Lojtarët e Bayernit duke e festuar golin e Schweinsteiger Bayerni i Munichut ka shënuar fitore ndaj Werder Bremenit me rezultat 2-1, për të kaluar më tej në Kupën e Gjermanisë (DFB Pokal).
Ishin mysafirët nga Bremeni ata që befasuan me një gol të shpejtë (2’), të realizuar nga Claudio Pizarro me asistim të Marko Arnautovic. Por, nuk kaloi shumë kohë dhe Bastian Schweinsteiger përgjigjet (27’), duke shënuar golin e barazimit.
Në pjesën e dytë Bayerni dominoi tërësisht dhe pas shumë rasteve, ishte përsëri Bastian Schweinsteiger ai që shënoi golin e fitores prej 2-1 për Bayernin (74’).
Nga ndeshjet tjera mund të veçojmë fitoren minimale të Schalkes në udhëtim te FSV Frankfurti, ndërsa nga ana tjetër Wolfsburgu arriti të mposhtë me rezultat 3-1 Victoria Hamburgun.
Real Murcia ka shkaktuar shokun e mbrëmjes, pasi ka arritur të ndalë pa gola Real Madridin në kuadër të Kupës së Mbretit, në ndeshjen e zhvilluar në Nueva Condomina.
Të zgjedhurit e Jose Mourinhos patën raste të shumta në këtë takim, mirëpo nuk arritën të ishin konkretë, dhe në fund të ndeshjes rezultati ishte ai i fillimit.
Sido që të jetë, Mbretërit i kanë gjasat më të mëdha për të vazhduar tutje, duke qenë se ndeshja e kthimit zhvillohet pas dy javësh në Santiago Bernabeu.
Skuadra italiane Juventus është e interesuar për shërbimet e sulmuesit të Catanias, Maxi Lopez- njofton La Gazzetta dello Sport.
Sipas njoftimit, bardhezinjtë janë të gatshëm të fillojnë bisedimet me skuadrën siciliane për të transferuar argjentinasin gjatë afatit kalimtar të janarit.
Derisa Vincenzo Iaquinta dhe Amauri nuk po arrijnë të gjejnë formë të mirë, dhe derisa Alessandro Del Piero është në fundin e karrierës së tij, Zonja e Vjetër i ka dhënë përparësi transferimit të një sulmuesi gjatë afatit kalimtar të janarit.
Sidoqoftë, drejtuesit e Catanias janë të vendosur që Lopez të qëndrojë te skuadra e tyre, së paku deri në qershor.
Sipas drejtorit të Manchester Cityt, Gary Cook, ekipi që ai mbikëqyr mund të konsiderohet model për ekipet tjera të Ligës Premier, duke hedhur kështu poshtë pohimet e kritikëve, të cilët thonë se City është skuadër artificiale.
“Kritikët shohin vetëm nga perspektiva e tyre. Ata nuk janë në klub, ata nuk kanë qenë pjesë e planifikimeve të strategjive afatgjate financiare. Njerëzit mendojnë se kemi zgjedhur lojtarë nga fantazia jonë, por ky ishte plan i qartë i Roberto Mancinit”. “Kishte perceptime se ne blejmë vetëm lojtarë të huaj, por më pas rastësisht ne pamë shtatë lojtarë të Cityt në përbërjen e parë të kombëtares angleze ndaj Zvicrës. Kur njerëzit shohin gjërat e mira që po bëjmë, ata duken të liruar”, tha Cook.
Drejtori i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, ka thënë se ai nuk ka biseduar me Arsene Wengerin për një garanci të transferimit të Cesc Fabregas te Barcelona sezonin e ardhshëm.
“Unë nuk kam biseduar me Wengerin për një garanci të transferimit të Fabregasit sezonin e ardhshëm. Cesc është futbollist shumë i mirë, por tani unë nuk them nëse ai është në planet tona për sezonin e ardhshëm”, theksoi Zubizarreta.
Kjo deklaratë e Zubizarretas pritet të zgjojë reagime të shumta në qarqet Blaugrane, pasi që siç duket kryesia e re me në krye Sandro Rosell, nuk është në disponim të paguajë 40 milionë funte për ta kthyer Fabregasin aty ku e ka vendin, në Barcelonë.
