Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, ka nderuar ish-ekipin e tij Valencia, nëntë ditë para duelit drithërues ndaj Los Che në Camp Nou.
“Hapat e parë i mora te Sportingu, më pas te Zaragoza, por gjithçka që kam arritur në futboll, ma ka dhënë Valencia. Në pesë vitet sa kam luajtur me ata, unë luajta në Ligën e Kampionëve, luftova për shumë tituj dhe nuk ka dyshim se ato vite ishin më të rëndësishmet në jetën time. Falë Valencias, tani jam te Barcelona”.
“Unë do të tentoj të shënoj ndaj Valencias kur të përballem me ta, për shkak se jam profesionist, ashtu siç bëra dhe ndaj Sportingut. Por, unë kam shumë dashuri për Valencian dhe i respektoj gjithë njerëzit të cilët më bënë më të mirë, kështu që nuk do ta festoja golin”, tha David Villa.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ka thënë se fitorja prej 6-1 ndaj Deportivo La Corunas, ishte dëshmi se Realit po i rikthehet stili.
“Ne luajtëm shumë mirë ndaj Deportivos, ne fituam dhe stili ynë ishte bindës. Tifozët janë gjithashtu të kënaqur dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për ne.
“Ne gjithnjë kemi pasur besim në stilin tonë. Njerëzit na kanë konsideruar joefektivë pas rasteve të humbura ndaj Mallorcas, Ajaxit dhe Osasunas. Por, ndaj Deportivos njerëzit kanë parë se kemi shënuar tre gola nga katër raste. Ka pasur ndryshime në formacion dhe të gjithë kontribuuam në suksesin e ekipit”.
“Mosha jonë mesatare është e re dhe kjo është diçka që është e lehtë për t’u vërejtur te Real Madridi. Kërkesat këtu janë të larta dhe ato na ndihmojnë për të luftuar deri në fund të sezonit”, theksoi Casillas.
Zlatan Ibrahimovic - AC Milan Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, ka thënë se ai do të dëshironte që Ibra të kishte qëndruar në Meazza, në mënyrë që të luanin së bashku, ashtu si te Ajaxi.
“Ibrahimovic është një prej sulmuesve më të mirë në botë. Më kujtohet Ibra kur isha pranë transferimit te Interi, por ai shkoi te Barcelona dhe tani është te Milani”.
“Zlatan është njeri i mirë. Javën e kaluar ne u takuam në Milano, ku ai deshi të blinte një shtëpi fare pranë times. Ne mund të bëhemi fqinjë. Ne biseduam për ndeshjen mes Suedisë dhe Holandës, ashtu si për derbin milanez”.
“Unë doja që Ibra të qëndronte te Interi. Unë doja mbështetjen e tij, sepse sipas tij, sulmuesit me mua luajnë më mirë. Ne filluam dërgimin e mesazheve, ndërsa ai gjithashtu bisedoi edhe me Morattin, por kur u duk se unë do të transferohesha te Interi, ai u largua dhe shkoi te Barcelona”, theksoi Sneijder.
Trajneri i Interit, Rafa Benitez, i ka thënë shtypit se ai beson që Nerazzurët do të përmirësohen në lojën e tyre, ndërsa është i gatshëm që të vazhdojë punën e madhe derisa kjo të ndodhë.
“Fizikisht dhe taktikisht ekipi mund të përmirësohet. Këtë mëngjes unë erdha në qendrën sportive dhe i shikova disa ndeshje tonat, dhe erdha në disa përfundime. Për mua, ne mund të përmirësohemi. Pos kësaj, nuk jam i brengosur, jam shumë i lumtur. Është e qartë që ne mund të përmirësohemi dhe kjo është arsyeja se pse po punojmë në stërvitje”, theksoi Benitez.
Interi ka marrë kritika pas barazimit pa gola ndaj Juventusit, përderisa nga ana tjetër Rossonerët janë të ngazëllyer dhe mezi presin derbin ndaj Nerazzurëve, ku definitivisht do të dihet se kush do ta fitojë Scudetton.
Zëvëndëspresidenti i klubit brazilian, Sao Paulo, Carlos Augusto, ka thënë se ëndërron ta rikthejë Kakan aty ku dhe e filloi karrierën, në Sao Paulo, pasi Jose Mourinho hapur ka pranuar se nuk e dëshiron asin brazilian në skuadër.
