Ji-Sung Park Manchester United ka arritur të shënojë fitore të madhe ndaj Arsenalit në ndeshjen kryesore të javës së 17-të në Ligën Premier, me rezultat minimal 1-0.
Me të dhënë shenjë Howard Webb për fillimin e takimit, pamë një lojë mjaft të baraspeshuar, me Arsenalin të drejtuar nga Arsene Wenger që vendosi t’i hynte ndeshjes pa futbollistët si Cesc Fabregas dhe Robin Van Persie. Nga ana tjetër u rikthyen Evra dhe Ferdinand, por askund nuk u shfaq Paul Scholes.
Pjesa e parë e ndeshjes nuk kishte ndonjë rast shënimi që vlen të përmendet, pos golit të vetëm të shënuar në ndeshje. Një harkim i Nanit e gjeti të lirë në zonë Ji-Sung Park që me kokë (41’), arriti ta tundë portën e portierit Szczesny. Në fraksionin e dytë loja ishte më dinamike, me Arsenalin që kishte iniciativën. Një rast të mirë e lëshoi Maruane Chamakh të cilit golin ia mohoi Nemanja Vidic.
Menjëherë më pas reagoi Arsene Wenger që nxorri nga loja Tomas Rosickyn dhe Jack Wilshere, për të inkuadruar Robin Van Persien dhe Cesc Fabregasin.
Arsenali hidhet në sulm, një taktikë kjo që për pak sa nuk u kushtoi rëndë Topçinjve, pasi penaltia e akorduar pa ndërhyrjes së Clichyt ndaj Nanit, nuk u konkretizua si duhet nga Wayne Rooney që dështoi (74’).
Arsenali tentoi të shënonte në momentet e fundit të takimit, por nuk ia doli dot, duke e humbur kështu sfidën me rezultat 1-0 dhe kreun në tabelën e Ligës Premier.
Manchester United është lideri i ri në Ligën Premier me 34 pikë, dy më shumë se Arsenali në pozitën e dytë. Djajtë e Kuq kanë një ndeshje më pak të zhvilluar, atë ndaj Blackpoolit.
Cristiano Ronaldo Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se goli i tij i shënuar ndaj Zaragozës është një prej më të mirëve në karrierën e tij.
“Goli im është një shenjë që ekipi po punon shumë. Ishte një prej golave më të mirë në karrierën time”.
“Ne po luajmë mirë. Unë nuk do të shënoja kurrë po që se bashkëlojtarët e mi nuk do ta fitonin këtë goditje dënimi. Jam i kënaqur. Ne duam të vazhdojmë këtë ecuri sa më shumë që mundim”, deklaroi Ronaldo.
Marek Hamsik thotë se t’i kërkohet Napolit që ta fitojë titullin këtë sezon është një gjë e madhe, por ata nuk do të ndalen për ta arritur objektivin e tyre.
“A kemi gjasa për ta fituar titullin? Është e vështirë, shumë e vështirë, por ne duam të arrijmë së pari vendin e parë”.
“Me rëndësi është që të vazhdojmë me këtë formë dhe të fitojmë si në udhëtim, ashtu dhe në shtëpi”, tha Hamsik.
Milani me lehtësi është duke marshuar drejt Scudettos këtë sezon, por kështu nuk mendon trajneri i Juventusit, Luigi Del Neri, i cili thotë se asgjë ende nuk ka mbaruar.
“Milani ka lojtarë si Zlatan Ibrahimovic, Robinho dhe Kevin Prince Boateng, ashtu si cilësi teknike dhe fizike të cilat i bëjnë ata më të mirë se të gjithë tjerët”.
“Ata gjithashtu janë në gjendje t’i fitojnë lehtësisht ndeshjet. Natyrisht, ata do të luftojnë deri në fund, por kampionati është i gjatë dhe kështu kurrë nuk i dihet çfarë do të ndodhë. Pas ndeshjes të dielën jemi më të bindur se kurrë dhe gjërat tani po shkojnë mirë. Ka më shumë kohezion brenda grupit dhe ata besojnë në atë që bëjnë”, ka thënë Del Neri.
Esteban Granero beson se Real Madridi me tri fitoret radhazi pas El Classicos ka arritur të përgjigjet në mënyrën më të mirë, pas debaklit të pësuar në derbin më të madh në botë.
“Ekipi është përgjigjur mirë pas humbjes së rëndë nga Barcelona dhe gjëja më e rëndësishme është se vazhdojmë me formë të mirë. Ekipi dëshiron që të vazhdojë së fituari. Ne duhet të jetojmë duke e ditur se ne nuk mund të dështojmë dhe se ne varemi vetëm nga vetvetja”.
