Lojtarët e Barcelonës duke festuar golin e dytë Barcelona quhet lideri i ri në Kampionatin spanjoll La Liga, pasi Blaugranët shkatërruan Mbretërit e Real Madridit me rezultat të thellë dhe turpërues 5-0.
Ishte kjo një ndeshje e cila ishte çdo gjë tjetër pos e barabartë, pasi që në fund triumfoi skuadra me futbollin më të mirë dhe nuk bëhej fjalë për ndonjë nivelizim në lojë, në asnjë moment të sfidës më të madhe planetare.
Skuadrat hynë në fushë të prekura si nga shiu që po binte në Camp Nou, ashtu dhe nga tifozeria e flaktë Blaugrane që përgatiti një koreografi të jashtëzakonshme.
Barcelona filloi më mirë takimin, duke shtrirë dominimin në çdo cep të fushës. U deshën vetëm pesë minuta për të regjistruar momentin e parë të nxehtë të këtij takimi. Lionel Messi pasi hutoi tërë mbrojtjen e Realit, i dërgoi po ata lojtarë në ëndrra me anë të një goditjeje të magjishme e cila qëlloi shtyllën pingule. Këtu Casillas ishte i mposhtur. Ndeshja vazhdon dhe Barcelona bën presion enorm në Real Madridin. Një pasim mjeshtëror të Andres Iniestas në mbrojtjen katastrofale të Realit e shfrytëzoi për mrekulli mesfushori më i mirë në botë Xavi (10’), i cili realizoi për 1-0 duke ndezur impiantin.
Real Madridi tentoi që të kundërpërgjigjet në aksionin e radhës me anë të Angel Di Marias, goditja e të cilit përpak sa nuk përfundoi në portë, por i përqëndruar dhe në vend ishte Victor Valdes.
Në minutën e 14-të regjistrohet një prej mundësive më të mira të Realit në pjesën e parë. Ronaldo pas një depërtimi lansoi një pasim të mençur në zonë, të cilin nuk e arriti dot Karim Benzema, si pasojë e devijimit të Eric Abidal që përpak sa nuk përfundoi në rrjetën e Victor Valdes.
Se çfarë po bënte Barcelona në këtë fillim të takimit, e tregoi posedimi i topit i cili ishte 75 % me 25 % në favor të katalanasve.
Fryti i këtij posedimi erdhi në minutën e 18-të, kur pasi u lodhën mirë e mirë Los Blancos, në zonë depërtoi për mrekulli David Villa, goditjen e të cilit e ndali Iker Casillas, por vetëm për ta kthyer te Pedro, i cili u tregua i saktë për 2-0 dhe ekzaltin në Camp Nou. Mourinho në këmbë, duke mos u besuar syve.
Blaugranët vazhduan me lojën e tyre karakteristike Tiki-Taka, duke bërë shaka me Real Madridin, që po vraponte pas katalanasve. Hutinë e krijuar te mbrojtja madrilene e shfrytëzoi Xavi, që me një pasim e nxorri përballë Casillasit sulmuesin Pedro, ndërsa ky i fundit dështoi para portierit më të mirë në botë, i cili edhe njëherë u tregua stoik për mbretërit.
Dhe pikërisht pas gjymë ore lojë, regjistrohet momenti më i errët i këtij takimi. Një rivënie anësore të akorduar për Real Madridin tentoi ta ekzekutonte Cristiano Ronaldo, por topin në dorë e kishte trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola. Në tentim për t’ia marrë topin strategut katalanas, superylli portugez e shtyu në mënyrë të pahijshme Guardiolan, duke zgjuar tensione të mëdha në fushë dhe në tribuna. Pasojë e tensioneve ishin Ronaldo dhe Valdes të cilët u zverdhën.
Në vazhdim Real Madridi tentoi të rikthehej në lojë. Gjuajtja e lirë e Cristiano Ronaldos pas 35 minutash lojë përpak sa nuk përfundoi në rrjetën kuq e kaltër, pasi i mposhtur në ato momente ishte Victor Valdes. Vetëm katër minuta më vonë Ronaldo rrëzohet në mënyrë të dyshimtë në zonë nga Valdes, por gjyqtari Iturralde Gonzalez heshti.
