Newcastle United, me trajnerin e ri Alan Pardew në stolin drejtues, ka arritur të mposhtë Liverpoolin me rezultat 3-1 në takimin e Ligës Premier në zhvilluar në St James´ Park.Qindra fansa të Newcastle protestuan kundër caktimit të Pardew si trajner jashtë fushe para ndeshjes, ndërsa turma e publikut vendas bërtiste ´dil nga klubi jonë´ drejtuar pronarit Mike Ashley në fillim të ndeshjes, por këto u qetësuan pas vetëm 15 minutash kur Kevin Nolan i dha epërsinë ekipit vendas.
Rezultati u barazua pas pesë minutash në pjesë të dytë, pas një përpjekje të rastësishme të Dirk Kuyt.
Por me dhjetë minuta të mbetura deri në fund të takimit, Joey Barton shfrytëzoi një gabim të Martin Skrtel për të rikthyer epërsinë, ndërsa Andy Carroll vulosi rezultatin me një goditje të shkëlqyeshme nga largësia në kohën shtesë të ndeshjes.
Fitorja iu jep fund pesë ndeshjeve pa fitore të Newcastle, që çoi edhe në shkarkimin e trajnerit Chris Hughton. Newcastle mbledh 22 pikë dhe pozicionohet në pozitën e tetë mbi Liverpoolin, që po ashtu ka 22 pikë.
Palermo dhe Udinese që të dyja e panë veten në disavatazh në pjesët e para, për t´u këndellur vetëm në pjesët e dyta dhe për të shënuar fitore në takimet ndaj Parmës, respektivisht Fiorentinës.Të zgjedhurit e Delio Rossit treguan një pjesë të parë jo bindëse, duke pësuar një gol të hershëm, që u shënua nga sulmuesi i Parmës, Alessandro Lucarelli, pas shtatë minutash lojë. Por, të mbështetur nga tifozët e flaktë, sicilianët arritën të përmbysin rezultatin duke shënuar tre gola.
Gjashtë minuta në pjesë të dytë ishte Mauricio Pinilla që barazoi rezultatin, dhjetë minuta para se Fabrizio Miccoli t´i japë Palermos epërsinë. Fitoren për vendasit e vulosi një autogol i Cristiano Zaccardo një minutë para fundit të kohës së rregullt.
Edhe Udinese po para tifozëve të vet pësoi që në pjesë të parë, kur pas gjysmë ore lojë Mario Santana i dha epërsinë Violas. Por pjesa e dytë i takoi ekipit vendas, që së pari barazoi me anë të Pablo Armeno pas më se një ore lojë, ndërsa siguroi tre pikët me anë të një goli të Antonio Di Natale, dhjetë minuta para fundit të takimit.
Me tre pikët e reja Palermo ngjitet në pozitën e pestë me 26 pikë, një më pak se Juventus dhe Napoli që mbajnë pozitat tre, respektivisht katër. Udinese mban pozitën e tetë me 23 pikë.
Manchester City ka shënuar fitore 3-1 në fushë të West Ham United për të barazuar pikët me liderin e tabelës, Arsenalin.Qytetarët kaluan në epërsi pas gjysmë ore lojë me anë të goli të shënuar nga Yaya Toure, pas një asistimi të Gareth Barry. Ish-mesfushori i Barcelonës ishte protagonist edhe në golin e dytë të Cityt, pasi goditja e tij u devijua nga portieri i West Ham, Robert Green, për të dyfishuar epërsinë e mysafirëve (73´).
Të zgjedhurit e trajnerit Robert Mancini zgjodhën dilemën e fituesit me golin e tretë të shënuar nga Adam Johnson, pas një pasimi të David Silva nëntë minuta para fundit (81´). E gjitha çfarë arritën vendasit ishte një gol i vonshëm i shënuar nga James Tomkins (89´).
Me tre pikët e reja, City mbledh 32 pikë, sa ka edhe Arsenali në maje të tabelës, që të hënën udhëton në një fushë të vështirë, në Old Trafford të Manchester United.
Frank Ribery ka shënuar golin e tij të tretë në dy ndeshje, derisa Bayern Munich ka mposhtur St. Paulin me rezultat 3-0 në ndeshjen e zhvilluar në Allianz Arena.Bavarezët hapën rezultatin pas 17 minutash lojë falë golit të shënuar nga Halil Altintop, që ishte edhe i vetmi i pjesës s parë.
