Festa e lojtarëve të Barcelonës pas golit të Carles Puyol. Andres Iniesta dhe Carles Puyol kanë shënuar nga një gol në pjesë të dytë, për të ndihmuar Barcelonën të përmbysë disavantazhin e pjesës së parë dhe të shënojë fitore 2-1 në fund të takimit derbi ndaj Valencias të zhvilluar në Camp Nou.
Mysafirët e Valencias filluan ndeshjen më me vrull duke krijuar disa raste me anë të Roberto Soldado. Pas 20 minutash lojë Barcelona filloi të organizohet më shumë, me Dani Alves dhe Xavi që treguar disa aksione të mira.
Megjithatë pjesa e parë e takimit i takoi ekipit mysafir. Me shtatë minuta të mbetura deri në fund të pjesës së parë, Pablo Hernandez pranoi një pasim nga Ricardo Costa, për të çuar Valencian në avantazh (38’).Hernandez bën xhiro nëpër stadium pas golit të parë të shënuar Me të filluar pjesa e dytë, Blaugranët gjetën përgjigjen. Pas vetëm tre minutash nga pauza, Andres Iniesta bashkëveproi mirë me Xavin për të dërguar topin në rrjetën e Cesar Sanchez (48’).
Heroi i Barcelonës këtë ndeshje ishte kapiteni Carles Puyol, i cili pas më se një ore lojë (62’) shfrytëzoi një harkim të topit nga Xavi për të shënuar me kokë dhe për t’i dhënë avantazhin dhe fitoren Barcelonës.Iniesta dhe lojtarët tjerë të Barcës, duke gëzuar golin e Barazimit Ndeshja ishte e veçantë për sulmuesin David Villa, i cili luajti kundër ish-ekipit të tij, Valencia, por edhe pse pati disa raste shënimi, nuk arriti të gjejë portën.
Me këtë fitore Barca do të pushtojë kreun me 16 pikë, po aq sa ka edhe Valencia. Megjithatë ekipi i drejtuar nga Pep Guardiola mund ta humbë kreun, nëse Real Madridi fiton sonte ndaj Malagas, ose nëse Villarreal mposht Hercules në takimin e të hënës. Guardiola jep disa instruksione për lojtarët e tij gjatë ndeshjes
Sulmuesi i Chelseat, Nicolas Anelka duke reaguar pas një rasti të humbur Chelsea ka nxjerrë vetëm një barazim pa gola në fushë të Aston Villas, që megjithatë nuk i ka penguar të ruajë kreun e tabelës.
Të dyja ekipet mund të kishin shënuar fitore në 20 minutat e fundit. Blutë goditën dy herë shtyllën, derisa Villa një herë, por asnjëri ekip nuk arriti të gjejë anën e brendshme të rrjetit.
Pika e fituar i jep Chelseat gjithsej 19 pikë që mban kreun e tabelës me pesë pikë epërsi ndaj rivalëve të tjerë, Arsenal, Manchester United dhe Manchester City. Megjithatë nëse City shënon fitore në takimin e nesërm ndaj Blackpool, do të ngushtojë vetëm në dy pikë diferencën ndaj Bluve.
Aston Villa në anën tjetër pushton pozitën e tetë të tabelës së Ligës Premier.
Borriello feston golin e parë të shënuar Roma ka rigjetur rrugën e fitoreve, pasi shënoi fitore me rezultat 2-1 në ndeshjen e javës së shtatë të Serie A, përballë Genoa, të zhvilluar në Olimpico.
Të zgjedhurit e trajnerit Claudio Ranieri krijuan disa raste të mira me protagonist kapitenin Francesco Totti, që pati edhe një gol të anuluar për shkak të një pozite të lehtë jashtë loje (13’).
Përforcimi i verës, Marco Borriello, i cili më herët gjatë ndeshjes goditi shtyllën, pranoi një top të mirë nga Totti pas më se gjysmë ore lojë, për të dërguar topin në rrjet (34’).
Shtatë minuta në pjesë të dytë ekipi romak dyfishoi epërsinë, kësaj here me anë të Matteo Brighi, pas një asistimi Simone Perrota.
