Tottenhami nuk ka arritur të nxjerrë asgjë më shumë se një pikë ndaj Sunderlandit në sfidën e zhvilluar në White Hart Lane.Ndeshja u dominua nga vendasit të cilët patën një mori rastesh, por pa i shfrytëzuar ato. Nga ana tjetër Sunderlandi i Steve Bruce luajti mençur dhe shfrytëzoi anën e dobët taktike të Tottenhamit për të nxjerrë një pikë nga udhëtimi i vështirë në Londër.
Tottenhamin në epërsi e kaloi Rafael Van der Vaart (65’) me asistim të Peter Crouch. Gëzimi i tifozëve vendas nuk zgjati më shumë se dy minuta, pasi që Danny Welbeck i ndihmoi asit ganez, Asamoah Gyan që ta barazojë rezultatin në 1-1, i cili ishte rezultati përfundimtar i këtij takimi.
Tottenhami aktualisht gjendet në pozitën e gjashtë me 16 pikë, po aq sa ka edhe Sunderlandi në pozitën e shtatë ende pa u luajtur mirë java e 12-të në Ligën Premier.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka thënë se dy ndeshjet e ardhshme do të jenë vendimtare sa i përket progresit të klubit drejt majes së tabelës së Ligës Premier.“Nëse mund të luajmë mirë në dy ndeshjet e ardhshme, atëherë ne do të vazhdojmë kështu. Nëse do të kemi telashe, atëherë edhe njëherë do të shkojmë drejt rënies. Unë flas për një numër të madh ekipesh kur them këtë”.
“Është aq ngushtë në tabelë, sa që ekipi në pjesën e tretë të tabelës për dy ndeshje mund ta shohë veten në pozitën e pestë. Nëse kampionati vazhdon siç ka filluar, atëherë do të shohim gjatë gjithë kohës ndryshime dhe rikthime”, u shpreh Hodgson.
Trajneri i Interit, Rafa Benitez, është i befasuar nga problemet e shumta me të cilat është dashur të merret që nga koha kur erdhi në krye të skuadrës nga Giuseppe Meazza.“Jo, unë nuk prisja aq shumë probleme te një ekip që erdhi nga një sezon ku fitoi gjithçka. Lojtarët po punojnë mirë, por po ka vështirësi”, theksoi Benitez.
Interi aktualisht nuk i ka punët mirë në Serie A, pasi që vetëm pesë ditë pa e zhvilluar superderbin ndaj Milanit, Nerazzurët e shohin veten në pozitën e tretë. Më e keqja është se lojtarët kryesorë të zi-kaltërve janë të lënduar.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll pritet që të marrë pjesë në kualifikimet për Kampionatin Botëror, Brazili 2014, të cilat fillojnë nga shtatori i vitit 2012, njofton gazeta serbe Kurir.Me këtë akt do të njihej menjëherë FFK-ja nga FIFA, e cila përkrah idenë që Kosova të marrë pjesë në kualifikimet për KB 2014, ndërsa problemi i vetëm mbetet UEFA dhe Michell Platini i cili kundërshton anëtarësimin e FFK-së në UEFA.
Sipas gazetës në fjalë, vendimi për ‘pranimin’ e Kosovës në UEFA është marrë jozyrtarisht në mbledhjen e mbajtur kohë më parë në Nyon edhe pse agjendë nuk ishte Kosova.
“Mora vesh se pjesëmarrja e Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Botëror është thuajse punë e kryer. FIFA jozyrtarisht ka dhënë dritën e gjelbërt, ndërsa pritet që ta njohë edhe UEFA. Mirëpo, kundërshtar i madh i njohjes së FFK-së është kryetari Michell Platini, prandaj shqiptarët presin zgjedhjet në vitin e ardhshëm dhe ardhjen në krye të UEFA-s të kryetarit të ri për të vënë në jetë qëllimin e tyre”, deklaroi burimi i gazetës Kurir i afërt me UEFA-n.
