Gjiganti spanjoll Real Madrid nuk mund të llogarisë në shërbimet e trajnerit Jose Mourinho për dy ndeshjet e ardhshme, pasi që Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF), e ka dënuar portugezin me dy ndeshje mosprani në stol.Ish-strategu i Interit ka marrë karton të kuq në fitoren prej 5-1 ndaj Real Murcias, pasi ka protestuar ashpër te gjyqtari kryesor.
RFEF nuk ishte aspak e kënaqur me reagimin e Mourinhos dhe kështu vendosi ta dënojë trajnerin e Real Madridit për dy ndeshjet e ardhshme.
Mourinho do të mungojë në ndeshjen e fundjavës ndaj Sporting Gijonit, ashtu si në sfidën ndaj Athletic Bilbaos më 23 nëntor që zhvillohet në Santiago Bernabeu, ndërsa do të paraqitet në super-derbin Barcelona - Real Madrid.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, u ka bërë thirrje lojtarëve të tij që të bëjnë gjithçka që është në mundësitë e tyre për të mposhtur Juventusin.“Ne përballemi me kundërshtar të madh, një ekip të mrekullueshëm, një skuadër të fortë, me një klub pretigjioz, por ne do të bëjmë gjithçka për t’i mposhtur”.
“Ky është vullneti ynë dhe ne duhet ta realizojmë këtë, por në futboll testet kurrë nuk marrin fund. Gjithnjë vjen një test dhe një tjetër, ndërsa kjo është bukuria e futbollit”, deklaroi Ranieri.
Gjahu i Milanit për trofe do të realizohet me sukses falë Zlatan Ibrahimovicit, i cili sipas Luciano Moggit është në gjendje që ta bëjë diferencën.“Milani ka pushtuar tabelën dhe mund ta mbajë kreun edhe për një kohë caktuar. Allegri e ka kuptuar se është e nevojshme që të varen nga Ibrahimovic dhe këtë e ka bërë javët e fundit”.
“Dhe, ai po përfiton shumë nga kjo. Gjithashtu më pëlqeu mënyra se si menaxhoi Ronaldinhon, një talent të madh, i cili gjithmonë e pati të vështirë të gjejë vendin në ekip”, ka thënë Moggi.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, besohet t’i ketë thënë menaxherit Roy Hodgson se dëshiron të largohet nga Anfield Road.E ardhmja e portierit spanjoll ishte vënë në dyshim që nga sezoni i kaluar, ku Liverpooli dështoi totalisht. Spekulimet kanë pësuar ngritje të dukshme që pas startit të dobët të Liverpoolit në sezonin e ri.
Është The Mirror tani që pohon se ai i ka thënë menaxherit Roy Hodgson se dëshiron të largohet nga klubi. Edhe pse Hodgson ka tentuar të bindë spanjollin të qëndrojë në Anfield, menaxheri i Liverpoolit tashmë është vënë në kërkim të zëvëndësuesit të Reinas, që spekulohet se do të jetë ose Maarten Stekelenburg ose Manuel Neuer.
Strategu portugez i Real Madridit, Jose Mourinho, ka vazhduar lojërat e tij psikologjike para derbit më të madh në botë ‘el Classicos’, pasi ka lëvduar rivalin e tij nga tabori kundërshtar, Pep Guardiolën.“Në kohën time te Barcelona, unë kam pasur marrëdhënie të mira me të. Unë kam kujtime të mira. Unë nuk kam problem të jem përballë tij, sepse edhe pse ai është rival i imi, unë kam një marrëdhënie që nuk mund të bëhet më e mirë”.
“Po të isha president i Barcelonës, unë do t’i jipja kontratë 50-vjeçare. Ai është trajneri ideal për Barcelonën”, ka thënë Mourinho.
Trajneri i Villarealit, Juan Carlos Garrido, ka pohuar se skuadra e tij do të tentojë të nxjerrë maksimumin e pikëve në Camp Nou ndaj Barcelonës.“Villareali gjithmonë tenton të fitojë ndeshje. Kjo është ideja kryesore, por ne duhet të udhëtojmë me mendimin se luajmë ndaj një kampioni të madh”.
