Steven Gerrard realizoi het-trik Të Kuqtë kanë arritur të kthehen nga disavantazhi prej një goli, për të shënuar fitore prej 3-1 kundër Napolit në ndeshjen e zhvilluar në Anfield.
Lavezzi kaloi napolitanët në epërsi (28’), mirëpo gjithçka riktheu legjenda e Redsave, Steven Gerrard, me het-trikun e tij (76’, 88’ dhe 89’).
Në ndeshjet tjera, Sevilla ka shënuar fitore prej 4-0 kundër skuadrës ukrainase Karpaty Lviv, në ndeshjen e vlefshme për Grupin J.
Ndërkohë sulmuesi kuqezi Hamdi Salihi ka shënuar gol nga penalltia në humbjen prej 1-2 të skuadrës së tij Rapid Vienna nga CSKA Sofia.
Sergio Aguero shënoi golin e parë të Atleticos. Atletico Madridi ka shënuar fitore prej 2-1 si mysafir i Rosenborgut në ndeshjen e vlefshme të Grupit B të Europa League. Edhe Leverkuseni e ka mposhtur Aris Salonikin në kuadër të këtij grupi, ashtu që mban kreun me tetë pikë, një më shumë se Atletico.
Skuadra tjetër spanjolle, Villarreali ka pësuar humbje minimale prej 1-0 si mysafir PAOK Saloniki, duke humbur vendin e parë në Grupin D, të cilin tash e mbajnë Dinamo Zagrebi dhe PAOK, me nga një pikë më shumë se Nëndetësja e Verdhë.
CSKA Moska ka arritur kuotën e 12 pikëve në Grupin F pas fitores prej 3-1 kundër Palermos, skuadër e cila do ta ketë shumë të vështirë të kalojë fazën grupore të Europa League, pas asaj që ka treguar deri më tani.
Edhe pas xhiros së katërt të fazës grupore të Europa League, Juventusi nuk ka arritur të regjistrojë fitoren e parë.
Zonja e Vjetër ka barazuar pa gola kundër Red Bull Salzburg në takimin e zhvilluar të enjten mbrëma në Torino.
Ndërkohë, Manchester City është mposhtur me rezultat 3-1 si mysafir i skuadrës polake Lech Poznan.
Pas xhiros së katërt, Grupit A i prijnë Manchester City dhe Lech Poznani me nga shtatë pikë, ndërsa Juventusi mban vendin e katërt me katër pikë.
Trajneri i Interit, Rafa Benitez, është duke shqyrtuar transferimin e mesfushorit të Liverpoolit, Lucas Leiva, njofton Daily Mail.
Kampionët e Evropës janë ‘djegur’ nga Tottenhami më herët gjatë javës dhe lëndimet e shumta kanë alarmuar trajnerin spanjoll që është vënë në kërkim të një mesfushori defensiv.
Edhe pse Interi ka shumë mesfushorë defensiv në skuadër, pothuajse të gjithë janë lënduar dhe është e mundur që Lucas të jetë nga janari lojtar i Interit, pasi këta të fundit do t’ia bëjnë një ofertë prej 5 milionë funtesh Liverpoolit.
Mesfushori i Tottenhamit, Luca Modric, ka mohuar kategorikisht spekulimet qe e lidhnin atë me një kalim te Barcelona.
“Unë te Barcelona? Po, unë vërtet shpresoj që ajo të ndodh, por vetëm si lojtar i Tottenhamit. Le të jemi seriozë. Këto mund të quhen spekulime të veçanta, por nuk e di nëse vërtet dikush ka nevojë për to. A janë ato qesharake? Po, ato janë qesharake për mua”.
“Por natyrisht, është gjithnjë mirë të shohësh emrin tënd të lidhet me një klub si Barcelona, por duhet të qëndroj me këmbë në tokë. Në fund të ditës është vetëm një spekulim. Në fillim ishte Chelsea, më pas Interi, Manchester United dhe tani Barcelona. Por, e vetmja e vërtet është që unë së fundmi kam nënshkruar kontratë me Tottenhamin”, ka thënë Modric.
