Arsene Wenger u ka bërë thirrje lojtarëve të tij që të zgjohen nga gjumi dhe të përmirësohen, nëse dëshirojnë të luftojnë për titullin e kampionit të Ligës Premier.
“Ne duhet ta zgjohemi. Ne jemi ambiciozë dhe kjo është arsyeja se pse duhet ta gjejmë shpirtin ndaj Wolvesit, të fokusohemi përsëri dhe të fitojmë pikë”.
“Unë pranoj se nuk ishte një prej ditëve tona më të mira ajo ndaj Newcastle, por ishte gjithashtu rëndë ta humbasim një ndeshje të tillë, pasi ata patën vetëm një goditje në gol dhe disa gjysmëraste. Ishte deri te ajo se kush e bën gabimin e parë. Ne jemi zënë në një ndërprerje dhe për këtë jemi fajtor”.
“Për momentin, nuk jemi të kënaqur me formën tonë në shtëpi. Paraqitja jonë nuk ishte e një kandidati për titull, kjo është arsyeja se pse duhet të përmirësohemi”, deklaroi Wenger.
Mesfushori gjerman, Michael Ballack, beson se ylli i Bayernit të Munichut, Bastian Schweinsteiger mund të jetë transferim i përkryer për gjigantët e futbollit evropian, Real Madrid dhe Manchester United.
“Vetëm ai do të jetë në gjendje të ndjejë se çfarë është më mirë për të ardhmen e tij. Natyrisht, çdo futbollist është i tërhequr nga gjëra të caktuara dhe Bastian do ta ndjejë këtë. Por, nuk ka shumë klube përreth dhe Bayern është një prej tyre”.
“Nga ana tjetër, Real Madridi ose Manchester United janë shumë tërheqës dhe ai do t’i përshtatej këtyre klubeve”, i ka thënë Ballack revistës sportive gjermane Kicker.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, beson se humbja prej 2-0 në derbin e të dielës ndaj Liverpoolit vetëm sa do t’u ndihmojë Bluve të kthehen në formën më të mirë.
“Nuk mendoj se në këtë klub gjërat merren si të garantuara, por ndoshta kjo është ajo shtytja për të cilën kemi pasur nevojë”.
“Ne nuk kemi luajtur shumë mirë së fundmi, por kemi nxjerrë rezultate shumë të mira. Ne jemi në krye të Ligës Premier, kështu që jemi të enkurajuar për ta harruar atë që na solli deri në vendin e parë dhe të mendojmë për më tutje”, tha Terry.
Interi është vënë në kërkim të një qendërmbrojtësi kualitativ dhe në cakun e Nerazzurëve tani është shndërruar Andrea Ranocchia i Genoas, i cili shihet si zëvëndësim ideal për të lënduarin, qendërmbrojtësin numër një në botë, Walter Samuel.
Mbrojtësi argjentinas pritet që të mos kthehet në aksion për së paku tetë muaj dhe tani kampioni i Evropës duhet të transferojë në janar një qendërmbrojtës. Sipas La Gazzetta dello Sport, Interi do të dëshironte ta sjellte Ranocchian.
Qendërmbrojtësi italian i Genoas është pronë edhe e Interit edhe e klubit nga Luigi Ferraris, ndërsa Nerazzurët mund ta bëjnë Ranocchian pronë të veten me 10 milionë euro. Sidoqoftë, mund të ndodh që Genoa ta refuzojë shumën, për shkak të formës së dobët të klubit.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, ka pranuar se Los Blancos nuk treguan formën më të mirë ndaj Atletico Madridit, përkundër fitores mjaft relaksuese prej 2-0.
“Ne nuk ishim aq të zëshëm si në ndeshjet tjera, por ne kemi dëshmuar se dëshiruam fitoren dhe e bëmë atë. Ishte ndeshje e vështirë të cilën mendoj se është dashur ta fitojmë”.
“Dy golat ishin të rëndësishëm. Rezultati final nuk ishte dhe aq bindës. Një gabim do t’i komplikonte gjërat, por ne bëmë punë të mirë”, u shpreh Higuain.
