Bosët e Manchester Cityt kanë kërkuar nga pronari Sheikh Mansour që të financojë transferimin e një sulmuesi të ri gjatë afatit kalimtar dimëror.
Mail on Sunday shkruan se krerët e Manchester Cityt, Garry Cook dhe Brian Marwood do të largohen nga Anglia për të shkuar në Abu Dhabi në mënyrë që të bëhet planifikimi i transferimeve ose të Fernando Torres ose të Edin Dzekos.
Takimi i nivelit të lartë mund të ketë për pasojë shkarkimin e Roberto Mancinit, i cili u vërshëllye nga tifozët. Poashtu pritet që Sheik Mansour të shtrojë pyetjen se pse nuk mjaftuan 300 milionë funte për të arritur sukses.
Carlos Tevez dhe Roberto Mancini Manchester City ka hedhur poshtë pohimet për angazhimin e superstrategut Guus Hiddink, si zëvëndësim për Roberto Mancinin.
“Ne fuqishëm mohojmë se kemi qenë në kontakt me Guus Hiddink apo ndonjë menaxher tjetër për mundësinë e zëvëndësimit të Roberto Mancinit”, theksoi Vicky Kloss, zyrtare për media te City.
Manchester City po kalon nëpër formë shumë të dobët javëve të fundit, duke bërë kështu ngritjen e spekulimeve për të ardhmen e italianit Roberto Mancini.
Zlatan Ibrahimovic dhe Matthieu Flamini festojnë golin e vetëm në ndeshje Interi ka pësuar humbje në derbin më të madh lokal në botë, Derbi della Madonnina, ndaj Milanit me rezultat minimal 1-0.
Kthehemi në ndeshje. Milani fillon furishëm ndeshjen, pasi që në rastin e parë dhe në kontaktin e parë me top të ish-sulmuesit të Interit, Zlatan Ibrahimovic, shkaktohet një penalti nga Marco Materazzi. Përgjegjësinë e mori Zlatan ‘Ibracadabra’ që nuk u tremb nga tifozët Nerazzur përballë tij, duke qenë tejet i ftohtë nga pika e bardhë për 1-0 dhe epërsinë e hershme të Milanit.
Ashtu siç e kemi cekur në analizat ekskluzive për këtë derbi, epërsia e hershme e Milanit ishte vrasëse për Interin. Milani me presionin e lartë mbi mesfushorët e Interit dhe me Thiago Silvën që nuk e lejoi të lëvizë Militon, e diktoi ndeshjen.Ibra shënon dhe gëzohet... Një lojë tejet e zbehtë e Nerazzurëve bën që Milani të shfaqet përsëri rezikshëm me anë të asit Zlatan Ibrahimovic, i cili së pari asistoi për Robinhon që dështoi dhe së dyti e dërgoi në ‘ëndrra’ Lucion me një mashtrim, për ta vënë përpara portës së Castellazit mesfushorin Matthieu Flamini, të cilit ia largoi topin Materazzi.
Rastin e vetëm dhe më të mirë në pjesën e parë për Interin e pati Wesley Sneijder nga goditja e dënimit, gjuajtje e cila përpak sa nuk përfundoi në rrjetë.
Në pjesën e dytë Milani vazhdoi me lojë të baraspeshuar, por pa rrezikuar portën kundërshtare. Interi nga ana tjetër bën presion, por pa kurrfar rreziku pos disa goditjeve relativisht të rrezikshme nga Wesley Sneijder, më i miri në taborin zi-kaltër.
Momenti kyç në pjesën e dytë u regjistrua në minutën e 60-të, kur pas një provokimi të Goran Pandev, ashpër reagoi Ignazio Abate me ç’rast u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për t’u përshëndetur nga sfida.Robinho ishte atraktiv për Rossonerët dhe gjëja e vetme që i mungoi ishte goli...
