Autori i dy golave për Barcelonën, Lionel Messi Lionel Messi ka shënuar dy gola dhe David Villa një tjetër, derisa Barcelona ka arritur fitore 3-1 në derbin përballë Villarrealit të zhvilluar në Camp Nou, për të marrë kreun La Ligës.
Të zgjedhurit e trajnerit Pep Guardiola kaluan në epërsi pas 22 minutash lojë kur pas një asistimi të Andres Iniesta, David Villa mposhti portierin Diego Lopez. Por mysafirët arritën të barazojnë katër minuta më pas me anë të Nilmar (26’).
Pjesa e dytë po ashtu filloi vrullshëm për Blaugranët, të cilët pas më pak se një ore lojë (58’) rikthyen epërsinë. Pas një gjuajtje të lirë të hedhur në lojë shpejt, Xavi gjen Messin, i cili pas një bashkëveprimi me Pedro dërgon topin në rrjetë nga një kënd i vështirë.
Superylli argjentinas shënoi edhe një gol tjetër më vonë, kur pas një goditje të Pedro, topi i devijuar arrin te Messi, i cili nuk fal për të shënuar golin e 19-të në 16-të ndeshje, dhe të dhjetin në nëntë ndeshje në kampionatin spanjoll këtë sezon.
Barcelona tash shijon kreun me 28 pikë, por rrezikon ta humbasë nesër, kur Real Madridi, që ka dy pikë më pak, udhëton te Sporting Gijon.
Ngasësi i Red Bull, Sebastian Vettel, ka arritur që me anë një performance fantastike në kualifikime të sigurojë pole pozicionin për garën e Çmimit të Madh të Abu Dhabit.
23 vjeçari është një prej katër pilotëve në luftë për titullin e kampionit, i cili do të vendoset të dielën pasdite. Lewis Hamilton i McLarenit, i cili ka gjasa të vogla për titullin do të startojë i dyti, para liderit në kampionat Fernando Alonsos së Ferrarit, që fillon i treti.
Mark Webber i Red Bull do të fillojë nga pozita e pestë, pasi që para tij gjendet Jenson Button i McLaren.
Nëse gara përfundon me këto pozita sikurse në kualifikime, atëherë kampion i ri në Formula 1 do të jetë Fernando Alonso, por gjithçka mund të ndodhë në garën e të dielës, të fundit për këtë sezon.
Spanjolli Fernando Alonso gjendet në pozitën e parë me 246 pikë, tetë më shumë se Webber, 15 më shumë se Vettel dhe 24 më shumë se Hamilton.
Ngasësi që pozicionohet i pari ka 25 pikë, 18 i takojnë vendit të dytë, 15 të tretit, 12 të katërtit e kështu më radhë.
Pamje nga ndeshja Juventus dhe Roma janë ndarë me barazim 1-1 në derbin e parë të këtij vikendi në Serie A, të zhvilluar në Olimpico të Torinos.
Biankonerët patën rastin e parë në ndeshje me Vicenco Iaquinta që huqi një rast të mirë shënimi pas tetë minutash lojë, kur pranoi një top nga Fabio Quagliarella.
Iaquinta pati edhe një rast tjetër shënimi më vonë gjatë ndeshjes, para se të shënojë në tentimin e tij të tretë, pas një asistimi nga Alberto Aquilani (34’).
Romakët në anën tjetër patën vetëm një rast të mirë shënimi në pjesën e parë, por Marco Storari reagoi për të ndaluar Jeremy Menez.
Megjithatë portieri i Juventusit nuk arriti të ndalojë goditjen nga pika e bardhë të Francesco Tottit. Pas një penaltie të akorduar për Romën në minutat shtesë të pjesë së parë, pasi Simone Pepe u referua se kishte prekur topin me dorë në zonën e rreptësisë, kapiteni Gialloross u tregua i saktë nga njëmbëdhjetëmetërshi.
Pjesa e dytë e ndeshjes ishte më e qetë, me më pak raste të krijuara nga të dyja anët, të cilat duket se u ndanë të kënaqura me nga një pikë.
Me pikën e fituar Juventusi merr pozitën e katërt, me pikë të barabarta me Interin që tash zbret në pozitë e pestë, e që nesër luan në derbin milanez përballë Milanit. Roma mbetet një pikë prapa tyre në pozitën e pestë.