“Unë gjithnjë e shoh veten time si lojtar startues për shkak se kam besim në vete dhe në punën time. Jose Mourinho është më i miri dhe pajtohem me atë që bën”, u shpreh Granero.
Zlatan Ibrahimovic është njeriu që do t’ia sjellë Milanit Scudetton për herë të parë pas një kohe të gjatë, kjo nëse mund t’u besojmë pohimeve të Adriano Gallianit.
“Ibrahimovic? Ai është lojtar stratosferik, por gjithashtu jam i kënaqur edhe me Robinhon dhe Boatengun”.
“Të fitojmë është gjithmonë mirë dhe ka shumë arsye për të qenë optimistë dhe të arsyeshëm për gjithë atë që kemi bërë deri tani”, tha Galliani.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ka folur për rëndësinë e fitores ndaj Zaragozas në La Romareda të dielën, duke thënë se Los Blancos duhet të vazhdojnë me këtë trend.
“Ishte me rëndësi të fitojmë përsëri. Ekipi ishte shumë serioz gjatë ndeshjes dhe merituam fitoren. Ne jemi ringjallur pas El Classicos”.
“Jam i kënaqur që arrita paraqitjen e 400-të në La Liga, pasi që është numër i rëndësishëm ky te një klub si Real Madridi”, tha gardiani spanjoll.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka pohuar pas shkatërrimit që ia bëri skuadra e tij Real Sociedadit në Camp Nou, se kjo fitore u duk e lehtë, mirëpo ishte e vështirë.
“Për momentin, gjërat po shkojnë shumë mirë dhe ne po vazhdojmë si me fitoret ashtu dhe me qëndrimin në nivelin më të lartë”.
“Tingëllon e lehtë, por nuk ishte, kjo ndeshje na kushtoi shumë, sidomos në pjesën e parë, derisa shënuam”, u shpreh Messi.
“Topi i Artë? Me rëndësi që aty janë tre kandidatë dhe që të tre janë lojtarë të Barcelonës”, potencoi argjentinasi.
Presidentja e Romës, Rosella Sensi, shpreson se lojtarët do të kërkojnë maksimumin ndaj Milanit, të cilit ia ka tërhequr vërejtjen që të mos relaksohet dhe aq, pasi që romakët e kanë traditë gjahun pas liderit.
“Ne gjithnjë luajmë për ta zënë ekipin që është në pozitën e parë”, theksoi Sensi.
Roma gjendet në pozitën e gjashtë në Serie A me 26 pikë, tetë më pak se lideri dhe kundërshtari i radhës Milan.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka dhënë një deklaratë epike para derbit ndaj Manchester Unitedit, duke kërkuar nga lojtarët e tij që ta mposhtin rivalin për titull të Ligës Premier.
“Ne kemi rastin për të treguar se sa të mirë jemi, kjo është ajo që dëshironi në jetën tuaj. Le të dalim në fushë pa ide të influencuara nga jasht, duke mos menduar për dobësitë e Manchester United, e as për dobësitë tona, të fokusohemi vetëm në këtë ndeshje, të japim më të mirën, të luajmë me besim dhe të luajmë për njëri tjetrin, pasi që mund të mposhtim këdo”.
“Unë e di se ekipi im do të kërkojë fitoren dhe gjithmonë kam besim të madh në lojtarët e mi. Unë e di se s atë urritur janë ata për sukses dhe jam i sigurtë se kjo do të shfaqet në këtë takim”, deklaroi Wenger.
Carlos Tevez besohet se është duke kërkuar një rritje drastike të pagës së tij deri në 300 mijë funte në javë, në mënyrë që ai të qëndrojë te Manchester City.
Argjentinasi të shtunën kishte dërguar kërkesë me shkrim te klubi ku ka kërkuar transferimin, e cila u refuzua menjëherë nga City. Të dielën mbrëma Tevez lëshoi një komunikatë për media, ku ka sqaruar arsyet e kërkesës së tij për largim, pa përmendur dëshirën për një pagë më të madhe.
Tani është The Times tabloidi që njofton se City është duke pohuar se sulmuesi argjentinas është duke kërkuar një ngritje të pagës deri në 300 mijë funte.
Tevez ka marrë pjesë edhe si golashënues por edhe si asistues në 14 nga 24 golat e Manchester Cityt këtë sezon.
Morali i ngritur i bavarezëve pas rinovimit të Bastian Schweinsteiger të shtunën, ka marrë edhe një shtytje shtesë me lajmin se Arjen Robben është fare pranë rikthimit në stërvitje.
Holandezi ende është në kërkim të paraqitjes së parë në sezonin 2010/2011, për shkak të kofshës së dëmtuar gjatë Kampionatit Botëror.