Supertalenti kosovar i Baselit, Xherdan Shaqiri, është shprehur i zhgënjyer me disfatën e pësuar nga Roma të mërkurën mbrëma në Ligën e Kamnpionëve, ku vet realizoi golin e dytë për helvetikët.
“Ne jemi shumë të zhgënjyer. Ne ndjejmë se kemi mundur të nxjerrim më shumë nga kjo ndeshje. Ne bëmë shumë presion në pjesën e dytë. Mendoj se Roma nuk pati ndonjë rast tjetër pos golit, por kjo është Liga e Kampionëve, ekipet këtu shfrytëzojnë më të voglin rast”.
“Nuk duhet të qëndrojmë kokëulur duke menduar se nuk mund ta bëjmë këtë. Nëse ne mund t’i fitojmë ndeshjet tona të ardhshme, atëherë ne do të shohim çfarë do të bëjnë ekipet tjera”, theksoi Shaqiri.
Asi kosovar ka lëvduar dhe legjendën italiane të Romës, Francesco Totti, duke thënë: “Të gjithë që e njohin futbollin, e dinë se çfarë lojtar i mirë është Totti. Ai është klasi botëror dhe në mënyrë të vazhdueshme është paraqitur në nivelin më të lartë. Ai mund të jetë vendimtar në çdo moment”, përfundoi 17 vjeçari.
Zindedine Zidane duke marrë kartonin e kuq pas goditjes me kokë ndaj Materazzit Zinedine Zidane dhe Marco Materazzi kanë mbaruar konfliktin katërvjeçar, pasi bënë pakt në Milano, njofton Marca.
Dy ‘musketerët’ kanë qenë në ‘gjak’ me njëri tjetrin që nga Botërori i vitit 2006, ku Zidane ishte përjashtuar pasi e goditi me kokë në gjoks Materazzin, në finalen mes Italisë dhe Francës. Por, paqja tani është rivënë dhe ata i folën njëri tjetrit kur Materazzi shkoi ta vizitonte Jose Mourinhon në një hotel të Milanos të mërkurën. Aty ai e takoi Zidanen, i cili udhëtoi së bashku me skuadrën në San Siro.
Materazzi dhe Zidane përshëndetën njëri tjetrin dhe filluan të flasin. Në fund, paqja ishte rezultati i takimit të tyre.
“Kishte përfundim paqësor, skena përfundoi me një përqafim afeksionues dhe e kaluara është harruar”, shkruan Marca.

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të shpenzojë si i çmendur për asin e Tottenhamit, Gareth Bale.
Interi ishte lidhur me një ofertë për yllin nga White Hart Lane, ofertë jo më e vogël se 50 milionë euro.
“Bale? Sigurisht se ai luajti shumë mirë edhe në Milano edhe në Londër, por unë e njoh atë që moti…Po, ai bëri gjëra të mrekullueshme, por unë nuk do të çmendem për ta transferuar atë”.
“Çfarë ndodhi ndaj Tottenhamit? Do të doja ta njihja veten. Kishte mungesë të lojës dhe karakterit. Ne i hymë gabimisht takimit. Nuk ka nevojë të reagojmë të frustruar, por ne duhet të kuptojmë se çfarë ndodhi, për shkak se nuk mund të fitojmë asgjë me këtë lojë”, u shpreh bosi Nerazzur.
Mbrojtësi i Barcelonës, i njohur për urrejtjen ndaj Real Madridit, Gerard Pique, ka deklaruar se Los Blancos janë çdo herë ndër favoritët për çdo kompeticion.
“Reali është gjithmonë kandidat për të fituar çdo garë dhe ata tashmë janë kualifikuar për fazën tjetër të Ligës së Kampionëve”. “Sidoqoftë, ne duam të sigurohemi që të fitojmë çdo ndeshje deri në ‘el Classico’. Nuk mendoj se po luajmë më keq se sezonin e kaluar”, potencoi Pique.
