Mesfushori i Barcelonës, Javier Mascherano, thotë se ai mëson nga Pep Guardiola pothuajse çdo ditë.
“Unë jam i kënaqur me fitoren. Njerëzit menduan se do të jetë lehtë ndaj tyre, por unë mendova se ne luajtëm një ndeshje serioze. Ne i shkuam gjërave qetësisht”.
“Roli im është më defensiv se sa ofensiv, por në këtë ekip unë mund të kontriboj më shumë për shkak se ne kemi aq shumë posedim. Unë dua të bëj pasimet e duhura dhe çdo ditë po i mësoj mirë e më mirë idetë e Pep Guardiolës”, tha Mascherano.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, është i kënaqur me paraqitjen e tij në fitoren prej 5-1 ndaj Real Murcias në Copa del Rey të mërkurën mbrëma.
“Ekipi luajti shumë mirë dhe punoi shumë gjatë gjithë takimit. Të shënojmë është gjithmonë me rëndësi, por çfarë është edhe më e rëndësishme është se unë po ndihem mirë e më mirë me kalimin e ditëve”, theksoi Benzema.
Karim Benzema ka qenë dhe vazhdon të mbetet subjekt i spekulimeve të ndryshme për një transferim të mundshëm në janar te Manchester Unitedi, Juventusi dhe Interi.
PSV ka dalë publikisht për të mohuar kinse interesimin zyrtar të Barcelonës për anësorin e talentuar holandez, Ibrahim Afellay.
Të martën ishte spekuluar se kamnpioni i Spanjës ka bërë ofertë për holandezin, të cilit në fund të sezonit i skadon kontrata.
Sidoqoftë, PSV ka mohuar interesimin e Barcelonës për 24 vjeçarin, me mediat holandeze të cilat citojnë zëdhënësin e klubit holandez të thotë se nuk ka pasur oferta nga Spanja.
Agjenti i lojtarit, Rob Jansen, ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje.
Carles Puyol dhe Sergio Ramos Drejtori medial i Barcelonës, Manel Arroyo, ka thënë se edhe Barcelona edhe Real Madridi kërkuan që ‘el Clasico’ i parë i këtij sezoni të zhvillohej të dielën dhe jo të hënën mbrëma ashtu siç ka vendosur së fundmi LFP.
Bordi i Liga Nacional de Futebol Profesional (LFP), ka marrë vendimin që ta ‘zhvendosë’ për shkaqe sigurie ditën kur luhet ‘el Clasico’ nga e diela në të hënën më 29 nëntor , pasi që të dielën mbahen zgjedhjet në Kataluni.
“Gjëja më e rëndësishme ishte që të mos luhet të shtunën, ky ishte prioriteti ynë, pasi që tre ditë më parë luajmë ndaj Panathinaikosit. Nëse klubet do të kishin vendosur, atëherë ndeshja do të luhej të dielën. Unë kuptoj se vendimi ishte kompleks. Ne ndjejmë keqardhje për ata që duhet të udhëtojnë në Barcelonë në ditë të punës”, theksoi Arroyo.
Nga ana tjetër, drejtori sportiv i Real Madridit, Miguel Pardeza, nuk ishte aspak i kënaqur me vendimin: “E hëna ishte zgjidhja të cilën askush nuk e dëshiroi. Sidoqoftë, është operacionalisht më e përshtatshme për ne që ndeshja të zhvillohet të hënën. Është një proces politik i rëndësishëm dhe ne duhet të adaptohemi, edhe pse ndonjë ditë tjetër do ishte më e përshtatshme”.
Interi është dashur ta punësojë si trajner të ekipit superstrategun francez, Arsene Wenger dhe jo Rafael Benitezin, pohon Luciano Moggi.
“Ata është dashur ta transferojnë Arsene Wengerin, i cili kërkoi të largohet nga Arsenali”.
“Çfarë ka bërë Benitez në karrierën e tij? Ai jeton vetëm me një finale prej 3-3 ndaj Milanit në Stamboll. Dhe mos të harrojmë, ai i kushtoi Liverpoolit shumë para”, tha Moggi.
Ylli i Interit, Wesley Sneijder, ka munguar ndaj Lecces pas anemisë së pësuar, por tashmë pritet rikthimi i holandezit në derbin më të madh lokal në botë, ndaj rivalit të përbetuar, Milan.
