Alavaro Arbeloa dhe Karim Benzema duke festuar Real Madridi dhe Milani kanë siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve një xhiro pa përfunduar faza grupore, pas fitoreve respektive ndaj Ajaxit dhe Auxerres.
Reali u tregua tepër i fuqishëm për Ajaxin që nuk bëri asgjë pothuajse gjatë gjithë takimit. Fillimisht Karim Benzema kaloi Realin në epërsi (36’), me anë të një goditje të fortë, e cila erdhi pas asistmit fantastik të Mesut Ozil. Alvaro Arbeloa më pas e dyfishoi epërsinë (44’).
Në pjesën e dytë Ronaldo ia tregoi Ajaxit se është shumë larg futbollit me anë të një goli të shënuar në mënyrë të qetë (70’) dhe me një tjetër nga pika e bardhë (81’) për rezultatin përfundimtar 4-0. Sa per atraksion në fund zhveshtoret i vizituan Xabi Alonso dhe Serio Ramos të cilët u përjashtuan.
Milani përsëri u var nga magjia e Zlatan Ibrahimovic (65’) i cili me një raketë boshnajke arriti që t’ia sigurojë fitoren e madhe për kualifikim Milanit te Auxerre. Por kjo nuk ishte e tëra te kuq e zinjtë, pasi me anë të Ronaldinhos (90'), vendosën rezultatin përfundimtar.
Real Madridi në pozitën e parë me 13 pikë si lider siguron kualifikimin, ndërsa Milani me tetë pikë arrin që në vendin e dytë të kalojë më tej nga Grupi G.
Arsenali është duke e rrezikuar seriozisht kualifkimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve, pas humbjes së pësuar nga Braga në transfertë, përderisa Shakhtari është lideri i ri në Grupin H pas triumfit të lartë ndaj Partizanit midis Beogradit.
Arsenali ka pasur posedimin në top gjatë gjithë takimit, por rastet munguan, ndërsa Braga nga tri goditje në portë arriti të shënojë dy herë.
Të dy golat i shënoi Matheus (83’ dhe 90’) për humbjen katastrofale të Arsenalit.
Nga ana tjetër Partizani e konfirmoi edhe njëherë se nuk është për rangun më të lartë të futbollit evropian, pasi që u lejua të mposhtet me rezultat 3-0 në shtëpi nga Shakhtari.
Një xhiro pa përfunduar faza grupore në Grupin H, Shakhtari i prin tabelës me 12 pikë, tre më shumë se Arsenali dhe Braga.
Braga në xhiron e fundit takohet me Partizanin, ndërsa Shakhtari e pret Arsenalin në Ukrainë. Në rast se Arsenali mposht Shakhtarin dhe Braga e bën të njëjtën gjë me Partizanin, atëherë Shkahtari do të eliminohet. Topçinjve tani për t’u kualifikuar nuk u nevojitet asnjë rezultat tjetër pos fitores.
Skuadra e Chelseat ka shënuar fitore prej 2-1 kundër skuadrës sllovake Zilina, për të shënuar fitoren e pestë në pesë ndeshje në Grupin F.
Blutë u gjetën në disavantazh në minutën e 19-të, kur Issiaka Bello kaloi mysafirët në epërsi dhe me rezultat 0-1 përfundoi pjesa e parë.
Në gjysmën e dytë, vendasit rikthyen rezultatin në favor të tyre dhe e fituan ndeshjen.
Fillimisht, Daniel Sturridge barazoi rezultatin (51’), ndërsa Florent Malouda shënoi golin e fitores (86’).
Në takimin tjetër të Grupit F, Marseille ka shënuar fitore prej 3-0 si mysafir i Spartak Moskës.
Pas xhiros së pestë, Chelsea kryeson me rekord prej 15 pikësh, ndërsa ndiqet nga Marseille me nëntë pikë.
Roma ka arritur të kthehet nga disavantazhi prej dy golash për ta fituar takimin kryesor të xhiros së pestë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve me rezultat 3-2.
Bavarezët kaluan të parët në epërsi në minutën e 33-të pas një aksioni, kur Franck Ribery pasoi një top te Mario Gomez dhe ky i fundit plasoi topin në rrjet.
Ishte sërish Gomez, lojtari i cili pas gjashtë minutash dyfishoi epërsinë e mysafirëve pas asistimit të Thomas Muller (39’), dhe me rezultat 2-0 përfundoi pjesa e parë.
