Real Madridi të dielën mundi Gijonin 1:0, mirëpo mbrojtësi Sergio Ramos këtë takim do të mbajë mend pas një gafe të madhe.
Ramos që mban numrin 4, mbi 60 minuta ka luajtur me numrin 3 në pjesën e poshtme të veshjes sportive.
Si duket Ramos nuk ka qenë sa duhet i kujdesshëm deri sa është veshur para takimit, duke bartur fanellën e tij, por në pjesën e poshtme ka mbajtur numrin 3, i cili i takon Pepes.
Interesant është fakti që këtë gafë nuk e ka vrejtur askush deri në minutën e 60-të, kur arbitri kryesor e dërgoi Ramosin të përmirësojë gabimin.
Mbetet e paqartë si si kanë përfunduar veshjet e poshme të Pepes në trup të Ramosit.
Pronari i Liverpoolit, John Henry, ka kërkuar nga ekipi i tij që të bëjë çmos për të qëndruar sa më lart në renditjen e Ligës Premier dhe të mos fajësohet Roy Hodgson për zhgënjimet e fundit.
“Është në dorë tonën të ndërtojmë skuadrën, ndërsa është në dorën e futbollistëve të fitojnë. Ne e dimë se sa konkurruese është Liga Premier këtë vit për çdo klub. Ky klub mund të përmirësohet”.
“Klubi po kalon nëpër periudhë të vështirë dhe kjo periudhë nuk ka mbaruar. Të fajësojmë menaxherin ose ndonjë lojtar është gabim. Ky klub duhet të luajë në maksimumin e potencialit çdo ndeshje. Nëse jo, atëherë nuk fiton”, precizoi Hodgson.
Mbrojtësi i Barcelonës, Carles Puyol, ka folur për krenarinë e tij pas paraqitjes së 500-të në fanellën e Barcelonës fundjavën që posa e lamë pas.
“Unë jam vetëm në gjysmë të karrierës time. Unë tani po tentoj të jem i përqëndruar, jo vetëm se sa ndeshje do i luaj, por edhe sa gjatë do vazhdoj së luajturi. Unë po tentoj të përmirësohem çdo ditë dhe të kënaqem me futbollin. Unë jam krenar që jam në gjendje të luaj për këtë ekip”, u shpreh Puyol.
Puyol debutoi për Barcelonën në moshën 21 vjeçare në fitoren prej 2-0 ndaj Valladolidit më 2 tetor të vitit 1999. Ai fitoi 13 tituj me klubin katalanas.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, ka pranuar se ndihet më mirë pasi siguroi fitoren minimale ndaj Sporting Gijonit, në ndeshjen tejet të nxehtë të zhvilluar në El Molinon.
“Ishte ndeshje shumë e vështirë për shkak të atmosferës në stadium e cila diktoi atë që ndodhi në fushë. Ne e kemi pritur atë, por ne fituam dhe morëm pikë vitale. Ne e kemi ditur se Barcelona nuk lëshoi pikë dhe është dashur të fitojmë. Kjo është fitore e rëndësishme sepse këto pikë mund ta vendosin titullin”.
“Është me rëndësi të jemi liderë kur do të luajmë në Camp Nou. Jam zëvëndësuar menjëherë pas golit, por për këtë vendos trajneri. Me rëndësi është që jam shumë i kënaqur me paraqitjen time”, u shpreh ‘El Pipita’.
Skuadra holandeze PSV ka konfirmuar në faqen zyrtare të klubit se ka arritur marrëveshje me Barcelonën për transferimin në Camp Nou të sulmuesit Ibrahim Afellay.
Vet holandezi është shprehur i kënaqur që ëndrra e tij për të kaluar te Barcelona do të bëhet realitet. Për zyrtarizimin e këtij transferimi ka mbetur që të arrihet marrëveshja mes agjentit të lojtarit, Rob Jansen dhe Barcelonës mbi detajet e kontratës.
