Real Madridi i është përgjigjur Barcelonës në mënyrën më të mirë me fitoren prej 5-1 ndaj ndaj Athletic Bilbaos.Kjo ndeshje konfirmoi edhe njëherë formën e lartë të portugezit Cristiano Ronaldo, e cila vjen në momentet më të duhura për Real Madridin.
‘El Pipita’ Higuain zhbllokoi rezultatin (19’), kur shënoi për 1-0, para se Ronaldo në mënyrë mjeshtërore ta dyfishonte epërsinë. Ndeshjen e la të hapur sulmuesi i talentuar i Bilbaos, Fernando Llorente, i cili realizoi për 2-1 (40’).
Në pjesën e dytë u formalizua debakli i baskëve. Sergio Ramos nga pika e bardhë e zgjeroi epërsinë në 3-1. Sidoqoftë, fjalën e fundit në këtë takim e pati kush tjetër pos Cristiano Ronaldos, i cili realizoi edhe dy herë (një bombë - 62’ dhe një penallti - 90’) për hettrikun e tij të dytë këtë sezon, për rezultatin përfundimtar 5-1.Ronaldo me hettrikun e tij në këtë takim iu kundërpërgjigj më së miri hettrikut të Lionel Messit, i cili tani ka 13 gola në pozitën e dytë të ranglistës së golashënuesve, një gol më pak se portugezi Ronaldo që ka 14.
Real Madridi në ‘el Classicon’ e 29 nëntorit do të hyjë si lider me 32 pikë, vetëm një më shumë se rivali i përbetuar Barcelona.
Milani ka shënuar fitore minimale prej 1-0 ndaj Fiorentinës në San Siro për të mbajtur kështu kreun në tabelën e Kampionatit Italian, Serie A.Si zakonisht vendin në kryetitujt e mediave e zë supersulmuesi Zlatan Ibrahimovic, i cili u tregua vendimtar për kuq e zinjtë.
Ibrahimovic u gjend mirë në zonën e Fiorentinës në fund të pjesës së parë, me ç’rast lansoi një goditje fantastike me të cilën i dha Milanit epërsinë e parë dhe të fundit në këtë takim (45’).
Milani me këtë fitore mban pozitën e parë me 29 pikë, katër më shumë se Lazio me një ndeshje më pak dhe nëntë pikë më shumë se rivali i përbetuar Inter në pozitën e gjashtë, por që të dielën zhvillon sfidën ndaj Chievos.
Barcelona ka djegur, copëtuar, shkatërruar, demoluar, dërrmuar dhe deklasuar skuadrën pa kurrfarë klasi Almerian dhe atë me rezultat të jashtëzakonshëm prej 8-0.Ashtu siç ishte pritur ashtu dhe ndodhi! Almeria nuk shkaktoi kurrfarë problemi për Barcelonën, e cila arriti që të barazonte rekordin për fitoren më të lartë si mysafir të mbajtur nga vet ajo, i cili daton nga viti 1959 me demolimin e Las Palmas.
Listën e gjatë të realizatorëve e hap kush tjetër pos futbollistit më të mirë në botë, Lionel Messi, i cili hapi manifestimin e golave në Estadio de los Juegos Mediterraneos (17’). Vetëm dy minuta më vonë Andres Iniesta e përfundoi ndeshjen kur realizoi për 2-0.
Almerias në këto momente iu desh vetëm një autgol i Santiago Acasietes (27’), për të predispozuar disfatën e lartë. Pedro (35’) dhe përsëri Messi (37’) e detyruan Barcelonën të shkojë në pushim pranë rezultatit 5-0.
Me të filluar pjesa e dytë në lojë inkuadrohet Bojan Krkic, i cili i uritur për t’u dëshmuar shënoi dy gola. Fillimisht në minutën e 62-të për 6-0. Vetëm pesë minuta më vonë Lionel Messi (67’) shënoi golin e tretë personal në këtë takim për të tejkaluar kështu Cristiano Ronaldon në listën e golashënuesve më të mirë.