Mesfushori i Spanjës, Xabi Alonso, mendon se bashkëlojtari i tij te kombëtarja spanjolle, Xavi, e meriton Topin e Artë falë paraqitjeve fantastike.
“Më pëlqen të shikoj në lojtarët të cilët kanë qenë spektakolar në fushë gjatë viteve të fundit dhe Xavi e reprezenton këtë”, theksoi Alonso.
Alonso më tej lëvdoi bashkëlojtarin e tij Cristiano Ronaldo për thjeshtësinë e tij dhe nga ana tjetër ka përgëzuar Jose Mourinhon për mentalitetin e tij.
Lazio është aktualisht në pozitën e parë në Serie A dhe një prej trajnerëve më të respektuar, Sven Goran Eriksson, shpreson se klubi romak do t’ia arrijë ta fitojë Scudetton.
“Lazio është befasia dhe unë dua të komplimentoj Rejan, ndërsa shpresoj se ata do të jenë në maje të tabelës sa më gjatë që është e mundur”.
“Ne gjithashtu duhet të lëvdojmë klubin dhe lojtarët. Do të ishte mirë t’i shohim ata në maje në fund të sezonit”, ka thënë Eriksson.
Sulmuesi i Sevillas, Luis Fabiano, ka pranuar se ai ka pasur nevojë për një paraqitje të mirë, ashtu sikurse ndaj Athletic Bilbaos, ndërsa thotë se është i lumtur në Ramon Sanchez Pizjuan.
“Unë jam i kënaqur me fitoren dhe për rastin e dhënë në formacionin startues. Më është nevojitur ajo ndeshje. Kolegët e mi më përgëzuan sepse ata e dinë se nuk kam qenë në rregull. Të fitosh ndeshje është mirë për kënaqësinë e ekipit”.
“Ka njerëz të cilët nuk besojnë në mua, por ky ekip është pranë zemrës time. Unë i kam borxh gjithçka këtij klubi dhe gjithnjë kam thënë se jam shumë i lumtur këtu”, deklaroi Fabiano.
Futbollisti më i mirë në botë, aktualisht fituesi në fuqi i Topit të Artë dhe sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, ka deklaruar se ai dëshiron që Topi i Artë të mbetet në zhveshtoren e Barcelonës, me ç’rast si favoritë ka përcaktuar dy bashkëlojtarët e tij, Xavi dhe Iniesta.
“Çfarë do të doja që të ndodhte para së gjithash është që Topi i Artë të mbesë në zhveshtoren tonë. Favoritët janë Xavi dhe Iniesta, që shënoi në finale, edhe pse lojtari më i mirë i kampionatit u zgjodh Diego Forlan”.
“Ky Kamnpionat Botëror do të ketë peshë në marrjen e këtij vendimi. Fitorja e Spanjës ishte plotësisht e merituar, sepse ata bënë futboll të mirë dhe ishin në gjendje që ta përballojnë presionin e të qenit favorit”, deklaroi Messi për France Football.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, është duke shpresuar që të rikthehet për sfidën e Ligës së Kampionëve ndaj Tottenhamit në White Hart Lane javën e ardhshme.
“Nuk është mirë të qëndrosh jashtë aksionit dhe të mos japësh kontributin tënd. Unë do të kem skanime ditëve të ardhshme dhe po punoj mirë. Unë duhet të kthehem brenda javës, por më duhet të riaftësohem plotësisht”.
“Kur luani në këto nivele, ju gjithnjë duhet të jeni në maksimumin tuaj. Samuel Eto’o? Unë kam raporte të mira me të dhe ne e kemi shfaqur këtë shumë herë. Ai po bën mirë dhe jam i lumtur për të”, u shpreh Milito.
Pas dy muajve të kontradiktave mediale, hesapet mes Bayern Munichut dhe Federatës Holandeze të Futbollit (KNVB), për çështjen Robben, duket se po sqarohen, nëse mund t’i besojmë drejtorit të Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge.
“Presidenti i KNVB, Henk Kesler, ka kërkuar falje për tonin shumë të ashper ndaj Dr. Muller Wohlfahrt. Unë jam tejet optimist se do të gjejmë një zgjidhje”, theksoi Rummenigge.