Sipas mediave holandeze negociatat janë duke shkuar në drejtim të duhur, por ende nuk janë finalizuar. Kur të arrihet marrëveshja definitive atëherë Afellay do të luajë për Barcelonën që nga janari i vitit 2010.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, nuk gjeti fjalë për ta përshkruar magjinë dhe superioritetin e Lionel Messit.
“Unë nuk e di çfarë të them. Nuk ka fjalë me të cilat mund të përshkruash atë që bën Leo. Mendoj se ai do të qëndrojë më shumë në këtë klub se sa thotë kontrata e tij. Ai meriton gjithë këto lëvdata dhe gjithë këto intervista”, theksoi Rosell.
Lionel Messi shfaqi paraqitje fantastike ndaj Villarealit, duke përdorur talentin e tij prej gjeniu në momente vendimtare për Barcelonën.
Interi është gjashtë pikë prapa Milanit në tabelën e Serie A, ndërsa mesfushori nerazzur, Wesley Sneijder, ka vendosur ta përkrahë shkaktarin e krizës, Rafa Benitez, duke thënë se trajneri i Interit nuk do të shkarkohet.
“Jam ngopur me emrin e Rafës nëpër gazeta. Këto janë spekulime palidhje. Unë marr një pjesë të fajit për situatën e krijuar. Ekipi që fitoi Ligën e Kampionëve ishte i përbërë nga 22 luanë. E njëjta gjë është sot dhe ne do të luajmë mirë edhe nën Benitezin”.
“Tani duhet të luajmë mirë në Serie A dhe Ligën e Kampionëve. Më pas do të luajmë në Kampionatin Botëror të Klubeve. Topi i Artë është vetëm bonus, por do të doja ta fitoja”.
“Ishte emocion fantastik në derbi, për këtë është futbolli. Unë kam parë shumë respekt mes tifozëve të Interit dhe Milanit. Unë vërtet u kënaqa dhe jam krenar me tifozët Nerazzur. Unë dua t’i falënderoj ata”, përfundoi Sneijder.
Kampioni i ri në Formula 1, Sebastian Vettel, ka deklaruar se kurrë nuk e ka humbur besimin se do ta fitojë titullin e Formula 1, përkundër faktit se hyri në garën e fundit i pozicionuar në vendin e tretë.
“Ne gjithnjë besuam në ekipin, në makinën dhe unë besova në vetvete. Ishte një vit i jashtëzakonshëm, makina ishte fenomenale. Jam i ngazëllyer”, theksoi Vettel.
Gjermani bëhet ngasësi më i ri në historinë e Formula 1 që fiton titullin dhe që arriti të fitonte një pole pozicion.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ka zbutur atmosferën e tensionuar para ‘el Classicos’, duke thënë se trajneri i rivalit të përbetuar, Pep Guardiola, është shembull për të gjithë.
“Ai është trajner i madh dhe njeri i mrekullueshëm. Ai është një prej më të mirëve në Evropë dhe ai duhet të jetë shembull për të gjithë ne”, theksoi Casillas.
“David Villa? Unë kam qëndruar me të për gjysmë ore këtë mëngjes dhe ne nuk e kemi përmendur ‘el Classicon’. Ne kemi ndeshje tjera para nesh dhe nuk na intereson aq shumë ‘el Classico’”, ka thënë Casillas.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka bërë të ditur se Rossonerët e kanë ditur që në fillim se Zlatan Ibrahimovic do të jetë njeriu që do t’ia garantojë Milanit hyrjen në luftën për Scudetto.
“Ishte një fitore e rëndësishme dhe e madhe e cila na mungoi që dy vjet. Ne filluam të luftojmë për Scudetton në gusht, kur erdhën Zlatan Ibrahimovic dhe Robinho”.
“Pasi bëmë këto transferime, ne ishim të obliguar të luftojmë për Scudetto”, theksoi Galliani.
Njeriu më kontravers në futbollin italian, Luciano Moggi, e ka quajtur Rafa Benitezin si marinar që e ka humbur kontrollin mbi anijen e tij Inter, pas disfatës turpëruese nga Milani në Derbi Della Madonnina, ndërsa për ish-drejtorin e Juves, Rossonerët janë favoritët absolut për Scudetto.