Megaspekulimin në fjalë e ka konfirmuar kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili tha se është e natyrshme nëse Kosova merr pjesë në këto kualifikime për shkak të njohjeve dhe përkrahjes që gëzon. Pos tjerash, Vokrri u shpreh se për kundërshtar në grup do të dëshironte ta kishte Serbinë, me qëllim që të uleshin tensionet për të ardhmen.
Nga ana tjetër, Federata Serbe e Futbollit ka reaguar shpejt për të hedhur poshtë këto zëra, duke thënë se kanë garanci nga UEFA se kombëtarja e Kosovës nuk do të merr pjesë në kualifikimet për Botëroin 2014, të cilat fillojnë në shtator të vitit 2012.
Juventusi do të investojë gjatë afatit kalimtar dimëror, ndërsa në listën e Bianconerëve, sipas Tuttosport, është i pari Karim Benzema i Real Madridit.Forma e dobët e sulmuesve Bianconer ka alarmuar drejtorin Giuseppe Marotta, i cili si synim të tij primar ka sjelljen e një sulmuesi. Karim Benzema dëshirohet nga drejtuesit e Vinovos, por se a do të lejojë Mourinho largimin e tij, mbetet të shihet.
Nga ana tjetër, La Gazzetta Dello Sport shkruan se Diego Forlan është opsion për Juventusin në rast se dështojnë negociatat për Benzema.
Pasi kaloi 105 vite në Stamford Bridge, Chelsea është në bisedime për t’u larguar nga stadiumi aktual dhe të fillojë ndërtimet e një stadiumi të ri prej 60 mijë ulëseve në Earls Court.Sipas Guardian, Chelsea tashmë e ka gjetur truallin për ndërtimin e stadiumit të ri, por se bisedimet po mbahen në fshehtësi, me arkitektin Sir Terry Farrell në krye, i cili ka planin e tij për ndërtimin e stadiumit në një zonë ku jetojnë tetë mijë banorë.
Bruce Buck ka deklaruar për gazetën britanike se vendimi për ndërtimin e stadiumit të ri është i vështirë, por një që duhet të merret sa më shpejtë, për të qenë në hap me rivalët tjerë që kanë stadiume me të mëdha. Stadiumi i ri i Chelseat thuhet se mund të jetë i gatshëm në fund të vitit 2015.
Sulmuesi argjentinas, Carlos Tevez, i cili sot e kësaj dite konsiderohet si tradhtar në Old Trafford, ka thënë se ai nuk pendohet aspak pse u largua nga Manchester United për të kaluar te rivali lokal, Manchester City.“Unë e bëra ndryshimin dhe tani për tani nuk më vjen aspak keq. Si lojtarë, ne jemi profesionistë dhe duhet t’i marrim vendimet të cilat janë të duhura për ne. Por, unë mendoj se shumë njerëz nuk e kanë kuptuar vendimin tim. Gjithë ajo që mund të bëj është të përqendrohem në lojën time dhe të luaj mirë për Cityn. Për momentin po shkon mirë”.
“Kurrë nuk janë lehta betejat me mbrojtjen e United. Por, ne te City nuk jemi të fiksuar pas Unitedit. Sfida jonë është të përmirësohemi dhe t’i tejkalojmë fqinjët tanë. Ky është synimi ynë”, potencoi Tevez.
Trajneri i Palermos, Delio Rossi, ka thënë se lojtarët e tij duhet të luajnë ndeshjen më të mirë në jetën e tyre për ta mposhtur Milanin.“Është me rëndësi që ta tërheqim baraspeshën e duhur në një ekip, unë po shikoj të gjej zgjidhjen e duhur, por fitorja ndaj Genoas na jep besim. Milani dhe Palermo dallojnë krahasuar me sezonin e kaluar dhe nuk e di nëse do të ishim në gjendje që tani të fitojmë në San Siro”.