Skuadrat hynë në pushim pas pjesës së parë me rezultatin 2-0 për katalanasit, kurse pas leksionit që i mbajti homologu i tij, Mourinho kishte se për çfarë t’u fliste të urdhëruarve të tij.Pjesa e dytë filloi me një zëvëndësim të bërë nga Jose Mourinho, i cili vendosi ta largonte Mesut Ozilin, që nuk ishte kërkah, për të inkuadruar një lojtar më defensiv, Lassana Diarra.
Me të filluar pjesa e dytë Barcelona filloi menjëherë me lojën sulmuese duke e rrezikuar tmerrshëm portën e Iker Casillas. Lionel Messi depërtoi në zonë, me ç’rast u tregua egoist duke refuzuar pasimin te David Villa i cili ishte i lirë, për të goditur drejt e në mbrojtjen madrilene. Nga topi i kthyer përpak sa nuk shënoi David Villa.
Një top i Lionel Messit në minutën e 51-të vuri në gjum tërë mbrojtjen e Real Madridit, duke nxjerrë para golit mesfushorin Xavi, që përpak sa nuk shënoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Barcelonën, i cili do ishte fatal për madrilenët.
Real Madridi u përshëndet nga ky takim në minutën e 55-të, pas një pasimi nga futbollisti padyshim më i mirë në botë, Lionel Messi, i cili shërbeu në mënyrë fantastike David Villan, që nuk e pati të vështirë të shënonte për 3-0 dhe kapitulimin e Real Madridit.

Se Mbretërit e Real Madridit nuk ishin në formë, e dëshmoi përsëri David Villa (57’), i cili realizoi nën këmbët e Casillas, pasi u nxorr para portierit të Realit nga jashtëtokësori Lionel Messi që regjistroi asistimin e dytë në këtë takim. 4-0 dhe Jose Mourinho tashmë është duke e menduar deklaratën ngushëlluese pas ndeshjes. Por, sa për prestigj dhe për ta therrur përfundimisht Realin, u përkujdes Jeffren Suarez që realizoi për 5-0 në minutën e fundit.
Barcelona në vazhdim të takimit bëri shaka me Real Madridin. Vërtet, vërtet lojë e magjishme e treguar nga Barca, ndërsa nuk dihet se çfarë ka momentalisht në mendjen e tij Jose Mourinho, që pa kurrfarë dyshimi përjetoi ndeshjen më të vështirë në karrierën e tij. Se sa e rëndë ishte disfata për Real Madridin, e tregoi nervozizmi i Los Blancos në fund të ndeshjes, me ç'rast pas tensioneve të mëdha u dërgua në zhveshtore Sergio Ramos, i cili ndërhyri brutalisht në Lionel Messin.
Kështu, El Classico numër 161 përfundoi me fitoren e madhe të Barcelonës prej 5-0 ndaj rivalit të përbetuar Real Madrid, në një ndeshje e cila ishte shembull për të gjithë se si luhet futbolli modern. Ishte kjo fitorja e pestë me radhë e Barcelonës në El Classico ndaj Real Madridit.
Barcelona me këtë fitore bëhet lidere në La Liga me 34 pikë, dy pikë më shumë se rivali i përbetuar Real Madrid që e sheh pas El Classicos veten në pozitën e dytë.
Arsene Wenger u ka bërë thirrje tifozëve të Arsenalit që të kenë besim në skuadrën e tij, pasi që sipas francezit sukseset nuk do të mungojnë.
“Për më shumë se dy muaj ne kemi luajtur çdo të tretën ditë dhe si pasojë e kësaj ndodh që të keni rënie-ngritje. Varet se si i përgjigjesh kësaj. Problemi për momentin është se kur kësolloj gjërash ndodhin, atëherë të gjithë mendojnë negativisht. Unë jam mjaft optimist, përkundër zhgënjimit të rezultateve”.