Në fillim të pjesës së dytë (49’), Giallorossët arritën të ngushtojnë rezultatin në 2-1 me golin e Marco Borriellos, i cili u asistua nga Jeremy Menez.
Një aksion i mirë i Vucinic, Riise dhe Daniele De Rossi, përfundoi me barazimin e rezultatit nga ky i fundit (81’).
Në minutën e 84 u akordua penallti për Romën, ndërsa i saktë nga pika e bardhë ishte kapiteni Francesco Totti, i cili kaloi për herë të parë vendasit në epërsi.
Me këtë fitore, Roma ngritet në kuotën e nëntë pikëve, tre më pak de Bayerni që mban vendin e parë.
Në takimin tjetër të Grupit E, Baseli ka shënuar fitore minimale prej 1-0 kundër CFR Cluj, ashtu që ekipi zviceran mban vendin e tretë me gjashtë pikë.
Mesfushori kreativ i Interit, Wesley Sneijder, është shprehur tejet i zhgënjyer me dështimin e zi-kaltërve për ta transferuar asin holandez Ibrahim Afellay.
“Unë i kam thënë Interit se Afellay do të ishte lojtar i përkryer për ne dhe gjithashtu i kam thënë edhe Afellayt se ai do të shkëlqente te Interi. Ai ka cilësinë për t’u bërë yll i madh në Serie A. Fatkeqësisht, Interi vendosi që të mos më dëgjonte dhe kështu bëri ofertë për të”.
“Po të isha në krye të Arsenalit, unë do ta kisha transferuar Afellay pa menduar dy herë. Ai është lojtar i madh dhe unë i kam thënë klubit se vërtet e vlersoj atë. Por klubi vendosi të mos e transferonte atë”, u shpreh Sneijder.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka zbuluar se ai shpreson që të arrijë marrëveshje për transferimin e portierit danez Anders Lindegaard dhe atë jo më larg se brenda dy-tri javëve.
“Nuk është kompletuar ende por jemi fare pranë. Kjo do të ndodhë brenda dy-tri javëve, por që ta zyrtarizojmë tani do të ishte papjekuri nga ana ime”, theksoi Ferguson.
Këtë transferim e ka kritikuar legjenda e Manchester United, Peter Schmeichel, ndërsa përkundër kritikave të portierit danez, bashkëkombasi i tij Lindegaard duket pranë kalimit në Old Trafford.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, edhe njëherë ka drejtuar snajperin e tij kah rivali i përbetuar Barcelona, me ç’rast filloi lojrat psikologjike me Blaugranët, kur tha se ata nuk do t’ia falin kurrë që i eliminoi dy herë nga Liga e Kampionëve.
“Unë i munda edhe me Chelsean edhe me Interin, ndërsa tani drejtoj rivalët e tyre të përbetuar Real Madridin. E kaluara nuk ka rëndësi, por ky është ligji i futbollit. Camp Nou nuk do të ma falë kurrë që i eliminova nga Liga e Kampionëve. Unë jam i sigurt se pritja do të jetë negative”.
“Nëse fitojmë të hënën, nesër do të jetë e martë dhe nëse humbasim të hënën, atëherë të nesërmen do të jetë e martë. Kështu që, çfarëdo që të ndodhë ne duhet të punojmë. Sidoqoftë, Barcelona – Real Madrid është ndeshje e veçantë që gjithnjë sjell kënaqësi”, deklaroi Mourinho.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka thënë se ai nuk është i interesuar në sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema.
“Nuk ka asgjë të vërtetë këtu. Ai është lojtar i mirë, më pëlqen, ai është talent i vërtetë. Por, natyrisht se ne nuk kemi bërë ofertë për të. Nuk ka asgjë për momentin”, theksoi Redknapp.
E ardhmja e Benzemas ishte përfolur shumë kohëve të fundit, me shumë klube që spekuloheshin si të interesuara për asin francez.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka thënë se ai nuk dëshiron që ta zëvëndësojë Sir Alex Fergusonin në postin e manxherit të Manchester United.
“Më shumë fuqi? Nuk e di…Sigurisht se kjo do të thoshte më shumë punë, më shumë obligime për mua dhe unë nuk e dua këtë”.
“Unë dua ta mbaj pozitën time. Unë jam trajner. Këtu qëndron eksperienca ime. Unë nuk jam në gjendje që të flas për gjëra financiare, administrative apo kontrata. Unë preferoj të qëndroj në pozitën time. Unë dua të qëndroj këtu. Nuk dua të qëndroj sa Ferguson te United, por dua të qëndroj këtu”, ka thënë Ancelotti.