“Milani tani është favorit për titullin. Interi ishte skuadër arrogante nën Jose Mourinhon, por tani ata janë nën udhëheqjen e marinarit Benitez dhe janë jashtë kontrollit”.
“Ata nuk kanë fortësi fizike. Ndeshja u përcoll nga vendime të caktuara dhe tani do t’i dëgjoni qentë e Interit duke lehur vazhdimisht”, tha Moggi.
Kohëve të fundit ka filluar të flitet shumë për atë se kush e meriton Topin e Artë të këtij viti, pasi që në konkurrencë të ngushtë janë fituesit e Kampionatit Botëror, Xavi dhe Iniesta, ashtu si njeriu që e udhëhoqi Interin drejt trofeve, Wesley Sneijder.
Për fituesin e vitit të kaluar të Topit të Artë, Lionel Messi, fituesi i Topit të Artë i këtij viti duhet të jetë patjetër një prej bashkëlojtarëve të tij, pasi që ndjen se ai nuk ka gjasa.
“Për mua është e qartë që Kampionati Botëror do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në këtë vendim, i cili u jep epërsi të dukshme kolegëve të mi spanjollë. Nëse unë nuk e fitoj, atëherë sinqerisht shpresoj që t’i shkojë një prej lojtarëve të mi. Të gjitha parashikimet janë pro Xavit dhe Andres Iniestas”, precizoi argjentinasi.
Massimiliano Allegri ka qetësuar tifozët Rossoner dhe ngazëllimin e tyre pas fitores së madhe ndaj Interit në derbi, duke thënë se gjashtë pikë nuk janë asgjë.
“Gjashtë pikë janë mjaft dhe ne do të vazhdojmë të punojmë qetësisht, por këto gjashtë pikë nuk janë të mjaftueshme. Ekipi luajti vërtet mirë, ata nuk lejuan që asgjë të ikë, as kur ishim me një lojtar më pak. Ne luajtëm mirë, ne ishim agresivë dhe ne krijuam shumë raste, jam i kënaqur me këtë”.
“Ibrahimovic? Ai shënoi, ai luajti shumë mirë dhe ndihmoi bashkëlojtarët. Kur luani kështu, ju mund të arrini rezultate të mira. Ne shfaqëm sakrificë në mbrojtje dhe dëshirë për të sulmuar kur kishim topin”, deklaroi Allegri për faqen zyrtare të FIFA-s.
Drejtori i Interit, Ernesto Paolillo, është vënë në mbrojtje të Rafa Benitezit pas derbit katastrofal ndaj Milanit.
“Marrëdhëniet tona me trajnerin janë të shkëlqyera, ky nuk është problemi. Ne thjesht duhet ta gjejmë mënyrën më të mirë për të punuar së bashku. Unë pashë goditje në gol, që do të thotë se ne kurrë nuk kemi vuajtur ndaj Milanit, pos penaltisë”.
“Natyrisht, tani përballemi me një mal problemesh, por jemi në fillim të kampionatit”, deklaroi Paolillo.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, nuk u shpreh aspak i kënaqur me lojën e treguar nga skuadra e tij në Derbi della Madonnina ndaj Milanit, duke premtuar kështu shpenzime në janar.
“Përshtypjet e mia? Siç kam thënë mbrëmë, nuk ishte një derbi i mirë. Ne kemi qenë me një lojtar më shumë gjatë gjithë kohës, por nuk bëmë asgjë. Situata nuk është e tmerrshme, por as e kënaqshme. Ekipi është i njëjti si para tri muajve, jo para dhjetë viteve. Të gjithë duhet të ulin kokën dhe të punojnë, duke përfshirë edhe trajnerin”.
“Benitez ka përvojën dhe ai mund të bëjë mirë. Ai duhet ta bëjë këtë edhe pse nuk është lehtë të drejtosh një skuadër që ka fituar aq shumë. Njerëzit më kanë thënë se kemi pasur skuadër të stërngarkuar në fillim të sezonit, por nuk mendoj se është e tillë”.