Ish-sulmuesi i Real Madridit, Hugo Sanchez, ka shprehur dëshirën e tij për të drejtuar një ditë klubin nga Santiago Bernabeu.
“Drejtimi i Real Madridit si trajner është ëndërr fëmijërore e çdo lojtari apo trajneri. Për mua u bë realitet si lojtar dhe do të doja që kjo të përsëritej si trajner”.
“Unë nuk do të vdes pa u bërë një ditë trajner i Real Madridit. Por, jam njeri me durim, pasi që ndjej se jam ende trajner i ri dhe kam kohë për të menduar për atë mundësi”, tha Sanchez.
Lazio definitivisht ka treguar se nuk është në gjendje për të luftuar për Scudetto pas derbit romak, ndërsa presidenti Claudio Lotito nuk është i këtij mendimi.
“Derbi na tregon se rezultatet nuk varen nga cilësia e lojtarëve, por nga episode të caktuara”.
“Tani njerëzit nuk do të thonë më se jemi me fat, pasi që ne kishim çdo gjë pos fatit ndaj Romës. Kishte situata në pjesën e dytë që e diktuan një ndeshje të cilën nuk merituam ta humbasim”, tha Lotito.
Massimo Moratti ka deklaruar se lëndimet që janë duke e përcjellë Interin, janë të mira për klubet tjera, por ka paralajmëruar rivalët se Interi do të kthehet në formën e sezonit të kaluar.
“Ne po luajmë në mënyrë të mjerë, situata është e vështirë, por është me rëndësi që t’i kemi të gjithë lojtarët të gatshëm, në mënyrë që të rikthehemi në nivelet e sezonit të kaluar”.
“Ne nuk mund të luajmë si sezonin e kaluar me këto lëndime. Nuk mendoj se ekziston diçka që ka qenë vendimtare, ne thjeshtë duhet të mbajmë nivel të mirë në këtë pikë të sezonit, në mënyrë që të rikthehemi më vonë”, ka thënë kreu i zikaltërve.
Juventusi ishte fare pranë transferimit të asit të Tottenhamit, Gareth Bale, por gjithçka u shkatërrua pas problemeve administrative në Vinovo.
“Vitin e kaluar unë shkova në Londër për të biseduar me Harry Redknapp dhe e pyeta atë për Bale. Unë e dija se Tottenhami ishte i interesuar në lojtarë të Juventusit”.
“Bisedimet nuk ishin përmbyllur, por më pas unë ia lashë në dorë gjërat Giuseppe Marottas, i cili transferoi anësorë e jo Gareth Bale”, tha ish-drejtori i Juves, Roberto Bettega.
Lojtarët e Barcelonës duke festuar Barcelona është shpallur ekipi më i mirë i dekadës nga një studim i Qendrës Kërkimore për Histori të Futbollit Spanjoll dhe Statistika (CIHEFE).
Studimi mbledh të gjitha rezultatet e ekipeve në La Liga dhe Copa del Rey, ashtu si analizat në baza individuale, të gjitha këto të vlerësuara me anë të një sistemi me pikë.
Kështu, që prej vitit 2000 deri në vitin 2010, Barcelona ka grumbulluar 1630 pikë, më shumë se rivali i përbetuar Real Madrid, që ka 1482 pikë. Valencia është e treta me 1236, ndërsa Deportivo befasisht zuri pozitën e katërt 1024.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është i sigurt se Manchester City do të vazhdojë shpenzimet e mëdha, vetëm e vetëm për të luftuar për titullin e Ligës Premier.
“Ne e dimë se sa po shpenzojnë ata. Ata kanë transferuar edhe pesë ose gjashtë lojtarë tjerë gjatë verës dhe ata do ta bëjnë këtë deri sa të fitojnë diçka”, theksoi Ferguson.
