Lojtarët e Juventusit duke e festuar golin e barazimit Juventusi ka barazuar në udhëtim te Salzburgu me rezultat 1-1, përderisa Manchester City ka shënuar fitore prej 3-1 në shtëpi ndaj Lech Poznan, në sfidat e vlefshme për Grupin A të Europa League.
Vendasit e Salzburg luajtën shumë më mirë se Bianconerët dhe mundi u shpagua pas golit të Dusan Sventos, që zhbllokoi rezultatin në 1-0 falë asistimit të Mendes (36’).
Me të filluar pjesa e dytë, Milos Krasic realizoi golin e barazimit për Juventusin, që doli të ishte dhe goli i fundit në këtë sfidë, e cila përfundoi me rezultat 1-1. Nga ana tjetër, Manchester City ia tregoi vendin skuadrës polake Lech Poznan, e cila u mposht nga togolezi Emmanuel Adebayor, që realizoi hettrik (13’, 25’ dhe 73’), me ç’rast shkëlqeu David Silva me dy asistime. Golin e vetëm për Lech e shënoi Joel Tshibamba (50’), ndërsa ndeshja në fund përfundoi me rezultat 3-1.
Manchester City e sheh veten në pozitën e parë të Grupit A me shtatë pikë pas tre ndeshjeve, ndërsa Lech Poznan gjendet në pozitën e dytë me katër pikë. Juventusi ka tri pikë në pozitën e tretë, ndërsa Salzburg është i fundit me vetëm një pikë.
Nga ndeshjet tjera veçojmë fitoren e lartë të Atletico Madridit ndaj Rosenborgut me rezultat 3-0, humbjen e rëndë të Palermos në shtëpi prej 3-0 nga CSKA Moska dhe fitoren minimale me rezultat 1-0 të Villarealit ndaj PAOK-ut të Selanikut.
Përkundër ndërrimit të pronarëve, Liverpooli ka vazhduar me formën e dobët si në Ligën Premier ashtu edhe në Europa League, ku barazoi përballë Napolit.
Të dyja skuadrat zhvilluan lojë jo të mirë dhe relativisht të barabartë, ndërsa i tillë ishte edhe rezultati, 0-0.
Nga ana tjetër, PSV Eindhoven ka shënuar fitore prej 2-1 si mysafir i Debrecenit, ndërsa me rezultat minimal Stuttgarti e ka mposhtur Getafen.
Sevilla me vështirësi mposhti Karpaty Lviv me rezultat 1-0, ndërkohë që Besiktasi u turpërua para tifozëve të vet duke u mposhtur nga Porto me rezultat 1-3.
Sampdoria u mposht me rezultat 2-1 nga Metalist Kharkiv, derisa Borussia Dortmund dhe PSG barazuan me rezultat 1-1.
Sulmuesi i Arsenalit, Nicklas Bendtner, ka thënë se ai është në formën e tij jetësore, pasi është rikthyer nga lëndimi.
“Do të thosha se jam në formën më të mirë fizike që kam qenë ndonjëherë. Qëllimi im është që të kthehem fuqishëm dhe t’u shfaqi të gjithëve çfarë u ka munguar”.
“Unë do të bëj gjithçka për të kontribuar në nivelin tim më të lartë”, tha Bendtner.
Adriano Galliani edhe njëherë ka mohuar spekulimet e shumta të mediave italiane se Milani do të transferojë në janar mbrojtësin e Tottenhamit, Gareth Bale dhe asin e Real Madridit, Ricardo Kaka.
“Ai më pëlqen dhe gjithmonë më ka pëlqyer që nga koha sa luajti për Southamptonin. Unë kam biseduar për të me Ariedo Braidan disa vite më parë. Por, është vështirë të marrësh këta lojtarë, kur ata të bëhen të mëdhenj. Vështirë të shohim se ai do të vijë te Milani”.
“Kaka? Ai është lojtar i Real Madridit dhe nuk do të rikthehet”, ka thënë zëvendëspresidenti i Milanit.
Mbrojtësi i majtë i Manchester United, Patrice Evra, ka zgjeruar polemikat rreth çështjes Rooney, duke thënë se sulmuesi anglez nuk duhet të luajë më nëse nuk ka besim në lojtarët tjerë.