Kaka do të largohet nga Real Madridi në janar, për të shkuar te Milani apo Interi, të cilët do të luftojnë kokë më kokë për firmën e yllit brazilian, njoftojnë mediat spanjolle.
AS dhe Marca shkruajnë se Real Madridi do të dëgjojë ofertat për brazilianin 28 vjeçar, oferta këto që vijnë nga Italia.
Milani dhe Interi janë favoritët kryesorë për firmën e legjendës Rossonere, kjo për shkak të lidhjeve të tij me tifozët në San Siro. Interin favorit e bën dëshira për hakmarrje pas rastit ‘Ibra’ dhe Rafa Benitez, i cili do të shpenzojë pas lëndimeve të shumta në skuadër.
Anësori i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, beson se ekipi duhet të mësojë nga gabimet e bëra në sfidën ndaj Milanit, nga ku Los Blancos dolën të gjallë me një barazim prej 2-2.
“Ne duhet ta mësojmë mësimin tonë, sepse kjo ishte ndeshje të cilën e kontrolluam, por që lamë të na ikin dy pikë nga duart. Sidoqoftë, me rëndësi është që ne jemi kualifikuar për fazën e eliminimit direkt dhe tani duhet shënjestrojmë pozitën e parë në grup”, theksoi Ronaldo.
Portugezi shtoi më tej se ishte befasuar nga gabimet e bëra gjatë ndeshjes nga arbitri anglez, Howard Webb, të cilin Cristiano tha ta ketë dashur më së shumti gjatë qëndrimit në Angli.
Anësori i Manchester United, Nani, ka thënë se ai dëshiron të bëhet lojtari më i mirë në botë.
“Unë dua të bëhem një prej lojtarëve më të mirë. Në të ardhmen, unë dua që të gjithë të thonë se Nani është lojtari më i mirë në botë. Ky është synimi im”.
“Ndoshta njerëzit po e thonë që tani. Nëse po, atëherë jam shumë i lumtur. Unë kam punuar shumë që të jem në këtë pozicion. Por, e di se mund të bëj më shumë dhe do të shkoj përpara ditë pas dite”, tha Nani.
Lepoardi i Interit, Samuel Eto’o, ka zbuluar se ai ishte fare pranë kalimit te Roma një vit më parë, kur bëri kalimin nga Barcelona te Interi.
Në vitin 2008, Eto’o ishte një fije floku larg transferimit në kryeqytetin italian, por gjithçka kolapsoi dhe një vit më pas (2009), kamerunasi u ‘internua’ te Interi si pjesë e shkëmbimit me Zlatan Ibrahimovic.
“Unë isha pranë kalimit te Roma dy vite më parë, më pas gjithçka u shkatërrua. Sot jam i lumtur këtu ku jam”, theksoi Eto’o.
Pas paraqitjeve fantastike të Gareth Bale ndaj Interit, ku pos tjerash ia bëri bajat futbollin mbrojtësit Maicon, ka tërhequr interesim të jashtëzakonshëm nga klubet e mëdha evropiane, duke detyruar kështu bastoret britanike të bëjnë kuotimet e tyre.

Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, kishte thënë se Bale nuk është në shitje për kurrfarë çmimi, por tashmë bastoret britanike shohin për favorit Manchester Cityn. Megjithatë, janë po këto bastore që favorizojnë qëndrimin e Gareth Bale në White Hart Lane, për shkak të çmimeve të ulëta që do të ofrojnë të interesuarit.


Kuotimet e bastoreve për qëndrimin e mundshëm të Bales te Tottenhami dhe favoritët kryesorë për firmën e tij:


Tottenham 1.33
Ndonjë klub tjetër 2.75
Manchester City 6.0
Manchester United 8.0
Real Madrid 8.0
Barcelona 8.0
Chelsea 11.0
Inter 13.0
Bayern Munich 34.0
Arsenal 34.0
Liverpool 67.0
Milan 67.0
Juventus 101.0

Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka thënë se menaxheri i tij, Carlo Ancelotti, bëri mirë që pushoi një numër lojtarësh për sfidën ndaj Spartak Moskës, para derbit të së dielës ndaj Liverpoolit.