“Unë jam i gatshëm për të shpenzuar në janar, por vetëm nëse është e nevojshme”, bëri të ditur Moratti.
Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, beson se Barcelona është skuadra më e mirë në botë, por ky superioritet sipas legjendës holandeze nuk ia garanton titujt klubit katalanas.
“Barcelona aktualisht është ekipi më i fortë në botë, por kjo nuk ofron garanci se ata do të fitojnë tituj. Ekipi i Guardiolas ka aftësi teknike dhe taktike që i bënë ata të dallohen, por gjithsahtu ka magjinë individuale të lojtarëve që po shkëlqejnë si Lionel Messi”.
“Për shembull, Villareali është një prej më të mirëve në pasimin e topit në Spanjë pas Barcelonës, por ata nuk patën lojtarët vendimtarë si Guardiola. Trajneri ka kërkuar skuadër të vogël për t’u mbështetur në lojtarë të ri, 18 dhe 19 vjeçarë për t’i dhënë shtytje. Ata tashmë e kanë bërë këtë me Pedron dhe Sergio Busquetsin”, është shprehur Cruyff për El Pierodico de Catalunya.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka vazhduar të lansojë komente kontraverse mbi ish-trajnerin, Pep Guardiola, duke e krahasuar atë ironikisht me Mahatma Gandin.
“Me menyrën se si ai e mvesh ekpin dhe i flet atij, ai gjithnjë dëshiron të duket si filozof. Ai ma kujtoi Mahatma Gandin kur e përgatiste ekipin”, theksoi Ibra.
Ai shtoi se të jesh trajner i Barcelonës është shumë e lehtë, pasi që lojtarët dinë të luajnë vet dhe se aty çdo njeri do të ishte i suksesshëm, pasi që do të kishte të bëjë me klubin më të mirë në botë sipas suedezit.
Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, ia ka tërhequr vërejtjen Milanit që të mos mendojë se e ka fituar Scudetton, pasi që lufta për titullin e më të mirit në Apenine është shumë e hapur.
“Ndeshja ndaj Romës ishte e shpejtë dhe e vështirë. Ishte e baraspeshuar dhe kampionati po tregon se ka ekipe me pak pikë, kështu që çdo gjë është e hapur”.
“Tani duhet të punojmë për të ardhmen, pasi që ndeshja jonë e ardhshme në Marassi ndaj Genoas do të jetë e vështirë”, potencoi Del Piero.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka deklaruar se trajneri i tij te Barcelona, Pep Guardiola, meriton çmimin e trajnerit më të mirë të vitit nga FIFA.
“Unë po flas në bazë të ngjyrave që jam duke mbrojtur. Unë do të votoja për Pep Guardiolën, jo për shkak të trofeve që kemi fituar, por për shkak të përkushtimit dhe filozofisë së futbollit”.
“Nuk e kam harruar as Jose Mourinhon, i cili përpos që fitoi gjithçka me Interin, ka filluar ta ndryshojë fytyrën e Real Madridit. Sidoqoftë, unë mendoj se Kampionati Botëror mund të jetë vendimtar dhe nëse është kështu, atëherë Vicente Del Bosque dhe Joachim Low janë favoritët e mi”, u shpreh Messi.
Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso, e di se ekipi i tij ka hapësirë për t’u përmirësuar, përkundër fitores prej 1-0 ndaj Sportingut në El Molinon.
“Ishte një ndeshje mjaft kompetitive. Edhe ne edhe ata kërkuam fitoren, ndeshja ishte tejet e nxehtë, për shkak se Sportingu luajti shumë shpejt, ndërsa ne është dashur të sigurohemi në mbrojtje dhe të luajmë mirë në sulm”.
“Ne i morëm pikët vonë, por kemi pasur raste për ta fituar ndeshjen më herët. Ne jemi ekip që është në ndërtim e sipër sepse gjithnjë ka gjëra për t’u përmirësuar dhe nuk mund të ndalemi”, ka thënë Alonso.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli nuk ka darkuar me zëvëndëspresidentin e Milanit, Adriano Galliani, pohon agjenti i B45, Mino Raiola.
