Gary Lineker beson se Anglia nuk do të jetë në gjendje që ta fitojë Botërorin e vitit 2014 dhe për këtë arsye duhet të fokusohet se si ta fitojë konkursin për ta organizuar Botërorin 2018.
“Unë urrej të jem kritikuesi i vetëm, por ne duhet ta harrojmë Botërorin e vitit 2014. Të gjithë mund të jenë konkurrues nëse luajnë taktikisht mirë dhe shfrytëzojnë fuqinë, ashtu si bëri Holanda në Afrikën e Jugut”.
“Por që të kemi gjasa të mira dhe të mos jemi jofavoritë, mendoj se për KB 2014 kjo do të jetë e pamundur. Ne po bëjmë progres por ende jemi larg kombëtareve tjera, kështu që në 2014 nuk ka gjasa. Ne duhet të presim deri në vitin 2018, ndoshta në shtëpi, për t’u konsideruar si favoritë të Botërorit”, u shpreh Lineker.
Juventusi u zhvendos në pozitën e tretë në Serie A me një fitore prej 2-0 ndaj Genoas, ndërsa me paraqitjen e të urdhëruarve të tij u shpreh i kënaqur trajneri Luigi Del Neri.
“Djemtë shfaqën paraqitje shumë të mirë. Ekipi ka krenari të madhe dhe gjithmonë futet në fushë për të fituar”.
“Ne jemi fare pranë majës, por duhet të punojmë më shumë. Nëse nuk lëshojmë pikë sikurse që bëmë në fazën fillestare të sezonit, atëherë jam i bindur se ne mund të mbajmë këtë hap dhe të vazhdojmë me presionin ndaj liderit”, ka thënë Del Neri.
Carlos Tevez dhe Yaya Toure Manchester City ka arritur të shënojë fitore të lartë në udhëtim te Fulhami me rezultat 4-1, për t’u futur edhe zyrtarisht në luftën për titull të kampionit të Ligës Premier.
Duket se Mancini kishte vendosur para ndeshjes për t’ia bërë bajat paraardhësit të tij te City, Mark Hughes, pasi që me të filluar ndeshje (6’), Carlos Tevez dha sinjalin e parë me golin për 1-0. Pablo Zabaleta dhe Yaya Toure brenda tre minutave (32’ dhe 35’), e trefishuan e epërsinë e Qytetarëve.
Në pjesën e dytë Carlos Tevez i dha verdiktin përfundimtar takimit me golin për 4-0 (56’). Golin e nderit dhe rezultatin përfundimtar 4-1 të takimit e vuri Zoltan Gera (70’).
Me këtë fitore Manchester City e sheh veten në pozitën e katërt me 25 pikë, një më pak se Arsenali në pozitën e tretë dhe tre më pak se liderët Chelsea dhe Manchester United.
Përderisa Interi pësoi humbjen e dytë me radhë ndaj Chievos, trajneri Rafael Benitez ishte më shumë i përqëndruar në faktin se çfarë skuadre është Chievo.
“Pas një disfate kurrë nuk mund të jesh i kënaqur. Vlen të përmendet se njerëzit e mi treguan së paku karakter. Ne jemi dënuar në kundërsulme. Në një fushë të tmerrshme djelmoshat e mi u munduan të bëjnë diçka, por thjesht nuk shkoi asgjë për dore”.
“Komplimente për Chievon që luajti shumë mirë, por një skuadër si Interi duhet t’i fitojë këto ndeshje, ky është futbolli. Kjo nuk është hera e parë që unë kam qenë në një situatë të tillë dhe vetëm me punë mund të rikthehemi. Ne kemi dëshirë të madhe për të fituar dhe këtë duhet ta tregojmë me rezultate duke filluar nga ndeshja ndaj Twentes të mërkurën”, u shpreh Benitez.
Sergio Pellisier Chievo ia ka shkaktuar Interit edhe humbjen e tretë këtë sezon në stadiumin Marc Antonio Bentegodi me rezultat 2-1, duke e thelluar kështu krizën e Nerazzurëve.