“Të kualifikohemi tani ishte me rëndësi dhe menaxheri pushoi disa lojtarë kyç të ekipit. Është më mirë të shkojmë te Liverpooli me këmbë të freskta”, theksoi sulmuesi afrikan.
Chelsea mposhti skuadrën ruse të Spartak Moskës me rezultat 4-1, ku një prej golashënuesve ishte pikërisht Didier Drogba.
Legjenda Nerazzure, Javier Zanetti, i cili tashmë edhe zyrtarisht ka mbi 700 paraqitje në fanellën e Interit, ka paralajmëruar se ai do të qëndrojë te kaltër e zinjtë edhe pas pensionimit.
“Mendoj se do të jem te Interi edhe për pesë vjet të tjera, edhe pse nuk do të jem në fushë përkrah Lionel Messit apo kujtdo tjetër”.
“Unë mendoj se do të kem një pozitë të rëndësishme këtu, por nuk mund të them se çfarë. Gjithë ajo që mund të them është se dua të qëndroj me familjen Nerazzure. Italia dhe ky klub tashmë janë pjesë e imja dhe unë dua ta dërgoj Interin në maje të botës në dhjetor”, sqaroi 37 vjeçari për FIFA.com.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka thënë se ekipi i tij e synon finalen e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve, pas fitores prej 4-1 ndaj Spartak Moskës, që u siguroi Bluve kalimin në fazën e eliminimit direkt.
“Unë shpresoj se ne mund ta fillojmë dhe ta mbarojmë sezonin në Wembley, ashtu sikurse sezonin e kaluar”.
“Ne po punojmë që ta luajmë ndeshjet e fundit në Wembley. Në finale”, tha ‘Carlito’.
Menaxheri i Milanit, Massimilliano Allegri, ka këshilluar sulmuesin brazilian Alexandre Pato të mendohet më pak kur ndodhet para golit.
Pato përsëri tregoi një paraqitjen të dobët në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Real Madridit dhe u zëvendësua në pjesën e dytë nga Massimo Ambrosini.
“Pato është vetëm 21-vjeçar dhe po rikthehet nga problemet e lëndimit, por ai tashmë ka pasur një përmirësim të paraqitjes, në ndeshjen kundër Juventusit. Ai duhet të luajë me më shumë instinkt dhe të mendojë më pak”, ka thënë Allegri.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, beson se Mesut Ozil mund të bëhet lojtari më i mirë në botë.
Perez është shprehur i ngazëllyer me ndikimin e të dy mesfushorëve gjermanë, Mesut Ozil dhe Sami Khedira.
“Ne nënshkruam me ta pasi ata janë dy lojtarë fantastik dhe janë ndër më të mirët në botë. Ozil një ditë mund të bëhet lojtari më i mirë në botë”, ka thënë Perez.
Pippo Inzaghi nuk e ka fshehur kënaqësinë pas dy golave të shënuar mbrëmë kundër Real Madridit, por ndjen keqardhje që Rossonerët nuk arritën më shumë se një barazim 2-2.
Inzaghi ishte heroi i Milanit në takimin e mbrëmshëm të Ligës së Kampionëve, duke përmbysur disavantazhin 1-0 për ta çuar ekipin e tij në avantazh 2-1. Por një gol në minutat shtesë të ndeshjes nga Pedro Leon pengoi rosonerët të nxjerrin tre pikë nga kjo ndeshje.
Sulmuesi italian shënoi golin e 69-të në garat evropiane, të cilin e festoi me një fanellë kuqezi me këtë numër, por më pas ai shënoi edhe golin e dytë të mbrëmshmes dhe të 70-tin në garën evropiane, dhe së bashku me Raul janë në maje të listës së golashënuesve.
“Jam shumë i lumtur, dhe ishte një mbrëmje e shkëlqyeshme për mua. Të arrihet ky rekord në San Siro para fansave të mi, gjithmonë ka qenë ëndërr e imja”, ka thënë Inzaghi pas takimit.
