Nani Portugalia dhe Spanja kanë shënuar fitore prej 3-1 në takimet e tyre respektive ndaj Danimarkës dhe Lituanisë, në takimet të vlefshme për kualifikim për Euro 2012.
Portugalia e mbylli ndeshjen pas vetëm gjysmë ore lojë, kur ylli i Manchester United, Nani, realizoi dy herë brenda dy minutave (29’ dhe 31’).
Ricardo Carvalho e ngushtoi epërsinë në 2-1 me një autogol, kurse në shtëpi danezët i dërgoi superylli Cristiano Ronaldo me golin e tij për 3-1, pas 85 minutash lojë.
Edhe Spanja ka shënuar fitore prej 3-1 ndaj Lituanisë, ku protagonistët ishin Fernando Llorente (47’ dhe 57’) dhe David Silva (79’). Golin e vetëm për mysafirët e shënoi Sernas (54’).
Spanja dalëngadalë po kthehet në krye të Grupit I, përderisa, Portugalia po ka telashe të vazhdueshme, pasi që me vetëm katër pikë është larg Norvegjisë, që pas tre ndeshjeve ka plot nëntë pikë.
Miroslav Klose duke e festuar golin me bashkëlojtarët Gjermania ka arritur që të shënojë fitore të lartë me rezultat 3-0 ndaj Turqisë, ndeshje kjo e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve për Euro 2012.
Ndeshja ishte e baraspeshuar me një iniciativë të lehtë për turqët deri në fund të pjesës së parë. Një goditje me kokë e Thomas Mullerit, e cila përfundoi në shtyllën e portës turke, iu kthye në kokë Miroslav Kloses (42’), që realizoi për 1-0 dhe epërsinë e parë për nën-kampionin e Evropës. Në pjesën e dytë Gjermania vazhdoi të ishte solide në mbrojtje. U desh që të vinte minuta e 79-të, që Mesut Ozil të realizonte ndaj kombëtares së tij amë, në mënyrë që ta dyfishonte epërsinë për Gjermaninë.
Rezultatin përfundimtar prej 3-0 sfidës ia dha Miroslav Klose, që ishte përsëri i pamëshirshëm (87’).
Me këtë fitore Gjermania arrin të prekë pozitën e parë në Grupin A me nëntë pikë pas tre ndeshjeve të luajtura.

Lojtarët e Shqipërisë duke e festuar golin e Klodian Duros As Bosnja nuk ka arritur të dalë e fituar nga Qemal Stafa, pasi që Shqipëria në mënyrë solide arriti të mbante kreun në Grupin D të kualifikimeve për Euro 2012.

Të gjitha biletat ishin shitur për ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin Kombëtar, ku mbretëroi atmosferë impozante në çdo sekondë të takimit.


Bosnja e nisi më mirë takimin, me një përqëndrim të lehtë të Shqipërisë në mbrojtje. Sidoqoftë, gabimi i parë u takon vendasve. Pas një harkimi të mirë në zonë, Vedat Ibisevic gjendet për mrekulli për të zhbllokuar rezultatin në 1-0 për Bosnjën (21’).


Shqipëria filloi të gjallërohet në lojën e saj. Pas një pasimi të bukur për Hamdi Salihin, ishte ky i fundit ai që për mrekulli arriti të lansojë një goditje fenomenale, e cila dridhi transferzalen e portierit Asmir Begovic dhe stadiumin Qemal Stafa.


Në fund të pjesës së parë, vjen dhe momenti kyç i këtij takimi. Një top të gjatë drejt Erjon Bogdanit, që do ta nxirrte këtë të fundit të vetmuar para portierit boshnjak, e ndali qëllimisht me dorë një mbrojtës boshnjak, që u ndëshkua vetëm me karton të verdhë.


Goditjen e lirë nga kjo ndërprerje për mrekulli e shfrytëzoi Klodian Duro, që me një goditje mjeshtërore arriti të fotografonte portierin Asmir Begovic në panoramën e Stadiumit Qemal Stafa, që në ato momente ishte në ekzalt, pasi rezultati ishte barazuar në 1-1.


Pjesa e dytë ishte e baraspeshuar, me Shqipërinë që nuk ishte konkrete para portës dhe me boshnjakët të cilët e goditën transversalen. Ndeshja përfundoi me barazim 1-1, një barazim ky plotësisht i merituar për Shqipërinë, që mundi të nxirrte edhe tri pikë, por që ishte e pafat.


