Schalke ka zbutur krizën e thellë të rezultateve pas fitores së lartë prej 3-0 në Veltins Arena ndaj skuadrës së promovuar në Bundesliga, St.Pauli.Ishte kush tjetër pos legjendës Raul që pas 14 minutash lojë kaloi në epërsi Mbretërit e Kaltër, në atë që do të ishte fitore e lehtë për Schalken.
Se Schalke tani e tutje nuk do të ketë probleme me repartin ofensiv, na konfirmoi Klaas-Jan Huntelaar që shënoi për 2-0 (54’), kurse rezultatin përfundimtar e vuri Raul, që realizoi golin e tij të dytë në ndeshje (81’).
Pas javës së 11-të Schalke gjendet në pozitën e 15-të me 9 pikë, ende pa u zhvilluar ndeshjet tjera në Bundesliga.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është detyruar që ta ndërpresë seancën stërvitore të së premtës, pasi Zlatan Ibrahimovic dhe Oguchi Onyewu janë kacafytur, njofton Goal.com.Nuk dihet ende saktësisht se çfarë shkaktoi përleshjen, por thuhet se mbrojtësi amerikan e ka kapur për fyti Ibrën, pasi suedezi ndërhyri ashpër në 28 vjeçarin. Ibrahimovic ia ktheu dhe vazhdoi të përleshet me Onyewun, derisa janë ndarë nga bashkëlojtarët.
“Ishte një përleshje e drejtë kjo, ndodh kur ka duele të ashpra. Është biseduar me lojtarët. Incidenti tashmë ka përfunduar”, precizoi Adriano Galliani pas incidentit.
Pronari i ri i Liverpoolit, John Henry, ka ofruar përkrahje për Roy Hodgson, duke shuar kështu spekulimet që thoshin se menaxheri i The Reds është fare pranë hyrjes nën sëpatën e pronarëve të rinj amerikanë.“Ai është njeriu i duhur për ta fituar titullin. Unë nuk mund të bëj premtime për të ardhmen. Siç e dini, deri para dy muajve nuk e dija se ekziston futbolli anglez”.
“Ne si tendencë kemi të qëndrojmë me menaxherët tanë, kjo është historia jonë, Roy nuk e ndërtoi këtë ekip, kështu që mendoj se është kritikuar pa të drejtë këtë vit. Mendoj se roli im në këtë pikë është që ta mbështes atë aq sa kam mundësi, të sigurohem se ai i ka burimet e nevojshme, pasi që ai është menaxheri ynë dhe kjo nuk do të ndryshojë për një kohë të gjatë”, deklaroi John Henry për Sky Sports.
Mbrojtësi i Interit, Maicon, i cili po përjeton një nga sezonet më të dobëta në fanellën Nerazzure, ka vënë automatikisht në dyshim të ardhmen e tij, për të cilën sipas agjentit të tij do të vendos Massimo Moratti.“Është absurde ta kritikojmë Maiconin, i cili ka luajtur shumë mirë për pesë sezone. Të gjithë lojtarët që luajtën në Botëror, kanë pasur përgatitje jo të mirë”.
“Asgjë nuk duhet të merret si e garantuar në botën e futbollit. Presidenti Moratti gjithnjë ka qenë në anën e lojtarit, le të presim dhe të shohim. Moratti do të vendosë nëse ai largohet. Unë shpesh flas me Real Madridin, klubet angleze dhe klubet tjera të mëdha. Jo vetëm për Maiconin. Prapa një transferi janë negociata të gjata”.
“A dëshiron ai të largohet? Ai e di se është në gjendje t’i ndihmoj ekipit edhe nëse nuk është në formë”, deklaroi Antonio Caliendo, agjenti i Maicon.
Bosi i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka thënë se ekipi i tij nuk mund të varet në shkëlqesinë e Steven Gerrard.“Unë dua që secili lojtar t’i afrohet pjatës dhe nuk dua që të varemi totalisht nga Gerrard ose Torres. Dua që të varemi nga të gjithë lojtarët të cilët kanë të veshur fanellën e Liverpoolit dhe që kanë kontrata me këtë klub të madh”.
