Sulmuesi i Suedisë, Zlatan Ibrahimovic, ka shpërthyer duke akuzuar rëndë Mark Van Bommelin, pasi ishte fjalosur me të në fund të ndeshjes Holandë – Suedi e cila përfundoi me fitore të lartë të Holandës.
Ibrahimovic e akuzon mesfushorin holandez për simulime të vazhdueshme kur hynte në duele të forta.
“Van Bommel shkon ashpër, por më pas qëndron në tokë pas çdo të vetmit faul që pëson”, theksoi Ibra për Milannews.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, është duke u lidhur me një kalim te gjiganti spanjoll, skuadra mbretërore, Real Madrid.
Sport shkruan se Real Madridi po e mendon një marrëveshje shkëmbimi ku do të përfshihej mbrojtësi portugez Pepe.
Bisedimet me Pepen kanë ngecuar pasi që ai kërkon 5.5 milionë në sezon, ndërsa klubi i ofron vetëm 3.5 milionë euro. Tani Jose Mourinho dëshiron të kërkojë një mbrojtës të ri diku tjetër dhe Terry është njeriu i duhur.
Reali thuhet se është i gatshëm të japë në ‘dorë’ 25 milionë euro për Terryn, ose ta shkëmbejë atë me Pepen plus para shtesë.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se ai nuk ka nevojë për lojtarë të rinj gjatë afatit kalimtar dimëror, duke hedhur kështu poshtë spekulimet për kalimet e mundshme në Santiago Bernabeu.
“Kur vjen deri te transferimet, kur flasim për Gareth Bale, Llorenten, Rooneyn, këtyre lojtarëve nuk u pengon të lidhen me Real Madridin. Sidoqoftë, unë kam besim në këta lojtarë për atë që duhet të bëjnë gjatë sezonit”.
“Ne nuk e kemi skuadrën e përkryer, sepse nuk ekziston skuadra e përkryer. Ne kemi staf të shkëlqyer me lojtarë të cilët më japin shumë besim, kështu që, unë nuk dua lojtarë të rinjë në janar. Derisa nuk ndodh diçka e jashtëzakonshëm, tregu i tranferimeve për Realin është i mbyllur”, precizoi Mourinho.
Ofertuesit e Liverpoolit, New England Sports Ventures (NESV), kanë deklaruar se janë pronarët e rinj të Liverpoolit, në një seancë gjyqësore që kontestoi ish-pronarët Tom Hicks dhe George Gillet, për tentimet e tyre për ta bllokuar shitjen.
NESV e bënë këtë deklarim, pasi Hicks dhe Gillet po vazhdojnë tentimet e tyre për ta bllokuar shitjen e Liverpoolit, tani në gjykatën e lartë të Teksasit, pas dështimit në gjykatën e lartë angleze.
Autoritetet e Bankës Mbretërore të Skocisë (RBS), të cilëve Hicks dhe Gillet u kanë borxh 300 milionë funte, kanë thënë se amerikanët nuk është dashur ta dërgojnë procesin në Teksas, pasi që këtu nuk ka të bëjë asgjë me Teksasin apo ndonjë aset amerikan.
Nëse deri nesër nuk zyrtarizohet shitja e Liverpoolit te NESV, atëherë The Reds do të hyjnë nën administrimin e RBS-së dhe pos kësaj do të dënoheshin me nëntë pikë në tabelën e Ligës Premier.
Ivan Bogdanov duke djegur flamurin shqiptar Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka marrë një goditje të rëndë nga UEFA, pas pohimeve të zyrtarëve të institucionit më të lartë të futbollit evropian, se FIGC mund të dënohet për mos garantimin e sigurisë publike.
“Ne nuk mund të themi ende asgjë në lidhje me hetimet të cilat do të bëhen nga Komisioni Disiplinor, por ju kujtoj, se rregullat tona nuk përmbajnë dënime vetëm për veprimet e njërës prej palëve, por edhe për organizuesin e takimit dhe federatën nikoqire, për mos garantim të rendit publik”, deklaroi zëdhënësi i UEFA-s, Rob Falkner.
FIGC është përgjigjur menjëherë me anë të drejtorit Antonello Valentini, duke e quajtur deklaratën e Falkner si absurde.
“Kjo çështja e përgjegjësisë indirekte është një prej dobësive bazike të sistemit të drejtësisë në sport, kështu që deklarimet e zëdhënësit të UEFA-s se mund të ketë dënime për Italinë janë absurde dhe banale”, theksoi Antonello.
