Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, shpreson se Los Blancos mund ta thyejnë tabunë e dështimit në fazën e 1/8-ës së Ligës së Kampionëve.
“Kjo na është ngulitur në kokë sikurse një trauma dhe kjo u ka ndodhur lojtarëve…mua më shumë se të gjithë të tjerëve të cilët kanë qenë për pak vite këtu”.
“Unë kam përjetuar dhe vuajtur këtë situatë mirëpo lojtarët e rinj dhe përvoja e tyre me klubet tjera, mund të jetë shumë të dobishëm për një skuadër si ne. Është klubi ai që po e pëson këtë goditje që gjashtë vjet me radhë”.
“Ardhja e Mourinhos gjithashtu ka bërë të mundur transferimin e lojtarëve të rinj, lojtarëve të ri me shumë talent, të cilët duan t’i bëjnë gjërat si duhet, të kenë shumë shpresë dhe të jenë të përkushtuar. Është sikurse një ringjallje”, ka thënë gardiani i Los Blancos.
Menaxheri i Birminghamit, Alex McLeish mendon se Jose Mourinho do ta shpiej Real Madridin drejt fitores në ‘el Classicon’ e javës së ardhshme ndaj Barcelonës.
“Mourinho ka dëshmuar se është kampion në çdo sens të fjalës”.
“Ai ka bërë kështu me çdo ekip që ka drejtuar. Unë kurrë nuk do të kisha vënë bast kundër Mourinhos në një ‘el Classico’”, u shpreh McLeish.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka këmbëngulur se ia ka më pak fuqi te klubi londinez se sa kolegu i tij te Manchester United, Sir Alex Ferguson.
“Më krahasoni me Ferguson. Jemi në pozita të ndryshme. Ferguson ka kontroll total në ekipin. Unë jam vetëm drejtues teknik”, theksoi Carlito.
Ancelotti momentalisht gjendet nën zjarrin e mediave angleze pas rezultateve të dobëta të Bluve të Londrës.
Sipas trajnerit Roberto Mancini, e ardhmja e Mario Balotellit është e rrënjëzuar thellë te Manchester City.
“Unë kam lexuar kinse jam hidhëruar në të se darkoi me Adriano Gallianin, por unë nuk e di nëse kjo ka ndodhur dhe nuk është e vërtetë se jam hidhëruar në të”.
“Mendoj që ai para se të luajë me Ibrën, duhet të luajë këtu. Ai ka luajtur disa ndeshje dhe ka bërë mirë, përkundër faktit se u përjashtua”.
“Shpresoj se ai tani mund të mendojë për përvojën që do ta fitojë këtu, sepse kjo mund të jetë shumë e dobishme për karrierën e tij. Ai duhet të luajë mirë këtu”, deklaroi Mancini.
Futbollisti, i cili nga janari do t’u bashkohet radhëve të Barcelonës, Ibrahim Afellay, është shprehur i ngazëllyer me krahasimet që i bëhen me Andres Iniestan.
“Këto janë fjalë të bukura, nëse dikush më thotë kësolloj gjërash, atëherë unë mbes pa fjalë. Por, çfarë më duhet të them është se derisa të arrihet marrëveshja përfundimtare, ju nuk mund të më uroni për transferin”, theksoi Afellay.
Afellay do të transferohet te Barcelona për tri milionë euro, por duhet të pritet zyrtarizimi nga agjenti i lojtarit.
Mbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonucci, mendon se Bianconerët do të luajnë rol të madh në luftën për titull të kampionit të Italisë.
“Fitorja prej 2-0 te Genoa ishte qershia mbi tortë pas një serie të mirë te rezultateve, ndërsa 11 ndeshje pa humbje tregojnë se ne mund të luajmë rol në garën për titull”.
“Tani duhet të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të jemi të vëmendshëm, sidomos në ndeshjen e të dielës ndaj Fiorentinas. Natyrisht tabela është e rëndësishme, por ne duhet të mendojmë se si të luajmë mirë pas çdo ndeshje dhe kjo do të thotë se ne e dimë se çfarë mund të arrijmë”, tha Bonucci.