Diego Forlan i ka dhënë fund mungesës së golave në La Liga, duke shënuar dy herë në fitoren 3-0 të Atletico Madrid ndaj Osasuna në stadiumin Vicente Calderon.
Uruguaiani shënoi golin e tij të parë pas gati dy muajsh në minutën e 21-të të ndeshjes për të hapur rezultatin, para se të asistojë në një gol të partnerit të tij të sulmit, Sergio Aguero, në fund të pjesës së parë (41’).
Forlan më pastaj shënoi edhe golin e tij të dytë në pjesën e dytë (70’), pasi Osasuna më herët kishte mbetur me dhjetë lojtarë në fushë, pas përjashtimit të Nacho Monreal me kartonin e dytë të verdhë.
Fitorja e dërgon Atleticon në pozitën e pestë të tabelës.
Zlatan Ibrahimovic do të tentojë ta shpijë Milanin drejt suksesit dhe fitores së parë pas dy vitesh në derbin e nesërm të Serie A, kur Rossonerët të përballen ndaj ish-skuadrës së tij, Inter.
Tifozët Nerazzur nuk do të festojnë rikthimin e Ibras në Giuseppe Meazza, por kjo nuk do ta shpërqendrojë sulmuesin i cili u ka bërë thirrje ‘bashkëluftëtarëve’ të tij që të armatosen deri në dhëmbë.
“Për tri vite me Interin unë kam fituar, por edhe kam vuajtur. Unë kam kujtime të mira, por ajo është e kaluar, kjo është e ardhmja”.
“A do të më vërshëllejnë tifozët Nerazzur? Unë i mirëpres vërshëllimat, pasi që ato do të më motivojnë. Kjo vetëm sa ma shton motivimin. Interi është ekip kundërshtar për mua. Unë luaj tani për Milanin dhe ata janë kundërshtarët e mi, kështu që të bëj gjithçka për ta mposhtur Interin është normale”, u shpreh Ibrahimovic.
Ai shtoi se beson fuqishëm në fuqinë e Milanit për ta fituar Scudetton dhe Ligën e Kampionëve.
Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, beson se ekipi i tij mund ta përmirësojë historinë duke e mposhtur Interin në derbin e të dielës.
“Ne duam të fitojmë në derbi. Deri tani kemi luajtur mirë, por nëse duam ta fitojmë titullin duhet ta fitojmë edhe derbin”.
“Kjo është më ndryshe, pasi që nëse fitojmë do të jemi gjashtë pikë përpara tyre. Nuk do të jetë e lehtë sepse Interi është ekip shumë i fortë”, precizoi Silva.
Alberto Gilardinho ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes për të ndihmuar Fiorentinën të shënojë fitore minimale në fushë vendore ndaj Cesena.
Pas po thuajse një orë përpjekje në Artemio Franki, Alberto Gilardino pranoi një harkim të Alessio Cerci nga krahu i djathtë për të shënuar një gol të shkëlqyeshëm.
Goli ishte i pesti i tij këtë sezon nga 13 golat e Fiorentinës, që e ndihmojnë këtë ekip të ngjitet në pozitën e nëntë dhe t’i ikë gjashtë pikë fundit të tabelës, ku ndodhet Bari. Cesena në anën tjetër mbetet në pozitën e parafundit me dy pikë mbi kreun, së bashku me edhe katër ekipe të tjera.
Sonte në Serie A zhvillohet edhe derbi në mes të Juventusit dhe Romës, në Olimpico të Romës.
Liverpooli duket se sërish po kthehet në krizë, pasi ekipi i drejtuar nga Roy Hodgson pësoi disfatë 2-0 në fushë të Stoke Cityt.
Pas katër fitoreve radhazi, përfshirë atë të vikendit të kaluar ndaj Chelseat, Liverpooli u mendua se gjeti rrugën e fitoreve. Por, pas barazimit në mesjavë ndaj Wigan Athletic, të Kuqtë sërish kthehen kah disfatat, kësaj here nga Stoke City.
Përveç që dështoi po thuajse plotësisht në sulm, Liverpooli tash sot dështoi edhe në mbrojtje. Goli i parë i ndeshjes u shënua në fillim të pjesës së dytë nga Ricardo Fuller (56’), pas një harkimi të Rory Delap dhe reagimi të dobët të mbrojtjes së Liverpoolit.
