Simone Pepe ka shënuar një gol të vonshëm për të ndihmuar Juventusin të shmangë turpërimin dhe të nxjerrë së paku një pikë në ndeshjen përballë Fiorentinas të zhvilluar në Olimpico.
Biankonerët e panë veten në disavantazh pas vetëm katër minutash lojë, pasi Marco Motta shënoi një autogol, pas një goditje të Juan Vargas. Mysafirët e ruajtën avantazhin deri në tetë minutat e fundit të ndeshjes, kur Pepe dërgoi topin në rrjetën e Artur Boruc nga një goditje e lirë.
Mysafirët mbetën me një lojtar më pak në fushë në dy minuat e fundit të ndeshjes, pas përjashtimit të Felipe me karton të kuq.
Me barazimin e sotëm, Juventusi humb rastin të ngushtojë diferencën në krahasim me liderin e tabelës, Milanin, që po ashtu u ndalua me barazim 1-1 më herët në fushë të Sampdorias. Juve tash mbledh 24 pikë në pozitën e katërt, po aq sa ka edhe Napoli në pozitën e tretë, derisa Rossonerët mbajnë kreun me 30 pikë.
Andres Palop duke reaguar pas një goli të pranuar Sevilla nuk ka arritur ta ruajë avantazhin e pjesës së parë, duke u mposhtur me rezultat 3-1 në fushë të vet ndaj Getafes.
Vendasit kaluan në epërsi me anë të një goli të shënuar nga Federico Kanoute pas gjysmë ore lojë (31’), që ishte edhe goli i vetëm i pjesës së parë.
Pjesa e dytë megjithatë ishte në favor të ekipit mysafir, të cilët së pari arritën të barazojnë nga pika e bardhë me anë të Manu Moral (57’), para se Miku të shënojë golin e dytë për ekipin vendas për t’i dhënë edhe epërsinë.
Edhe pse Sevilla u mundua të rikthehet në lojë, dhe ishte afër të barazojë me anë të Diego Perotti në matuën e 64-të, ishin sërish lojtarët e Getafe që shënuan. Pedro Rios arriti të mposhtë portierin Andres Palop pas 77 minutash lojë, për të vulosur kështu fitoren e ekipit mysafir.
Disfata pengoi Sevillan të marrë pozitën e katërt të tabelës, duke mbetur kështu në të shtatin me 20 pikë.
Në ndeshjen tjetër të sotme, Villarreali ka shënuar fitore 3-0 në udhëtim te Zaragoza për të forcuar pozitën e tretë.
Giampaolo Pazzini Giampaolo Pazzini ka shënuar në pjesë të dytë për të zhvleftësuar golin e pjesës së parë të shënuar nga Robinho, dhe për të nxjerrë një barazim për Sampdorian në takimin përballë Milanit, që përfundoi me rezultat 1-1.
Milani kërcënoi ekipin vendas që nga fillimi i ndeshjes. Brenda 15 minutash, Robinho, Boateng, dhe Zlatan Ibrahimovic krijuar raste, por fatkeqësisht portieri i Sampdorias, Gianluca Curci, arriti të ndalojë.
Milani pati edhe një rast tjetër pas 17 minutash, me goditjen e shkëlqyeshme të Clarence Seedorf nga jashtë zonës së penaltisë që sërish u mbrojt nga Curci
Milani vazhdoi të sulmojë edhe më tej por arriti të shënojë vetën në fund të pjesës së parë falë një goli të Robinhos, pas një bashkëveprimi të tij me Ibrahimovic (43’).
Megjithatë, pavarësisht rasteve të pakta, vendasit arritën të barazojnë rezultatin në pjesë të dy, falë një goli të Giampaolo Pazzini të shënuar pas një ore lojë (60’). Milani kërkoi golin e fitores, por nuk arriti të gjejë portën kundërshtare.