Kjo ishte pa kurrfarë dyshimi paraqitja më e keqe e Interit këtë sezon, pasi që Chievo masakroi Nerazzurët, ndërsa rezultati nuk është dashur të jetë 2-1, por shumë shumë më i thellë për skuadrën nga paralagja e Veronës.
Chievo kaloi në epërsi në minutën e 29-të, pas një harkimi nga Frey, të cilin për mrekulli e shfrytëzoi Sergio Pellisier për 1-0. Vetëm një minut më pas Pellisier e pati edhe një rast tjetër ideal, të cilin nuk e shfrytëzoi.
Në pjesën e dytë vazhdon loja e mirë e Chievos dhe gjumi dimëror i Interit. Davide Moscardelli e dyfishoi epërsinë e Chievos në 2-0 dhe atë ashtu si në golin e parë pas një harkimi dhe goditje me kokë.
Interi nuk arriti të bëjë asgjë pos një goli të shënuar për 2-1 nga Samuel Eto’o sa për të zvogëluar turpin e disfatës.
Me këtë disfatë Interi e sheh veten në pozitën e gjashtë me vetëm 20 pikë, nëntë pikë më pak se lideri dhe rivali i përbetuar Milan.
Chelsea i ka ndërprerë negociatat për rinovimin e kontratës së Carlo Ancelottit, pas disfatës turpëruese nga Birminghami.
Sunday Mirror thotë se ky hap i drejtuesve të Chelseat vjen pas pakënaqësive me rezultatet e fundit, përkundër faktit se italiani është duke i mbajtur Blutë në krye.
Pronari Roman Abramovich nuk është aspak i disponuar që të bëjë shaka me klubin e tij, prandaj e ka rishqyrtuar pozicionin e tij ndaj strategut italian, duke zgjuar kështu një valë të re spekulimesh.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka lëvduar lojtarët e tij për paraqitjen ‘profesionale’ ndaj West Hamit në fitoren prej 3-0, përkundër lëndimit të Steven Gerrard.
“Ishte me rëndësi të fitojmë dhe ne bëmë këtë me stil, kështu që është mirë. Do të ketë shumë situata muajt e ardhshëm ku në moment ekipet do humbasim dhe do të fitojnë”.
“Kampionati është aq i ashpër sa që nuk mund të parashikosh rezultatin. Ne ishim të brengosur për mungesat e Gerrard dhe Leivas, por fatmirësisht lojtarët shfaqën paraqitje profesionale”, deklaroi Hodgson.
Juventusi ka shënuar fitore prej 2-0 si mysafir i Genoas në takimin e vlefshëm për javën e 13-të të Kampionatit italian.
Bardhezinjtë e fituan ndeshjen që në pjesën e parë, pasi që krijuan avantazh të dyfishtë, i cili mbeti i tillë deri në fund të takimit.
Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 18-të pas një goditjeje të Claudio Marchisios, i cili me ndihmën e portierit Eudardo ia dha epërsinë Juves.
Me një solo-depërtim, Milos Krasic kaloi mbrojtjen vendase për të shënuar golin e dytë për bardhezinjtë (23’) dhe për të vulosur fitoren që në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, Genoa luajti më mirë dhe pati iniciativën në sulm, mirëpo nuk arriti të ndryshonte në rezultat, falë mbrojtjes së fortë juventine.
Pas kësaj fitoreje, Juventusi ngjitet në vendin e tretë në tabelë, dhe ka gjashtë pikë më pak se lideri, Milan.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, u shpreh tejet optimist pas fitores së lartë prej 5-1 të skuadrës së tij ndaj Athletic Bilbaos, duke thënë se tani Los Blancos janë të gatshëm për udhëtimin në Camp Nou.
“Ishte ndeshje interesante. Ekipi tani është i përgatitur për Ligën e Kampionëve dhe më pas për Camp Nou”, theksoi Valdano.