Në minutën fundit të kohës së rregullt lojtarët vendas shënuan edhe një gol të dytë, kësaj here me golashënues Kenwyne Jones, pas një harkimi të Jermaine Pennant.
Liverpooli tash mban pozitën e 11-të me 16 pikë, sa ka edhe Stoke City, që tash pozicionohet mbi Të Kuqtë në pozitën e 10-të.
Autori i dy golave, Gareth Bale Tottenhami i ka dhënë fund formës së dobët që tregoi së fundi në Ligën Premier, duke shënuar fitore 4-2 ndaj Blackburn Rovers, në White Hart Lane.
Gareth Bale ka zhvilluar ndeshjen e tij të 100-të në karrierë, të cilën e ka ‘nënvizuar’ me dy gola të shënuar. Anësori i Tottenhamit hapi rezultatin pas 16 minutash lojë, para se Roman Pavlyuchenko të humbasë një penalti pas gjysmë ore lojë (32’). Por atë që nuk e bëri nga pika e bardhë, sulmuesi rus e bëri nga loja e hapur, duke dyfishuar epërsinë për ekipin vendas (42’).
Në pjesën e dytë, Tottenhami trefishoi epërsinë me anë të shtatlartit Peter Crouch (68’), ndërsa goli i dytë i Bale çoi në 4-0 rezultatin (72’), për të zgjidhur kështu dilemën e fituesit. Ekipi mysafir u mundua mjaft në pjesën e fundit të ndeshjes, duke shënuar dy gola përmes zëvendësuesve David Dunn (79’) dhe Gael Givet (89’).
Ekipi i Harry Redknap nuk kishte fituar katër ndeshje në ligë, por me tre pikët e reja, ngrihet në pozitën e gjashtë të tabelës.
Ish-kampioni i Bundesligës, Wolfsburg, nuk ka arritur ta ruajë epërsinë e hershme prej dy golash, duke nxjerrë vetëm një barazim 2-2 në ndeshjen si nikoqir i Schalke.
Grafite shënoi pas vetëm 11 minutash lojë, për t’i dhënë epërsinë ekipit vendas, ndërsa pas gjysmë ore lojë, sulmuesi boshnjak Edin Dzeko dyfishoi epërsinë (33’).
Schalke arriti të rikthehet në lojë në fund të pjesës së parë me anë të një goli të shënuar nga Edu (39’), ndërsa me 15 minuta të mbetura, sulmuesi holandez Klaas-Jan Huntelaar shënoi golin e barazimit (75’) për të nxjerrë një pikë për ekipin e Felix Magath.
Nga ndeshjet tjera, Werderi po ashtu ka barazuar pa gola si nikoqir i Eintracht Frankfurt, ndërsa edhe Suttgart me rezultat 3-3 ndaj Kaiserslautern.
Leverkusen ka shënuar fitore minimale ndaj St Pauli, ndërsa fitore bindëse prej 4-0 shënoi Monchengladbach ndaj Koln.
Manchester City nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në fushë vendore për të tretën herë radhazi në Ligën Premier, duke nxjerrë një barazim 0-0 ndaj Birminghamit në Eastlands.
Pas barazimit të së mërkurës në derbin e Manchesterit, ekipi i drejtuar nga Roberto Mancini dështoi të shënojë fitore edhe në ndeshjen e sotme. Manchester City kishte një posedim të hershëm, por nuk impresionoi ndaj një mbrojtje të organizuar të Birminghamit.
Barazime pa gola sot kanë luajtur edhe West Ham United si nikoqir i Blackpool, dhe Newcastle si nikoqir i Fulhamit.
Barazimi do të thotë se City do të vazhdojë të qëndrojë në pozitën e katërt me 22 pikë, por që rrezikon t’i largohet kreut edhe shumë, ku qëndron Chelsea me 28 pikë, e që nesër zhvillon ndeshjen e radhës ndaj Sunderlandit në Stamford Bridge.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka ulur rëndësinë e derbit ndaj Interit, duke pohuar se ai nuk do të jetë vendimtar për titullin.
“Kjo ndeshje është e rëndësishme sepse ne përballemi me një Inter që mezi pret të rikthehet në formë. Është me rëndësi të fitojmë sepse do të forcoheshim në aspektin mendor, por nuk është vendimtare për titullin”.