Me 20 minuta të mbetura lojë në Allianz Arena, ekipi vendas zgjidhi çdo dilemë rreth fituesit. Portieri mysafir Thomas Kessler fauloi në zonën e rreptësisë sulmuesin Thomas Muller, për t´u përjashtuar me karton të kuq dhe për t´i dhënë Bayernit një penalti. Nga pika e bardhë nuk dështoi Philip Lahm (72´).
Me 12 minuta të mbetura, në listën e shënuesve u shkrua edhe i rikthyeri nga lëndimi Frank Ribery, për të vulosur fitoren e Bayernit.
Nga ndeshjet tjera në Bundesliga, fitore ka shënuar edhe Bayer Leverkusen, duke mposhtur në udhëtim Hamburgun me rezultat 4-2.
Përfaqësues të mesfushorit gjerman, Bastian Schweinsteiger, janë takuar me përfaqësues të Manchester United në një hotel në Munich, bën të ditur faqja sportive Goa,United thuhet se është i gatshëm të ofrojë 18 milionë funte për një transferim të yllit të Bayern Munch, për të mposhtur kështu dy rivalët tjerë të interesuar, Chelsea dhe Real Madrid.
Zyrtarë të klubit anglez janë takuar gjatë të enjtes dhe premtes me përfaqësues të lojtarit, derisa pritet që një marrëveshje të arrihet së shpejti për transferimin e mesfushorit gjerman gjatë verës.
Kontrata e Schweinsteiger me Bayern Munich skadon në qershor të vitit 2012, ndërsa spekulimet vazhdimisht e kanë lidhur lojtarin me një largim, pasi ai ka refuzuar ofertat për të nënshkruar marrëveshje të re.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, beson se e vetmja mënyrë që ekipi i tij të arrijë sukses është të ruajë përqendrimin.Roma nesër takohet me Barin, dhe Ranieri shpreson të nxjerrë pikë maksimale. Disfata 3-1 nga Palermo, barazimi 2-2 me Chievon dhe barazimi 1-1 ndaj Cluj, e kanë bërë trajnerin të skicojë një plan që lojtarë te tij të mos humbin përqendrimin në fund të takimit.
"Ne duhet gjithmonë të kemi fokusin në maksimum, pasi nëse nuk përqendroheni deri në minutat e fundit atëherë humbisni. Mendoj se ne kemi shumë pritje, por janë nervat pozitive që duhet përkthyer në vëmendje. Ne jemi Roma dhe duhet t´ia dalim mirë, ashtu që ta kthejmë në duar kampionatin", ka shtuar Ranieri.
"Vitin e kaluar kemi shikuar të tjerët me lakmi, por këtë vit kemi një ekip konkurrues. Vetëm duhet të gjejmë mënyrën e duhur kah fundi i ndeshjeve", ka shtuar italiani.
Luciano Spalletti thotë se ai nuk ka kontaktuar me Interin dhe dëshiron të mbetet te Zenit edhe krahas asaj që është duke u lidhur me pozitën e trajnerit të Interit.Interi është duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë nën drejtimin e Rafa Benitez, pasi Nerazurrët mbeten nën hijen e titujve të fituar sezonin e kaluar. Muajve të fundit shpesh është përfolur për një largim të Benitez dhe në mesin e shumë të përmendurve për të pasuar spanjollin, ka qenë edhe Spalletti.
“Jam shumë i lumtur në Rusi dhe nuk do të largohem nga këtu. Nuk kam pasur kontakt me Interin ose me ndonjë klub tjetër evropian. Kam projekt me Zenit dhe tashmë punoj për sezonin e ardhshëm”, thotë Spalletti.
Drejtori i Interit, Luis Figo, thotë se trajneri Rafa Benitez e ka mbështetjen e plotë të klubit.Nerazzurët janë në Abu Dhabi për Kupën Botërore të Klubeve dhe Figo ka komentuar raportet e fundit që thoshin se trajneri do të shkarkohet nëse nuk e fiton trofeun.
“Ne të gjithë jemi në mbështetje të ekipit të tij dhe tash është koha të fokusohemi në pushtimin e Kupës Botërore të Klubeve, që është një objektiv shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë Figo.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, beson se ai mund të harxhojë në afatin kalimtar të janarit.Ancelotti ka zhvilluar biseda thelbësore me miliarderin Roman Abramovich pas periudhës së rënies që kalon klubi së fundi, përfshirë edhe disfatën e fundit gjatë të mërkurës nga Marseille.
“Ne kemi biseduar për situatën në ekip. Nëse kemi nevojë të përmirësojmë ekipin në janar, pronari është i gatshëm për ne ta bëjmë këtë”, ka thënë italiani.