Balotelli ishte në Milano për ta përcjellë derbin mes Milanit të cilin edhe publikisht e përkrah dhe ish-skuadrës së tij Inter, ndërsa sipas spekulimeve B45 u bashkua me skuadrën e Milanit në një darkë pas ndeshjes.
“Balotelli shkoi me miqtë e tij, por ai nuk darkoi me Gallianin”, ka thënë Raiola.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka lëvduar punën e bërë nga bashkëlotjarët e tij për të mbajtur Interin larg portës në Derbi della Madonnina. “Skuadra luajti një ndeshje të madhe, sidomos në pjesën e dytë me një lojtar më pak. Ne patëm shumë zemër dhe është dashur të shënojmë më shumë gola. Ekipi po luan mirë dhe të gjithë po punojnë shumë”.
“Ndërhyrja ndaj Materazzit? E bëra pa kurrfarë qëllimi, pasi që e synoja topin. Unë kërkova falje, pasi që këto gjëra ndodhin në futboll”, tha Ibrahimovic.
Alexandre Pato Dy kombëtaret emblemë të futbollit amerikano-jugor takohen sërish në ekranin e SuperSport në një sfidë miqësore, në të cilën nuk do të mungojnë as emocionet e garës më të popullarizuar në botë - futbollit.
Është dueli që ka filluar 96 vite më parë dhe në dekada ka dhuruar emocione të paharrueshme për fansat e këtij sporti, në mbarë botën.
Janë shtatë tituj botëror që në mbrëmjen e 17 nëntorit për spektaklin e radhës do të zbresin në njërën nga oazat më moderne të futbollit të sotëm, stadiumin e Doha’s “Khalifa International” në Katar.
Kjo ndeshje e artë dhe e papërsëritshme për këtë vit, do të transmetohet direkt dhe ekskluzivisht në kanalin më të artë të televizionit Digitalb, atë DIGIGOLD, të mërkurën më 17 nëntor 2010, ora 18:00.
Ndeshjen mes Brazilit dhe Argjentinës, abonuesit e televizionit Digitalb mund ta porosisin duke dërguar numrin e smart-kartelës së tyre në numrin 4042 nga numrat mobil të IPKO’s.
Liverpooli ka konfirmuar se sulmuesi Fernando Torres është lënduar në nyje gjatë ndeshjes së humbur ndaj Stoke Cityt në Britannia Stadium.
26 vjeçari e pësoi lëndimin në pjesën e dytë të ndeshjes, por arriti ta përfundonte ndeshjen. Këtë dëmtim e konfirmoi stafi mjekësor i Liverpoolit, që me anë të një komunikate ka bërë të ditur se gjendjen e mëtutjeshme të Torres nën kontroll do ta ketë stafi mjekësor i kombëtares spanjolle.
“Fernando Torres pësoi një ndrydhje të ligamentit të nyjes gjatë ndeshjes ndaj Stoke Cityt, por sulmuesi mund të bashkohet me Spanjën për miqësoren ndaj Portugalisë. Stafi mjekësor i The Reds ka qenë në kontakt me homologët e tyre spanjollë për t’i informuar mbi gjendjen e 26 vjeçarit. Me lëndimin e Torres tani do të merret stafi mjekësor i Spanjëns para miqësores në Lisbonë të mërkurën”, shkruan në komunikatë.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, është i kënaqur me progresin e ekipit të tij pas fitores ndaj Villarrealit.
“Ne po ia dalim mirë dhe jam i kënaqur me lojtarët. Ne të gjithë punuam shumë. Ka njerëz me kualitete të shkëlqyeshme humane këtu – futbollistë të njohur në nivel botërore për shkak të asaj se sa të mirë janë ata. Është një klub i madh, një klub i shkëlqyeshëm”, ka thënë trajneri portugez.
Guardiola ka lëshuar lëvdata të veçanta për dy mbrojtësit e qendrës. Për kapitenin Carles Puyol, i cili bëri paraqitjen e 500-të në ndeshjet garuese me fanellën e Barcelonën, ai tha: “Ai është një shembull për secilin në klub”.