Mysafirët megjithëse krijuan raste të rralla shënimi, arritën të gjejnë portën me anë të një goli të shënuar nga Rudolf Gergely nga pozita jashtë loje (78’).
Tre pikët e reja e largojnë Romën nga fundi i tabelës dhe e ngrenë në pozitën e 13-të, me tetë pikë, aq sa ka edhe Genoa, por që pushton pozitën e 10-të.
Alexandre Pato duke festuar njërin nga golat Alexandre Pato ka shënuar dy gola ndërsa Robinho dhe Ibrahimovic nga një tjetër, por ky i fundit në rrjetën e gabuar, derisa Milani arriti të mposhtë në San Siro ekipin e Chievos me rezultat 3-1.
Rosonerët kaluan në avantazh pas 17 minutash lojë, pas një asistimi të Ibrahimovic, ndërsa e njëjta dyshe funksionoi mirë edhe një herë tjetër në pjesë të parë, për të dyfishuar epërsinë e Milanit (30’).
Pjesa e dytë po ashtu solli një sërë rastesh për ekipin vendas, por portieri i Chievos, Sorrentino, bëri disa ndërhyrje vendimtare.
Në anën tjetër mysafirët që arritën të ngushtojnë në 2-1 epërsinë. Pas një harkimi nga këndi dhe goditje me kokë nga Cesar, me ndihmën e Ibrahimovic topi përfundoi në rrjetën e Christiano Abbiatit (70’).
Në çastet e fundit të ndeshjes, braziliani tjetër i Milanit, Robinho, iu bashkua Patos në listën e shënuesve, duke vulosur fitoren e Milanit.
Me tre pikët e reja Milani merr kreun e tabelës me 14 pikë, një më shumë se Lazio, që nesër mund të rikthehet në maje nëse shënon fitore në fushë të Barit.
Van der Sar duke reaguar pas golit të dytë të pranuar Edwin van der Sar ka bërë një gabim të pabesueshëm, derisa Manchester United humbi avantazhin prej 2-0 për të nxjerrë vetëm një barazim 2-2 në ndeshjen e zhvilluar në Old Trafford ndaj West Bromwich Albion.
United ka shijuar edhe dështimin e tretë në mbrojtje brenda disa javësh, pasi edhe këtë herë humbi epërsinë prej dy golash, ngjashëm si në ndeshjet ndaj Evertonit dhe Liverpoolit, edhe pse e kishin fituar këtë të fundit.
Golat e shënuar nga Javier Hernandez (9’) dhe Nani (25’) në pjesën e parë të ndeshjes i dhanë kontrollin e plotë United. Por West Brom shënoi dy herë, së pari me anë të një autogoli nga Patrice Evra pesë minuta në pjesë të dytë (50’), dhe një goli tjetër të shënuar nga Somen Tchoyi, pas pesë minutash tjera, pasi Van der Sar nuk reagoi për të kapur topin para lojtarit kundërshtar (55’).
Ky ishte barazimi i tretë radhazi për ekipin e Sir Alex Ferguson, të cilët nuk kanë fituar në Ligën Premier gati një muaj, që nga 19 nëntori. Në anën tjetër pika e fituar është një rezultat tjetër befasues për ekipin e Roberto Di Matteo, West Brom.
United tash mbetet në pozitën e tretë të tabelës me 14 pikë, sa ka edhe Arsenali që ngjitet në pozitën e dytë, për shkak të diferencës më të mirë të golave. City mbetet në pozitën e katër me po aq pikë, por mund të rikthejë pozitë e dytë nëse nesër shënon fitore në fushë të Blackpool.
Autori i golit të fitores, Marouane Chamack Golat e Samir Nasri dhe Marouane Chamakh i kanë ndihmuar Arsenalit të rikthehet nga disvantazhi 1-0, për të fituar në fund me rezultat 2-1 në ndeshjen e javës së tetë përballë Birmingham, të zhvilluar në Emirates Stadium.
