Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente Del Bosque, u ka thënë gazetarëve para ndeshjes ndaj Skocisë, se lojtarët e tij janë gjithnjë të motivuar dhe se këtë nuk e ka të vështirë ta bëjë ai.
“Jeta e futbollistit është e shkurtër dhe nuk ke kohë për ta kujtuar të kaluarën. Ka sfida të reja dhe lojtarët e dinë këtë. Nuk është e vështirë t’i motivoj ata”.
“Rivalët qartazi tregojnë lojë më të mirë ndaj kampionëve të botës, por ne jemi mësuar me këtë. Nuk do të ketë asgjë të jashtëzakonshme”, theksoi Del Bosque.
Kampioni në fuqi i Evropës, Interi, është në përgatitje të ofertës për mesfushorin e Real Madridit, Xabi Alonso, njoftojnë mediat në Apenine.
Il Corriere dello Sport shkruan se presidenti Nerazzur, Massimo Moratti, ia ka vënë syrin spanjollit për shkak të formës jo të mirë si teknike ashtu dhe fizike të lojtarëve në dispozicion të Rafa Benitezit.
Pos Xabi Alonsos, në mendjen e Morattit ka hyrë edhe Bastian Schweinsteiger i Bayernit, një synim i vështirë ky për pronarin e gomave të garave automobilistike - Pirelli. Një gjë dihet – tifozët e Interit mund të presin goditje në merkato, jo më larg se verën e ardhshme.
Portier i Real Madridit, Iker Casillas, do të rikthehet për herë të parë në Hampden Park pas vitit 2002, ku e ngriti titullin e Ligës së Kampionëve, ndërsa tani ai do paraqitet në këtë impiant, për supersfidën eliminatore, Skoci – Spanjë.
Casillas ishte vetëm 21 vjeçar kur trajneri i atëhershëm i Realit, Vicente Del Bosque, e dërgoi në portë në vend të Cesar Sanchezit, pranë rezultatit 2-1 ndaj Bayer Leverkusenit, në finalen e Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Hampden Park. Sipas Casillasit, ky takim i dha reputacion atij dhe e futi atë në elitën e portierëve.
“Unë e zëvëndësova Cesarin dhe isha në gjendje të luaja 25 minuta. Unë isha 21 vjeçar dhe isha me fat që gjithçka shkoi mirë. Më pas, për Botërorin e vitit 2002, Santi Canizares pësoi një lëndim, që më lejoi të jem startues në Botëror. Kjo ishte pika kthyese në karrierën time, kështu që, ajo që ndodhi në Skoci dhe më vonë në kombëtare, ishin gjëra me fat për mua”.
“Është e bukur të rikthehem këtu (Hampden Park), për një ndeshje tjetër dhe ne jemi të fokusuar në të fituarit. Çdo ekip i cili luan ndaj Spanjës dëshiron të bëjë më të mirën, ata duan të mposhtin kampionët e botës, kështu që ne ndihemi mirë që duhet të japim maksimumin në çdo takim”, tha Casillas.
Mbrojtsi i Milanit, Alessandro Nesta, është emri më i freskët që ka filluar të lakohet për një kalim te Los Angeles Galaxy.
Milannews.it pohon se La Galaxy ka kthyer vëmendjen kah Nesta, përkundër faktit se është ende i interesuar në transferimin e Ronaldinhos.
Në ndërkohë, La Gazzeta dello Sport pohon se vëllai dhe agjenti i Ronaldinhos, Roberto De Assis, po qëndron në Milano për t’u takuar me Adriano Gallianin për të arritur një marrëveshje të re.
Nëse dështojnë bisedimet e De Assis me Milanin, atëherë mund të ndodhë që Ronaldinho ta shohë veten sezonin e ardhshëm në SHBA, më saktësisht në Hollywood.
Ashtu si Nestas, edhe Ronaldinhos i skadon kontrata në fund të këtij sezoni.
Trajneri i Schalkes, Felix Magath, ka fajësuar referimin skandaloz në Bundesliga, duke thënë se nuk është vetëm ekipi i tij shkaktar i krizës së rëndë të Mbretërve të Kaltër, të cilët kanë vetëm katër pikë pas shtatë javësh në Bundesliga.
“Ne i kemi përfunduar katër prej shtatë ndeshjeve të luajtura me një lojtar më pak në fushë. Unë kurrë nuk e kam parë këtë në karrierën time menaxheriale. Por, ekipi im nuk ka ndonjë problem disiplinor”.
“Neve thjeshtë na mungon zëri. Më thoni se çfarë do bëhej po t’i kishte ndodhur Bayernit? Patjetër se do bëhej e madhe. Unë nuk pajtohem me mënyrën se si merren vendimet”, theksoi Magath për Express.
Schalke aktualisht e sheh veten në pozitën e 17-të, me 17 pikë më pak se lideri Mainz.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, është bërë edhe njëherë subjekt i spekulimeve që e lidhin atë me një kalim te Manchester United, vetëm 24 orë pasi mohoi se do të shkonte në Old Trafford.
