Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka sulmuar edhe njëherë ish-trajnerin e tij te Barcelona, Pep Guardiola, duke thënë se strategu katalanas nuk ka përvojën e duhur për të menaxhuar 22 yje.
“Te Barcelona, gjërat mund të ndryshojnë brenda 24 orëve. Futbolli është fantastik dhe askush nuk luan si Barcelona. Definitivisht është skuadra më e fortë në botë. Por, unë mësova se edhe njerëzit mund të ndryshojnë atje shpejt mendjen e tyre”.
“Guardiola është trajner i madh, por atij i mungon përvoja që të menaxhojë 22 yje të ndryshme dhe presonalitetet e tyre. Barcelona si klub nuk është i vështirë për t’u menaxhuar. Ata fituan gjashtë tituj për një vit, por më thoni se me gjithë këto talentë në skuadër, cili ekip nuk do ta arrinte atë?”.
“Publikisht, ai dëshiron të jetë i përkryer. Por, Tiger Woods kërkoi të ishte i përkryer. Dhe askush nuk është i tillë”, precizoi sulmuesi Rossoner.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, pret që gjeniu i Milanit, Ronaldinho, të jetë rreziku kryesor kur të dyja skuadrat të takohen të martën mbrëma në Bernabeu.
“Ronaldinho është lojtar që disa vite më parë, ishte në vitet më të mira të karrierës së tij te Barcelona. Ai i frikësonte të gjithë rivalët, duke më përfshirë dhe mua, ndërsa ishte kënaqësi ta shikoje atë”.
“Tani ai nuk është lojtari i njëjtë si katër vite më parë, por kur ai luan ndaj Real Madridit, atëherë natyrisht se nuk do t’i mungojë motivimi”, theksoi Casillas, që u shpreh dhe për ndeshjen në përgjithësi.
“Për Milanin, kjo është ndoshta ndeshja e parë e madhe këtë sezon. Ata kanë blerë lojtarë të mëdhenj dhe kanë skuadër shumë më të fortë. Pajtohem me Mourinhon kur thotë se kjo është thjeshtë një ndeshje tjetër, por kur e shikoni nga një kënd tjetër, atëherë kemi të bëjmë me Real Madrid – Milan”, përfundoi portieri spanjoll.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, ka konstatuar se nuk ka hapësirë në Bernabeu për sulmuesin në largim të Manchester United, Wayne Rooney.
“Ne kemi dy lojtarë të mëdhenj (Ronaldo dhe Higuain) në sulm dhe ata kanë treguar sezonin e kaluar se ata janë në gjendje për të shënuar 60 gola. Angel Di Maria dhe Mesut Ozil do të na ndihmojnë poashtu. Shtrohet pyetja, kush do të largohet për t’i bërë vend Rooneyt”.
“Ekziston një debat i hapur në klub për momentin dhe ka lojtarë të rinj të cilët duan të dëshmohen, për shembull Benzema. Ai është shumë i ri dhe ndoshta e kemi zgjidhur problemin e sulmit edhe për 10 vjet të tjera”, u shpreh Valdano.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, thotë se nuk ka hapësirë për gabime kur Rossonerët të takohen me Real Madridin në ndeshjen që zhvillohet të martën në Bernabeu, në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.
“Ndeshja e nesërme është vërtet e rëndësishme për ta tejkaluar këtë fazë dhe ky është synimi ynë i parë. Do të jetë ndeshje vërtet e vështirë. Ne duhet të luajmë në mënyrë të përkryer dhe të mos bëjmë gabime”.
“Ne e dimë se Real Madridi ka lojtarë të mirë në sulm, të cilët mund të na japin vështirësi në çdo moment të ndeshjes, një gjë kjo të cilën edhe ne jemi në gjendje ta bëjmë”.
“Nuk do të jetë kjo një sfidë mes meje dhe Mourinhos, por mes Milanit dhe Real Madridit. Jam i bindur se do të jetë ndeshje e bukur dhe spektakolare”, deklaroi Allegri.
Sir Alex Ferguson ka refuzuar që të hyjë në debatet sa i përket të ardhmes së Wayne Rooneyt, i pyetur për këtë çështje në një konferencë të Unicefit të hënën.
Ferguson refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve sa i përket Rooneyt, duke thënë se në atë konferencë nuk dëshiron të flasë për Manchester Unitedin, por vetëm për Unicefin.
Ferguson pritet që të komentojë për çështjen në fjalë kur të ballafaqohet me gazetarët në konferencën për shtyp të martën, para ndeshjes ndaj Bursasporit që zhvillohet të mërkurën në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, ka dhënë një deklaratë sensacionale ku ka paralajmëruar gol ndaj Real Madridit.
