Roma ka pësuar humbje të rëndë nga Baseli në Olimpico me rezultat 3-1, ndërsa Bayerni ka vazhduar formën e lartë me fitoren e tretë në Ligën e Kampionëve, ndaj Clujit me rezultat 3-2.Pas një depërtimi të Xherdan Shaqirit, topi i harkuar në zonë nga kosovari prek Marko Strellerin, i cili e vazhdoi topin te Alexander Frei (12’), që realizoi gol të bukur për 1-0. Marco Boriello barazoi rezultatin në 1-1 (21’), kurse në 2-1 pas pjesës së parë për Baselin rezultatin e vendosi Samuel Inkoom (43’).
Në pjesën e dytë Roma dominoi me raste, por në fund ishte Cabral ai që pasi kaloi dy lojtarë arriti të shënonte për 3-1 dhe futjen edhe më thellë të romakëve në krizë.

Bayerni nga ana tjetër u desht që të rikthehej nga dizavantazhi, pas golit të shënuar nga Cadu (28’). Megjithatë, ishte pikërisht futbollisti mysafir i Cluj, Cadu, ai që realizoi autogol (32’), për 1-1. Vetëm pesë minuta më vonë (37’), ishte Cristian Panin ai që e kaloi Bayernin në epërsi. Ishin këta dy gola të shpejtë brenda pesë minutave të shënuar nga bavarezët.
Në pjesën e dytë u formalizua fitorja e Bayernit, me anë të golit të sulmuesit në top formë, Mario Gomez (77’), ndërsa për golin e dytë të Cluj dhe rezultatin 3-2 u përkujdes Emmanuel Culio (86’).
Bayerni e sheh veten në vendin e parë me nëntë pikë pas tre ndeshjeve në Grupin E, ndërsa Baseli, Cluj dhe Roma kanë nga tri pikë pas tri ndeshjeve, duke lënë kështu gjithçka të hapur sa i përket kualifikimit në këtë grup.
Arsenali ka arritur që të dërrmojë Shakhtarin në duelin e zhvilluar në Emirates, i cili përfundoi me rezultat 5-1 për vendasit, ndërsa nga ana tjetër Braga diskualifikoi nga gara më prestigjioze evropiane Partizanin.Serinë e golave për Arsenalin e hapi Alexander Song, ndërsa Djourou e përgatiti golin që zhbllokoi rezultatin (19’). Në fund të pjesës së parë (42’), Samir Nasri shënoi golin e dytë për Arsenalin në këtë takim, tani me asistimin e Song.
Në pjesën e dytë, Topçinjt vetëm sa e finalizuan dërrmimin. Cesc Fabregas iu rikthye golave pas një ore lojë (60’), kur realizoi nga pika e bardhë, kurse talenti Jack Wilshere (66’) vetëm sa e shtoi turpin për mysafirët nga Ukraina.
Dhe, goditjen përfundimtare kundërshtarëve ua dha Marouane Chamakh (69’), që realizoi pas asistimit të Samir Nasrit. Golin e nderit për mysafirët e realizoi ish-sulmuesi i Arsenalit, Eduardo (82’).

Bragës nga ana tjetër i mjaftuan golat e shënuar nga Lima (35’) dhe Matheus (90’), për të diskualifikuar nga Grupi H i Ligës së Kampionëve skuadrën serbe Partizan, që nuk arriti të fitonte as një pikë të vetme.
Arsenali ka nëntë pikë pas tri ndeshjeve të zhvilluara në Grupin H, ndërsa Shakhtari mbetet me vetëm gjashtë. Braga ka tri pikë pas fitores ndaj Partizanit në pozitën e tretë.
Real Madridi ka dalë fitues i ndeshjes kryesore të xhiros së tretë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve duke e mposhtur Milanin me rezultat 2-0.
Los Blancos e filluan furishëm takimin e vlefshëm për Grupin G, duke realizuar dy gola të shpejtë për t’i dhënë fund dilemës për fituesin që në pjesën e parë.Njeriu kryesor i vendasve, Cristiano Ronaldo, gjeti një hapësirë ndërmjet ‘murit të gjallë’ për të mposhtur portierin Amelia nga gjuajtja e lirë (13’).