“Starti i mirë Cityt i jep mprehtësi ndeshjes. Nuk besoj se ka ndonjë pyetje për këtë. Ata po luftojnë për titull dhe ju nuk mund të prisni për të fituar nesër, nëse ka diçka sot. Jam i sigurt se edhe ata mendojnë kështu”, ka thënë Ferguson para derbit ndaj Cityt që zhvillohet të mërkurën.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, ka deklaruar se ai dëshiron t’i ndihmojë klubit nga Anfield që të vazhdojë formën aktuale dhe të luftojë ashtu si në të kaluarën për gjëra të mëdha.
“Ne e kemi ditur që fillimi i sezonit nuk ishte mjaft i mirë. Liverpooli kurrë nuk ka qenë në zonën për mbijetesë pas nëntë ndeshjeve, por tani ne po luajmë çdo ditë mirë e më mirë”.
“Kemi pasur nevojë për kohë për të punuar me menaxherin dhe lojtarët e rinj, ndërsa tani duhet t’u tregojmë ekipeve përreth se ne mund të luajmë për gjëra të mëdha. Në fund të ditës këto janë tri pikë të tjera. Por, ato nuk janë vetëm pikë, ato ju japin besim”, u shpreh Torres.
Sezoni i mbrojtësit të Interit, Walter Samuel, mund të jetë tashmë i përfunduar, pasi që ish-mjeku i Interit ka deklaruar se lëndimi i pësuar nga argjentinasi në sfidën ndaj Brescias mund ta lë atë tetë muaj jashtë fushave të blerta.
“Mendoj se ai do të mungojë gjashtë deri në tetë muaj. Unë isha në stadium dhe e kam ditur menjëherë se është lëndim i keq. Lëvizja e gjurit gjatë ndeshjes nuk ishte e natyrshme”, theksoi Piero Volpi.
Nga ana tjetër, Interi ka lëshuar një komunikatë për media, në të cilën nuk definohet sakt koha e rikthimit të Samuel, por se detajet do të bëhen të ditura së shpejti.
Gjasat që Gianluigi Buffon të kalojë te Manchester United janë shumë të vogla, pasi që është vet portieri ai që ka hedhur poshtë spekulimet për të ardhmen e tij.
“Manchester United? Unë jam mësuar të jetoj me këto spekulime, njerëzit po flasin për këtë që gjashtë vjet”, theksoi Buffon për Tuttosport.
“Një ekip i ri i fortë ka lindur këtu, gjërat gjithnjë po bëhen më të mira, ne jemi në binarë. Kur do të kthehem? Gjithçka po shkon ashtu siç kemi menduar dhe kështu unë mund të rikthehem në janar”, përfundoi gardiani Bianconer.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka lëvduar heroin e dy golave ndaj Chelseat, Fernando Torres, duke thënë se ai po dëshmon se po rikthehet në formën më të mirë.
“Nëse shihni paraqitjen e tij sot, atëherë duhet të thuani se ai është në formën më të mirë. Ishte paraqitje e shkëlqyer në çdo aspekt”.
“Fernando Torres është lojtar vital për Liverpoolin dhe ai do të ishte vital për çdo klub. Ju nuk mund të keni sukses nëse nuk keni përpara njerëz që e bëjnë punën si duhet për ju. Fernando Torres do të forcohet vazhdimisht. Atij i pëlqen të luajë për Liverpoolin, ai e ka bërë të qartë këtë”, precizoi Hodgson.
Sipas mesfushorit të Interit, Thiago Motta, kampioni i Evropës do të rikthehet në formën e vjetër shumë shpejt.
“Ne jemi të brengosur për gjithë këto lëndime, por shpresoj se gjërat mund të tejkalohen. Unë shpresoj se brenda disa muajve ne do të kthehemi në formën e atij Interi që fitoi tri tituj”.
“Unë nuk jam i gatshëm për lojë dhe nuk po nxitohem. Nuk e di se edhe sa gjatë do të kalojë. Mund të jetë një javë, apo edhe një muaj”, ka thënë Motta.