Kërkim falja për mjekun e Bayernit, bërë nga Henk Kesler, vjen pas akuzave të ndërsjella për lëndimin e Arjen Robben. Mjeku i Bayernit akuzoi KNVB-në se e lëndoi Robbenin duke e futur në lojë edhe pse nuk ishte i gatshëm, ndërsa këto deklarata me ton tejet të ashper i mohoi Kesler.
Bayerni shpreson që të fitojë së paku një kompensim të pagës së Robben gjatë kohës sa mungoi për shkak të dëmtimit të pësuar e të zgjeruar gjatë Kampionatit Botëror.
Trajneri i Lazios, Edy Reja, u është përgjigjur pohimeve se skuadra e tij është në maje të Serie A, për shkak se ka pasur fat.
Reagimi i Rejas vjen pak ditë pasi presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, kishte deklaruar se ekipi i tij është më i mirë se Lazio. Më larg ka shkuar presidenti i Cagliarit, Massimo Cellino, që është shprehur i bindur në rënien e Lazios. Ai u ka premtuar tifozëve të Cagliarit kompensim të biletave nëse ekipi i tyre përfundon më poshtë në tabelë se Lazio.
“Ka të atillë që nuk mund të na shohin në pozitën e parë. Zamparini? Ai ka të drejtë. Ai e kupton futbollin, që është arsyeja se pse rrezikova të jem në ekipet e tij. Kur them këtë, të gjithë kanë menduar për Juventusin, Milanin dhe Interin, ndërsa Lazio nuk është futur në parashikime”.
“Ndoshta ka të atillë që mendojnë se ne nuk kemi vlera dhe nuk mund ta pranojnë vendin e parë. Ka ekipe më të forta se ne. Ne nuk do ta fitojmë titullin, por fakt është që ne jemi aty pari”, deklaroi Reja.
Asi i Juventusit, Milos Krasic, është dënuar me dy ndeshje moslojë nga autoritetet e Lega Calcio, pas simulimit të bërë në sfidën ndaj Bolonjës, ku Bianconerët fituan një penalti.
“Për të sqaruar të gjitha dyshimet, dy lojtarët nuk kanë pasur kontakt me njëri tjetrin dhe gjyqtari ishtë nën ndikimin e një simulimi të një lojtari Bianconer. Ishte një simulim i pastër”, shkruan në komunikatën e Lega Calcio.
Juventusi nga ana tjetër ka paralajmëruar në faqen zyrtare një apelim emergjent për rastin në fjalë.
Si pasojë, Zonja e Vjetër nuk do të mund të llogarisë në mesfushorin serb për ndeshjen derbi ndaj Milanit të shtunën. Kjo nuk është e tëra, pasi që Del Neri do të jetë pa shërbimet e Vincenzo Iaquintas dhe Amaurit për sfidën ndaj Rossonerëve.
Bosi i Real Madridit, Jose Mourinho, ka kërkuar që sa më shpejtë të arrihet marrëveshja për rinovimin e kontratës së mbrojtësit, Pepe, të cilit kontrata i skadon në vitin 2012.
Real Madridi dëshiron t’ia ofrojë portugezit një kontratë të re trevjeçare, por është vetë mbrojtësi ai që kërkon 85 mijë funte në javë, përderisa Reali i ofron vetëm 60 mijë të tilla.
“Real Madridi është duke tentuar që të mos e humbasë atë dhe Pepe nuk mund të humbet nga Real Madridi. Klubi e di këtë. Pas pak javësh unë do të zgjidh gjithçka dhe Pepe do të qëndrojë këtu”, deklaroi Mourinho.
Për Pepen të interesuara janë shprehur shumë skuadra të mëdha evropiane, duke përfshirë këtu Barcelonën dhe Chelsean.
Ikona e Liverpoolit, Steven Gerrard, mendon se Fernando Torres ngadalë por sigurt po kthehet në formën më të mirë.
“Do të çuditeni nëse shihni besimin e Fernandos. Gjatë gjithë javës në stërvitje ai u shfaq i rrezikshëm dhe i gjallë në vrapime, ndërsa ndaj Blackburnit bëri të njëjtën gjë. Ai e ndau në gjysmë Blackburnin, ai mbajti shumë mirë topin dhe ky ekip është shumë më ndryshe kur Torres është në formë”.