Ronaldo ishte meritor edhe për golin e dytë të Realit, pasi që ishte pikërisht portugezi që pasoi te Mesut Ozil dhe ky i fundit me ndihmën e Boneras e plasoi topin në rrjet (14’).Pas golit të dytë të shënuar, Los Merengues thuajse humbën motivacionin për lojë, ndërsa ishte ky moment i ndritshëm për skuadrën mysafire, e cila përkundër rasteve nuk arriti të ndryshojë diçka në rezultat.

Në pjesën e dytë, Mbretërit sërish luajtën më mirë, mirëpo nuk i shfrytëzuan rastet e shumta që patën. Përderisa Rossonerët në momente të caktuara shkaktonin presion, por të pasuksesshëm.
Takimi tjetër i Grupit G, ndërmjet Ajaxit dhe Auxerre, ka përfunduar me fitoren e holandezëve me rezultat 2-1.
Pas xhiros së tretë, Reali prin me nëntë pikë, i ndjekur nga Milani dhe Ajaxi që kanë nga katër pikë.
Mesfushori i Holandës, Wesley Sneijder, i ka bërë thirrje bashkëkombësit të tij, Ibrahim Afellay, që t’i bashkohet te Interi.“Afellay është i gatshëm të largohet nga Holanda. Qyteti i Milanos do të ishte i mirë për të. Unë i kam thënë këtë edhe personalisht, dhe ai e di se sa e vlerësojmë te Interi”, theksoi Sneijder.
Ndërkohë, edhe vet Sneijder është shumë pranë rinovimit të kontratës së tij me Interin.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka shprehur zhgënjimin e tij në Wayne Rooneyn, për mënyrën se si ai e ka refuzuar rinovimin e kontratës.“Unë jam takuar me të dhe ai më përsëriti atë që më tha agjenti i tij. Ai dëshiron të largohet. Unë i thashë atij: ‘Mos harro një gjë – respektoje këtë klub. Unë nuk dua më fjalë nga ti, respektoje klubin tënd’”.
“Ajo që po shohim tani nëpër media është zhgënjyese, pasi që kemi bërë gjithçka që kemi mundur për Wayne Roneyn, që nga minuta e parë kur ai erdhi në klub. Ne gjithnjë kemi qenë mburoja e tij”, theksoi Ferguson.
Ferguson gjithashtu u bëri thirrje tifozëve që të qëndrojnë kryelartë.
“Mesazhi im për tifozët është që t’i besojnë Manchester Unitedit. Nëse shikoni në historinë e klubit tonë për 50 vite, atëherë shuma e trofeve të fituara, nderimet dhe respekti që kemi marrë përreth botës flasin më shumë. Ne kemi prodhuar më shumë lojtarë se çdo klub tjetër për Anglinë. Është histori fantastike kjo dhe ne nuk duhet ta harrojmë këtë”.
“David Gill u përgatit që t’i ofronte atij kontratën më të mirë në Angli. Rooney madje ka rënë në kundërshtim me veten, pasi që ka thënë se dëshiron të qëndrojë përjetë këtu. Ne e kemi shpërblyer këtë kërkesë të Wayne Rooneyt. Kështu, Gill në negociata me pronarët, ia ofroi Rooneyt kontratën më të mirë që dikush e ka pasur ndonjëherë në Angli”, deklaroi Ferguson për MUTV.
Chelsea ka shënuar fitore komode prej 2-0 si mysafir i Spartak Moskës, në ndeshjen e të martës mbrëma të zhvilluar në Olimpiyskiy stadion Luzhniki të kryeqytetit rus.Në takimin e vlefshëm për Grupin F, Blutë siguruan fitoren që në pjesën e parë.
Yury Zhirkov kaloi mysafirët në epërsi me një ‘projektil’ nga më shumë se 18 metra (23’), ndërsa Nicolas Anelka dyfishoi epërsinë pas një asistimi të Michael Essien (43’).
Në pjesën e dytë, vendasit krijuan më shumë presion para portës së Petr Cech, mirëpo në fund të ndeshjes ata u larguan kokulur.
Pas kësaj fitoreje, Chelsea shkëputet në krye tw Grupit F me nëntë pikë, tre më shumë se Spartaku, dhe nëntë më shumë se Marseille e Zilina, që e zhvillojnë ndeshjen tjetër të këtij grupi nga ora 20:45.