“Unë nuk kam ndonjë arsye të madhe të dyshoj në ekipin dhe lojtarët e mi, edhe pse zhgënjimi ishte i madh, ndoshta kjo për shkak se unë po i shoh gjërat pozitive të ekipit tim. Unë jam i bindur se po që se do të vazhdoni të na besoni, atëherë ne do t’iu shpërblejmë. Unë e di mentalitetin e tifozëve të Arsenalit dhe mund t’u garantoj se sukseset do të vijnë me kohë”, deklaroi Wenger.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka thënë se pranimi i golave nga ekipi i tij e bën të vështirë rikthimin e rezultatit.
“Edhe njëherë ne krijuam shumë raste dhe kemi mundur të shënojmë ndoshta edhe një gol. Por, problemi është se ne kemi pranuar gol shumë herët, kështu që është dashur të jemi në ndjekje të rezultatit”.
“Kur jeni në ndjekje të rezultatit, krijoni më shumë hapësira për kundërshtarin dhe lodheni më shumë, kështu që është shumë e vështirë t’i shfrytëzosh rastet kur ato të tregohen. Është normale në futboll që të keni këso momente dhe është në dorën tonë të ndryshojmë, nëse shënojmë dhe nuk pranojmë”.
“Ne mbajtëm portën të pastër aq shumë herë, ndërsa tani kemi pranuar gola në çdo ndeshje, është diçka që duhet ta ndryshojmë nëse duam që të kthehemi në krye të tabelës në Ligën Premier”, potencoi Drogba.
David Trezeguet mund të përfundojë së luajturi për Interin, pasi që agjenti i tij Antonio Caliendo pohon se gjasat që francezi të kalojë te gjiganti italian janë duke u rritur.
“Së fundmi kemi pasur marrëdhënie të mira me Interin dhe nuk e përjashtoj mundësinë që të flasim përsëri për diçka tjetër ditët në vazhdim”.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm pasi që Interi po kalon momente të vështira”, u shpreh Cliendo, i cili është edhe agjent i Maiconit.
Cagliari ka fituar dy ndeshje radhazi nën trajnerin e ri Roberto Donadoni, ndërsa Alessandro Matri ishte kyç në triumfin e ishullorëve, gjë që e bën strategun italian ta përjashtojë mundësinë e kalimit të sulmuesit te Milanit.
“Sigurisht se Matri do të qëndrojë te Cagliari deri në fund të sezonit”.
“Për cilin ekip do të luajë në janar? Natyrisht, vetëm për Cagliarin”, theksoi Donadoni.
Interi është duke përgatitur një ofertë për sulmuesin e Sampdorias, Antonio Cassanon, njofton La Repubblica.
Problemet e fundit për Cassanon te klubi gjenovian kanë bërë që ai të mos luajë më këtë sezon, ndërsa është lënë si transfer i lirë për afatin kalimtar të janarit.
Emrat e shumë ekipeve italiane janë lakuar për firmën e sulmuesit italian, ndërsa është Interi tani që duket se po përgatit kontratë trevjeçare të vlefshme 4 milionë euro në sezon për Antonio Cassanon.
Marouane Chamakh ka zbuluar se starti i karrierës së tij si lojtar i Arsenalit ka qenë test i vështirë, pasi loja në Ligën Premier është shumë fizike.
“Unë kurrë nuk kam qenë në një gjendje të tillë në Bordeaux. Këtu gjërat janë të një dimensioni tjetër. Ndaj West Hamit unë kam pasur dhimbje të tmerrshme të qafës”.
“E kam të pamundur ta drejtoj qafën. Sa herë hyj në duele, mua më hedhin në tokë dhe gjyqtari hesht”, ka thënë Chamakh.
Bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti, është duke shpresuar që mesfushori Frank Lampard dhe mbrojtësi John Terry të jenë të gatshëm për sfidën ndaj Evertonit.
“Java e ardhshme do të jetë e rëndësishme për Terryn dhe Lampard. Ata do të fillojnë të stërvisin me ekipin. Ne kemi një javë për të kontrolluar gjendjen e tyre dhe shpresoj se që të dy, ndoshta Terry më shumë se Lampard, do të jetë në gjendje të luajë ndaj Evertonit”.