Robben është duke vrapuar lehtë në natyrë që prej më se pesë javësh, ndërsa tani më herët nga që ishte pritur ai do të marrë pjesë në stërvitje, jo më larg se të mërkurën. Ishte thënë se ai do të jetë pjesmarrës nga 2 deri më 9 janar në kampin stërvitor në Katar, por pritet që ai të luajë rregullisht me fillimin e pjesës së dytë të sezonit.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti ka qeshur me zërat se ai do ta shkarkojë shumë shpejtë Rafa Benitezin nga posti i trajnerit të Interit, pas rezultateve tmerruese këtë sezon.
“Benitez të shkarkohet? Oh ju lutem…Unë kam besim në të. Ne gjithmonë duam maksimumin me synimin për të përsëritur atë që bëmë sezonine kaluar”, theksoi eprori Nerazzur.
Interi do të ndeshet me Seongnam Ilhwa në gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve të mërkurën.
Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, ka shprehur mospajtimin e tij për marrëveshjen e re sponsorizuese të klubit katalanas me Fondacionin e Katarit, për një shumë rekorde prej 30 milionë eurosh në sezon.
“Ne jemi një klub unik në botë dhe askush nuk e ka mbajtur fanellën të pastër sikurse ne gjatë historisë, ndërsa gjithmonë kemi qenë mjaft konkurrues. Ne e kemi shitur këtë gjë unike për vetëm gjashtë përqind të buxhetit tonë. Sidoqoftë, me shitjen e fanellës më krijohet përshtypja se nuk jemi më kreativë dhe se jemi bërë vulgarë”.
“Nëse gjërat janë aq keq, atëherë është dashur ta largojmë logon e Unicef-it, pasi që paguajmë për ta mbajtur në fanellat tona”, deklaroi Cruyff.
Carlo Ancelotti pritet që t’i thotë lamtumirë Chelseat në qershor dhe t’i bashkohet Romës, përderisa po përgatitet që tani për t’i spastruar hesapet me klubin londinez, njoftojnë mediat italiane.
Impero Romanista pohon se Ancelotti mund të transferohet te Roma në qershor, për ta zëvëndësuar Claudio Ranierin. Bosi aktual i Romës nuk e ka rinovuar ende kontratën e tij me klubin nga kryeqyteti.
Nga ana tjetër, Carlo Ancelotti nuk po ka marrëdhëniet më të mira me zyrtarët e Stamford Bridge dhe lidhjet e tij me Romën, ashtu si dashuria e Giallorosëve për të, mund të bëjë që ‘Carlito’ ta shohë veten në Olimpico sezonin e ardhshëm.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka hedhur poshtë mundësinë e transferimeve gjatë afatit kalimtar dimëror, duke thënë se nuk njeh ndonjë sulmues të tipit të Milanit që është në shitje.
“Nëse do të kemi mundësinë për të transferuar një sulmues të tipit tonë, atëherë ne do ta bëjmë këtë”.
“Matri, Balotelli? Ata nuk janë në shitje, ndërsa Tevez është i rëndësishëm, por Milani nuk do të bëjë një investim të tillë”, u shpreh Galliani.
Merkatoja e Juventusit gjatë janarit pritet të jetë mjaft taktike, nëse marrim për bazë deklaratën e drejtorit Bianconer, Gisueppe Marotta, i cili përjashtoi kategorikisht transferimin e sulmuesve Antonio Cassano dhe Alberto Gilardino në Vinovo.
“Ne nuk do të bëjmë investime të mëdha, lojtarët të cilët do të vijnë, nëse do të vijnë, do ta përmirësojnë ekipin, përndryshe do të qëndrojmë kështu si jemi”.
“Ne duhet të mos harrojmë se kemi sulmin më të mirë dhe një mesfushë të shkëlqyer. Ne nuk kemi nevojë për të blerë. Zërat për Amaurin dhe Gilardinon janë të pavërteta. Sa për Cassanon, unë nuk e shoh atë në Olimpico pasi që kemi plane tjera”, u shpreh Marotta për Sky Sport Italia.
Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, mund të luajë vetëm pas një muaji, për shkak të operimit bërë në meniskusin e dëmtuar.
Mbrojtësi brazilian pësoi një lëndim të rëndë javën e kaluar në humbjen ndaj Ajaxit në Ligën e Kampionëve dhe ekzistoi frika se ai mund të mungojë për gjashtë muaj, që do të thoshte se sezoni për të ka mbaruar.
Sidoqoftë, Goal.com njofton se Thiago Silva mund të paraqitet për ndeshjen ndaj Lecces më 16 janar.