“Nëse një lojtar nuk u beson lojtarëve tjerë, atëherë ai lojtar nuk duhet të luajë. Unë nuk jam i tillë, pasi që i besoj të gjithëve dhe unë e di se mund të fitojmë. Unë jam që katër vite këtu dhe deri vitin e kaluar, unë kam fituar Ligën Premier këtu. Rooney më lëndoi – ky është Manchester United dhe ne duhet të fitojmë trofe. Ky është presioni i të qenit këtu”.
“Asnjë ekip nuk është më i mirë se ne për momentin. Ju mund të mendoni se jam çmendur, por unë them se është për shkak se kjo është e vërtetë. Manchester United i takon majes dhe jam i bindur se mund ta bëjmë këtë. Ne duhet të jemi profesionistë. Ne duhet të luajmë, nuk më pëlqejnë arsyetimet për të ardhmen e klubit. Të gjithë duhet të fokusohen në vetvete”, deklaroi Evra.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka zbuluar se ai është i bindur në qëndrimin e Cesc Fabregasit edhe për shumë vjetë të tjera.
“Ai është nga Barcelona dhe ai tërhiqet nga vendi ku është rritur. Në fund të fundit, unë besoj se ai dëshiron të fitojë me këtë klub. Për sa gjatë nuk e di, por shpresoj edhe për shumë vjetë të tjera, shumë të tjera. Nuk jam pesimist”.
“Ai thellësisht e do këtë klub, më besoni…nëse ai nuk do ta donte klubin, atëherë ai do të shkonte”, precizoi francezi.
Ikona angleze, John Terry, ka mirëpritur kalimin e mundshëm të Wayne Rooneyt te Chelsea, pas deklaratave të sulmuesit anglez se ai do të largohet nga Manchester United.
“Wayne është lojtari më i mirë i ri në botë. Unë nuk dalloj prej lojtarëve tjerë që thonë të njëjtën gjë. Ju duhet të respektoni Manchester Unitedin dhe Wayne Rooneyn, por kush e di se çfarë do të ndodhë”.
“Ne kemi skuadër të mirë dhe ai vetëm sa do të na forconte. Për mua, ai është lojtari më i mirë në botë”, deklaroi Terry.
Rafael Benitez definitivisht ka vendosur që të mbështetet në Samuel Eto’on, për të fituar titujt me Interin.
Makina e golave e quajtur Eto’o ka shënuar 14 gola në 12 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon dhe Benitez e dëshiron njeriun e tij kryesor të shënojë edhe më tutje në të ardhmen.
“Eto’o ishte fantastik. A do të shënojë ai 36 gola ashtu si te Barcelona në sezonin 2008-2009? Po, mendoj se ai mund të shënojë mbi 30 gola. Shpresoj se ai do të vazhdojë kështu, sepse po luan vërtet mirë, falë ekipit poashtu”, tha Benitez.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka adresuar problemet e skuadrës së tij pas disfatës nga Reali, duke thënë se ai pret qartësim të situates pas ndeshjes kthyese në San Siro.
“Le të mos e dramatizojmë një humbje, por minutat e para më shokuan. Ne pësuam dy gola në po aq minuta, por unë jam frikësuar se do të përfundonte ndeshja si katastrofë, ndoshta 5-0 apo 6-0”.
“Për çdo rast ne jemi në vendin e dytë në Ligën e Kampionëve dhe Serie A. Sezoni është i gjatë. Me rëndësi është të jemi të parët më 22 maj. Paraqitja e Real Madridit nuk ishte e mirë, por ne kemi rast për t’i sqaruar edhe disa hesape në San Siro”, u shpreh Galliani.
Gareth Bale u ka thënë mediave italiane se ai është mirë te Tottenhami dhe se nuk është i interesuar në një largim nga White Hart Lane.
Uellsiani është shndërruar në futbollistin më të kërkuar në Evropë pas mbrëmjes fantastike në Meazza ku shënoi hettrik në humbjen prej 4-3 të Tottenhamit ndaj Interit.
“Nuk shoh ndonjë ekip tjetër në vend të Tottenhamit, as në Itali, as në Spanjë, e as në Angli. Jam mirë këtu”, theksoi Bale që është lidhur me një kalim te Interi.
Sir Alex Ferguson tashmë ka deklaruar se Wayne Rooney nuk ka çfarë të kërkojë në Old Trafford dhe tani duket se në radarin e skocezit ka rënë supersulmuesi i Ajaxit, Luis Suarez.