Shqipëria mbetet lidere në Grupin D, të paktën deri nesër, me pesë pikë, po aq sa ka edhe Bjellorusia që barazoi në transfertë te Luksemburgu. Nesër zhvillohet dueli tjetër i këtij grupi mes Francës dhe Rumanisë.

Sulmuesi italian, Antonio Cassano Përfaqësuesja e Italisë nuk ka arritur të realizojë në takimin e zhvilluar në transfertë te Irlanda Veriore, pasi ka barazuar 0-0.
Në takimet tjera të Grupit C, Serbia është turpëruar para tifozëve të vet nga Estonia, e cila e ka mposhtur me rezultat 3-1.
Ndërkohë, Sllovenia ka regjistruar fitore të lartë prej 5-1 kundër Ishujve Faroe, që njëherit është edhe fitorja e parë pas tri ndeshjesh.
Edhe përkundër barazimit, Italia do të mbajë kreun e grupit me shtatë pikë, e ndjekur nga Sllovenia, Serbia dhe Irlanda e Veriut që kanë nga katër pikë.
Klaas Jan Huntelaar Holanda nuk ka arritur të shënojë më shumë se një gol si mysafir i Moldavisë në takimin e vlefshëm për Grupin E të fazës kualifikuese për Euro 2012.
Golin e vetëm në ndeshje e realizoi sulmuesi i Schalkes, Klaas Jan Huntelaar (37’), me ndihmën e mesfushorit të Tottenhamit, Rafael van der Vaart.
Në takimin tjetër të këtij grupi, Hungaria e ka nëpërkëmbur San Marinon duke e mposhtur me rezultat 8-0.
Pas kësaj fitoreje, Holanda me kreun e Grupit E me nëntë pikë, tre më shumë se Hungaria dhe Suedia.
Liga Premier u ka dhënë dritën e gjelbër drejtuesve të New England Sports Ventures (NESV), për ta blerë Liverpoolin, pas padisë nga ish-pronarët Hicks dhe Gillet që nuk e dëshironin shitjen e klubit.
“Liga Premier është takuar me pronarët e New England Sports Ventures (NESV), sa i përket shitjes së Liverpoolit. Liga Premier është e kënaqur me informatat e marra, duke përmbushur kriteret për aprovimin e shitjes. Asgjë nuk është e sigurt derisa të mos zyrtarizohet transaksioni”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga Liga Premier.
Nëse nuk zyrtarizohet shitja e Liverpoolit deri më 15 tetor, atëherë Banka Mbretërore Skoceze do të marrë nën pronë të saj kompaninë e Hicks dhe Gillet, Kop Holdings, ndërsa nga ana tjetër Liverpooli do të dënohej me heqje të nëntë pikëve në tabelën e Ligës Premier.
Mesfushori i Juventusit, Alberto Aquilani, ka deklaruar se ai kurrë nuk e ka tradhtuar Romën.
“Fakt është që Juventusi ma dha rastin për t’u rikthyer në Itali dhe unë e shfrytëzova atë. Nuk ishte vendim i lehtë ky, sepse Juventusi ka mesfushorë të mëdhenj”.
“Shumë gjëra të padrejta ishin shkruar. Roma më shiti për një çmim të lartë edhe pse e ka ditur se unë doja të luaja për ata. Në Romë, ata shpejtë flasin për tradhti. Nuk e kam tradhtuar askënd”, u shpreh Aquilani.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka deklaruar se ai nuk ka nevojë për mbrojtësin e Tottenhamit, Gareth Bale, pasi që ndjen se Marcelo po përmirësohet në aspektin defensiv.
“Real Madridi është vazhdimisht i lidhur me këtë lojtar, por unë dua të them se nuk e dëshiroj një mbrojtës tjetër të krahut të majtë. Marcelo tani ka cilësi ofensive dhe në mënyrë defensive është duke u ngritur”.
“Nuk më pëlqeu asgjë për Marcelon kur erdha këtu, sepse mendova se ai nuk do të mund të luante si mbrojtës, por tani e dua atë”, theksoi Mourinho.
Mesut Ozil Trajner i Werder Bremenit, Thomas Schaaf, ka kritikuar mesfushorin gjerman dhe ish-asin e tij, Mesut Ozil, duke thënë se ai pati edhe momente të vështira gjatë qëndrimit të tij në Wesser Stadion.
“Kur flasim për Mesut Ozil, ne vetëm flasim për performancat e tij gala. Por, ka pasur momente, periudha të caktuara ku ai luajti dobët, sikurse në pranverën e sezonit të kaluar”.