Trajneri i Interit, Rafa Benitez, nuk është i brengosur nga spekulimet që thonë se skuadra e tij po varet nga Samuel Eto’o, nëse Interi është duke fituar.“Vitin e kaluar Interi është varur nga Diego Milito dhe ata kanë fituar tri trofe. Nëse këtë vit ne duhet të varemi në Eto’on për të fituar, atëherë jam i kënaqur. Jam i kënaqur që ekipi po pranon pak gola”.
“Ne kemi vazhduar me mentalitet të njëjtë sikurse vitin e kaluar dhe po tentojmë që të përmirësohemi në aspektin e posedimit të topit”, u shpreh Benitez.
Ylli i Lazios, Hernanes, tashmë ka filluar të shtrijë autoritetin e tij në Serie A dhe tani dëshiron që këtë ta bëjë edhe ndaj Romës në derbi.“Mua vetëm më duhet edhe ky derbi për t’i pushtuar tifozët. Ndeshja ndaj Romës është shumë e rëndësishme për tifozët tanë”.
“Ata e përjetojnë derbin me passion të madh dhe intensitet, dhe unë nuk dua që t’i zhgënjej. Dalëngadalë, me punë, unë po hyj në zemrën e tyre. Gjithçka po shkon më shpejt se që e kam pritur”, potencoi Hernanes.
Sulmuesi i Tottenhamit, Robbie Keane, është duke e pritur me mallëngjim sfidën ndaj ish-ekipit të tij, Interit, kur të dyja skuadrat të takohen të mërkurën në kuadër të Ligës së Kampionëve në tempullin mitik, San Siro.Përkundër periudhës së vështirë në Serie A, Keane nuk pendohet që ka kaluar dhjetë vite më parë nga Coventry City te Interi.
“Unë isha i vetmi lojtar i ri në atë skuadër dhe është diçka për të cilën kurrë nuk do të pendohem. Unë kam kaluar shumë mirë, jam kënaqur”.
“Vieri, Ronaldo, Recoba ishin në atë ekip. Ata ishin lojtarë të mëdhenjë dhe të luaja me këta lojtarë çdo stërvitje, natyrisht se kam mësuar shumë dhe mendoj se më ka ndihmuar të formohem si lojtar”, theksoi Keane.
E ardhmja e Bojan Krkic te Barcelona duket të jetë tejet e paqartë, pasi që Juventusi dëshiron ta transferojë talentin spanjoll.Thuhet se Juventusi dëshiron ta shfrytëzojë rastin që ta marrë Krkicin sa më lirë që është e mundur, për shkak se ai nuk po aktivizohet shpesh nëpër takimet e Blaugranëve, që mund të jetë një prej arsyeve kyçe pse Krkic do ta pranojë ofertën e Juventusit.
Për çdo rast, mund të konfirmohet se Juventusi do ta rishqyrtojë pozicionin e vet gjatë afatit kalimtar dimëror.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka kërkuar nga bashkëlojtarët e tij që ta marrin me seriozitet sfidën ndaj Tottenhamit në Ligën e Kampionëve, pasi që nuk bëhet shaka me skuadrën e katërt angleze.“Tottenhami ka ekip të shkëlqyer, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur ata të fillojnë aksionet nga loja pasive. Ne nuk duhet t’i nënvlerësojmë ata, pasi që ne duam që të kualifikohemi sa më shpejtë që është e mundur”.
“Rafael Benitez dhe Jose Mourinho janë trajnerë me ide të ndryshme, por që të dy duan të fitojnë. Sa më shpejtë që dashurohemi në lojën e Benitezit, aq më mirë”, ka thënë ‘Il Capitano’.
Milani mund të mposhtë Real Madridin në Santiago Bernabeu. Kështu mendon ish-trajneri i Milanit dhe një prej kritikuesve më të mëdhenj të Rossonerëve, Arrigo Sacchi, që gjithashtu ishte drejtor te Real Madridi.“Real Madrid – Milan ëhstë ‘el classico’ i Evropës. Dy klube të mëdha me traditë dhe histori të madhe. Ndeshja është e hapur për çdo rezultat. Rossonerët hyjnë në këtë ndeshje me formë të mirë, përderisa Los Blancos na kanë treguar se nuk kanë zgjidhur të gjitha problemet e metabolizmit të lojës së Mourinhos”.