“Por tash nuk është koha të mendojmë për këtë. Ne duhet të luajmë me këto lojtarë kundër Tottenhamit. Synimi jonë tash për tash janë tre ndeshjet kundër Tottenham, United dhe Arsenal. Fati jonë varet nga këto ndeshje”.
“Për këto arsye ne nuk duhet ta humbim fokusin duke menduar për janar. Nëse kemi nevojë të bëjmë diçka atëherë, do ta bëjmë. Ndeshjet e ardhshme do të tregojnë nëse jemi në gjendje të luftojmë për titull këtë vit. Fati im është i njëjtë si ai i lojtarëve të mi”, ka shtuar më tej Ancelotti.
Ish-sulmuesi i Interit dhe Milanit, Christian Vieri, është duke planifikuar t’i rikthehet fushës në Brazil.Gazzetta dello Sport shkruan se Vieri, tash 37-vjeçar, është i gatshëm të luajë për klubin brazilian Boavista. Vieri aktualisht është në Brazil duke biseduar me Joao Paulo Magalhaes, djalin e presidentit të Boavista, Jose Luiz Lins de Filho.
Vieri kishte folur për mundësinë për të luajtur për Boavista në muajin nëntor të vitit të kaluar, por marrëveshja kurrë nuk u arrit.
Agjenti i Momo Sissoko thotë se ish-mesfushori i Liverpoolit sipas gjasave do të largohet nga Juventusi.Biankonerët dëshirojnë ta shndërrojnë në para Sissokon pas interesimit nga Wolfsburg dhe Aston Villa.
“Ne jemi duke kërkuar një marrëveshje të re për Sissoko. Mendoj se ai do ta përfundojë sezonin me Juventusin, pasi shitja tash do të ishte shumë e shtrenjtë [për klubet e interesuara]. Por besoj se ne jemi duke kërkuar një klub të ri në Gjermani, Spanjë ose Angli”, ka thënë agjenti i lojtarit, Jose Segui.
Përzgjedhësi i Anglisë, Fabio Capello, do të nxitë spekulime të reja për transferim te Interi, kur të fluturojë në Abu Dhabi javën e ardhshme për Kupën Botërore të Klubeve.Kjo do të nxisë edhe më shumë spekulimet se italiani mund ta zëvendësojë trajnerin në telashe Rafa Benitez.
Benitez është duke u përballur me shkarkim për shkak të fillimit të dobët të sezonit. Dhe Inter beson se mund të sigurojë shërbimet e Capello, edhe pse italiani është zotuar se do të respektojë kontratën me Federatën Angleze, e cila zgjat deri në vitin 2012.
FA është e vetëdijshme se Capello bën një udhëtim si një mysafir special dhe thuhet se është e ‘relaksuar’ për këtë. Por, duke udhëtuar në Lindjen e Mesme, Capello është i vetëdijshëm se si mund të interpretohet vizita e tij.
Presidenti i Sampdorias, Riccardo Garrone, është i bindur se ai do t’i japë fund kontratës së Antonio Cassano gjatë të hënës.Gjykata nuk ishte në gjendje të marrë vendimin dje, pasi dëgjoi nga dëshmitarët, ashtu që e hëna do të sjellë edhe vendimin përfundimtar rreth kësaj sage.
“Kam shumë besim. Si viktimë në këtë situatë, ne kemi të gjitha të drejtat të intervenojmë dhe kjo përfshihet në gjykatë”, ka thënë Garrone, përplasja e të cilit me Cassanon nxiti atë të marrë hapa legal për t’i dhënë fund kontratës për shkak të mosnënshtrimit.
Përzgjedhësi i Francës, Laurent Blanc, i ka thënë Real Madridit se sulmuesi Karim Benzema ende ka për të treguar veten.Benzema shënoi hat-trick në fitoren e Ligës së Kampionëve ndaj Auxerre duke paralajmëruar se po kthehet në formë.
“Ai ende nuk e ka konfirmuar potencialin e tij, por ai është gur i çmuar. Shikoni në statistikat e tij, ai ka një avantazh ndaj të tjerëve në pozitën e tij dhe ai ka talent. Unë do të provoja të gjitha metodat për Benzema për të shfrytëzuar talentin e tij”, ka thënë Blanc.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, beson se Liverpooli nuk mund të eliminohet nga gara për titullin.Fabregas pranon se ekipet që do të luftojnë për titull do të dihen vetëm në muajin maj.
“Chelsea mendon njëjtë, Manchester United mendon njëjtë. Madje edhe Liverpooli mendon njëjtë. Liverpooli mund të thotë, ‘Ne mund të ishim 20 pikë larg, por jemi vetëm 10 pikë prapa. Ende kemi shans’”, ka thënë Fabregas.
Mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri, është i jo i impresionuar nga komentet e mbrojtësit të Manchester United, Patrice Evra.Mbrojtësi francez e quajti Arsenalin një klub i kategorisë së ulët në prag të takimit derbi të së hënës.
“I kam dëgjuar këto komente dhe nuk më kanë pëlqyer, pasi ne nuk jemi fëmijë. Ne do t’i tregojmë United se Arsenali është rritur dhe se jemi shumë më të pjekur me mënyrën se si luajmë”, ka thënë bashkëkombësi i Evra, Samir Nasri.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është fytyra më e re prominente që vë në dyshim kredibilitetin e FIFA-s për çmimin FIFA Topi i Artë, sidomos pas lënies jashtë treshes finaliste të Wesley Sneijder, i cili fitoi gjithçka sezonin e kaluar me Interin dhe arriti në finale të Botërorit me Holandën.“Është vërtet pikëlluese që ai nuk mund të fitojë pas gjithë atyre të arriturave sezonin e kaluar, duke përfshirë këtu edhe Botërorin, por tani ai çmim është bërë politik dhe më nuk më intereson ta fitoj. Më shumë preferoj të fitoj tituj me Milanin”.
“Unë e kam ditur që nga dita e parë kur kam ardhur këtu, duke parë atmosferën e klubit, se është një ekip ku dua ta përfundoj karrierën time dhe të fitoj trofe të mëdha. Nuk është e vërtetë se ekipi varet nga Ibra, ne të gjithë varemi nga njëri tjetri”, u shpreh Ibrahimovic.
‘Ibracadabra’ në fund foli edhe për deklaratat thumbuese të presidentit të Interit, Massimo Moratti, i cili tha se Interi me Ibrën kurrë nuk do ta fitonte Ligën e Kampionëve. Sipas Ibrës, Moratti nuk duhet të merret më shumë me të, pasi që ai mund të duket interesant, por i tillë nuk është Moratti.
Bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se ka përkrahjen e plotë të pronarit të klubit londinez, Roman Abramovich.“Nuk kam frikë për punën time. Unë ndihem i përkrahur prej lojtarëve të mi, që është shumë e rëndësishme. Unë ndjej se kam përkrahjen totale të klubit. Për këtë arsye, unë nuk frikësohem”.
“Unë jam optimist se gjithçka do të jetë në rregull këtë sezon. Unë bisedova me Roman Abramovich pas ndeshjes ndaj Marseille dhe ai më dha mbështetjen e tij. Ai e kuptoi problemin e ekipit. Ai po bën më të mirën për t’ua dhënë përkrahjen e tij të gjithëve në klub”, deklaroi ‘Carlito’.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka konfirmuar në një konferencë për shtyp se mesfushori Rafael Van der Vaart nuk do të jetë në gjendje të luajë ndaj Chelseat në derbin e kësaj jave në Ligën Premier.27-vjeçari ka startuar në 11 ndeshje këtë sezon, duke shënuar gjashtë gola dhe duke asistuar katër herë.
Kjo mungesë e yllit holandez vjen për shkak të një dëmtimi në kofshë, i cili përbën lajm të mirë për Chelsean jashtë formës më të mirë.
Ish-strategu i Bayernit të Munichut, Ottmar Hitzfeld, beson se gjigantët bavarezë janë në gjendje që ta fitojnë Ligën e Kampionëve.“Unë jam i bindur se Bayerni ka rast të mirë për ta fituar Ligën e Kampionëve. Është situatë e njëjtë sikurse në vitin 2001. Ne patëm probleme në kampionat dhe humbëm disa ndeshje. Dhe për këtë arsye, ne ishim të përkushtuar për ta fituar Ligën e Kampionëve”.
“Bayerni është një prej klubeve më të mira në botë dhe luan rol të madh në këtë garë. Pozicionimi i dobët në Bundesliga do t’i motivojë edhe më shumë”, ka thënë Hitzfeld.
Mbrojtësi i Real Madridit, Raul Albiol, beson se Zaragoza do të jetë arrë e fortë për t’u thyer.“Ndeshja ndaj Zaragozas do të jetë e vështirë dhe e rrezikshme, sepse ata po luftojnë për t’u larguar nga zona e rrezikshme, ndërsa ata po bëjnë më të mirën para tifozëve të tyre”.
“Ata do të përqendrohen shumë dhe ne duhet të sigurohemi që ata të mos ndihen mirë në fushë”, ka thënë Albiol.
