Rezultatin përfundimtar 8-0 për Barcelonën e vuri Bojan Krkic (73’), me golin e tij të dytë në këtë demolim.
Me këtë fitore Barcelona hyn në top formë dhe më shumë se kurrë e përgatitur në ‘el Classicon’ e 29 nëntorit, i cili zhvillohet në Camp Nou. Barcelona momentalisht është lidere në La Liga me 31 pikë, por lideri i deritanishëm Real Madrid është duke e zhvilluar ndeshjen ndaj Athletic Bilbaos.
Liverpoolit i ka mjaftuar vetëm pjesa e parë e ndeshjes, për të shënuar fitore me rezultat 3-0 në Anfield përballë ekipit të fundit të tabelës, West Ham United.Glen Johnson ishte i pari që i dha epërsinë ekipit vendas pas 18 minutash lojë, ndërsa pas më pak se gjysmë ore lojë Dirk Kuyt dyfishoi epërsinë nga pika e bardhë (27’).
Shtatë minuta para fundit të pjesës së parë në listën e golashënuesve u shkrua edhe Maxi Rodriguez, që vulosi tre pikët e Të Kuqve.
Me tre pikët e reja, Liverpooli pushton pozitën e nëntë me 19 pikë, derisa West Hami vazhdon të pushtojë fundin me nëntë pikë.
Villarrealli nuk ka arritur më shumë se një barazim 1-1 në El Madrigal ndaj Valencias, në derbin më interesant të javës në kampionatin spanjoll.Valencia kaloi e para në epërsi me një gol të shënuar në pjesën e parë nga Aduriz (25’). Por ekipi vendas krijoi raste të mira në pjesën e dytë. Pasi dështoi në një tentim më herët, sulmuesi italian Giuseppe Rossi ishte i saktë në minutën e 73-të për të barazuar rezultatin.
Pika e fituar do të thotë se Villarreali do ta ruajë pozitën e tretë, me 24 pikë, derisa Valencia ngec me tre pikë në pozitën e katërt.
Edhe pse me dhjetë lojtarë në fushë, Roma ka arritur të shënojë fitore me rezultat 2-0 ndaj Udineses në Olimpico, për të prekur pozitën e tretë të tabelës për të parën herë këtë sezon.Ekipi mysafir ishte ai që i parë kërcënoi në ndeshje përmes Antonio Floro Flores, ndërsa Roma pati po ashtu një rast të mirë me anë të kapitenit Franceso Totti, goditja e të cilit mbrohet nga Handarovic.
Por disa minuta më vonë portieri mysafir nuk arriti të ndalojë Jeremy Menez, i cili arriti ta kalojë në epërsi ekipin romak (25’).
Menez pati një rast të mirë edhe në pjesën e dytë, por goditja e tij përfundoi jashtë porte. Megjithatë, ishim sërish vendasit ata të cilët shënuan, kësaj here me anë të Marko Borriello (56’).
Në dhjetë minutat e fundit Roma luajti me një lojtar më pak në fushë, për shkak të përjashtimit të Nicolas Burdiso me karton të kuq, por kjo nuk e pengoi ekipin e Claudio Ranierit të nxjerrë tre pikë. Roma tash mbledh 22 pikë në pozitën e tretë, katër më pak se lideri, Milani.
Manchester United ka zënë ‘keq’ ekipin Wiganin i cili edhe pse me nëntë lojtarë në fushë përfundoi ndeshjen vetëm me një disfatë 2-0 në takimin e zhvilluar në Old Trafford.United mund të ishte ndëshkuar për shkak të një paraqitjeje të plogësht, por përjashtimi me kartonë të kuq i dy lojtarëve mysafirë, Antolin Alcaraz dhe Hugo Rodallega, brenda dy minutash (59’ dhe 61’) ishte favorizimi më i madh për ekipin e Sir Alex Ferguson.
Patrice Evra dërgoi Djajtë e Kuq në epërsi në fund të pjesës së parë (45’), ndërsa Javier Hernandez ka shënuar një gol të shkëlqyeshëm me kokë në pjesën e dytë (77’), për të vulosur fitoren.