Alexandre Pato është i gatshëm që të marrë rolin e Zlatan Ibrahimovicit dhe të shënimit të golave për Rossonerët, kur Milani të takohet me Chievon në fundjavë.
“Ky është momenti i karrierës për mua. Unë jam i kënaqur që jam rikthyer në kombëtare”.
“Kam besim në lojën time. Për më shumë, jam i sigurt se nëse vazhdoj ta shprehi veten në maksimum te Milani, do të vazhdoj të marr thirrje nga kombëtarja braziliane”, precizoi Pato.
Dirk Kuyt Sulmuesi i Liverpoolit, Dirk Kuyt, do të jetë jashtë aksionit deri në tri javë, pas dëmtimit të pësuar në nyje, konfirmoi menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson.
“Spekulimet të cilat vinin nga Holanda, thoshin se ky lëndim do ta mbajë atë një kohë të gjatë jashtë fushave, ndoshta me muaj. Por, mjeku ynë dhe njerëzit tanë të shkencave sportive janë më optimistë. Ata mendojnë se Kuyt do të mungojë deri në një muaj dhe nëse jemi me fat tri javë”.
“Ai seriozisht e ndrydhi nyjen e tij dhe dëmtoi ligamentin, ndërsa një gjë që dihet është se ai do të mungojë shumë ndeshje”, potencoi Hodgson.
Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka nënvizuar rëndësinë e ndeshjes ndaj Lecces të dielën, pasi që mendon se fitorja ndaj ekipit të promovuar në Serie A, do të jetë kyçe për vazhdimin e sezonit për Bianconerët.
“Do të jetë e nevojshme të fitojmë ndaj Lecces, në mënyrë që të ngritemi në cilësi”.
“Kjo do të na lejojë që të konfrontohemi me pjesën tjetër në nivelin e njëjtë dhe ne do të jemi në gjendje që të jemi konkurrues në kampionat dhe Europa League”, ka thënë Chiellini për Tuttosport.
Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka vizituar Varshavën për t’u takuar me kryeministrin polak, Bronislav Komorowski, me ç’rast francezi ka shprehur bindjen e tij se Euro 2012 do të jetë sukses i madh.
“Unë jam shumë i lumtur të jem në Varshavë përsëri. Përgatitjet po hecin mirë. Edhe qeveria edhe institucionet specifike janë duke bërë atë që duhet bërë. Gjithçka po procedohet në drejtimin e duhur”.
“Kryeministri Komorowski më ka thënë se Euro 2012 është rast për një ngritje në zhvillim të Polonisë. Duhet ta dimë se kur të përfundojë kampionati, ajo që është ndërtuar dhe do të mbetet. Euro 2012 do të jetë festë e madhe e futbollit”, u shpreh Platini.
Presidenti i Bayernit, Uli Hoeness, ka akuzuar Federatën Holandeze të Futbollit (KNVB), për neglizhencë të tepruar pas lëndimit të Mark Van Bommel të marrë ndaj Suedisë, gjithë kjo pas thirrjeve të Bayernit që Van Bommel të mos përfshihet në formacionin e Portokallinjve.
“Nëse Van Bommel kishte dhimbje, atëherë ai nuk është dashur të luajë. Unë nuk e kam pranuar participimin e tij në këtë ndeshje. Ne kemi parë tashmë se çfarë do të thotë neglizhencë e tepruar në rastin e Arjen Robben”.
“Unë ndjej se çdo lojtar me lëndimin më të vogël të mundshëm, duhet të qëndrojë me klubin e tij. Le të shohim ku do të shkojmë kur të jetë proceduar procesi gjyqësor. Nuk jam i sigurt nëse rregullat e UEFA-s dhe FIFA-s do t’i bëjnë ballë gjykatës”, u shpreh Hoeness i hidhëruar me situatën e krijuar.
Fernando Llorente Sulmuesi i Athletic Bilbaos, Fernando Llorente, ka ngritur dyshime mbi të ardhmen e tij, pasi që ka thënë se nuk beson se ka ndonjë ekip që do ta paguante klauzolën e tij prej 36 milionë eurosh.
“Unë kam kontratë për tri vite të tjera me Athletic Bilbaon dhe përderisa presidenti nuk dëshiron të më shesë, mendoj se nuk ka klub që do të paguante klauzolën prej 36 milionë eurosh për mua. Ndjehem mirë në Bilbao dhe po mendoj vetëm se si të shënoj gola këtu”, tha Llorente.