“Ata kanë skuadër të fortë dhe ata kanë lojtarë të tillë si Ibrahimovic dhe Robinho. Ata shkojnë përpara, por ne duhet t’i kthejmë prapa. Çfarë duhet të bëjmë ne është t’i mposhtim ata. Ne duhet të luajmë ndeshjen e jetës dhe të shpresojmë se ata nuk luajnë mirë”, tha Delio Rossi.
Roberto Mancini ka hedhur zjarr në benzinë para derbit ndaj Manchester United, duke thënë se Djajtë e Kuq kanë frikë nga ‘Qytetarët’ e tij.“Mendoj se ata tani e dinë se jemi ekip i fortë. Mendoj se situata ka ndryshuar. Ata frikësohen nga City”.
“Ne kemi shumë respekt për Unitedin, shumë respekt për Ferguson, sepse ai është top menaxher. Por, ne e dimë që mund të luajmë më mirë se ata. Do të jetë ndeshje e mirë”, deklaroi Mancini.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka kërkuar nga tifozët e Real Madridit që të jenë të zëshëm në Santiago Bernabeu gjatë sfidës kthyese për Copa Del Rey ndaj Real Murcias të mërkurën mbrëma.“Unë e di se është vështirë, por do të doja një pritje të nxehtë në Bernabeu. Mendoj se kjo është një çështje e kulturës, por unë do të doja të shihja një atmosferë më të nxehtë se zakonisht”.
“Për mua, nesër është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, gjë që mund të shihet si kontradiktore kur përballeni me një rival të një divizioni të ulët, por kjo është ndeshje në të cilën, pas barazimit në ndeshjen e parë, një rezultat i keq nuk është opsion. Kështu, kjo është ndeshja më e rëndësishme”, tha Mourinho.
Arsenali ka dështuar që të apelojë me sukses vendimin për suspendimin e mbrojtësit Laurent Koscielny, pas kartonit të kuq të marrë nga ai në sfidën e humbur minimalisht ndaj Newcastle të dielën.FA ka konfirmuar se mbrojtësi do të mungojë dy ndeshje pasi pësoi kartonin e dytë të tij të kuq këtë sezon në vetëm 11 paraqitje.
25 vjeçari është përjashtuar nga ndeshja ndaj Newcastle, pas ndërhyrjes së ashpër në Nile Ranger.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Forlan, ka thënë se ai është i bindur që herët apo vonë do t’u rikthehet golave.“Unë kam fituar dy herë Këpucën e Artë si golashënuesi më i mirë dhe shumë njerëz nuk e kanë harruar këtë. Unë duhet të mbes i qetë dhe asgjë tjetër. Ndaj Real Madridit unë kam pasur dy apo tri raste, por mbrojtësit ishin në gjendje të më ndalin”.
“Golat do të vijnë, nuk kam harruar të shënoj dhe do të vazhdoj të tentoj. Është e vërtetë që kam qenë më shumë i përfshirë ndaj Real Madridit”, tha Forlan për AS.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, ka pranuar se ai ka shpresuar që sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, do t’i ndiqte gjurmët e tij dhe do të transferohej te Manchester City.“Wayne është lojtar i cilësisë së lartë. Ai ishte bashkëlojtar dhe mik i imi te United, ndërsa ai është një prej atyre njerëzve që më shumë dëshironi t’i keni në ekip dhe jo për kundërshtar”.
“Për mua ai është sulmuesi më i mirë anglez viteve të fundit. Natyrisht, do më pëlqente nëse ai do të transferohej këtu. Por, ishte e komplikuar për të që të largohej nga United. Kështu, ne duhet të përqëndrohemi vetëm në vetvete”, tha Tevez.
Rafael Benitez ka pranuar se Interi duhet të shpenzojë gjatë janarit, përderisa ka konfirmuar mungesën e Wesley Sneijder ndaj Lecces.“Sneijder nuk është mirë, duhet të gjejmë shkakun pse nuk është mire. Ai nuk do të luajë ndaj Lecces. Ndeshja më e rëndësishme është ajo që është para jush dhe nëse duhet të rrezikojmë, do ta bëjmë. Ekipi ynë filloi së luajturi vonë sezonin e kaluar dhe filloi vonë përgatitjet”.