Mysafirët arritën të kalojnë në epërsi pas më shumë se gjysmë ore lojë, me anë të një goli me kokë të shënuar nga Nicola Zigic (33’). Por, katër minuta para fundit të pjesës së parë Nasri arriti të barazojë duke shënuar nga pika e bardhë, pas një penaltie të fituar në mënyrë kontroverse nga Marouane Chamakh (41’).
Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, pas një loje të shkëlqyeshme nga Jack Wilshere dhe Alexandre Song, sulmuesi maroken shmangi portierin Ben Foster për t’i dhënë avantazhin Arsenalit (47’).
Arsenali i dha fund ndeshjes me dhjetë lojtarë, pas përjashtimit me karton të kuq të Wilshere, për shkak se anglezi ndërhyri ashpër në sulmuesin serb Zigic.
Fitorja e ngre Arsenalin në pozitën e dytë, me pikë të barabarta me Manchester United dhe City, të cilët mbajnë pozitat tre dhe katër.
Autori i tre golave për Bayernin, Mario Gomez. Mario Gomez ka shënuar tre gola për të ndihmuar Bayern Munichun të shënojë fitore të thellë prej 3-0 ndaj Hannoverit, derisa fitore po ashtu ka shënuar edhe Werder Bremen në fushë të vet ndaj Freiburg.
Trajneri i Bayernit, Louis van Gaal, ishte i hendikepuar, me një varg lëndimesh, në mes të cilave edhe kapiteni Mark van Bommel, Frank Ribery, Miroslav Klose, Ivica Olic dhe Daniel van Buyte.
Gomez ishte një prej vetëm disa lojtarëve të gatshëm për lojë te Bayern Munich, dhe shfrytëzoi shansin e tij duke shënuar golin e parë pas 21 minutash, të parin në 13 ndeshje që nga shkurti.
Por sulmuesi duket se kishte mbledhur energji, dhe shënoi edhe golin e dytë më minutën e 77-të, ndërsa në kohën shtesë të ndeshjes shënoi edhe golin e tretë, për të vulosur hat-trick.
Fitorja i jep fund dy humbjeve radhazi të Bayernit, pas të cilës bavarezët mbledhin 11 pikë dhe qëndrojnë në pozitën e nëntë.
Nga ndeshjet tjera të sotme, Werderi po ashtu ka shënuar fitore, duke mposhtur me rezultat 2-1 Freiburgun, ndërsa Mainz ka pësuar humbjen e parë të sezonit, pasi u mposht para tifozëve të vet me rezultat 1-0 nga Hamburg.
Lojtarët e Hamburg duke festuar golin Seria prej shtatë fitoreve radhazi e Mainz, ka marrë fund. Hamburg ia ka shkaktuar humbjen e parë liderit të tabelës së Bundesligës, pasi e mposhti si mysafir me rezultat minimal 1-0.
Mainz dhe Hamburg që të dyja patën rastet e tyre, secili ekip goditi shtyllën nga një herë, ndërsa Hamburg pati edhe një gol të mohuar. Por kur u mendua se ekipet do të ndajnë pikët, në skenë doli Paolo Guerrero që i dha fitoren ekipit mysafir në minutën e 89-të të takimit.
Me këtë humbje, Mainz humbi rastin për të shënuar fitoren e tetë radhazi këtë fillim sezoni, që do të tejkalonte rekordet prej shtatë ndeshjeve fitore radhazi, të cilat i mbajnë edhe Bayern në sezonin 1995-96 dhe Kairserslautern në sezonin 2001-02.
Mainz po ashtu ka humbur edhe kreun e tabelës, pasi ka barazuar në pikë me Borussia Dortmund, që megjithatë ka diferencë më pozitive të golave.
Chelsea raportohet se është në reshtin e parë për të nënshkruar me mesfushorin e Sunderlandit, Jordan Henderson.
Daily Mail shkruan se kampioni i Ligës Premier është duke e përcjellë Henderson që nga fillimi i këtij sezoni, pasi është këshilluar nga vëzhguesi i lojtarëve të rinj, Bryan Robson, një ish-lojtar dhe trajner i të rinjve te Sunderlandi.