“Ata janë lojtarë shumë të rëndësishëm, jo vetëm teknikisht, por edhe për shkak të personalitetit dhe karakterit, ndërsa për momentin, ne duhet të kemi një lloj lojtari të tillë në dispozicion”, u shpreh Ancelotti.
Sulmuesi i Romës, Mirko Vucinic, është duke u lidhur me një kalim te gjiganti anglez Liverpool dhe atë për një shumë prej 25 milionë eurosh.
Bosi i The Reds, Roy Hodgson e adhuron dhe e dëshiron lojtarin në Anfield, ndërsa ka kërkuar prej drejtorëve të tij që të bëjnë çmos për ta transferuar malazezin në Ligën Premier.
Mediat italiane thonë se 25 milionë euro do të ishin të mjaftueshme për Romën që të lëkundet për Vucinic.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka thënë se është kënaqësi për të dhe skuadrën e tij të përballet me një ekip të mirë si Barcelona.
“Unë mund të them se Barcelona është ekip i mrekullueshëm dhe për Real Madridin, është kënaqësi të luajë ndaj një Barcelone aq të mirë. Pas ndeshjes gjithnjë duket se pothuajse bota ka mbaruar, kjo është normale”.
“Është e vështirë, pasi që në një vend janë dy ekipe aq të rëndësishme si Real Madridi dhe Barcelona. Ne gjithnjë vijmë këtu me qëllimin për të fituar, por edhe me idenë për t’i kontribuar festivalit të futbollit. Futbolli duhet të jetë element i bashkimit dhe unë do ta bëj këtë me homologun tim Sandro Rosell”, deklaroi Florentino Perez.
Luciano Moggi beson se trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri nuk është duke e respektuar Ronaldinhon.
“Milani është ekipi më mirë i pajisur teknikisht në Serie A, por unë nuk mund të kuptoj pse Ronaldinho u transferua këtu për vetëm tri minuta lojë”.
“Allegri nuk duhet ta trajtojë kështu. Ronaldinho është një kampion, e jo foshnje”, deklaroi Moggi.
Drejtori i Juventusit, Guseppe Marotta, ka thënë se Bianconerët janë në gjendje për ta fituar Scudetton, ndërsa konfirmoi qëndrimin e Gianluigi Buffon dhe Alberto Aquilanit.
“Tabela flet qartë dhe ne duam të luftojmë për atë. Ne e dimë se ekipet tjera nuk janë në formën më të mirë”.
“Juventusi bëri ndryshime radikale dhe 12 lojtarë erdhën këtu. Krahasuar me Interin dhe Milanin, ne nuk ndryshuam vetëm trajnerin”, tha Marotta.
Roy Hodgson ka pranuar se ai është i zhgënjyer me shortin e rrethit të tretë të FA Cup, që e sheh Liverpoolin të shortuar ndaj Manchester United.
“Do të jetë ndeshje e shkëlqyer futbolli, por është pak keq që dy ekipe të cilësisë së lartë në Ligën Premier, Manchester United dhe Liverpool ndeshen në rrethin e tretë. Unë gjithnjë ndjej se është pak zhgënjyese”.
“Do të jetë ndeshje e mirë futbolli. Padyshim se do ta gjejmë veten përsëri para televizorëve”, ka thënë Hodgson.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka thënë se ai ka respekt për Jose Mourinhon, por se dëshiron ta shohë në librat e historisë trajnerin e tij Pep Guardiola.
“Unë e respektoj Mourinhon, por për mua unë dua që ta shoh Guardiolën në hisotri. Arrigo Sacchi, Johan Cruyff dhe Sir Alex Ferguson, të gjithë kanë lënë gjurmët e tyre, kanë krijuar një lojë më ndryshe nga që kishte ekzistuar dhe gjithmonë kanë fituar trofe”, theksoi Xavi.
Jose Mourinho dhe Pep Guardiola takohen sonte mbrëma në Camp Nou, ku pritet të shohin skuadrat e tyre Real Madridin respektivisht Barcelonën përballë njëra tjetrës.