Legjenda e Barcelonës, Hristo Stoichkov, ka dhënë mendimin e tij mbi ‘el Classicon’, duke thënë se Barcelona është favorit për këtë sfidë, pa mohuar rrezikun e Ronaldos dhe Mourinhos.
“Barcelona para tifozëve vendas është plus i madh. Do ta bëjë më të fortë, të gjithë në ekip dinë se çfarë të bëjnë, ndërsa lojtarët do të jenë të përkushtuar për këtë”.
“Sidoqoftë, Real Madridi është më kompakt me Jose Mourinhon, i cili di çfarë të bëjë në fushë, pasi që ka lojtarë cilësor”, theksoi Stoichkov.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente Del Bosque, ka thënë se posti të cilin e mban e detyron atë të jetë neutral sa i përket fituesit në ‘el Classicon’ e të hënës.
“Unë do të mbes neutral dhe nuk do të përkrah asnjë ekip, pasi që nuk ka dallime për një përzgjedhës të një kombëtareje”, theksoi Del Bosque.
Vicente Del Bosque e fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2002 me Real Madridin, ndërsa u shpall së fundmi kampion i botës me Spanjën, e cila u quajt ndryshe ‘Barcelona e përforcuar me pesë lojtarë’.
Sulmuesi i Milanit, Filippo Inzaghi, ka thënë se pasioni është sekreti për karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme në futboll, ndërsa thotë se nuk do të dorëzohet përkundër faktit se shumë njerëz mendojnë që lëndimi i fundit është fatal për karrierën e tij.
“Sekreti është pasioni, pasioni për atë që bëj dhe për të cilën ndjej kënaqësi që nga fëmijëria. Fakti që unë kam dëshirë të madhe për të luajtur është mbështetje e madhe për mua”.
“Ndoshta kjo është arsyeja se pse edhe në moshën 37 vjeçare kam momente fantastike sikurse ndaj Real Madridit”, zbuloi Inzaghi.
Lojtarët e Chelseat besohet se janë duke u brengosur për të ardhmen e menaxherit Carlo Ancelotti te klubi londinez.
Ancelotti është duke u kërkuar me ngulm nga Massimo Moratti i cili pritet që së shpejti ta shkarkojë Rafa Benitezin edhe ashtu fare pranë sëpatës së eprorit Nerazzur. Nga ana tejtër, mediat angleze po vazhdojnë ta kritikojnë Ancelottin për formën e dobët të kampionit të Anglisë, ndërsa çdo rezultat tjetër negativ, përfshirë barazimin do të thoshte shkarkim për italianin.Tani The Sun pohon se edhe lojtarët e Chelseat kanë filluar të brengosen për të ardhmen e trajnerit të tyre, pasi që është pikërisht Ancelotti ai që thuhet të ketë kontaktuar zyrtarët e Ligës Premier për një shkarkim të mundshëm të tij. Pos kësaj, zërat thonë se italiani nuk do të ketë asnjë cent për të shpenzuar gjatë afatit kalimtar dimëror.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka bërë të qartë se nuk do të ketë transferime gjatë afatit kalimtar dimëror, pasi që nuk ka nevojë për ta bërë këtë.
“Transferimi ynë i madh gjatë janarit do të jetë Kaka. Ai do të na japë shtytje fantastike. Sa klube mund ta transferojnë Kakan në janar? Nuk ka lojtarë të këtij kalibri në treg”, tha Mourinho.
Ai poashtu mohoi spekulimet për largimin e sulmuesit Karim Benzema, duke thënë se ai nuk është në shitje.
Trajneri i Interit, Rafael Benitez, shpreson se njerëzit e tij do ta shfrytëzojnë ndeshjen në Ligën e Kampionëve ndaj Twentes për t’u rikthyer në formën më të mirë dhe për ta siguruar kualifikimin më tej.
“Është një ndeshje e rëndësishme për ne, Liga e Kampionëve është shumë e rëndësishme për ne dhe nuk ka të bëjë asgjë me Serie A. Gjithçka varet nga ne. Ne kemi luajtur disa ndeshje të mira, të tjerët jo dhe nëse fitojmë atëherë jemi të kualifikuar”.