Wayne Rooney u inkuadrua në lojë si zëvendësues, por nuk mundi të gjejë rrjetën.
Disfatat e Chelseat dhe Arsenalit shënojnë ditën e përkryer për Manchester United, që barazohet në pikë me Blutë në maje të tabelës së Ligës Premier.
Chelsea ka pësuar edhe disfatën e tretë në katër takimet e fundit, këtë herë si mysafir i Birminghamit.Blutë dominuan gjatë ndeshjes së zhvilluar në St. Andrew's, por ishin vendasit ata që shfrytëzuan një prej rasteve të krijuara për të shënuar fitore minimale, 1-0.
Në minutat e para të takimit, Salomon Kalou dhe Didier Drogba që të dy asistuan për njëri tjetrin, por asnjëri nuk arriti të shënojë. Kjo në anën tjetër u kthye për të keq për Blutë, pasi në minutën e 17-të Lee Bowyer shënoi në rrjetën e Petr Cech pas një harkimi të mirë në thellësi të Larsson dhe një prekje të topi nga Jerome.
Chelsea ishte afër golave edhe në një mori rastesh tjera, me Drogba që në një rast goditi shtyllën, por fati nuk ishte në anën e ekipit londinez, që pësoi disfatën e radhës.
Pavarësisht humbjes, Chelsea mbetet lider me 28 pikë, po aq sa tash mbledh edhe Manchester United që fitoi në Old Trafford ndaj Wigan Athletic. Rezultati ishte mjaft i rëndësishëm për Birminghamin që i largohet zonës së rrezikut dhe madje përfundon në pozitën e 12-të.
Dortmund është kthyer nga disavantazhi 1-0 i pjesës së parë për të shënuar fitore 2-1 në fund të ndeshjes në udhëtim te Freiburg duke forcuar kështu edhe kreun Bundesligës.Takimi mes Freiburg dhe Dortmundit ishte takimi më me pak gola në takimet e sotme të Bundesligës.
Me rezultat 4-0 kanë fituar Schalke dhe Hoffeinheim ndaj Werder respektivisht Eitracht Frankfurt, ndërsa po katër gola ka pasur edhe takimi mes Nurnberg dhe Kaiserlautern, të cilën e fitoi ky i fundit me rezultat 3-1.
Ndërsa, nga pesë gola janë shënuar të takimet Hannover – Hamburg dhe Monchengladbach – Mainz, ku Hannoveri dhe Mainzi u rikthyen nga disavantazhet 2-1, për të fituar në fund, që të dyja, me rezultat 3-2.
Kreu i Bundesligës vazhdon të mbahet nga Borussia Dortmund, që tash mbledh 34 pikë i ndjekur nga Mainz me 27 pikë.
Raul ka shënuar hat-trick për të ndihmuar ekipin e tij Schalke të shënojë fitore bindëre prej 4-0 ndaj Werderit në derbin e Bundesligës.Serinë e golave për ekipin e trajnerit Felix Magath e filloi ish-lojtari i Real Madridit, Christian Metzelder pas 28 minutash lojë, ndërsa ish-bashkëlojtari i tij te klubi spanjoll, Raul, dyfishoi epërsinë për ekpin vendas në fund të pjesës së parë.
Legjenda e Realit shënoi edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë (56’ dhe 71’) për të vulosur fitoren e lartë të Schalke dhe fundosjen e Werder Bremenit.
Me fitoren e sotme, Schalke mbledh 13 pikë dhe del nga zona e rrezikut ku mbeten Koln, Stuttgart dhe Monchengladbach.
Tottenhami ka bërë mrekullinë duke u rikthyer nga disavantazhi 2-0 në pjesë të parë, për të shënuar fitore me rezultat 3-2 në derbin e Londrës Veriore të zhvilluar në Emirates.Mysafirët patën rastin e parë të mirë, kur pas katër minutash lojë goditja e Gareth Bale përfundoi në duart e portierit Fabiansky. Por, pesë minuta më vonë, portieri i Tottenhamit, Huerelho Gomes, bëri gafë duke mos e kapur si duhet një pasim të Cesc Fabregas, me Samir Nasri që shënoi për t’i dhënë avantazhin ekipit vendas (9’).