“Natyrisht, ai mund të luajë më mirë. Fatkeqësisht, ai shpesh mendohet se përkundër faktit se ai posa u transferua, duhet të përshtatet menjëherë, sikurse të ketë luajtur dhe jetuar atje me vite të tëra”, u shpreh Schaaf.
Mbrojtësi i Interit, Maicon, është duke u përballur me paqartësi të mëdha për të ardhmen e tij, pasi ishte lidhur një kohë me Real Madridin, ndërsa tani Antonio Caliendo, agjenti i brazilianit, shpreson në një telefonatë nga Massimo Moratti.
“Rinovimi? Po e pres Morattin që të më thërrasë në telefon”.
“Shpeshherë kjo ndodh spontanisht pa hapje dhe mbyllje. A do të ketë shkëmbim me Benzema? Tregu është i hapur për çdo mundësi”, theksoi Caliendo.
Më herët në mëngjes është spekuluar për një shkëmbim Maicon-Benzema, një ide kjo e hedhur nga vetë Massimo Moratti, gjithnjë sipas mediave italiane.
Ryan Giggs Veterani i Manchester United, Ryan Giggs, ka pranuar se ai e ka urryer me mish e shpirt Liverpoolin sa ishte djal i ri.
“Unë kam qenë pjesë e periudhës më të suksesshme në histori të Manchester United”.
“Ne jemi munduar shumë, ndërsa Liverpooli po fitonte gjithçka. Unë u rrita si fans i United që e urreu suksesin e Liverpoolit”, theksoi Giggs për CNN.
Arbnor Morina Ish-drejtori i FC. Prishtina, Arbnor Morina, është emëruar edhe zyrtarisht trajner i Hysit, për të zënë vendin e të larguarit, Bylbyl Sokoli.
Bylbyl Sokoli dha dorëheqjen e tij ditë më parë pas acarrimeve me pronarin e klubit, Hysen Sadikun.
Tani Sadiku ka reaguar dhe e ka kthyer atu ky ka qenë më parë Arbnor Morina, që ashtu si Bylbyl Sokoli, vitin e kaluar kishte dhënë dorëheqje nga postet e tij në klub, pas mos marrëveshjeve me pronarin.
Hysi gjendet me pikë të njëjta me F.C Prishtinën në krye të tabelës së Superligës.
Emir Bajrami Trajneri i Suedisë, Erik Hamren, ka marrë lajme zhgënjyese para superduelit ndaj Holandës të martën, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2012, pasi që sulmuesi kosovar Emir Bajrami, nuk do të jetë në gjendje të paraqitet.
Bajrami pësoi një dëmtim në sfidën e humbur të Twentes ndaj Tottenhamit në Ligën e Kampionëve, ndërsa ishte menduar se ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Holandës.
Sidoqoftë, stafti mjekësor i Suedisë konstatoi se Bajrami nuk është në gjendje të luajë. Hamren nuk ka ftuar ndonjë zëvëndësim për Bajramin e lënduar.
Mesfushori kombëtares shqiptare, Lorik Cana, gjatë një interviste për Sporti Shqiptar, ka thënë se mbrojtja kuqezi duhet t´i ketë nën vëzhgim edhe kërcënimet tjera të Bosnjës dhe të mos fokusohet për të ndaluar vetëm sulmuesin Edin Dzeko.
Shqipëria sonte pret në Qemal Stafa përfaqësuesen e Bosnjë dhe Hercegovinës, në kuadër të eliminatoreve për Euro 2012. Një fitore do ta mbante Shqipërinë edhe më tej në maje të grupit D dhe do të mbante të hapur garën për kualifikim për në finale.
"Është kënaqësi e madhe të luash përballë lojtarëve të mëdhenj. Gjithmonë je i karikuar të bësh më të mirën me topin. Me nivelin tonë kemi treguar që mund të ndalim çdo kundërshtar, pavarësisht emrit që ka".
"Sulmuesit e mëdhenj kanë veçantitë e tyre, ndërsa për Dzekon mund të them se ka shumë besim te vetja, çka e ka treguar me golat që ka shënuar. Nuk është vetëm Dzeko, duhet të kemi shumë kujdes Ibisheviçin, Misimoviçin dhe të tjerët. Po luajtëm në nivelin tonë më të lartë, mund t’i përballojmë", ka thënë Cana.
Spekulimet për superyllin e Real Madridit, Kaka, nuk kanë ndërmend të ndalen, me tabloidet angleze që tashmë shkruajnë për interesim të skuadrave angleze, duke përfshirë këtu edhe Liverpoolin në krizë të thellë.