“Këtë herë unë dua të kem një rast të ri dhe unë dua të shënoj”.
“Karriera ime është në lëvizje të plotë dhe jam i kënaqur që po luaj. Unë jam fizikisht dhe mentalisht i përgatitur, dhe gjithsesi më i fortë. Ne jemi të gatshëm për t’u kënaqur me Ligën e Kampionëve dhe për të bërë mirë në Serie A”, deklaroi Pato.
Asi i Romës, Francesco Totti, ka lëvduar legjendën e Juventusit, Alessandro Del Piero, për rekordin e barazuar nga ky i fundit të 178 golave me Giampiero Bonipertin.
“Kontroll preciz, top nga e djathta në të majtën, mbrojtësi jashtë taktit dhe më pas një goditje e pandalshme. Goli i shënuar nga Del Piero, i cili ia lejoi arritjen e 178 golave, ishte shumë i bukur”.
“Ti je lider i madh dhe simbol i ekipit tonë. Unë ju dëshiroj çdo të mirë për të arriturat e juaja”, shkroi në mesazhin e tij Totti, lansuar në faqen e tij në nderim të Del Pieros.
Pronari i ri i Liverpoolit, John Henry, ka thënë se çmimi i blerjes së klubit nga Anfield nuk është i lirë, pasi që ai dëshiron të ndërtojë një skuadër kompetitive.
“Dikush mund të thotë se e kemi blerë klubin me çmim të lirë, por ne punojmë në bazë të fitimeve. Ne dëshirojmë të bëjmë një skuadër fituese. Shikojeni klubi tim të futbollit amerikan Red Sox, që ishte shumë prapa Yankees para se ta blija unë. Me ardhjen time në krye, unë e bëra Red Sox rivalin kryesor me Yankees edhe pse këta të fundit kanë më shumë fitime”.
“Unë nuk kam prapashtesën ‘Sheikh’ në emrin tim, por unë e di se Liverpoolin mund ta bëj klubin më të fortë në botë dhe këtë do ta arrij, pasi që kam dashur të jem pjesëmarrës në këtë nivel”, deklaroi Henry.
Schalke ishte plot ambicie para fillimit të sezonit 2010-2011, por Mbretërit e Kaltër dështuan në fillim të sezonit. Kjo nuk është arsye për dorëheqje sipas trajnerit Felix Magath që ka thënë se nuk do të largohet nga Gelsenkirchen deri sa ta fillojë titullin e kampionit në Bundesliga me Schalken.
“Unë do të qëndroj këtu deri sa ta fitojmë titullin. Për momentin, ne po luajmë sikurse një ekip që po lufton për mbijetesë. Natyrisht, unë jam i bindur se ne do të dalim jashtë rrezikut”.
“Jo vetëm që kemi revolucionarizuar stafin e lojtarëve, por edhe sistemin. Ne duam që të jemi më shumë sulmues dhe kjo duhet të harmonizohet tutje. Nëse dëshironi të jeni të suksesshëm, atëherë ju duhet të rrezikoni dhe ne jemi vetëm në fillim të këtij revolucioni”, tha Magath.
Vendimi për incidentet në ndeshjen kualifikuese mes Italisë dhe Serbisë, ku u dogj edhe flamuri shqiptar, pritet të merret më 29 tetor, njofton Ansa.
Federata Serbe e Futbollit kishte bërë të ditur se zyrtarët e saj janë takuar me ata të UEFA-s, për të shfuqizuar një vendim të mundshëm për fitore në tavolinë për Italinë.
Tani UEFA ka reaguar dhe me anë të një komunikatë ka konfirmuar se nuk ka mbajtur kurrfarë takimi me Federatën Serbe të Futbollit dhe se një vendim definitiv për incidentet do të merret më 29 tetor.
Harrojeni pagën e Yaya Toures prej 220 mijë funtesh në javë, pasi që Manchester City është i gatshëm që ta bëjë Wayne Rooneyn futbollistin më të paguar të të gjitha kohërave, me kontratë prej 300 mijë funtesh në javë për sulmuesin e Manchester United.
Thuhet se forma e dobët e Rooneyt nuk ka ndalur Cityn nga një superofertë dhe acarrimet e sulmuesit anglez me Sir Alex Ferguson vetëm sa i ndihmojnë Cityt.
Për Unitedin pritet të përkujdeset City me një ofertë prej më se 100 milionë funtesh për yllin anglez, shumë kjo që do të eklipsonte atë të transferimit tashmë më të shtrenjtë të të gjitha kohërave, të Cristiano Ronaldos te Real Madridi.
