Barcelona ka treguar një lojë atraktive dhe me plot gola, si në ato të kohërave ‘të vjetra’, për të shënuar fitore 5-0 në derbin përballë Sevillas në Camp Nou.Barcelona dominoi krejtësisht në pjesën e parë dhe shfrytëzoi superioritetin për të shënuar dy gola. Lionel Messi ishte edhe një herë motori i Barcelonës, dhe edhe këtë herë nuk u mjaftua me një gol, por shënoi dy, po aq sa edhe David Villa, ndërsa një gol tjetër shënoi Dani Alves.
Argjentinasi kaloi ekipin vendas në avantazh me të filluar ndeshja, duke dërguar në rrjetë një harkim të Pedro Rodriguez (4’). David Villa dyfishoi rezultatin në minutën e 24-të, pas një asistimi të Messi.
Pak para pauzës mes ndeshjeve, ekipi mysafir mbeti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Abdoulay Konko me kartonin e dytë të verdhë, që i dha një shans të ri shënimesh Barcelonës.
Një gol nga Dani Alves (53’), një gol tjetër nga Lionel Messi (64’) dhe një shënim i vonshëm nga David Villa (90’), vulosën fitoren e lartë të kampionit në fuqi të Spanjës.
Tre pikët e reja e mbajnë Barcelonën në pozitën e dytë të tabelës me 22 pikë, një më pak se Real Madridi që më herët shënoi fitore ndaj Hercules.
Juventusi ka bërë befasinë duke mposhtur me rezultat 2-1 rivalin e vjetër, Milanin, në midis të San Siro, derisa Alessandro Del Piero është bërë golashënuesi më i mirë i klubit i të gjitha kohërave në Serie A.Ekipi vendas filloi ndeshjen me një ritëm më të rrufeshëm, por Fabio Quagliarella heshti publikun e mbledhur në San Siro me një gol të përkryer me kokë pas 24 minutash lojë.
Goli hutoi ekipin vendas para se Del Piero të shënojë një gol tjetër në pjesën e dytë (65’) për të shtangur krejtësisht Rossonerët dhe për të tejkaluar legjendarin Giampiero Boniperti duke çuar në 179 numrin e golave për Juven në kampionat.
Përforcimi i verës për Milanin, Zlatan Ibrahimovic, shënoi një gol të vonshëm, të parin kundër ish-klubit të tij, por kjo nuk i mjaftoi ekipit të trajnerit Massimilliano Allegri të nxjerrë ndonjë pikë nga kjo sfidë.
Me tre pikët e reja, Juve ngec vetëm dy pikë prapa Milanit, që mban pozitën e tretë. Lideri i tabelës, Lazio të dielën viziton Palermon, derisa i dyti në tabelë, Interi, mbrëmë fitoi me rezultat minimal, 1-0, ndaj Genoas.
Real Madridi ka arritur të shënojë fitoren e radhës në La Liga si mysafir i Hercules me rezultat 1-3.Ishin vendasit të parët që shënuan dhe atë në minutat e para të takimit , përkatësisht David Trezeguet (3').
Pas këtij goli të shënuar nga Hercules, e tërë ndeshja u zhvillua në pjesëfushën që i takonte Hercules, megjithatë, Reali nuk arriti ta gjejë portën.
Fillimi i pjesës së dytë ishte më i efektshëm për Realin, gjë që reflektoi me golin e barazimit nga Di Maria (52').
Hercules vazhdoi të mbrohej me të gjitha forcat, por ishte Cristiano Ronaldo që arriti ta sjellë Realin në epërsi për herë të parë në ndeshje (82').
Pas këtij goli, Ronaldo u ndez edhe më tepër duke shënuar edhe një gol (86').
Ronaldo pati mundësi të shënojë het-trik në këtë ndeshje, mirëpo nuk arriti të shënoi në një rast mjaft të volitshëm.
Reali me këtë fitore e ruan kreun me katër pikë më shumë se Villarreali dhe Barcelona që kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.
Luis Nani ka asistuar në një gol dhe ka shënuar një tjetër për të ndihmuar Manchester United të shënojë fitore 2-0 në derbin e zhvilluar në Old Trafford përballë Tottenhamit.Ferguson edhe në këtë ndeshje vendosi të luajë në sulm me dyshen Javier Hernandez dhe Dimitar Berbatov, të cilët përkraheshin në krahë nga Nani dhe Ji-Sung Park. Megjithatë goli për Djajtë e Kuq erdhi nga një mbrojtës, kapiteni Vidic, i cili shënoi me kokë në rrjetën e portierit Huerelho Gomez pas gjysmë ore lojë, pas një harkimi të Nanit.