Sipas Tuttosport, Manchester United nuk mendon si Buffon dhe ka plane tjera. Djajtë e Kuq e duan një prej portierëve më të mirë në histori të futbollit në shtëpinë e tyre, Old Trafford.
Dhe për këtë, United pritet t’ia ofrojë gardianit italian 6 milionë euro për sezon, ndërsa Juventusi do përfitonte 15 milionë euro në rast se ky transferim ndodh.
Portieri i Interit, Julio Cesar dhe mbrojtësi, Maicon, duhet të jenë kandidatët kryesorë për Topin e Artë, mendon ish-përzgjedhësi i Brazilit, Carlos Dunga.
“Çdo vit zgjedhjet bëhen më të vështira dhe zakonisht njerëzve u kujtohet vetëm goli në finalen e Botërorit. Kjo është shumë gabim”.
“Gjithnjë ekziston rreziku për të harruar dikë. Një shembull? Maicon dhe Julio Cesar patën një sezon fantastik”, u shpreh Dunga.
Clarence Seedorf ka bërë një hap prapa për Milanin sa i përket rikthimit të legjendës, Ricardo Kaka, pasi që sipas holandezit veteran, braziliani nuk ka më se çfarë të kërkojë në San Siro pas largimit drejt Bernabeut.
“Kjo është diçka e pavërtetë. Kaka është mik i imi dhe lojtar i madh, por nuk shoh diçka të vërtetë në këto spekulime”.
“Ai po riaftësohet nga një lëndim i rëndë dhe shpresoj se ai do të rikthehet në formë shumë shpejtë. Megjithatë, unë nuk e shoh atë te Milani”, tha Seedorf.
Mesfushori i Manchester Cityt, Yaya Toure, ka shprehur dëshirën të rikthehet te Barcelona, para se karriera e tij të marrë fund.
Përfaqësuesi i kombëtares së Bregut të Fildishtë u transferua në Eastlands gjatë verës për një shumë prej afro 24 milionë euro, por ka thënë se largimi nga Camp Nou ka qenë ‘një prej momenteve më të vështira në jetë’.
“Do të rikthehem të luaj për Barcelonën, jo si turist. Dua të kthehem te Barcelona, pasi largimi ishte momenti më i vështirë në jetën time. Sergio Busquets është person i mirë dhe pa Busquets, unë nuk do të isha larguar. Ai ka kualitete të shkëlqyeshme dhe ajo çfarë dua janë ndeshjet, jo të qëndroj në stol. Kam fituar gjithçka atje dhe kisha nevojë për sfida të tjera”, ka thënë Toure.
Real Madrid është duke vazhduar të përcjellë situatën e mesfushori Momo Sissoko, te Juventusi.
AS shkruan se Real është i gatshëm të rihapë letrat për transferime të reja në janar dhe Sissoko është në listën e ngushtë të klubit mbretëror.
Ish-mesfushori i Liverpoolit, duket se nuk e gjen veten te Juve dhe është lidhur me një transferim te Wolfsburg.
Trajneri i Realit, Jose Mourinho e njeh Sissokon nga koha e tij në Angli me Chelsean dhe e ka diskutuar transferimin e tij edhe me presidentin Florentino Perez.
Alessandro del Piero vazhdon të jetë i qetë rreth situatës së kontratës së tij te Juventusi.
Marrëveshja e tij aktuale me Juven skadon në fund të këtij sezoni dhe nëse nuk arrihet një marrëveshje e re, ai mund të largohet drejt ligës amerikane të futbollit.
“Me gjithë sinqeritetin, jam i qetë rreth gjithë këtij rasti të kontratës time dhe rreth të ardhmes. Nuk kam ndërmend të heq dorë, por vërtet në këtë moment e ardhmja ime është vetëm një problem i dorës së dytë. Tash dua të fitoj”.
“Sa i takon pjesës së mbetur, ne duhet të lëmë kohë që gjërat të piqen, pa i shpejtuar ata. Nuk kam menduar se çfarë do të bëj pasi të pensionohem, pasi jam ende tepër i ngarkuar në fushë”, ka thënë Del Piero gjatë një bisede me fansa në Facebook.
Ricardo Izecson dos Santos Leite Kaka Trajneri i Bayern Munich, Louis van Gaal, dëshiron ta transferojë në Bundesliga mesfushorin e Real Madridit, Kaka.
I alarmuar nga mundësia e largimit nga Real Madridi, Van Gaal nuk sheh arsye se pse Bayerni nuk mund t´i konkurrojë Interit dhe Manchester Cityt për brazilianin.
Van Gaal e ka diskutuar këtë mundësi me bordin e tij dhe drejtuesit e Bayernit janë të gatshëm t´i bashkohen betejës - nëse Kaka mund ta tregojë formën e tij para se të hapet afati kalimtar dimëror.
