pati nevojë për ndryshime, një trajner me personalitet dhe me dorë të fortë. Mendoj se ai është njeri me profilin e duhur për të qenë trajner i Realit”.
“Për mua, Jose Mourinho është ajo që iu nevojit Real Madridit. Unë kam shumë besim në Mourinhon, ashtu si në lojtarët të cilët kemi, sepse shumica e tyre janë të rinj dhe janë shumë cilësorë”, tha Zidane.
Legjenda e padiskutueshme e Juventusit, Alessandro Del Piero, mendon se barazimi pa gola ndaj Interit është më shumë se një pikë.
“Është një 0-0 me më shumë vlerë se një pikë. Jam i kënaqur me mënyrën se si ne luajtëm dhe me mënyrën se si treguam personalitetin”.
“Natyrisht, unë nuk jam totalisht i kënaqur me rezultatin, pasi që objektivi ynë është që gjithmonë të fitojmë. Sidoqoftë, është një pikë e mirë startuese për ne. Një test i kaluar me sukses në rrugën tonë për t’u përmirësuar, në mënyrë që të arrijmë aty ku kemi dëshirë”, theksoi Alex Del Piero.
Asi i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka thënë se ai më shumë preferon të pësojë humbje me stil, se sa të fitojë në mënyrë të pistë.
“Në Angli është passion, tifozëve u pëlqen kur luhet futboll i ashpër, me kundërsulme, me topa të gjatë, edhe nëse pësoni humbje. Në Spanjë kështu do t’iu vërshëllejnë”.
“Këtu në Angli, nëse luani futboll të mirë, futboll vërtet të mirë dhe nëse nuk fitoni, atëherë ju mund të vërshëlleheni për të kundërtën. Ju besoni në stilin tuaj dhe ju luani për këtë”, u shpreh Fabregas.
Asi i Interit, Wesley Sneijder dhe kërkesat e tij për rritje të pagës në kontratën e re, nuk kanë hasur në mirëkuptimin e zyrtarëve Nerazzur, duke çuar kështu në acarrimin e marrëdhënieve.
Il Giorno njofton se Sneijder ka qenë në bisedime me Nerazzurët së fundmi për një kontratë të re, me ç’rast dhe ka kërkuar një rritje të pagës së tij nga 4 milionë në 6.5 milionë euro për sezon.
Sidoqoftë, Interi nuk është i gatshëm që të pranojë një kërkesë të tillë të një prej mesfushorëve më të mirë në botë. Thuhet se kërkesat për rritje të pagës nga Sneijder vijnë për shkak të interesimit të Real Madridit dhe Barcelonës.
Kësaj i shtohen dhe spekulimet që flasin se Interi po e kërkon asin e Palermos, Javier Pastore, përkundër faktit se Maurizio Zamparini ka thënë se Interi nuk është në gjendje të paguajë 60 milionë euro për argjentinasin.
Kampioni në fuqi i Italisë dhe Evropës, Interi, pritet të jetë harxhuesi më i madh në afatin kalimtar të janarit.
Pasi dështoi të sjellë ndonjë përforcim të ri për trajnerin Rafa Benitez gjatë verës, presidenti i Interit, Massimo Moratti, është duke menduar ta bëjë këtë në afatin kalimtar dimëror, shkruan Corriere dello Sport.
Tashmë disa javë qarkullojnë fjalë se Interi është i interesuar të transferojë yllin e Real Madridit, Kaka, por harxhimet e Nerazzurëve nuk përfundojnë këtu.
Ylli i Bayern Munich, Bastian Schweinsteiger, po ashtu është në listën e Morattit, së bashku me yllin e Genoa, Rodrigo Palacio, anësorin e Borussia Dortmund, Marcel Schmelzer dhe mesfushorin e Udineses, Kwadwo Asamoah.
Interi nuk do të ketë problem për para, pasi ka siguruar plot 100 milionë euro falë tre trofeve të fituar sezonin e kaluar.
Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, raportohet se ka vendosur kontakte me rivalin e përbetuar të Mbretërve, Barcelonën.
Gazeta spanjolle Onda Cero shkruan se përfaqësuesit e Pepe kanë qenë në kontakt me ndërmjetësues të afërt me Barcelonën për një transferim befasues të tij në Camp Nou.
Mbrojtësi portugez është në mesin e lojtarëve më pak të paguar te Reali dhe është ngopur me shtyrjet e bisedimeve për kontratën e re.
Barcelona nuk e ka refuzuar mundësinë e transferimit të portugezit, me Carles Puyol që tash po futet në fazën e fundit të karrierës së tij dhe me kontratën e Gabriel Milito që skadon në fund të sezonit.
Ylli i NBA-së, Kobe Bryant, thotë se njëshi i Barcelonës, Lionel Messi meriton ta fitojë çdo çmim këtë vit, pasi është futbollisti më i mirë në botë.