Përkundër epërsisë numerike në fushë, Interi nuk arriti që të barazojë rezultatin, falë një mbrojtje tejet solide nga skuadra kuq e zi me në krye sulmuesin Zlatan Ibrahimovic, i cili nuk u emocionua fare nga koreografitë speciale për të.
Pas javës së 12-të Milani e sheh veten në pozitën e parë me 26 pikë, një pikë më shumë se vendi i dytë Lazio dhe gjashtë më shumë se rivali i përgjakshëm Inter në pozitën e pestë.
Gonzalo Higuain realizoi golin e fitores Real Madridi ka shënuar fitore me rezultat prej 1-0 si mysafir i Sporting Gijonit në një ndeshje tejet atraktive për sy.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi pa gola, ndërsa pas një pjese të dytë mjaft dinamike u shënua vetem një gol.
Një krosim të Sergio Ramos e shfrytëzoi Karim Benzema, i cili goditi me kokë në drejtim të portës, ndërsa aty u gjend Gonzalo Higuain për të shënuar golin e fitores (82’).
Pas kësaj fitoreje, Reali rikthen pozitën e parë në tabelë me një pikë më shumë se Barcelona.
Chelsea ka pësuar humbje të pabesueshme nga Sunderlandi midis Stamford Bridge me rezultat 3-0.
Blutë nuk treguan asgjë në këtë takim, me Sunderlandin që bëri presion dhe arriti të jetë sfidant për kampionët e Anglisë.
Falë një Peter Cech fantastik nuk pati gola deri në fund të pjesës së parë, kur Nedum Onuoha në mënyrë fantastike depërtoi në mbrojtjen e Chelseat për të shënuar (45’), për 1-0. Në pjesën e dytë vetëm sa u finalizua turpi i Chelseat. Asamoah Gyan realizoi për 2-0, pas një aksioni perfekt të organizuar nga Danny Welbeck dhe Jordan Henderson (52’). Rezultatin përfundimtar 3-0 e vuri lojtari i ndeshjes Danny Welbeck, që shfrytëzoi një gabim katastrofal të Ashley Cole (87’). Kush do ta kishte menduar këtë fitore të Sunderlandit pak javë më parë kur po kjo skuadër u shkatërrua 5-1 nga Newcastle?
Sidoqoftë, Chelsea mbetet lider në tabelë me 28 pikë, dy më shumë se Arsenali që do ta ketë rastin javën e ardhshme të bëhet lider në Ligën Premier nëse mposht Tottenhamin.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, ka thënë se katalanasit ishin shumë të fortë ndaj Villarealit në derbin e kësaj fundjave në La Liga.
“Unë jam shumë i kënaqur me rezultatin, por gjëja më e rëndësishme është që ne të punojmë mirë dhe shpresoj se ekipi do të fitojë. Vazhdimsia është gjithçka dhe unë jam i kënaqur me formën time para golit”.
“Messi po më befason pas çdo ndeshje. Ne po luajmë shumë mirë dhe shpresoj se mund ta mbajmë këtë para ‘el Classicos’”, u shpreh sulmuesi spanjoll.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka deklaruar se ai planifikon të qëndrojë te klubi nga Londra Perëndimore, Chelsea.
“Unë do të doja të qëndroj të Chelsea dhe kjo është ajo që po tentoj të bëj. Është moment i mirë për mua, pasi që ky është klubi ku kam qëndruar më së shumti në jetën time dhe gjithçka është e përgatitur që të përfundoj karrierën këtu”.
“Familja është përshtatur këtu, fëmijëve u pëlqen shkolla dhe do të ishte shumë e vështirë për ata, që të largohen nga ky vend. Të gjithë janë të lumtur këtu. Mua më pëlqen shumë Londra, nëse më mungon diçka, atëherë thjesht mund të kthehem në Francë”, precizoi Drogba.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, ka vënë në pikëpyetje ambiciet e Manchester Cityt pas barazimit monoton pa gola në derbin e mesjavës së kaluar.
