Wesley Sneijder ka ndezur edhe njëherë spekulimet për një largim të tij nga Interi, pasi ndërpreu negociatat me Nerazzurët për vazhdimin e kontratës.Sipas talkSport, ish-mesfushori i Real Madridit, që ka kontratë me Interin deri në vitin 2013, nuk dëshiron të bisedojë për kontratën e tij, as tash, e as gjatë afatit kalimtar veror, pasi që dëshiron të nxisë transferimin te Manchester United.
Burimet nga Meazza thonë se ata presin që bisedimet të vazhdojnë verën e ardhshme, pa kurrfarë garancie se Sneijder do të garantojë se do t’i përkushtohet Interit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka aluduar se ai mund të jetë i interesuar për një rol në kryesi të klubit francez, Paris Saint Germain.“Nuk është e pamundur një kalim te PSG. Por, nuk do të ishte një post si trajner”.
“PSG është i vetmi klub në botë që mbështetet nga më se 10 milionë qytetarë dhe nuk ka konkurrencë nga ndonjë klub rival”, theksoi francezi, që e përmendi prestigjin e PSG si arsye për një rikthim të tij në Francë.
Presidenti i Valencias, Manuel Llorente, ka marrë zemër dhe ka folur për klubin, të cilin dëshiron ta shohë të stabilizuar si ekipin e tretë më të mirë në Spanjë, pas Real Madridit dhe Barcelonës.“Ne aktualisht jemi liderë në kampionat dhe qëllimi ynë është që të stabilizohemi si ekipi i tretë në Spanjë”.
“Është e vërtetë se ka dallime të mëdha mes nesh, Real Madridit dhe Barcelonës, por është me rëndësi që ta zvogëlojmë këtë diferencë”, u shpreh Llorente.
Trajneri i Milanit, Max Allegri, ka hedhur poshtë mundësinë e rikthimit të asit brazilian, Kaka, në San Siro.“Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, por unë nuk kam bërë ende ndonjë kërkesë për merkato. Milani është tepër konkurrues me skuadrën që ka”.
“Ne nuk kemi kohë për të menduar për këto gjëra. Skuadra që unë kam është më shumë se e mirë”, theksoi Allegri.
Vigani i Chelseat, Didier Drogba, ka treguar edhe njëherë se është profesionist i vërtet, duke mos e vënë si prioritet jetësor dhe të karrierës së tij, fitimin e patjetërsueshëm të Ligës së Kampionëve.“Nuk do të ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme për mua, nëse e përfundoj karrierën pa e fituar Ligën e Kampionëve”, theksoi Drogba.
“Unë vërtet dua ta fitoj atë treofe, por askush nuk do të vë në pikëpyetje aftësitë e mia apo arritjet nëse nuk e bëj atë. George Weah dhe Ronaldo (origjinali) nuk e fituan kurrë Ligën e Kampionëve, por kjo nuk i pengoi ata që të bëhen lojtarë të paharruar”, u shpreh fenomeni Drogba.
Pas paraqitjes së tij fantastike ndaj Suedisë të martën mbrëma, Ibrahim Afellay është shndërruar automatikisht në sulmuesin më të kërkuar në Evropë, pasi që pos shumë skuadrave tjera të alarmuara, tani interesim serioz ka filluar të shprehë edhe kampioni në fuqi i Evropës, Interi.Afellay ka shkëlqyer në fanellën e PSV sezonet e fundit, ndërsa tani është cak i një prej skuadrave më të fuqishme evropiane. Kontrata e Afellay skadon në fund të sezonit të ardhshëm dhe për këtë arsye PSV dëshiron ta shesë atë në janar, në mënyrë që sulmuesi të mos largohet si transfer i lirë gjatë verës.
Interi më herët ishte i interesuar në shërbimet e Dirk Kuyt, që është lënduar në sfidën ndaj Suedisë dhe do të jetë gjashtë muaj jashtë aksionit.
Lukas Podolski ka akuzuar klubin e tij aktual, Kolnin, për mungesë të një drejtimi të caktuar, gjë që mund ta detyrojë atë të kërkojë klub tjetër që në janar.“Ne nuk po bëjmë asgjë. Dhe nëse situata mbetet kështu, mua më duhet ta mendoj të ardhmen time diku tjetër”.