“Një ndeshje ndaj Barcelonës në Camp Nou është e përkryer për të treguar se ne po kalojmë formë të mirë. Ne jemi ekip ambicioz, por duhet të dimë se si të përziejmë ambicien me cilësinë. Ne duhet të bëjmë gjithçka shumë mirë për të dalë sa më fortë nga kjo ndeshje”, deklaroi Garrido.
Muajve të fundit është folur shumë për të ardhmen e sulmuesit të Wolfsburgut, Edin Dzeko, ndërsa tani Bayerni i Munichut është favoriti kryesor për firmën e boshnjakut.Edhe pse një ofertë ishte rezistuar nga Wolfsburgu, tani duket se Bayerni është në pol pozicion për sulmuesin.
Nëse Bayerni dëshiron ta transferojë Dzekon, atëherë duhet ta mposhtë Manchester Cityn. Sipas Guardian, Manchester City dëshiron të lansojë një ofertë prej 45 milionë eurosh.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ia ka tërhequr vërejtjen Interit para derbit të së dielës, duke thënë se Rossonerët janë në maje të tabelës.“Ne duhet të hymë në fushë duke kujtuar se jemi tri pikë më përpara se Interi. Unë e di se është derbi. Unë e di se kjo është ndeshja më e rëndësishme në Itali, por gjithashtu di se Milani është mentalisht i gatshëm për t’u përballur me këtë”.
“Nuk është se jemi dobësuar pas humbjes nga Juventusi. Nuk është se jemi bërë fenomenalë pasi mposhtëm Barin dhe Palermon”, deklaroi Allegri.
Fitorja ndaj Romës do ta definonte identitetin e ri të Juventusit dhe do t’i jepte formë prezencës së tyre në luftën për Scudetto, pohon trajneri Luigi Del Neri.“Nesër do të hymë në fushë për të luftuar dhe për të fituar. Synimi ynë është që të përmirësohemi ndeshje pas ndeshje dhe ne e dimë se si të bëjmë më të mirën kur kemi një moment të mirë”.
“Ekziston grup i ekipeve shumë të forta të cilat janë mirë të pajisura për të luftuar për Scudetto deri në fund. Është kampionat i hapur dhe nuk ka shumë zgjidhje, por janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Ne kemi një grup kompakt dhe situata së fundmi me lëndimet e kanë stimuluar ekipin. Ne po punojmë mirë, por duhet të vazhdojmë të përmirësohemi”.
“Roma më e fortë se ne? Nëse bazoheni në faktin se grupi i tyre i lojtarëve ka qenë i njëjti si vitin e kaluar, atëherë do të thosha po. Ranieri gjithnjë ka qenë i mirë. Ai ka cilësinë ta ndihmojë Romën të forcohet”, u shpreh Del Neri.
Politikat liberale në Gjermani, kanë mundësuar rekrutimin e talentëve të mëdhenj të futbollit të cilët nuk kanë origjinë gjermane, siç është rasti i Ozil dhe Khediras, një politikë kjo që ka hasur në reagime të ashpra nga Federata Turke e Futbollit, të cilën ka tentuar ta qetësojë Joachim Loew.“Ne e dimë se Federata Turke e Futbollit ka një politikë agresive ndaj lojtarëve të rinj me origjinë turke të cilët janë stërvitur në Gjermani”.
“Ne nuk do të vëmë presion të madh mbi këta lojtarë, por ne do të mbajmë dialog të hapur dhe të sinqertë me ta, dhe nuk do t’ua mbushim kokën plot me premtime”, ka thën Loew për Bild.