“Pasi që City luante në shtëpi, ne kemi pritur që ata të hapen dhe të luajnë me ne. Por, ata thjesht qëndruan aty duke na pritur. Menaxheri ynë nuk do të na lejonte të luajmë ashtu. Kjo është arsyeja pse ai ka arritur gjithë këtë sukses. Ai nuk do të na lejonte të luajmë në shtëpi dhe të mos sulmojmë”.
“Të gjithë kanë stilin e tyre. Roberto Mancini është italian dhe ai ka mënyrën e vet të të menduarit. Nëse ai mendon se kështu do të bëhet i suksesshëm te City, atëherë mirë për të. Unë po flas si lojtar i United dhe mund të them se nuk do të luaja në Old Trafford duke u mbrojtur”, u shpreh Ferdinand.
Anësori i Arsenalit, Theo Walcott, ka zbuluar se superylli i Tottenhamit, Gareth Bale, është tifoz i Arsenalit, pasi që Walcott e njeh mirë mbrojtësin e Tottenhamit, nga koha kur kanë qenë në akademinë e Sunderlandit.
“Ne ishim cimerë. Ne kemi jetuar së bashku dhe kemi lënë gjurmë kudo që kemi shkuar. Ne kemi dashur të lëmë gjurmët tona, por tashmë ajo është e kaluar”.
“Unë kam luajtur me të që nga mosha 11 vjeçare te Sunderlandi. Me të që është tifoz i Arsenalit, është turp që ai nuk luan për ne”, u shpreh Walcott.
Arsenali ka arritur të shënojë fitore tejet të rëndësishme në Godisson Park te Evertoni, me rezultat të pastër 2-1.
Arsenali e dominoi ndeshjen lehtë, por as Evertoni nuk është sprapsur, pasi që të urdhëruarit e David Moyes nuk arritën të shënojnë as një gol të vetëm, përkundër mundësive.
Bacary Sagna zhbllokoi rezultatin falë ndihmës së Andrey Arshavin pas 36-të minutash lojë.
Me të filluar pjesa e dytë, Marouane Chamakh asistoi për Cesc Fabregas i cili iu rikthye golave (48’), për 2-0. Evertoni bëri presion, por pos një goli të Tim Cahill (89’), vendasit nuk arritën të nxjerrin së paku një barazim.Arsenali përkohësisht do të jetë lider në Ligën Premier me 29 pikë, një më shumë se Chelsea që do të zhvillojë ndeshjen ndaj Sunderlandit.
Pas fitores prej 4-2 të PSV ndaj Exelsiorit në Eredivisie, është drejtori sportiv i skuadrës holandeze, Marcel Brands, ai që ka konfirmuar se Ibrahim Afellay është fare pranë transferimit te Barcelona.
“Është e vështirë të ndalosh një lojtar nga akademia juaj t’i bashkohet një klubi siç është Barcelona. Por, Afellay ka bërë më të mirën për ne, ndërsa Barcelona ka ardhur këtej pari me dëshirën për të ofruar 2 deri në 4 milionë euro”, theksoi Brands.
Nga ana tjetër, Afellay u shpreh: “Gjasat që unë të luaj për Barcelonën? Së pari duhet konfirmuar oferta, më pas do të shohim”.
Ibrahim Afellay ishte lidhur me një kalim te Interi dhe së fundmi te Barcelona, pasi që kontrata e tij skadon në qershor të vitit të ardhshëm.
Pasi e pa skuadrën e tij të kthehet në lojë për një barazim 1-1 ndaj Juventusit, traneri Claudio Ranieri lëvdoi lojtarët e tij për karakterin e treguar ndaj bardh e zinjve.
“Skuadra ime kërkoi të fitonte. Në periudhën hapëse ne patëm posedim të mirë, por nuk rrezikuam mjaft para golit. Juventusi na dënoi me rastin e parë dhe ne është dashur të punojmë shumë për t’u kthyer në ndeshje”.