“Formacioni? Këto gjëra janë normale dhe varet nga karakteristikat e lojtarëve. Të gjithë janë të barabartë në mesfushë. Të gjithë mund të vrapojnë. Ekipi duhet të tregojë qëndrim të njëjtë. Andrea Pirlo? Është me rëndësi që ai të luajë. Ai ka stërvitur, por para takimit do të vendosi për të”.
“Ronaldinho është në gjendje ta bëjë diferencën. Ne kemi ndeshje të rëndësishme përpara nesh dhe kështu të dielën dhe muajt e ardhshëm do të luaj me tre sulmues”, tha Allegri në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes.
Trajneri i Interit, Rafa Benitez, po tenton t’i japë jetë skuadrës së tij, ndërsa beson se fitorja ndaj Milanit do ta formësojë sezonin katastrofal të Interit.

“Ne e dimë se jemi ekip i fortë dhe ndeshja e të dielës do të na japë rastin për ta dëshmuar këtë. Ne duhet të tregojmë se ne besojmë që mund ta fitojmë derbin. Kjo mund të jetë një ndeshje e cila e vë sezonin tonë në drejtim të duhur. Sigurisht se dëshirojmë ta fitojmë këtë ndeshje”, theksoi Benitez.


Fitoret e larta të Interit viteve të kaluara ndaj Milanit në derbi della Madonnina kanë impakt të jashtëzakonshëm në ndeshjen e të dielës, por Rafa Benitez ka bërë thirrje që të harrohet epoka Mourinho.


“Ky vit është më ndryshe se ai i kaluar. Ne duhet të harrojmë të gjitha sukseset e vitit të kaluar. Ne duhet ta harrojmë Mourinhon, Roberto Mancinin dhe të gjithë të tjerët që kanë fituar këtu. Ne duam të bëjmë diçka më ndryshe, të fitojmë duke luajtur futboll atraktiv. Unë e di se çfarë do të thotë derbi, e di këtë pas finales së Stambollit”.


“Sneijder? Ai është mirë. Ai ka stërvitur gjatë gjithë javës dhe do të luajë”, përfundoi Benitez.


Skuadra e plotë e Interit për derbin ndaj Milanit:


Portierët: 1 Julio Cesar, 12 Luca Castellazzi, 21 Paolo Orlandoni;


Mbrojtësit: 2 Ivan Cordoba, 4 Javier Zanetti, 6 Lucio, 23 Marco Materazzi, 26 Cristian Chivu, 39 Davide Santon;


Mesfushorët: 5 Dejan Stankovic, 10 Wesley Sneijder, 19 Esteban Cambiasso, 20 Joel Obi, 29 Coutinho, 30 Amantino Mancini, 40 Obiora Nwankwo;


Sulmuesit: 9 Samuel Eto'o, 22 Diego Milito, 27 Goran Pandev, 88 Jonathan Biabiany.

Manchester United edhe një herë është mbështetur në gola të vonshëm, kësaj here për të nxjerrë vetëm një barazim 2-2 ndaj Aston Villas në Villa Park.
Pjesa e parë e takimit ishte më e ekuilibruar me Djajtë e Kuq që krijuan raste përmes Dimitar Berbatov dhe Nani, dhe vendasit që po ashtu kishin rastet e tyre, pasi goditja e Ashley Young u ndalua nga Van der Sar ndërsa një tentim tjetër i Stewart Downing u devijua nga Rio Ferdinand.
Fillimi i pjesës së dytë i takoi më shumë ekipit vendas. Pasi James Collins dhe Gabriel Agbonlahor goditën shtyllën, Ashley Young ishte ai që i dha epërsinë Aston Villas duke shënuar nga pika e bardhë (72’), pasi më herët ishte fauluar në zonën e rreptësisë nga Wes Brown.
Nuk zgjati shumë dhe pas katër minutash tjera mbrojtja e Man United pësoi edhe goditjen e dytë, kur Marc Albrighton dyfishoi epërsinë për Villan (76’).
Por shpirti luftarak i Djajve të Kuq doli në pah edhe një herë në minutat e fundit të takimit. Së pari talenti i ri Federicho Macheda ngushtoi epërsinë në 2-1 (81’), para se me pesë minuta afër fundit, kapiteni Nemanja Vidic të shënojë me kokë nga një harkim i Nanit për të nxjerrë një pikë për United.