“Ne kemi problemin e vetëbesimit, por në bazë të paraqitjeve të fundit them se klubi do të rikthehet fuqishëm”, deklaroi Hodgson.
Presidenti i Sampdorias, Riccardo Garrone, ka sqaruar arsyet se pse nuk mund t’ia falë Antonio Cassanos gabimin e bërë, kur ky i fundit shpërtheu ndaj presidentit të klubit gjenovas.“Cassano përdori fjalë të cilat ishin tejet të vrazhda dhe ajo që ai bëri ishte mjaft serioze”.
“Vetëm llogaritni gjithë atë që kam bërë për të. Më lëndoi mënyra si më ofendoi, por kjo nuk është asgjë për mua. Më bëjnë të pendohem fjalët e Cassanos se është i lumtur këtu, pasi që dje eca rrugëve të Gjenovës dhe asnjë tifoz i Sampdorias nuk kërkoi që të bëj paqe me të”, tha Garrone.
Alessandro Del Piero nuk do të largohet nga Juventusi për t’u transferuar te Milani, garanton drejtori i Bianconerëve, Giuseppe Marotta.“Del Piero te Milani? Nuk mendoj kështu. Fakti që Berlusconi e vlerëson atë shumë, është kompliment për lojtarin, por Del Piero nuk dëshiron të luajë me fanellën e Milanit”.
“Agjenti i tij ka thënë se Alex do të jetë lojtar i Juventusit. Së shpejti do të ketë një takim në tavolinë me presidentin Andrea Agnelli”.
“Stadiumi i ri do të jetë i gatshëm për sezonin e ardhshëm dhe nëse Del Piero shpreson të luajë aty, atëherë nuk do të ketë probleme”, deklaroi Marotta.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka pohuar se sugjerimet e fundit nëpër mediume të ndryshme të cilat e lidhnin atë me një largim nga kombëtarja e Spanjës janë të pavërteta.“Nuk e di se nga po vijnë ata me këto gjëra. Është një gënjeshtër që unë dua të largohem nga kombëtarja”, theksoi Xavi para se të fliste për Realin
“Unë jam i bindur se Real Madridi do të luftojë për çdo titull deri në fund, por mendoj se ne jemi duke luajtur në nivel të lartë”, përfundoi maestro Xavi.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, shpreson se Los Blancos do të vazhdojnë rekordin e shkëlqyer prej 11 viteve pa pësuar humbje nga Atletico Madridi në Bernabeu.“Sinqerisht, nuk e di se pse Atletico nuk na ka mposhtur që 11 vjet. Hera e fundit kur ka ndodhur kjo unë luajta në atë ndeshje dhe shpresoj se ky rekord do të vazhdojë edhe për një vit tjetër”.
“Sidoqoftë, ata kanë lojtarë si Sergio Aguero dhe Simao, të cilët janë në gjendje të na destabilizojnë”, potencoi spanjolli.
Trajneri i Interit, Rafael Benitez, ka kërkuar nga lojtarët e tij që të regojnë fuqishëm dhe të tregojnë karakter të fortë ndaj Brescias, pas disfatës turpëruese të pësuar nga Tottenhami.“Natyrisht, ekipi ynë mund ta fitojë ndeshjen dhe ne mund të luajmë më mirë duke bërë atë që bëmë në Londër. Tani koha është që të sjellim karakterin tonë”.
“E kemi ditur se nuk do të luajmë mirë ndaj Tottenhamit. Ne kemi treguar karakter këtë sezon sepse ne kemi luajtur mirë në ndeshjet tjera në udhëtim, ndërsa kjo është shenjë e qartë. Ne duam ta mposhtim Brescian dhe më pas do t’ia lehtësojmë vetes punët për ndeshjen e ardhshme”, tha Benitez që konfirmoi se Milito do të luajë nga fillimi ndaj Brescias.
Ish-drejtori i Juventusit, Luciano Moggi, u ka bërë thirrje Bianconerëve që të qëndrojnë sa më larg Antonio Cassanos.“Antonio Cassano nuk do t’i shërbente Luigi Del Nerit. Dhe, unë nuk mund ta shoh atë të largohet nga Sampdoria në një të ardhme të afërt. Ai do të qëndrojë së paku deri verën e ardhshme”.