Thuhet se 23 vjeçari i Ajaxit ka tërhequr vëmendjen e Sir Alex Ferguson që një kohë të gjatë, ndërsa tani mendohet se skocezi i është futur seriozisht garës për të, duke parë dhe mundësinë e shfrytëzimit të parave nga shitja e Rooneyt.
Manchester United pritet që të ofrojë për Suarezin rreth 30 milionë funte.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka lansuar një sulm sensacional në drejtim të Wayne Rooneyt, pas vendimit të këtij të fundit për t’u larguar nga Old Trafford, për shkak se sipas sulmuesit anglez, Djajtë e Kuq nuk janë të uritur për tituj.
“Shpeshherë ju shikoni në livadh dhe shihni një lopë, ndërsa mendoni se është një lopë më e mirë se sa që e keni aktualisht”.
“Është fakt dhe kurrë nuk funksionon në atë mënyrë. Ndoshta është lopa e njëjtë dhe nuk është më e mirë se lopa juaj. Disa lojtarëve u pëlqen të mendojnë se ekziston botë më e mirë diku tjetër. Kjo kurrë nuk funksionon”, theksoi Ferguson që shtoi se United do të transferojë emra tjerë të mëdhenjë.
Dy tifozë të Liverpoolit janë hospitalizuar në Napoli, pasi shpërtheu dhuna para ndeshjes mes Liverpoolit dhe Napolit në Europa League.
Thuhet se një numër i madh i tifozëve të Liverpoolit kanë udhëtuar në Napoli për të përcjellur sfidën që zhvillohet sonte mbrëma në San Paolo. Siç njoftojnë mediat italiane, bëhet fjalë për katër incidente të ndara, ku kanë mbetur të lënduar dy tifozë të Liverpoolit.
“Ne mund të konfirmojmë hospitalizimin e dy britanikëve në Napoli të Italisë më 20 tetor. Ne po japim mbështetjen tonë konsullare”, theksoi një zëdhënës i Ambasadës Britanike në Itali për Goal.com.
Përkundër faktit se Real Madridi ia tregoi edhe njëherë Milanit se ka edhe shumë gjëra për të rregulluar brenda përbrenda skuadrës, kur mposhti Rossonerët me rezultat 2-0 në Bernabeu, kështu nuk mendon Massimiliano Allegri, që e konsideroi ndeshjen si një miqësore të rëndomtë.
“Më duket sikur ishim duke luajtur një miqësore, e jo një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Por, të qëndrojmë kështu dhe të reflektojmë palidhje në këtë ndeshje nuk do të thotë asgjë. Ne duhet të shikojmë para dhe të fillojmë përsëri nga ndeshja ndaj Napolit”.
“Real Madridi? Ata e merituan fitoren, por duhet të vijnë në San Siro. Gjithçka mund të ndodhë”, deklaroi Allegri.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, nuk e ka ndërmend të dorëzohet në luftën për ta transferuar asin e Barcelonës, Lionel Messi.
“Në kundërshtim me mënyrën se si ishin raportuar fjalët e tij, Messi ishte shumë i sjellshëm. Messi tha: ‘Moratti është shumë i mirë, besoj se ai bëri shaka kur tha se do të më transferojë, por kjo më bën të lumtur”.
“Sidoqoftë, kjo nuk ishte thjeshtë një shaka, pasi që kurrë nuk dihet se si përfundon një shaka”, tha Moratti.
Nga ana tjetër, La Gazzetta dello Sport pohon se Interi është vënë në kërkim të mbrojtësit të majtë të Tottenhamit, Gareth Bale, që realizoi hettrik të mërkurën mbrëma, pikërisht ndaj Interit.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se morali i ekipit është ngritur nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho.
“Me Mourinhon ne jemi të lumtur. Kur gjërat shkojnë mirë nuk është normale që njerëzit të jenë të dëshpëruar, por këtë sezon gjërat shkojnë mirë. Falë Zotit gjithçka po shkon mirë”.
“Mourinho është fantastik. Faleminderit Zotit që ai erdhi pasi, me përvojën që ka dhe me gjithë titujt që ka fituar, është gjithmonë mirë të punosh me të. Gjithmonë kam thënë se kam dashur ai të jetë trajner i im dhe kolegëve të mi po ashtu ju pëlqen të punojnë me të. Shpresoj ta fitojmë Ligën e Kampionëve”, ka thënë Ronaldo.