Barazimi është i dyti radhazi për United, pas atij në derbin e Manchesterit në Eastlands. Me pikën e fituar United mbledh 25 pikë në pozitën e dytë, të cilën rrezikon ta humbasë nëse Arsenali nesër shënon fitore në udhëtim te Evertoni.
Presidenti në largim i Palermos, Maurizio Zamparini, thotë se ai është i gatshëm ta shesë klubin italian duke shtuar se zgjidhja më e mirë është Princi i Arabisë Saudite.
“Tash po e shes Palermon. Po largohem. Është një vendim që e kam marrë për të mirën e ekipit. Është një vendim i pakthyeshëm derisa institucionet qendrore në futboll të ndryshojnë si Lega, FIGC (Federata Italiane e Futbollit) dhe AIA (Asociacioni i Arbitrave). Por kjo nuk do të ndodhë brenda disa ditësh”.
“Do të ishte e mjaftueshme që një arbitër si Banti të ndalohet. AIA duhet të marrë aksione kundër arbitrave që gabojnë. Më thoni se pse klubet e mëdha si Milan, Inter dhe Juve, nuk kanë pasur penalti kundër tyre për 33 ndeshje?”, ka thënë Zamparini.
Zamparini ka identifikuar Princin Saudit Abdul Mohsin Al Hokair si personin më të duhur për të blerë dhe udhëhequr Palermon në të ardhmen.
Sulmuesi argjentinas Mauro Zarate nuk dëshiron të largohet nga Lazio, thotë vëllai dhe agjenti i tij, Sergio.
Raportet vazhdojnë ta lidhin argjentinasit me një largim nga klubi romak në afatin kalimtar të janarit, derisa ai po kalon në sezon jo të kënaqshëm.
“Ne jemi në nëntor dhe nuk ka probleme. Afati kalimtar hapet në janar. Të gjithë lojtarët kanë ngritjet dhe rëniet, por unë jam i bindur se Mauro ka një potencial të madh dhe ai do ta tregojë këtë në fushë”.
“Ne kemi kontratë me Lazion dhe në këtë moment nuk mendojmë për alternativa. Së shpejti do të flas me Lazion dhe do të shohim se si do të zhvillohen gjërat. Nuk mendoj se ka problem, Mauro pëlqen fansat dhe dëshiron të mbetet te Lazio”, ka thënë Sergio Zarate.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, synon ‘pikët vitale’ në ndeshen kundër Juventusit, të cilat do të tregonin se Roma është në garë për Skudeton.
Ekipi i trajnerit Claudio Ranieri është një pikë prapa Zonjës së Vjetër dhe Totti shpreson se një fitore në takimin e sotëm do të ruante gjallë ambiciet e klubit romak.
“Një fitore kundër Juventusit do të jetë e rëndësishme sa i takon garës për Skudeto. Sa i takon ligës, këto do të ishin pikë fundamentale”, ka thënë italiani për Il Corriere dello Sport.
Totti ka konfirmuar se ai është i gatshëm të luajë dhe shpreson të lërë mbresa duke ringjallur shpresat për titull.
Diego Forlan thotë se ai është i lumtur në Vicente Calderon dhe dëshiron të fillojë negociatat për vazhdimin e besueshmërisë me Atletico Madrid.
Së fundi po spekulohet shumë për futbollistin më të mirë të kampionatit botëror, i cili megjithatë nuk po tregon formën e duhur këtë fillim sezoni. Së fundi u tha se Forlan i është ofruar Real Madridit, por këtë e mohoi Atletico Madrid, ndërsa tash edhe vetë lojtari thotë se dëshiron të mbetet te klubi aktual.
“Kam edhe dy vite nga marrëveshja aktuale dhe jam shumë i lumtur në Atletico Madrid. Dua të bisedoj me presidentin Enrique Cerezo për mundësinë për ta vazhduar marrëveshjen dhe të mbetem këtu sa më shumë që është e mundur”, ka thënë Forlan.
Massimo Moratti thotë se ai nuk është i kënaqur me paraqitjet dhe rezultatet e Interit, por shton se ai ka besim të plotë te trajneri Rafa Benitez.