“Ai pati verë të vështirë me lëndime dhe një start të vështirë të sezonit, por tani ai po fillon të duket më mirë fizikisht dhe në formë, dhe jam i bindur se ai do të forcohet vazhdimisht. Nëse e mbajmë atë mirë fizikisht dhe ai është në formë, atëherë ne do të ngjitemi shpejtë në maje të tabelës”, ka thënë Gerrard.
Mbrojtësi i Chelseat, Alex, thotë se Blutë e Londrës po luajnë sikurse Brazili, pas startit të furishëm në sezonin e ri.
“Mënyra si kemi luajtur këtë vit, është sikurse e Brazilit. Ekipet e Brazilit kanë të njëjtin mentalitet. Ato vetëm duan të sulmojnë”.
“Sidoqoftë, nuk ka dallime sepse ne jemi këtu për të qenë më të komponuar në mbrojtje”, tha Alex.
Skuadra më e trofeshme italiane, Juventus, është duke e shqyrtuar një huazim të mundshëm të sulmuesit irlandez të Tottenhamit, Robbie Keane.
Lajmin e bën të ditur La Gazzetta dello Sport, që pohon se Juventusi ëshë në ndjekje të ish-sulmuesit të Interit.
Thuhet se lëndimet e Amaurit dhe Vincenzo Iaquintas kanë detyruar drejtorin e Juventusit, Giuseppe Marotta, të kërkojë në treg një sulmues të ri, ndërsa si zgjidhje të problemit e sheh Robbie Keane, të cilin shpreson ta transferojë në formë huazimi.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është i bindur se mund ta testojë Liverpoolin me një ofertë për portierin spanjoll, Pepe Reina.
Mirror shkruan se spanjolli do të bisedojë me pronarët e rinj të NESV, pasi që është i brengosur për të ardhmen e klubit. Reina konsiderohet si një prej futbollistëve të parë të aradhës që duan të largohen nga Anfield, me Manchester Unitedin që dëshiron ta shfrytëzojë rastin.
Liverpooli nuk dëshiron ta shesë Reinan, sidomos jo te rivali i përbetuar nga Old Trafford, por pensionimi i Van der Saarit, që bëhet 40 vjeçar të premtën, e detyron Fergien të kërkojë një portier kualitativ në treg dhe nëse tashmë skocezi ia ka vënë syrin portierit të The Reds, atëherë Reina që tani mund të konsiderohet gardian i United.
Dëshira e Interit për ta transferuar asin e Palermos, Javier Pastoren, në Giuseppe Meazza, është thjeshtë një mendim utopik sipas presidentit sicilian, Maurizio Zamparini, që thotë se Nerazzurët nuk kanë para për ta blerë argjentinasin.
“Unë nuk kam marrë oferta nga klube italiane, përderisa ka nga ato spanjolle që më kanë ofruar 25 milionë euro për të. Unë nuk dua të mohoj se Interi po e ndjek, por ata nuk mund ta transferojnë atë me kushtet që i kemi ne”, theksoi Zamparini.
Çdo skuadër e interesuar për Pastoren duhet t’ia deponojë në xhirollogari Zamparinit hiç më pak se 60 milionë euro.
Sipas Record, Liverpooli është duke shqyrtuar transferimin e mbrojtësit anësor të Benficas, Fabio Coentrao.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson thuhet se nuk është i kënaqur fare me paraqitjet e Paul Koncheskyt dhe si zëvëndësim ideal e sheh Fabio Coentraon, që ka një klauzolë prej 30 milionë eurosh në kontratën e tij.
Bayerni dhe Milani supozohet se janë duke e monitoruar situatën e supertalentit portugez.
Luciano Moggi ka sfiduar hierarkinë e Milanit pas fitores prej 2-1 të Rossonerëve ndaj Napolit në San Paulo, duke thënë se kuq e zinjtë patën fat të madh ndaj napolitanëve.
“Gjatë gjithë pjesës së dytë, Napoli edhe me një lojtar më pak e ka shtypur Milanin”.