Interi është aktualisht në formë jashtëzakonisht të dobët me vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa pozita e katërt në Serie A është e pazakontë për zi-kaltrit, të cilët nuk e kanë parë veten në një vend të tillë në këtë fazë, që gjashtë vjet. Një humbje ndaj Milanit për Interin do të thoshte distancë gjashtë pikë prej Rossonerëve.
Sidoqoftë, Benitez tashmë ka lajme të mira për tifozët nerazzurë, pasi që Wesley Sneijder do të jetë në gjendje të luajë ashtu si Diego Milito. Holandezi kreativ do të luajë prapa sulmuesit argjentinas dhe Samuel Eto’os në top formë. Edhe Stankovic pritet të paraqitet pasi u riaftësua së fundmi.
Nuk dihet nëse Benitez do ta ndryshojë sistemin e tij të zakonshëm 4-2-3-1 me Eto’on si qendërsulmues tipik, apo ta shfrytëzojë atë si sulmues anësor, që do të thoshte se taktika do ndryshohej në 4-3-1-2 dhe Sneijder do luante si ‘trikuartist’ tipik.
Skuderia Red Bull ka bërë të ditur se nuk do t’u japë urdhra ekipore ngasësve të tyre, nëse kanë mundësinë ta ndihmojnë njëri-tjetrin në luftën për titull të kampionit në Formula 1.
Sebastian Vettel mund të jetë në gjendje që t’i ndihmojë kolegut të tij Mark Webber, për ta mposhtur Fernando Alonson e Ferrarit, nëse vet Vettel nuk do të ketë gjasa për ta fituar titullin në Abu Dhabi të dielën.
“Nëse njëri prej tyre nuk mund ta fitojë titullin, por mund t’i ndihmojë tjetrit, atëherë do të jetë zgjedhja e tij dhe jo urdhër i ekipit”, theksoi bosi i Red Bull, Christian Horner.
“Nëse paraqitet kjo situatë, atëherë e dimë se po garojmë për ekipin”, theksoi nga ana tjetër Vettel.
Gara e 19-të dhe përfundimtare e sezonit në shtegun Yas Marina të Abu Dhabit, do ta shohë ose Alonson, Webberin, Vettelin ose Hamiltonin, të kurorëzuar me titullin e kampionit pas një kampionati epik.
Mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil, është shprehur i painteresuar për datën kur do të luhet ‘el Classico’, pasi që është i përqëndruar vetëm në fitoren ndaj Barcelonës.
“Unë di pak a shumë se ndeshja ndaj Barcelonës do të luhet të hënën, por nuk ka lidhje se kur do të luhet, me rëndësi është që ne ta fitojmë atë ndeshje dhe do ta mposhtim Barcelonën”.
“Ky ekip ka shumë potencial. Ne jemi një ekip i ri me cilësi të lartë, ne kemi raporte të mira me njëri tjetrin dhe ka pasur ndeshje ku nuk kemi luajtur mirë, por kemi mësuar shumë nga ato. Unë tentoj të jap 100 përqindëshin për këtë skuadër, për shkak se tifozët janë fatastikë”, deklaroi Ozil.
Clarence Seedorf u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve, drejtuesve të klubit dhe tifozëve Rossoner, që të mos e nënvlerësojnë Interin në Derbi della Madonnina.
“Fitoret ndihmojnë në moral dhe kjo ndihmon në një shpirt pozitiv, por ne duhet të jemi të vetdishëm se po luajmë ndaj kampionëve të Italisë dhe Evropës”.
“Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mos e nënvlersojmë Interin, pasi ai është ekip me plot e përplot kampionë. Ne kemi grup dhe shpirt të mrekullueshëm, ndërsa kjo është arsyeja pse jemi në krye. Ne kemi nevojë për qëndrueshmëri, sidomos nëse duam ta fitojmë kampionatin”, precizoi Seedorf për faqen zyrtare të Milanit.
Mbrojtësi i Barcelonës, Maxwell, ka dhënë mendimin e tij sa i përket vendimit që ‘el Classico’ për herë të parë në histori të luhet të hënën, duke e quajtur këtë vendim si të pazakontë.