Nerazurët janë në krizë rezultatesh pasi pas humbjes nga Tottenhami në Ligën e Kampionëve, në Serie A shënuan dy barazimi kundër Brescia dhe Lecce.
Interi tash ka edhe një sfidë të vështirë, derbin e qytetit përballë Milaint, që mund ta nxjerrë, por edhe ta futë në krizë më të thellë kampionin e Italisë dhe Evropës.
“Nuk jam i kënaqur me rezultat dhe paraqitjet e ekipit. Por kam besim te Benitez. Ende ka shumë për t’u luajtur deri në fund të kampionatit, i besoj Benitez, dhe dua të fitojmë. Sigurisht, nuk e di se si do të përfundojë kampionati”, ka thënë Moratti.
Utah Jazz ka shënuar nëntë pikët e fundit të takimit për të mposhtur Atlanta Hawks me rezultat 90-86 dhe për të shënuar fitoren e katërt radhazi duke u rikthyer nga disavantazhi.
Jazz filluan çerekun e katërt me 11 pikë disavantazh, por në fund ia shkaktuan Atlantas humbjen e katërt radhazi të sezonit, pasi këta të fundit kishin filluar sezonin me gjashtë fitore radhazi.
Deron Williams ishte më i sakti te Utah duke shënuar 24 pikë dhe 10 asistime, ndërsa Joe Johnson po ashtu shënuar 24 pikë për Hawks. Për Jazz kjo ishte fitorja e katërt radhazi.
Sulmuesi i Arsenalit, Nicklas Bendtner, ka kërcënuar se do të largohet nga Arsenali.
Danezi, i cili ka filluar vetëm dy ndeshje këtë sezon për shkak të lëndimit, mbrëmë tha se nëse ai nuk bëhet startues i rregullt do të largohet nga Emirates.
“Nëse situata nuk ndryshon dhe unë ende jam në stol te Arsenali, do të kërkoj transferim. Kjo është e dukshme. Ndjehem se kam bërë gjithçka si duhet për të kthyer formën”.
“Ndjehem më mirë se para lëndimit dhe në atë kohë isha në 11-shen startuese dhe afër për të arritur potencialin. Kur jam 100 për qind i gatshëm, nuk mund të pranoj të qëndroj në stol”, ka thënë Bendtner.
Sulmuesi i Villarrealit, Nilmar, mendon se ai dhe klubi i tij mund ta shqetësojnë Barcelonën.
Nilmar shpreson se Villarreali është i gatshëm të garojë për kreun duke siguruar një rezultat pozitiv në ndeshjen e sotme në Nou Camp.
“Ne do të përpiqemi dhe do të sigurohemi që Madrid dhe Barca të mos na ikin. Këto ndeshje kundër njërit prej ekipeve më të mira në botë, janë ato në të cilat çdo lojtar dëshiron të jetë i përfshirë”.
“Ne do të shkojmë atje për të fituar tre pikë, pasi duam të qëndrojmë në krye të tabelës. Dhe nëse i bëjmë gjërat mirë, njerëzit do ta njohim punën tonë”, ka thënë Nilmar.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, thotë se ai është i lumtur që është larguar nga Barcelona.
Ibra ka shpjeguar se pse pasi u largua nga Interi në verën e vitit 2009, u kthye në Serie A vetëm pas 12 muajsh, pas një zënke me trajnerin Pep Guardiola.
“Nuk e di se çfarë ndodhi me Guardiolan. Nëse do ta dija çfarë ishte problemi, do ta kisha zgjidhur atë. Kur nuk e dini problemin, atëherë është e pamundshme”.
“Milani më ktheu buzëqeshjen, pasi nuk isha i lumtur me situatën te Barcelona. Në këto momente, është e rëndësishme të gjesh diçka që të sjell buzëqeshjen dhe urinë për të luajtur. Kjo ishte ajo që më dha Milani”.
“Besoj fuqishëm në këtë ekip si konkurrent për Skudeto dhe po ashtu me potencial edhe për Ligën e Kampionëve”, ka thënë Ibra.
Claudio Marchisio, edhe pse ende nuk ka nënshkruar kontratë të re, është zotuar se do të mbetet përgjithmonë te Juventusi.