Trajneri i Interit, Rafael Benitez, beson se rikthimi në formën më të mirë fizike të Diego Militos vjen në një moment të përkryer për Nerazzurët, pasi që ata po përgatiten për derbin ndaj Milanit nën ndikimin e rezultatit negativ të arritur ndaj Lecces.Interi ka arritur të shënojë vetëm 13 gola në 11 ndeshje në Serie A këtë sezon, përkundër formës fantastike të Samuel Eto’os që ka shënuar 17 gola në 17 ndeshje në të gjitha garat.
“Ne shpresojmë të luajmë më mirë në derbi se ndaj Lecces, ne do të japim gjithçka, varet prej nesh. Tani kam shpresa te Diego Milito pas riaftësimit”, theksoi Benitez.
Interi ka vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa fitorja ndaj rivalit të përbetuar shihet si ilaçi i vetëm për të dalë nga kriza.
Mesfushori i Milanit, Andrea Pirlo, mund të mos luajë në superderbin e të dielës ndaj rivalit të përbetuar Interit, për shkak të një dëmtimi.Mediat italiane raportojnë për një dëmtim të Pirlos në kofshë, i cili do ta lë mesfushorin jashtë sfidës ndaj Interit, duke bërë kështu që vendin e tij ta zënë Gattuso, Ambrossini, Flamini ose Boateng.
Massimiliano Allegri ashtu si rivali i tij Rafa Benitez, përballet me mungesa të shumta, pasi që ai nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Alexandre Patos dhe Pippo Inzaghit.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se nuk i intereson aspak zhvendosja e datës së ‘el Classicos’ në të hënën.“Unë e kam ditur shumë kohë më parë se kjo do të ndodhte, por nuk më intereson. Unë e di këtë, sepse e di se kush e kontrollon këtu futbollin dhe nëse shikoni në deklaratat e tyre, atëherë ju do të kuptoni se pse e kanë marrë këtë vendim”.
“Unë do brengosesha po që se do të kishim luajtur të shtunën në ora 22:00 dhe më pas të martën në Ligën e Kampionëve. Barcelona nuk dëshiron të luajë të shtunën sepse më parë do luajë të mërkurën në Ligën e Kampionëve dhe kjo është arsyeja se pse duhet të luajmë të hënën”, ka thënë Mourinho.
Sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, është caku numër 1 i Manchester Cityt për afatin kalimtar të janarit.Guardian thotë se Garry Cook, drejtori ekzekutiv i Manchester Cityt, ka fluturuar në Abu Dhabi për t’i dërguar një raport progresi pronarit të klubit, Sheikh Mansour, dhe të prezantojë planin e harxhimeve për afatin kalimtar të janarit.
Edin Dzeko thuhet se është caku primar i Cityt, edhe pse klubi anglez e di se klubet nga Bundesliga është vështirë të negociohen. City u mundua ta transferojë sulmuesin boshnjak edhe gjatë verës duke ofruar rreth 25 milionë ose 30 milionë funte, ndërsa Wolfsburg e vlerësonte me 45 milionë funte lojtarin.
Legjenda e Milanit, Paolo Maldini, është lidhur me një detyrë në Chelsea ku ai do të mund të bashkohej me ish-trajnerin, Carlo Ancelottin.The Sun shkruan se pas largimit të befasishëm të Ray Wilkins, Ancelotti mund të bëjë edhe një tentim për të sjellë Paolo Maldinin në klub.
Maldini u përmend se mund të ishte numri dy i Ancelottit kur menaxheri italian për të parën herë arriti në Chelsea, 16 muaj më parë, por ai thuhet se kishte refuzuar ofertën.
Tash thuhet se ai përsëri është cak i Chelseat. Një prej emrave tjerë që përmenden është edhe ish-ylli i këtij ekipi, Gianfranco Zola.
Ish-menaxheri i Barcelonës, Frank Rijkaard, dëshiron të angazhohet në Premier League.Spekulimet kanë shpërthyer se strategu holandez mund të zëvendësojë trajnerin Roy Hodgson në stolin drejtues të Liverpoolit. Edhe agjenti i Rijkaard pohon se ai është i interesuar për të punuar në Ligën Premier.