“Është ditë e pazakontë kur do luhet kjo ndeshje, por nuk ka lidhje se kur do të luajmë, me rëndësi është të jemi të përgatitur dhe të luajmë mirë. Ne do të kemi tifozët këtu, por për njerëzit që do të vijnë nga pjesë tjera do të jetë më vështirë. Ne do të kemi stadium të mbushur dhe presioni do të jetë mbi ne për të bërë një ndeshje të mirë”
“Është esenciale të fitojmë dhe të luajmë mirë, por ne e dimë rëndësinë e pikëve në këtë përballje. Asnjë ekip nuk është më e mirë se tjetra, ndërkaq do vendosin detajet e vogla. Besimit tonë do t’i jepej shtytje e madhe nëse fitojmë”, tha Maxwell.
Francesco Totti është duke u përgatitur për sfidën derbi të së shtunës ndaj Juventusit, në kohën kur Roma po përjeton ringjalljen nga kriza.
“Fitorja ndaj Fiorentinës na lejon që të bëjmë një hap para në kampionat dhe t’u afrohemi pozitave të larta. Sidoqoftë, ne nuk duhet të gëzohemi dhe aq me suksesin e arritur së fundmi”.
“Tani mendojmë për Juventusin, një ndeshje fundamentale për sezonin tonë”, ka thënë Totti për Il Corriere dello Sport.
Milani mund ta shfrytëzojë rastin dhe ta mposhtë rivalin e ‘sëmurë’ Inter në derbin e të dielës, një fitore kjo që do t’ia 'garantonte' Scudetton Milanit.
Ky është mendimi i legjendës së gjallë Rossonere, Paolo Maldini, që luajti në 53 derbi ndaj Interit gjatë karrierës së tij. Maldini thotë se Milani duhet ta shikojë veten dhe të përqëndrohet në mbajtjen e kreut, përderisa e sheh Interin të humbur.
“Kjo ndeshje vjen në një moment të rëndësishëm ku Interi ka plot lëndime dhe ku Milani është në maje të tabelës”.
“Dhe pas aq shumë vitesh, ata mund të krijojnë epërsi në tabelë ndaj Interit, që është ende rivali numër një për titullin. E kam ndjenjën se Milani do ta fitojë Scudetton këtë sezon”, u shpreh Maldini.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, beson se Frank Lampard mund të jetë i gatshëm për t’u rikthyer në ndeshjen e fundjavës së ardhshme ndaj Sunderlandit.
“Mendoj se ai do të jetë i gatshëm për të dielën. Ai filloi të stërvitej dy ditë më parë me ekipin. Ai nuk ka problem, po tregon besim. Unë shpresoj se ai do të jetë i gatshëm, jo vetëm për të luajtur 90 minuta, por që të jetë i përfshirë në aksionet e ekipit”.
“Nëse ai është në rregull, ai do të startojë. Nuk mendoj se ai do të jetë në gjendje të luajë 90 minuta, por ai mund të luajë një pjesë të ndeshjes, ai mund ta bëjë këtë”, ka thënë ‘Carlito’.
Se sulmuesi Alexandre Pato është më elastik nga sa kemi menduar, e tregoi ndeshja ndaj Palermos ku braziliani u lëndua përsëri, por për Rossonerët lajmet e këqija nuk marrin fund këtu.
Pas lëndimit tashmë të konfirmuar të Filippo Inzaghit dhe mungesës së tij në derbi, emër tjetër që po lakohet për mungesë në derbin më të madh lokal në botë ndaj Interit është dhe sulmuesi brazilian Alexandre Pato.
Pato ka pësuar ndrydhje muskulore në këmbën e majtë gjatë ndeshjes ndaj Palermos. Ky dëmtim do ta mbajë atë jashtë derbit ndaj Interit ashtu si ndaj Fiorentinës. Ai mungon poashtu edhe në miqësoren e Brazilit ndaj Argjentinës në Doha javën e ardhshme.
Bordi i La Ligas ka konfirmuar se derbi më i madh në botë ‘el Classico’, do të luhet të hënën më 29 nëntor, në mënyë që supersfida të mos koincidojë më zgjedhjet në Kataluni.
Burime të ndryshme mediale nga Spanja bëjnë të ditur se ky vendim tashmë u është komunikuar edhe Barcelonës edhe Real Madridit, me orën 21:00 si kohën kur do fillojë takimi.
Transmetuesit televiziv kishin shpresuar se ndeshja mund të luhet të dielën për shkak të shikueshmërisë, por LFP është e vendosur që për shkaqe sigurie, të mos rrezikojë organizimin e dy ngjarjeve të mëdha brenda 24 orëve në Kataluni.