“Sidoqoftë, Juventusi duhet të gjejë një mesfushor që mund të luajë përkrah Alberto Aquilanit, dikush që mund ta diktojë lojën”, shkroi Moggi në kolumnën e tij për Tuttomercatoweb.
Franck Ribery thuhet se është duke iu afruar rikthimit të shumëpritur në fushën e lojës dhe atë jo më larg se javën e ardhshme në derbin bavarez ndaj Nurnbergut, njofton SPOX.Zyrtarët e Bayernit shpresuan se Ribery mund të luajë nesër ndaj Moenchengladbachut, por rikthimi i tij është shtyrë për fundjavën e ardhshme dhe ndeshjen ndaj Nurnbergut.
Ribery është që gjashtë javë jashtë fushave të lojës, pas dëmtimit të pësuar në ligamentet e nyjes në fitoren prej 2-1 të Bayernit ndaj Hoffenheimit
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, ka folur për startin e karrierës së tij në Camp Nou, duke thënë se ai ndjen që mund të bëjë më shumë për klubin.“Ndaj Sevillas unë shënova dy gola dhe në atë sens, unë jam tejet i rehatuar. Unë jam i lumtur me rolin tim, por ndjej se mund të bëj më shumë. Gjëja më e rëndësishme është se Barcelona po shënon gola, jo David Villa. Ne jemi ekip dhe vlen vetëm nëse klubi fiton.
“Në të gjitha aspektet, une ndihem mirë. Trajneri na jep instruksione, në mënyrë që lojtarët në fushë të mos dyshojnë në rolin e tyre. Pozita ime është sqaruar nga Guardiola, Vicente Del Bosque dhe bashkëlojtarët tjerë që kam pasur”, u shpreh Villa.
Liverpooli thuhet se do të bëjë ofertë për të transferuar sulmuesin e Athletic Bilbaos, Fernando Llorentes, në rast të largimit të Fernando Torres në janar.Ylli i The Reds, Torres, është lidhur me një kalim te Barcelona dhe Manchester City, pas sezoneve të dështuara me Liverpoolin. Me The Reds që po zhyten në krizë të thellë dhe luftën për mbijetesë në Ligën Premier, Torres dëshiron afrimin në maje duke shkuar te ndonjë klub tjetër.
Talksport pohon se Liverpooli e sheh Llorenten si zëvëndësim për Fernando Torresin, në rast se ky i fundit largohet nga Anfield.
Sidoqoftë, Liverpooli së pari duhet të mendojë se ku të marrë 36 milionë euro, aq sa është dhe klauzola e sulmuesit bask.
Sipas të përditshmes më të madhe gjermane Bild, skuadra gjermane Wolfsburg është duke e monitoruar situatën e anësorit kosovar, Xherdan Shaqiri, i cili aktualisht është i kontraktuar te Baseli.Wolfsburgu është në kërkim të një anësori të ri dhe për drejtorin e Ujqve, Dieter Hoeness, Shaqiri përbën transferimin ideal për klubin e tij.
Shaqiri ka kontratë me Baselin deri në vitin 2014 dhe në kërkim të tij janë vënë skuadra të tilla si Interi, Bayerni, Juventusi, Liverpooli dhe PSV.
Agjenti Mino Raiola ka dhënë sqarime për mënyrën se si Milani i ka transferuar Robinhon dhe Zlatan Ibrahimovicin.Ishte Raiola ai që i ndihmoi Milanit në realizimin e dy prej transferimeve më të mëdha të verës së kaluar, por tashmë gjërat duken më ndryshe se sa që ishte menduar.
“Unë e transferova Balotellin te Manchester City dhe ndërhyva në çështjen Robinho. Ai më tha se dëshiron të largohet nga klubi anglez. Ai më tha se nëse do ta transferoja Ibrën te City, atëherë Barcelona do ta merrte atë. Unë i thashë Robinhos të qetësohet”.
“Më pas e transferova Ibrën te Milani, para se t’ia bëja me dije Gallianit që duhet të shkojmë në Angli. Kështu ne mposhtëm Barcelonën dhe morëm Robinhon. Kështu u transferuan edhe Ibrahimovic edhe Robinho te Milani”, sqaroi Raiola.