“Jam i kënaqur që jam lidhur me këtë klub për shumë vite dhe nuk ka nguti për rinovim. Është gabimi im që ne kemi biseduar ca si shumë për këtë gjatë verës. Tash pres ta diskutoj me qetësi në fund të sezonit, duke qenë i vetëdijshëm se Juventusi beson në mua dhe se dua të qëndroj te Juve përgjithmonë”.
“E kam shkarkuar agjentin, por nuk ka fyerje. Në fakt do të doja ta falënderoj atë përsëri që më ka ndihmuar të zhvillohem dhe të kuptoj shumë gjëra në këtë botë”, ka thënë Marchisio.
Mats Hummels në një duel me Mladen Petric Viktima e radhës e Dortmundit në Bundesliga quhet Hamburg, pas fitores së verdhë e zinjve në Signal Iduna Park me rezultat 2-0, në derbin e Gjermanisë Veri-Perëndimore.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në pjesën e dytë Dortmundi me disa ndryshime taktike arriti që t’ia tregojë vendin rivalit.
Një pasim të mrekullueshëm nga Lukas Piszczek e shfrytëzoi për mrekulli në zonë njeriu që është transferuar për vetëm 350 mijë euro te Dortmundi, Shinji Kagawa, i cili i dha Dortmundit epërsinë në këtë takim. Ishte ky goli i gjashtë i Kagawas këtë sezon (49’).
Një aksion fantastik të lojtarëve të Dortmundit në mënyrë fenomenale e konkretizoi Lucas Barrios, i cili me ndihmën e Kevin Grosskreutz (70’), arriti t’ia sigurojë Hamburgut humbjen e 500-të në Bundesliga.
Dortmundi është lider në Bundesliga me 31 pikë, gjashtë më shumë se Mainzi në pozitën e dytë që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Sulmuesi i Milanit, Alxandre Pato, ka pësuar një lëndim gjatë fitores prej 3-1 ndaj Palermos, ndërsa skanimet e para kanë treguar se braziliani do të jetë jashtë fushave të blerta për së paku gjashtë javë.
Tashmë ishte e ditur se Pato do të mungonte në superderbin ndaj Interit të dielën, por testet tani kanë konfirmuar se ai do të jetë jashtë aksionit deri në fund të muajit të ardhshëm.
“Mjeku kryesor te Milani, Dr. Gianluca Melegati, bën të ditur se ekzaminimet mjekësore kanë zbuluar një lëndim të shkallës së dytë në muskulin e kofshës së majtë. Koha e riaftësimit është rreth gjashtë javë”, shkruan në komunikatën e klubit Rossoner.
Ky është një lajm tjetër i keq për Milanin pasi që ishte konfirmuar përfundimi i sezonit për sulmuesin veterean Filippo Inzaghi, edhe ky për shkak të lëndimit.
Manchester United do ta mirëpresë së shpejti Wayne Rooneyn e kthyer nga SHBA-ja, me shpresë se forma e tij fizike është përmirësuar, me ç’rast dhe do të jetë i gatshëm për aksion.
Sulmuesi anglez javën e fundit ka qëndruar në selinë e Nike në Beaverton të SHBA-së për të punuar në formën fizike. Rooney ka pasur probleme me një lëndim në nyje këtë sezon, i cili ia pamundësoi paraqitjen për United që nga shtatori.
Rooney do të kthehet në Angli të shtunën, ndërsa do të kontrollohet nga stafi mjekësor i United të hënën. Për këtë arsye është pak e besueshme se asi anglez do të paraqitet në miqësoren e Anglisë ndaj Francës të mërkurën.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, është lënë jashtë fushave të blerta edhe për së paku tri javë, pasi është dashur të largohet nga stërvitja e të mërkurës, për shkak të një dëmtimi të ri muskulor.
Mesfushori anglez ishte fare pranë rikthimit në aksion dhe atë këtë fundjavë ndaj Sunderlandit, por menaxheri Carlo Ancelotti ka konfirmuar së fundmi se Lampard nuk do të luajë pasi pësoi një lëndim muskulor në fund të stërvitjes.
Lampard nuk luan që nga gushti për shkak të problemeve në shpinë dhe tendinë, por iu rikthye stërvitjeve së fundmi. Megjithatë, shpresat e Ancelottit për një rikthim të ‘Lamps’ janë të parealizueshme.
Bosi i Real Madridit, Jose Mourinho, ia ka tërhequr vërejtjen Manchester Unitedit që të nxitojë dhe ta zë Chelsean, përndryshe Blutë e Londrës do ta fitojnë me komoditet titullin e dytë me radhë në Ligën Premier.