Me pikën e sotme, Milani vazhdon të mbajë kreun me 30 pikë, katër më shumë se Lazio që mban pozitën e dytë, e që nesër pret në fushë të vet Catanian. Sampdoria po ashtu do të vazhdojë të mbajë pozitën e tetë me 20 pikë, sa kanë edhe Palermo dhe Interi në pozitat më lartë.
Valon Behrami ka shënuar golin e parë derisa West Ham United ka shënuar fitore 3-1 në fushë të vet ndaj Wigan Athletic.
Goli i mesfushorit kosovar erdhi në 10-të minutat e fundit të pjesës së parë, kur pas një dështimi të Frederic Piqquonne dhe reagimi të dobët nga Steve Gohouri, Behrami shënoi nga afërsia për ta dërguar topin në rrjetën e portierit Ali Al-Habsi.
Victor Obinna (56’) dhe Scott Parker (75’) shënuan nga një gol tjetër në pjesën e dytë, derisa Tom Cleverly shënoi golin e nderit për mysafirët me pesë minuta të mbetura (85’).
Pavarësisht fitores, West Hami mban fundin e tabelës e 12 pikë, sa ka edhe Wolves një pozitë më lartë.
Dimitar Berbatov Dimitar Berbatov ka shënuar pesë gola, derisa Manchester United ka fituar bindshëm me rezultat 7-1 ndaj Blackburn Rovers në Old Trafford, për të pushtuar kreun e tabelës.
Wayne Rooney bëri startin e tij të parë për klubin në ligën Premier pas dy muajsh, por Dimitar Berbatov ishte ai që heshti kritikët e tij duke shënuar pesë nga shtatë golat e United, për t’i dhënë kështu fund 10 ndeshjeve pa shënime.
Djajtë e Kuq e filluan furishëm ndeshjen duke shënuar që në minutën e dytë të takimit, kur pas një harkimi të Nani, Dimitar Berbatov dërgoi topin në rrjetën e Paul Robinson.
Në minutën e 23-të të takimit vendasit dyfishuan epërsinë. Park gjen Rooneyn në këndin e golit, dhe sulmuesi anglez rikthen një pasim ideal, të cilin koreani e dërgon në rrjetën kundërshtare. Pesë minuta më vonë, pas një gabimi të Chimbonda, Berbatov vjedh topin për të shënuar edhe golin e dytë të tij dhe të tretin për United.
Pasi huqi hat-trick në fund të pjesës së parë, sulmuesi bullgari bëri të njëjtën gjë që bëri në fillim të ndeshjes, kur me të filluar pjesa e dytë shënoi golin e tij të tretë, pas një topi të pranuar nga Nani (47’). Një minutë më pas edhe Nani gjeti rrjetën për të çuar në 5-0 avantazhin e United.
Barbatov më pas shënoi edhe dy gola të tjerë (62’ dhe 70’) dhe iu bashkua Alan Shearer, Jermain Defoe dhe ish-sulmuesit të United, Andy Cole, që kanë shënuar nga pesë gola në një ndeshje të vetme të Ligës Premier.
Christopher Samba shënoi golin e nderit për Rovers me gjashtë minuta të mbetura pas një harkimi të Josh Morris.
Manchester United tash mbledh 31 pikë në maje të tabelës, dy më shumë se Arsenali dhe tre më shumë se Chelsea, që nesër ka rastin të rikthejë kreun nëse shënon fitore ndaj Newcastle United.
Anatoliy Tymoschuk ka shënuar dy gola derisa Bayern Munich mposhti Eintracht Frankfurtin me rezultat 4-1.
Tymoshchuck hapi serinë e golave për Bayernin pas gjysmë ore, para se golashënuesi më i mirë i ligës, Theofanis Gekas, të barazojë me një gol me kokë tre minuta më vonë, për të shënuar kështu golin e 12-të në 14 ndeshje.
Thomas Mueller riktheu epërsinë pas gati një ore lojë (59’), ndërsa dy minuta më pas Mario Gomez qetësoi publikun në Allianz Aren. Dy minuta para fundit të ndeshjes Tymoschchuck shënoi edhe golin e tij të dytë për të vulosur fitoren.