Juventusi ka gjetur formën më të mirë së fundmi dhe një gjë e tillë natyrisht se nuk është lënë pa u vërejtur nga ekspertët e futbollit Italian, me ish-trajnerin e Interit, Giovanni Trapattonin, që thotë se Bianconerët mund të arrijë nivelin e Nerazzurëve.
“Gigi Del Neri u ka dhënë atyre shtytjen e ridrejtimit. Ata janë skuadër që po gjen besimin dhe entuziazmin për të bërë më të mirën. Juventusi është po aq konkurrues sa Interi”.
“Del Piero? Më vjen mirë që e ka barazuar rekordin e Giampiero Bonipertit prej 178 golave. Ai është profesionist i madh dhe futbollist i mençur”, u shpreh Trapattoni.
Arsenali ka marrë lajme shumë të mira, pasi që kapiteni i Topçinjve, Cesc Fabregas, është i gatshëm për lojë, konifrmoi menaxheri Arsene Wenger.
“Ai tani është i gatshëm për lojë. Ai mund të luajë. Nuk jam i sigurt nëse do ta vë në lojë atë apo jo, pasi që ka qenë jashtë fushave për një kohë të gjatë. Fizikisht ai është i gatshëm dhe do të luajë. Me dëshirë për të luajtur”.
“Ai ka ndikim në ekipin tonë – ai është kapiteni ynë, pasuesi ynë, asistuesi ynë, golashënuesi ynë. Nuk e di se sa ndikim ka ai, por ju natyrisht se do ta dëshironit në ekip”, tha Wenger.
Giorgio Chiellini ka dhënë mendimin e tij për këtë sezon në zhveshtoren e Juventusit dhe vigani Bianconer mendon se qëndrushmëria është çelësi i suksesit.
“Nëse gjithmonë luajmë kështu, atëherë ky do ishte Juventusi të cilin e pëlqen Luigi Del Neri. Ne të gjithë luajtëm mirë dhe ishim në gjendje që të shënojmë fitore të larë. Ne tani kemi një javë të rëndësishme para nesh me sfidat ndaj Salzburgut dhe Bolognas”.
“Ne do të gjejmë qëndrueshmëri, por është e vështirë për një ekip si ne që është në formim e sipër. Ne duhet të mbesim të qetë dhe të gjejmë vazhdimsinë e nevojshme”, u shpreh Chiellini.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka përgatitur veten për sfidën ndaj Real Madridit, duke deklaruar se ai është duke e ‘vrarë’ veten vetëm e vetëm që të jetë në formë ndaj Los Blancos.
“Unë po punoj vërtet shumë dhe po e vras veten për bashkëlojtarët. Nëse ata fitojnë, atëherë edhe unë fitoj dhe kështu kjo është më e rëndësishme”.
“Si jam unë? Unë jam shumë mirë. Shumë gjëra janë zbuluar për gjendjen time kohëve të fundit. Më pëlqen të jem përsëri në Itali”.
“Jose Mourinho? Ai është njeri i mençur dhe shumë mirë i përgatitur. Kur unë isha te Interi, ai ka ditur si të nxjerrë formën më të mirë nga unë”, deklaroi Ibra për La Gazzetta dello Sport.
Legjenda a Milanit, Paolo Maldini, beson se Real Madridit i mungon një Zinedine Zidane i ri.
Madini beson se Real Madridit i mungon një lojtar i stilit të Zinedine Zidane i cili orkestron lojën e madrilenëve, dhe kjo mund t’i kushtojë ekipit spanjoll në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Milanit, ndeshje e cila zhvillohet nesër (e martë) në San Siro.
“Zidane ka qenë një lojtar që ka dhuruar kënaqësi, por ai u largua për në Spanjë. Kjo është ajo që i mungon Reali, një Zidane”, ka thënë Maldini për sportiven spanjolle AS.
Por, i pyetur se cili është lojtar më i madh, Maldini ka zgjedhur Diego Maradonën.
“Maradona ka qenë më i madhi. Dhe pastaj Ronaldo [origjinali] në vitin e parë të tij në Itali [për Interin]”, ka shtuar mbrojtësi italian.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka refuzuar të heqë dorë nga shpresat për të arritur pozitën e katërt të tabelës këtë sezon.
Liverpooli pushton pozitën e parafundit të tabelës së Ligës Premier, me vetëm një fitore nga tetë ndeshje të zhvilluara këtë sezon. Por Hogdson thotë se ekipi do t’u kthehet fitoreve dhe do të arrijë të sigurojë pozitën e katërt dhe vend për Ligën e Kampionëve në fund të sezonit.