Tottenham Hotspur besohet se do t’ia ofrojë mbrojtësit të majtë më të mirë në botë, Gareth Bale, një kontratë të re të përmirësuar, për ta garantuar qëndrimin e tij në White Hart Lane.21 vjeçari është në formë të shkëlqyer këtë sezon, duke lënë të ‘djegur’ në fushën e betejës disa prej mbrojtësve më elitarë të globit, siç është Maicon dhe natyrisht se interesimi nuk ka munguar.
Është Daily Mail tabloidi që spekulon se Bale me kontratën e re do të ketë çdo javë në konton e tij nga 50 mijë funte. Ashtu ashtu, Harry Redknapp është i prerë në qëndrimin e tij se mbrojtësi uellsian nuk është në shitje.
Anësori i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, mezi e pret drebin e të dielës ndaj Atletico Madridit, ndërsa beson se natyra e ndeshjes e detyron Realin të shënojë fitore.“Një derbi është më shumë se një ndeshje. Ne e dimë se një derbi luhet nga dy ekipe të të njëjtit qytet, por ne nuk duhet të përgatitemi për ndeshjen më ndryshe se të tjerët. Ne e dimë se është ndeshje e vështirë, ndaj një ekipi të mirë, por ne luajmë në shtëpi dhe kjo ndeshje duhet fituar patjetër”, theksoi Ronaldo për Marca.
“Forma ime? Unë po vazhdoj si zakonisht. Golat e bëjnë diferencën në mes të asaj nëse ke luajtur mirë apo keq. Unë jam lojtar i njëjtë sikurse vitin e kaluar. Unë mendoj se kam shënuar më shumë gola dhe i kam ndihmuar ekipit, por jam po i njëjti lojtar. Unë ndjehem mirë. Unë po i ndihmoj ekipit dhe ekipi po më ndihmon mua”, përfundoi portugezi.
Ylli i Palermos, Javier Pastore, dëshiron të kalojë te Barcelona në një të ardhme, duke këmbëngulur se do të preferonte t’u bashkohej Blaugranëve, jo Real Madridit.“T’i bashkohem Barcelonës? Oh Zot. Do të ishte ëndërr për mua të luaj me Lionel Messin te Barcelona, është dëshira ime. Unë duhet të vazhdoj të ngris nivelin e lojës time për të arritur te Barcelona. Dhe fakti që Messi luan atje, tregon se ai është po aq i mirë sa të gjithë argjentinasit tjerë”.
“Cilin klub do të zgjidhja prej të mëdhenjve? Ata të gjithë janë të rëndësishëm, ato që i kemi parë nëpër gazeta si Interi, Reali dhe Barcelona, por më së shumti e dua Barcelonën dhe stilin e lojës. Barcelona është klubi më i madh dhe më i mirë, padyshim”, deklaroi Pastore për El Mundo Deportivo.
Wesley Sneijder, thotë se ai kurrë nuk do të rikthehet te Real Madridi dhe shton se një vit nën drejtimin e Jose Mourinho vlen dhjetë me cilindo trajner tjetër.Holandezi erdhi te Interi me insistimin e Jose Mourinhos në vitin 2009, pasi drejtuesit e Real Madridin nuk llogaritnin në të. Sneijder më pas fitoi tre tituj nën drejtimin e portugezit me Inerin, ndërsa në fund të sezonit të kaluar Mourinho u transferua te Reali, duke nxitur spekulimet se edhe Sneijder mund t’i bashkohet atij.
“Është e pamundshme të rikthehem te Reali. Nuk dua të kthehem në klubin i cili më ka trajtuar shumë keq. Kurrë më nuk do të luaj për Real Madridin. Mourinho? Një vit nën drejtimin e tij vlen sa dhjetë vite me cilindo trajner tjetër”, ka thënë Sneijder.
Mesfushori i Arsenalit, Jack Wilshere, thotë se ai është i lumtur që ka mundësinë të mësojë nga Cesc Fabregas.Wilshere thotë se ai është mirënjohës që ka në krah të tij një lojtar që vlerësohet si mesfushori numër 1 i Ligës Premier.