“Lajmi është befasues, Kaka është lidhur nga të gjitha mediat me një largim nga Reali. Ekziston një distancë e madhe mes kërkesave të tij dhe mundësisë që ai të luajë në Sao Paulo. Tani për tani nuk kemi bërë ofertë, por ne do të dëshironim ta bënim një. Jam i sigurt se, nëse kjo do të ndodhte, atëherë çdo tifoz do ishte i kënaqur”, theksoi Barros.
“Marrëveshja do të arrihet vetëm nëse Kaka dëshiron kështu. Kur futbollisti dëshiron, atëherë kjo mund të ndodhë. Kurdo që ai vjen në Brazil, ai qëndron këtu me ne, ai është pjesë e familjes tonë. Të gjithë kanë afeksion për të dhe ky do ishte faktor që do t’i ndihmonte çështjes…Nëse kjo është e mundur, atëherë do ishte fantastike”, theksoi Barros.
Kaka filloi të luante për Sao Paulon në moshën tetë vjeçare, ndërsa luajti dy vite për ekipin e parë, para se të transferohej te Milani në vitin 2003 në moshën 21 vjeçare. Kaka arriti që t’ia sillte Sao Paulos titullin e parë pas 50 vitesh.
Alvin Karaqi Kosova është përfaqësuar denjësisht nga karateistët e saj në turneun ndërkombëtar trandicional, “Istanbul Open 2010”, ku edhe njëherë u dëshmua potenciali i sportit kosovarë.
Alvin Karaqi arriti që të fitojë medaljen e artë në kategorinë e juniorëve mbi 76 kilogramë, në disiplinën e kumites. Pos tij, medalje të argjendtë fitoi Hana Shatri në kategorinë e femrave deri në 54 kilogramë dhe një medalje e artë i shkoi Betim Xhaferit në konkurrencën deri 75 kilogramë.
Rezultatet e arritura nga disa prej 11 karateistëve kosovarë në këtë turne, dukshëm kanë tejkaluar pritjet e sportdashësve dhe ekspertëve të sportit kosovarë.
Ajaxi do të kënaqet duke parë derbin e dy gjigantëve të Ligës Premier, Manchester United dhe Arsenal, të cilët do të luftojnë për firmën e portierit, Maarten Stekelenburg.
Thuhet se Ajaxi do ta lë Stekelenburgun të largohet, por tani do të varet se kush do të ofrojë më shumë. Edhe United edhe Arsenal kanë dërguar agjentët e tyre për t’u interesuar për portierin holandez, një gjë kjo që konfirmohet nga burimet e afërta me klubin holandez.
“Ata janë duke e shikuar atë për së afërmi që një kohë të gjatë. Ajaxi është duke pritur oferta për lojtarin në janar, por ai është një portier i klasit të lartë dhe nuk është i lirë. Ne e pranojmë se ai do të dëshironte t’u bashkohej skuadrave në fjalë dhe se dëshiron të luajë në Ligën Premier”, thanë burimet për Goal.com.
Sipas agjentit të sulmuesit të Wolfsburgut, Edin Dzeko, sulmuesi boshnjak mund të përfundojë te Interi, duke hedhur poshtë mega-spekulimin e një dite më parë të La Gazzeta dello Sport, se Dzeko tashmë është lojtar i Juventusit.
“Dzeko te Juventusi? Nuk e di, nuk jam i informuar për këtë çështje. Nuk është e vërtetë ajo që është thënë për Juventusin. Është e mundur që ai të luajë për Bayernin sezonin e ardhshëm, por edhe te Juve. Madje ai mund të transferohet edhe te Interi”, theksoi Irfan Redzepagic, agjenti i Dzekos.
Duke parë heshtjen e Interit kohëve të fundit, mund të konkludojmë se Nerazzurët janë duke përgatitur befasira për afatin kalimtar në janar, ku për disa nga caqet kryesore do të përballen me rivalin e tyre të përbetuar, Milanin.
Bisedimet për kontratën e një prej mesfushorëve më të mirë në botë, Wesley Sneijder me skuadrën e tij, Inter, janë në përfndim e sipër, pasi që asi holandez ka paralajmëruar se ai do të nënshkruajë një kontratë të re.
Pas spekulimeve të shumta mbi të ardhmen e Sneijder dhe kalimin e tij të mundshëm te Manchester United, Real Madridi apo Barcelona, është pikërisht mesfushori holandez ai që ka ‘përshëndetur’ gjigantët e lartpërmendur me një rinovim me kampionin aktual të Evropës, Interin.
“Ky është klubi im dhe jam shumë mirë këtu. Pas rreth dy javësh ne do të mbyllim bisedimet për rinovimin dhe unë do të nënshkruaj kontratën e re”, theksoi Sneijder për Il Corriere dello Sport.