I pyetur se çfarë mendon për het-triqet e realizuara nga Messi dhe Ronaldo në të njëjtën ditë, Valdano e përfundoi deklaratën e tij: “Ata janë ndoshta dy prej figurave më të mëdha në botën e futbollit, ndërsa ata janë shndërruar në makina të golave. Ata po i shënojnë golat me lehtësi dhe ky është indikacion i cilësisë së tyre”.
Pep Guardiola ka hedhur poshtë zërat se fitorja historike prej 8-0 në fushën e Almerias ka qenë sinjal për Real Madridin para ‘el Classicos’ së 29 nëntorit.
“Ne nuk luajtëm për t’ia tërhequr vërejtjen askujt, por ne kemi respekt për kundërshtarin. Ne jemi të obliguar t’i fitojmë ndeshjet”, theksoi Guardiola.
Barcelona takohet të hënën më 29 nëntor me Real Madridin në Camp Nou, në atë që quhet një prej përballjeve më të flakta në histori të ‘el Classicos’, kjo për shkak të formës së lartë të skuadrave dhe futbollistëve kryesorë, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Sulmuesi boshnjak i Wolfsburgut, Edin Dzeko, edhe njëherë është shndërruar në cakun kryesor të Manchester Cityt nga tabloidet angleze, ndërsa ai nuk është i vetmuar në këtë rrafsh.
Mirror shkruan se drejtorët e Manchester Cityt në një takim me kryetarin e klubit Khaldoon al-Mubarak kanë vendosur që të shpenzojnë në janar dhe atë jo për futbollistë tjerë por për Edin Dzekon dhe Dani Alves.
Këtij të fundit i skadon kontrata verën e ardhshme, një gjë që mund t’i ndihmojë Cityt, që me një ofertë të lartë ta lëkundë asin brazilian.
Asi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ia ka tërhequr vërejtjen Barcelonës që të mos gëzohet tepër me fitoren historike ndaj Almerias.
“Çfarë, Barca fitoi 8-0? Nuk kam asgjë për të thënë. Le të shohim nëse do ta bëjë këtë të hënën”, theksoi portugezi.
“Nuk ka rëndësi kush shënon gola. Mua më intereson ta fitoj titullin. Penaltia e goditur nga Sergio Ramos? Ai më tha se dëshiron ta godasë dhe është mik i imi, prandaj e lejova”, ka thënë Ronaldo.
Përderisa Milani iu falënderua një momenti magjik të krijuar nga Zlatan Ibrahimovic për të siguruar fitoren ndaj Fiorentinas, ishte Massimiliano Allegri ai që pranoi vështirësitë e skuadrës së tij në fitoren minimale ndaj Violas.
“Ne siguruam një fitore të vështirë. Kjo fitore është shenjë e rëndësishme e unitetit të grupit. Ne kemi arritur baraspeshën mentale që është gjithashtu evidente në stërvitje gjatë javës”.
“Një baraspeshë e tillë shpaguhet në momente kyçe dhe natyrisht se kur keni lojtarë si Ibrahimovic atëherë është më lehtë ta zhbllokosh rezultatin. Ai shënoi një gol të mrekullueshëm dhe po dëshmohet si fundamental për skuadrën tonë”, tha Allegri.
Trajneri i Juventusit, Luigi Del Neri, beson se ndeshja e Juventusit ndaj Genoas do të jetë shumë e vështirë.
“Ne jemi përgatitur për këtë ndeshje futbollistike. Ne do të luajmë në një fushë të komplikuar, për shkak të mbështetjes që tifozët i japin skuadrës së Genoas”, theksoi Del Neri.
Juventusi javën e kaluar barazoi me Romën në Olimpico të Torinos dhe fitorja ndaj Genoas është e obliguar për Bianconerët, nëse dëshirojnë të mbajnë hapin me liderin Milan, që të shtunën mbrëma mposhti Forentinën.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka shprehur besimin e tij për Rafa Benitezin, duke thënë se edhe nëse Interi pëson disfatë nga Chievo, atëherë tekniku spanjoll nuk do të shkarkohej.