“Ne duhet të fitojmë së bashku. Nuk po mendoj për të kaluarën, as për dënimin e Samuel Eto’os. Unë kam besim për ndeshjet e ardhshme dhe mendoj se do të jetë me rëndësi t’i riaftësojmë lojtarët e lënduar. Ekipi është i bashkuar dhe ne duam të fitojmë, ashtu si të tjerët. Unë kam pasur situata të tilla në të kaluarën. Ne mund të fitojmë tituj. Kemi besim”, ka thënë Benitez.
Anësori i Bayernit të Munichut, Franck Ribery, u është përgjigjur kritikave të trajnerit të tij, Louis Van Gaal, pasi ky i fundit kishte thënë se francezi ishte katastrofal në një miqësore.
“Shumë jam zhgënjyer kur kam parë këtë në shtyp. Unë do të kisha preferuar që ai të ma thoshte këtë drejtpërsëdrejti. Nëse unë luaj vetëm për 25 ose 30 minuta, unë kurrë nuk do ta arrij nivelin e mëparshëm. Unë duhet të luaj 90 minuta”.
“Unë bëj më të mirën për t’u rikthyer përsëri në formë, por nëse trajneri gjithnjë kritikon dhe më përul, atëherë është e vështirë”, precizoi Ribery.
Arsene Wenger ka thënë se do të jetë i kujdesshëm me kapitenin Cesc Fabregas për ndeshjen e të martës në Ligën e Kampionëve, pasi që ai mendon se mesfushori po i afrohet formës më të mirë.
“Po bëhet gjithnjë e më mirë. Ai mungoi për një kohë, pasi që pati rishfaqje të problemeve në kofshë. Kur ngulitni diçka në kokë, është vështirë ta nxjerrësh. Mendoj se po bëhet gjithnjë e më mirë pas çdo ndeshje”.“Të shtunën ndaj Tottenhamit ai krijoi tri raste të pastra për gol, kështu që jemi duke e kthyer Fabregasin në normalitet”, u shpreh Wenger.
Baseli u mposht nga CFR Cluj në xhiron e parë të Ligës së Kampionëve, kurse mbrojtësi kosovar Beg Ferati tashmë e ka në kokë planin për të mposhtur kampionin e Rumanisë.
“Ne gjithmonë luajmë për të mos pësuar gol. Prioriteti ynë është që të mos pranojmë gol. Jam tejet, tejet i bindur se do të fitojmë”, theksoi mbrojtësi shqiptar për faqen zyrtare të UEFA-s.
“Nuk do të jetë lehtë sepse ata luajnë me kundërsulme dhe me Lacina Traoren në sulm, ata janë shumë të rrezikshëm. Ne duhet t’i sulmojmë ata dhe të mos i lejojmë që të bëjnë kundërsulme”.
“Liga e Kampionëve është absolutisht niveli më i lartë i futbollit botëror, së paku në nivelin e klubeve, ndërsa ju gjithnjë duhet të jeni të përqëndruar. Me një fitore ndaj Cluj, mendoj se do ta sigurojmë kualifikimin për më tutje”, përfundoi Ferati.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka deklaruar se ndeshja ndaj Auxerre është tejet e rëndësishme dhe vendimtare për kualifikimin e Milanit në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.
“Auxerre do të luajë më ndryshe se sa në takimin tonë të parë. Ky ekip ka luajtur mirë, pasi që ta mposhtësh Ajaxin nuk është lehtë. Sonte ata duhet të fitojnë. Do të jetë një ndeshje me shumë intensitet dhe do të jetë vendimtare për pjesën e mbetur të Ligës së Kampionëve”.
“Ne duhet të fitojmë nëse dëshirojmë të ulim presionin para ndeshjes së fundit në San Siro ndaj Ajaxit. Ne do të luajmë lojë sulmuese. Ne kemi shumë lojtarë të lënduar por jam i kënaqur me skuadrën në dispozicion, ndërsa këta që do të përfshihen do të bëjnë edhe më shumë për një rezultat më të mirë”, deklaroi Allegri.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, është dënuar me tri ndeshje moslojë dhe 30 mijë euro nga autoritetet e Serie A, pas goditjes në stilin ‘Zidane’ ndaj futbollistit të Chievos, Bostjan Cesart.
“Pamjet televizive tregojnë se nën rrethanat e caktuara, sulmuesi i Interit i është afruar lojtarit të Chievos dhe e goditi atë në gjoks, duke e bërë atë të rrëzohet në tokë. Arbitri nuk mori ndonjë masë pas incidentit pasi që ai ishte i përqëndruar në pjesë tjera të fushës me asistentët e tij. Kështu gjykata e dënon Eto’on në bazë të ligjeve në fuqi pas dëshmive televizive”, shkruan në komunikatën e Serie A.