Ideja që ‘el Classico’ të luhet të hënën dhe tani vendimi i marrë për këtë, nuk ka hasur në mirëkuptim të personaliteteve siç janë Xavi, Jorge Valdano i Realit dhe Victor Valdes. Sidoqoftë, trajnerët Jose Mourinho dhe Pep Guardiola nuk janë të interesuar dhe aq për datën kur do të luhet derbi më i madh në botë.
Milani ka pësuar më shumë se sa që ka fituar pas triumfit prej 3-1 ndaj Palermos, pasi që Filippo Inzaghi rrezikon të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit me një dëmtim në ligamentet e gjurit.
Il Corriere dello Sport pohon se lëndimi i Inzaghit është më i keq nga që ishte menduar dhe tani duket se ai ka dëmtuar edhe meniskusin duke i shtuar dhe dëmtimin e ligamenteve.
Edhe pse Milani nuk ka konfirmuar kohëzgjatjen e mungesës së Inzaghit, e sigurt është që ky lëndim është i rëndë për sulmuesin italian.
I mori më shumë se një vit për t’u përshtatur me jetën në Munich, por sulmuesi i Bayernit Mario Gomez, tashmë ka rigjetur formën më të mirë, pasi shënoi nëntë gola në shtatë ndeshje, statistikë kjo që e bën atë të kompletuar sipas tij.
“Madje edhe unë mund ta shoh tani potencialin tim. Gjithmonë mund të përmirësohemi, por unë i njoh forcat e mia dhe unë e di se tani jam i kompletuar”.
“Për mua, tani nuk nduhet të brengoseni. Unë gjithnjë e kam ditur se çfarë mund të bëj. Nëse për një gjysmësezon keni vetëm 10 minuta lojë nga pankina, atëherë nuk keni ritëm. Tani unë e kam rigjetur ritmin”, u shpreh Gomez.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ishte i kënaqur me paraqitjen sulmuesit Carlos Tevez, në ndeshjen derbi ndaj Manchester United të mërkurën mbrëma, e cila përfundoi me barazim pa gola.
“Carlos është lojtar i rëndësishëm për ne. Ai luajti mirë ndaj një mbrojtje të fortë. Ai vrapoi shumë dhe mund të jetë i lodhur ashtu si disa lojtarë tjerë”.
“Kur luani çdo tre ditë nuk është lehtë, sidomos kur duhet të luani në një derbi. Skuadrës i mungoi Mario Balotelli dhe e ripërsëris mendimin tim që FA është nxituar në suspendimin e tij”, ka thënë ‘Mancio’.
Humbja prej 3-1 e Palermos ndaj Milanit të enjtën ka pasur pasoja për presidentin e klubit sicilian, Maurizio Zamparini, i cili është i gatshëm që të largohet nga klubi, ta shesë atë dhe të mos jetë aktiv në futboll.
“Unë do të largohem. Unë do ta shes Palermon dhe po largohem definitivisht nga futbolli. Mjaft është mjaft. Unë jam lodhur nga pjesmarrja në këto episode. Unë kam marrë vendimin tim. Unë dua ta distancoj veten sa më shpejt që është e mundur nga ky futboll. Palermo tani është në shitje. Mendova se gjërat kanë ndryshuar, por nuk është kështu”, theksoi Zamparini.
Nga ana tjetër, Zamparini ka lëshuar edhe një komunikatë tjetër për media, në të cilën konfirmon dhe sqaron arsyet prapa vendimit të tij.
“Unë kam dhënë urdhrin për të gjetur një këshilltar, bankë apo dikë tjetër që të më ndihmojë në shitjen e aksioneve te Palermo. Vendimi im është i mirë, edhe pse do të vuaj nga largimi prej një baze të tifozëve me të cilën jam aq i lidhur. Natyrisht, proanrët e rinj do të duhet të jenë në nivel për të garantuar dhe për të na mbajtur në nivel të lartë”.
“Gjithçka ndodhi për shkak të faktit se ndihem i mposhtur nga ky sport i pavërtetë, ku vlerat tani i kanë në dorë financat dhe fuqitë mediale të tri-katër ekipeve që dëshirojnë ta ndajnë Scudetton mes tyre. I juaji, Maurizio Zamparini”, shkruan në komunikatë.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka lëvduar ish-menaxherin e tij Sir Alex Ferguson, duke e quajtur skocezin si trajnerin më të mirë në botë.