Paraqitja fantastike e Mario Balotellit ndaj WBA-së, ka rënë nën hijen e një suspendimi prej tri ndeshjesh moslojë pas kartonit të kuq të marrë në sfidën ku shkëlqeu, që do të thotë se ai do të mungojë ndaj Manchester United në mesjavë.
City ka apeluar menjëherë vendimin për tri ndeshje suspendim, por përkundër apelimit, e sigurt është që sulmuesi italian nuk do të paraqitet në derbin ndaj Manchester United.
“FA mund të konfirmojë se Manchester City ka dërguar një apelim, i cili e vlerëson si të tepruar dënimin me tri ndeshje suspendim për sjelljet e dhunshme të Mario Balotellit. Apelimi do të dëgjohet nga një komision rregullativ i pavarur të martën”, shkruan në një komunikatë të FA.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka ulur rëndësinë e takimit derbi ndaj Real Madridit në fund të muajit, duke thënë se ai nuk po mendon për atë.
“Bota nuk merr fund me ndeshjen ndaj Real Madridit. Nuk ka lidhje se çfarë presidenti, lojtarë apo trajner kanë, Reali është gjithmonë rival i madh. Ne do të tentojmë më të mirën”, theksoi Guardiola.
Real Madridi i shkon Barcelonës në Camp Nou më 28 nëntor.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, beson se Rossonerët kanë gjithçka që u duhet për ta fituar Scudetton.
“Milani është në gjendje të luftojë për Scudetto, ashtu si ekipet tjera të mëdha. Ne luajtëm mirë ndaj Barit, shënuam tri gola dhe humbëm shumë raste”, theksoi Galliani.
Ai shtoi se e ardhmja e sulmuesit legjendar, Filippo Inzaghi, është e garantuar në San Siro.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ndjen se Ricardo Carvalho dhe Sami Khedira ishin më të mirët në fitoren prej 2-0 ndaj Atletico Madridit të dielën.
“Carvalho dhe Khedira zakonisht nuk tërheqin aq vëmendje, por sonte ata ishin lojtarët më të mirë. Lojtarët defensiv gjithmonë do të shënojnë, ndoshta tre apo katër për sezon dhe ata shënojnë falë ndërhyrjeve apo kundërsulmeve. Carvalho shfrytëzoi instiktet e tij dhe këtë ai e bën shpesh. Ai është i pandalshëm”. “Më pëlqyen edhe Higuain dhe Benzema. Higuain ishte pranë realizimit të një voleji spektakular, ndërsa Benzema bëri atë që kërkuam nga ai. Ai mbajti topin dhe na ndihmoi në kontrollimin e ndeshjes. Ai do të ketë rastin për të startuar ndaj Murcias në mesjavë, pasi që jemi shumë të kënaqur me të”, deklaroi Mourinho.
Real Madridi mbetet i pamposhtur këtë sezon në të gjitha garat dhe aktualisht është lider në La Liga.
Maicon dhe Gareth Bale Drejtori i Interit, Marco Branca, është vënë në mbrojtje të mbrojtësit nën zjarr, Maicon, pas katastrofës që i ndodhi ndaj Tottenhamit.
“Është e padrejtë kjo, pasi që Maicon po luan që prej më se një muaj me një lëndim në gju, që nuk i ka ndihmuar fare”.
“Ai i bën të gjitha seancat stërvitore, ai po sakrifikohet për ne, ai nuk mund jetë dhe aq i shpejtë sa është zakonisht. Nga ana jonë, ne e falënderojmë për shpirtin e treguar dhe sakrificën”, tha Branca.
Javier Pastore i ka thënë Lionel Messit t’i bashkohet te skuadra siciliane Palermo, pasi që ai nuk dëshiron të largohet nga Serie A për Barcelonën.
“Unë e di se shumë ekipe më kërkojnë, shumë ekipe të rëndësishme, duke përfshirë Barcelonën”.