Nga ndeshjet tjera, Bayern Leverkusen ka nxjerrë vetëm një pikë ndaj Hoffenhaim, duke barazuar 2-2. Hanoveri ka shënuar fitore 3-0 ndaj Freiburg. Derisa Hamburg ka lënë Stuttgartin në afërsi të fundit të tabelës duke e mposhtur me rezultat 4-2.
Schalke po ashtu ka mbetur afër fundit, pasi u turpërua nga Kaiserslautern që fitoi me rezultat 5-0 në fushë të vet.
Arsenali ka arritur të prekë kreun e Ligës Premier pasi shënoi fitore bindëse me rezultat 4-2 ndaj Aston Villas në Villa Park.
Topçinjtë patën disa raste të mira me të filluar ndeshja, kur Andrei Arshavin asistoi për Marouane Chamakh, por goditja e marokenit u pastrua nga mbrojtësi James Collins, dhe një tjetër rast nga Tomas Rosicky, goditja e të cilit përfundoi jashtë porte.
Goli i avantazhin për mysafirët erdhi me gjashtë minuat të mbetura nga pjesa e parë, kur pas një hedhje të topit në lojë nga portieri Lukas Fabianksi, Arshavin depërtoi në mbrojtjen kundërshtare dhe goditi fuqishëm në drejtim të portës, e cila goditje u prek nga portieri Brad Friedel, por që nuk arriti ta ndalojë (39’).
Pasi mbrojti një goditje nga Chamakh në minutën e fundit të pjesës së parë, Friedel nuk arriti ta ndalojë një goditje tjetër të Nasri, i cili shënoi falë devijimit të topit nga Luke Young pas një harkimi nga këndi (45’), për të dyfishuar epërsinë e Arsenalit.
Me shtatë minuta në pjesë të dytë, vendasit arritën të ngushtojnë disavantazhin falë një goli Clarck (52’), por Chamakh shumë shpejt riktheu epërsinë prej dy golash të Arsenalit (56’).
Ndeshja ishe e veçantë për Robert Pires, i cili u rikthye në ish-stadiumin e tij në cilësirë e rivalit Me 20 minuta të mbetura, Clark shënoi edhe golin e tij të dytë, kësaj here me kokë pas një harkimi të Richard Dunne nga këndi (71’). Në minutat shtesë të ndeshjes i riu Jack Wilshere shënoi edhe një gol tjetër për Arsenalin për të vulosur fitoren (90’).
Tre pikët e reja e çojnë Arsenalin në maje të tabelës me 29 pikë, një më shumë se Chelsea dhe Manchester United. Blutë nesër udhëtojnë te Newcastle United, ndërsa Manchester United më vonë gjatë ditës pret Blackburnin në Old Trafford.
Mesfushori i Milanit, Andrea Pirlo, është duke u lidhur me një transferim në kampionatin anglez, te Chelsea.
Kontrata aktuale e mesfushorit skadon në fund të sezonit dhe koha po kalon për arritjen e një marrëveshje të re. Mediat italiane shkruajnë se Milani mund të shfrytëzojë afatin kalimtar të janarit për ta shndërruar në para 30-vjeçarin.
Carlo Ancelotti do të preferonte të ribashkohej me fituesin e Kupës Botërore, i cili do të mund të sillte më shumë kreativitet në mesfushën e Chelseat. Për të thuhet se është e interesuar edhe Barcelona, pasi Pep Guardiola kurrë nuk e ka mohuar admirimin për veteranin italian.
Javier Mascherano thotë se Barcelona ka lojtarin më të mirë në botë.
Shumica e fokusit në prag të derbit më të madh të sezonit në kampionatin spanjoll, El Clasico, ka rënë më shumë në dy yjet e ekipeve, atij të Barcelonës, Lionel Messi dhe të Real Madridit, Cristiano Ronaldo. Por sipas Mascheranos, argjentinasi është më i miri.