“Napoli sigurisht se së paku meritoi një barzim, ndoshta edhe fitoren në këtë takim, por mbrojtja e dobët ishte vendimtare. Nuk mund ta mbash Ibrahimovicin me katër lojtarë dhe ta lejosh Robinhon të shëtitet i vetmuar”, u shpreh Moggi.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se pasuesi i tij në stolin e trajnerit duhet të ketë përvojë të kënaqshme në futboll.
“Nuk mendoj se është vështirë për menaxherët të përballen me këtë – unë vetëm kam përfituar që kam qenë në klub për një kohë aq të gjatë. Kam përjetuar shumë gjëra të cilat ndodhin dhe ka pasur kohë në të kaluarën kur kam ecur nëpër të njëjtën rrugë”, ka thënë Ferguson duke komentuar rastin e fundit me Wayne Rooneyn.
“Kur je menaxher në klub, duhet të kesh dikë të fuqishëm i cili merret me të gjitha rastet dhe ne kemi qenë të fuqishëm gjatë viteve. Kjo është se pse nuk mendoj se Manchester United do të përjetojë të ketë një menaxher të ri, të jem i sinqertë”.
“Është një detyrë e cila ka nevojë për shumë përvojë. Është diçka për të ardhmen, por për momentin ne kemi dobi nga 24 vitet e mia në klub, andaj fatmirësisht kështu ia dalim”, ka shtuar skocezi.
Ylli i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, vazhdon të jetë në listën e blerjeve të menaxherit të Manchester Cityt, Roberto Mancini.
Daily Mail shkruan se Ibra është ende në mendimet e Mancinit, edhe pse italiani nuk shfrytëzoi rastin për ta transferuar atë gjatë verës.
Edhe pse te City nuk do të ketë më vera si dy të kaluarat, me nga gjashtë emra zë mëdhenj të ardhur në secilën, megjithatë ata u treguan të fascinuar pas mundësisë tashmë të ikur, të transferimit të Wayne Rooneyt. Ky rast tregoi se City është i interesuar për një sulmues të klasit botëror, kur mundësia të jepet.
Ibra është sulmuesi i preferuar i Mancinit dhe mbetet në radarin e tij. Suedezi ishte në listën e shënuesve në fitoren e fundit të Milanit ndaj Napolit.
David Beckham është zotuar se ai do ta respektojë deri në fund marrëveshjen me klubin amerikan Los Angeles Galaxy, edhe pse sipas marrëveshjes ai mund të largohet edhe një vit më herët.
Marrëveshja e David Beckham me LA Galaxy skadon në vitin 2012, por nëse anglezi dëshiron, mund ta blejë vitin e fundit. Megjithatë Beckham thotë se nuk do ta bëjë atë edhe në përgjithësi do ta respektojë marrëveshjen.
“Dua të luaj derisa nuk më mbajnë këmbët. E di se kjo nuk duket mirë, por vërtet dua të luaj futboll. Kur do të ndjej se nuk mundem më shumë, kjo do të thotë fund i karrierës time. Do ta respektoj marrëveshjen deri në fund. Djemtë këtu shkojnë në shkollë, të gjithë e kanë mirë dhe nuk shoh arsye se pse të largohemi”, ka thënë Beckham.
Lojtari më i Mirë i Vitit të kaluar, Lionel Messi Ekipi kombëtar i Spanjës ka dominuar në lisën e lojtarëve të cilët do të garojnë për më të mirin e vitit 2010.

FIFA ka zbuluar listën e ngushtë për çmimet e këtij viti, Lojtari më i Mirë i Vitit, Trajneri më i Mirë i Vitit dhe disa çmime të tjera vjetore, të cilët do t’u jepen më të mirëve të futbollit.


Andres Iniesta, i cili shënoi golin vendimtar në fitoren e Spanjës në Kupën e Botës në korrik, është në mesin e shtatë lojtarëve të kësaj kombëtareje të cilët do të luftojnë për çmimin e Lojtarit më të Mirë. Në mesin e spanjollëve të tjerë janë edhe Xabi Alonso, Iker Casillas, Cesc Fabregas, Carles Puyol, David Villa and Xavi Hernandez.


Lionel Messi, fitues i vitit të kaluar, dhe Cristiano Ronaldo, po ashtu kanë qenë në mesin e 23 lojtarëve në listën e shkurtër. Fituesi do të zbulohet në një mbrëmje gala më 10 janar në Zurich.