Rinovimi do ta mbajë Sneijderin në Meazza deri në vitin 2015, ndërsa paga do t’i ngritet nga 4 milionë, në 6 milionë euro.
Mesfushori i Manchester Cityt, Patrick Vieira, ka thënë se ai do të pensionohet në fund të sezonit, më së largu pas sezonit të ardhshëm.
“Në moshën 34 vjeçare, është tejet e komplikuar. Unë kam rast të mirë për të përfunduar karrierën këtu te Manchester City, këtë sezon apo sezonin e ardhshëm”, theksoi Vieira.
34 vjeçari gëzon një karrierë të bujshme me Arsenalin, Juventusin dhe Interin, me të cilët ka fituar tituj të shumtë, para se t’u bashkohej bluve të Cityt. Ai poashtu fitoi Kampionatin Botëror me Francën në Francë në vitin 1998.
Pronari i Liverpoolit, Tom Hicks, ka thënë se ai do të luftojë me të gjitha mjetet për të prishur marrëveshjen e arritur mes bordit të Liverpoolit dhe New England Sports Ventures, për shitjen e Liverpoolit.
Shitja e propozuar pritet që t’i shkojë Gjykatës së Lartë javën e ardhshme, pasi amerikani ka deklaruar se drejtori komercial Ian Ayre dhe drejtori menaxhues Christian Purslow, nuk patën të drejtë ta shesin Liverpoolin, pasi që ishin të shkarkuar në atë moment.
Në vend të tyre, ai ka tentuar të vë në pozitë djalin e tij Mack Hicks dhe asistentin Lori Kay McCutcheon, për të bllokuar ofertën. Por, Martin Broughton ka thënë nga ana tjetër se vetëm ai ka të drejtë të bëjë ndryshime, pasi që e ka mandatin e Bankës Mbretërore Skoceze, së cilës amerikanët Hicks e Gillet i kanë borxh rreth 300 milionë funte.
“Ne legalisht e kemi rikonstruktuar bordin dhe bordi nuk e aprovon dot transaksionin. Kjo është arsyeja se pse ekzistojnë ligje dhe gjykata”, u shpreh Hicks.
Ronaldinho dhe Kaka Milani thuhet se është i gatshëm që në çdo moment ta largojë mjeshtrin brazilian, Ronaldinhon, për ta rikthyer legjendën Rossonere, Kaka, aty ku e ka vendin, në San Siro.
Ronaldinho është në pritje të një kontrate të re nga Milani, por ofertat atraktive nga Flamengo dhe La Galaxy mund ta joshin brazilianin drejt largimit. Kjo nuk korespondon me deklarimet e Berlusconit, që tha se Ronaldinho është përjetë te Milani, pasi që Tuttosport mendon ndryshe dhe e sheh Ronaldinhon të larguar në janar.
Sipas gazetës torineze, Kaka është synimi i zyrtarëve të Milanit, pas një viti jo të mirë për brazilianin në Bernabeu, që është periferik në planet e Jose Mourinhos. Milani pritet të përdorë të njëjtën metodë sikurse të transferimit të Ibrës, por se kësaj radhe do shrytëzojë edhe mjetet nga shitja e Ronaldinhos.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është i kënaqur me formën e kapitenit të tij, Carlos Tevez.
Është e qartë se Mancini pret më shumë nga sulmuesi argjentinas, së paku derisa sulmuesit tjerë si Emmanuel Adebayor dhe Mario Balotelli të kthehen për të dhënë kontributin e tyre.
“Tevez është aty me më të mirët. Ai shënon në ndeshjet e mëdha, ai lufton me mbrojtës shtatlartë, ai ka kualitete dhe potential. Por një ekip nuk mund të varet vetëm nga një lojtar. E kam bërë atë kapiten, pasi doja ai të përmirësohet me gjithë respektit. Ai ka potencial dhe po përmirësohet”, ka thënë Mancini.
Bayern Munich raportohet se dëshiron të transferojë në radhët e veta mbrojtësin e Evertonit, Johnny Heitinga.
Holandezi ka joshur edhe interesimin e një klubi tjetër të Bundesligës, Wolfsburg. Por sipas të përditshmes britanike, Daily Express, Bayerni po ashtu ka kthyer shikimin kah Heitinga.
Bavarezët dëshirojnë ta transferojnë mbrojtësin që në afatin kalimtar të janarit, për të zgjidhur problemet në mbrojtje, që e kanë lënë ekipin në pjesën e poshtme të tabelës së Bundesligës në këtë fillim sezoni.