“Nuk do ta fshi top katërshin ende, por do të duhet të realizojnë katër ose pesë fitore radhazi. Ende nuk ka shenja të kësaj, por do të ndodhë edhe kjo. Pronarët nuk mund të bëjnë asgjë për ta bërë punën më të lehtë”.
“Ka shumë gjëra që ende duhet të zgjidhen në klub jashtë fushës së futbollit. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me ekipin dhe, me shpresa, të fitojmë ndeshje”, ka thënë Hodgson.
Pas fitores ndaj Birmingham City, sulmuesi i Arsenalit, Marouane Chamakh thotë se Topçinjtë mund ta fitojnë titullin.
“Është shumë më shumë se sa kam pritur unë – i kam dhënë vetes ca kohë t’i adaptohem futbollit anglez dhe këtë herë duket se shkon më shpejt. Pesë gola në 11 ndeshje, përfundimisht është më shumë se sa kam menduar”, ka thënë Chamakh.
Kjo ishte fitorja e parë e Arsenalit në katër ndeshjet e fundit, por sulmuesi mendon se ata ende mbeten konkurrent për titull.
“Ne mund t’ia dalim. Kur e shihni mënyrën se si luajmë dhe ekipin që kemi, kjo nuk është problem. Po thuajse çdo ndeshje duhet të fitohet, nuk ka vend për gabime të tjera tash”, ka thënë marokeni.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, është ndarë i kënaqur me paraqitjen e William Gallas në fitoren e vikendit ndaj Fulhamit.
Gallas u lëndua që në fillim të sezonit të tij të parë në White Hart Lane dhe të shtunën ishte ndeshja e tij e parë pas një muaji.
“Ai erdhi të enjten në mëngjes – hera e parë që ai ishte në gjendje të stërvitej. Isha i kënaqur me atë që bëri për ne. Bassong po ashtu luajti mirë me të në mbrojtje”, ka thënë Redknapp për ish-kapitenin e Arsenalit.
“Ai duhet të luajë – nuk ka asnjë tjetër! Nëse ai do të jetë në gjendje të luajë tre ndeshje në javë, do të jetë vështirë. Mbase do të duhet ta shfrytëzoj shansin të mërkurën [kundër Interit]”, ka shtuar trajneri anglez.
Menaxheri i Evertonit, David Moyes, ka qenë në ekstazë pasi ka parë ekipin e tij të mposhtë rivalin lokal Liverpool, me rezultat 2-0 në derbin e të dielës në Goodison Park.
Dyshja dinamike Tim Cahill dhe Mikel Arteta që të dy gjetën rrjetën e Të Kuqve për t’i siguruar tre pikët e reje Evertonit.
“Buzëqeshja nuk po hiqet nga fytyra ime. Ka kaluar shumë kohë. Vërtet jam i zhgënjyer që nuk kemi mundur të fitojmë më shumë derbi. Ne luajtëm kundër vërtet një klubi të mirë futbolli”.
“Më herët na ka munguar kualiteti kundër Liverpoolit, por tash nuk mendoj se na mungon. Ne kemi lojtarë me kualitet të mirë, të cilët mund të luajnë për klube të mëdha. Kush do ta shënonte golin e parë vërtet ishte një gjë e rëndësishme dhe mendoj se ishim më insistues në 20-25 minutat e para. Kam qenë i ngazëllyer të sulmoj, pasi të dyja ekipet nuk kanë shënuar aq lirshëm”, ka thënë Moyes.
Alberto Aquilani - Juventus Trajneri i Juventusit, Gigi del Neri, ka fjalë të mira për lojën e Alberto Aquilanit, i cili shënoi golin e parë për klubin, në fitoren e thellë ndaj Lecce.
“Ekipi po përparon në çdo zonë. Aquilani e ka gjetur veten në këtë ekip. Ai ka teknikë, ka pjekuri dhe krahas tij çdokush po ia del mirë”,
“Kam menduar se Felipe Melo mund të japë një kontribut të rëndësishëm këtë sezon dhe ai po i kryen punët e tij në mënyrë të përkryer”, ka thënë Del Neri.
Real Madrid do ta shfrytëzojë sulmuesin francez Karim Benzema si joshje për të marrë shërbimet e sulmuesit të Manchester United, Wayne Rooney.
The Sun shkruan se gjigantët spanjoll janë duke përgatitur marrëveshje në vlerën e 50 milionë funteve për të transferuar sulmuesin anglez.