Trajneri legjendar i Interit dhe aktualisht strategu i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thumbuar rivalin e tij të përbetuar Rafa Benitez, duke u çuditur me kolapsin e zi-kaltërve. “Çfarë, ai humbi përsëri?...”, theksoi Mourinho i pyetur nga La Gazzetta dello Sport se çfarë mendon për krizën Nerazzure.
“Kjo është e pabesueshme dhe ai tashmë është nëntë pikë prapa…Natyrisht, gjithçka është më ndryshe te Interi se në Angli”, potencoi Mou.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, përkundër krizës së madhe për rezultate në Anfield ka gjetur kohë për të folur mbi dy futbollistët më të mirë në botë, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, ndërsa e quan këtë të fundit më të kompletuar.
“Barcelona është favorit i lehtë në ‘el Classico’ sepse luan në shtëpi dhe unë ndjej se aty do ketë shumë gola. Për mua, Blaugranët duke luajtur para 100 mijë tifozëve, janë favoritët absolutë të kësaj përballje, por është një ndeshje e cila është e vështirë për t’u parashikuar”.
“Messi dhe Ronaldo janë që të dy lojtarë të mëdhenj, por për shijen time Messi është më i kompletuar. Sidoqoftë, ky është mendimi im modest personal”, u shpreh Reina.
Legjenda gjermane dhe president nderi i Bayernit të Munichut, Franz Beckenbauer, ka kritikuar paraqitjet e fundit të skuadrës bavareze, duke thënë se ata nuk janë të denjë për ta fituar titullin, ndërsa e ka tipizuar Dortmundin si favorit.
“Ata bënë gabime sikurse fëmijët kur luajnë në shkollë. Ata nuk janë të denjë për ta fituar titullin”.
“Dortmundi është thjesht në një nivel tjetër. Ata janë shumë vite më parpara futbollit se të tjerët”, precizoi Beckenbauer.
Bayerni aktualisht është në pozitën e tetë në Bundesliga, 14 pikë prapa liderit Dortmund.
Interi është bërë tym, i djegur nga Rafael Benitez që ka shkatërruar perandorinë e ndërtuar nga Jose Mourinho dhe madje një Calciopoli i dytë nuk do të mjaftonte që Interi ta shuajë zjarrin e spanjollit, mendon Luciano Moggi.
“Interi është i mbaruar. Përfitimet e tyre nga Calciopoli kanë marrë fund. Dhe jam i sigurt se Moratti vet e shkaktoi këtë duke e zëvëndësuar Mourinhon me një trajner diametralisht të kundërt, Benitezin. Ekipi është shndërruar nga një anije luftuese në një barkë të dobët”.
“Që të fitojë përsëri, Moratti ka nevojë për një Calciopoli të ri…”, deklaroi Moggi për Gold TV.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se skuadra e tij e ka mbajtur mentalitetin fitues përkundër humbjes katastrofale nën derbin e Londrës veriore ndaj Tottenhamit.
“Unë nuk mund ta mohoj faktin se kemi humbur një mundësi për të bërë diferencën me ekipet prapa nesh. Është brengë e madhe kjo, kryesorja. Por nuk besoj se kemi problem me mentalitetin fitues”.
“Lojtarët kanë mentalitetin, ata duan të fitojnë”, u shpreh Wenger.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka pohuar se ndeshja ‘el Classico’ ndaj Barcelonës në Camp Nou nuk do ta vendosë titullin në La Liga.
“Është një nga 38 ndeshjet që duhet t’i luajmë në La Liga. Nëse ia dalim me Barcelonën, atëherë do të jemi liderë. Unë mund të jem veçantia e kësaj ndeshje pasi që është takimi im i parë në ‘el Classico’”, theksoi Mourinho.
‘el Classico’ mes Barcelonës dhe Real Madridit në Camp Nou zhvillohet më 29 nëntor.
Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, ka bërë shaka me derbin më të madh në botë ‘el Classico’, duke thënë se do të dëshironte humbjen e të dyja skuadrave.
“Nëse të dyja ekipet do të mund ta humbisnin ndeshjen, unë do të isha i ngazëllyer. Por, natyrisht se kjo nuk mund të ndodh, kështu që unë shpresoj se ekipi më i mirë do të fitojë”.