Menaxheri i Sunderlandit, Steve Bruce, e di se ai do të duhet të luftojë për të mbajtur në ekip mesfushorin premtues, por thotë se do të bëjë çfarë është në duart e tij për ta mbajtur atë në Stadiumin e Dritave.
Henderson, i cili luan për kombëtaren U-21 të Anglisë, pritet të ftohet me ekipin e seniorëve për miqësoren kundër Francës, muajin e ardhshëm.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, thotë se ai pret gjithmonë të fitojë dhe kjo e bën atë të besojë se klubi që ai drejton ka një të ardhme të ndritur.
Ranieri duket shumë optimist, edhe pse Roma është duke dështuar këtë fillim sezoni dhe është në pozitën e parafundit të tabelës së Serie A.
“Fitorja më e mirë në karrierën time ende pritet të vijë. Ky është motivimi për çdo njeri, që ai ende duhet të fitojë dhe të arrijë më shumë. Ai duhet ta realizojë atë ëndërr dhe të arrijë utopinë. Mendoj se kjo është ajo që ju bën fitues. Gjithmonë dëshironi të fitoni dhe të arrini më shumë se sa tashmë keni arritur”, ka thënë Ranieri për Sky Sport Italia.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se ai iu tregon gënjeshtra mediave në disa raste me synimin për të mbrojtur ekipin e tij.
“Nëse më pyesni nëse kam gënjyer shtypin për të mbrojtur lojtarët, më duhet të them po. Nuk jam ndjerë komfort më pas, por kam një qëndrim të qartë pasi nëse kjo është për një prej lojtarëve të mi, është një arsye e fortë”, ka thënë Wenger.
“Çdokush është ndryshe. Nëse i pyetni lojtarët, ata duan të luajnë çdo tre ditë, por nëse i pyetni menaxherët, ata ndonjëherë mendojnë se duhet t’i pushojnë lojtarët. Edhe mendja e lojtarit mund të lodhet, ashtu si edhe trupi”.
“Nuk mund t’ju jap shembuj konkret, por kur e gënjej shtypin, gjithmonë flas me lojtarin që ka lidhje me këtë, para se të nxjerrim tregimin tonë”, ka shtuar Wenger.
Milan raportohet se është i gatshëm për të bërë edhe një hap në tentim për të nënshkruar me mbrojtësin e Lyonit, Aly Cissokho, shkruajnë mediat italiane.
Klubi italian ishte shumë afër nënshkrimit me të në vitin 2009 nga Porto, por problemet mjekësore e penguan arritjen e marrëveshjes.
Megjithatë, sipas Il Corriere dello Sport, forma e mirë e lojtarit ka joshur vëmendjen e Milanit edhe një herë, dhe ata mund të futen në garë madje që në janar.
Të premten Adriano Galliani ka heshtur spekulimet për transferime të mundshme, duke thënë se ekipi është mjaft i mirë edhe kështu si është. Milani së fundi është lidhur edhe me një transferim të lojtarit të Paris Saint-Germain, Mamadou Sakho.
Aston Villa raportohet se është i gatshëm të transferojë sulmuesin e Tottenham Hotspur, Robbie Keane në afatin kalimtar të janarit.
Daily Mirror shkruan se Keane është pakënaqur me vendimet e menaxherit e Tottenhamit, Harry Redknapp, pasi e sheh veten jashtë favoritëve.
Ai ka shënuar vetëm një gol në tetë paraqitje këtë sezon, dhe kjo ishte në humbjen 4-1 nga Arsenali, në kuadër të Kupës, ku u inkuadrua si zëvendësues në pjesën e dytë.
Dhe tash duket se trajneri i ri i Villas, Gerard Houllier, është i gatshëm të provojë të transferojë irlandezin, i cili kaloi pjesën e dytë të sezonit të kaluar si i huazuar te Celtic.
Mesfushori brazilian Ronaldinho, ka thënë se ai dëshiron të qëndrojë te Milani dhe këtë e dëshirojnë edhe drejtuesit e klubit.