“Rafael Benitez ka besimin tim të plotë. Për momentin ne kemi një listë brengosëse të lëndimeve, por shpresoj se gjërat shumë shpejt do të kthehen në normalitet”.
“Edhe nëse pësojmë disfatë nga Chievo, do të kishte mjaft kohë për trajnerin”, ka thënë Moratti.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është përballur me pakënaqësi të mëdha të lojtarëve të tij për lehtësirat që ia ofron Mario Balotellit.
Sipas Mail on Sunday, Emmanuel Adebayor, Wayne Bridge, Joleon Lescott dhe Shaun Wright-Philips janë fjalosur me italianin, duke pohuar se ai shikon preferencat e tij personale para atyre të ekipit.
Roberto Mancini i dha leje Balotellit që të largohet nga stërvitja e bërë vetëm një ditë pas barazimit me Manchester United, vendim ky që revoltoi lojtarët.
Mbrojtësi i Manchester United, Patrice Evra, dëshiron që të vazhdojë të shënojë gola për klubin e tij, pas të parit të shënuar ndaj Wiganit për tri vite e gjysmë pa gol.
“Ka mbi tri vjet që nga goli im i fundit. Është frustruese për mua sepse mënyra si po luaj kërkon nga unë të shënoj më shumë. Kjo është arsyeja pse keni mundur të shihni gjithë atë hidhërim në gëzimin e golit. Detyra ime kryesore është të mbroj, por unë e di se kam cilësinë për të shënuar më shumë”.
“Unë kam mundur të shënoj edhe një tjetër në pjesën e dytë, u frustrova me vetveten. Ishte një gol i lehtë dhe unë është dashur të shënoja. Por, tani shpresoj që të vijnë më shumë gola, nuk dua të pres edhe tri vite tjera për një gol”, u shpreh Evra.
Pas barazimit prej 1-1 të skuadrës së tij me Bayer Leverkusenin, trajneri i Bayernit të Munichut, Louis Van Gaal ka pranuar se Borussia Dortmund është favorit për titullin në Bundesliga.
“Ne luajtëm shumë mirë në pjesën e parë. Ne patëm një gol të anuluar të Schweinteiger. Është mëkat që kemi lejuar të na ikin dy pikë tjera. Qëllimi ynë është afatgjatë, të bëhemi kampionë”.
“Dortmundi për moment është në krye dhe ka më shumë gjasa. Por, mendoj se ne kemi gjasa ende”, u shpreh Van Gaal.
Sir Alex Ferguson ka paralajmëruar paraqitjen nga fillimi i takimit të Wayne Rooneyt në sfidën e nxehtë ndaj Rangers në Hampden Park.
“Unë do ta fus në lojë Rooneyn ndaj Rangers. Mendoj se është një ndeshje në të cilën unë mund t’ia jap 90 minuta dhe ai mund të kthehet në formën më të mirë”, theksoi Ferguson.
Skocezi u shpreh i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij ndaj Wigan Athletic në Old Trafford, por me dëshirë të përmirësimit të mëtutjeshëm të të urdhëruarve të tij.
Arsene Wenger ka pranuar se ai ishte pa fjalë pasi Arsenali hodhi një epërsi prej dy golash ndaj Tottenhamit dhe rastin për të kaluar në maje të Ligës Premier.
“Ne jemi pa fjalë kur e rianalizojmë ndeshjen. Është mjaft misterioz fakti se si mund të humbasim një ndeshje të tillë. Nëse shikoni në statistikat dhe numrat, është shumë e vështirë të kuptoni se si e humbëm ndeshjen”.
“Unë besoj se ne kemi arritur të shfaqim paraqitjen e pritur, për nga ana e cilësisë. Por, ne nuk kemi mundur të vazhdojmë të mbajmë fokusin tonë për pjesën e mbetur të ndeshjes për shkak se disa prej lojtarëve humbën përqëndrimin. Nëse shikoni rastet e pastra, është vështirë e kuptueshme se si pranuam tri gola. Ne humbëm dhe tani mund të shikojmë veten”, u shpreh Wenger.