“Unë jam i kënaqur me lotjarët në dispozicion, por do të shohim çfarë mund të bëjmë në janar për t’u përmirësuar. Është e qartë se lëndimi i Samuelit na detyron ta përforcojmë ekipin. Cambiasso? Ai është në gjendje të luajë edhe ndaj Lecces, por edhe ndaj Milanit”.
“Siç kam thënë më parë, së pari mposhtim Leccen dhe më pas radhën do ta ketë Milani”, precizoi Benitez.
Luigi Del Neri shpreson ta ketë të rikthyer mbrojtësin, Giorgio Chiellini, për ndeshjen ndaj Brescias të mërkurën, pasi që thotë se Juve aq keq është goditur nga lëndimet, sa që nuk do të ishte çudi po që se do luante edhe ai ndaj Brescias.“Kush do të luajë? Nëse do të isha 20 vjeçar unë do luaja për Juventusin. Nuk mendoj se mund t’i bëj zgjedhjet sikurse ndaj Milanit. Takimi ndaj Brescias do të jetë i rëndësishëm, po aq sa ai ndaj Romës”.
“Të shohim çfarë ndodh pas ndeshjes ndaj Brescias, të dyja janë të rëndësishme. Ne nuk po shikojmë në tribuna, ne duhet të përmirësojmë atë që po bëjmë në fushë dhe ne duhet të luajmë ashtu sikurse të dielën”, deklaroi Del Neri.
Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, nuk mendon se Manchester United ka ndonjë gjasë për ta fituar titullin, dy ditë pa zhvilluar derbin ndaj Djajve të Kuq.“Është me rëndësi që të qëndrojmë në këtë grup të skuadrave në vendin e dytë dhe të tretë. Mendoj se Chelsea do ta fitojë titullin e Ligës Premier, por ekipet tjera mund të tentojnë sepse sezoni është i gjatë dhe i vështirë”.
“Por, mendimi im është që Chelsea ka ekip më të mirë se të tjerët. Mendoj se qëllimi ynë duhet të jetë Liga e Kampionëve. Nëse jemi aty pari në janar dhe shkurt, atëherë kemi gjasa për ta fituar edhe titullin”, ka thënë Mancini.
Sulmuesi i Romës, Jeremy Menez, ka plane të qarta për të ardhmen e tij, pasi që dëshiron ta fitojë Scudetton me Romën dhe më pas të kalojë te Manchester United.“Ne duam ta fitojmë titullin”, theksoi Menez për Ma Chaine Sport.
“Roma është ambient i vështirë për ta përshtatur veten, ndërsa kur isha vetëm 15 vjeç, Ferguson më kërkoi te Manchester United. Më pas ne vendosëm që më mirë për mua është të luaj në ndonjë klub më të vogël. Por, në të ardhmen ndoshta mund ta kem një rast për të shkuar te United”, përfundoi Menez.
Legjenda italiane, Roberto Baggio, ka pranuar se atij i mungon futbolli dhe se do të luante edhe sot futboll po që se do ta kishte rastin.“Ishte sikurse të vdes (largimi nga futbolli). Unë do të doja të luaja deri…unë do doja që edhe tani të luaj”.
“Nëse nuk do ta kisha pasur atë lëndim në gju, atëherë do të kishte qenë ndryshe, do të kishte qenë ndryshe, por tashmë ajo ka përfunduar”, theksoi Baggio, që foli për mospërfshirjen e tij në Botëror nga Giovanni Trapattoni.
“Botërori i vitit 2002 do të duhej të ishte i katërti për mua dhe unë është dashur të jem atje. Për karrierën që kam pasur, ishte e drejta ime të jem atje. Ata është dashur të më marrin, madje edhe nëse do të kisha qenë në karrocë”.