“Në pjesën e dytë kemi mundur të fitojmë, por unë jam i kënaqur me karakterin e treguar nga ekipi im, që luftoi deri në fund. Ky është një grup i shëndetshëm që ka treguar aftësinë për t’u rikthyer në momente të vështira. Përkundër lëndimeve të shumta muajve të fundit, ne jemi ende në fillim të gjërave dhe kjo më jep besim për të ardhmen”, ka thënë Ranieri.
Ngasësi i Red Bull, Sebastian Vettel, është kampioni i ri i botës në Formula 1, pasi arriti ta fitojë garën për Çmimin e Madh të Abu Dhabit. Fernando Alonso dështoi të mbante pozitën e tretë nga kualifikimet, pas një starti jo të mirë dhe një gare katastrofale të shfaqur nga piloti spanjoll. Në klasifikimin përfundimtar Fernando Alonso i Ferrarit del vetëm nënkampion me 252 pikë, katër më pak se kampioni Sebastian Vettel.

Vetëm një javë më parë Red Bull fitoi titullin për konstruktorë dhe triumfi i Vettel si kampion rrumbullakësojnë një sezon fantastik për skuderinë Red Bull.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka pohuar se trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, do të pritet mirë nga tifozët katalanas në Camp Nou, në ‘el Classicon’ që zhvillohet në fund të muajit.
“Njerëzit në stadium do ta presin atë ashtu siç e meriton”, theksoi Rosell për Marca.
Jose Mourinho u edukua nën Sir Bobby Robsonin në kohën kur ky i fundit ishte trajner i Barcelonës, për t’u kthyer më vonë në Camp Nou me Interin dhe Chelsean.
Mauro Zarate Lazio ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Napolit në duelin e zhvilluar mesditën e të dielës në kuadër të javës së 12-të të Serie A.
Ndeshja ishte tejet e balancuar me Lazion që shfrytëzoi maksimalisht mundësitë e treguara. Mauro Zarate përfitoi pas pasimit të mirë të Stefano Maurit për të shënuar për epërsinë e parë 1-0 (15’).
Në pjesën e dytë u formalizua fitorja e Lazios, tani përsëri me Zaraten në skenë i cili shkëlqeu në këtë takim, pasi që asistoi në golin e dytë dhe përfundimtar të sfidës të shënuar nga Sergio Floccari (61’).
Lazio përkohësisht është lider në Serie A me 25 pikë dhe mund ta mbajë kreun nëse ndodh që Interi (në pozitën e pestë me 20 pikë), ta mposhtë Milanin i cili është në pozitën e dytë me 23 pikë. Edhe një barazim në derbi do ta mbante Lazion në krye.
Pasi një penalti tejet kontroverse i kushtoi Juventusit me fitore ndaj Romës të shtunën mbrëma, ishte trajneri Luigi Del Neri ai që lëvdoi Bianconerët për paraqitjen mjaft të mirë.
“Ne luajtëm shumë mirë. Unë nuk mund të ankohem për rezultatin, por mendoj se njerëzit e mi e merituan fitoren. Ne krijuam raste të shumta para golit, por gjetëm rrjetën vetëm një herë”.
“Ndaj një skuadre të Romës që ka fluturuar së fundmi, ne kemi luajtur shumë mirë. Tabela dhe mundësia e lëshuar për vendin e dytë? Nuk më intereson tabela, vetëm ekipi im”, u shpreh pas ndeshjes Del Neri.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, duket se i ka rregulluar gjërat te klubi anglez, pasi që i ka marrë kohë vetes për të folur mbi derbin më të madh lokal në botë, Inter – Milan, ku sheh si favoritë dhe përkrah hapur Rossonerët.
“Shumë po flitet për Benitezin, por është normale që në këto raste paguan trajneri. Mendoj se Benitez nuk është fajtor për situatën aktuale, sidomos pasi është përballur me një numër të madh të lëndimeve. Natyrisht, ta zëvëndësojë Mourinhon nuk do të jetë e lehtë, sidomos për faktin se ai ka fituar gjithçka”.