Arsenali krijoi një rast të mirë pas 22 minutash lojë, kur pas një pasimi të Alex Song, Fabregas për mrekulli shmangi mbrojtjen mysafire, por goditja e tij ishte e plogësht duke përfunduar jashtë portës së Gomes. Epërsinë për vendasit e dyfishoi përforcimi i verës, Marouane Chamackh pas një asistimi të Andrei Ashavin (27’).
Atë që nuk bënë në fillim të pjesës së parë, Spurs e bënë në pjesën e dytë, kur po pas një pasimi të Rafael van Der Vaart, Bale kësaj here dërgon topin në rrjetën e Fabianskit (50’).
Pasi shkëlqeu në pjesën e parë, Fabregas bëri gafën më të madhe në pjesën e dytë, duke ndaluar me krah një goditje të lirë të Van der Vaart, ndërsa holandezi ishte i saktë nga pika e bardhë për të barazuar rezultatin (67’).
Por momenti që heshti të gjithë fansat në Emirates ishte goli i tretë dhe i fitores për ekipin mysafir. Protagonist edhe kësaj here ishte Van der Vaart, harkimi i të cilit nga gjuajtja e lirë u dërgua në rrjet nga Younes Kaboul (86’).
Të zgjedhurit e trajnerit Arsene Wenger krijuar një mori rastesh në minutat e fundit të ndeshjes, por pa sukses për të realizuar.
Fitorja është e para e Tottenhamit në udhëtim te Arsenali që nga viti 1993 dhe e ngre ekipin në pozitën e pestë me 22 pikë, sa ka edhe City në pozitën e katërt. Arsenali, me humbjen e sotme, nuk arrin të shijojë kreun dhe mbetet në pozitën e dytë, të cilën madje rrezikon ta humbasë nëse Manchester United më vonë shënon fitore ndaj Wigan Athletic.
Manchester City raportohet se është duke menduar të bëjë ofertë për mbrojtësin e Espanyol, Victor Ruiz, në afatin kalimtar të janarit.21-vjeçari vlerësohet lartë nga ekipi anglez dhe ka qenë pjesë e përfaqësues së Spanjës në të tre nivelet, nën 17, nën 19 dhe nën 21-vjet.
Ruiz pritet të shitet nga klubi spanjoll, ndërsa City shihet si favorit për të marrë shërbimet e tij. Për të raportohet se janë të interesuara edhe disa klube italiane, përfshirë Napolin.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, thotë se ai, si edhe gjithë bashkëlojtarët e tij, ka besim të plotë në menaxherin Roy Hodgson.Mediat spekulojnë se një pjesë e futbollistëve të Liverpoolit të cilët vijnë nga jashtë Anglisë nuk kanë besim në menaxherin Roy Hodgson dhe mendojnë se ish-trajneri Rafa Benitez duhej të qëndronte në Anfield. Por Torres thotë se Benitez është vetëm e kaluar.
“Përbërja ka besim në Roy Hodgson, si edhe unë. Nuk kam kurrfarë problemesh me menaxherin, ai gjithmonë beson në mua dhe kjo është e rëndësishme për çdo futbollist. Edhe pse ai ishte gjatë në klub, faza Benitez në Liverpool tashmë është histori. Ajo i takon të kaluarës dhe tash vetë e tashmja është e rëndësishme për ne”, ka thënë Torres.
Andres Iniesta thotë se ai nuk e meriton shpërblimin FIFA Topi i Artë dhe propozon që futbollisti më i mirë për këtë vit të zgjidhet në mes të Wesley Sneijder, Xavi Hernandez, Iker Casillas dhe Lionel Messi.Në fillim të vitit të ardhshëm do të ndahet shpërblimi Topi i Artë i cili për herë të parë do të jetë një trofe i përbashkët i FIFA dhe France Football. Pritet që tre futbollistë të luftojnë për shpërblimin individual dhe ata janë Sneijder, Xavi dhe Iniesta. Por ky i fundit mendon se në vend të tij duhet të jetë portieri i Real Madridit dhe kombëtares së Spanjës, Casillas, dhe bashkëlojtari te Barca, Messi.