“Forma aktuale e asëve të Milanit, ju bën më të sigurtë në krahasim me atë të Cristiano Ronaldos, Higuainit, Ozilit dhe Di Marias. Klasi i Ronaldinhos, Ibrahimovicit, Patos, Pirlos dhe Nestas duket më i madh”.
“Të gjithë duhet të bashkëpunojnë në fazën e mbrojtjes dhe më pas ta menaxhojnë topin me mençuri dhe me kundërsulme të shpejta. Nëse Rossonerët dinë si të pozicionohen, atëherë kjo do t’i ndihmojë mbrojtjes dhe rreziqet do jenë minimale”, deklaroi Sacchi.
Mbrojtësi i Shakhtar Donetskut, Darijo Srna, këmbëngul se Arsenali është ekip larg më i mirë se Barcelona për momentin.“Ato janë dy ekipe tepër të shpejta, lojtarët e sulmit të së cilave janë tepër të fortë dhe agresivë. Do të thosha se tani Arsenali po luan edhe më mirë se Barcelona.
“Por, ne jemi skuadër e madhe me lojtarë të fortë. Shakhtari gjithmonë krijon shumë sulme, por ndoshta, do të ketë shumë pak aksione këtu në Londër”, u shpreh Srna para duelit mes Shakhtarit dhe Arsenalit që zhvillohet sonte mbrëma në Emirates.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, e konsideron supersfidën që zhvillohet sonte mbrëma në Bernabeu ndaj Milanit si mundësi për të parë se sa janë përmirësuar Los Blancos.“Ne mezi e presim ndeshjen, është një ndeshje e madhe me rivalë të mëdhenjë, në një moment të mrekullueshëm për të dyja ekipet”.
“Të gjitha kushtet janë përmbushur për një ndeshje fenomenale. Ata janë ekip që është i njohur në tërë botën. Ata janë shumë teknikë dhe tejet imagjinativë, me shumë armë në sulm. Është test i madh ky, edhe pse teste edhe më të mëdha do vijnë më vonë. Për ne kjo ndeshje është me rëndësi të shohim se ku jemi”, tha Valdano.
Mesfushori i Barcelonës, Javier Mascherano, ka deklaruar se është e çuditshme që ish-klubi i tij, Liverpooli, është duke vuajtur në Ligën Premier dhe po lufton për mbijetesë.“Unë po e shoh atë që po ndodh atje me mjaft pikëllim. Liverpooli është klub që më dha shumë. Unë kam miq dhe dashurinë për klubin. Është fat i keq që ata janë në një situatë të tillë të radhë të vështirë”, theksoi Mascherano.
Mesfushori argjentinas kaloi nga Liverpooli te Barcelona gjatë afatit kalimtar veror për 30 milionë funte.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka bërë të ditur në konferncën për shtyp para ndeshjes së Ligës së Kampionëve që nesër United e zhvillon ndaj Bursasporit, se sulmuesi anglez, Wayne Rooney, dëshiron të largohet nga Old Trafford.Kishte spekulime të shumta ditëve të fundit se Rooney dëshiron të largohet nga Manchester Unitedi, spekulime këto të cilat u ndezën pas deklaratës së Rooneyt se ai nuk është i lënduar dhe se nuk kishte dijeni pse nuk e fuste në lojë Ferguson. Pas deklaratës së bosit të United, thuhet të jenë alarmuar skuadra të ndryshme, duke përfshirë këtu Real Madridin, Barcelonën, Chelsean e madje edhe Manchester Cityn.
Ferguson këmbëngul se nuk ka pasur kurrfarë acarrimesh mes tij dhe Rooneyt, duke pohuar se dera është e hapur për të që të qëndrojë, por shtoi se pret luftë ofertash për sulmuesin, i cili ia ka bërë të qartë bosit të tij se dëshiron të largohet.“David Gill (drejtori ekzekutiv), në fillim të verës hapi bisedimet me agjentin e Rooneyt, të cilat është dashur të vazhdojnë pas Botërorit. Unë isha në zyre më 24 gusht, kur David më telefonoi dhe më tha se Rooney nuk do ta rinovojë kontratën”.