“Mendoj se për momentin Cesc Fabregas është mesfushori më i mirë në Ligën Premier, por në të kaluarën ka pasur lojtarë si Roy Keane dhe Patrick Vieira – të gjithë mesfushorë të kompletuar. Cesc flet me mua dhe më thotë se çfarë kam nevojë të bëj. Ai ka qenë 16 vjeçar kur ka dalë në skenë, andaj duhet të bisedonim me lojtarë të rritur si ai dhe ata të ndihmojnë”, ka thënë Wilshere.
Mbrojtësi i Chelseat, Alex, thotë se Blutë do të përballen me një test të vështirë në rrugën për të mbrojtur titullin, gjatë udhëtimit të vikendit te Liverpooli.Liverpooli, që aktualisht ndodhet në pozitën e 13-të me 12 pikë, pret Chelsean në derbin e vikendit që zhvillohet të dielën, me Blutë që mbajnë kreun me më shumë se dyfishin e pikëve të Të Kuqve.
“Fitorja në Liverpool vitin e kaluar ishte shumë e rëndësishme dhe ne e dimë se kjo do të jetë një ndeshje e vështirë. Ne duhet të jemi të vëmendshëm për 90 minuta. Ata kanë qenë pak jashtë forme, por ne duhet të jemi të fuqishëm në ndeshje, në kundërsulme ata janë shumë të rrezikshëm dhe ne duhet të shënojmë të parët”.
“Ne mbrohemi mirë, por duhet të mbulojmë sulmuesit e tyre, Fernando Torres dhe Steven Gerrard nga afër. Ata gjithmonë fillojnë me këta dy dhe ata janë shumë të rrezikshëm nëse janë në formë, andaj ne duhet të sigurohemi se jemi të vëmendshëm dhe të mos iu japim atyre asnjë hapësirë”, ka thënë Alex.
Kapiteni Carlos Tevez pritet të rikthehet në fushë për Manchester Cityn në ndeshjen e vikendit kundër West Bromwich Albion.Sulmuesi pritej të rikthehet në Manchester pas një udhëtimi të shkurtër në Argjentinë dhe, sipas menaxherit Roberto Mancini, do të jetë i gatshëm për fushë pas një lëndimi të kofshës.
“Nesër ai do të jetë në Manchester. Mendoj se ai do të jetë i gatshëm të përballet me West Bromwich nëse është OK dhe ai duhet të jetë OK”, ka thënë Mancini.
Wayne Rooney do të mungojë në derbin e qytetit ndaj Manchester Cityt pasi do të dërgohet në SHBA në një angazhim njëjavor në formën e tij.Rooney tashmë një kohë të gjatë vuan nga lëndimi në nyje dhe Djajtë e Kuq shpresonin se sulmuesi do të jetë i gatshëm për derbin e qytetit ndaj Manchester Cityt, që zhvillohet më 10 nëntor.
Megjithatë 25-vjeçari, i cili kohë më parë iu dha fund spekulimeve për të ardhmen e tij duke nënshkruar marrëveshje të re pesëvjeçare, do ta lëshojë derbin e qytetit. United ka vendosur ta dërgojë Rooneyn në SHBA ku ai do të punojë në fitnesin e tij.
“Wayne nuk do të përfshihet të shtunën. Synimi jonë është ta dërgojnë Wayne në Nike Town në Amerikë, ku ai një javë do të ketë stërvitje të fitnesit. Në konsultime me Wayne, personelin tonë mjekësor, menaxherin dhe personelin stërvitës, vendosëm se fluturimi në SHBA është zgjidhja më e mirë për të”, ka thënë Mike Phelan, asistent menaxher në United.
Rooney do të fluturojë për në Amerikën Veriore më 7 nëntor dhe do të kthehet një javë më pas.
Menaxheri i Napolit, Walter Mazzarri, beson se vendime të caktuara të referimit i kanë kushtuar ekipit të tij me humbje në ndeshjen kundër Liverpoolit në Europa League.“Ne nuk ishim të përqendruar kur ndodhën momentet kyçe. Rëndësia e ndeshjes ndikoi edhe te arbitri, pasi kishte shumë faula të vështirë të akorduar”.