“Nuk mendoj për ndonjë klub tjetër pos Milanit. Për momentin kam shumë fat që nuk jam në zor për të menduar për para. Mund ta vendos lumturinë time në rend të parë. Nuk kam arsye të shqetësohem. Presidenti më ka thënë se mund të qëndroj për aq gjatë sa dua. Kështu thotë ai”, ka theksuar Ronaldinho.
Ish-mesfushori i Barcelonës, tash 30-vjeçar, po ashtu ka shfrytëzuar rastin t’u përgjigjet kritikëve. “Nuk shqetësohem nëse njerëzit thonë se nuk vrapoj. Ndoshta nuk marr pjesë në lojë, por iu jap të tjerëve asistime”, ka shtuar Dinho.
Kapiteni i Manchester United, serbi Nemanja Vidic, thotë se i rikthyeri Rio Ferdinand është si një nënshkrim i ri për klubin.
“Rio ka luajtur kundër Valencias dhe Sunderlandit dhe është dukur në formë dhe unë e kam parë ndeshjen e Anglisë kundër Malit të Zi, kur ai po ashtu dukej shumë mirë”.
“Jam i kënaqur që ai është kthyer përsëri dhe shpresoj se nuk do të ketë më lëndime, pasi gjatë disa viteve të fundit, ato i kanë shkaktuar shumë probleme atij. Shpresoj se këtë vit ai do të jetë i gatshëm. Nëse është kështu, do të jetë si një nënshkrim i ri për ne”, ka thënë Vidic.
Agjenti i sulmuesit të Sevillas, Luis Fabiano, thotë se një transferim te Juventusi do të ishte i mirëseardhur.
Luis Fabiano është në rrugë për t’u larguar nga Sevilla, dhe agjenti i tij Jose Fuentes thotë se një transferim në Serie A mund të jetë opsion, derisa Juventusi përmendet si destinacioni i ardhshëm më i mundshëm për brazilianin.
“Është e qartë se nëse ai nuk luan, atëherë ai do të largohet në janar. Juventus? Nuk di për interesimin e tyre dhe nuk kam pasur kontakte me ta. Por do të ishte një destinacion i mirëpritur, ngjashëm si edhe klubet tjera të mëdha italiane”, ka thënë Fuentes për Calciomercato.it.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, nuk është duke bërë shaka, pasi ai ka plane serioze për të nënshkruar me yllin e Barcelonës, Lionel Messi.
Mosaktivizimi në afatin kalimtar veror e ka bërë klubin të riorganizojë planet për të ardhmen, dhe tash Nerazzurët janë të gatshëm të krijojnë një strategji të re. Njeriu ku do të fokusohet fuqia transferuese e Interit është pikërisht Messi.
“Messi te Inter? Paj, po. E pyes veten dhe mendoj për këtë. Leo është më i fuqishmi i të gjithëve. Kur fola për këtë një ditë, vetëm bëra shaka, por tash do të shohim”, ka thënë Moratti për La Gazzetta dello Sport.
Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, nuk ka dyshime se Javier Pastore do të fitojë Topin e Artë gjatë karrierës së tij.
Palermo raportohet se tashmë ka refuzuar ofertat nga Real Madrid dhe Chelsea dhe Zamparini thotë se gjasat janë më të mëdha që ai të vazhdojë me Palermon.
“Pastore është një lojtar i madh. Ai vlen diku rreth 60 milionë euro. Për momentin, ne kemi 60 për qind të shanseve për ta mbajtur atë”.
“Javier ka një të ardhme të shkëlqyeshme para tij. Jam i bindur se ai do të fitojë Topin e Artë”, ka thënë Zamparani për Sky Italia.
Menaxheri i Real Madrid, Jose Mourinho, thotë se ai vazhdon të llogaritë në shërbimet e Kaka.
Mourinho ka përjashtuar shitjen e mesfushorit brazilian gjatë afatit kalimtar të dimrit, kur shpreson ai të rikthehet fuqishëm në fushë për Realin.
“Afati transferues i janarit tashmë është i mbyllur për ne, dhe ju do të pranoni të njëjtën përgjigje edhe nëse flisni me menaxherin gjeneral ose me Presidentin. Derisa nuk ndodh diçka katastrofike, afati kalimtar i janarit që tash është i mbyllur”.