Pedro Leon është i ngazëllyer me golin e shënuar për Real Madridin në barazimin 2-2 kundër Milanit.
Anësori i Real Madridit iu përgjigj më së miri detyrës së tij, kur i futur si zëvendësues në takimin e mbrëmshëm të Ligës së Kampionëve shënoi golin që i solli një pikë Real Madridit.
“Ne kurrë nuk ndalojmë së besuari. Rezultati i fundit është i duhuri, do të kishte qenë e padrejtë humbja. Ne nuk merituam të humbasim dhe mund të jemi të kënaqur. Në grupin e Ligës së Kampionëve jemi shumë mirë të pozicionuar, shoh një të ardhme të shndritshme, ne mund të shkojmë larg”, ka thënë Leon.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, thotë se ai shijon futbollin anglez, edhe pse nuk është fans i shtypit të këtij vendi.
Mancini thotë se ai është i ngopur me tregimet për ekipin e tij të cilat janë shkruar në ditët e fundit, por është i kënaqur me jetën brenda futbollit anglez.
“Është mirë. Këtu stadiumet janë gjithmonë të mbushura. Kurrë nuk ka një karrige të zbrazët. Është një përvojë shumë intensive. Por, pastaj ka shumë kundërthënie...”, ka thënë Mancini.
Drejtuesit e Real Madridit dhe Milanit darkuan mbrëmë para barazimit të mbrëmshëm 2-2 në San Siro.
Qëllimi i darkës, e shtruar në një hotel në afërsi të qendrës stërvitore Milanello, ka qenë të ruhen raportet e mira të Milanit dhe Real Madridit, por po ashtu Rossonerëve u është ofruar mundësia të diskutojnë rikthimin e Kaka në San Siro.
E ardhmja e brazilianit me Real Madridin mbetet e mjegullt, derisa mesfushori vazhdon të rikuperohet nga një operacion në gju.
Ish-trajneri i Real Madridit dhe Villarrealit, Manuel Pellegrini, është caktuar trajner i ri i klubit spanjoll Malaga.
Pellegrini do të prezantohet para mediave sot nga pronari i klubit Malaga, Sheikh Abdullah Al-Thani.
Strategu kilian, i cili u shkarkua nga Real Madridi në fund të sezonit të kaluar dhe u pasua nga Jose Mourinho, raportohet se ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin e ri.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka qenë i kënaqur me barazimin e mbrëmshëm 2-2 ndaj Milanit në Ligën e Kampionëve.
Spanjollët kaluan të parët në epërsi në pjesë të parë, por i ardhur në fushë nga stoli Pippo Inzaghi përmbysi rezultatin në të mirë të Milanit, para se Pedro Leon të shënojë një gol të vonshëm për të nxjerrë një pikë për Madrdin.
“Goli i parë i Milanit erdhi nga gabimi i Pepe. I dyti mbase ishte nga një pozitë e dukshme jashtë loje. Por unë nuk dua të flas për arbitrin. Preferoj të them se Reali luajti një ndeshje të shkëlqyeshme, se në pjesën e parë – si në Madrid – ata treguan një performancë të mahnitshme”.
“Milani nuk është fantastik sa i takon futbollit, por karakteri i tyre është i dukshëm me njerëz si Inzaghi, Gennaro Gattuso dhe Clarence Seedorf, të cilët për tashmë shumë vite luajnë në Ligën e Kampionëve. Madridi ishte në kontroll, por ata kishin karakterin si përgjigje”.
“Nuk ka pasur shanse që Madrid të largohet nga stadiumi me humbje, andaj një gol i vonshëm ishte më se i merituar”, ka thënë Mourinho.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka qenë plot lëvdata për sulmuesin Nicolas Anelka, pasi ai ndihmoi ekipin e tij të shënojë fitore 4-1 në Ligën e Kampionëve ndaj Spartakut të Moskës.