Një grup i vogël i tifozëve ultras të Barcelonës kanë sulmuar autobusin ekipor të Real Madridit, duke thyer dritaret e tij.
Tifozët Blaugranë kanë hedhur gurë në drejtim të autobusit, të cilit i janë thyer dritaret fare pranë dyshes Raul Albiol dhe Alvaro Arbeloa. Marca shkruan se kjo erdhi si pasojë e sigurisë së dobët në vendin ku ndodhi incidenti. Lojtarët e Realit nuk janë lënduar dhe janë të gatshëm për ndeshjen.
El Classico që zhvillohet sonte mbrëma në Camp Nou do të jetë një prej më të tensionuarve në histori të tij.
Sipas spekulimeve më të fundit nga Spanja, sulmuesi Gonzalo Higuain ka dështuar në një test mjekësor mëngjesin e të hënës, duke bërë që ai të mungojë në El Classico.
Argjentinasi po vuan nga një dëmtim gjatë gjithë javës, ndërsa ishte pushuar ndaj Ajaxit për të qenë i gatshëm për Barcelonën. Jose Mourinho kishte konfirmuar se Higuain do të luajë, mirëpo kështu nuk thonë mediat spanjolle.
Marca shkruan se 22 vjeçari iu nënshtrua një testi mjekësor, i cili konfirmoi se Higuain nuk do të jetë në gjendje të startojë ndaj Barcelonës. Në vend të Higuain pritet që nga fillimi të luajë sulmuesi francez Karim Benzema.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka kërkuar që tifozët të jenë sa më të zëshëm kur Real Madridi të parakalojë në Camp Nou.
“Unë shpresoj se sonte do të shohim spektakël, me lojë fer dhe shpresoj se do të arrijmë një rezultat të drejtë. Dua të falënderoj edhe Florentino Perezin për prezencën e tij”.
“Shpresoj se tifozët tanë do ta përkrahin ekipin. Kjo ndeshje nuk është finale, larg prej saj, kushdo që fiton sonte nuk bëhet kampion, pasi që janë shumë ndeshje për t’u luajtur. Por, duhet ta fitojmë atë”, deklaroi Rosell.
Çfarëdo që ndodh në fushë sonte në El Clasico, Barcelona tashmë është në avantazh ndaj Real Madridit në faqet sociale.

Në Facebook, Barcelona ka plot 7,308,062 përkrahës krahasuar me Real Madridin që ka 6,214,151. Fuqia gjigantëve spanjollë është aq e madhe sa e gjithë NBA qëndron prapa Barcelonës me 6,670,328, derisa NFL (liga e futbollit amerikan) mbledh vetëm 1,923,547 anëtarë.

Edhe sa i takon trajnerit, Barcelona kryeson.

Pep Guardiola ka 1,133,564 anëtarë, derisa trajneri i Realit, Mourinho, qëndron pak mbrapa me 1,087,110. Dhe për grupet anti-fans, Mourinho udhëheq me 71,036, krahasuar me Guardiolan që ka 4,099.

Roma raportohet se dëshiron ta angazhojë trajnerin e Chelseat, Carlo Ancelotti.
Independent shkruan se Roma, një prej klubeve për të cilat ai kishte luajtur gjatë karrierës si futbollist, i ka ofruar Ancelottit një mënyrë për t´u larguar nga Stamford Bridge.
Ancelotti, ekipi i të cilit, Chelsea, dje barazoi me rezultat1-1 në fushë të Newcastle United, ka një ambicie të kamotshme për t´u rikthyer te Roma, që aktualisht drejtohet nga ish-trajneri i Chelseat, Claudio Ranieri.
Giallorossët kanë mbetur prapa liderëve të Serie A, Milan, dhe së fundi pësuan disfatë në fushë të Palermo. Mediat italiane shkruajnë se Roma tashmë ka kontaktuar me Ancelottiin, pasi italiani ngriti zërin e tij për ndodhitë e fundit në klubin anglez, përfshirë edhe shkarkimin e asistentit të tij, Ray Wilkins.
Liverpool raportohet se është duke përgatitur një ofertë të majme në afatin kalimtar të janarit për sulmuesin e Romës, Mirko Vucinic.
