Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai nuk ka shqetësime për formën e Andrey Arshavin.“Ai ka personalitet, Andrey. Ai nuk ka frikë nga askush ose askund. Ai është, sigurisht, një lojtar i cili mund të jetë vendimtar, por po ashtu një lojtar i cili i jep personalitet ekipit”.
“Ai ka kuptuar tash se për të mbijetuar në Ligën Premier, duhet të jesh më shumë fizik. Duhet të them se qasja e tij ka qenë sensacionale që nga fillimi i sezonit”, ka thënë Wenger.
Roberto Mancini i ka paralajmëruar lojtarët e Manchester Cityt të marrin mësim nga fitorja e fundit e Manchester United ndaj Wolves.United shënoi një gol shumë të vonshëm për të nxjerrë tre pikë në udhëtim te Wolves vikendin e kaluar, dhe Mancini dëshiron që ekipi i tij të tregojë një karakter po kështu të fortë në takimin e sotëm derbi.
“Ata e dinë se ne jemi një ekip i fuqishëm, situata ka ndryshuar. Ne kemi respekt të madh për ata, por ne e dimë se mund të jemi më të mirë se ata tash. Duhet të jetë një ndeshje e mirë”.
“Ne kemi luajtur në të njëjtin nivel në disa derbit e kaluar, dhe ne kemi humbur vetëm në minutën e fundit. Kjo është e rëndësishme të mbahet mend, por ne jemi një ekip më ndryshe këtë sezon. United luan deri në sekondën e fundit, ata mposhtën Wolves në minutat e fundit pasi ata kanë mentalitet të fuqishëm”, ka thënë Mancini.
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, thotë se ai nuk ka frikë nga Real Madrid.El Clasico do të zhvillohet më vonë gjatë këtij muaji, saktësisht në ditën e festës kombëtare shqiptare, 28 nëntor, me Barcelonën që ndjek me një pikë Real Madridin në majën e tabelës së La Liga.
“A kam frikë nga Madridi? Jo. I respektoj ata, siç e bëj këtë çdo vit. Do të jetë një ndeshje e komplikuar, siç ishte në sezonet e kaluara. Kënaqem me gjithçka që kam fituar me klubin – por gjithmonë dua të fitoj më shumë”, ka thënë Messi.
Paul Millsap ka shënuar pikët më të larta në karrierë, 46, dhe ka udhëhequr Utah Jazz drejt fitores së ngushtë 116-114 në kohën shtesë ndaj Miami Heat, që prishi mbrëmjen e madhe për LeBron James dhe Dwyane Wade.Jazz, të cilët përmbysën deficitin prej 22 pikësh të ndihmuar nga paraqitja e mirë e Millsap në kohën e shtesë, i shkaktuan humbjen e parë në shtëpi këtë sezon Miami Heat, që tash ka pesë fitore dhe tre humbje në të gjitha ndeshjet këtë sezon.
Utah la në hije 39 pikët e Dwyane Wade dhe triple-double të realizuar nga LeBron James, i cili shënoi 20 pikë, 14 asistime dhe 11 kërcime. Deron Williams shënoi 21 pikë dhe kontribuoi me 14 asistime, derisa Chris Bosh shënoi 17 pikë dhe nëntë kërcime për Heat.
Menaxheri i Sunderlandit, Steve Bruce, e vlerëson Tottenhamin si një klub pretendent për të fituar titullin e Ligës Premier, pavarësisht se arriti të nxjerrë barazim 1-1 në takimin e mbrëmshëm.Bruce beson se Spurs janë në prag për të sfiduar fuqitë tradicionale të Ligës Premier, pasi u futën në top katërsh në sezonin e kaluar dhe impresionuan në debutimin në Ligën e Kampionëve.
“Ata kanë investuar në ekip, ata kanë një menaxher të shkëlqyeshëm, luajnë lojën në mënyrën me të cilën duhet të luhet. Ata kanë gjithçka. Mendoj qetas, ata kanë shanse jo vetëm të kualifikohen për në Evropë, por të jenë një kërcënim i vërtetë për Chelsea dhe Arsenal dhe Manchester United në këtë botë pasi ata janë vërtet shumë, shumë afër. Ata janë një ekip i mirë”, ka thënë Bruce.
Kapiteni i Manchester Cityt, Carlos Tevez, ka frikë se ai nuk do t’ia dalë të luajë sonte në derbin kundër Manchester United.Daily Mail shkruan se Tevez ishte në ankth mbrëmjen e kaluar nga mundësia për të munguar kundër ish-klubit të tij, por do të bëjë një test fitnesi para ndeshjes, për të vendosur nëse të rrezikojë edhe më shumë dëmtimin në kofshë.
Kapiteni i Manchester Cityt iu ka thënë miqve se shanset e tij për të luajtur në derbi janë 50-50. Ai dëshiron të luajë, por nuk beson se injektimi nuk është zgjidhja e duhur.
Klubi thotë se Tevez ka pasur një masazh dje dhe, edhe pse nuk është 100 për qind i gatshëm, ata janë optimistë se ai do të luajë kundër ish-klubit.
Karim Benzema është falënderues për trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, që e ka mbështetur atë.Francezi mendon se e ka përkrahjen e trajnerit të tij, në prag të ndeshjes së sotme të Kupës së Mbretit, përballë Murcia.
“Dua të shënoj gola kundër Murcia për të falënderuar Mourinhon për atë që ai bën për mua. Veprimet e tij dhe fjalët, më kanë ndihmuar mua. Ai është gjithmonë këtu për të më ndihmuar të bëhem më i mirë. Ai thotë gjëra si: Ke luajtur mirë, duhet të vazhdosh. Dua ta shpaguaj këtë besim që ai ma jep mua”, ka thënë Benzema.
