“Unë shpesh flas me Messin, unë dua të qëndroj këtu te Palermo, në fakt unë jam ai që i thotë të vijë këtu”, tha Pastore për Il Corriere dello Sport.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, beson se Liverpooli tash mund të luftojë edhe për titull, pasi Të Kuqtë mposhtën Blutë në derbin e javës në Ligën Premier.
Fitorja do të jetë një shtytje e madhe për Liverpoolin, për të cilin ekip Ancelotti beson se mund të vazhdojë dhe të sfidojë pozitat që dërgojnë në Ligën e Kampionëve, pas një starti të dobët të sezonit.
“Mendoj se ata kanë mundësinë për t’u rikthyer në maje të tabelës, në katër pozitat e para. Mendoj se ata mund të luftojnë për këtë. Torres ka shënuar dy gola fantastik, duke treguar se ai është në formë. Ai është rikthyer pas një momenti jo aq të mirë, por ai është një sulmues fantastik”, ka thënë Ancelotti.
Mirko Vucinic është i ngazëllyer që ishte në listën e shënuesve të Romës në fitoren ndaj Lazios.
Giallorossët mposhtën liderët e Serie A me rezultat 2-0 falë penaltive të shndërruara në gola nga Marco Borriello dhe Vucinic.
“Ne po ia dalim mirë për tashmë një kohë dhe gjëja më e rëndësishme është të qëndrojmë në këtë rrugë. Shpresoj se kjo mund të jetë një fitore e cila do t’i japë Romës një shtytje, veçanërisht pasi ishte derbi”.
“Duke marrë parasysh se kjo ishte fitorja e tretë e jona dhe ne fituam në Basel në mesjavë, unë mund të them se kriza e Romës ka përfunduar”, ka thënë Vucinic.
Menaxheri gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, thotë se përmirësimi i sulmuesit Karim Benzema është i dukshëm.
Benzema bëri një paraqitje solide në fitoren e mbrëmshme ndaj Atletico Madrid.
“Ai është më i kënaqur tash, duket më shumë i çliruar, duke treguar kualitetet e tij, kjo është një plus i madh. Ai është një lojtar i cili di të bëjë diferencën në metrat e fundit dhe do të na japë neve zgjidhje”, ka thënë Benzema
Menaxheri i Milanit, Massimilliano Allegri, është i kënaqur pas fitores së fundit ndaj Barit.
Milani shënoi fitore 3-2 në udhëtim te Bari për t‘i dhënë fund tre ndeshjeve pa fitore në të gjitha garat, por pushoi Ronaldinhon, Alexandre Paton dhe Andrea Pirlon.
“Djelmoshat ia dolën mirë sot. Ne luajmë çdo të tretën ditë, andaj çdokush duhet të punojë shumë dhe të sakrifikojë veten për të mirën e ekipin, me qëllim që të fitojmë. Ne kemi nevojë që çdokush të jetë i gatshëm për ekipin dhe besojmë se jemi një ekip i fuqishëm”, ka thënë Allegri.
Boston Celtics ka arritur t’i bëjë ballë lojës së shkëlqyeshme të Kevin Durant për të mposhtur Oklahoma City Thunder me rezultat 92-83 dhe për të shënuar fitoren e pestë radhazi.
Kampioni i shënimeve në NBA, Durant, përfundoi me 34 pikë, por Celtics shfrytëzoi një ekuilibrim të sulmit dhe mbrojtjes për të çuar në gjashtë numrin e fitoreve këtë sezon, përkundër një humbje.
Ray Allen shënoi pikët më të larta për Boston, 19 pikë, Paul Pierce shënoi 17, ndërsa Rajon Rondo përfundoi me 10 pikë dhe 10 asistime.
Russell Westbrook shënoi 16 pikë dhe 10 asistime për Thunder, që tash ka tre fitore dhe tre humbje.
Real Madridi raportohet se është duke e monitoruar progresin e Javier Hernandez te Manchester United.
Ish-ylli i Chivas ka qenë një arritje e qëlluar në Old Trafford, duke treguar paraqitje të shkëlqyeshme deri tash këtë sezon. United e sheh Chichariton si një armë ideale për të marrë një pjesë të popullaritetit të Realit në mesin e masës spanjisht-folëse.