Pavarësisht dështimit të tij në Kupën e Botës, ikona e Los Angeles Lakers, Kobe, thotë se Messi më i miri në botë.
“Është shumë lajkatuese që njerëzit në Evropë më quajnë Messi i basketbollit. Djaloshi është lojtari më i mirë në botë”, ka thënë Bryant.
Kobe, i cili është një admirues i futbollit, gjatë vikendit qëndroi në Londër, për të parë Chelsean të mposhtë Arsenalin.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka dhënë shenja se ai planifikon t’i shtojë disa lojtarë sulmues në skuadër në muajin janar.
“Ne duhet të besojmë te lojtarët pasi deri në janar nuk mund të bëjnë asgjë për këtë gjë. Ne kemi ndryshuar formacion dy ose tre herë (kundër Blackpool), kishte disa tentime për ndryshim të gjërave në fushë”.
“Ne luajtëm me Dirk Kuyt si një lojtarë ballor, pastaj e larguam atë në krah dhe luajtëm me Joe Cole. Ne e zhvendosëm Meireles në qendër dhe sollëm një lojtar tjetër anësor. Ne bëmë atë që mund të bëjmë me lojtarët që kemi në dispozicion për momentin, por jemi ca në mungesë të lojtarëve sulmues për momentin”, ka thënë Hodgson.
Interi është duke i bërë konkurrencë Romës në përpjekjen për të transferuar sulmuesin e Bayer Leverkusen, Stefan Kiessling.
I riu i kombëtares gjermane është cak i kamotshëm i Romës, ndërsa tash dhe Interi po ashtu është interesuar te Bayer për mundësinë e transferimit të tij, shkruajnë mediat italiane.
Klubi gjerman është ngurrues ta shesë lojtarin, me Kiessling që është i lidhur me Bayer Leverkusen deri në vitin 2015.
Megjithatë, ndërmjetësuesit janë të bindur se Bayer do të ndryshojë qëndrim nëse arrin ndonjë ofertë në vlerën e 10 milionë euro.
John Arne Riise është i bindur se trajneri Claudio Ranieri mund t’i kthejë gjërat për të mirë te Roma.
Giallorosët u parashikuan të luftojnë për titull në para-sezon, por aktualisht ata qëndrojnë të dytët nga fundi, me vetëm një fitore nga gjashtë ndeshje në Serie A.
“Pas dy fitoreve të njëpasnjëshme ne shpresonim ta përsërisim veten edhe në Napoli. Pas një pjese të parë të mirë, Napoli luajti më mirë dhe përfitoi, shënoi dy gola. Ne jemi po aq të dëshpëruar sa edhe fansat”.
“Tash duhet të punojmë shumë për të siguruar tre pikë dhe për të treguar në ndeshjen e ardhshme, kur Genoa vjen në Olimpico. Ne po kalojmë nëpër një periudhë të errët në këtë fillim sezoni, siç edhe bëmë sezonin e kaluar kur ndryshuam fytyrë dhe luftuam për Skudeto deri në fund”.
“Ne kemi nevojë për atë shpirt luftarak përsëri dhe jam i bindur se Ranieri do të arrijë të na ndihmojë edhe një herë në këtë situatë”, ka thënë Riise.
Presidenti i Atletico Madrid, Enrique Cerezo, ka konfirmuar planet për të vazhduar kontratën me superyllin argjentinas, Sergio Aguero.
Atletico raportohet se do të shfrytëzojë pushimin ndërkombëtar për të nisur negociatat rreth marrëveshjes së re me sulmuesin.
“Rinovimi me Kun, si me lojtarët të tjerë, po studiohet dhe ne po shikojmë mundësitë për të qenë në gjendje të rinovojmë edhe për tre, katër ose pesë vite të tjera, ose siç lejohet me ligj”, ka thënë Cerezo.
Red Bull Salzburg ka shprehur dëshirë për të transferuar portierin e Juventusit, Alex Manninger.
Drejtuesit e Salzburg dëshirojnë që 33-vjeçari të mbyllë karrierën në Austri dhe janë të gatshëm të arrijë një marrëveshje për sezonin e ardhshëm – nëse jo edhe më herët në janar.
Ish-portieri i Arsenalit, Manninger, tash është vetëm zgjidhja e tretë te Juventusi, pas arritjes së Marco Storarit, por pëlqen të luftojë për vend te Biankonerët dhe mund të ngurrojë të largohet.
Kampioni i La Liga, Barcelona, dëshiron t’ia vazhdojë kontratën sulmuesit Bojan Krkic.
Lëndimi i Pedro i ka dhënë të riut një shans të ri me ekipin e parë të Barcelonës. Mediat spanjolle thonë se Barca tash dëshiron t’i hapë bisedat për marrëveshje të re me Krkic, kontrata aktuale e të cilit skadon në vitin 2013.