“Më pëlqen futbolli, por jam i interesuar vetëm kur Atletico Madrid luan. Unë ndoshta do të bëj diçka tjetër dhe nuk do ta shikoj atë ndeshje, sidomos në një të hënë”, u shpreh Cerezo.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka lëvduar Zlatan Ibrahimovicin duke e krahasuar atë me sulmuesin legjendar Marco Van Basten.
“Ibrahimovic është sikurse Van Basten. Goli i tij ndaj Fiorentinës ma kujton atë që Van Basten e shënoi ndaj Gothenburgut në vitin 1992. Madje as Andryi Shevchenko nuk mund të futet në këtë nivel”.
“Titulli? Duhet të mbajmë sytë kah Roma”, theksoi Galliani.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, i ka hedhur poshtë spekulimet që thoshin se ai është pranë shkarkimit, pas paraqitjeve të dobëta.
“Nuk e di nëse mjafton ta sqaroj pozitën time pas këtyre spekulimeve. Këto spekulime janë totalisht të pavërteta. Nuk e di pse janë zbuluar ato”.
“Unë nuk kam biseduar me Shoqatën e Trajnerëve të Ligës Premier për largimin tim dhe kjo është absolutisht e pavërtetë. Unë kam kontratë deri në vitin 2012 me këtë klub. Unë kam thënë shumë herë më parë se dua të qëndroj këtu”, ka thënë Ancelotti.
Rafael Benitez edhe zyrtarisht tashmë e ka futur Interin në krizën më të thellë që prej më se një dekade dhe pos tjerash ai është fare pranë sëpatës së Massimo Morattit.
Benitez është ende trajner i Interit dhe çdo rezultat negativ ndaj Twentes, përfshirë edhe barazimin, do të thoshte shkarkim.
Il Corriere dello Sport pohon se spanjolli ka 90 minuta për ta shpëtuar punën e tij, ndërsa një disfatë të mërkurën do ta nxiste presidentin Massimo Moratti ta fuste nën sëpatën e tij ish-menaxherin e Liverpoolit. Moratti ka pasur një takim të gjatë me Benitezin pas humbjes tupëruese te Chievo, ku ia ka bërë me dije spanjollit se nëse dëshiron ta mbajë postin e tij, duhet ta largojë Interin nga kriza.
Tashmë emrat e parë që kanë filluar të lakohen për pankinën zi-kaltër janë Fabio Capello dhe Luciano Spalleti.
Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, e ka quajtur veten si menaxheri më i mirë, pasi skuadra e tij shkatërroi në udhëtim Fulhamin.
“Unë gjithmonë kam menduar se jam menaxheri më i mirë. Në karrierën time, ku kam shkuar kam fituar. Javën e kaluar isha një menaxher i dobët që ishte gjashtë pikë prapa liderit. Tani jam menaxheri më i mirë për shkak se jam vetëm tri pikë larg majes së tabelës”.
“Nëse kemi ndonjë problem të madh dhe jemi në krizë të madhe, ndërsa jemi vetëm tri pikë larg Unitedit e Chelseat, atëherë ne po luajmë mirë. Kështu shkon kur jeni menaxher. Nëse fitoni, jeni në maje. Nëse humbisni, jeni i dobët. Une e di çfarë po ndodh. Nuk më intereson dhe aq”, ka thënë Mancini.
Njeriu që e ka fyer dhe demaskuar Rooneyn pas refuzimit të këtij të fundit për të nënshkruar kontratën e re me Manchester United, Patrice Evra, tani ka ofruar përkrahjen e tij për asin anglez.
“Është shumë mirë që e shohim atë të rikthyer. Ne do ta ndihmojmë atë që të kthehet në formën më të mirë dhe të shënojë përsëri gola me Manchester United. Me Rooneyn ne nuk do të flasim për të kaluarën, ne vetëm mendojmë për të ardhmen”.
“E ardhmja thotë se ai do të bëhet përsëri futbollisti më i mirë në botë. Ajo çfarë kam thënë është se ekipi është mbi të gjithë dhe jo lojtarët”, përfundoi francezi.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se ai meriton ta fitojë çmimin e trajnerit më të mirë.