Mediat angleze shkruajnë se Interi planifikon të transferojë në radhët e veta anësorin Tottenhamit, Gareth Bale.
Daily Mail bën të ditur se kampioni i Evropës dëshiron të shfrytëzojë interesimin e Tottenhamit për Sulley Muntarin, duke përfshirë mesfushorin në ofertën për të marrë Bale.
Harry Redknapp e ka bërë të qartë se ai nuk dëshiron ta humbë yllin në ngritje, Bale, por kjo nuk ka penguar interesimin nga ekipe tjera për 21-vjeçarin.
Rafa Benitez e njeh mirë talentin e ish-lojtarit të Southampton dhe ish-menaxheri i Liverpoolit e sheh atë si një zgjidhje për problemet në krahun e majtë te Interi.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se suksesi i Chelseat në këtë fillim sezoni është si rezultat i renditjes më të mirë të ndeshjeve.
Ferguson mendon se pozita e Chelseat në maje të tabelës është ca e pavërtetë, për shkak të ndeshjeve të lehta që Blutë kanë zhvilluar deri tash këtë sezon.
“Nëse shikoni fillimin e sezonit të Chelseat, edhe do të kishit pritur që ata t’i kishin fituar këto ndeshje. Ndërkaq, ne kemi pasur udhëtime të vështira, si te Fulham dhe Evertoni, dhe kemi luajtur ndaj Liverpoolit në shtëpi”, ka thënë Ferguson.
Drejtuesit e klubit Paris Saint Germain janë duke u munduar ta rikthejnë Ronaldinhon në kryeqytetin francez.
Mesfushori i Milanit filloi karrierën në Evropë me PSG dhe ishte pjesë e ceremonisë së klubit këtë javë. Kjo ka bërë drejtuesit e klubit të mendojnë mundësinë e rikthimit të tij në PSG, ku ai do të mund të mbyllte karrierën.
Mbrojtësi aktual i klubit, Mamadou Kakho, ka thënë se ai do ta mirëpriste ardhjen e brazilianit. “Ai është idhulli im, dua të luaj me të te PSG”, ka thënë Sakho.
Edhe ish-mbrojtësi i Chelseat, Claude Makelele, i cili luan për klubin francez, ka deklaruar se Ronaldinho është një prej lojtarëve më të mirë në botë dhe i ka kërkuar atij ta mbyllë karrierën në Paris.
E ardhmja e Ronaldinhos me Milanin është ende e paqartë pasi të dy palët ende nuk kanë arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës.
Presidentja e Romës, Rosella Sensi, ka ndaluar të gjitha intervistat për të gjithë pjesëtarët e stafit të klubit.
Roma është vetëm një pikë larg fundit të tabelës pas gjashtë javësh dhe është pushtuar nga kundërthëniet sa u takon iritimeve të Francesco Tottit dhe Marco Borriellos pas zëvendësimeve.
“Mendoj se në momente të vështira, veçanërisht në sport, puna është mjekimi më i mirë. Ne duhet të japim përgjigje me vepra dhe jo me fjalë. Kjo arrihen me djersitje gjatë stërvitjeve, ushqim të shëndetshëm dhe sjellje të mirë”.
“Në sport ekipi është ai që duhet të funksionojë dhe ne kështu edhe do të dalim nga kjo situatë. Ka heshtje në media, por çdokush mund ta shprehë veten gjatë të shtunës, 16 tetor, kundër Genoas”, ka thënë Sensi në deklaratë.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, beson se lufta për titull këtë sezon mund të mos jetë e limituar vetëm në dy garues, siç ka qenë rast disa herë në kampanjat e fundit.
Valencia aktualisht është duke udhëhequr tabelën me 16 pikë nga gjashtë ndeshje, një më shumë se vendi i dytë ku ndodhet Villarreal. Madrid është i treti me 14 pikë dhe Barcelona e katërta me 13 pikë.
“Ne nuk duhet të shqetësohemi vetëm për Barcelonën, pasi ekipet tjera po ashtu po ia dalin mirë. Për shembull Valencia është e para në tabelë. Ne kemi nevojë të vazhdojmë të punojmë shumë, të luftojmë në ligë. Ekipi së fundi tregoi se ne po përmirësohemi, po zhvillohemi dhe po ecim përpara në shumë aspekte. Ne po shijojmë një start të mirë në ligë”, ka thënë Ronaldo.
Ish-ylli i Juventusit, Interit dhe Milanit, Christian Vieri, aktualisht është duke u stërvitur me Lazion, me të cilin ekip luajti një sezon, gjatë vitit 1998-99, por shton se nuk e ka në plan t’i kthehet futbollit.