“Ai dëshiron të zgjedhë ekipe të mëdha të futbollit evropian në Ligën Premier ose Calcio. Mendoj se kjo është atraktive për një trajner i cili ka treguar te Barcelona se ka aftësi të menaxhojë në ligat më të mira në botë. Ai sigurisht do të punojë brenda një ose dy muajsh”, ka thënë agjenti i Rijkaard, Perry Overeem.
Rijkaard muajin e kaluar u shkarkua nga pozita e trajnerit të Galatasaray, pas rezultateve të dobëta.
Arsenali është i gatshëm të bëjë ofertë për mbrojtësin e Bolton Wanderers, Gary Cahill, në afatin kalimtar të janarit.Guardian shkruan se vendimi i Wanderers për të nxjerrë Cahill në shitje ka hapur derën për një ofertë formale nga Arsenali.
Arsene Wenger e ka monitoruar progresin impresiv të fundit të Cahill dhe pavarësisht se harxhoi 13 milionë në dy qendërmbrojtës gjatë verës, disa në klub dyshojnë se mbrojtja është mjaft e fuqishme.
Boltoni kërkon 15 milionë funte për lojtarin, të cilën shumë Arsenali mund ta quajë si të tepruar për një lojtar i cili ka fituar paraqitjen e parë ndërkombëtare vetëm në muajin shtator, si zëvendësues në pjesën e dytë të takimit përballë Bullgarisë.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, është i ngazëllyer me progresin e Thiago Alcantara.Anësori i ri ka impresionuar në fitoren e Kupës së Mbrettit ndaj Ceuta këtë javë dhe ka fituar lëvdatat e trajnerit.
“Ai ende mund të zhvillohet. Dua ta uroj atë për mënyrën se si ka luajtur. Ai është një lojtar i guximshëm dhe ka kapacitet të zhbllokojë çdo kundërshtar me talentin e tij natyral”.
“Ai është i ri, i shpejtë dhe i sigurt. Ai nuk ka frikë dhe e kam njohur atë në La Tercera dhe ai bënte po të njëjtat gjëra. Atij i mungojnë disa gjëra për të qenë artikull i përfunduar dhe nuk ka dyshime se ai do të ecë dhe do ta arrijë këtë”, ka thënë Guardiola.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, ka porositur bashkëlojtarët e tij të harrojnë ish-trajnerin Jose Mourinho dhe të përqendrohen t’ia dalin mirë nën urdhrat e Rafael Benitez.“Mourinho është e kaluar. Ne duhet të mendojmë për të tashmen dhe jo për të kaluarën. Ne do t’ia dalim nga këto momente të lodhjes, dhe unë do të jem në formën më të mirë së shpejti. Ky pushim më ka ndihmuar të relaksohem dhe të mendoj”, ka thënë Sneijder.
“Ne mund të kemi ca telashe, por ka shpjegim për këtë. Ne erdhëm nga një sezon fantastik që është vështirë të harrohet. Fansat e vërtetë kurrë nuk do të harrojnë të brohorasin lojtarët e tyre, veçanërisht kur ata kalojnë nëpër një periudhë të vështirë”.
“Nuk dua ta humbas derbin pasi ishte ndeshja debutuese e imja sezonin e kaluar. Kurrë nuk do ta harroj atë. Po përmirësohem dhe kam nevojë për ndihmë nga fansat dhe Benitez. Ai është një trajner i madh, si edhe Mourinho”, ka përfunduar holandezi.
Menaxheri i Interit, Rafael Benitez, dëshiron të tregojë vlerat e ekipit të tij duke fituar Kupën Botërore të Klubeve që organizohet nga FIFA muajin e ardhshëm.“Do t’u tregoj se unë do të fitoj. Ky ekip po ashtu do ta sjellë në shtëpi Kupën Botërore të Klubeve. Ky ekip ka fituar Superkupën e Italisë, që është një trofe i vogël, por megjithatë është një trofe, andaj shpresoj se ne mund të fitojmë Interkontinentalen dhe gjithçka do të jetë më e lehtë”.
