Manchester City është në përgatitje të një pakete prej shtatë milionë eurosh për sulmuesin e Wolfsburgut, Edin Dzeko, edhe pse anglezët do të kenë telashe për transferimin e tij me gjigantët gjermanë.
Roberto Mancini do të ketë të gatshme 120 milionë euro për afatin kalimtar dimëror dhe një ndër caqet kryesore është Edin Dzeko.
Për të Manchester City ka përgatitur një kontratë prej 140 mijë eurosh në javë, pa përfshirë këtu bonuset e golave. Manchester City ka konkurrencë nga Juventusi për firmën e sulmuesit boshnjak.
Bastian Schweinsteiger mund të konsiderohet kandidat serioz për FIFA Topin e Artë, mirëpo ‘çeliku’ gjerman mendon se fituesi do të jetë mesfushori i Interit, Wesley Sneijder.
“Wesley Sneijder e meriton atë. Ai është një lojtar, që për mua, e dha përshtypjen më të mirë. Nëse, pas Ligës së Kampionëve do ta fitonte Kampionatin Botëror, atëherë sigurt do ta fitonte që tani Topin e Artë. Ai kaloi sezon fantastik”.
“Për shkak të titujve të fituar, spanjollët Xavi dhe Iniesta, ashtu si lojtarët tjerë të Interit janë favoritë për këtë çmim”, ka thënë Schweinsteiger.
Aston Villa ka arritur të sigurojë shërbimet e mesfushorit francez Robert Pires dhe atë pa paguar asnjë cent të vetëm.
Sipas spekulimeve, Aston Villa ishte në kërkim të Pires që prej disa muajsh dhe ish-mesfushori i Villarealit dhe Arsenalit tashmë është rikthyer në Ligën Premier për të luajtur me skuadrën nga Villa Park.
“Robert është stërvitur te Arsenali. Unë e di se bosi dhe Arsene Wenger janë miq të mirë dhe besoj se Pires do të na bashkohet brenda dy-tri ditëve”, theksoi zëvendëstrajneri i Aston Villas, Gary McAllister.
Jose Mourinho e sheh asin e Palermos, Javier Pastore, si Zinedine Zidanen e ri të Real Madridit dhe për këtë do të bëjë gjithçka në fuqitë e tij për ta ndalur transferimin e tij te Barcelona.
Sipas mediave italiane Pastore ka rënë nën syrin e Jose Mourinhos dhe shihet me të ardhme te Real Madridi për shkak se portugezi dëshiron të ndërtojë skuadër me lojë atraktive te Real Madridi.
Për këtë arsye, Mourinho dëshiron ta shmangë transferimin e Pastores te Barcelona, pasi që ka kërkuar nga hierarkia e Real Madridit bërjen e ofertës prej 70 milionë eurosh për argjentinasin.
Mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri, ka pohuar se kampionët e Anglisë, Chelsea, nuk janë ata që kanë qenë sezonin e kaluar, pasi që aktualisht po tregojnë formë të dobët.
“Mungesa e John Terryt, Alex dhe e Michael Essien e bënë diferencën. Chelsea ka humbur Ballackun, ka humbur Decon në mesfushë, Ricardo Carvalo shkoi te Reali dhe nuk ka kush ta zëvëndësojë”.
“Formacioni i tyre i parë është i mirë, por nuk është ai që ka qenë sezonin e kaluar. Ishte një javë ideale kjo për ne pasi Chelsea humbi dhe United barazoi ashtu si City”, u shpreh Nasri.
Trajneri i Interit, Rafa Benitez, ndihet më mirë tani pasi Massimo Moratti konfirmoi mbështetjen ndaj tij, ndërsa tekniku spanjoll ka premtuar rikthim të shpejtë të Interit në formë.
“Unë jam krenar për mbështetjen e presidentit. Të dielën në mbrëmje pas derbit, unë fola me Massimo Morattin. Ne të gjithë jemi të zhgënjyer, por unë po punoj me të dhe Marco Brancan për të përmirësuar skuadrën gjatë janarit”.
“Po ka vullnet për t’u përmirësuar dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me tregun e transferimeve. Situata nuk është aq e tmerrshme e as e mrekullueshme. Po mendoj se ekipi po kalon nëpër një fazë të evoluimit”, tha Benitez.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka pranuar se Milani është favorit kryesor për ta fituar Scudetton këtë sezon.
“Ata janë favoritë të mëdhenj për Scudetto. Nëse ne përfundojmë tri katër pozicione prapa tyre, atëherë mund ta konsiderojmë sezonin si pozitiv. Por, nëse përfundojmë 18 pikë prapa tyre, atëherë sigurisht se nuk kemi bërë asgjë”, theksoi Buffon.