“Kur kundërshtarët tuaj synojnë të përforcohen në janar, ne do të kemi përsëri Kaka në fushë, një lojtar i cili vlen miliona, me çmim zero [për ne]”, ka thënë Mourinho.
Mbrojtësi i Manchester United, Patrice Evra, thotë se ata e kanë humbur kontrollin e lojës.
United ka humbur tetë pikë pas katër barazimeve në udhëtim, ndërsa mbrojtësi i majtë Evra thotë se është koha kjo të ndryshojë.
“Ne fituam 1-0 në Valencia dhe barazuam 0-0 te Sunderland, që ishin rezultate të mira në aspekt të asaj se nuk pranuam gola, por ende nuk e i kontrollojmë ndeshjet. Ky nuk është United”.
“Ne kemi nevojë edhe për një portë të pastër ndaj West Brom dhe duhet të jemi të sigurt se do ta kontrollojmë gjithë ndeshjen dhe ta fitojmë. Sapo të fillojmë ta bëjmë këtë, mendoj se do të fitojmë shumë ndeshje radhazi”, ka thënë Evra.
Michael Essien ka zbuluar se menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti po e ndryshon stilin e tij të lojës.
Mesfushori është duke u bërë një lojtar më pasues nën drejtimin e italianit.
“Futbolli është një sport kontakti, por ka ndryshim në mes të ndeshjeve të vështira dhe të dhunshme. Unë zgjodha goditjet dhe pas vitit të parë në Ligën Premier, besoj se çdokush më pranoi mua dhe atë çfarë bëj”.
“Megjithatë, Carlo Ancelotti ka ndryshuar krejtësisht stilin tim të lojës. Ai më ka dhënë më shumë liri, kam më shumë shanse të shënoj gola dhe ndjehem më komfort se kurrë më parë për ndeshjen time. Ai ka qenë i shkëlqyeshëm, jo vetëm në fitimin e Ligës Premier për Chelsean, por po ashtu në raport me lojtarët”, ka thënë Essien.
Ish-pronarët e Liverpoolit, Tom Hicks dhe George Gillett, kanë tërhequr padinë e tyre ndaj pronarëve të rinj të The Reds, NESV, kur kërkuan 1.6 miliardë dollarë dëmshpërblim për shkak se marrëveshja ishte arritur ilegalisht.
Avokati i dyshes amerikane, Tom Melsheimer, ka konfirmuar se Hicks dhe Gillet do ta tërheqin padinë, për të marrë hapa tjerë më të butë.
Megjithatë, Melsheimer poashtu bëri të ditur se kur gjyqi anglez të ketë rastin për të dëgjuar të gjitha faktet, atëherë do të paraqitet një fotografi krejt tjetër. Kjo deklaratë e ish-pronarëve të Liverpoolit vjen pak orë pasi u finalizua transaksioni i klubit te NESV dhe pronari i ri, John Henry.
Trajneri i Valencias, Unai Emery, ka qenë i prerë në deklaratën e tij para ndeshjes ndaj Barcelonës në Camp Nou, duke kërkuar fitore nga skuadra e tij.
“Ne duam të përmirësohemi në çdo aspekt të lojës tonë, ndërsa një prej tyre është të fitojmë në Camp Nou. Është një fushë ku ju vuani dhe gjendja e ekipit mysafir ju detyron të punoni shumë, por ne jemi mirë të përgatitur. Ne i kemi të hapura armët dhe cilësitë tona”.
“Ne kemi respekt të madh, por jo frikë. Ju duhet të përballeni me një ndeshje të tillë me personalitet dhe mentalitet të fortë, por nuk është e lehtë. Vitin e kaluar, Barcelona barazoi vetëm në një ndeshje gjithë sezonin. Ne presim një Barcelonë të mrekullueshme, ndërsa duhet të mësohemi se si ta fitojmë aftësinë e të bërit gjërat si duhet në fushë”.
“Ne shkojmë me stilin dhe personalitetin tonë, ndërsa gjëja më e rëndësishme është që do të dalim në fushë për të fituar”, deklaroi Emery.