“Cristian Brocchi më ka thënë të stërvitem me Lazion gjatë pauzës ndërkombëtare, andaj erdha ta vizitoj atë për disa ditë. Është një stërvitje e mirë, andaj së paku do të humbas ca peshë... Megjithatë nuk shqetësohem, pasi nuk e kam në plan të rikthehem në sport”, ka thënë Vieri.
“Por, nëse e kam një top të mirë para meje, atëherë ende mund ta dërgoj atë në rrjetë, edhe pse kam peshë të lartë. A më mungon futbolli? Duhet të them, jo edhe aq. Kam menduar se do të jetë më keq, por më herët ose më vonë duhet t’i varni këpucët”, ka shtuar ish-sulmuesi italian.
Manchester United ka tejkaluar shifrën e 3 milionë ‘miqve’ në faqen sociale Facebook.
http://www.facebook.com/manchesterunited tashmë ka mbledhur më shumë se 3 milionë fansa që kur është lansuar, duke i bërë Djajtë e Kuq ekipin më të ndjekur Anglez në këtë faqe sociale, bën të ditur Sportingintelligence.com.
Fansat e United që e ndjekin klubin në Facebook vazhdojnë të shtohet, me rreth 500 mijë anëtarë të rinj që vendosin t’i bashkohen radhës së përcjellësve çdo muaj.
“Kjo edhe një herë nxjerr në pah bazën e gjerë globale të fansave. Nëse shikojmë shtrirjen e fansave tonë, do të shohim se ata janë gjithkund, nga Stretford deri në Singapor, Santiago, duke treguar fuqinë joshëse të United”, ka thënë zëdhënësi i klubit.
Drejtori sportiv i Palermos, Walter Sabatini, thotë se Javier Pastore do të ishte një nënshkrim ideal për Barcelonën.
Derisa thotë se argjentinasi nuk është për shitje, Sabatini thotë se vetë fakti që ka në ekip një lojtari që mund të luajë për Barcelonën, është ngazëlluese.
“Për momentin ne nuk kemi marrë ndonjë ofertë nga Barcelona dhe lojtari nuk është në shitje, por Pastore do të përshtatej në mënyrë të përkryer në ekipin e Guardiolas, pasi ata luajnë të njëjtin lloj futbolli”.
“Ai duket sikur Zidane, këto lojtarë lindin vetëm çdo 20 vite. Ai është lojtar magjik, i cili krijon gola dhe po ashtu një punëtor i madh, shumë i bujar, që gjithmonë dëshiron të punojë për ekipin. Dhe ne do të shohim ofertat për sezonin e ardhshëm, por në janar nuk do të bisedojmë”, ka thënë Sabatini.
Tomas Ujfalusi është i kënaqur me kontratën e tij të re me Atletico Madrid.
Mbrojtësi çek ka deklaruar se ai shpreson se do të mund ta mbyllë karrierën me klubin spanjoll.
“Jam shumë i kënaqur që do të vazhdoj karrierën time me këtë fanellë dhe synimi im është të qëndrojë këtu për gjithë jetën”
“Tash jam 32-vjeçar, do të luaj edhe tre vite të tjera, pastaj do të ndaloj. Gjithmonë do të jap gjithçka nga vetja për këto ngjyra”, ka thënë Ujfalusi.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është i brengosur nga fakti se skuadra e tij e ka humbur instinktin vrasës, që u dha Djajve të Kuq tre tituj të Ligës Premier radhazi nga viti 2006 deri në vitin 2009.
“Ky ekip nuk vret aq mirë sa është e nevojshme. Te Evertoni, pranë rezultatit 3-1 patëm tre apo katër raste për të shënuar, por për këtë paguam në fund. Ne kemi lënë të hyjnë dy gola ashtu pa kurrfarë nevoje”.
“Instinkti vrasës nuk është këtej pari për momentin dhe është diçka të cilën duhet ta zhvillojmë”, u shpreh Ferguson.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, ka deklaruar se ai do të rikthehet shumë shpejtë në fushën e lojës, ndërsa këtë shpreson ta bëjë ndaj Aston Villas pas ndeshjeve të përfaqësuesve për Euro 2012.
“Unë nuk dua të vë data, por po shpresoj në një rikthim pas ndeshjeve të përfaqësuesve”.
“Kam punuar javë të tëra me fizioterapeutët. Shpresoj se nuk do të mungoj edhe për shumë kohë. Unë jam njeri i keq kur qëndroj përreth dhe nuk luaj, është frustruese për mua”, theksoi Lampard.