CR7 i pyetur në një intervistë për Metro se kush është strategu më i mirë në planet nëse duhej të zgjedhte mes Jose Mourinhos dhe Sir Alex Ferguson tha se ky i fundit është më i miri. .
“Në disa mënyra, ata janë të njëjtë, që të dy kanë shumë përvojë në futboll dhe kanë fituar gjithçka që mund të fitohet në futboll”.
“I vetmi dallim që më vjen në mendje është se Ferguson është më i moshuar se Mourinho. Më pëlqeu puna me Sir Alex Ferguson. Ne shkuam shumë mirë dhe ai është mik i imi. Sir Alex Ferguson është trajneri më i mirë në botë”, deklaroi Ronaldo.
Sulmuesi i Milanit, thotë se ai është duke menduar të largohet nga San Siro në afatin kalimtar dimëror.
Inzaghi thotë se ai ka joshur interesimin e klubeve tjera dhe se do t’i mendojë mirë opsionet e tij në vitin e ri, nëse nuk i jepet më shumë kohë për lojë te Milani.
“E ardhmja ime? Dua ende të jem i rëndësishëm. Kam pranuar dy oferta dhe jam krenar që dikush ende shikon kah unë. Nuk dua të punësohem vetëm në momente dëshpërimi, por le të shohim pas dy muajsh”.
“Kam një joshje të mahnitshme për Milanin, por ende dua të luaj dhe ndjehem mirë”, ka thënë Inzaghi.
Barcelona raportohet se ke lejuar Mesut Ozil t’i bashkohet Real Madridit gjatë verës, edhe pse kishte pasur një para-kontratë me të.
Sport shkruan se Barcelona, Ozil dhe ish-klubi i tij Werder Bremen, kishin pasur një para-marrëveshje për mesfushorin, me qëllim që ai të zhvendosej në Nou Camp për një shumë prej 7.5 milionë euro. Marrëveshja ishte arritur nga drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta.
Marrëveshja kishte përfshirë edhe disa ditë ‘hapësirë për ndryshime’ për Barcelonën për të vendosur nëse do ta realizojë transferimin. Vendimin e fundit e ka marrë trajneri Pep Guardiola, i cili në fund ka mbyllur derën për marrëveshjen.
Guardiola besonte se Ozil ishte shumë ‘i papunuar’ dhe nuk ka besuar se ai mund të jetë më i mirë se mesfushorët e rinj që vijnë nga Barcelona B.
Mesfushori Jeremy Menez thotë se askush në Roma nuk heq dorë nga sfida për titull.
Menez thotë se pavarësisht sezonit jo aq mirë deri tash, ata kanë besim të madh brenda ekipit se mund ta fitojnë Skudeton.
“Objektivi ynë është ta fitojmë Skudeton. Claudio Ranieri më respekton mua dhe unë besoj se do të jem në top formë brenda dy muajsh. Roma është një vend i çuditshëm. Nuk është lehtë ta rehatosh veten këtu”, ka thënë Menez.
Sulmuesi i Atletico Madrid, Diego Forlan, i është ofruar Real Madridit për afatin kalimtar të janarit.
Marca shkruan se agjentët kanë qenë në kontakt me Realin në emër të Atletico, duke ofruar yllin uruguaian për 18 milionë euro. Trajneri i Atletico, Quique Sanchez Flores, raportohet se ka dhënë pëlqimin e tij për këtë lëvizje.
Tottenham dhe Juventus po ashtu janë kontaktuar për të bërë oferta për Forlan në prag në afatit kalimtar të janarit.
Menaxheri i Lazios, Edy Reja, thotë se ata janë në rënie të formës, pas disfatës nga Cesena.
Klubi romak mbrëmë humbi ndeshjen e dytë radhazi, pasi gjatë vikendit dështoi edhe në derbin e kryeqytetit italian, kundër Romës.
“Kam ndryshuar pesë lojtarë nga ndeshja e kaluar dhe të rinjtë patën një ndeshje të mirë. Fatkeqësish kjo është vetëm një rënie e formës. Ne duhet të vazhdojmë me qetësi”.
“E dimë se të qenit lider nuk ka qenë në planin origjinal, por ne ende jemi në një pozitë të shkëlqyeshme. Shpresoj se mund të rikthehemi në rrugë të duhur kundër Napolit gjatë të dielës”, ka thënë Reja.
Bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti, është shprehur i kënaqur kur ka dëgjuar për barazimin në mes dy rivalëve Manchester City dhe Manchester United.
Chelsea tash kalon në katër pikë të pastra në maje të tabelës, pas fitores minimale, 1-0, ndaj Fulhamit.
“Kur jeni vetëm 1-0 në avantazh është vështirë ta kontrollosh ndeshjen. Ne luajtëm mirë vazhdimisht gjatë ndeshjes, andaj ishte një paraqitje e mirë”.
“Rezultati në Manchester ishte i mirë për ne, të jemi katër pikë në krye. Kjo është një diferencë e mirë. Asgjë nuk është vendosur, por kjo është një diferencë e mirë. Do të dëshironim të qëndrojmë në atë pozitë”, ka thënë Ancelotti.
Manexheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se barazimi në Manchester City ka qenë një pikë e mirë.
“City na e vështirësoi punën për t’i thyer ata. Ata janë vërtet të fuqishëm dhe me përvojë në këtë. Chelsea erdhi këtu dhe humbi dhe City ndoshta ishte me fat që humbi një lojtar aq herët kundër Arsenalit, që mund të kishte qenë dallimi. Andaj sigurisht se është vështirë në fushën e tyre”.
“Është një rezultat i mirë, por ne nuk llogarisim barazimin si cak në ndeshjet jashtë. Caku ynë është të fitojmë ndeshjen dhe mendoj se kemi pasur shumë posedim për ta bërë këtë. Por ta shënojmë golin e fitores në ndeshje, ishte disi e pamudnur”, ka thënë Ferguson.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka qenë i kënaqur që portieri Lukasz Fabianski arriti ta ruajë të paprekur rrjetën në takimin ndaj Wolves.
Wenger së fundi ishte kritik ndaj portierit pas disfatës ndaj Newcastle United gjatë vikendit të kaluar, por tash ka bindje të kundër për Fabianskin.
“Mendoj se ai ia doli shumë mirë dhe ka bërë disa mbrojtje fantastike në minutën e fundit të ndeshjes. Ai sigurisht ishte i zhgënjyer me golin që pranuam kundër Newcastle të dielën, por mbi të gjitha është mirë jo vetëm që ai kishte një ndeshje të mirë sonte, por po ashtu se ai ka fuqinë mentale për t’u përgjigjur shpejt në mënyrë pozitive”, ka thënë Wenger.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është i kënaqur me mënyrën se si po zhvillohet sezoni i tyre.
Reali është në maje të tabelës së La Liga dhe po shkëlqen edhe në Kupë dhe në Ligën e Kampionëve.
“Kërkesa është e tmerrshme dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë, por tash po shkojmë në drejtimin e duhur”, ka thënë Florentino.
Ekipi i rezervave të Chelseat, sonte do të përballet me atë të rezervave të Bayern Munichut, në një ndeshje miqësore.
Ndeshja do të ndiqet nga një miqësore tjetër në mes rezervave të Manchester Cityt dhe rezervave të ekipit holandez Ajax.
Këto takimi miqësore të ekipeve rezervë zhvillohen si test derisa klubet e mëdha evropiane po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një gare elite të rezervave, me qëllim që të ndihmojnë zhvillimin e lojtarëve të rinj.
Menaxheri i Fulhamit, Mark Hughes, thotë se Petr Cech ishte ai që ia fitoi ndeshjen e mbrëmshme Chelseat.
Michael Essien shënoi golin e vetëm të ndeshjes, por ishte Cech që bëri disa reagime vendimtare për të ruajtur portën e paprekur të Bluve.
“Isha i kënaqur me paraqitjen në pjesën e dytë. Ne treguam besim. Me kalimin e ndeshjes, ne filluam të tregojmë më shumë influencë në ndeshje dhe kishim dy tentime të shkëlqyeshme në gol”.
“Një portier me më pak aftësi se Petr Cech do të kishte dështuar. Ne morëm në duar ndeshjen në pjesën e dytë dhe, me ca fat, mund të kishim barazuar. Por jam i kënaqur se si u përgjigjëm në pjesën e dytë. Ekipi im tregoi kualitet”, ka thënë Hughes.
Barcelona ka shënuar fitore identike si Real Madridi me rezultat 5-1 ndaj skuadrës nga divizioni i tretë spanjoll, Ceuta, në kuadër të Copa del Rey.