“Hanoveri dhe Mainzi janë shembuj të mirë të klubeve të cilat operojnë në mënyrë efektive, përkundër faktit se nuk kanë resurse të mëdha financiare”, tha Podolski për Bild.
Legjenda e Bayernit të Munichut dhe e Gjermanisë, Franz Beckenbauer, ka hedhur poshtë mundësinë që bavarezët ta mbrojnë titullin në Bundesliga këtë sezon.“Për çdo mundësi, them se ata nuk mund të ëndërrojnë të bëhen kampionë, pasi që duhet të luftojnë për tri pozitat e para në tabelë”, theksoi Beckenbauer për Bild.
Bayerni ka regjistruar startin më të dobët në histori të klubit këtë sezon, pasi që pas shtatë ndeshjeve, bavarezët shohin veten në pozitën e 12-të me shtatë pikë.
Mesfushori i Spanjës, Andres Iniesta, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në Hampden Park, në fitoren prej 3-2 ndaj Skocisë.“Ishte një fitore e mirë sepse kundërshtarët kanë bërë presion të lartë mbi ne gjatë gjithë ndeshjes. Ne e kontrolluam lojën dhe pasi mbajtëm posedimin ne ishim në gjendje të tejkalojmë disa momente jo të përshtatshme”.
“Ne kemi arritur synimin tonë për nëntë pikë nga tre ndeshjet e para. Ishte moment i vështirë ai pranë rezultatit 2-2, por në fund e morrëm fitoren dhe u kthyem në shtëpi të kënaqur”, deklaroi Iniesta.
UEFA ka konfirmuar se ka hapur një hetim disiplinor për incidentet që kanë ndodhur gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2012, mes Italisë dhe Serbisë të martën mbrëma.“Pasi është ndëprerë ndeshja kualifikuese për Euro 2012 mes Italisë dhe Serbisë në stadiumin Luigi Ferraris në Genoa, pas vetëm gjashtë minutave lojë, UEFA ka hapur sot një hetim të hollësishëm disiplinor për incidentet në këtë ndeshje”.
“Data mbledhjes së trupit dhe komisionit disiplinor për këtë çështje është e enjte, 28 tetor”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga UEFA.
Për incidentet e krijuara gjatë ndeshjes Itali-Serbi, ku u dogj flamuri shqiptar, janë arrestuar 17 tifozë ultras serbë, ndër të cilët edhe iniciatori i këtyre veprimeve, Ivan Bogdanov, që pos që shqeu rrjetën që ndan tifozët me fushën, dogji flamurin kombëtar shqiptar. Bogdanov ka dosje të shumta kriminale për vepra të ndryshme. Ai është lider i një prej tifozerive më problematike të Crvena Zvezdës.
Problemet për Liverpoolin nuk kanë të ndalur, me tashmë lajmet e konfirmuara se janë lënduar Dirk Kuyt dhe Daniel Agger, gjatë ndeshjeve me kombëtaret e tyre, Holandën respektivisht Danimarkën.Kuyt pësoi një dëmtim në nyje, të cilin si të rëndë e përkufizoi trajneri Bert van Marwiijk, që u shpreh pasndeshjes se Kuyt do të mungojë një kohë të gjatë, por se nuk dihet koha e saktë e rikthimit.
Tani thuhet se holandezi i Liverpoolit mund të mungojë deri në gjashtë muaj, pasi që natyra e lëndimit të pësuar është e rëndë.
Gjykata e lartë britanike është kthyer kundër pronarëve të Liverpoolit, George Gillet dhe Tom Hicks, të cilët tentuan të bllokojnë shitjen e Liverpoolit prej 300 milionë funtesh, për t’i hapur kështu rrugën zyrtarizimit të shitjes së Liverpoolit nga NESV.Sipas drejtorit të Liverpoolit, Christian Purslow, dita e sotme dhe vendimi i gjykatës së lartë për t’ua hequr të drejtën e pronësisë dy amerikanëve dhe për t’i hapur rrugë zyrtarizimit të shitjes, është ditë historike për klubin nga Anfield, pasi që garantohet e ardhmja edhe për një dekadë tjetër.
Bordi i Liverpoolit pritet të mbajë një takim në ora 20:00, ku do të vendoset definitivisht për shitjen e Liverpoolit te NESV, pronari i të cilës, John Henry, e ka pritur me kënaqësi vendimin e gjykatës, duke përgëzuar bordin e The Reds për punën e bërë.