Fernando Llorente aktualisht është në formë fantastike, si për kombëtaren spanjolle ashtu dhe për klubin e tij, Athletic Bilbao, pasi që pothuajse në çdo ndeshje gjendet në listën e realizatorëve.
Sulmuesi i Valencias, Roberto Soldado, këmbëngul se ka ardhur koha për të arritur rezultate të mira ndaj Barcelonës dhe për t’u bërë dëme Blaugranëve.
“Dy rezultatet tona të fundit në Camp Nou kanë qenë negative, por lojtarët e Barcelonës duhet të fitojnë për t’i kënaqur tifozët, pasi që ata janë lehtësisht të brengosur”.
“Ne e dimë rëndësinë e 15 minutave të para të çdo pjese. Të shënojmë një gol të hershëm do t’u shkaktonte atyre probleme, pasi që një fitore prej 1-0 na mjafton. Është koha për t’i bërë dëm Barcelonës në stadiumin e saj”, u shpreh Soldado.
Jesualdo Ferreira Trajneri i Malagas, Jesualdo Ferreira, mendon se ekipi i tij është i gatshëm dhe në gjendje që ta mposhtë Real Madridin, kur të dyja skuadrat të takohen në La Rosaleda të shtunën mbrëma.
“Unë gjithnjë dua të fitoj. Nëse do të humbisnim apo barazonim me Real Madridin, do të isha po aq i zhgënjyer sikurse kur ndodh kjo me një ekip më të vogël. Të humbas është një gjë që urrej”.
“Këto janë ndeshjet më të lehta për t’u përgatitur për mua si trajner. Të gjithë duan të luajnë dhe nuk ka nevojë që t’i motivoj lojtarët. Mourinho do ta ketë të vështirë t’i gjejë lojtarët që do luajnë në 100 përqindëshin e tyre”, deklaroi Ferreira.
Pas një viti zhgënjyes te gjiganti italian, Juventus, Diego është rikthyer në formën më të mirë dhe kjo sipas tij ka të bëjë me Bundesligën, e cila sipas tij është larg më superiore se Serie A.
“Mendoj se Bundesliga është më e baraspeshuar se Serie A. Çdo ekip mund ta mposhtë çdo ekip. Sa për infrastrukturën, stadiumet dhe tifozët, Bundesliga është në krye”.
“Në përgjithësi, Bundesliga aktualisht është larg më superiore për Serie A”, tha Diego.
Drejtori i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, ka thënë se Barcelona nuk ka plane për të transferuar ndonjë lojtar gjatë afatit kalimtar dimëror.
“Ne mund të kemi plane për qershor, por jo për tregun dimëror”.
“Mendojmë se kjo skuadër ka thellësi, sepse ne kemi katër ose pesë lojtarë nga akademia të cilët mund të hyjnë në ekipin e parë dhe të cilët do ta kenë rastin, sepse ata janë te Barcelona”, tha Zubizarreta.
Ronaldinho nuk do të largohet nga Milani nëse marrim parasysh mendimin e Robinhos, i cili është kategorik sa i përket të ardhmes së gjeniut brazilian.
“Ne duhet të ndalemi së thëni se Ronaldinho do të largohet për të shkuar në SHBA. Ronaldinho do të qëndrojë më mua këtu, ai do të qëndrojë me ne te Milani. Unë jam i gatshëm që ta lidhi atë në zhveshtore, nëse është nevoja”.
“Ai nuk është vetëm kampion, por edhe lider. Dhe për mua ai është mik i vërtetë. Ju mund t’i besoni atij, ai është njeri që nuk do t’iu tradhtojë kurrë”, tha Robinho.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, ka dhënë një deklaratë kontradiktore me atë të Sir Alex Ferguson, i cili thoshte se Rooney është i lënduar, një gjë kjo që sipas protagonistit të vërtetë nuk ndodhi kurrë.
“Mendoj se Wayne Rooney do të mungojë dy deri të tri javë”, kishte thënë Ferguson për The Times pas barazimit 2-2 ndaj Boltonit.