“Që nga fillimi, kam dashur t’i mbaj gjërat që ata i bënin mirë, stilin e lojës, por pas një kohe ju përpiqeni dhe i bëni gjërat në mënyrën tuaj”, ka thënë Benitez në një intervistë për CNN.
Boston Celtics ka mposhtur Miami Heat për të dytën herë këtë sezon, kësaj here me rezultat 112-107, falë 35 pikëve të Ray Allen.Edhe pse Miami përforcoi radhët duke transferuar LeBron James dhe Chris Bosh, humbja e mbrëmshme ishte e dyta radhazi, dhe e le ekipin pesë fitore dhe katër humbje.
James ishte i vetmi i treshes së ashtuquajtur “Treshja e Madhe” që vërtet ishte efektiv, duke shënuar 35 pikë, derisa Bosh shënoi 15 dhe Dwayne Wade shënoi pikët më të ulëta të sezonit, tetë.
Celtics, të cilët mposhtën Heat me rezultat 88-80 në ndeshjen e parë të sezonit muajin e kaluar, tash kanë shtatë fitore dhe vetëm dy humbje.
Rivalët e qytetit, Liverpooli dhe Evertoni, raportohet se janë në garë për të marrë shërbimet e sulmuesit të Stuttgartit, Pavel Pogrebnyak.Mediat në rusi shkruajnë se menaxheri i Evertonit, David Moyes, nuk është i kënaqur me repartin ofensiv, andaj dëshiron ta përforcojë këtë pjesë në afatin kalimtar dimëror.
Një prej kandidatëve të mundshëm që mund t’i zgjidhin problemet në sulm për Moyes është Pavel Pograbnyak. Megjithatë, përveç Evertonit, për 26-vjeçarin i interesuar thuhet se është edhe Liverpool.
Roy Hodgson nuk ka shumë zgjidhje në sulm. Edhe pse Fernando Torres ngadalë rikthehet në formë, ai nuk mund të mbështetet në David Ngog e as në Milan Jovanovic.
Agjenti i sulmuesit të Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka zbuluar se sa afër ka qenë ai t’i bashkohet Romës.Gjatë verës së vitit 2004, suedezi luante për Ajaxin dhe fuqimisht u lidh me një transferim në kryeqytetin italian, por Juventus befasoi secilin duke nënshkruar me të në ditën e fundit të afatit kalimtar.
“Ibrahimovic dëshironte të largohej nga Ajaxi, por Milani nuk ishte i interesuar për të. Interi kishte një interesim të vakët, derisa Roma ishte e ndezur për të. Mbi të gjitha ishte drejtori i Giallorossëve, Franco Baldini, i cili e dëshironte”.
“Pastaj, sapo Capello arriti te Juventus, ai bëri çmos për të nënshkruar me Ibrahimovic, duke lejuar kështu Juven të mposhtë Baldinin dhe Romën”, ka thënë Mino Raiola.
Legjenda e Manchester United, Peter Schmeichel, ka mbështetur përpjekjet e klubit të tij për të transferuar portierin e Liverpoolit, Pepe Reina.Menaxheri i Djajve të Kuq, Sir Alex Ferguson, është duke kërkuar zëvendësim për portierin Edwin van der Sar, dhe Schmeichel beson se ka vetëm një kandidat.
“Jam shumë i sigurt se ata do të shkojnë për ndonjë portier si Pepe Reina i Liverpoolit”, ka thënë danezi.
Ish-portieri i United po ashtu ka dashur që Ferguson të transferojë një mesfushor të klasit botëror, si Wesley Sneijder ose Mesut Ozil.
“Do të më pëlqente të shoh Wesley Sneijder në ekip ose Mesut Ozil. Por më pëlqen mënyra se si Sir Alex Ferguson e ndërton ekipin për të ardhmen, ai po sjell disa lojtarë jashtëzakonisht të mirë”, ka thënë Schmeichel.
