Megjithatë Cadena Ser shkruan se drejtuesit e Realit tashmë kanë diskutuar të sjellin sulmuesin në Madrid. Trajneri i Realit, Jose Mourinho, është i vetëdijshëm për planet e bordit dhe në princip përkrah transferimin e Chicharito.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, thotë se ai është kënaqur duke shikuar bashkëlojtarët e tij të mposhtin Lazion.
Kapiteni ishte i suspenduar për ndeshjen më të madhe të sezonit dhe është detyruar ta shikojë atë nga televizori.
“Ishte një ndeshje e shkëlqyeshme të cilën Roma meritoi ta fitojë. Ishte mrekulli ta shohësh Leandro Greco t’ia dalë aq mirë duke u futur në lojë nga stoli, pasi ai është rritur në akademinë e të rinjve të Giallorossëve, ai është romak në rrënjë”.
“Vërtet jam kënaqur me këtë fitore nga shtëpia. Për gjithë këtë falënderoj fansat e mi dhe bashkë-lojtarët, iu dërgoi një përqafim të ngrohtë nga i juaji Franceschino”, ka shkruar Totti më blogun e tij.
Mbrojtësi i Fiorentinës, Lorenzo De Silvestri, është duke u vëzhguar nga Barcelona.
Drejtori sportiv i Barcës, Andoni Zubizarreta, është duke e vëzhguar De Silvestrin pasi ata mendojnë të forcojnë për një kohë afatgjate mbrojtjen e tyre veterane.
De Silvestri, pavarësisht problemeve të Fiorentinës këtë sezon, po ashtu është duke u kërkuar edhe nga Milani.
Pas fitores ndaj West Bromwich Albion, Kolo Toure thotë se Manchester City tash është krejtësisht i fokusuar në derbin e të mërkurës.
Pas dy javëve intensive të kaluara në qendër të vëmendjes, Toure thotë se lojtarët tash mund të fokusohen në derbin e qytetit të Manchesterit.
“Ishte vërtet e rëndësishme që e mposhtëm West Brom pasi ishte vështirë për një ekip që aspiron të sfidojë kreun të humbasë tre ndeshje radhazi. Kjo fitore na ka bërë shumë të lumtur dhe na vendos në një gjendje të përkryer mentale para derbit të së mërkurës”.
“Ne e merituam ndeshjen pasi filluan shumë mirë dhe pasuam topin shumë bukur. Ne kontrolluam shumicën e kohës dhe shënuam gola në momente të rëndësishme”, ka thënë Toure.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ishte i pakënaqur me portierin Lukasz Fabianski pas disfatës nga Newcastle United.
Wenger mendon se Fabianski ka mundur të reagojë më mirë për të parandaluar golin e vetëm të ndeshjes.
“Ai nuk kishte kush e di çka për të bërë dhe mendoj se ishte ca tepër i sigurt për ta kapur atë top. Nuk ishte një gabim teknik, ishte një gabim i kohës dhe ai mendoi se ndoshta nuk do të sfidohet”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka kritikuar lojtarët e tij pas humbjes në Liverpool.
Me emra të mëdhenj si Frank Lampard dhe Michael Essien jashtë fushe, dhe me Didier Drogba në stol për shkak të etheve, Chelsea u mposht me rezultat 2-0 në Anfield.
“Të gjithë lojtarët e tyre luajtën për ekipin dhe, për këtë arsye, ata e merituan fitoren. Por ne nuk luajtëm mirë. Ne nuk luajtëm mjaft shpejt në pjesën e parë. Na u desh shumë kohë për ta ndërtuar lojën dhe nuk kemi pasur shanse të gjejmë hapësira në gjysmën e kundërshtarit”.
“Ishte vështirë të rikthehemi, por ishte më mirë në pjesën e dytë, kur luajtëm me intensitet më të lartë. Megjithatë, nuk ndodhi”, ka thënë Ancelotti.