Nga ana tjetër, Rooney duke folur për Sky Sports ka thënë: “Unë nuk kam pasur probleme me gjurin tim gjatë gjithë sezonit. Unë kam stërvitur dy muajt e fundit dhe nuk kam munguar në asnjë stërvitje. Nuk kam pasur probleme fizike. Dua të vazhdoj të luaj dhe të punoj shumë, pasi që jam i sigurt se golat do të vijnë”, theksoi Rooney.
Juventusi është i gatshëm që të shndërrojë në realitet ëndrrën e Bianconerëve për transferimin e asit italian, Antonio Cassano, pasi që besohet se drejtuesit e bardh e zinjve kanë arritur marrëveshje verbale me futbollistin.
Sipas Juvemania.it, burime të afërta me lojtarin kanë thënë se është arritur marrëveshja verbale mes drejtorit të Juventusit, Beppe Marotta dhe sulmuesit italian.
Thuhet se agjenti i Cassanos, Beppe Bozzo, është duke punuar prapa kiuntave për të përgatitur terrenin që ky tranferim të realizohet, jo në janar, por në qershor.
Cesc Fabregas thotë se ai nuk ka gabuar kur ka thënë publikisht se dëshiron të transferohet te Barcelona dhe shton se Real Madridi po ashtu kishte treguar interesim për shërbimet e tij.
Pas fundit të sezonit të kaluar, Fabregas publikisht bëri të ditur se ëndërron të luajë për Barcelonën, ku e kishte kaluar fëmijërinë e tij. Klubi katalunas bëri dy oferta te Arsenali, por Arsene Wenger nuk ka menduar ta shesë kapitenin e tij.
“Besoj se kam qenë në të drejtë kur kam treguar se dua të luaj për Barcelonën, pasi kjo është ëndërr të cilën e kam pasur si fëmijë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Jam me fat me atë se si u zhvilluan gjërat. Edhe pse ende besoj se kalimi në Camp Nou ishte një mundësi e mirë, jam i lumtur te Arsenali”, ka thënë Fabregas.
Mesfushori spanjoll po ashtu ka thënë se edhe Real Madridi ishte interesuar për të.
“Nuk do të them se cilat klube dëshironin të më angazhonin, por e di se Real Madridi dhe Barcelona kanë pyetur për mua në shtatë vitet e fundit. Kam fat që këto dy klube të mëdha interesohen për mua dhe kjo është e rëndësishme, pasi diçka e tillë nuk ndodh çdo ditë. Por nuk mund të them se kush tregoi më shumë interesim, Barca apo Real Madridi. Megjithatë, verën e kaluar isha shumë i sinqertë dhe fola me zemër”, ka thënë Fabregas.
Ylli i PSV Eindhoven, Ibrahim Afellay, thotë se ai ëndërron të luajë për njërin prej dy klubeve më të trofeshme në Angli, Manchester United ose Liverpool.
Holandezi kërkohet edhe nga Atletico Madrid dhe Arsenal, por 24-vjeçari nuk preferon asnjërin prej këtyre dy klubeve.
“Të luaj në Ligën Premier, do të ishte një prestigj i madh për mua. Do të më pëlqente të luaj për Liverpoolin ose Manchester United, prospekti më i lartë për çdo lojtar”, ka thënë mesfushori ofensiv.
Afellay ishte ylli i mbrëmjes në fitoren 4-1 të Holandës kundër Suedisë gjatë të martës mbrëma, duke shënuar dy gola dhe duke asistuar në një tjetër.
Mbrojtësi i Evertonit, Johnny Heitinga, thotë se ai është i hapur për një transferim te Bayern Munich.
Heitinga, i cili iu bashkua Evertonit nga Atletico Madrid në verën e vitit 2009, është i ngazëllyer nga interesimi i gjigantit bavarez dhe do të shfrytëzonte shansin për t´iu bashkuar kampionit të Bundesligës.
"Është vështirë për mua të them se sa serioz është interesimi i raportuar, për momentin. E di se Bayern nuk i është drejtuar Evertonit ende dhe nuk më ka kontaktuar as mua. Më duhet të them se ndjehem i ngazëllyer që lidhem me një klub të madh si Bayern Munich.
"Përfundimisht do të isha i interesuar t´i bashkohem këtij ekipi. Ata luajnë në Ligën e Kampionëve dhe unë ende i përshtatshëm për të luajtur në këtë garë, pasi nuk kemi luajtur në Evropë me Evertonin këtë sezon", ka thënë Heitinga.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, thotë se Wayne Rooney mund të jetë i kënaqur me paraqitjen e tij për Anglinë në takimin e të martës kundër Malit të Zi.
