Cristiano Ronaldo ka shënuar katër gola në ndeshjen e zhvilluar në Bernabeu në të cilën Reali dërrmoi Racing Santander duke e mposhtur me rezultat të thellë 6-1.Mbretërit kaluan në epërsi të trefishtë që në pjesën e parë të takimit, me të tre golat që erdhën në 27 minutat e para.
Rezultatin e hapi sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain i cili në minutën e 10-të të ndeshjes dërgoi topin në rrjetën e portierit Tono, pas një pasimi të shkëlqyeshëm nga bashkëvendësi i tij, Angel Di Maria.
Pesë minuta më vonë Cristano Ronaldo dyfishoi epërsinë për Real Madridin, pas një pune të mirë nga Higuain. Pas edhe më se dhjetë minutash tjera portugezi shënoi edhe golin e tij të dytë të pjesës së parë, kësaj here me asistues Mesut Ozil, edhe pse nga pozita e dukshme jashtë loje.
Ish-ylli i Manchester United vazhdoi të njëjtin avaz edhe në pjesën e dytë. Tre minuta pas pauzës Ronaldo vulosi hat-trick, duke shkundur rrjetën e Tono falë një pasimi tjetër nga Di Maria.Por, Ronaldos nuk i mjaftoi kaq. Pasi Di Maria u falua në zonën e rreptësisë nga Cisma, portugezi morri përgjegjësinë duke shndërruar në gol gjuajtjen nga pika e bardhë (56’).
Në listën e shënuesve për Realin u shkrua edhe Ozil, i cili shëtiti mbrojtjen mysafire para se të dërgojë topin në rrjet (64’). I vetmi gol i nderit për ekipin mysafir erdhi nga Diop pas një devijimi në minutën e 73-të të takimit.
Fitorja e ngre Realin sërish në pozitën e parë me 20 pikë, një më shumë se Barcelona, që më herët shënoi fitore ndaj Real Zaragoza.
Lionel Messi ka shënuar të dy golat e fitores ndaj Real Zaragoza, për të treguar edhe një herë se është shtylla kryesore e Barcelonës.Blaugranët krijuan raste të shumta që nga fillimi i ndeshjes, por arritën të kalojnë në epërsi vetëm tre minuta para fundit të pjesës së parë me anë të një goli të Lionel Messi.
Me të filluar pjesa e dytë, vendasit e Zaragozës mbetën me dhjetë lojtarë në fushë, pas përjashtimit të Ponzio për shkak të një reagimi të ashpër ndaj Daniel Alves.
Kur kaluan më se një orë lojë, Messi shënoi edhe golin e tij të dytë, për të vulosur fitoren e Barcelonës (66’).
Me tre pikët e reja, kampioni në fuqi i La Liga merr kreun e tabelës me 19 pikë, dy më shumë se Real Madridi që sonte pret në Santiago Bernabeu ekipin e Racing Santander.
