“Unë dhe Ronaldo atëkohë jemi rikthyer pas lëndimeve të gjata. Ai u ftua nga Brazili dhe e fitoi Botërorin, unë qëndrova në shtëpi”, përfundoi Baggio.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka folur para ndeshjes kthyese ndaj Ceutas, për referimin e gjyqtarëve spanjoll, pas polemikave të shumta të krijuara gjatë ndeshjes Real Madrid-Atletico Madrid, ku një penalti e pastër nuk i ishte dhënë Atleticos.“Nëse jemi ekip që faulohet në zonë dhe nëse gjyqtari nuk referon penalti, atëherë kjo është për shkak se arbitri nuk e ka parë si duhet ndërhyrjen. Gjyqtarët shpeshherë gabojnë dhe ata mund të marrin vendime vetëm në bazë të asaj që kanë parë”.
“Kështu, unë mendoj vetëm për gjërat që mund t’i kontrolloj në fushë. Ne duhet të përmirësohemi dhe ta bëjmë ekipin më të mirë dhe kjo është mënyra më e mirë për të fituar. Çdo vit, forca jonë ishte loja e mirë që na ndihmon sot e kësaj dite për t’i mposhtur rivalët”, u shpreh Guardiola.
Trajneri i Milanit, Massimilano Allegri, ka thënë se ekipi i tij duhet të mposhtë Palermon për t’u përgatitur sa më mirë për superderbin e fundjavës ndaj Interit.“Kur ndeshjet bëhen të lehta, ne kemi tendencë për t’u relaksuar dhe kjo u lejon ekipeve që të kthehen përsëri në ndeshje. Mendoj se po krijojmë shumë, por ne duhet t’i shfrytëzojmë rastet e pastra. Të dielën Barit i dhamë shumë raste, përderisa ndeshja është dashur të përfundojë me rezultat 3-2”.
“Tani ne do të vlerësojmë gjendjen e secilit, pasi që po vijmë pas tri ndeshjeve të rëndësishme, ndërsa një tjetër e kemi të mërkurën ndaj Palermos. Ne mund t’i ndryshojmë lojtarët, por jo mënyrën e lojës. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne sa i përket kampionatit, para derbit ndaj Interit të dielën”, deklaroi Allegri.
Ronaldo (origjinali) i ka thënë Adrianos të largohet nga Roma dhe të transferohet te Corinthians.Adriano shpresonte të ringjallë karrierën e tij në Serie A, por përpjekjet e tij nuk kanë qenë aspak energjike. Ai ka rikthyer reputacion e keq në Itali që kur arriti në kryeqytet gjatë verës. Lëndimet dhe forma e dobët e kanë mbajtur atë jashtë aksioneve, ndërsa Ronaldo ka këshilluar atë të rikthehet në Brazil.
“Imperatori [Adriano] do t’ia dilte mirë te Corinthians, pasi ai është luftarak dhe ai ka të shkruajë histori”, ka thënë Ronaldo për Itasportpress.
Adriano iu bashkua Romës si lojtar i lirë gjatë verës nga Flamengo.
Më pak se një muaj pasi debutoi me nokaut, Tefik Bajrami të shtunën do të zhvillojë edhe meçin e dytë të tij në boksin profesionist.I njohur si “Uragani”, Tefik Bajrami do të ngjitet në ring më 13 nëntor, kësaj here në Buchs të St Gallenit, Zvicrës, kundër italianit Marco Frusillo.
Bajrami, i cili bokson në kategorinë e rëndë deri në 91 kilogramë, më 23 tetor fitoi ndeshjen e parë të tij si profesionist me nokaut në rundin e dytë, kundër hungarezit nga Serbia, Attila Mathe.
Meçi i të shtunës do të mund të shihet një javë më pas, më 21 nëntor, në Radiotelevizionin e Kosovës.