Sulmuesi i Sevillas, Luis Fabiano, ka pranuar se ai mund të largohet nga klubi andaluzian gjatë afatit kalimtar dimëror, për shkak të minutazhit të vogël.“Jeta ime vazhdon normalisht, por në janar unë do të duhet të gjej një zgjidhje. Dua të vazhdoj të ndjehem i rëndësishëm. Pasi e rinovova kontratën time, të jem në pankinë nuk është mirë, as për mua e as për Sevillan”, theksoi Fabiano.
Sulmuesi brazilian me këtë deklaratë ka alarmuar disa prej skuadrave të interesuara për shërbimet e tij, duke përfshirë këtu Interin, Tottenhamin dhe Schalken.
Barcelona është duke monitoruar situatën e mesfushorit David Silva te Manchester City.Mesfushori ka dështuar t’i përshtatet ritmit të Ligës Premier, pasi u transferua në Angli nga Valencia gjatë verës së kaluar.
Sportivja Sport thotë se Barcelona është duke monitoruar situatën dhe nuk e ka përjashtuar një transferim të lojtarit që në janar. Barcelona do të kërkonte një marrëveshje të ngjashme me atë që i propozoi Cityt për Robinhon sezonin e kaluar.
Liveprooli është lidhur me një transferim të sulmuesit të Lyonit, Lisandro Lopez.Gazeta franceze Le Progres thotë se Lyon ka vendosur ta shesë argjentinasit dhe do t’i marrë parasysh ofertat mbi 15 milionë euro të cilat do të arrijnë deri në janar.
Emri i Lopez ka qarkulluar nëpër Evropë, përfshirë edhe Ligën Premier. Në mesin e të interesuarve për 27-vjeçarin raportohet se është edhe Liverpooli.
Mano Menezes ka lavdëruar kapitenin e ri të ekipit, Robinho, për maturinë e treguar.“Robinho është i pjekur tash dhe, edhe pse nuk është i vjetër, ai është një prej lojtarëve më me përvojë. Ai është argëtimi dhe është i rëndësishëm për ne, andaj ai është një shembull për lojtarët e rinj”.
“Kjo ishte ndeshja ime e tretë në detyrë dhe ekipi po përparon. Për të vazhduar progresin, ne duhet të luajmë siç luajtëm kundër Ukrainës. Jam i kënaqur, pasi për momentin, qëllimi është të ndërtoj një ekip për Kupën Botërore 2014”, ka thënë Menezes për La Gazzetta dello Sport.
Trajneri i Brazilit të hënën shënoi fitoren e tretë nga tre ndeshje në detyrë, pasi ekipi i tij mposhti Ukrainën me rezultat 2-0.
Klubi i Bundesligës, Stuttgart, ka konfirmuar në faqen zyrtares se ka shkarkuar trajnerin Christian Gross, pas fillimit të dobët të sezonit.56-vjeçari zëvendësoi ish-trajnerin Markus Babbel në dhjetorin e vitit të kaluar kur ekipi gjerman po ashtu pati një periudhë të keqe, dhe ai arriti ta çojë ekipin në pozitën e gjashtë të tabelës dhe t’i sigurojë vend për në Europa League.
Megjithatë Stuttgart ishte i paaftë të vazhdojë formën e sezonit të kaluar edhe në sezonin e ri, dhe qëndron në fund të tabelës me vetëm tre pikë nga shtatë takime. Drejtuesit e klubit menduan se Gross nuk ishte njeriu i duhur për të nxjerrë klubin nga kriza dhe vendosën ta shkarkojnë atë.
Asistenti i tij, Jens Keller, është emëruar trajner kryesor derisa klubi të gjejë një zëvendësim të përhershëm. Christoph Daum është një prej kandidatëve për të drejtuar klubin gjerman.
Sergio Ramos thotë se Spanja ishte me fat që arriti të nxjerrë pikë maksimale nga ndeshja kualifikuese për Euro 2012 ndaj Skocisë.“Ka disa cikle të ndeshjeve kur nuk e di pse, por ekipi hutohet në një aspekt. Skocia bëri shumë presion në fushë dhe arriti të na vendosë në vështirësi”.