“Fauli nga Salvatore Aronika (në zonën e penaltisë) ishte një akordim i vështirë, por ata po ashtu bënë disa ndërhyrje. Mbi të gjitha, ne luajtëm një ndeshje të mirë, por është turp që kjo përfundoi kështu”, ka thënë Mazzarri.
Trajneri i Juventusit, Luigi Del Neri, është më shumë i shqetësuar për lëndimet se sa për pozicionimin e ekipit të tij në Europa League, pas barazimit të mbrëmshëm ndaj Salzburg.Pavarësisht lëndimeve, Del Neri ka qenë i kënaqur me mënyrën e lojës së Biankonerëve pavarësisht se gjiganti italian tash mbetet tre pikë prapa Lech Poznan dhe Manchester Cityt në grupin A.“Jam i shqetësuar për situatën e lojtarëve tonë të lënduar, më shumë se sa për Europa League. Kjo është një garë që ndërtohet nga ndeshjet e drejtpërdrejta, gjatë të cilave gjithçka mund të ndodhë. Ne duhet të mposhtim Lech Poznan dhe Manchester City dhe besoj se mund ta bëjmë”, ka thënë Del Neri.
Dirk Kuyt mund të rikthehet në aksion për Liverpoolin kur ata do të përballen me liderin e tabelës, Chelsean, gjatë këtij vikendi.Holandezi nuk ka luajtur që nga lëndimi i tij me kombëtaren më 12 tetor, por thotë se ai mund të ketë shans për t’u paraqitur kundër Bluve në Anfield gjatë të dielës, pasi ka bërë një progres të mirë në rikuperim.
“Kam punuar vërtet shumë me ekipin mjekësor. Jam krejtësisht i lumtur me ta pasi jam rikuperuar shpejt. Jam i gatshëm për t’u stërvitur me ekipin. Kjo varet se si do të shkojnë këto ditët e fundit. Shpresoj se stërvitja me ekipin do të jetë OK dhe në fund gjithçka do t’i takojë menaxherit”, ka thënë Kuyt.
New York Knicks kanë shkëlqyer në trepikësha për të mposhtur Chicago Bulls me rezultat 120-112.Toney Douglas udhëhoqi Knicks me 30 pikë, përfshirë pesë trepikësha, derisa Danilo Gallinari shënoi 24 pikë, përfshirë 21 në pjesën e parë. Amare Stoudemire pati një ndeshje më të qetë me 14 pikë dhe tetë kërcime.
Te Bulls udhëhoqi Derrick Rose me 24 points, derisa Joakim Noah shënoi double-double për të dytën herë radhazi, me 12 pikë dhe 13 kërcime.
Sulmuesi i Aston Villas, Emile Heskey, do të mungojë për rreth një muaji për shkak të një lëndimi në ligamente.32-vjeçari u lëndua në stërvitje gjatë të mërkurës dhe do t´i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjike ka konfirmuar klubi.
“Emile Heskey do të mungojë në ndeshjen ndaj Fulhamit, pasi ka pësuar lëndim. Heskey ka dëmtuar meniskusin në gjurin e djathtë gjatë të mërkurës në stërvitje, pa asnjë lojtar tjetër të përfshirë në incident. Lëndimi kërkon operim dhe ai mund të mungojë nga tre deri në katër javë", thuhet në deklaratën e Aston Villa.
Kapiteni i Lazios, Tommaso Rocchi, beson se Roma do të jetë edhe më e fuqishme këtë vikend pa Francesco Tottin.Totti është i suspenduar për një ndeshje pas kartonit të kuq pas një përplasje me lojtarin e Lecce, Ruben Oliveira, gjatë vikendit.
“Mendoj se do të ishim më të lumtur po të ishte ai në fushë: mbase mungesa e tij është një avantazh për Romën, duke parë rezultatet në derbit e fundit .Shpesh ekipi që është më i mirë, që duket më superior, zakonisht ka më shumë të humbasë“, ka thënë Rocchi.
