Mbrojtësi i Sevillas, Martin Caceres, ka thënë se La Liga është më superiore krahasuar me Serie A, duke shtuar se futbolli italian është në rënie.Caceres sezonin e kaluar luajti si i huazuar te Juventusi nga Barcelona, dhe kur është pyetur për mendimin e tij rreth të dyja ligave, ai ka thënë: “Është një futboll krejtësisht ndryshe. Në Itali është më fizik dhe më taktik. Në Spanjë futbolli është më i bukur, me më shumë hapësira”.
“Do të thosha futbolli italian është në rënie. Është vërejtur kjo. Futbolli në Spanjë, përveç që është më ndryshe, është më i mirë”, ka thënë Caceres.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ka konfirmuar se kapiteni Francesco Totti do të futet në lojë që nga fillimi në takimin kundër Fiorentinas gjatë të mërkurës.Roma është duke u rikthyer në formë pas fitores 2-0 në derbin romak ndaj Lazios që u zhvillua të dielën, dhe Ranieri dëshiron të vazhdojë me fitore.
“A do të luajë Totti? Po. Nuk pres asgjë tjetër nga ai, vetëm dua të luajë ashtu siç ai di. Gjithmonë është vështirë të nxjerrësh tre pikë. Ne duhet të jemi kompakt dhe të vazhdojmë këtë rrugë”, ka thënë Ranieri.
Dwight Howard ka shënuar pikët më të larta në ndeshje, 27 gjithsej, për të ndihmuar Orlando Magic të shënojë fitore 93-89 ndaj Atlanta Hawks gjatë të hënës.Magic, që mposhtën Hawks 4-0 në serinë e play-offit të sezonit të kaluar, kërkuan me ngulm fitoren në takimin e parë në mes të dy top ekipeve të Konferencës Lindore të NBA-së.
Vince Carter shtoi 19 pikë përfshirë pesë pikë në minutën e fundit, për t’i dhënë fitoren Orlando Magic.
Joe Johnson shënoi 23 pikë derisa Josh Smith 13 pikë dhe po aq kërcime për Atlanta, që pësoi humbjen e dytë radhazi këtë sezon, pas gjashtë fitoreve të para radhazi.
Ashley Cole thotë se ai ka menduar të largohet nga Liga Premier, por Carlo Ancelotti ka qenë i vendosur që ai të mbetet.Pas skandalit për tradhti dhe ndarjes nga bashkëshortja, Ashley ishte afër largimit nga Anglia. Jose Mourinho e dëshironte atë te Real Madridi, por marrëveshja nuk ndodhi dhe Cole mbeti te Chelsea.
“Nuk kam menduar vazhdimisht për largim, por kishte një periudhë kur mendova të largohem nga Anglia. Por, u ula me Ancelottin dhe ai qartas më tha se nuk do të largohem për askund, andaj ky ishte fundi i tregimit”.
“Kam edhe tre vite nga marrëveshja dhe nëse jam në formë, dua ta respektoj marrëveshjen këtu dhe shpresoj se do të fitoj edhe shumë trofe”, ka thënë Ashley Cole.
Chelsea së fundi u mposht nga Liverpooli, ndërsa nesër do të presë Fulhamin në Stamford Bridge.
Theo Walcott llogarit se gara për titull është e hapur për pesë ekipe të Ligës Premier.Arsenali humbi në fushë vendore nga Newcastle gjatë vikendit, por disfatë pësoi edhe Chelsea në Liverpool, andaj dallimi në pikë mes dy ekipeve ka mbetur pesë. Walcott llogarit se gara për titull është e hapur dhe thotë se katër-pesë ekipe do të luftojnë për atë.
“Chelsea është shumë i fuqishëm, ata kanë futbollistë të shkëlqyeshëm, të fuqishëm dhe fantastik. Ishte mrekulli për Liverpoolin ta fitojnë atë ndeshje, andaj Liga Premier është fantastike”.