“Unë mbeta si budalla. Vetëm disa muaj më parë ai më ka thënë se është te klubi më i mirë në botë. Unë kërkova takim me të. Ai më ripërsëriti atë që tha dhe agjenti i tij, ai kërkoi që të largohej”, deklaroi Ferguson.
Sulmuesi i Villarrealit, Giuseppe Rossi, është duke u lidhur me një transferim te Liverpooli.Burime nga Spanja bëjnë të ditur se me pronarët e rinj të Liverpoolit që do të sigurojnë fonde për transferimet e reja, menaxheri i Të Kuqve, Roy Hodgson, dëshiron ta sjellë Rossin sërish në Londër në afatin kalimtar të janarit.
Italiani thuhet se është i zhgënjyer me interesimin e paktë të treguar për të nga klubet e Serie A gjatë verës së kaluar dhe tash dëshiron të transferohet në Angli.
Rossi kaloi tre vite te Manchester United para se të shitet te Villarreal, ku ai tash shihet si një prej sulmuesve më të mirë të ri në kontinent.
Interi është duke përgatitur ofertë të majme për afatin kalimtar të janarit për mbrojtësin e Boltonit, Gary Cahill.Menaxheri i Interit, Rafa Benitez, raportohet se është i interesuar për 24-vjeçarin derisa ishte nën drejtimin e Liverpoolit dhe spanjolli është i gatshëm të bëjë ofertë në vlerën e 10 milionë funtave për ta sjellë tash atë te Interit.
Megjithatë, Bolton nuk pritet të lejojë largimin e lojtarit për ndonjë ofertë nën 15 milionë funte, me Tottenhamin dhe Arsenalin të cilët po ashtu janë të interesuar për lojtarin.
Menaxheri i Milanit, Massimilliano Allegri, nuk ka dyshime se Alexandre Pato do ta fitojë shpërblimin Topi i Artë në karrierën e tij.Pato shkëlqeu në ndeshjen e vikendit duke shënuar dy gola në fitoren 3-1 të Milanit ndaj Chievos, dhe braziliani pritet të jetë në formë edhe për ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve, përballë Real Madridit.
“Me respekt për Cristiano Ronaldon, Pato është më shumë sulmues. Ai është i destinuar ta fitojë një prej shpërblimeve Topi i Artë në të ardhmen”, ka thënë Allegri.
Kampioni i La Liga, Barcelona, është duke u lidhur me një ofertë për mesfushorin e Porto, Joao Moutinho.Ish-kapiteni i Sporting Lisbonës, u zhvendos te Porto vetëm gjatë verës, por ai tashmë ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve evropiane.
Gazeta portugeze O Jogo shkruan se Barca do të bëjë një ofertë në vlerën e 20 milionë eurove për Moutinho, pasi Pep Guardiola është i shqetësuar për formën e Xavi dhe Andres Iniesta.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se klubi i tij nuk do ta shesë mesfushorin Kaka në muajin janar.Kaka është lidhur me një rikthim te ish-klubi i tij, Milani, në prag të takimit të sotëm të Ligës së Kampionëve në mes të dy gjigantëve evropian.
“Ai do të bëjë dallimin për ne. Kaka do të jetë nënshkrimi jonë i lirë i janarit. Rikthimi i tij do të jetë fundamental për ne”, ka thënë Mourinho rreth brazilianit, i cili është duke u rikuperuar nga lëndimi në gju.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ka qenë i ngazëllyer me sulmin e tij në fitoren ndaj Genoas.Ranieri ka përkrahur Francesco Tottin dhe Marco Borriellon të vazhdojnë bashkëpunimin e mirë në repartin e sulmit.
“Më duket se Totti dhe Borriello është një partneritet thelbësor. Është një partneritet i cili po e shoh se po ia del mirë. Totti i parë kundër Genoa ishte ‘stratosferik’. Ai është në formë të shkëlqyeshme. Ai nuk shënon, por jam shumë i kënaqur me paraqitjet e tij”, ka thënë Ranieri.
Ylli i Milanit, Robinho, nuk do të ngurojë të festojë nëse shënon kundër ish-klubit të tij, Real Madrid.Milani sonte udhëton në Bernabeu në kuadër të rundit të tretë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve, dhe braziliani pret të kthehet në San Siro me tre pikë të grumbulluara.