Reali është i gatshëm ta shesë Kaka që në janar, me Mesut Ozil dhe Angel di Maria të cilët që të dy po tregojnë kreativitet në mesfushë për të kënaqur trajnerin Jose Mourinho.
Juan Mata thotë se ai është i kënaqur që Valencia ka refuzuar ofertat për të dhe shton se është i lumtur te klubi spanjoll.
"Refuzimi i Liverpoolit? Është një shenjë se klubi më dëshiron mua, kjo do të thotë se ata kanë besim në aftësitë e mia".
"Për të nënshkruar marrëveshje të re, ende mungon diçka, por ka shenja se kjo do të mbyllet në mënyrë të kënaqshme. Unë megjithatë jam i lumtur, shpresoj të qëndroj shumë vite te Valencia. Po e jetoj ëndrrën, kohën më të mirë. E kam filluar sezonin në mënyrën më të mirë", ka thënë Mata.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se ai do të dëshironte të punojë me Zinedine Zidane këtë sezon.
Zidane është duke luajtur rolin e këshilltarit te Reali, por Mourinho do ta dëshironte atë në një pozitë më të afërt.
"Do të doja Zidane të punonte më shumë me mua se me presidentin (Florentino Perez). Nuk mendoj se ai ka ambicie për të qenë menaxher në klub, por do ta doja atë të ishte afër meje", ka thënë Mourinho.
Njëshi i Atletico Madrid, Diego Forlan, ka refuzuar mundësinë për t´u transferuar te kampioni i Rusisë, Rubin Kazan.
Sportivja spanjolle AS shkruan se Forlan ishte kërkuar nga rusët gjatë javës së kaluar. Forlan ka pasur në ofertë një kontratë katërvjeçare të vlefshme plot 24 milionë euro, por e ka refuzuar atë.
Ish-sulmuesi i Manchester United javën e kaluar foli për ambiciet për t´u rikthyer në Angli.
Portieri i Manchester Cityt, Joe Hart, thotë se kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, është një lider i madh në kombëtaren angleze.
Rio Ferdinand tash është në qendër të vëmendjes, me Fabio Capello që ende nuk ka vendosur nëse mbrojtësi i Manchester United do të rikthehet si kapiten apo ky do të vazhdojë të jetë Gerrard.
"Steven është në kategorinë e të qenit në mes të më të mirëve dhe më të respektuarve në botë. Të kesh njerëz të tillë në ekipin tuaj është shumë mirë".
"Mund vetëm të shikoni në ta dhe ata kanë ju joshin. Ata ju japin këshilla kur ju keni nevojë dhe ju bëjnë të luani në formën më të mirë, pasi ata kanë standarde të larta", ka thënë Hart.
Kapiteni i Manchester Cityt, Carlos Tevez, thotë se futbolli është bërë i vetmi preokupim për të dhe ai nuk po bën kurrfarë jete tjetër.
Tevez e ka bërë të qartë se ai nuk po kënaqet shumë derisa luan në Angli, për shkak të orarit të ngjeshur të ndeshjeve dhe hapësirave të pakta për pushim. Tevez ka luajtur në të shtatë ndeshjet e Cityt në Ligën Premier këtë sezon.
"Jo vetëm familja ime, por edhe trupi im po fillon ta ndjejë tendosjen. Kam punuar dhe kam luftuar shumë, dhe do të doja të kënaqem me futbollin tim".
"Kam luajtur në Angli për pesë vite, dhe nuk e kam kaluar asnjë Krishtlindje ose Vit të Ri me familjen time. Më lejoni t´ua them se nuk po e jetoj jetën e futbollistit", ka thënë Tevez.
Tottenham është duke u lidhur me një transferim të sulmuesit të Juventusit, Vincenzo Iaquinta, në afatin kalimtar të janarit.
Tuttosport shkruan se menaxheri i Spurs, Harry Redknapp, ka ringjallur interesimin në Iaquinta, në tentim për të forcuar radhët e sulmit.
Edhe pse Italiani tashmë është 31-vjeçar, ai ka përvojë në Evropë dhe është fitues i medales së Kupës së Botës. Ai do t´i kushtonte Totenhamit jo më pak se 12 milionë euro.
Mbrojtësi i djathtë i Arsenalit, Bacary Sagna, pritet të qëndrojë jashtë fushe për rreth tre javë për shkak të një lëndimi të ri.
27-vjeçari francez pësoi lëndim në humbjen 2-0 ndaj Chelseat dhe nuk u përfshi as në ekipin e Francës për dy ndeshjet e radhës kualifikuese për Euro2012 kundër Rumanisë dhe Luksemburgut, për shkak të problemeve. Sagna thotë se ai nuk ngutet të rikthehet në fushë, derisa rikuperimi i tij të jetë i plotë.
“Është ok. aktualisht jam duke u rehabilituar. Do të zgjasë tre javë. Do të kem nevojë për kohë për t´u rikthyer”, ka thënë ai për televizionin francez Stade 2.