“Messi është një hap mbi lojtarët tjerë, por është një mendim personal pasi e njoh atë dhe punoj me të çdo ditë. Të dy janë të mirë si individë, por unë e kuptoj se pse njerëzit mund të mendojnë se Ronaldo është më i miri”, ka thënë Mascherano.
Roberto Mancini thotë se sulmuesi italian Mario Balotelli do të bëhet legjendë te Manchester City, sikur është Eric Cantona te United.
Cantona është ikonë e dominimit të Manchester United në futbollin anglez, dhe Mancini beson se Balotelli, 20-vjeçar, mund të ketë të njëjtin efekt në anën blu të Manchesterit.
"Mario mund të bëhet një prej top lojtarëve në botë brenda dy vitesh, pasi ai ka gjithçka. Ai është fantastik, por është i ri dhe ka nevojë për kohë. Ka pasur pak lojtarë si ai më herët – Eric Cantona, Cristiano Ronaldo dhe Wayne Rooney".
"Mendoj se nëse Mario e shfrytëzon kokën dhe ndryshon karakterin e tij, ndoshta jo të gjithë karakterin e tij, ai do të bëhet një lojtar klasi në vitin e ardhshëm ose dy vitet e ardhshme", ka thënë trajneri italian.
Transferimi i ri i Aston Villas, Robert Pires, thotë se ai kishte shpresuar se do të mund të rinënshkruajë për Arsenalin.
Pires bëri paraqitjen e tij të parë për Villa si zëvendësim javën e kaluar në humbjen 2-0 ndaj Blackburn dhe mund të luajë kundër ish-klubit të tij në takimin e sotëm.
"Do të jetë shumë e çuditshme - vetëm 10 ditë më parë stërvitesha në fushë me Arsenalin. Por nuk do t´iu ofroj ndonjë dhuratë - ai që më angazhoi ishte pronari i Villa! Kurrë nuk kam menduar se do të rinënshkruaja me Arsenalin. Kjo do të ishte ëndërr e bukur, por gjërat ishin të qarta në mes meje dhe Wenger", ka thënë Pires.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ka thënë se ai nuk do të pranojë asnjë rezultat pos fitores në Camp Nou ndaj Barcelonës, për shkak të rëndësisë që ka ky takim.
“Këtë vit ne jemi të përkushtuar për të fituar. Edhe pse ne jemi një pikë para Barcelonës, unë nuk do të doja kurrfarë barazimi. Ekziston barazi aq e madhe mes Real Madridit dhe Barcelonës, sa që El Classico mund ta vendoste titullin”.
“Mourinho? Me të ne jemi mësuar që të mos i humbasim ndeshjet”, theksoi Casillas për Marca.
Barcelona që katër ndeshjet e fundit në El Classico nuk di për humbje, ndërsa Real Madridi do të tentojë që ta parandalojë humbjen e pestë me radhë.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, thotë se ai është i lumtur me skuadrën që ka dhe se nuk do të angazhohet shumë në afatin kalimtar të janarit.
"Në thelb e di se cili është ekipi im më i mirë - ekipi im më i mirë është më shumë se 11 lojtarët. Mund të kem ekipin më të mirë dhe të them një javë se është X dhe javën tjetër Y, por ende do të jetë ekipi im më i mirë, pasi lojtarët janë të këmbyeshëm", thënë Hodgson.
"Kam një pamje të qartë tash se çfarë duhet të bëjmë dhe kemi nevojë të bëjmë dhe skuadra është më e fuqishme dhe bëhet më e fuqishme. Mbase ishte më e fuqishme se që e kam kuptuar më herët gjatë sezonit, kur ne humbnim".
"Shpresoj se kjo do të thotë se nuk do të ketë nevojë të bëjmë shumë në afatin kalimtar të janarit, pasi mund të jetë mirë nëse ne mund t´i mbajmë të gjithë këta lojtarë në formë dhe të shtojmë një lojtar ose dy, që mund të na ndihmojnë. Kam besim në këta lojtarë të cilët luajnë për momentin, pasi në dy ose tre javë ne kemi bërë paraqitje të mira", ka shtuar Hodgson.
Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka ripohuar bindjen e tij se Chelsea do ta fitojë titullin.
Mancini ende i vlerëson Blutë mbi rivalin e qytetit, Manchester United, edhe pse të dyja ekipet ndajnë kreun me nga 28 pikë.
"Chelsea mund ta fitojë titullin pasi ata janë një ekip më i fuqishëm. Ata janë sikur Manchester United, por më të mirë. Por situata mund të ndryshojë. Liga Premier është një ligë e vështirë në çdo ndeshje", ka thënë Mancini.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka lëshuar një varg kritikash ndaj menaxherit të Arsenalit, Arsene Wenger.
Mourinho i është kundërpërgjigjur francezit, pasi ky i fundit komentoi taktikat kontroverse të Realit për të humbur kohën në ndeshjen kundër Ajaxit.
"Ai duhet t´u shpjegojë, veçanërisht tifozëve, se si nuk mund të fitojë një trofe të vetëm që nga vitit 2005", ka thënë Mourinho.
"Në vend se të flasë për Real Madridin, Wenger duhet të flasë për Arsenalin dhe të shpjegojë se si humbi 2-0 nga një ekip në Ligën e Kampionëve së pari. Historia e lojtarëve të rinj tashmë po bëhet e vjetër. Sagna, Clichy, Walcott, Fabregas, Song, Nasri, Van Persie, Arshavin NUK janë fëmijë. Ata janë top lojtarë", ka shtuar Mou.
Pas rikthimit të qëndrueshëm të Ronaldinhos kundër Argjentinës, trajneri i Brazilit, Mano Menenzes, ka thënë se mesfushori i Milani është në planet e tij për vitin 2011.
Mano Menezes ka zbuluar se Ronaldinho do të vazhdojë të luajë rol të madh për Brazilin gjatë vitit 2011, pasi ka thënë se nuk dëshiron që ai të luajë vetëm një ndeshje.
"Kundër Argjentinës besoj se hoqëm disa dyshime, dhe ne ende po evoluojmë. Nuk më pëlqen të bëj analiza individuale, pasi kjo sjell presion si në lojtarin ashtu edhe në trajnerin. Por, nuk do ta kisha marrë Ronaldinhon vetëm për një ndeshje. Nuk do të ishte inteligjente të mendoj kështu, pasi kjo do të krijonte një situatë për lojtarin dhe trajnerin", ka thënë ish-trajneri i Corinthians.
Portieri i Liverpoolit, Jose Reina, thotë se Të Kuqtë e kanë të vështirë të garojnë me liderin e tashëm të Ligës Premier, Chelsea, ndërsa kjo mund të nxitë largimin e lojtarëve më të mirë të ekipit.
Dështimet në fillim të sezonit i kanë lënë Redsat në pozitën e nëntë të ligës, duke nxitur spekulime për yjet si Fernando Torres, Steven Gerrard dhe vetë Reinën. Portieri spanjoll thotë se do të jetë vështirë që klubi t´i mbajë ata nëse nuk sillen përforcime të dukshme.
"Ne duhet të përfundojmë këtë sezon në një pozitë më të mirë se që jemi për momentin dhe të sigurohemi të forcohemi për vitin tjetër dhe të përpiqemi të jemi konkurrues. Nëse jo, do të jetë vështirë që ata t´i mbajnë këta lojtarë në ekip".
"Ne duhet të sigurohemi që të bëjmë paraqitje të mira, ndryshe do të jetë vërtet, shumë, shumë e vështirë (të përfundojmë në top katërsh). Ne mbase nuk jemi aq të fuqishëm sa mund të jenë Manchester City, Arsenal, Manchester United, Chelsea dhe Tottenham, andaj kjo është arsyeja se pse duhet të sigurohemi të ndërtojmë një ekip më të mirë".