“Ne duhet të mësojmë nga këto momente pasi nuk mund gjithmonë të nxirrni këto rezultate dhe t’i komplikoni gjërat. Spanja arriti me vështirësi t’ia dalë në këtë ndeshje”, ka thënë mbrojtësi i Real Madridit pas takimit të mbrëmshëm.
Mesfushori i Arsenalit, Jack Wilshere, thotë se ata janë të aftë ta fitojnë titullin këtë sezon.Topçinjtë janë shtatë pik prapa liderit të tabelës, Chelseat, pasi u mposhtën me rezultat 2-0 në Stamford Bridge para pauzës ndërkombëtare.
“Janë ditët e para, ne përfundimisht jemi në garë. E di se jemi shtatë pikë prapa, por mendoj se Chelsea përfundimisht do të lëshojë pikë dhe ne duhet të shfrytëzojmë këto raste”.
“Shpresoj të mos ketë shumë lëndime, por nëse ka, kemi një ekip të madh dhe mund t’ia dalim”, ka thënë Wilshere për faqen zyrtare të Arsenalit.
Portieri i Palermos, Salvatore Sirigu, raportohet se është pjesë e planeve të Juventusit.Juve e sheh Sirigu si një zëvendësim potencial për numrin një të portës, Gigi Buffon.
Bisedimet tashmë kanë filluar në mes të menaxherit gjeneral të Juves, Beppe Marotta dhe presidentit të Palermos, Maurizio Zamparini, për një marrëveshje në vitin 2011.
Palermo tashmë ka filluar bisedimet me Sirigu për një marrëveshje të re pesë-vjeçare, por çfarëdo marrëveshje e re nuk pritet të pengojë negociatat me Juven.
Zlatan Ibrahimovic thotë se ai do ta mirëpresë një rikthim të Kaka te Milani.Kaka është lidhur me një largim nga Real Madridi së fundi, ndërsa një prej destinacioneve të mundshme është përmendur edhe San Siro.
“Nuk flas për negociatat të cilat nuk kanë të bëjnë me mua, por nëse Kaka do të arrinte, do të ishte një nënshkrim i madh për Milanin këtë sezon”, ka thënë Ibrahimovic.
Dy klubet spanjolle Sevilla dhe Valencia janë të interesuar në mbrojtësin e Olympique Marseille, Taye Taiwo.Mbrojtësi nigerian është duke e shqyrtuar të ardhmen e tij në Francë dhe është i vetëdijshëm për interesimin e rritur nga klubet e mëdha evropiane.
Taiwo ka shprehur ambicien e tij të luajë për Chelsean, por interesimi i klubeve spanjolle dhe konkurrenca më e paktë te ta, mund ta bëjë atë të dëshirojë të transferohet në La Liga.
Drejtori i Real Madrid, Miguel Pardeza, thotë se ata dëshirojnë ta mbajnë sulmuesin Karim Benzema.Francezi është lidhur me një largim nga Bernabeu, por Pardeza thotë se klubi nuk është duke dashur çlirohet nga 22-vjeçari.
“Trajneri (Mourinho) na ka thënë se, në përgjithësi ai është i kënaqur me punën e tij (Benzema), por po ashtu na ka thënë se mendon se ai mund të japë më shumë”.
“Kemi kohë, duhet të jeni të qetë dhe ne do të vazhdojmë ta përkrahim lojtarin. Nuk është në mendjen tonë ta shesim Benzeman. Nuk e humbi shpresën. Pres ai të triumfojë në Madrid”, ka thënë Pardeza për sportiven spanjolle AS.
Portugalia ka shënuar fitore të rëndësishme prej 3-1 në transfertë te Islanda, takim ky i vlefshëm për Grupin H të kualifikimeve për Euro 2012.Cristiano Ronaldo zhbllokoi rezultatin pas vetëm tre minutave lojë akive në fushë, por portugezët i befasoi Helguson (17’), që barazoi rezultatin.
Në befasi nuk është zënë Raul Meireles, që i dha epërsinë prej një goli Portugalisë në dalje nga pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë u mbet që të konfirmohej edhe zyrtarisht fitorja e Portugalisë, me Helder Postigan që realizoi për 3-1 dhe rezultatin përfundimtar.
Nga ana tjetër Danimarka shënoi fitore ndaj Qipros, që i bën danezët liderë të Grupit H, me Portugalinë që tashmë gjendet në pozitën e dytë.
