"Mendoj se Wayne tregoi lëvizje të mira. Ndonjëherë me sulmuesit vetëm keni nevojë për ca fat në ballë të golit. Topi nuk arriti që ndonjëherë prej sulmuesve tanë të ketë një shans të pastër".
"Topi thjesht nuk arrinte në kuadrat. Wayne është një lojtar i shkëlqyeshëm, por ne nuk mund të varemi nga ai. Stevie G ka treguar shkëlqim dhe Adam Johnson po ashtu. Theo Walcott më herët. Ka lojtarë të cilët mund të kryejnë mirë punën", ka thënë Ferdinand.
Presidenti i Lazios, Claudio Lotito, është i ngazëllyer me ndikimin që ka në ekip nënshkrimi i verës, Hernanes.
Mesfushori ka qenë i jashtëzakonshëm që kur arriti nga Sao Paulo.
“Kurrë nuk do ta shes Hernanes, madje as edhe nëse ofrojnë 50 milionë”, ka thënë Lotito.
I pyetur edhe për yllin tjetër të ekipit, Mauro Zarate, ai ka shtuar: “Ai po ashtu nuk do të largohet nga Roma. Mauro i ka kuptuar gabimet e tij dhe është i pjekur: ai do t´i japë ekipit shumë”.
Momo Sissoko është përplasur me bashkëlojtarin e tij Felipe Melo në stërvitjet e djeshme.
Të pranishmit në kampin Vinovo të Juventusit, kanë thënë se ata ishin duke zhvilluar ndeshje mes tyre kur u kapën në konflikt.
Mesfushorët kanë shtyrë dhe goditur njëri-tjetrin derisa janë fjalosur për incidentin, andaj bashkëlojtarët është dashur të reagojnë me qëllim t´i ndajnë ata.
Megjithatë trajneri Gigi Del Neri është kujdesur të qetësojë situatën dhe i ka detyruar ata të shtrëngojnë duart para fundit të seancës stërvitore.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, raportohet se është i interesuar të nënshkruajë me sulmuesin e Sevillas, Luis Fabiano që në afatin kalimtar dimëror.
Sipas faqes Tuttomercatoweb, portugezi dëshiron të shtojë edhe një përforcim në radhët e sulmit, me Karim Benzema që ka dështuar të tregojë lojëra të mira deri tash këtë sezon.
Fabiano ishte lidhur me një largim nga stadiumi Ramon Sanchez Pizjuan edhe gjatë verës, me Marseille dhe Tottenham që dëshiruan të transferojnë 30-vjeçarin brazilian, por një lëvizje e tillë nuk ndodhi.
Nëse Fabiano largohet nga Sevilla, shuma e transferimit të tij pritet të jetë në vlerën e 20 milionë eurove.
Mesfushori i Brescias, Perparim Hetemaj, mund të luajë për Romën në vitin e ardhshëm, bëjnë të ditur mediat italiane.
Corriere dello Sport shkruan se forma që kosovari me nënshtetësi finlandeze ka treguar këtë sezon ka joshur vëmendje serioze nga Roma.
Hetemaj nënshkroi me Brescian vetëm në muajin shkurt të këtij viti dhe shumë shpejt e ka gjetur veten te klubi italian.
Paraqitjet e tij kanë bindur drejtuesit e Romës, për të përcjellë më nga afër lojtarin. Një ofertë në vlerën e 5 milionë eurove do të ishte e mjaftueshme të bindë Brescian ta shesë lojtarin që në janar.
Hetemaj ishte golashënues në fitoren 2-1 të Brescias pikërisht ndaj Romës, një muaj më parë.
Juventus raportohet se është duke përcjellë mbrojtësin e Milanit, Mario Yepes, dhe shpreson ta sjellë atë në Olimpico si zëvendësim për të lënduarin Leonardo Rinaudol.
Sipas ueb-faqes italiane Itasportpress.it, klubi nga Torino do të duhet të luftojë për të siguruar mbrojtësin, pasi ish-klubi i tij Chievo po ashtu dëshiron ta rikthejë 34-vjeçarin.
Mbrojtësi kolumbian krijoi një dyshe të fuqishme mbrojtëse me Andrea Mantovani te Chievo, para se të kalonte te Milani gjatë verës, si transferim i lirë.
Ai nuk ka bërë paraqitje në ligë me Rossonerët deri tash këtë sezon.