Pjesa e dytë me raste u takoi mysafirëve, të cilët kërcënuan përmes Rafal van der Vaart dhe zëvendësuesit Roman Pavlychenko, por megjithatë ishin përsëri të zgjedhurit e Sir Alex Ferguson që shënuan.
Gjashtë minuta para fundit të ndeshjes, Nani u ndalua në zonën e rreptësisë nga Kaboul, por arbitri nuk akordoi penalti. Megjithatë shumë shpejt më pas, nga një situatë e pazakonshme, anësori portugez goditi topin e lënë në tokë nga portieri Gomez, për ta dërguar në rrjet, gol i cili edhe pse u mohua nga anësori, u pranua nga arbitri kryesor (85’).
Fitorja e mban Manchester United në pozitën e tretë me 20 pikë, sa ka edhe Arsenali që mban pozitën e dytë. Chelsea vazhdon të mbajë kreun me 25 pikë.
Pas disfatës në Ligën e Kampionëve nga Basel dhe barazimit ndaj Parmës në Serie A, Roma ka gjetur rrugën e fitoreve pasi mposhti me rezultat 2-0 Leccen në ndeshjen e zhvilluar në Olimpico.Pas një varg shansesh të humbura nga dyshja sulmuese Marco Borriello dhe Mirko Vucinic, të zgjedhurit e trajnerit Claudio Ranieri kaluan në epërsi me anë të një goli të shënuar nga Nicolas Burdisso në minutën e 62-të të takimit, pas një harkimi të John Arne Riise.
Vucinic përfundimisht dërgoi topin në rrjetën e Antonio Rosati në minutën e 76-të pas një asistimi nga Francesco Totti. Shumë shpejt më pas në fushë pati një përplasje në mes të Tottit dhe Ruben Olivera, dhe që të dy u ndëshkuan me karton të kuq, ndërsa zënka e tyre vazhdoi edhe në rrugë për në dhomën e zhveshjeve.
Fitorja është e treta e sezonit në Serie A për Romën, po aq sa ka barazime dhe humbje. Klubi i kryeqytetit italian tash mban pozitën e gjashtë me 12 pikë, sa ka edhe Napoli dhe Juve që mbajnë pozitat gjashtë dhe pesë.
Manchester City ka marrë edhe një goditje tjetër në shpresat për të fituar titullin e Ligës Premier, pasi nuk arriti të ruajë avantazhin 1-0 ndaj Wolves, ekip që në fund fitoi me rezultat 2-1.Emmanuel Adebayor çoi Cityn në epërsi falë një penaltie të shndërruar në gol në minutën e 23-të të ndeshjes. Pas gjysmë ore lojë vendasit barazuan me anë të Nenad Milijas, ndërsa tre pikët për ta i solli David Edwards me një gol të shënuar në minutën e 57-të.
Fitorja është vetëm e dyta për Wolves në kampionat, dhe e para që nga java e parë e Ligës Premier. City në anën tjetër pëson humbjen e dytë pas asaj të javës së kaluar ndaj Arsenalit, dhe ngec me tre pikë prapa Topçinjve dhe tetë prapa Chelseat në tabelë.
Alex Song ka shënuar një gol të vonshëm për t’i dhënë fitoren minimale, 1-0, Arsenalit në takimin përballë West Ham United, të zhvilluar në Emirates Stadium.Pas shumë rasteve të lëshuara nga Topçinjtë, goli i fitores erdhi vetëm kur kishin mbetur edhe dy minuta nga koha e rregullt e ndeshjes. Pas një harkimi të topit nga Gael Clichy, mesfushori kamerunas kërceu për të dërguar topin me kokë në rrjetën e Robert Green, për t’i mohuar West Hamit një pikë dhe për ta lënë këtë ekip edhe më tej në fund të tabelës.
Në anën tjetër, fitorja e mban Arsenalin në pozitën e dytë me pesë pikë prapa Chelseat, që po ashtu pati një ndeshje të vështirë në udhëtim te Blackburn. Arsenali tash shkëputet me tre pikë nga Manchester United, që më vonë pret në fushë të vet Tottenhamin dhe nga Manchester City, që u mposht në fushë të Wolves.