Edhe për Eric Abidal, i cili luajti në vend të Gerard Pique, Guardiola po ashtu pati fjalë të mira. “Ai ishte spektakolar. Një prej arsyeve se pse ne vendosëm të mos nënshkruajmë me qendërmbrojtës ishte se e dinim se sa mirë ai mund të luajë aty. Ne po ashtu e kemi Adrianon, i cili është fleksibil, por Eric ishte spektakolar sot”, ka thënë trajneri i Barcelonës.
Anësori i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se atij i mungon Manchester United.
Pavarësisht se ka bërë një fillim të vrullshëm të sezonit në Real Madrid nën drejtimin e trajnerit të ri Jose Mourinho, Ronaldo ka refuzuar të përjashtojë një rikthim te ish-klubi i tij.
“Të jem i sinqertë më mungon Liga Premier shumë. Sigurisht kam kujtime të mira te Manchester. Kam miq të mirë atje dhe më mungojnë ata shumë, andaj kurrë nuk i dihet. Sir Alex Ferguson është si një baba i dytë për mua. Ai më ndihmoi shumë gjatë gjashtë viteve sa isha te Manchester, ai më mësoi shumë gjëra”, ka thënë Ronaldo.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se Nicklas Bendtner është në planet e tij afatgjate.
Danezi së fundi ngriti zërin e tij të pakënaqësisë për shkak të mungesës së aksioneve këtë sezon. 22-vjeçari, i cili ka bërë vetëm dy starte këtë sezon, ka thënë se ‘nuk mund ta pranojë të qëndrojë në stol’, pasi është rikthyer në formë të plotë pas rikuperimit nga lëndimi.
“Ai nuk ishte në ekip sot pasi ka probleme në ijë dhe e kam lënë në shtëpi. Dua ai të qëndrojë, e kam njohur atë që kur ai ishte 16-vjeçar dhe kam raport të fuqishëm me të. Më pëlqen ai si lojtar dhe si person, edhe nëse nuk pajtohem me çdo deklaratë të tij. Mbi të gjitha dua ai të qëndrojë dhe të jetë pjesë e grupit”, ka thënë Wenger.
Lojtarët e Phoenix Suns kanë shënuar 22 trepikësha, të dytin numër më të madh në NBA, për të mposhtur kampionët e dyfishtë, Los Angeles Lakers, me rezultat 121-116.
Jason Richardson ka shënuar pikët më të larta në ndeshje, 35, dhe ka shënuar shtatë trepikësha, derisa Suns mbeten për një prapa rekordit të NBA-së, të cilën e mban Orlando Magic me 23 të trepikësha në ndeshje, të arritur në vitin 2009.
Steve Nash shënoi 12 nga 21 pikët e tij në pesë minutat e fundit të ndeshje dhe ndihmoi ekipin dhe me 13 asistime, derisa Suns shënuan fitoren e pestë të sezonit, krahas katër humbjeve.
Pau Gasol shënoi 28 pikë dhe 17 kërcime, derisa Kobe Bryant për pak sa nuk arriti triple-double, me 25 pikë, 14 asistime dhe nëntë kërcime. Lakers pësuan humbjen e dytë radhazi, pasi kishin shënuar teto fitore të njëpasnjëshme këtë sezon në NBA.
Golashënuesi i Juventusit kundër Romës, Vincenzo Iaquinta, thotë se barazimi 1-1 ndaj Romës tregon aftësinë e tyre për të fituar titullin.
Iaquinta gjeti përsëri rrjetin në takimin e të shtunës, duke i dhënë avantazhin Biankonerëve, para Francesco Totti të shënonte nga pika e bardhë për ndarë pikët në Olimpico.
“A jemi në garë për Skudetton? Mund të punojmë në atë drejtim javë pas jave. Është një rrugë e gjatë para nesh dhe ne presim rezultatet tjera, por tabela është shumë e favorshme”, ka thënë Iaquinta.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka kritikuar edhe njëherë trajnerin Pep Guardiola, derisa e ka quajtur Barcelonën, ekipin më të mirë në botë, që mund të fitojë edhe pa trajner.