Mourinho fitoi tre tituj sezonin e kaluar me Interin, ndërsa këtë vit pushton pozitën e parë si në La Liga po ashtu edhe në grup në Ligën e Kampionëve me Real Madridin.
“Kam një bindje se e meritoj, por nëse e kam bindjen kjo nuk ma sjell çmimin. Në Itali ishin dy çmime për trajnerin më të mirë. Një, nga votat e trajnerëve, dhe një tjetër, nga votat e lojtarëve. Me lojtarë fitova 88% të votave. Trajnerët? Asgjë. Mendoj se nuk do ta fitoj pasi ata varen nga zgjidhja e të gjithë trajnerëve të botës”, ka thënë Mourinho.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, thotë se ai do të zgjidhte të fitojë titullin e kampionit të Spanjës para atij të Evropës.
“Titulli i Liga është një titull të cilin nuk e kam dhe është gjëja më e rëndësishme. Liga e Kampionëve është më e zorshme, më glamurozja dhe mbase më e vështira, por duhen më shumë kualitete për ta fituar Ligan”.
“Është një turne i rregullt. Liga e Kampionëve është një turne i fitoreve me eliminimin dhe nuk është gjithmonë më e mira. Megjithatë, në Liga është ca e komplikuar pasi vetëm më të mirët e fitojnë atë”, ka thënë Villa.
Villa do ta shijojë El Clasicon e parë të tij gjatë të hënës së ardhshme, kur Barcelona pret Real Madridin në Cam Nou.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është duke e përcjellë situatën e Carlo Ancelottit, te Chelsea.
Moratti ëshë duke e rimenduar të ardhmen e Benitez pasi ka parë ekipin e tij të bie nga top pesëshi pas disfatës nga Chievo, e dyta radhazi.
Njeriu i parë i Interit është i njoftuar për shqetësimet e Ancelottit te Chelsea dhe mediat shkruajnë se ai është duke menduar të sjellë ish-trajnerin e Milanit përsëri në San Siro.
Moratti e sheh atë si një goditje të rëndë për rivalët lokal, Rossonerët, që kanë provokuar Nerazzurët duke transferuar ish-sulmuesin e këtij ekipi, Zlatan Ibrahimovic, dhe që tash janë duke kërkuar edhe Mario Balotellin, i cili aktualisht aktivizohet te Manchester City.
Presidenti i Interit po ashtu shqyrton edhe mundësinë e nënshkrimit me Kaka, si një hakmarrje tjetër ndaj Milanit.
Sulmuesi i Milanit, Filippo Inzaghi, është në Barcelonë këtë javë me rekomandim të rivalit të tij të Interit, Samuel Eto'o.
Por, jo për të nënshkruar me ekipin spanjoll, por për të vizituar një mjek specialist të gjurit, Ramon Cugat.
“Jam kontaktuar nga shumë lojtarë, dhe shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar të gjithë, por telefonata e cila më bindi ishte nga Eto’o”.
“Ne u takuam në Bahama gjatë verës, pas lëndimit ai më telefonoi dhe më këshilloi të shkoj në Spanjë për të vizituar mjekun Dr Cugat, me të cilin ai kishte pasur rezultate të mira”, ka thënë Inzaghi.
Sulmuesi i Villarrealit, Giuseppe Rossi, është i kënaqur me formën e tij të cilën e gëzon së fundi.
Goli i Rossit në barazimin 1-1 ndaj Valencias ishte i teti i tij në La Liga këtë sezon dhe italiani është në rrugë për të pasur sezonin e tij më të mirë në karrierë, pasi suksesi i tij më i madh së fundi ishte para dy vitesh kur shënoi 12 gola për ekipin spanjoll.
“Ndjehem mirë, jam i lumtur në fushë dhe këtë sezon gjithçka po shkon në mënyrë të përkryer”, ka thënë 23-vjeçari për uebfaqen e klubit.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, është i bindur se ata do të rikthehen në formë pas humbjes befasuese nga Chievo.