Daily Mail shkruan se Interi ka qenë deri pak kohë më parë favoriti kryesor për firmën e brazilianit, por Nerazzurët frikësohen se konkurrenca e madhe e skuadrave angleze do të bënte që çmimi të rritej dhe kjo nuk u përshtatet aspak interesave të tyre.
Nga ana tjetër, thuhet se Chelsea është në pole pozicion për Kakan, për shkak të marrëdhënieve të mesfushorit me Ancelottin. City nga ana tjetër gjithnjë ka qenë i interesuar dhe tani duket se nuk do ta ndalohet nga transferimi i Kakas, ashtu si dy vite më parë, kur Kaka ishte për një moment lojtar i Cityt.
Megjithatë, kështu nuk mendojnë pronarët e rinj të Liverpoolit, të cilët si ‘dhuratë’ për tifozët e tyre të zhgënjyer nga forma e dobët, pritet që në janar ta sjellin në Anfield mesfushorin brazilian.
Ronaldinho ka dalë publikisht për të sqaruar pozicionin e tij në lidhje me Milanin, vetëm pak orë pasi ishte pohuar se gjeniu brazilian do të largohej nga Milanello, për t’i lënë vend rikthimit të legjendës Rossonere, Kaka.
“Unë natyrisht se nuk do të largohem në janar. Unë jam mirë te Milani dhe kam besim në presidentin. Për të ardhmen do të flasim më vonë. Shpresoj të kthehem në ekipin e Brazilit”.
“Kaka? Ai bëri histori në këtë klub. Nëse ai kthehet, atëherë do të jetë i mirëseardhur”, tha Dinho për Sky Sport Italia.
Scudetto e vitit 2006 iu morr Juventusit. Avokati i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Stefano Palazzi, është i gatshëm që të vë në pikëpyetje Scudetton që iu dha Interit në vitin 2006, ndërsa për këtë pritet që të shfrytëzojë dëshmitë e dala në gjykatën e Napolit.
Për ata që i kanë përcjellur zhvilliimet e Calciopolit muajve të fundit në gjykatën e Napolit, dihet mjaft mirë se mbrojtja e Moggit ka paraqitur telefonata të drejtuesve të Interit me dizejnatorët e gjyqtarëve, të cilat tani pritet t’i përdorë Palazzi, në hetimin e tij për Scudetton e vitit 2006.
Sipas La Gazzetta dello Sport, është pikërisht Scudettoja e vitit 2006 që është në balancë, pasi që Juve e kërkon me ngulm titullin që iu dha Interit pas procesit të atëhershëm të Calciopolit.
Lionel Messi dhe Keisuke Honda Japonia ka mposhtur Argjentinën në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Saitama, me rezultat minimal 1-0.
Argjentina dominoi lojën si me posedim ashtu dhe me rastet e krijuara nga superyje të tilla si Lionel Messi dhe Diego Milito. Sidoqoftë, ylli i ndeshjes ishte Shinji Okazaki që realizoi golin e parë dhe të fundit në këtë takim pas një kundërsulmi mirë të organizuar (19’).
Kjo humbje ia vështirëson punët selektorit të përkohshëm, Sergio Batista, që të emërohet përfundimisht përzgjedhës i Argjentinës, përkundër faktit se muaj më parë ia mori fytyrën Spanjës.
Trajneri i Real Madridit Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka zbuluar se ai e ndjen mungesën e futbollit anglez.
Mourinho ka lëshuar një sulm të maskuar ndaj mediave spanjolle, duke thënë se ka shumë komente për ndeshjet në ishullin Iberik, ngjashëm si edhe me Interin në Itali.
“Më mungon futbolli anglez dhe unë i mungoj futbollit anglez. Më pëlqen futbolli anglez sepse ndeshjet zgjatin vetëm 90 minuta. Në Spanjë dhe Itali ka para-ndeshje dhe pas-ndeshje”, ka thënë Mourinho për sportiven AS.
Pamje nga konferenca Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në Futboll, Albert Bunjaki, ka thënë se ai ka pasur vështirësi për të grumbulluar lojtarët më të mirë për ndeshjen kundër Xamax Neuchatel, për shkak se këtë nuk e kanë lejuar klubet ku luajnë lojtarët.