“Parashikimi për derbin? Zemra ime është me Milanin dhe shpresoj të fitojë Milani”, deklaroi Ancelotti.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është shprehur tejet i pakënaqur me lojën e skuadrës së tij para derbit ndaj Milanit.
Bosi i Interit që gjendet aktualisht në Turqi për të nënshkruar një marrëveshje me kompaninë Turkish Airlines, ishte tejet kritik për lojën e skuadrës së tij, por shprehu besim para ndeshjes së madhe ndaj rivalit të madh.
“Ne nuk jemi të kënaqur me rezultatet dhe paraqitjet e ekpit, por kemi besim të madh te Benitezi. Kampionati është i gjatë dhe shumë i hapur. Unë kam besim dhe unë dua të fitoj. Natyrisht, nuk e di se si do të mbarojë takimi”, theksoi Moratti.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, është shprehur tejet optimist para supersfidës ndaj Interit, duke thënë se Rossonerët do ta fitojnë titullin nëse mposhtin Nerazzurët.
“Nëse fitojmë ndaj Interit, do ta fitojmë Scudetton”, theksoi Galliani.
Milani aktualisht është në krye të Series A me 23 pikë, tre më shumë se Interi në pozitën e katërt.
Manchester United pritet që të dënohet me 65 mijë funte nga Liga Premier, për shkak se Sir Alex Ferguson është duke e vazhduar bojkotin ndaj BBC.
Refuzimi i Ferguson për t’u deklaruar për BBC tashmë është kundër rregulloreve të Ligës Premier, pasi që televizioni më i madh britanik është bërë partner i kampionatit më të fortë në botë. Kështu, sipas Daily Mail kreu i Ligës Premier, Sir David Richards, ka qenë në kontakt me shefin ekzekutiv të Manchester United, David Gill, për të biseduar mbi sanksionet që do ta presin klubin nga Old Trafford.
Nën marrëveshjen e re televizie, të gjithë menaxherët e klubeve duhet të deklarohen para dhe pas ndeshjes nëse kjo u kërkohet atyre nga BBC. United mund të dënohet me nga 20 mijë funte secilën herë që refuzon të flasë Ferguson, një gjë që skocezi e ka bërë 13 herë këtë sezon.
Ferguson është duke e bojkotuar televizionin BBC që nga viti 2004, kur është shfaqur një dokumentar i cili e hetoi djalin e tij Jason Ferguson dhe lidhjet e tij me Manchester United si agjent futbolli.
Alban Bunjaku Mesfushori kosovar i të rinjve të Arsenalit, Alban Bunjaku, ia ka treguar vendin skuadrës Ipswich Town në kampionatin U-18, për t’ia dhuruar akademisë së Arsenalit fitoren e dytë në dy ndeshje.
Mesfushori ofensiv zhbllokoi rezultatin në minutën e 14-të, para se ta dyfishonte rezultatin për vetëm 60 sekonda.
Bunjaku e kompletoi hettrikun e tij tetë minuta pa përfunduar pjesa e parë, para se një gol i nderit i Caolan Laveryt ta vuloste rezultatin përfundimtar 3-1 për Arsenalin.
Ishte kjo një paraqitje fantastike e kosovarit, i cili realizoi tri gola brenda 23 minutave në pjesën e parë.
Roberto Mancini ka refuzuar të pranojë se është nën presion të tifozëve të Manchester Cityt pas barazimit turpërues ndaj Birminghamit në shtëpi.
“Çfarë presioni? Për çfarë? Ju vazhdoni të thoni se jam nën presion. Unë nuk jam nën presion”.