Francezi shënoi golin e parë të ndeshjes, dhe pastaj vazhdoi të shkaktojë telashe për ekipin rus dhe paraqitja e tij nuk ka kaluar pa u vërejtur nga Ancelotti.
“Anelka ishte kyç për të hapur ndeshjen. Ai shënoi një gol fantastik – më të rëndësishmin e kësaj mbrëmje. Mendoj se ai është i lumtur në këtë moment. Ai është i njëjti krahasuar me vitin e kaluar dhe i njëjti Anelka që unë e gjeta, kur erdha, asgjë nuk ka ndryshuar. Ai ka përvojë. Ai ka mjeshtëri shumë të mira, aftësi, dhe shpejtësi. Mbi të gjitha ai është në momentin më të mirë të karrierës”, ka thënë Ancelotti.
Ylli i Boston Celtics, Paul Pierce, është lojtari i katërt që luan për këtë ekip, i cili arrin 20 mijë pikë në karrierën e tij në NBA.
Pierce, i cili shënoi 28 pikë në fitoren 105-102 të Boston në kohën shtesë ndaj Milwaukee Bucks, ka kaluar të gjithë karrierën, 13 sezone në NBA me Celtics. Më herët këtë shifër e kishin arritur edhe lojtarët si Larry Bird dhe John Havlicek, të cilët po ashtu e kaluan të gjithë karrierën te Boston.
“Ishte vërtet emocionuese. Kam kaluar nëpër shumë vite të vështira këtu. Për të arritur në këtë pikë në karrierën time, jam i bekuar dhe jam i lumtur që ende jam me Celtic”, ka thënë Pierce pas ndeshjes së mbrëmshme.
Pierce tash ka 20,005 pikë dhe i bashkohet tre lojtarëve të tjerë të tashëm, Shaquille O'Neal, Kevin Garnett dhe Ray Allen, të cilët kanë arritur këtë shifër.
Trajneri i Milanit, Massimilliano Allegri, ka emocione të përziera bas barazimit 2-2 në Ligën e Kampionëve ndaj Real Madridit.
Milani ishte në disavantazh 1-0 pas golit të Gonzalo Higuain në pjesën e parë të ndeshjes, por i futur në lojë si zëvendësues Pippo Inzaghi shënoi dy gola, për të kthyer rezultatin në të mirë të Rossonerëve. Por një tjetër zëvendësues, kësaj here i Realit, Pedro Leon, shënoi në minutën e tretë të kohës shtesë për të ndarë pikët në mes ekipeve në San Siro.
“Mendoj se barazimi është mbase rezultati më i drejtë, duke marrë parasysh shanset që kishte Reali në pjesën e parë, edhe pse ne po ashtu kishin raste të pastra shënimi”.
“Në pjesën e dytë ne ishim ca më të thellë, por reaksioni dhe uria për të përmbysur rezultatin ishte fuqia e këtij Milani. Është turp, pasi në thelb e kishim fituar ndeshjen. Ndjehemi sikur e kemi hedhur tej fitoren”, ka thënë Allegri.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ekipi i tij humbi përqendrimin dhe fokusin në disfatën 2-1 ndaj Shakhtar Donetsk në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Topçinjtë kaluan të parët në avantazh me golin e Theo Walcott pas 10 minutash lojë, por pasi një autogol i Craig Eastmond barazoi rezultatin, ish-sulmuesi i Arsenalit, Eduardo, shënoi për t’i dhënë epërsinë klubit ukrainas.
“Urime për Donetsk, ata luajtën mirë dhe fituan ndeshjen. Ne kishim një fillim të mirë, por pas asaj e humbëm urgjencën dhe lejuan Donetsk të kthehen në ndeshje shpejtë. Ne humbëm përqendrimin në duele dhe ju mund të shihni se çfarë ndodhi në pjesën e dytë”.
“Ne e kemi mësuar mësimin se në këtë nivel, nuk mund të humbet fokusi në asnjë moment dhe kjo është se pse ne u ndëshkuam. Por ne ende jemi në një pozitë të fuqishme ne grup”, ka thënë francezi.