Fitore minimale në fushë nikoqire ka shënuar edhe Evertoni ndaj Stoke Cityt. Golin e vetëm për të zgjedhurit e trajnerit David Moyes e shënoi Ayegbeni Yakubu (67’).
Kampioni në fuqi i Ligës Premier, Chelsea, vazhdon të mos dorëzohet në luftë për të mbrojtur titullin e kampionit të Anglisë, pasi shënoi fitore 2-1 në fushë të Blackburn.Blutë e panë veten në disavantazh pas 22 minutash lojë kur Benjani Mwaruwari dërgoi topin në rrjetën e Petr Cech, pasi mbrojtja mysafire nuk reagoi për të pastruar topin. Por të zgjedhurit e Carlo Ancelottit u rikthyen që në pjesë të parë duke barazuar rezultatin me anë të Nicolas Anelka (39’).
Ai që siguroi tre pikët e reja për Chelsean ishte mbrojtësi Branislav Ivanovic, i cili me gjashtë minuta lojë të mbetura mposhti portierin e Blackburnit, Paul Robinson, pas një asistimi nga Juri Zhirkov.
Chelsea tash mban kreun e tabelës me 25 pikë, pesë më shumë se Arsenali që po ashtu shënoi fitore ndaj West Ham United dhe tetë më shumë se Manchester United, që më vonë pret në fushë të vet Tottenhamin, dhe Manchester City, që u mposht në fushë të Wolves.
Nga një gol në secilën pjesë të ndeshjes i ka ndihmuar ish-kampionit të Bundesligës, Wolfsburg, të shënojë fitore në derbin e kampionatit gjerman përballë Stuttgartit.Wolfsburg kaloi në epërsi të hershme, pas vetëm gjashtë minutash, me anë të Simon Kjaer, ndërsa fitoren e vendasve e vulosi sulmuesi boshnjak Edin Dzeko 15 minuta para fundit të takimit (76’).
Në takimet tjera Hamburg dhe Werder janë mposhtur që të dyja me rezultat 3-2, në udhëtim te ekipi i fundit në tabelë Koln, respektivisht si nikoqir i Nurnberg.
Sulmuesi sllovak i Koln, Milivoje Novakovic ka shënuar hat-trick (10’, 29’, 84’) për të mposhtur i vetëm Hamburgun, për të cilin ekip shënuan Mladen Petric (15’) dhe Son Heung-Min (24’).
Werderi në ndeshjen tjetër, kaloi i pari në avantazh përmes Hugo Almeida (5’), por ekipi i sulmuesit kosovar Albert Bunjaku arriti të përmbysë disavantazhin me dy gola të Ilkay Gundogan (45’ dhe 73’) dhe një tjetër të shënuar nga Mehmet Ekici (48’).
Mbrojtësi i Bayern Munich, Philipp Lahm, ka përmendur dëshirën e tij për të nënshkruar kontratë të re me kampionin e Bundesligës.Duke folur në media pas fitores 4-2 ndaj Freiburgut, kapiteni i kombëtares gjermane ka thënë edhe një herë se askush nuk i ka ofruar atij një marrëveshje të freskët, edhe pse në të njëjtën kohë ai nuk ngutet të largohet nga klubi.
“Nuk shoh arsye pse të largohem nga klubi. Nuk ka negociata për momentin me drejtuesit; ende kemi kohë”, ka thënë 26-vjeçari
Kontrata aktuale e Lahm skadon në fund të vitit 2012, por nëse ai nuk do të nënshkruante kontratë para verës, atëherë klubet mund të fillojnë të mendojnë t’i ofrojnë atij parakontratë në fillim të vitit 2012.
Koha e Antonio Cassanos te Sampdoria tashmë mund të konsiderohet e kaluar, pasi që klubi italian thuhet të ketë bërë kërkesë për shkëputjen e kontratës së sulmuesit, gjithnjë sipas Ansa.Cassano edhe ashtu ishte lënë jashtë skuadrës për ndeshjet e ardhshme, pas shpërthimit ndaj presidentit të klubit, Ricardo Garrone. Askush nuk e kishte pritur që Sampdoria do të kërkonte largimin e Cassanos, por së shpejti ky fakt do të bëhet realitet me aktvendimin e Lega Calcios për shkëputjen e kontratës mes lojtarit dhe klubit gjenovian.
“Do të ketë heshje mediatike deri në takimin e ardhshëm të Lega Calcios”, theksoi vetë Garrone.