“Chelsea ka humbur vetëm dy ndeshje këtë sezon dhe shikoni se sa herë kanë lëshuar pikë skuadra si Manchester United, Arsenal dhe Manchester City”.
“Do të jetë përballje kokë më kokë në Angli, por nëse Manchester United nuk do të jetë i kujdesshëm, atëherë do të jetë garë një-kokëshe, pra Chelsea do ta fitojë titullin pa problem”, u shpreh Mourinho.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka pranuar se klubi i tij ka preferuar që derbi më i madh në botë ‘el Classico’ të zhvillohet të dielën ose të hënën, për shkak të angazhimeve në Ligën e Kampionëve.
“Ne te Barcelona kemi preferuar që të luajmë të dielën ose të hënën. Kjo na jep më shumë ditë pushim, por nëse do të ishim detyruar të luajmë të shtunën, atëherë do ta kishim bërë. Ata që vendosin janë zyrtarët e La Ligas dhe ata e kanë kuptuar se sa të rëndësishme janë zgjedhjet në këtë vend”, theksoi Guardiola.
Guardiola ironizoi deklaratën e mëherëshme të Jose Mourinhos, i cili tha se po të ishte president i Barcelonës, do t’ia ofronte Guardiolës kontratë 50-vjeçare.
“Unë mendova se Mourinho ka kërkuar më shumë. Unë nuk do të ndihesha mirë së qeni këtu për 50 vjet. Për dy vjet jam bezdisur dhe paramendoni për 50 vjet. Ky nuk është miku të cilin e dua më së shumti”, përfundoi Pep.
Kontrata aktuale e Bastian Schweinsteiger me Bayernin e Munichut skadon në verën e vitit 2012, ndërsa reprezentuesi gjerman pritet që ta marrë shumë shpejt vendimin për të ardhmen e tij.
“Po, unë po i afrohem vendimit. Shkathtësitë futbollistike të Bayernit janë zhvilluar shumë viteve të fundit, që ishte jashtëzakonisht mirë”.
“Sezonin e kaluar, ne kemi parë se sa larg mund ta shpiej Louis Van Gaal ekipin e tij. Unë shpresoj se ai do të qëndrojë te Bayerni për një kohë të gjatë. Ai punon mirë me klubin. Qëllimi im është ta fitoj Ligën e Kampionëve dhe unë gjithmonë kam thënë se mund ta bëj këtë edhe me klubet tjera”, tha Schweini për Sport1.
Ngasësi i McLaren, Lewis Hamilton, ka arritur që të jetë më i shpejti në provat e lira para garës për Çmimin e Madh të Abu Dhabit.
Piloti i McLaren i cili ka gjasa të vogla për ta fituar titullin në garën e të dielës, arriti që ta regjistrojë xhiron më të shpejtë. Pas tij vijnë ngasësit e Red Bull, Vettel dhe Webber.
Përkundër formës së mirë të treguar nga britaniku Hamilton, është pak e mundur që në garën e fundit të këtij sezoni piloti i McLaren ta fitojë titullin, pasi që ka 24 pikë më pak se Fernando Alonso. Fitorja në Abu Dhabi do t’i jipte 25 pikë britanikut Hamilton, që do të thotë se ai duhet të llogarisë në dështimin e konkurrentëve të tij.
Përzgjedhësi i Italisë, Cesare Prandelli, po tregohet gjithnjë e më i ashpër me lojtarët e pasjellshëm, përderisa Antonio Cassano është lënë jashtë përbërjes së Italisë ndaj Rumanisë, pas problemeve të sulmuesit te klubi i tij.
“Cassano? Unë kam thënë se nuk do të thërras lojtarë të cilët kanë shfaqur sjellje të këqija apo të dhunshme. Kur një lojtar është jashtë një ekipi, atëherë ai nuk mund të ftohet nga kombëtarja”.
“Unë nuk dua ta përjashtoj Cassanon, por ai duhet t’i zgjidhë problemet me Sampdorian. Unë kam biseduar me të dhe kam pasur përshtypjen se dëshiron ta lë futbollin, por i kam thënë atij se duhet të reflektojë dhe të qëndrojë pranë familjes së tij”, precizoi Prandelli.