Wesley Sneijder ka qenë një prej katër lojtarëve të ekipit fitues të Ligës së Kampionëve, Interit, që është nominuar, krahas Julio Cesar, Maicon dhe Samuel Eto’o.


23-lojtarët të cilët do të luftojnë për çmimin Lojtari më i Mirë i Vitit janë:


Xabi Alonso (Spanjë)
Iker Casillas (Spanjë)
David Villa (Spanjë)
Xavi (Spanjë)
Carles Puyol (Spanjë)
Andres Iniesta (Spanjë)
Cesc Fabregas (Spanjë)
Miroslav Klose (Gjermani)
Philipp Lahm (Gjermani)
Thomas Mueller (Gjermani)
Bastian Schweinsteiger (Gjermani)
Mesut Oezil (Gjermani)
Maicon (Brazil)
Dani Alves (Brazil)
Julio Cesar (Brazil)
Wesley Sneijder (Holandë)
Arjen Robben (Holandë)
Lionel Messi (Argjentina)
Cristiano Ronaldo (Portugali)
Didier Drogba (Bregu i Fildishtë)
Samuel Eto'o (Kamerun)
Asamoah Gyan (Gana)
Diego Forlan (Uruguay)


Dhjetë trajnerët që do të luftojnë për çmimin trajneri më i mirë javë:


Carlo Ancelotti (Chelsea)
Vicente del Bosque (Spanjë)
Alex Ferguson (Manchester United)
Pep Guardiola (Barcelona)
Joachim Loew (Gjermani)
Jose Mourinho (Inter & Real Madrid)
Oscar Tabarez (Uruguai)
Louis van Gaal (Bayern Munich)
Bert Van Marwijk (Holandë)
Arsene Wenger (Arsenal)

Portieri i Arsenalit, Lukasz Fabianski, është i ngazëllyer që ka ndihmuar Arsenalin të mbajë portën e paprekur, në fitoren 3-0 ndaj Manchester Cityt.
Fabianski bëri disa mbrojtje vitale për të shpëtuar portën e Topçinjve, para se reparti sulmues të bëjë presion për të sjellë fitoren e rëndësishme në udhëtim.
“Jam i lumtur që mund t’i ndihmoja ekipit dhe që mund ta ruaja portën e paprekur për herë të parë këtë sezon. Nuk ishte meritë e imja. Jam i kënaqur që e ruajtëm portën e pastër si ekip, pasi në disa ndeshjet e kaluara, nuk kemi mundur ta bëjmë këtë”, ka thënë polaku.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, thotë se nuk është e nevojshme të fajësohet Fernando Torres për formën e dobët të ekipit.
Të dielën kundër Blackburn, Fernando Torres shënoi golin e dytë këtë sezon, gol që i siguroi fitoren e dytë Liverpoolit.
“Të gjithë sulmuesit luajnë për të shënuar gola, gola fitues, dhe mendoj se pas golit kundër Blackburn, ai përsëri do ta kthejë formën. Më shumë ose më pak, është e njëjta gjë që ndodh edhe me David Villa te Barcelona për momentin.
“Mendoj se ata kanë nevojë për kohë, pasi janë futbollistë të mëdhenj, por kur sulmuesit nuk shënojnë gola, nuk është e drejtë ata të fajësohen për rezultatet e dobëta. Mendoj se ne nuk i kemi asistuar si duhet në disa javët e kaluara, dhe ai nuk mund të bënte asgjë më shumë”, ka thënë Reina.
Forma e mirë e Samir Nasri këtë sezon duket se do t’i shpërblehet atij me një ofertë për kontratë të re nga Arsenali.
23-vjeçari francez do të fitojë marrëveshje pesë-vjeçare, sipas mediave angleze, derisa Topçinjtë janë duke u munduar shpejt të sigurojnë shërbimet e tij për të ardhmen.
Marrëveshje aktuale e Nasri skadon në fund të sezonit 2011/12, por menaxheri Arsene Wenger thotë se klubi është duke synuar të lidhë të gjithë lojtarët, para se kontratat e tyre të skadojnë.
Ish-lojtari i Marseille ka shënuar katër gola në gjashtë starte në ligë.