Trajneri i Realit, Jose Mourinho, dëshiron ta transferojë me çdo kusht lojtarin e tij të preferuar dhe e di se menaxheri i United, Alex Ferguson, është një fans i Benzema. Mourinho do të përfshijë 22-vjeçarin në marrëveshjes plus shumën e përmendur.
Edhe menaxheri gjeneral i klubit mbretëror, Jorge Valdano ka konfirmuar se Real Madridi është i interesuar ta transferojë Rooneyn.
“Problemi ynë është kënd ta largojmë nëse vjen Wayne Rooney. Ne kemi një repart të shkëlqyeshëm sulmues me Ronaldo dhe Higuain dhe tash kemi edhe Ozil dhe Di Maria për t’i plotësuar ata”, ka thënë Valdano.
Trajneri i Lazios, Edy Reja, është i ngazëllyer pasi ekipi i tij mposhti Barin me rezultat 2-0.
Reja beson se kualiteti i Lazios i kombinuar me këmbëngulësinë, është ajo që e mban ekipin në maje të tabelës së Serie A.
“Ne i lejuam Barit shumë pak hapësirë dhe mbrojtja jonë ia doli mirë të mos bie në lëvizjet e sulmuesve. Ne kemi disa sulmues të cilët janë të aftë ta vendosin ndeshjen në çdo moment”.
“Ne kishim filluar t’i studiojmë lëvizjet dhe karakteristikat e Barit që nga e marta, andaj e u përgatitëm për këtë ndeshje shumë me kujdes”, ka thënë trajneri pas fitores së mbrëmshme.
Mesut Ozil dhe Cristiano Ronaldo Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është i befasuar me faktin se sa shpejt Mesut Ozil është adaptuar te klubi spanoll.
Ozil edhe një herë ishte impresiv në fitoren 4-1 të Real Madridit ndaj Malagas, që u zhvillua të shtunën në Santiago Bernabeu.
“Ne të gjithë jemi të kënaqur me të – ai po fiton vetëbesim çdo ndeshje. Ne po ashtu jemi të kënaqur edhe me nënshkrimet tjera të verës. [Sami] Khedira dhe Pedro Leon janë lojtarë të mirë”, ka thënë Ronaldo.
Me dy golat kundër Malagas, portugezi është golashënuesi më i mirë në kampionatin spanjoll deri tash këtë sezon me pesë gola, sa ka edhe sulmuesi i Villarrealit, Nilmar. Në anën tjetër Ronaldo kryeson edhe me asistime.
Menaxheri i Interit, Rafa Benitez, dëshiron të sjellë përforcime të reja në janar.
Pas fitores minimale ndaj Cagliarit, strategu spanjoll mendon se ekipi i tij ka nevojë për lojtarë të rinj.
“Ne kemi nevojë të analizojmë dy ose tre situata me drejtorin Marco Branca. Mendoj se duhet të blejmë lojtarë të rinj në janar, ashtu që të jemi në formë deri në fund të sezonit”, ka thënë Benitez.
Testi i ardhshëm i Interit do të jetë në Ligën e Kampionëve kundër Tottenhamit, ndeshje e cila zhvillohet të mërkurën në Giuseppe Meazza.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka deklaruar se ai dëshiron të fitojë titullin e Ligës Premier këtë sezon.
Fitorja ndaj Blackpool e ka ngritur Cityn në pozitën e dytë të tabelës prapa liderit, Chelseat, por Mancini nuk është i kënaqur me këtë rreshtin të ekipit të tij.
“Është mirë që jemi në pozitën e dytë, por synimi jonë është më i lartë dhe gjithmonë përpiqemi të jemi më të mirët. Nëse ky sezon do të përfundonte tash, nuk do të isha i kënaqur, pasi kemi një ekip shumë të mirë dhe lojtarë të shkëlqyeshëm dhe ne duhet vetëm të mendojmë të jemi më të mirët, jo të dytët”, ka thënë Mancini.
Manchester United nëpërmjet zëdhënësit ka mohuar spekulimet që qarkullonin nëpër mediat angleze se Wayne Rooney do të shitet gjatë afatit kalimtar të janarit, pas acarrimeve me Sir Alex Ferguson.
Deklarata e Rooneyt e cila binte ndesh me pohimet e Ferguson dhe lënia jashtë fushe e ‘Wazzas’ për disa ndeshje, kanë zgjuar dyshimet e publikut se Fergie është përplasur me sulmuesin anglez dhe se e ka në plan ta shesë atë gjatë janarit, proces të cilin e bëri edhe me Beckhamin dhe Van Nistelrooyn.
“Të sugjerojmë se Wayne Rooney do të shitet në janar, janë thashetheme”, tha një zëdhënës i klubit nga Old Trafford.