Buffon aktualisht është duke punuar në riaftësimin e tij dhe pritet që të rikthehet në janar.
Andrey Arshavin ka zbuluar se tifozët e Liverpoolit e kanë kontaktuar atë para ndeshjes ndaj Evertonit, duke kërkuar nga rusi që të mposhtë rivalin e përbetuar lokal nga Goodison Park.
“Më pëlqen të luaj në Liverpool dhe unë nuk kam ndërruar mendje pas kësaj ndeshje”.
“Është e qartë se ata kanë konfrontim serioz në qytetin e tyre. Para ndeshjes, disa tifozë të Liverpoolit kërkuan nga unë që t’i mposht armiqtë e përbetuar të tyre”, tha Arshavin.
Roy Hodgson ka këmbëngulur se humbja e Liverpoolit ndaj Stoke Cityt nuk i ka ndryshuar ambiciet e The Reds për këtë sezon.
“Unë nuk shoh arsye pse të dyshojmë se jemi në gjendje të arrijmë diçka. Unë nuk pres që ky rezultat ta ulë besimin tonë, ashtu siç ndodh zakonisht. Ne po flasim për dy-tri ndeshje në sezon. Unë e kam të vështirë të sqaroj se sa herë e fitoni një ndeshje, gjërat shkojnë përpara dhe kur humbisni qëndroni prapa”.
“Unë nuk jam euforik kur luajmë ndaj Chelseat, por ne jemi realist dhe unë jam njeri që gjykoj në fund të sezonit, nuk ka nevojë për panik”, tha Hodgson.
Adam Johnson dëshiron ta bëjë Manchester Cityn kampion të Anglisë, por problemi i vetëm për mesfushorin anglez është se ai nuk po luan, gjë që e bën atë ta mendojë largimin nga Eastlands.
“Çdo futbollist duhet të mendojë për këtë kur të vie koha. Është ende herët për këtë, por definitivisht do ta shqyrtoja”, theksoi Johnson për The Sun.
“Është zhgënjyese kur nuk luani nga fillimi. Unë kam qenë i gatshëm që të vdes për atë vend, por nuk e fitova. Menaxheri i merr vendimet, por ishte në plan që unë të qëndroja në pankinë. Më pëlqen të sulmoj, të shënoj gola dhe t’i kënaq tifozët. Kur unë luaj, qëllimi im është që tifozët të kenë çfarë të shikojnë”, përfundoi mesfushori.
Lëndimet për Interin nuk kanë të ndalur, pasi që edhe ashtu sulmuesi në formë të dobët, Diego Milito, do të mungojë edhe dy javë për shkak të lëndimit në kofshë.
Kjo nuk është e tëra. Kur menaxheri Rafa Benitez mendoi se me Militon pasojat e derbit kishin përfunduar, në fakt me problemin e njëjtë është diagnozuar edhe Joel Obi.
“Në fund të ndeshjes Inter – Milan, Joel Obi dhe Diegoi Milito janë kontrolluar nga Prof. Franco Combi i stafit mjekësor të Interit për të dhënë sqarime mbi lëndimet e derbit”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga Interi.
Milito pritet të mungojë ndaj Chievos dhe Parmës në Serie A ashtu si ndaj Tëentes në Ligën e Kampionëve.
Roy Hodgson duhet të hartojë planin urgjent për shpëtimin e postit të tij si menaxher i Liverpoolit, pasi pronari John Henry bëri të ditur se nuk e ka ndërmend të shpenzojë në afatin kalimtar dimëror.
“Klubi ka kaluar nëpër periudhë të vështirë dhe ajo nuk ka mbaruar ende. Ne kemi punë për të bërë dhe duhet të investojmë në këtë klub për t’u përmirësuar në fushë. A mund të bëhet kjo në mënyrë të suksesshme në janar? Një numër njerëzish dyshojnë në këtë”.
“Disa mendojnë se vera do të jetë momenti i duhur për t’u përforcuar. Kështu, pasi që kemi arritur të shpëtojmë klubin e bejsbollit me lojtarët që i kemi pasur, atëherë nuk shoh pse të mos ndodh kjo me Liverpoolin që ka lojtarë të nivelit të lartë”, theksoi John Henry.
Mbrojtësi i Chelseat, John Terry, ka lansuar një lajm shokues pasi që ka bërë të ditur se ai mund të mungojë për disa muaj për shkak të një lëndimi.
Mbrojtësi i Chelseat, i cili kishte një dëmtim në nervin e këmbës së djathtë, zbuloi të hënën mbrëma se ai ka luajtur me këtë lëndim që nga sezoni i kaluar, ndërsa tani dëshiron të hyjë nën trajtimin e mjekëve.