Barcelona ashtu si në ndeshjen e parë ndaj Ceutas luajti me ‘fëmijë’, por pa anashkaluar as jashtëtoksorë si Lionel Messi.
Nolito zhbllokoi rezultatin pas vetëm dy minuta lojë. Gabriel Milito e dyfishoi rezultatin dhe e përfundoi ndeshjen në minutën e shtatë të saj. Guzman shënoi për 2-1 (35’), përderisa mysafirët mbetën me një lojtar më pak në fushë (26’).
Në pjesën e dytë vetëm sa u finalizua copëtimi i skuadrës që erdhi për vizitë turistike në Camp Nou.
Pedro realizoi (50’) për 3-1, ndërsa për 4-1 shënoi Bojan Krkic (64’). Ashtu si Barcelona që po e përcjell Realin si hije, ashtu edhe Lionel Messi (68’) po e përcjell rivalin e tij Cristiano Ronaldo, pasi që ashtu si portugezi, edhe argjentinasi realizoi një gol në Copa del Rey.
Barcelona kalon në fazën tjetër falë rezultatit të përgjithshëm prej 7-1, rezultat ky që ka mundur të jetë shumë më i thellë.
Derbi i qytetit të Mançesterit mes Manchester Cityt dhe Manchester Unitedit ka përfunduar me barazim zhgënjyes pa gola.
Ishte ky një takim në të cilin është pritur festival golash, një pritje kjo utopike për një sfidë e cila ishte e baraspeshuar që nga fillimi.
Fillimisht City mori iniciativën, por shumë shpejt Unitedi mori kontrollin mbi lojën dhe rrezikoi me disa goditje nga distanca.
Sidoqoftë, rasti më i mirë në këtë takim i takoi Carlos Tevezit, që nga gjuajtja e lirë ishte shumë pranë për ta mposhtur portierin Edwin Van der Saar, i cili për fat të keq të sulmuesit argjentinas sonte ishte në top formë.Pjesa e dytë ishet tejet e baraspeshuar dhe me pak raste shënimi, duke bërë kështu që milionerët e Manchester Cityt të dalin të zhgënjyer nga derbi i javës së 11-të në Ligën Premier.
Me këtë barazim, Manchester City gjendet në pozitën e katërt me 21 pikë, dy më pak se Arsenali në pozitën e tretë. Manchester United që ka 24 pikë aktualisht pozicionet i dyti me katër pikë më pak se lideri Chelsea.
Interi dhe Juventusi kanë arritur rezultate identike prej 1-1, në ndeshjet e tyre si mysafirë të Lecces, respektivisht Brescias, në xhiron e njëmbëdhjetë të Kampionatit italian.
Kampioni në fuqi krijoi avantazh në minutën e 76-të përmes Diego Militos pasi gjithë punën e kreu Samuel Eto’o, mirëpo vendasit lejuan që gëzimi i Nerazzurëve të zgjaste vetëm tre minuta, pasi barazuan përmes Ruben Oliveras.
Edhe Juventusi krijoi epërsi kundër Brescias në minutën e 71-të me golin e Fabio Quagliarellas, mirëpo gëzimi i Bianconerëve zgjati edhe më shkurtë, vetëm dy minuta, pasi Alessandro Diamanti barazoi shifrat pas asistimit të Perparim Hetemajt.
Pas barazimit, Interi zhvendoset në vendin e katërt, ndërsa Juventusi në të pestin, pasi që me fitoren minimale prej 1-0 kundër Cagliarit, Napoli është ngjitur në vendin e tretë.
Fundjavën e ardhshme të dyja skuadrat kanë ndeshje tejet të vështira. Interi pret liderin Milan, ndërsa Juventusi pret skuadrën e rikthyer në formë, Romën.
Chelsea ka shënuar fitore minimale, por tejet të rëndësishme ndaj Fulhamit në Stamford Bridge, për të mbajtur kryesimin në Ligën Premier.
Chelsea nga fillimi i takimit bëri presion në portën e Fulhamit, presion ky që u shpagua shumë shpejt për Blutë, të cilët nuk lejuan mysafirët të bëjnë më shumë se dy goditje drejt portës vendase.
Golin e vetëm në këtë takim e shënoi Michael Essien (30’), i cili konkretizoi me kokë pas shërbimit të Salomon Kalous, që shfrytëzoi një top të kthyer nga goditja e lirë e Mikel.