Itasportpress.it shkruan se Liverpooli është duke menduar të ofrojë 25 milionë euro, shumë e cila mund të jetë e mjaftueshme për të bindur Romën të lejojë largimin e lojtarit, pasi klubi është në mungesë të parave dhe pret ndërrimin e pronësisë.
Vucinic ka pohuar ambicien e tij për të luajtur në kampionatin anglez të futbollit, edhe pse favorit për transferimin e tij është parë Chelsea.
Menaxheri i Redsave, Roy Hodgson, është një admirues i sulmuesit dhe e sheh atë si një partner ideal për Fernando Torres.
Legjenda e Barcelonës, Hristo Stoichkov, thotë se ai nuk mund t´i shohë lojtarët me fanella të bardha të Real Madridit duke luajtur.
Stoichkov i ka bërë këto deklarata gjatë interviste për të përditshmen madrilene Marca.
"Real Madridi më shkakton kokëdhimbje. Kurrë nuk mund t´i shoh njerëzit në fanella të bardha (duke luajtur)", ka thënë ish-sulmuesi bullgar.
"Ky është më shumë se një El Clasico normal. Por në fund të ditës, pavarësisht çfarë thotë Jose Mourinho, ata janë vetëm tre pikë", ka shtuar Stoichkov.
Carlo Ancelotti mendon se Chelsea duhet të fillojë të shënojë më shumë gola në fushë mysafire nëse dëshiron të luftojë për titullin e Ligës Premier.
Blutë kanë shënuar vetëm një gol në tre ndeshjet e fundit në fushë mysafire, diçka që ka filluar ta shqetësojë Ancelottin. Goli erdhi në takimin e djeshëm, kur Chelsea barazoi 1-1 në fushë të Newcastle duke humbur kështu edhe kreun e tabelës ndaj Manchester United.
“Nuk kishim fat, por duhet të jemi më të mirë para golit kundërshtar, në fushë mysafire ne kemi shënuar vetëm një gol në tre takime, dhe kjo nuk është e mjaftueshme. Duhet të përmirësohemi”, ka thënë Ancelotti.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, është tepër i kënaqur nga fitorja ndaj Liverpoolit.
Tottenhami arriti ta përmbysë rezultatin nga disavantazhi 1-0 në pjesë të parë, për të shënuar fitore 2-1 në fund të takimit, në derbin përballë Liverpoolit në White Hart Lane, ashtu siç bëri javën e kaluar ndaj Arsenalit në Emirates.
“Djelmoshat treguan karakter të shkëlqyeshëm. Për mua është e pabesueshme ajo që përsëri bëmë rikthim. Kemi luajtur mrekullueshëm, kemi shënuar gola, luajtëm futboll fantastik, të hapur dhe kurrë nuk jemi jashtë ndeshjes”.
“Mendoj se kemi aftësi vazhdimisht të krijojmë shanse. Liverpooli filloi mirë dhe ishte i rrezikshëm. Kishin raste për shënim, ishte një ndeshje fantastike. Por ne ishim ca më të mirë, kishim goditje të cilat ishin të bllokuara, madje humbëm edhe penalti”, ka thënë Redknapp.
Sulmuesi i Catanias, Maxi Lopez, është i lumtur që është cak i njërin prej klubeve më të mëdha të Serie A, Juventusit.
Argjentinasi është cak i menaxherit gjeneral të Juves, Beppe Marotta, për afatin kalimtar të janarit, dhe atij i pëlqen kjo ide.
“Interesimi nga Juventus? Sot jam i lumtur që luaj për Catania, por sigurisht Juve do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierën time. Të dy klubet duhet të bisedojnë dhe pastaj unë do të vendos për të ardhmen time me drejtuesit e Catanias. Jam duke shijuar momentin pa menduar për tregun e transferimeve”, ka thënë Lopez.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito , thotë se ai ndjen mungesën e trajnerit Jose Mourinho.
Milito pati një sezon të jashtëzakonshëm nën drejtimin e portugezit vitin e kaluar, por është duke dështuar të përsërisë shkëlqimin e tij edhe këtë sezon.