“Ne jemi në pozitën e katërt. Kemi disa probleme, por duhet të përmirësohemi. Cili presion? Për shkak të disa tifozëve që thonë të vë në lojë më shumë sulmues? Ne kemi lojtarë të shumtë dhe mund të luajmë me baraspeshë”, ka thënë Mancini.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, beson se sfida unike që ia ka vënë loja e Stoke Cityt skuadrës së tij ishte arsyeja pse ekipi i tij nuk ishte në gjendje të përsërisë formën e lartë sikurse ndaj Chelseat.
“Chelsea dhe Stoke City janë dy ekipe të ndryshme, apo jo? Ne jemi mbrojtur nga rivënie të gjata dhe nga topa të gjatë të cilët kanë goditur mbrojtjen tonë, kornerë dhe topa tjerë fluturonin vazhdimisht në zonën tonë”.
“Chelsea është ekip që e lëviz topin nëpër fushë dhe ju duhet t’i kontrolloni ata. Nuk mendoj se mund të krahasoni ndeshjet ndaj Chelseat me ato ndaj Stoke Cityt. Ky padyshim është rezultat i keq. Ndoshta lëndimi i Torres ka ndikuar në rezultat”, ka thënë Hodgson.
Pas fitores së jashtëzakonshme të David Haye ndaj Audley Harrison të shtunën mbrëma, është pikërisht kampioni i WBA-së ai që definitivisht ka vendosur t’i sfidojë vëllezërit Klitschko dhe jo të ikë prej tyre.
“Ishte start i matur ky dhe e dija se Audley do të jetë një viktimë e radhës. Por, unë e kreva punën time dhe tani do t’i mposhti vëllezërit Klitschko vitin ardhshëm”, theksoi Haye.
“Një prej vëllezërve Klitschko kërkon një luftë përfundimtare dhe David poashtu dëshiron një të tillë. David do të pensionohet tetorin e vitit të ardhshëm, kështu që ata nuk kanë kohë për të bërë thashetheme. Ai do ta mposhtë Wladimirin para verës dhe pas verës do t’ia tregojë vendin Vitali Klitschkos”, tha trajneri i Haye, Adam Both.
Muaj më parë Vitali Klitschko deklaroi se David Haye dëshiron t’i shmanget duelit me të dhe vëllain e tij, për shkak se ka frikë dhe për këtë arsye do ta zvarrisë mundësinë e duelimit deri tetorin e ardhshëm, me pretekst pensionimin.
Sir Alex Ferguson ka lëvduar paraqitjen e Aston Villas ndaj skuadrës së tij Manchester United, duke thënë se Djajtë e tij kanë mundur të humbasin me gjashtë ose shtatë gola epërsi.
“Komplimente për Aston Villan, ata luftuan, bënë gjithçka dhe tifozët i mbajtën të gjallë. Kjo e bëri ndeshjen të vështirë për ne. Villa kurrë nuk lejoi posedimin tonë mbi top dhe ata vazhdimisht na sulmonin në kundërsulme. Ne kemi mundur të humbasim me gjashtë ose shtatë gola dizavantazh”, theksoi Ferguson.
Ferguson paralajmëroi rikthimin e Wayne Rooneyt në lojë për një kohë të shkurtër, me ç’rast tha se sulmuesi anglez stërviti shumë për t’u riaftësuar.
David Haye ka arritur që pa kurrfarë problemi ta mposhtë bashkëkombasin e tij, britanikun Audley Harrison, në duelin e zhvilluar në MEN Arena të Mançesterit.
Tri roundet e para ishin tejet monotone, me shikuesit e pranishëm në sallë, të cilët vërshëllyen për performancën e dobët të treguar nga boksierët.
Sidoqoftë, kampionit aktual në WBA, David Haye, iu nevojit vetëm raundi i tretë për ta rrëzuar në tokë Audley Harrison, të cilin e mposhti pas nokautit teknik (KO).
Me këtë fitore David Haye definitivisht u është afruar si kurrë më parë vëllezërve Klitschko, me të cilët nuk ka marrëdhënie aspak të mira dhe disa hesape të pasqaruara.