Përfaqësuesja e Kosovës të shtunën me fillim në ora 19.30 do të ndeshet në një miqësore me klubin zviceran Xamax, që do të jetë edhe një rast i mirë për përzgjedhësin Bunjaki të testojë disa prej lojtarëve dhe talentëve të rinj.


“Ka qenë e pamundshme të realizohet lista më herët dhe jemi detyruar që vetëm deri në ditën e fundit të kuptojmë për lojtarët që do të vijnë të luajnë. Kam ftuar 18 lojtarë bazë dhe dy talentë që do të jenë vetëm pjesë e ushtrimeve Besnik Salihi (Young Boys), Ramadan Morina (Zurich)”.


“Ka pasur edhe të lënduar që kanë anuluar ardhjen si portieri i Kalmarit, Etrit Berisha dhe mesfushori i Helsingborgut, Ardian Gashi. Kjo listë nuk është e përkryer, por më shumë nuk kam mundur të bëj sa i përket ardhjes së lojtarëve. Në disa klube kam pasur mirëkuptim. E pranoj se ka lojtarë që unë edhe nuk i njoh, por këta janë nga ligat e mira”, ka thënë Bunjaki gjatë konferencës së shtypit rreth ndeshjes së nesërme.


Bunjaki po ashtu ka paralajmëruar lojtarët për shkak se ndeshja luhet në bar artificial, e që mund të jetë problem për disa lojtarë.


Në vazhdim lojtarët e grumbulluar:


Portierët: Kushtrim Mushica (Renova), Agim Dushica (Gjermani)


Mbrojtës: Liridon Leci (Kastrioti), Avni Pepa (Start IK), Alban Dragusha (Skenderbeu), Liridon Kukaj (Vllaznia), Shqipon Skeraj (pa klub), Behar Maliqi (Prishtina)


Mesfushorë: Anel Rashkaj (Halmstad), Alban Ramaj (Erzgebirge AUE), Enis Alushi (Paderborn), Ymer Xhaferi (Jaro), Kristian Nushi (St Gallen), Shqipon Bektashi (Freiburg)


Sulmues: Valdet Rama (Hannover), Drilon Shala (Lahti), Kujtim Balaj (Halmstad), Liridon Hasani (Gjilani)


Rezervë: Besnik Salihi (Young Boys), Ramadan Morina (Zurich)