“Kam ardhur në një pikë ku nuk mund të vazhdoj më kështu. Unë kam luajtur shumë ndeshje me këtë lëndim, për shkak se adrenalina të bën të mos e mendosh atë dëmtim. Por, tani nuk ka nevojë të merret ndonjë vendim i madh. Pas ndeshjeve, unë jam në agoni dhe nuk po mund të fle”, theksoi Terry.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është shpallur futbollisti më i mirë i vitit në Suedi, duke e fituar këtë çmim për të pestën herë.
Ish-sulmuesi i Juventusit, Interit, Barcelonës dhe tani sulmues i Milanit, më herët ishte shpallur lojtar më i mirë edhe në vitin 2005, 2007, 2008, dhe vitin 2009.
“Nuk mund të mendoj se këtë mirënjohje do ta fitoj për të pesën herë në 12 vitet e fundit, kur fillova në Malmo”, ka deklaruar Ibrahimovic.
Ibrahimovic është i vetmi futbollist i cili ka fituar këtë mirënjohje në Suedi për më shumë se dy herë.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, mund të rikthehet në fushë për ndeshjen e vikendit kundër Wiganit.
Rooney do të mund të ishte zgjidhje për problemet e sulmit të Manchesterit, të cilat janë rezultat i formës së dobët të Berbatov dhe mospërvojës së të riut Javier Hernandez.
“Wayne pati një javë të mirë. Ai u stërvit shumë dhe ka arritur atë që kemi dashur të arrijmë”, ka deklaruar Sir Alex Ferguson.
Mbetet të shihet se si do të reagojnë edhe fansat e Djajve të Kuq ndaj rikthimit të tij, pasi ai nuk është paraqitur për United që nga paralajmërimi se dëshiron të largohet nga klubi.
Dy javë para derbit ‘el Classico’, Lionel Messi mendon se Barcelona ende është një ekip më i mirë se Real Madridi, edhe pas ardhjes së Jose Mourinhos dhe përforcimeve të verës.
“Mendoj se Real Madridi është më i fuqishëm se sezonin e kaluar, por e njëjta gjë ndodh çdo vit – ata mbeten rivalët tonë më të mëdhenj. Vitin e kaluar ata na bënë presion deri në ditën e fundit të sezonit. Ata i kanë ruajtur po thuajse të gjithë lojtarët e rëndësishëm, por unë mendoj se çelësi janë ndryshimet mentale, që nga arritja e Jose Mourinhos. Ata ende janë një ekip i shkëlqyeshëm, por ju mund të shihni se ata tash kanë një mentalit më të madh fitues”.
“El Clasico do të jetë një ndeshje e madhe, siç është gjithmonë. Unë dëshiroj t’ia dal mirë në këto ndeshje. Mendoj se ata do të jenë shumë të ndezur, por mendoj se nëse luajmë në mënyrën me të cilën jemi të aftë të luajmë, përfundimisht do t’i mposhtim ata edhe kësaj here. Ata mund të jenë përforcuar, por sipas opinionit tim, Barcelona ende është një ekip më i mirë. Nuk kam dyshim se do të jetë një ndeshje me interes për të dyja ekipet dhe për fansat e tyre”, ka shtuar lojtari më i mirë i vitit të kaluar.
Mesfushori i Milanit, Ronaldinho, thotë se ai është i përkushtuar ndaj klubi të tij aktual.
Braziliani ka qëndruar në stol në katër ndeshet e kaluara dhe është në 12 muajt e fundit të marrëveshjes aktuale. Ai është lidhur së fundi me një transferim në Los Angeles Galaxy, por këtë e ka mohuar vetë lojtari.
“Nuk mund të jesh i lumtur kur nuk luan në një ndeshje të rëndësishme si deri. Por renditja më bën të lumtur. Po më bën. Ne kemi gjithçka për ët fituar Skudetton. E kam ditur që nga dita e parë e stërvitjeve, kam kuptuar se ka një atmosferë të re”.
“E ardhmja ime? E përsëris për të fundit herë: Nuk synoj të largohem nga Milani. Në të vërtetë, do t’ju tregoj më shumë: të fitoj me Rossonerët do të më japë dëshirën për të ndjekur ëndrrën time: të luaj në Kupën Botërore 2014 në Brazil. Fshijeni emrin tim nga tregimet e tregut të futbollit. Jam i lumtur te Milani”, ka thënë Ronaldinho.
Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, thotë se mesfushori Javier Pastore do të mbetet edhe për 12 muaj të tjerë.