Eto’o do të mungojë ndaj Parmës në San Siro dhe ndaj Lazios në transfertë në javën e 15-të, ashtu si ndaj Cesenas në janar, për të bërë kështu që viti i ri të fillojë keq për Nerazzurët.
Francesco Totti do t’ua lë vendin Jeremy Menezit, Mirko Vucinicit dhe Marco Boriellos në sulmin romak, kur Roma të përballet me Bayernin në Ligën e Kampionëve.
Il Corriere dello Sport shkruan se Claudio Ranieri ka preferuar që ta lë në pankinë kapitenin e tij për të vënë në fushë treshen e rrezikshme romake të përbërë nga Menez, Vucinic dhe Borriello.
Simplicio, Daniele De Rossi dhe Matteo Brighi do të paraqiten nga fillimi. Vendimi i Ranierit vjen për të ulur tensionet e mundshme në fushë nga Totti pas deklaratës së Van Gaal, i cili kritikoi asin romak.
Përzgjedhësi i Italisë në futboll, Cesare Prandelli, llogarit se Gianluigi Buffon mund të bëhet politikan pas përfundimit të karrierës si futbollist.
Buffon është duke u përballur me një lëndim që nga Kupa Botërore dhe tashmë një kohë të gjatë ka munguar në portën e Juventusit. Ndërsa, Prandelli thotë se Buffon mund të jetë një politikan i mirë pas përfundimit të karrierës.
“Nga futbollistët të cilët për momentin janë aktivë, besoj se Buffon ka personalitetin të bëhet politikan”, ka thënë Prandelli.
David Silva e vlerëson kapitenin e Manchester Cityt, Carlos Tevez, në të njëjtin nivel me yllin e Barcelonës, David Villa.
Silva është i bindur se argjentinasi meriton të futet në kategori me lojtarët më të mirë në planet.
“Carlos është një sulmues i madh, një prej më të mirëve me të cilin kam luajtur. David Villa zhvendoset më shumë në krah dhe kërkon hapësira prapa mbrojtjes kundërshtare, derisa Carlos punon në qendër dhe po ashtu mban topin në repartin sulmues, ashtu që ne të luajmë. Ata që të dy janë golashënues të shkëlqyeshëm”, thotë Silva.
Emmanuel Adebayor thotë se Manchester City dhe Juventusi kanë një marrëveshje për transferimin e tij, por se kjo nuk mund të realizohet për shkak se sulmuesi nuk ka pasaportë të Bashkimit Evropian.
Ish-sulmuesi i Arsenalit nuk është i kënaqur për shkak të minutazhit të vogël që fiton nën urdhrat e trajnerit Roberto Mancini dhe thotë se ai planifikon të largohet në afatin kalimtar të janarit.
“Nuk e di se çfarë bën Roberto Mancini, por ai kurrë nuk më lejon të luaj. E di se nuk mund të mbetem këtu, dhe do të largohem në janar. Mund t’ju them se klubi tashmë ka një marrëveshje huazimi me Juventusin”, ka thënë Adebayor për Sport Foot Magazine.
Megjithatë fakti se Adebayor nuk ka pasaportë evropiane dhe se Juventusi tashmë e ka të plotësuar numrin e lojtarëve jo-evropianë, e pamundëson realizimin e një transferimi të tillë.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Glen Johnson beson se Redsat janë në gjendje të përfundojnë në mesin e katër ekipeve më të mira këtë sezon.
Të zgjedhurit e Roy Hodgson tash janë vetëm tre pikë prapa pozitës së pestë dhe gjashtë pikë prapa pozitës së katërt, ku ndodhet Manchester City.
“Ne jemi shumë afër kreut dhe nëse vazhdojmë të tregojmë paraqitje të këtilla jam i sigurt se do të jemi afër asaj ku duam të jemi. Më ka befasuar që fitorja ndaj West Hamit na ka dërguar neve afër pozitës së katërt”.
“Duke marrë parasysh disa pikë që kemi humbur, do të kishit menduar se ne jemi jashtë asaj tashmë, por ne jemi në garë. Çdokush po e mposht çdokënd për momentin dhe liga është vërtet e hapur. Kjo do të thotë se nëse ne mund t’ia dalim së bashku mund të arrijmë atje ku synojmë”, ka thënë Johnson.