Liverpooli udhëton të dielën në White Hart Lane për t´u përballur me Tottenhamin, derisa Reina synon të thyejë rekordin e klubit. Nëse ai mban portën e paprekur, kjo do të jetë hera e 100-të në 197 ndeshje të ligës, duke thyer kështu rekordin e Ray Clemence, të cilin ai e kishte arritur në 217 ndeshje.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, i ka dhënë Emmanuel Adebayor dritën e gjelbër për t´u larguar në janar, por paraprakisht ka porositur atë të fokusohet te klubi aktual deri atëherë.
"Në këtë moment ne kemi 10 ndeshje prej tash dhe 5 janarit, kur luajmë ndaj Arsenalit. Të gjithë lojtarët tonë duhet të mendojnë për punët e tyre. Kur ata luajnë, ata duhet të luajnë mirë, dhe kur stërviten, duhet të stërviten fuqishëm".
"Në këtë moment nuk ka shanse që ndonjë lojtar të largohet nga klubi. Situata mund të ndryshojë në janar, megjithatë. Asgjë lojtar nuk është i lumtur kur nuk luan, por ne mund të luajmë vetëm me 11 lojtarë. Ky lojtar [Adebayor] duhet të fokusohet në ndeshjet nga tash deri në janar. Mendoj se të gjithë lojtarët do të luajnë deri në një shkallë", ka thënë Mancini.
Lojtarëve të Milanit u është thënë që të shpenzojnë çdo të vetmen pikë të energjisë për të mposhtur Sampdorian e papërshtatshme.
“Do të jetë ndeshje delikate, pasi që ne kemi luajtur çdo të tretën ditë, ndërsa është shpenzuar energji e madhe. E shtuna do të jetë dita e fundit e kësaj periudhe ku kemi luajtur tri ndeshje në javë, ndërsa më pas do të jemi në gjendje që të përgatitemi për ndeshjet javë pas jave”.
“Nuk nxitohemi që të shënojmë herët në këtë sfidë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të durueshëm, pasi që jemi të lodhur fizikisht dhe mentalisht”, ka thënë trajneri Massimiliano Allegri.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, u ka bërë thirrje të gjithë pjesmarrësve në El Classicon numër 161 që t’i shpaguajnë pritjet para sfidës, duke krijuar një ndeshje të jashtëzakonshme.
“Është përgjegjësia jonë që të bëjmë një ndeshje të madhe, trajnerët, lojtarët dhe gjyqtari”, theksoi Mourinho.
Portugezi shtoi se ka besim në lojtarët debutantë të El Classicos, si gjermanët Ozil dhe Khedira, ashtu dhe Di Maria, por me një dozë dyshimi se si mund të reagojnë në supersfidë për herë të parë nën syrin e tërë botës.
Ish-përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Maradona ka rishprehur admirimin që ka për strategun e Real Madridit, Jose Mourinho.
Duke folur për televizionin portugez Sic Noticias, ‘El Pibe De Oro’ ka thënë se Reali para ardhjes së Mourinhos ishte një klub pa zot shtëpie, ndërsa tashmë me portugezin te Los Blancos është vënë rregulli dhe disiplina.
“Tani ata luajnë si do Mourinho dhe si duan tifozët. Unë shikoj të gjitha ndeshjet e Real Madridit, më pëlqen improvizimi të cilin e shfaq Jose Mourinho. Mënyra se si i kontrollon ai lojtarët, se si e mban grupin pranë tij”, theksoi Maradona.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, nuk mund të llogarisë në shërbimet e Andrea Pirlos dhe Luca Antoninit për ndeshjen ndaj Sampdorias të shtunën, njoftoi klubi kuq e zi në faqen zyrtare.