“Nuk është lehtë të flas për Jose Mourinho pasi kam një joshje dhe admirim të madh për të, ai është special. Mbaj mend një ndeshje kundër Cagliarit, ne humbnim dhe ai më foli. Unë shënova dy gola në pjesën e dytë dhe ne fituam”, ka thënë 31-vjeçari për FCInternews.it.
“Pasi e kisha atë trajner vitin e kaluar dhe pasi fituam gjithçka, që ishte shumë e vështirë, ne duhet t’i adaptohemi trajnerit të ri”, ka shtuar argjentinasi.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, thotë se Palermo ishte më superiore në disfatën e mbrëmshme të ekipit të tij.
Fabrizio Miccoli, Josip Ilicic dhe Antonio Nocerino shënuan në rrjetën e Romës, për t’i ndihmuar Palermos të shënojë fitore 3-1 dhe të pozicionohet mbi Giallorossët në tabelë.
“Vërtet ka vetëm një mënyrë për ta analizuar këtë ndeshe. Ne nuk ishim shumë të këqij në pjesën e parë, edhe pse Palermo gjithmonë kishte kundërsulme të mira dhe ne ishim ca të ngadalshëm”
“Pas pauzës ne luajtëm keq dhe Palermo e meritoi fitoren. Ne ishim të avashtë dhe në rastet kur ishim të shpejtë, faullet na ndalonin neve në rrugë”, ka shtuar Ranieri.
Sonte me fillim nga ora 21:00 zhvillohet superderbi planetar, El Classico numër 161 në La Liga mes skuadrës aktualisht me futbollin më të bukur në botë, Barcelonës dhe ekipit më të shpejtë në botë, Real Madridit.

El Classico si ndeshje e veçantë që është, zgjon reagime të shumta, pritje të mëdha e para së gjithash debate të pafundme për fituesin. SportiSot është përpjekur që t’iu sjell çdo deklaratë, analizë dhe statistikë për derbin më të madh në botë, ndërsa gjithë përmbajtjen e El Classicos mund ta gjeni të përmbledhur më poshtë.



Analizat dhe specialitetet për El Classico:
El Classico - Statistika dhe Histori



Deklaratat (Barcelona):
Messi: Nuk kam frikë nga Real Madridi
Guardiola: Ky ‘el Classico’, sikurse ai i kaluar
Zubizarreta: El Clasico nuk po na humb fokusin
Xavi: Ne jemi favoritët
Pique: Mou e bëri Realin ekip, të cilin do ta mposhtim
Alves pret El Classico të nxehtë
Rosell: Mourinho do të pritet mirë
Mascherano: Messi më i mirë se Ronaldo
Puyol: Ky El Classico, i zakonshëm
Pedro: Nuk do kaloja kurrë te Reali
Guardiola: Pres ndeshje sikur ndaj Interit

Deklaratat (Real Madrid):
Di Maria: Ronaldo dhe Messi e vendosin ‘el Classicon’
Mourinho: ‘el Classico’ nuk është vendimtar
Mourinho: Camp Nou nuk do të ma falë kurrë
Mourinho: Falënderoj Zotin që nuk ma dha modestinë
Ronaldo: Do ta mposhtim Barcelonën
Ramos: Do më pëlqente mungesa e Messi
Alonso: E kemi formulën Anti-Barcelona
Mourinho: Do të bëj një super-ndeshje
Casillas: El Classico mund ta vendosë titullin
Higuain: Mesfusha e vendos El Classicon
Marcelo: El Classico nuk garanton titullin
Ronaldo: Nuk do luftoj me Messin
Ronaldo: Mund të fitojmë në Camp Nou
Mourinho: Nuk e ndryshoj stilin

Deklaratat (Personalitete tjera):
McLeish: Mourinho do të fitojë në ‘el Classico’
Cerezo: ‘el Classico’? Dua humbjen e të dyve…
Stoichkov: Barca favorite në ‘el Classico’
Del Bosque neutral për ‘el Classico’
Legjenda e Realit lëvdon Messin

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se gjithçka mund të ndodhë sonte në ndeshjen përballë Barcelonës.