Hamburg dëshiron ta sjellë përsëri në Gjermani mbrojtësin e Interit, Lucio.
Bild shkruan se Hamburg dëshiron të bëjë ofertë që në janar për 32-vjeçarin brazilian. Lucio, një ish-lojtar i Bayern Leverkusen dhe Bayern Munich, ka kontratë me kampionin e Evropës deri në vitin 2012.
Hamburg ka fuqi blerëse për t´i paguar Interit të gjithë vlerën e mbrojtësit veteran, e cila është afro 13 milionë euro.
Ivan Bogdanos duke djegur flamurin shqiptar Incidenti i ndodhur një ditë më parë, kur Ivan Bogdanov, një ultranacionalist serb dhe tifoz i kombëtares serbe, dogji midis stadiumit Marassi flamurin tonë kombëtar, para gjithë syve të botës, ka zgjuar reagime nga më të ashprat në qarqet patriotike dhe të shoqërisë civile shqiptare.
Lajmi për djegien e flamurit kombëtar shqiptar, kishte bërë bujë të madhe menjëherë pas incidentit në Itali, dhe reagimet e para ishin nga më të ndryshmet, sa të ashpra aq dhe interesante.
Rrjeti shoqëror Facebook ishte mjeti paqësor ku dhjetra mijëra shqiptarë anembanë e shprehën mllefin e tyre ndaj djegies së flamurit. U krijuan grupe dhe faqe të shumta.
Këto grupe/faqe fansash më pas u bënë thirrje gjithë shqiptarëve në rrjetin shoqëror, që në fotografitë e tyre të profilit të mbajnë deri më datë 14 tetor foton e flamurit kombëtar, në shenjë proteste ndaj asaj që ndodhi të martën mbrëma. Dhe, rezultati është fascinues - i gjithë Facebooku është veshur kuq e zi, pasi që pothuajse të gjithë antarët shqiptarë iu përgjigjën pozitivisht thirrjes.

Megjithatë, aq paqësisht veprimet ekstremiste serbe nuk i morën disa të rinj tiranas, të cilët pas mesnatës dogjën flamurin e Serbisë para ambasadës serbe në Tiranë.


Pos kësaj, vlen të përmendet se edhe disa grupe tifozerish të klubeve të ndryshme të futbollit në Kosovë, kanë paralajmëruar djegien e flamujve të Serbisë gjatë ndeshjeve të Superligës së Kosovës në fundjavë.
Por, kjo nuk është e tëra. Ivan Bogdanov, njeriu që ka pasur guximin ta ndezë flamurin shqiptar, në fakt ka të gravuar ne lëkurën e tij imazhe shqiptare. Imazhi më posht e shfaq Bodganovin me tatuazh të heroit tonë kombëtar, Skëndërbeut, në kraharor. Një fakt mjaft intrigues ky…apo jo?
Këto reagime nga shoqëria civile vijnë pas tensioneve të krijuara të martën mbrëma, kur edhe njëherë u zgjua ndërgjegjja e botës, se disa çështje në Ballkan kanë mbetur ende të pasqaruara, por që do të mbesin edhe njëherë nën hijen e pavarësisë së shtetit më të ri në botë, Kosovës.
Ndeshja Itali – Serbi është ndërprerë pas vetëm gjashtë minutash lojë, pasi që kushtet nuk ishin të mira për zhvillimin e ndeshjes, sepse tensionet në stadium ishin të mëdha. Serbia pos që rrezikon humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultat zyrtar 3-0, rrezikon poashtu një dënim të përmasave të mëdha nga UEFA, siç është përjashtimi nga aktivitetet për Euro 2012.


Presidenti i Interit, Massimo Moratti, së fundmi ka bërë shaka se do të mund të transferonte Lionel Messin nga Barcelona gjatë janarit, një pohim ky që u hodh poshtë nga kapiteni legjendar, Javier Zanetti.
“Leo tani për tani është mirë te Barcelona. Ai është lojtari më i mirë në botë dhe të gjithë e duan atë në ekip. Tani për tani ai është te Barcelona, në të ardhmen kurrë nuk i dihet”, theksoi Zanetti.
Lionel Messi në kontratën e tij ka një klauzolë prej 250 milionë eurosh, një shumë kjo më tepër se astronomike dhe të cilën nuk do të kishte fuqi ta siguronte asnjë skuadër në planet.