Përzgjedhësi i përfaqësuese së Anglisë në futboll, Fabio Capello, është duke u lidhur me një kalim te Interi si zëvendësim për Rafa Benitez.
Kampioni i Evropës qëndron në pozitën e gjashtë të tabelës së Serie A pas humbjes së të dielës nga Chievo dhe tashmë ka kaluar katër ndeshje pa shënuar fitore, duke nxitur spekulimet për një shkarkim të Benitez.
Capello, të cilin Interi u përpoq ta angazhojë para Kupës Botërore, thuhet se është në maje të listës, me Leonardo, Diego Simeone dhe trajnerin aktual të Zenit St Petersburg, Luciano Spalletti, që po ashtu janë duke u marrë në konsideratë.
Federata Angleze e futbollit mund të pranojë të rinegociojë kontratën e Capellos pas dështimit në Kupën Botërore dhe pas një paraqitjeje të dobët në miqësoren e javës së kaluar kundër Francës.
Legjenda e Milanit, Paolo Maldini, e vlerëson mbrojtësin e Barcelonës, Gerard Pique, si më të mirin në botë.
Në një intervistë për L'Equipe, 41-vjeçari ka folur për disa nga lojtarët më të mirë në botë, duke përmendur spanjollin si një ‘të përkryer’.
“Kur e shoh Messi duke luajtur, sipas mendimit tim, ai duhet ta fitojë Topin e Artë çdo vit. Ai është një lojtar i mahnitshëm”.
“Më pëlqen Pique shumë. Ai ka klas. Ai di si të mbrojë dhe po ashtu si të shënojë. Ai është i përkryer në partneritet me Carles Puyol. Alessandro Nesta mbetet një prej mbrojtësve më të fuqishëm. Ndërsa Thiago Silva mund të bëhet një super-kampion”, ka thënë Maldini.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se ai dëshiron të rikthehet në Angli.
“Kur të përfundoj karrierën në Spanjë, dua të kthehem në Angli. Por ndërkohë dua ta përfundoj kontratën time aktuale”.
“Ka qenë vështirë për fëmijët e mi të largohen nga miqtë dhe mësuesit në Itali. Unë duhet të mendoj edhe për lumturinë e tyre”, ka thënë Mourinho.
Alberto Paloschi Sulmuesi i Milanit, Pippo Inzaghi, thotë se Alberto Paloschi është njeriu i duhur për ta zëvendësuar atë.
Një varg lojtarësh janë përmendur si alternativa të mundshme për Inzaghin, por vetë lojtari mendon se sulmuesi i Parmës do të ishte zëvendësimi ideal i tij.
“Nëse unë duhet të zëvendësohem, atëherë nuk ka asgjë më të mirë se Paloschi – edhe pse ai vjen nga lëndimi”, ka thënë 37-vjeçari.
Paloschi, i cili aktivizohet për përfaqësuesen U-21 të Italisë, aktualisht është pronë e përbashkët e Milanit dhe Parmës.
Walter Zenga mendon se trajneri Rafael Benitez do t’u kthehet rezultateve pozitive me Interin.
Menaxheri aktual i ekipit nga Arabia Saudite, Al Nassr, refuzon të mendojë se ai mund të ftohet nga Presidenti Massimo Moratti të drejtojë Interin.
“Askush nuk më ka telefonuar. Benitez është një trajner i mirë dhe ai do ta nxjerrë ekipin nga problemet. Interi ka një ndeshje të mërkurën kundër Twente në Ligën e Kampionëve dhe unë jam i sigurt se ata do të fitojnë”, ka thënë Zenga.
Pas disfatës së vikendit ndaj Chievo, Interi mbetet nëntë pikë prapa kreut, që pushtohet nga Milani.
Trajneri i Milanit, Massimilliano Allegri, thotë se Ronaldinho ka gjithçka për të fituar vend në 11-shen shartuese.
Ronaldinho dështon për t’u rikthyer në formacionin e parë të Allegrit, derisa së fundi u kritikua për argëtime të vonshme nëpër klubet e Milanos.
“Ronaldinho punon. Ai po ia del mirë. Ai erdhi me dëshirë të shtunën. Askush nuk pëlqen të jetë jashtë ekipit, por ai duhet të punojë për të fituar vendin e tij në formacion”, ka thënë Allegri.
Braziliani është në vitin e fundit të kontratës së tij dhe vazhdimisht lidhet me një largim nga Milani, me Manchester Cityn dhe Los Angeles Galaxy si destinacione të mundshme.