Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka përjashtuar mundësinë për t´iu bashkuar garës për të marrë shërbimet e sulmuesit të Manchester United, Wayne Rooney.
Pas fitores ndaj Shakhtar Donetsk, Wenger është pyetur në lidhje me mendimin e tij rreth rastit Rooney.
"Është një ngjarje për të cilën jam i kënaqur që e lexoj në gazeta, por do të doja të qëndroj jashtë saj. Kjo do të thotë se ne nuk do të blejmë askënd, ne kemi mjaft sulmues".
"Sonte e kishim Bendtner, Walcott në stol, Arshavin në stol dhe Van Persie të lënduar. Çfarë bëjmë me të gjithë ata lojtarë? Nuk jemi të interesuar për të blerë. Ne nuk jemi në treg. Është 18 tetori, afati kalimtar hapet më 1 janar", ka thënë Wenger.
Sulmuesi i Wolfsburg, Edin Dzeko, pritet t´i bashkohet Juventusit, thotë bashkëlojtari i tij Diego.
Diego u largua nga Juventusi gjatë verës për t´iu bashkuar Wolfsburgut, që tash drejtohet nga Steve McClaren, dhe thotë se ata së shpejti do ta humbasin sulmuesin kryesor.
"Dzeko është një prej sulmuesve më të mirë në botë. Sigurisht, do të isha i lumtur të luaj në ekip me të për një kohë të gjatë, por e di se Edin ka një opsion për t´u zhvendosur te Juve gjatë verës. Dhe unë mendoj se kështu edhe do të përfundojë. Nëse po, i dëshiroj atij shumë fat", ka thënë Diego.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se mbrojtja e tij do të ketë një test të vështirë, për të ndaluar sulmuesin e Interit, Samuel Eto'o, në ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve.
Eto'o është në një formë eksplozive me 12 gola të shënuara në të gjitha garat këtë sezon.
"Do të jetë një ndeshje e madhe për mbrojtësit e qendrës. Eto'o është në një formë të pabesueshme. Kur unë isha menaxher te West Ham e ndoqa për nëntë ndeshje duke luajtur për Real Mallorca, dhe doja ta sjell në Londër. Edhe Wesley Sneijder është problem, po ashtu. Nëse ai gjen pak hapësirë, ai iu vret", ka thënë Redknapp.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ai është i interesuar për sulmuesin në largim të Manchester United, Wayne Rooney.
Ditët e Rooneyt në Old Trafford duket se janë të numëruara pasi Alex Ferguson shumë emocional konfirmoi se ylli i tij dëshiron të largohet.
"Ai është një prej lojtarëve më të mëdhenj në botë, pasi ka shumë pak lojtarë me kualitetet e tij. Ai është lojtari të cilin unë e admiroj shumë", ka thënë Guardiola.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka lavdëruar Nicolas Anelkan si lojtar "fantastik" pas paraqitjes së tij në fitoren e mbrëmshme prej 2-0 ndaj Spartak Moskës në kuadër të Ligës së Kampionëve.
"Mendoj se ne luajtëm një ndeshje të mirë. Nuk ishte ndeshje e lehtë, pasi Spartak, veçanërisht në pjesën e dytë, luajti shumë mirë. Por ne kishin kontrollin në pjesën e parë, shënuam dy gola dhe pastaj e kontrolluam atë në aspektin defansiv në të dytën. ne luajtëm mirë në mbrojtje, sidomos Petr Cech që bëri disa mbrojtje fantastike".
"Anelka tregoi kualitetet dhe aftësitë e tij të luajë në sulm. Ai është komfort kur luan atje, kur Didier Drogba nuk është. Ai është lojtar fantastik dhe mund të luajë në të gjitha pozitat në repartin sulmues", ka thënë Ancelotti.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, thotë se ata duhet të kenë kujdes nga rivali i sotëm i Ligës së Kampionëve, Tottenham.
“Ata janë një ekip i mirë të cilët mund t´ju nxjerrin vështirësi me anë të kundërsulmeve. Ne duhet të jemi të kujdesshëm edhe nga loja nga ndalimet dhe duhet të jemi të përqendruar”.
“Kritikat pas ndeshjes ndaj Cagliarit nuk ka interesojnë. Ne fituam në një fushë të vështirë dhe, edhe pse ka gjëra për t´u përmirësuar, gjëja më e rëndësishme ishin tre pikët dhe ne i siguruam”, ka thënë Zanetti.