“Mendoj se katër ose pesë ekipe do të luftojnë për titullin e kampionit, kjo do të ishte e shkëlqyeshme për publikun neutral, të shihet se si disa ekipe luftojnë për trofeun deri në fund”, ka thënë Walcott për Sky Sports News.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, thotë se atij i mungon menaxheri Rafa Benitez.Reina ka thënë se largimi i ish-menaxherit Rafael Benitez gjatë verës, nuk e ka lënë atë shumë të kënaqur.
“Rafael Benitez ishte një person esencial për këtë klub dhe arsyeja se pse unë erdha te Liverpooli”, ka thënë portieri spanjoll.
Benitez u largua nga Liverpooli pasi dështoi ta kualifikojë klubin për në katërshen më të mirë, e cila dërgonte në Ligën e Kampionëve. Ai më pas u caktua trajner i Interit, ku pasoi Jose Mourinhon.
Portieri i Manchester Cityt, Joe Hart, thotë se bashkëlojtari i tij Carlos Tevez mund ta mposhtë Manchester United i vetëm.Tevez është bërë simbol i rivalitetit të hidhur në mes të United dhe Cityt që kur u transferua nga Old Trafford për në Eastlands.
“Carlos mund të kujdeset një ekip të tërë dhe ai mund të luajë sa 10 lojtarë. Nëse ne nuk luajmë mirë dhe Carlos luan, atëherë ka shanse të mira të fitojmë”.
“Ai është një lojtar fenomenal. Do të thosha më i mirë me të cilin kam luajtur. Ai është një shembull në të gjitha mënyrat. Duhet të shikoni në atë, ai nuk mban fjalime stimuluese, por fiton ndeshjen”, ka thënë Hart.
Mbrojtësi i Manchester United, Patrice Evra, ka mohuar kërcënimin e kundërshtarëve të nesërm, Manchester City.Francezi është tallur kur i është thënë se City beson se ata janë në rrugë për të qenë klubi më i madh i Manchesterit.
“Ata gjithmonë e thonë atë dhe kurrë nuk na mposhtin neve. Ne duhet ta fitojmë çdo ndeshje. Ne nuk duhet të fitojmë vetëm kundër Manchester ne duhet të fitojmë ligën, kjo është”.
“Dhe nëse ne fitojmë, kjo është një rezultat i mirë për Manchester United. Do të jetë diçka normale, nuk do të jetë shumë e veçantë. Nuk është prioritet. Prioritet është të fitojmë ligën, por duhet të sigurohemi të mos e humbasim derbin”, ka thënë Evra.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, thotë se një kontratë e re është duke e pritur Pippo Inzaghin.37-vjeçari shënoi dy gola kundër Real Madridit në mesjavë, por nuk ishte startues në ndeshjen në udhëtim te Bari gjatë të dielës.
“Tashmë i kam thënë Pippo: 'Ke kërkuar rinovim të kontratës për një vit dhe tash nuk ka shanse që do të të lejoj të largohesh'. Ai do të qëndrojë me ne ”, ka thënë Galliani.
Anësori i Valencias, Juan Mata, është në rrugë për të nënshkruar marrëveshje të re me klubin e tij.Mata dëshiron të nënshkruajë marrëveshje afatgjatë me Valencian, e cila do ta mbajë atë në Mestalla deri në qershor të vitit 2015.
22-vjeçari erdhi te Los Che në vitin 2007 dhe u bë lojtar lider për klubin. Mata ka negociuar marrëveshjen e re për tashmë një kohë dhe thuhet se ka fituar një ngritje të pagës te Valencia.
Po ashtu thuhet se ai do të ketë një klauzolë largimi në kontratën e tij të vlefshme 35 milionë euro, që është reduktuar nga shuma e parë prej 60 milionë.
"Djaloshi është i lumtur te Valencia dhe klubi beson se ai është një lider i ekipit", ka thënë babai i Mata dhe agjent i tij.
