Humbja 2-1 nga Chievo shënoi edhe disfatën e dytë radhazi pas derbit milanez, diçka që nuk ka ndodhur që nga shkurti i vitit 2006.
“Ekipi ynë është shumë i fuqishëm dhe ne kemi karakter, andaj ne do të dalim nga kjo kohë e vështirë me kokën lart. Fatkeqësisht lëndimet na kanë bërë që ne të mos mund të luajmë me të njëjtin formacion dy herë, por ne nuk kërkojmë arsyetime”, ka thënë Zanetti.
Real Madridi do të jetë pa Gonzalo Higuain dhe pa Sami Khedira për ndeshjen e nesërme të Ligës së Kampionëve kundër Ajaxit.
Argjentinasi Higuain, i cili luajti 76 minuta në takimin e të shtunës kur Reali mposhti me rezultat 5-1 Athletic Bilbaon dhe shënoi golin e parë, po vuan me probleme të shpinës, derisa mesfushori gjerman Khedira, i cili u zëvendësua pas 67 minutash lojë, ka problem me gjurin.
Madridi tashmë ka siguruar vend për në 16-shen e fundit të Ligës së Kampionëve, por ende nuk e ka siguruar kreun në grupin G, që mund të ndodhë nëse nxjerr rezultat pozitiv këtë javë.
Ekipi i Jose Mourinho aktualisht është pesë pikë mbi pozitën e dytë, ku ndodhet Milani, derisa Ajax është edhe një pikë prapa.
Interi raportohet se është në kontakte me FC Basel për të transferuar anësorin shqiptar Xherdan Shaqiri.
Shqiptari me nënshtetësi zvicerane është përcjellë nga shumë klube përfshirë Arsenalin dhe Liverpoolin që nga sezoni i kaluar kur pati filluar të shkëlqejë me klubin zviceran.
Megjithatë, Interi raportohet se tashmë ka kontaktuar Baselin për të shprehur interesimin në Shaqirin, në prag të afatit kalimtar dimëror. Kampioni i Evropës është i gatshëm të ofrojë 6 milionë euro për mesfushorin.
Portieri i Juventusit, Gigi Buffon, thotë se ai dëshiron të qëndrojë me Juventusin.
Portieri është lidhur me një transferim te Manchester United dhe Bayern Munich në javët e fundit, por ai thotë se do të qëndrojë në Olimpico.
“Është normale që emri im gjithmonë përmendët nga specialistët e transferimeve, pasi gjithmonë ky është lajm kryesor. Megjithatë, do të ishte çmenduri të largohem nga Juventusi”, ka thënë Buffon.
Presidenti i Sampdorias, Riccardo Garrone, ka ripohuar qëndrimin e tij se Antonio Cassano nuk do të luajë më për klubin.
Sampdoria është në proces të përpjekjes legale për t’i dhënë fund kontratës me Cassanon për ‘mosbindje’ dhe takimi i parë për të zgjidhur këtë është caktuar për tre dhjetor. Tentimi i parë i zgjidhjes së problemit do të jetë pajtimi, por duket qartë se kjo nuk do të ndodhë.
“Një gjë është e sigurt: Cassano kurrë nuk do të veshë fanellën e Sampdorias më. Po e bëj këtë gjë me shumë bindje, diçka që kurrë nuk më ka munguar në jetë”, ka thënë Garrone për RAI.
Tottenham raportohet se do të tentojë të transferojë sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema, kur afati kalimtar i janarit të hapet.
Menaxheri Harry Redknapp dëshiron ta forcojë ekipin e tij në Vitin e Ri derisa është në kërkim të titullit të parë në 50 vite në White Hart Lane dhe besohet se ai do tentojë të sjellë në ekip francezin Benzema.
Po ashtu thuhet se Redknapp dëshiron të testojë edhe njëherë rezistencën e West Ham United duke bërë një ofertë të re për Scott Parker.
“Po shikoj të sjell njerëz. Mendoj se Tottenhami do të jetë kampion në disa vitet e ardhshme. Vetëm pse nuk e ka fituar për një kohë të gjatë, nuk do të thotë se Chelsea, Man United, Arsenal ose Liverpool do ta fitojnë”, ka thënë Redknapp.