Trajneri i Parmës, Pasquale Marino, ka dy ndeshje afat për të ruajtur stolin e tij.
Bordi i klubit ka shqetësime të mëdha rreth fillimit të sezonit në Serie A dhe ndeshjet e radhës kundër Romës dhe Chievos do ta vendosin fatin e Marino.
Një kandidat i hershëm për postin e trajnerit të Parmës, është ish-përzgjedhësi i kombëtares së Italisë dhe ish-trajner i Napolit, Roberto Donadoni.
Donadoni dëshiron t´i kthehet menaxhimit, pasi nuk ka drejtuar një klub tashmë një vit.
Sulmuesi i Schalke, Klaas-Jan Huntelaar, ka thënë se Milani do të pendohet që e ka trajtuar atë në mënyrën jo të duhur dhe e ka humbur më pas.
Huntelaar ishte dështim në Itali, por që nga transferimi i tij te Schalke ai ka shënuar pesë gola në gjashtë ndeshje.
"Jam i lumtur që jam larguar nga Milani. Nuk ka qenë një përvojë e mirë. Kam kaluar më shumë kohë në stol se në fushë, edhe pse kam treguar se jam i vyeshëm. Kundër Catanias, për shembull, për pesë minuta shënova dy gola dhe e solla fitoren. Jam këtu sepse dua të luaj vazhdimisht", ka thënë Huntelaar për Tuttosport.
"Milani kërkonte që unë të isha vendimtar për 15 minuta, këtu jam sepse luaj 90 minuta dhe e kam besimin e trajnerit dhe bashkë-lojtarëve"
"Leonardo? Me të kurrë nuk kam pasur dialog, këtu bisedoj me Magath dhe kam nevojë të përmirësohem. Mendoj se Milani në fund do të pendohet që e ka humbur Huntelaar dhe jo e kundërta", ka shtuar holandezi.
Mesfushori i Napolit, Walter Gargano, thotë se ata janë të sigurt se do të mund ta bëjnë Liverpoolin të vuajë edhe më shumë, në takimin e nesërm të Ligës së Kampionëve.
Liverpooli është duke dështuar në Ligën Premier, por megjithatë mbetet një prej ekipeve më të respektuara në Evropë.
“Ata vazhdojnë të jenë një ekip i shkëlqyeshëm. E vërteta është se Napoli ngrit nivelin kundër klubeve të mëdha, siç kemi bërë gjithmonë kundër Interit, Milanit ose Juventusit”.
“Do të jetë një ndeshje fantastike. Ne mezi presim fillimin dhe jam i sigurt se do të tregojmë edhe lojë të mirë edhe gola. Napoli është tepër i motivuar për këtë sfidë”, ka thënë Gargano.
Portieri i Milanit, Marco Amelia, ka mbetur i zhgënjyer me humbjen në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve në takimin e mbrëmshëm ndaj Real Madridit.
Amelia nuk kishte luajtur një ndeshje zyrtare me Rossonerët, por i erdhi rasti pas lëndimit të Christian Abbiatit.
“Kur Christian tha gjatë stërvitjeve se ai mbase nuk mund të luajë, kuptova se mund të luaj. U përpoqa të jap më të mirën; është turp për dy golat. Real Madridi është një ekip i shkëlqyeshëm, por ashtu jemi edhe ne, andaj para fundit të fazës grupore jam i sigurt se do të jemi atje lart edhe ne”.
“Sigurisht është zhgënjyese kur ekipi humbet dhe sezonin e kaluar Milani kishte fituar këtu. Fitorja do të ishte e shkëlqyeshme për renditjen në tabelë”, ka thënë Amelia.
Cristiano Ronaldo ka shënuar një gol nga gjuajtja e lirë dhe ka asistuar në një tjetër për t’ia treguar vendin Milanit, ndërsa vetë ylli portugez shprehet i kënaqur me paraqitjen e tij.
“Ne është dashur të shfaqemi të fortë nga fillimi, duke luajtur me përqëndrim ashtu siç e meritojnë këto ndeshje dhe ne morëm atë që deshëm”.
“Nëntë pikë nga nëntë dhe tani kemi siguruar 75% kualifikimin. Kam këmbën e ndrydhur, por nuk do të jetë lëndim problematik për ndeshjen e ardhshme”, u shpreh Ronaldo.