“Do të gënjej nëse them se ky shpërblim nuk do të thotë asgjë për mua, por kjo nuk është obsesion. Fakti që jam në listën e 23 futbollistëve tashmë është një sukses i mirë. Nuk jam futbollisti që duhet ta fitojë Topin e Artë falë një goli. Sneijder e meriton pa dyshim. Ai është favorit, ndërsa pas tij janë Xavi, Casillas dhe Messi”, ka thënë Spanjolli.
Trajneri i Milanit, Massimilliano Allegri, është i shqetësuar me qëndrimet e vonshme të Ronaldinhos nëpër klubet e natës.Allegri ka shprehur zhgënjimin e tij, pasi Ronaldinho ishte kapur nga kamerat duke bërë qejf në një klub nate në orët e hershme të mëngjesit.
“Kam mësuar për këtë nga ju. Askush nuk më ka thënë asgjë mua. Sigurisht se nuk është në rregull. Ata nuk janë orë që përshtaten me jetën e një atleti. Do të jetë vështirë ta shoh Ronaldinhon, Ibrahimovic dhe Robinhon në fushë njëherazi”, ka thënë Allegri.
Mesfushori i huazuar i Liverpoolit, Alberto Aquilani, thotë se për të nuk kishte zgjidhje tjetër gjatë verës, ose të kalonte te Juventus ose të dështonte.Dhe paraqitja e Aquilanit për fanellën bardhezi e ka shpërblyer atë me një ftesë në ekipin kombëtar të Italisë.
“Doja vetëm Juventusin. Biankonerët shpejt u shfaqën sapo unë shpreha dëshirën për t’u rikthyer në Itali, duke kontaktuar me Liverpoolin dhe me Roy Hodgson me idenë e huazimit”.
“Unë doja të luaj. Kisha nevojë ta bëj këtë. Disa njerëz më këshilluan të shkoj te një klub më i vogël, por unë nuk doja të shkoj një nivel më poshtë. Doja të shfrytëzoj shansin tim me një klub më të madh. Doja të rikthej veten në ndeshje pas një viti të vështirë dhe një lëndimi të vështirë. Sidoqoftë, deri një ditë para se të arrij (në Torino) isha i bindur për qëndrim te Liverpool”, ka thënë Aquilani.
Në prag të derbit të sotëm londinez përballë Arsenalit, menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, beson se Topçinjtë mund ta fitojnë titullin këtë sezon.Redknapp mendon se Arsenali kurrë nuk do të ketë rastin më të mirë për ta fituar ligën se këtë sezon, me Chelsean dhe Manchester United që po dështojnë të impresionojnë.
“Është një garë shumë më e hapur këtë vit dhe Arsenali ka rastin e vërtetë për ta fituar titullin. Chelsea, për shembull, ka lëndime të lojtarëve kyç. Ata nuk janë në nivelin që ishin sezonin e kaluar dhe e njëjta gjë vlen për United, edhe pse ata ende janë të pamposhtur. Nëse ne nuk do të kishim lëndime dhe nuk do të kishim humbur pikë, do të ishim po ashtu atje lart”.
“Arsenali është vetëm dy pikë prapa Chelseat tash, dhe mendimi im është se nëse ata do ta fitojnë titullin, kjo do të ndodhë këtë vit”, ka thënë Redknapp.
Oklahoma City Thunder edhe pse ka luajtur pa shënuesin lider të NBA-së, Kevin Durant, për shkak të lëndimit të tij, ka befasuar Boston Celtic duke ia shkaktuar humbjen e parë të sezonit para publikut të vet.Durant mungoi në ndeshje për shkak të lëndimit në gjurin e majtë të pësuar në fitoren e Thunder ndaj Houston gjatë të mërkurës, por humbja e tij nuk e ka penguar ekipin të shënojë fitore 89-84.
