Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka refuzuar që të hedhë poshtë mundësinë e një rikthimi të superyllit brazilian, Kaka, në San Siro, pikërisht aty ku e ka dhe vendin.
“Një rikthim i Kakas te Milani? Kurrë mos thuaj kurrë”, theksoi Galliani për Tuttosport.
Kaka është transferuar te Real Madridi në vitin 2009 për hiç më pak se 65 milionë euro.
Piloti i Red Bull, Sebastian Vettel, thotë se ai nuk e ka ndërmend të dorëzohet në luftën për titull kampioni në Formula 1.
“Lufta për titull nuk ka mbaruar ende, kështu që le të presim se çfarë do të na sjellë gara e Abu Dhabi”.
“Unë jam njeriu i fundit që do të dorëzohem. Ne kemi edhe dy gara dhe të gjithë kemi parë në Kore se sa shpejtë mund të ndryshojnë gjërat”, u shpreh Vettel.
Ngasësi gjerman është 25 pikë prapa liderit nga Ferrari, Fernando Alonso, vetëm dy gara pa përfunduar sezoni në Formula 1.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, nuk e ka ndërmend të dorëzohet për firmën e një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave, Lionel Messi, pasi që mendon se e ardhmja mund ta shohë argjentinasin në Meazza.
“Messi? Mund të përfundojë si shaka. Por, ne kemi kohë para nesh. Messi tha se kurrë nuk i dihet? Po, është e vërtetë. Nuk e di nëse ne do të bëjmë diçka. Ne shikojmë përreth. Natyrisht, për të blerë do të duhet të shesim. Të shohim nëse mund ta bëjmë.
“Kaka? Nuk mendoj se ai do të luajë për Interin, sepse ne nuk jemi si Milani, që ka nevojë për legjendat tona”, deklaroi Moratti.
Juventusi dhe Interi pritet të përballen në luftën për sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema, i cili sipas Marca, ka prishur marrëdhëniet me strategun e Los Blancos, Jose Mourinho.
Benzema ishte zëvëndësuar vetëm pas 62 minuta lojë në sfidën ndaj Real Murcia të martën, ndërsa pas ndeshjes kryetitulli në Marca ishte ‘Esta Muerto’ (Ai është i vdekur).
“Benzema luajti keq”, theksoi Mourinho. Tuttosport ka shfrytëzuar rrëmujën e krijuar më lart, për të spekuluar mbi të ardhmen e sulmuesit francez, i cili shumë lehtë mund ta shohë veten në Giuseppe Meazza, apo edhe në Olimpico të Torinos. Sidoqoftë, Interi dhe Juventusi kanë konkurrencë të fortë nga Manchester United.
Përzgjedhësi fitues i Kupës së Botës me Spanjën, Vicente Del Bosque, shpreson se një prej lojtarëve të tij do të jetë ngadhënjyes në ndarjen e çmimit më prestigjioz për futbollistët, Topin e Artë.
“Shpresoj se një lojtar spanjoll do ta fitojë Topin e Artë. Unë do të doja që t’ia jepja secilit prej shtatë të nominuarve, sepse të gjithë janë kampionë të botës, por nuk kam ndonjë favorit prej shtatë lojtarëve”.
“Do të doja që çmimin ta fitojë një lojtar spanjoll, pasi që ata janë shumë të mirë dhe çfarë është më me rëndësi është se ata luajtën si ekip”, ka thënë Del Bosque.
Mbrojtësi i ri, Jan Vertonghen, ka tërhequr interesimin e superfuqisë italiane, Milan, pas paraqitjeve të shkëlqyera në kampionatin holandez me skuadrën e tij Ajax.
Sky Sport Italia beson se Rossonerët mezi presin të gjejnë një sulmues të ri, për ta ripërtërirë gjeneratën e stërvjetruar, ndërsa Vertonghen shihet si zgjidhje ideale për mbrojtjen kuq e zi.
Milani është në ndjekje të Vertonghen që prej ndeshjes së zhvilluar mes Ajaxit dhe Milanit në Amsterdam Arena. Mbrojtësi holandez është i kontraktuar me gjigantin holandez deri në vitin 2013, por besohet se një ofertë prej 15 milionë eurosh e Milanit, mund ta lëkundë Ajaxin dhe vetë lojtarin.
Sipas të gjitha gjasave Francesco Totti nuk do të rikthehet në kombëtaren italiane, nëse mund t’u besojmë pohimeve të bashkëshortes së legjendës romake.
“Kombëtarja? Më pëlqen fanella e Italisë, por nuk mendoj se Totti do ta veshë atë përsëri”.
“Pensionimi nga futbolli? Lamtumira nga futbolli për bashkëshortin tim do të ishte traumatizim. Do të jetë fundi i një faze të jetës së tij. Por, ai tani nuk po mendon për këtë”, tha Blasi.
Mesfushori i PSV Eindhoven, Ibrahim Afellay, thuhet se që nga sezoni i ardhshëm do të luajë për skuadrën spanjolle Atletico Madrid, pasi që skuadra spanjolle thuhet se ka arritur marrëveshje për transferimin e holandezit.
AS shkruan se bëhet fjalë për një transferim që peshon një milionë euro, por vetë Afellay ka kërkuar që të qëndrojë te PSV deri në fund të këtij sezoni.
Megjithatë, këto informata të sportives madrilene u mohuan nga agjenti i Afellay, Rob Jansen, që ka thënë se klienti i tij nuk e ka ndërmend të kalojë te Atletico Madridi.
Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, u ka dhënë tifozëve Bianconer një fije shpresë në lidhje me betejën për Scudetton e marrë nga Interi pas Calciopolit.
“Unë doja që ta sillja vëmendjen tuaj në aspektin gjyqësor, që na takon neve. Ne kemi dërguar faktet tona për ta kthyer Scudetton e marrë nga Interi dhe kemi garanci të mjaftueshme se së shpejti do marrim një përgjigje”.
“Dhe më pas do të presim se si do të vazhdojë procesi gjyqësor i Calciopolit në Napoli. Kur ne si Juventus ta dëshmojmë se jemi të pafajshëm, atëherë unë do të përkujdesem që t’ia marri Interit Scudetton që na takon neve”, deklaroi Agnelli për Caliomercato.
Nëse është një gjë për të cilën mediat në Itali pajtohen, atëherë është lënia e Militos jashtë listës së 23 lojtarëve të nominuar për ta fituar Topin e Artë.
Dy prej gazetave më të mëdha sportive në Evropë, Il Corriere dello Sport dhe La Gazzetta dello Sport, shprehin shqetësimin e tyre për lënien jashtë listës së nominuarve të sulmuesit të Interit, Diego Milito, që ishte krucial në spastrimin e titujve bërë nga Interi sezonin e kaluar.
“Mos përfshirja e Militos është misterioze. Ose, ofendim për futbollin. Ne pyesim: Nëse lojtari i cili ka shënuar golin që vendosi Scudetton, finalen e Kupës së Italisë dhe madje edhe Ligën e Kampionëve, nuk është lojtari më i mirë i vitit, atëherë kush i takon asaj liste? Çfarë bënë 23 lojtarët e përfshirë në atë listë për 12 muaj të tërë? Natyrisht, ata të gjithë janë kampionë dhe kanë shënuar nga dy apo tre gola gjatë Botërorit”, shkroi Stefano Agresti, columnist i Il Corriere dello Sport.
Nga ana tjetër më të butë nuk janë treguar as analistët e La Gazzeta dello Sport: “Të tentosh të justifikosh një gabim aq të madh është gjë e padobishme. Por, të sqarosh politikën e përdorur për mos përfshirjen e Militos do të ishte kyç për të arritur deri te rezultati. Këto zgjedhje janë bërë nga FIFA, e cila e sheh Ligën e Kampionëve si garë të rëndomtë nacionale, e jo si garën më të madhe të klubeve në botë”.
Çështja e largimit të Militos ka zgjuar polemika të shumta në qarqet e futbollit evropian, sidomos në ato italiane dhe arsyet se pse ky vendim konsiderohet skandaloz, do t’iu sjellin së shpejti në SportiSot.
Barcelona ka arritur të shënojë fitore me rezultat 2-0 në takimin e xhiros së parë të Copa Del Rey ndaj skuadrës nga divizioni i tretë, Ceuta.
Barcelona u paraqit në këtë ndeshje me maturantë ndërsa është dashur të udhëtojë në brigjet e Afrikës Veriore për të luajtur ndaj Ceutas, ku dhe gjendet qyteti në fjalë.
Maxwell kaloi në epërsi Barcelonën (16’), kur realizoi për 1-0 pasi kreu gjithë punën vet. Pas një harkimi nga Maxwell, ishte Thiago Alcantara ai që preku topin i cili më pas shkoi te Pedro që e futi atë në rrjetë (25’).
Barcelona pati edhe një mori rastesh deri në fund të këtij takimi, por ndeshja përfundoi me rezultat 2-0 për Barcelonën.
Barcelona mund ta konsiderojë veten të kualifikuar më tej në Copa del Rey, pasi ndeshja e kthimit zhvillohet pas dy javësh në Camp Nou.
Javier Hernandez edhe njëherë nxori Manchester Unitedin nga vështirësia, pasi realizoi golin vendimtar të sfidës së Djajve të Kuq ndaj Wolves, qe mbaroi me fitoren e vendasve nga Old Trafford me rezultat 3-2.
Pjesa e parë mbaroi pa gola me raste të volitshme për Djajtë e Kuq. Sidoqoftë, në pjesën e dytë ndezet atmosfera.
Bebe realizoi golin e tij të parë në fanellën e Manchester United (56’), gol ky mjaft kontrovers pasi që nuk dihej nëse topi ka kaluar vijën fatale edhe pse gjyqtari vendosi ta pranonte golin për 1-0.
Sidoqoftë, nuk kaloi shumë kohë dhe njeriu që e devijoi topin për golin e parë të Unitedit, George Elokobi, tani barazoi rezultatin me anë të një goli me kokë (60’).
Djajtë e Kuq në epërsi për herë të dytë i kaloi Ji-Sung Park, i cili shënoi me anë të një goditjeje nga topi i kthyer (70’). Ashtu siç ka ndodhur dhe në ndeshjet tjera, ashtu edhe në këtë sfidë kundërshtari i United barazoi rezultatin (76’), me anë të Kevin Foleyt për rezultatin 2-2.
Dhe kur të gjithë menduan se ndeshja do të shkonte në vazhdime, ishte Javier Hernandez ai që bëri shaka me mbrojtjen e Wolves në momentet vendimtare, për të finalizuar me sukses për rezultatin përfundimtar të takimit 3-2.
Manchester United me sukses arrin të tejkalojë rrethin e katërt të Carling Cup, por brengosës mbetet fakti që Djajtë e Kuq nuk janë stabilë në mbrojtje dhe nuk janë aq konkretë para portës.