“Nëse keni problem me mua, ju takon juve ta zgjidhni. Ju jeni lider. Nuk mund të keni një dialog të mirë me 20 njerëz dhe me të 21-tin të ktheni shikimin në anën tjetër. Me mënyrën se si ai drejtohej dhe fliste, ai gjithmonë dëshironte të dukej si filozof. Ai më kujton disi figurën e Mahatma Gandit”, ka thënë Ibra.
“Njerëzit thonë se ne i fituam gjashtë trofe. Unë mund të kisha qenë trajner i atij ekipi. Mund të luani pa trajner. Mund të keni katër të lënduar dhe të fitoni nga ajo se sa të mirë ata janë. Për mua ata janë ekipi më i mirë në botë”, ka shtuar suedezi.
Menaxheri i Interit, Rafa Benitez, ka thënë pas disfatës nga Milani se lojtarët më të mirë të ekipit nuk janë në formën e duhur.
Nerazurrët tash mbeten gjashtë pikë prapa liderit, Milanit, dhe kanë probleme serioze me shënimin e golave.
“Mendoj se Interi luajti shumë mirë në fillim të sezonit. Dukshëm, sezonin e kaluar ky ekip fitoi shumë ndeshje në fund dhe Diego Milito bëri ndryshimin. Ai nuk është në formë tash dhe kjo duket, derisa Samuel Eto’o është një lojtar më ndryshe”.“Mund të shihni se ekipi shikon kah Milito, Eto’o dhe Wesley Sneijder për ide dhe ata nuk janë në të njëjtin fitnes ose nivel forme si sezonin e kaluar”, është arsyetuar Benitez.
Trajneri i Lazios, Edy Reja, u është kundërpërgjigjur kritikave pas fitores ndaj Napolit.
Mauro Zarate dhe Sergio Floccari shënuan golat për Lazion në fitoren 2-0 për të mbajtur Lazion në pozitën e dytë, vetëm një pikë prapa kreut, ku ndodhet Milani.
“Kritikat që pranuan në disa javët e kaluara ishin të papranueshme, duke marrë parasysh çfarë ne kemi arritur. Ne do të luftojmë deri në fund për pozitat e sipërme të tabelës”, ka thënë Reja.
Agjenti i Karim Benzema thotë se sulmuesi francez tash është më i lumtur te Real Madrid.
Benzema ka filluar t’i përgjigjet mënyrës së lojës së trajnerit Jose Mourinho dhe tash dëshiron të qëndrojë dhe të dëshmojë veten te Real Madrid.
“Lojtari është mirë te Real Madridi dhe dëshiron të vazhdojë të punojë nën drejtimin e Mourinhos”, ka pohuar agjenti i sulmuesit, Karim Djaziri.
Luciano Spalletti ka udhëhequr Zenit St Petersburg drejt triumfit në kampionatin rus të futbollit.
Ish-trajneri i Romës ka arritur të fitojë titullin e kampionin në sezonin e tij të parë në kampionatin rus.
Zenit dje fitoi me rezultat 5-0 ndaj Rostov, që ishte edhe vendimtare për të fituar titullin. Për Zenit nga një gol shënuan Lazovic, Semak dhe Kerzhakov, ndërsa dy gola shënoi Bukhravov.
Trajneri i Holandës, Bert Van Marwijk, ka përkrahur transferimin e propozuar të mesfushorit të PSV Eindhoven, Ibrahim Afellay, te Barcelona
Barcelona është lidhur me një transferim të mesfushorit holandez, ndërsa interesimin e kampionit të Spanjës së fundi e pohoi edhe vetë klubi holandez.
“Mendoj se ai është mjaft i mirë për të luajtur për klubin. Në fakt, e shoh atë duke ndarë ekipin në mënyrë të përkryer me (Andres) Iniesta dhe Xavi. Nëse do të isha unë, pa dyshim se do ta pranoja një ofertë për një klub si Barcelona”, ka thënë Van Marwijk.