Milani raportohet se është duke bërë gati një ofertë në vlerën e 20 milionë eurove për mbrojtësin e Benfica, David Luiz.
Sipas gazetës portugeze A Bola, Rossonerët dëshirojnë që mbrojtësi 23-vjeçar të jetë partner me Thiago Silva.
Dyshja janë stërvitur së bashku me kombëtaren braziliani dhe kanë luajtur për ekipin e trajnerit Manu Menezes në fitoren 3-0 të Brazilit ndaj Iranit.
Gjigantët spanjoll, Real Madrid dhe Barcelona dhe klubet angleze Chelsea dhe Manchester City po ashtu thuhet se janë të interesuara për mbrojtësin.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, është shndërruar në cakun kryesor të Juventusit për afatin kalimtar dimëror, njofton sportivja madrilene AS.
Francezi nuk është në planet e Jose Mourinhos ose të paktën nuk pëlqehet dhe aq nga portugezi, që është vënë në kërkim të një sulmuesi të ri të klasit botëror.
Juventusi nga ana tjetër është i bindur se mund ta transferojë Benzeman për një shumë më të vogël se sa që bëri Reali në vitin 2009, kur e mori nga Lyoni.
Portieri i Italisë, Emiliano Viviano, e ka quajtur kolegun e tij Gianluigi Buffon si “Maradona i portierëve’.
Viviano do të jetë zëvendësuesi i legjendarit Buffon në portën e Italisë për ndeshjen e sotme kualifikuese për Euro 2012 ndaj Irlandës Veriore në Belfast dhe portieri i ri ka treguar respektin për njëshin e Juventusit.
“Buffon është Maradona i portierëve, nuk është e lehtë të gjesh ndonjë portier tjetër si ai, por në Itali ka shumë portierë të rinj të mirë që meritojnë besim. Janë mediat që bëjnë gjithë këtë, hija e Buffonit, i cili është kampion dhe të cilin e admiroj aq shumë si njeri”, theksoi Viviano.
Giorgio Chiellini thotë se Juventusi nuk mund t’ia lejojë vetes të luajë edhe një sezon tjetër pa qenë pjesë e Ligës së Kampionëve.
Biankonerët dështuan të kualifikohen për në Evropë këtë vit, pasi përfunduan në pozitën e shtatë të tabelës së Serie A sezonin e kaluar, një skenar të cilin mbrojtësi dëshiron ta shmangë.
“Do të ishte fundamentale të jemi pjesë e Ligës së Kampionëve për shumë arsye. Një prej tyre është fakti se kjo ndihmon joshjen e lojtarëve të tillë që mund të bëjnë dallimin”.
“E vërteta është se ne kemi nevojë të bëjmë një hap në kualitet kundër ekipeve më të dobëta. Ne duhet të jemi më të mirë në diktimin e lojërave”, ka thënë mbrojtësi italian.
Alexander Hleb - Birmingham City Mesfushori i Birmingham Cityt, Alexander Hleb, thotë se vendimi për të kaluar në klubin anglez ka qenë një zgjidhje jo e mirë nga ai.
Bjellorusi u transferua te Birminghami si huazim nga Barcelona gjatë verës, por tash ka dalë dhe ka folur negativisht për klubin ku luan dhe stilin e lojës me topa të gjatë, të aplikuar nga trajneri Alex McLeish.
“Jam plotësisht i kënaqur me nivelin e ekipit, por gjëra të tilla ndodhin. Kështu është jeta. Iu kam thënë gazetave se Birminghami nuk është Barcelona ose Arsenali. Në ndeshjet e fundit ka pasur shumë vështirësi, ata vazhdimisht godisnin topa të gjatë në sulm”.
“Në mënyrë të natyrshme më mungojnë kombinimet dhe futbolli kreativ i Arsenalit dhe Barcelonës, por kjo ishte zgjidhja ime. Stili i Birminghamit nuk është ai të cilin e kam ëndërruar. Është mirë që tash kam më shumë kohë në fushë, por dua të luaj lloj tjetër futbolli”, ka thënë Hleb.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, thotë se ai ka qenë i zhgënjyer me fillimin e sezonit të Nerazzurëve.
Kampionët e Italisë mblodhën vetëm një pikë nga gjashtë të mundshme dhe nuk shënuan në Serie A për plot 180 minuta.
“Edhe unë di si t’i bëj llogaritjet. Ne sigurisht pritnim më shumë, mbi të gjitha në Romë dhe sa i takon pikëve në Milan [kundër Juventusit]. Të dyja ndeshjet ishin interesante. Mua më duket se ata luajtën mirë të dielën, andaj është vetëm çështje e shënimit të golave”, ka thënë Moratti.
Barcelona shpreson të sjellë kapitenin e Manchester Cityt, Carlos Tevez, në Nou Camp në afatin e ardhshëm kalimtar.
Raportet thonë se gjiganti katalanas dëshiron që Tevez të bashkohet me bashkëkombësin e tij Lionel Messi. Këto lajme vijnë pas një zënke që menaxheri i Cityt, Roberto Mancini, raportohet se e ka pasur me sulmuesin.