Nga ana tjetër, agjenti i asit italian është shprehur i zhgënjyer, duke thënë se Sampdoria e ka tradhtuar Cassanon.
Antonio Cassano tashmë mund të konsiderohet lojtar i lirë për t’u transferuar, me ç’rast dhe kanë filluar spekulimet për të ardhmen e tij. Në pole pozicion thuhet se është Interi, që për konkurrent pritet ta ketë Juventusin dhe Milanin. Rossonerët supozohet se i kanë ofruar që tani një kontratë ish-sulmuesit të Dorias.
Javier Mascherano do të dëshironte ta shihte ish-bnashkëlojtarin e Liverpoolit, Fernando Torres, t’i bashkohet atij te Barcelona.Por argjentinasi mendon se është shumë e vështirë që spanjolli të largohet nga Anfield.
“Torres është shumë i mirë, ai mund të luajë për cilindo klub. Do të doja ta shihja atë te Barcelona, por nuk e di nëse kjo është e mundshme”.
“Fansat e Liverpoolit e duan atë shumë dhe ai i do ato po aq shumë sa nuk e di nëse ata do të mund të ndahen”, ka thënë Mascherano.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se Liverpooli ende mund të jetë në gjendje të luftojë për titull.Redsat janë më afër zonës së eliminimit nga Liga Premier se sa kreut të tabelës. Megjithatë, Wenger refuzon t’i eliminojë ata nga gara për titull.
“Nuk mund t’i përjashtoni ata krejtësisht, pasi matematikisht dallimi nuk është i madh dhe ata kanë një ekip kualitativ”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se Gareth Bale nuk është për shitje.Redknapp është i bindur se Bale do të qëndrojë në White Hart Lane dhe mendon se ai do të luajë një rol të rëndësishëm për Tottenhamin në disa vitet e ardhshme.
“Asgjë nuk do ta pengojë atë nga ajo që bën, ky është vendi i duhur për të. Njerëzit thonë se ai është për shitje – jo, ai nuk është. Drejtori nuk do ta shesë atë dhe unë nuk dua ai të shitet. Mendoj se ai ka nevojë të vazhdojë progresin këtu”."Ai ka pasur një vit të shkëlqyeshëm, ka vetëm një vit që ai është futur në ekip si i rregullt dhe ka bërë hapa të pabesueshëm. Ky vend është ku ai duhet të qëndrojë dhe të vazhdojë të përmirësohet dhe ta dërgojë Tottenhamin aty ku e kemi synimin të gjithë”, ka thënë Redknapp.
Mesfushori i Milanit, Kevin-Prince Boateng, thotë se ata nuk do ta kenë të vështirë në ndeshjen e sotme kundër Juvnetusit, dhe se Rossonerët mund të luftojnë për Skudetto.“Nëse Milani luan 100 për qind nga potenciali, nuk shoh pengesa: tre pikë do të jenë tonat [kundër Juventusit]. Fitorja do të ishte dedikim i një periudhe pozitive për ne dhe konfirmimit se Skudeto është në diapazonin tonë”.
“Ne nuk duhet të kemi frikë nga askush. Ne nuk duhet të shqetësohemi nga kundërshtarët, por vetëm të përqendrohemi të bëjmë punën tonë në mënyrën më të mirë”, ka thënë Boateng.
Mesfushori i Barcelonës, Javier Mascherano, thotë se ishte koha e duhur që ai të largohej nga Liverpooli.Mascherano u largua nga Anfield këtë verë, duke u transferuar te gjiganti spanjoll, pavarësisht se trajneri Roy Hodgson dëshironte ta mbante atë në klub.
“Nuk është lehtë të largohesh nga një ekip kur keni qenë atje për gati katër vite. Njerëzit dhe fansat në Liverpool më kanë trajtuar mirë. Nuk mund të them asgjë kundër tyre. Por, edhe pse ishte vështirë, e dija se koha ime atje kishte kaluar. Kishte përfunduar. Duhej të largohesha”, ka thënë Mascherano.
Menaxheri i Interit, Rafa Benitez, është shprehur i kënaqur nga loja dhe fitorja e mbrëmshme ndaj Genoas.Nerazzurrët shënuan fitore 1-0 në Marassi, falë golit të vetëm të shënuar nga Sulley Ali Muntari. Benitez thotë se ai është i kënaqur me paraqitjen e Interit në këtë takim.