Rezultati nuk ndryshoi deri në fund të takimit dhe me këtë fitore Chelsea mban ende pozitën e parë në tabelën e Ligës Premier me 28 pikë.
Liverpooli nuk ka arritur të tregojë formën e mirë sikurse fundjavën e kaluar në takimin e zhvilluar te Wigani, që përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.
Ndeshja e cila është pritur të jetë një fitore e lehtë për Liverpoolin, ishte një sfidë tejet monotone me pak raste shënimi.
Fernando Torres tashmë edhe zyrtarisht ka konfirmuar se është rikthyer në formën më të mirë, kur shënoi pas një topi fenomenal nga Steven Gerrard (7’).
Vendasit e Wiganit nuk u dorëzuan dhe u kundërpërgjigjën vetëm në minutën e 52-të, me anë të futbollistit të tyre kryesor, Hugo Rodallega, i cili shfrytëzoi një top të kthyer nga Pepe Reina.
Me këtë barazim Liverpooli e sheh veten në pozitën e nëntë me 16 pikë, pesë pikë më pak se pozita e katërt që i takon Manchester Cityt.
Skuadra e Milanit ka shënuar fitore prej 3-1 kundër Palermos, për të marrë kreun e tabelës në Serie A, pasi lideri i deritanishëm, Lazio, u mposht nga Cesena me rezultat 1-0.
Rossonerët kaluan në epërsi në pjesën e parë përmes Alexandre Patos (19’), ndërsa mysafirët barazuan në pjesën e dytë përmes Armin Bacinovic (63’).
Me golin e tij të 100-të në Kampionatin italian, Zlatan Ibrahimovic riktheu avantazhin e vendasve nga pika e bardhë (77’).
Robinho ngriti edhe më shumë epërsinë e Milanit (83’) vetëm tre minuta pasi u inkuadrua në lojë për të zëvendësuar Pippo Inzaghin që nuk ishte me fat këtë mbrëmje, pasi u lëndua vetëm disa minuta pas inkuadrimit në lojë.
Me këtë fitore, Milanin ngritet në kuotën e 23 pikëve, një më shumë se Lazio që mban vendin e dytë.
Arsenali është kthyer në luftën për titullin e kampionit të Ligës Premier, pas fitores prej 2-0 ndaj Wolves në transfertë.
Arsenali e dominoi sfidën në të gjitha aspektet, por pas një goli të shënuar me kokë nga Chamakh në minutën e parë të takimit, ishte pikërisht sulmuesi maroken ai që e vendosi rezultatin përfundimtar për 2-0 në minutën e fundit të takimit pas asistimit të Cesc Fabregas.Arsenali ka 23 pikë pas javës së 12-të, pesë më pak se lideri Chelsea dhe një më pak se Manchester United.
Real Madridi ka tejkaluar me sukses Real Murcian në kuadër të Copa del Rey, pas fitores së lartë prej 5-1 në ndeshjen kthyese që u zhvillua në Santiago Bernabeu.
Që nga fillimi i ndeshjes në fushë u pa vetëm një skuadër, pasi që Real Madridi nuk i la fare hapësirë Murcias të veprojë dhe ta ruajë rezultatin pozitiv nga ndeshja e parë.
Rezultati zhbllokohet shpejtë, me golin e Esteban Graneros (4’). Për 2-0 dhe për një pushim të qetë të Jose Mourinhos u përkujdes Gonzalo Higuain (44’).
Në pjesën e dytë u finalizua shkatërrimi i Real Murcias. Golin e tij të 12-të këtë sezon e shënoi Cristiano Ronaldo, kur konkretizoi për 3-0 (75’). Në minutën e 82-të akordohet një penalti për mysafirët, ndërsa i sakt u tregua Pedro.
Karim Benzema iu rikthye golave kur realizoi për 4-1 nga pika e bardhë, ndërsa rezultatin përfundimtar, Real Madrid 5-1 Real Murcia, e vuri Xabi Alonso (89’).
Me këtë fitore Real Madridi kualifikohet me komoditet në fazën tjetër të Copa del Rey, ku për rival mund të ketë një skuadër shumë më të fortë. Se pse kjo fitore është e madhe për madrilenët, e vërteton fakti se Copa del Rey ishte shndërruar në tabu për Los Blancos pas dështimeve të shumta, tabu kjo që tani nuk ekziston.