Sipas gazetës katalanase, El Mundo Deportivo, Barca është në kërkim të një sulmuesi të ri, i cili mund të luajë kudo në treshen e sulmit dhe Tevez përmbush këtë kusht, edhe pse nëse ata dështojnë në këtë tentim, edhe sulmuesi i Ajaxit, Luis Suarez, po ashtu është lartë në listën e dëshirave të klubit spanjoll.
Liverpooli ka pranuar një shtytje një javë para derbit të qytetit kundër Evertonit, me lajmin se Fernando Torres mund të jetë i gatshëm për ndeshjen.
Spanjolli u zëvendësua në minutën e 10-të të humbjes së të dielës ndaj Blackpool, me një lëndim në ijë, por klubi është i bindur se ai do të rikuperohet në kohë për takimin e 17 tetorit ndaj Evertonit në Goodison Park.
Ndeshja është e rëndësishme për të dyja klubet pasi, përveç rivalitetit të lartë, të dyja ekipet mbledhin nga 6 pikë në pozitat 17 dhe 18 dhe ekipi fitues do të linte mbrapa rivalin e tjetër.
Alexandre Pato Gola të bukur dhe një rikthim fantastik nga lëndimi i Patos, ishin pjesa kryesore e takimit miqësor të zhvilluar mes Iranit dhe Brazilit, ndeshje kjo që përfundoi në të mirë të Selecaos me rezultat 3-0.
Ishte Daniel Alves ai që zhbllokoi rezultatin pas 14 minutash lojë, kur fotografoi portierin iranian me një raketë braziliane nga gjuajtja e lirë.
Në pjesën e dytë në skenë doli Pato që shfrytëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme një pasim (69’), për të shënuar për 2-0 dhe një rikthim me gol nga lëndimi.
Qershia mbi tortë erdhi nga Nilmar, i cili në kohën shtesë shfrytëzoi një harkim për të vënë rezultatin përfundimtar 3-0.
Kjo është fitorja e dytë e Brazilit nën përzgjedhësin e ri Mano Menezes.
Wesley Sneijder, njëri prej kandidatëve kryesorë për ta fituar FIFA Topin e Artë, ka deklaruar se nuk është duke menduar fare për mundësinë e fitimit të këtij çmimi, pasi që ka edhe futbollistë të tjerë që mund ta bëjnë atë.
“Ne nuk duhet të harrojmë që ka futbollistë të tjerë që mund ta fitojnë atë. Unë nuk po mendoj për këtë për momentin. Unë jam i përqendruar plotësisht në ndeshjet e ardhshme”, theksoi Sneijder.
Asi holandez përjetoi sezonin e tij më të mirë në karrierë me Interin, kur fitoi të gjithë titujt, pikërisht në vitin e parë pas transferimit nga Real Madridi, ku ishte pjesë e ‘keqtrajtimeve’ nga stafi i Los Blancos.
Presidenti i Chelseat, Bruce Buck, ka thënë se stadiumi i ri për klubin londinez nuk është në krye të agjendës së Bluve, për shkak të historisë së Stamford Bridge dhe deficitit buxhetor.
“Ekziston shumë traditë dhe histori në Stamford Bridge. Klubi është këtu që prej vitit 1905 dhe është e vështirë për ne që ta marrim vendimin për t’u zhvendosur. Natyrisht, ne nuk do të dëshironim të largoheshim nga Londra perëndimore, pasi që dhe ashtu ka shumë pak vende për ta ndërtuar stadiumin e ri”.
“Ne duhet t’i bëjmë gjërat me aktivitetet tjera komerciale, për të mbuluar deficitin nga fakti i vetëm që nuk kemi një stadium prej 60 mijë ulësesh. Unë nuk mund të them se ne kurrë nuk do të kemi një stadium të ri, por tani për tani kjo nuk është në krye të agjendës tonë. Tani në agjendën tonë është se si të shfrytëzojmë aktivitetet komerciale, rritjen e sponsorëve ashtu si përdorimin e medias së re”, theksoi Buck.
Ata gjithmonë kanë qenë dhe do të mbeten lojtari i 12 të i kombëtares shqiptare. Janë një forcë e madhe për ne dhe na shtyjnë më shumë për të kërkuar fitoren në çdo ndeshje. Kështu është shprehur mesfushori kuqezi Lorik Cana para ndeshjes kundër Bosnje e Hercegovinës.
"Duam të fitojmë edhe për Kuzhen, që nuk do të jetë në pankinë. Ai po vuan shpirtërisht ngaqë nuk mund të jetë pranë nesh. Ai është i pazëvendësueshëm, megjithatë ne do të mundohemi që t'i zbatojmë detyrat që na ka dhënë”, citohet Cana nga Sporti Shqiptar.
“Është e vërtetë që pritet shumë nga ne, lojtarët me përvojë. Detyra ime është ta pozicionoj sa më mirë skuadrën në fushë dhe t'i përcjell mentalitetin e duhur”, ka shtuar ai.
Të premten nga ora 20:30 “Qemal Stafa” zhvillohet ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës, e vlefshme për xhiron e tretë të Grupit D.