Portugezi thotë se për takimin më të pritur të sezonit në kampionatin spanjoll, El Clasico, nuk ka asnjë favorit të pastër.
“Shumë herë në Clasicot dhe derbit nuk është ekipi më i mirë ose ekipi që është më lartë në tabelë ai i cili fiton; këto ndeshje kanë një motivim tjetër, ne mund të kemi 10 pikë më shumë ose 10 më pak, por në këto ndeshje është shumë vështirë të thuash cili është më i mirë dhe se cili është favoriti”, ka thënë Mourinho.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se ai është i etur të rikthejë John Terryn sa më parë në ekipin e parë.
Terry ka munguar në tre ndeshjet e fundit për shkak të një problemi me këmbën, derisa Frank Lampard ka qenë tashmë një kohë të gjatë jashtë fushe po për shkak të lëndimit.
Megjithatë, Ancelotti tha pas barazimit 1-1 të së dielës ndaj Newcastle se që të dy pritet të rifillojnë stërvitjet këtë javë dhe Terry mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e vikendit të ardhshëm kundër Evertonit.
“Java e ardhshme për të [Terry] dhe Lampard do të jetë një javë e rëndësishme. Ata do të fillojnë të stërviten me ekipin. Ne kemi një javë për të kontrolluar gjendjen e tyre dhe shpresoj të dy, ndoshta më shumë John Terry se Lampard, të jenë në gjendje të luajnë kundër Evertonit”.
“Ata janë lojtarë të rëndësishëm, jo vetëm teknikisht, por pasi ata kanë personalitet dhe karakter, dhe për momentin, ne kemi nevojë të kemi ata lloj lojtarësh në dispozicion”, ka shtuar italiani.
Interesimi i mediumeve në Valdebebas ku Jose Mourinho dha deklaratën e tij për El Classicon ndaj Barcelonës, u zhvendos në mbrëmje në Camp Nou, ku për ndeshjen u shpreh Pep Guardiola.
“Unë pres një ndeshje të madhe, një prej më të mirave. Një rivalitet i gjerë etnik historik. Shpresoj se do të jetë një ndeshje shumë e mirë. Unë u kërkoj tifozëve që të vijnë, është një nder të luajmë një ndeshje me miliona njerëz që do të na shikojnë. Njerëzit do të sillen mirë, ata e dinë se do të vijnë të shikojnë një ekip që kurrë nuk ka dështuar. Ne nuk do të tentojmë të bëjmë asgjë tjetër pos asaj që dimë të bëjmë. Njerëzit do të vijnë për të falënderuar një ekip që ka bërë aq gjëra të bukura”.
“Real Madridi është ekipi që luan më mirë në kundërsulme, më i miri në botë në këtë aspekt. Por, ne do të sulmojmë, do të jetë ndeshje e bukur. Nëse të dyja ekipet luajnë në maksimumin e tyre, atëherë rezultati do të jetë i barabartë”.“Iturralde Gonzalez? Nuk kam asgjë për të thënë për gjyqtarin. Real Madridi më duket në shumë aspekte sikurse Interi i vitit të kaluar, jo më kot trajneri është i njëjtë. Unë pres një ndeshje sikurse ndaj Interit. Tri pikët janë të rëndësishme, por jo vendimtare”.
“Mourinho e di se ne do të sulmojmë. Ne mund të fitojmë apo të humbasim, por ne do të jemi po ai klub i cili ka luajtur futbollin e njëjtë dhe kjo nuk do të ndryshojë. Unë do t’u tregoj lojtarëve para ndeshjes anët e forta dhe pikat e dobëta të Real Madridit, të cilat janë të pakta. Të themi se jemi më të mirë se Reali është e padrejtë”.
“Unë i kam parë katër ndeshjet e fundit të tyre në video. Është shumë lojë fizike, e fuqishme dhe e shpejtë, e fortë, kurse me pak pasime janë në gjendje që të arrijnë në zonë”, përfundoi deklartën e tij, Pep Guardiola.