“Do të shkoj në Madrid vetëm me dëshirën për të fituar, pasi është një ndeshje e rëndësishme për të ardhmen tonë në Ligën e Kampionëve. Synimi im është vetëm të ndihmoj Milanin sa më shumë që mundem dhe të kthehemi nga Bernabeu si fitimtarë, asgjë më shumë”,
“Nuk pendohem që jam larguar nga Madridi, vetëm me mënyrën se si jam larguar, që nuk ishte më e mira. Jeta vazhdon dhe unë jam i lumtur te Milani. Nëse shënoj, do të festoj. Nëse nuk bëj kështu do të ishte mungesë respekti për fansat e mi sot”, ka thënë Robinho.
Mediat angleze shkruajnë se edhe Chelsea mund të futet në garë për të marrë shërbimet e sulmuesit të Manchester United, Wayne Rooney.Rooney do të ishte një përforcim i shkëlqyeshëm për Blutë e Londrës ku ai do të mund të bashkohej me disa prej bashkëlojtarëve të tij te kombëtarja angleze.
Megjithatë menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka qenë i rezervuar sa i takon shanseve të transferimit të sulmuesit anglez.
“Nuk mund të jap një përgjigje për këtë. Rooney është lojtar i Manchester United dhe ai ka disa probleme për momentin por klubi ka përvojë dhe kur një ekip i madh ka një top lojtar si Rooney, ata duan ta mbajnë atë në ekip”, ka thënë Ancelotti.
Sulmuesi i Sevillas, Luis Fabiano, thotë se ai nuk është i gatshëm të rikthehet në shtëpi në Brazil. Fabiano ka dhënë shenja se ai mund të largohet nga Sevilla që në janar, por dëshiron të vazhdojë të luajë në Evropë.“E vlerësoj kampionatin brazilian dhe mendoj se një ditë do të luaj atje përsëri. Dua të shkruaj emrin tim në librat e historisë së Sevilla dhe të bëhem një prej pesë shënuesve më të mirë për klubin. Por nuk më pëlqen të qëndroj në stol, veçanërisht pas asaj çfarë kam bërë në sezonet e fundit”, ka thënë sulmuesi.
Diego Maradona ka kritikuar mënyrën se si Argjentina po e trajton yllin e Barcelonës, Lionel Messi.Ish-trajneri i Argjentinës në Kupën Botërore, është i bindur se Messi është përsëri i palumtur që luan për ekipin kombëtar.
“Messi nuk është i lumtur tash. Messi ishte i lumtur me mua. Tash, askush nuk kujdeset për Messi në mënyrën se si unë kujdesesha”, ka thënë Maradona.
Menaxheri gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, është i bindur se Pedro Leon tashmë ka kuptuar mësimin e tij.Leon u rikthye në aksion për Realin gjatë vikendit, në fitoren ndaj Malaga, pasi qëndroi jashtë fushe për disa javë, pasi kishte injoruar këshillat e Jose Mourinho.
“Mou kurrë nuk ka dalë të shpërthejë kundër tij, por vetëm një nivel i kërkesave të cilat mediat e kanë raportuar. Ai është shumë i ri, sapo i ardhur këtu. Ajo çfarë Mourinho ka bërë, është se ka aplikuar disa trajtime të njëpasnjëshme, ashtu që ai të kuptojë ku qëndron. Tash ai po tregon se ka kuptuar”, ka thënë Valdano.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka paralajmëuar përfshirjen e Zinedine Zidanes në stafin teknik të Los Blancos dhe atë në një të ardhme të afërt.“Kjo duket një gjë aq e madhe për mua për të cilën më duhet të flas. Këtë duhet ta bëj presidenti”.
“Kur të kemi marrë një vendim, ne do ta bëjmë të ditur atë. Por, ndjej se Zidane është shumë pranë lidhjes me një ekip profesional. Zidane është pjesë e hierarkisë së futbollit dhe Real Madridit. Unë besoj se ai duhet të jetë i lidhur me futbollin, i lidhur me Real Madridin dhe se ai duhet të jetë i lumtur”, deklaroi Zidane.
