Barcelona planifikon t’i ofrojë atij vazhdim dyvjeçar të marrëveshjes. Negociatat pritet të fillojnë formalisht sapo Daniel Alves të nënshkruajë kontratën e tij të re.
Mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil, thotë se ai ka ambicie për të luajtur edhe në klube të tjera përveç gjigantit spanjoll.
Lojtari i kombëtares gjermane thotë se Reali nuk do të jetë klubi i tij i fundit dhe ai dëshiron ta mbyllë karrierën në Turqi.
“Mund të luaj në Turqi, ndoshta pas gjashtë ose shtatë vitesh. Së pari dua të fitoj te Real Madrid”, ka thënë Ozil.
Mesfushori i Real Madridit, Lassana Diarra, ka lënë në alarm transferimi disa prej klubeve të Ligës Premier.
Ish-mesfushori i Portsmouth, aktualisht pjesë kampit stërvitor të Francës për kualifikime për Euro 2012 kundër Rumanisë dhe Luksemburgut, mohoi spekulimet për largim nga Reali muajin e kaluar. Por tash ai e ka bërë të qartë se dëshiron më shumë kohë për lojë, ose mund të largohet.
“Unë luaj vetëm një herë në çdo dy ndeshje. Sigurisht se dua të luaj më shumë dhe nuk jam i kënaqur, do të marr vendime. Nuk jam në Real për të parë ndeshje. Dua të luaj”, ka thënë Diarra.
Manchester United mendohet se është në mesin e ekipeve që planifikon të bëjë ofertë për mesfushorin që në janar.
Bordi i Liverpoolit është mbledhur në një takim të martën, për të diskutuar pas dy ofertave të ndara të bëra për klubin, njofton BBC.
Besohet se ofertat vijnë një nga Azia dhe tjetra nga SHBA-të, me këtë të fundit që pritet të zgjojë polemika pas edhe ashtu kritikave ndaj amerikanëve aktual, Hicks dhe Gillet, të cilët e shkatërruan klubin nga Anfield.
Një burim i afërt me klubin ka thënë: “Që të dy pronarët e ofertave të reja do ta zvogëlonin borxhin dhe do t’u kthenin pronarëve aktual atë që kanë investuar”.
Megjithatë, mësohet se Hicks dhe Gillet janë duke kundërshtuar shitjen e klubit të The Reds për asnjë ofertë të marrë deri në këtë moment.
Dyshja amerikane e vuri në shitje Liverpoolin në prill me borxhe prej rreth 351.4 milionë funte. Klubi në fillim e kishte çmimin prej 800 milionë funtesh, ndërsa shuma është zvogëluar në 600 milionë, vetëm e vetëm për të tërhequr interesimin e blerësve.
Nëse Hicks dhe Gillet nuk e shesin Liverpoolin deri më 15 tetor, atëherë Banka Mbretërore e Skocisë do ta marrë në dorë klubin, pasi që aty janë borxhlinj pronarët aktual.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka mohuar spekulimet se klubi i tij interesohet për anësorin e Real Madridit, Pedro Leon.
Është spekuluar se 23-vjeçari është në shënjestër të Rossonerëve që kur trajneri Jose Mourinho publikisht e kritikoi atë dhe nuk e përfshiu në skuadrën që udhëtoi në Francë për të luajtur kundër Auxerre.
Megjithatë, Galliani thotë se Milani nuk ka kontaktuar me lojtarin dhe nuk planifikon të caktojë takime me Real Madridin për të diskutuar në lidhje me disponueshmërinë e anësorit.
“Është absolutisht një tregim i rremë... Ai është një lojtar i mirë, mirëpo unë asnjëherë nuk kam folur për të me mikun tim Florentino”, citohet Galliani nga Sport.
Mesfushori i Chelseat, Florent Malouda, ka thënë se ai po e kalon formën e tij jetësore, ndërsa për këtë ka falënderuar menaxherin Carlo Ancelotti.
“Ancelotti e ka bërë të mundur arritjen në këtë nivel. Ai më dha përgjegjësi dhe besoj se atij i pëlqeu kjo. Unë kam pasur disa biseda të mira me të, ndërsa kështu lindi një marrëdhënie e veçantë”.
“Vitin e kaluar ne kemi përjetuar një javë të keqe pasi na mposhti Interi në Ligën e Kampionëve. Ne humbëm nga Manchester City dhe Manchester Unitedi ishte para nesh, në momentin kur gjithçka ka mundur të jetë ndryshe. Kemi pasur nevojë për një bos, për një lider dhe Ancelotti ishte ai”.
“Njerëzit flasin për Mourinhon, por është hera e parë që Chelsea fitoi dy tituj. Ancelotti hyri në histori”, ka thënë francezi.