Zamparini ka përjashtuar çdo mundësi që Pastore të largohet gjatë verës, pavarësisht interesimit nga Barcelona.
“Ai do të qëndrojë edhe një vit tjetër dhe pastaj ai mund të shkojë në klube të tjera më të rëndësishme”, ka thënë Zamparini.
Presidenti i klubit italian përgatitet t’i ofrojë atij kontratë të re pesëvjeçare, pjesërisht për të mbrojtur vlerat e tij.
Steve Bruce thotë se fitorja e Sunderlandit ndaj Chelsea ishte ndër momentet e tij më të mira në futboll.
Trajneri i Sunderlandit thotë se ky moment ka qenë kulmi i karrierës së tij si menaxher i këtij klubi.
“Është sigurisht pasditja ime më krenare si menaxher i Sunderlandit. Nuk ndodh shumë shpesh të shkoni diku si te Chelsea dhe t’i mposhtni ata me rezultat 3-0 në fushë të tyre. Nuk mendoj se kjo do të ndodhë shumë shpesh përsëri, por gjëja më e kënaqshme është mënyra se si iu qasëm ndeshjes”, ka thënë Bruce.
New Jersey Nets ka shkëlqyer për të shënuar fitore 110-96 në udhëtim ndaj Los Angeles Clippers gjatë të hënës, duke i shkaktuar ekipit vendas startin më të keq në 12 sezone.
Brook Lopez shënoi 24 pikë dhe Travis Outlaw shton 23 të tjera për Nets, të cilët shënuan fitoren e katërt të sezonit.
Clippers pësuan edhe disfatën e gjashtë radhazi për të mbetur me vetëm një fitore dhe 10 disfata, që është fillimi më i keq i sezonit që nga ai i vitit 1998-99, kur kishin pasur 17 humbje dhe asnjë fitore.
Eric Gordon shënoi pikët më të larta të ndeshjes, 30, edhe pse shënoi vetëm gjashtë herë nga 20 tentimet nga loja e hapur për Clippers.
Mbrojtësi i Manchester United, Patrice Evra, është duke u lidhur me një transferim te Real Madrid.
News of the World shkruan se Evra është i gatshëm të largohet nga Manchester United për t’u transferuar te Reali verën e ardhshme.
Francezi vlerësohet lartë nga menaxheri gjeneral i klubit mbretëror, Jorge Valdano, dhe shihet një lojtar i cili mund të ndihmojë Karim Benzema të rehatohet në Bernabeu.
Mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri, do të mirëpriste mundësinë e rikthimit në Marseille në të ardhmen.
Francezi bëri famë pikërisht me klubin francez, pasi doli nga akademia e këtij klubi, dhe depërtoi në ekipin e parë në moshën 17-vjeçare. Nasri, tash 23-vjeçar, erdhi te Arsenali në vitin 2008 dhe është pjesë integrale e Topçinjve.
Megjithatë, ish-bashkëlojtari i Lorik Canës, thotë se një mundësi për t’iu ribashkuar me Marseille në të ardhmen, do të ishte e parefuzueshme.
“A mund të rikthehem te Marseille një ditë? Vërtet shpresoj të ndodhë. Marseille e ka rigjetur veten si klubi numër një në Francë”, ka thënë Nasri.
Agjenti i Gael Clichy thotë se mbrojtësi i majtë i Arsenalit nuk është duke dashur të transferohet në Serie A te Juventusi.
Dhe derisa 25-vjeçari do të mendonte një transferim në Itali në të ardhmen, agjenti i tij, Ivan Le Mee, thotë se lojtari nuk dëshiron të largohet nga Emirates për momentin.
“Raporti i tij me Arsenalin dhe Wenger është i shkëlqyeshëm. Nuk e kupto se prej nga vijnë të gjitha ato thashetheme”.
“Po ashtu, kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2012, andaj nuk ka kuptim të shtrohet kjo gjë (largimi i tij) tash. Gael po ia del mirë, luan për ekipin kombëtar dhe në Ligën Premier ai tashmë është një startues. Do të ketë kohë për të shkuar edhe në Itali”, ka thënë Le Mee për calciomercato.com.
Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves, më shumë do të preferonte një transferim te Chelsea se sa te Manchester City.
Alves po dështon të arrijë marrëveshje me Barcelonën rreth kontratës së tij të re, gjë që ka nxitur spekulimet për një largim të tij nga kampioni i Spanjës.
Sportivja spanjolle Sport shkruan se nëse marrëveshja nuk mund të arrihet, Alves favorizon një transferim në Angli ku City dhe Chelsea janë në kërkim të tij.
Ylli brazilian thuhet se do të preferonte një lëvizje në Stamford Bridge.