“Ekipi luajti mirë kundër një kundërshtari me karakter të vërtetë. Kundër një ekipi shumë sulmues ne kishim posedimin dhe në pjesën e dytë kishim shanse më të mira, por po ashtu është e rëndësishme të dimë se si t’i kontrollojmë ndeshjet e tilla”.
“Ne luajtëm një ndeshje normale dhe luajtëm futboll. Nuk mendoj se dikush mund të thotë diçka kundër nesh”, ka thënë Benitez.
Menaxheri i Tottenham, Harry Redknapp, thotë se Rafael van der Vaart është i gatshëm për një paraqitje të madhe në ndeshjen e sotme kundër Manchester United.“Old Trafford nuk do të ndjellë frikë te ai sot – mbi të gjitha, kur keni luajtur para 80 mijë njerëzve për Real Madridin në Bernabeu, nuk do të ketë ndonjë fushë tjetër në botë që ju shqetëson”.
“Një gjë është se Rafa do të shijojë shansin për të treguar para një publiku aq të madh në Old Trafford se si është bërë një forcë reale në Ligën Premier”, ka shkruar Redknapp në kolumnen e tij për The Sun.
Në prag të takimit të sotëm përballë Topçinjve, Avram Grant thotë se ai mund t’i sjellë trofe West Ham United – sikur Arsene Wengeri që i ka sjellë Arsenalit!Ish-trajneri i Chelseat dhe Portsmouth ka mohuar spekulimet se ai do të largohet dhe ka thënë se ka një vizion afat-gjatë për West Hamin – sikur Wenger bëri kur arriti te Arsenali më shumë se 13 vite më parë.
“Flas me Wenger gjithë kohën, e kam njohur atë për më shumë se 10 vite dhe kemi raporte të mira. Ne pak a shumë kemi të njëjtat ide. Dhe shumicën e ideve të tij duam t’i realizojmë edhe ne. Ai ka ndërtuar një ekip nga akademia në një top ekip, kjo do të jetë edhe vizioni i West Hamit”, ka thënë Grant.
Antonio Cassano raportohet se ka përkeqësuar edhe më shumë raportet me Sampdorian pasi ka injoruar presidentin Riccardo Garrone.Garrone i kishte kërkuar Cassanos ta shoqërojë atë gjatë të martës në një darkë që zhvillohej për nder të tij, ku lojtari duhej të pranonte një shpërblim. Cassano duket se ka refuzuar dhe Garrone është detyruar të shkojë i vetëm dhe ka kërkuar falje për mungesën e lojtarit, diçka që i ka shkaktuar atij një turpërim të madh.
Garrone më pas kishte arritur në kampin stërvitor të Bogliasco për të dëgjuar kërkim falje nga Cassano, por kjo nuk ka qenë bindëse. Cassano tash është lënë jashtë formacioni nga trajneri Domenico Di Carlo për udhëtimin e të dielës te Cessena.
Mediat italiane menjëherë kanë filluar ta lidhin atë me një largim, ku në mesin e të interesuarve përmendin edhe tre gjigantët Inter, Milan dhe Juventus.
Cassano njihet për gjaknxehtësinë e tij e cila edhe në të kaluarën i ka shkaktuar atij probleme me trajnerët dhe drejtuesit e klubeve.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se qëndrimi i tij në kampionatin spanjoll mund të jetë i shkurtër.Portugezi, i cili shkroi emrin e tij si një prej trajnerëve më të trofeshëm, kur udhëhoqi Porton drejt triumfit në Ligën e Kampionëve në vitin 2004, para se të zhvendosej në Angli dhe të fitonte dy tituj të Ligës Premier me Chelsean.
Ai erdhi në Madridi gjatë verës së kaluar, pasi drejtoi Interin drejt tre titujve Serie A, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve, dhe beson se të punojë në Spanjë është edhe më vështirë, për shkak të nevojës edhe më të shprehur për të fituar.
“Të qëndrosh në një klub të madh për një kohë aq të gjatë është vështirë në kulturën në të cilën jetojmë. Është më lehtë në Angli. Atje gjeni njerëz të cilët qëndrojnë për vite pa fituar asgjë. Është vështirë pasi nevoja për të fituar është gjithmonë e pranishme. Nëse qëndroj katër sezone, kjo do të thotë se kam bërë gjërat si duhet dhe se jemi të gjithë të lumtur, dhe do të isha i ngazëllyer të vazhdoja”, ka thënë Mourinho.
