Dy futbollistët të cilët munguan edhe në fitoren prej 2-0 ndaj Auxerre të martën, nuk ishin përfshirë në skuadrën e 20 njerëzve të Allegrit për sfidën ndaj Sampdorias.


Pos të lartpërmendurve, jashtë sfidës janë lënë edhe Alexandre Pato, Filippo Inzaghi dhe Massimo Oddo.


Milani aktualisht është i pari në Serie A me 29 pikë, tri më shumë se Lazio në pozitën e dytë.


Lista e plotë e lojtarëve në dispozicion:


Portierët: Abbiati, Amelia, Roma


Mbrojësit: Bonera, Jankulovski, Nesta, Papastathopoulos, Thiago Silva, Zambrotta, Yepes


Mesfushorët: Abate, Ambrosini, Boateng, Flamini, Gattuso, Seedorf, Strasser


Sulmues: Ibrahimovic, Robinho, Ronaldinho.

Alfredo Di Stefano El Classico është derbi më i madh në botë, ndeshja ku brinjtë do të ndeshin gjigantët e futbollit planetar, filozofia estetike Barcelona, përballë supërfuqisë Real Madrid, në një prej rivaliteteve më të mëdha që njeh bota. Por, cili klub është më i mirë nëse shikojmë statistikat dhe historinë?

Rivaliteti
i këtyre dy skuadrava ka rrënjët që nga ‘lashtësia’ (Ndeshja e parë është luajtur më 17 shkurt të vitit 1902), por disa prej arsyeve më të rëndësishme pse ekziston një rivalitet kaq i flaktë janë këto:

1)
Dihet shumë mirë që krahina katalanase është duke luftuar për t’u pavarësuar nga Spanja, ndërsa kryeqyteti ku pozicionohet Mbretëria e Spanjës, Madridi, nuk po e lejon këtë.

2)
Madridi dhe Barcelona janë dy qytetet më të mëdha në Spanjë.

3)
Real Madridi në sirtarin e vet ka hiç më pak se 73 tituj, kurse Barcelona ka vetëm 68.

4)
Transferimet – Hedhja e kokës së derrit nga tifozët Blaugranë pas paraqitjes së Figos në fanellën e Real Madridit ndaj Barcelonës dëshmon edhe më shumë se çfarë rivaliteti kanë këto dy klube.

Përballjet e drejtpërdrejta mes Barcelonës dhe Real Madridit në të kaluarën:

La Liga janë zhvilluar gjithsej 160 ndeshje, ku Real Madridi ka shënuar 68 fitore, Barcelona ka 62 triumfe, ndërsa 30 ndeshje kanë përfunduar me barazim.

Nga 221 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat, Real Madridi ka shënuar 94 fitore, janë arritur 30 barazime kurse Barcelona ka 86 fitore.
Fitorja më e lartë e Real Madridit kundër Barcelonës është 11-1 në vitin 1943, në Copa del Rey.

Fitorja më e lartë e Barcelonës ndaj Real Madridit është 7-2 më 24 shtator të vitit 1950, në javën e tretë të La Ligas.

El Classico ka thyer të gjitha rekordet e shikueshmërisë, pasi që në pesë kontinente, ky takim përcillet nga hiç më pak se 500 milionë njerëz.


Golashënuesit më të mirë në El Classico:

1. Alfredo Di Stefano 18 gola
2. Raul 15 gola
3. Cesar 14 gola
4. Francisco Gento 14 gola
5. Ferenc Puskas 14 gola

Transferimet e lojtarëve mes këtyre dy klubeve nuk kanë qenë kurrë të zakonshme, prandaj ka dhe pak tregti mes dy rivalëve në të kaluarën.

Nga Barcelona te Real Madridi në vitin 1988 kaloi Bernd Schuster.
Nga Barcelona te Real Madridi në vitin 1994 kaloi Michael Laudrup.
Nga Barcelona te Real Madridi në vitin 2000 kaloi Luis Figo.
Nga Real Madridi te Barcelona në vitin 1996 kaloi Luis Enrique.

Sigurisht, të gjithë e dinë se El Classico numër 161 në La Liga zhvillohet të hënën më 29 nëntor. Në historinë e El Classicos ka ndodhur që tri herë kjo sfidë të luhet të hënën, ndërsa në të tri përballjet ka dalë fitues Real Madridi.