Rolin e liderit për Thunder e mori Russell Westbrook i cili shënoi 31 pikë, përfshirë 11 nga 13 të mundshmet nga gjuajtjet e lira. Fitorja ishte e teta e këtij sezoni për Oklahoma City Thunder, krahas katër humbjeve.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, ka thënë se ai do të luajë gjithë karrierën e tij në Camp Nou.Iniesta ka parë bashkë-lojtarët e tij Xavi dhe Carles Puyol të bëjnë nga 500 paraqitje për klubin spanjoll dhe dëshiron edhe vetë ta arrijë këtë shifër.
“Dua të arrij 500 ndeshje për Barcelonën si Xavi dhe Puyol. Do të ishte ëndërr të përfundoj karrierën këtu”, ka thënë spanjolli, i cili tashmë ka bërë mbi 300 paraqitje për Blaugranët.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, thotë se ai tashmë ka filluar të ndjejë lodhjen për shkak të angazhimit të vazhdueshëm në fushë.Suedezi është i detyruar të luajë po thuajse çdo ndeshje me Alexandre Pato dhe Pippo Inzaghi që janë jashtë ekipi për shkak të lëndimeve afat-gjate.
“Kam luajtur shumë ndeshje këtë sezon dhe tash ndjehem i lodhur, pothuajse i rraskapitur. Duke parë se Milani ka dy sulmues të lënduar, situata nuk është shumë e lehtë për mua. Duhet të falënderoj përzgjedhësin e Suedisë që më lejoi të pushoj ca këtë javë”, ka thënë Ibra.
Në anën tjetër, Andrea Pirlo po ashtu është jashtë fushe për derbin e sotëm ndaj Fiorentinas për shkak të përsëritjes së problemeve me kofshën e djathtë, por Ronaldinho është përfshirë, pavarësisht qëndrimit të vonshëm në klubet e Milanos.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai ende është i befasuar nga transferimi i William Gallas te Tottenham.Wenger ishte tronditur kur Gallas vendosi të kalojë te rivali tjetër londinez, Tottenham, pasi më herët kishte refuzuar ofertën e re të Arsenalit.
“Mendova se Tottenham kishte shumë mbrojtës të qendrës. Nuk e prita atë t’i bashkohet Tottenhamit. Ai mund të jetë i tepruar nganjëherë, por ai është një karakter i sinqertë. Nuk ka pasur ndonjë mosmarrëveshje të madhe mes nesh”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i West Ham United, Avram Grant, ka lansuar një sulm në kapitenin e Arsenalit, Cesc Fabregas.Grant ka kritikuar Cesc për ndërhyrjen ndaj Manuel da Costa e cila do ta mbajë këtë të fundit jashtë fushe deri në vitin e ardhshëm.
“Ishte një ndërhyrje e keqe. Ishte një lëndim i keq dhe ai nuk do të luajë për 10 javë. Dhe ai ishte shumë i mirë këtë sezon. Televizori pëlqen të zgjedhë gjërat si Scott Parker me arbitrin. Nëse ata do t’i paraqitnin gabimet e arbitrave kundër nesh, ata do të kenë nevojë për një program të tërë”, ka thënë Grant.
Mbrojtësi i Arsenalit, Bacary Sagna, mendon se fansat e Tottenhamit duhet të jenë krenar për ekipin e tyre këtë sezon.Sagna, i cili ka për detyrë të ndalojë anësorin Gareth Bale në derin e sotëm londinez, thotë se atmosfera pritet të jetë edhe më e nxehtë duke marrë parasysh suksesin e fundit të Spurs.
“Rivaliteti mund të jetë edhe më intensiv këtë sezon. Ata janë shumë konkurrues. Ata ia dalin mirë në Ligën e Kampionëve dhe Ligën Premier. Ne e dimë se do të jetë vështirë për ne, por do të jetë vështirë edhe për ta”, ka thënë Sagna për London Evening Standard.
“Nëse do të isha një fansi Spurs, do të isha krenar për ekipin e tyre, por jam i Arsenalit dhe jam krenar për atë që ne arrijmë”, ka shtuar francezi.
