Thiago Silva është mbrojtësi më i rëndësishëm i Milanit dhe është pjesë integrale e klubit Rossoner që nga transferimi i tij dy sezone më parë.
Real Madrid shënoi një fitore të lehtë me rezultat 3-1 ndaj Real Zaragoza dhe trajneri Jose Mourinho nuk e ka lëshuar rastin të lavdërojë lojtarët e tij.
Një gol i hershëm i Mesut Ozil dhe një goditje e mahnitshme nga Cristiano Ronaldo i dhanë epërsinë 2-0 në pjesë të parë Realit, para se Angel Di Maria të shënojë golin e tretë dhe një penalti e Gabi të ngushtojë në 3-1 disavantazhin e Zaragozas.
“Cristiano është një profesionist i pamasë dhe ai shënoi një prej golave më të mirë të koleksionit të tij. Ne luajtëm një ndeshje të madhe, edhe pse kundërshtari pati fuqinë mentale për t’u përgjigjur në ndeshje”, ka thënë Mourinho pas fitores së djeshme.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, thotë se ai vetëm mund ta përmirësojë lojën e tij.
Iniesta ishte në listën e shënuesve në fitoren e mbrëmshme prej 5-0 të Barcelonës ndaj Real Sociedad.
“Gjithçka që mund ta ndihmojë ekipin, edhe më mirë. Ndonjëherë mund të mungoj, është pjesë e lojës, por e vetmja gjë që di është se po luaj mirë. Lëvdatat nga trajneri janë gjithmonë të mira. Mendoj se Andres Iniesta mund të shkojë edhe më tej. Jam 26 vjeçar dhe mund të vazhdoj të zhvillohem si lojtar”, ka thënë Iniesta.
Sulmuesi i Udineses, Antonio Floro Flores, është cak i konfirmuar i liderit të Serie A, Milanit.
Milani është duke kërkuar një sulmues të ri të qendrës, pas lëndimit të Pippo Inzaghit, i cili do të jetë jashtë fushe për pjesën e mbetur të sezonit.
“Floro Flores është një sulmues i mirë dhe ka kualitete. Ai mund të jetë një opsion i mundshëm për Milanin”, ka konfirmuar Galliani për sportiven italiane Gazzetta dello Sport.
Trajneri i Valencias, Unai Emery, ka paralajmëruar lojtarët kundër një vetëkënaqësie në prag të ndeshjes së sotme ndaj Osasunas.
Osasuna udhëton në Mestalla pasi ka fituar vetëm një pikë dhe një gol në shtatë ndeshjet në udhëtim, derisa ata po ashtu pësuan humbje 2-1 në udhëtim te Deportivo La Coruna për t’u eliminuar edhe nga Kupa e Mbretit.
“Ata janë një ekip të cilët kanë vetëm një pikë në udhëtim, por unë nuk dua të mendoj se ata do t’i mposhtim, pasi në momentin që do të mendojmë se ndeshja do të jetë e lehtë, ne i bëjmë gjërat më të vështira”.
“Për mua, Osasuna është një ekip i shkëlqyeshëm me lojtarë të shkëlqyeshëm, të cilët meritojnë më shumë në ndeshjet në udhëtim dhe kjo është Osasuna të cilën të gjithë e presin: një ekip i mirë, i mirë organizuar, që di si të luajë”, ka thënë Emery.
Kobe Bryant ka shënuar 32 pikë dhe ka bërë disa reagime kyçe për të ndihmuar ekipin e tij Los Angeles Lakers të mposhtë New Jersey Nets në udhëtim me rezultat 99-92.
Me ndeshjen që u barazua në 87-87 me vetëm tre minuta të mbetura, Bryant bëri disa asistime dhe shënime kyçe që i dhanë fitoren kampionit të dyfishtë të NBA-së. Lamar Odom përfundoi ndeshjen me 22 pikë për fitoren e katërt në pesë ndeshje për Lakers dhe të 17-tën e sezonit (shtatë humbje).
Brook Lopez shënoi 25 pikë dhe nëntë kërcime për Nets, të cilën pësuan humbjen e shtatë të sezonit. New Jersey tash mbeten me vetëm gjashtë fitore dhe çojnë në 18 numrin e disfatave këtë sezon.
Menaxheri i Olympique Marseille, Didier Deschamps, thotë se ata janë përpjekur ta transferojnë sulmuesin e Chelseat, Didier Drogba.
Një fitore 1-0 e kampionit të Francës ndaj Chelseat në Ligën e Kampionëve javën e kaluar, shënoi edhe rikthimin emocional të Drogba në fushën e ish-klubit të tij, nga ku ai u largua me ngurrim në vitin 2004.
I pyetur nëse Marseille është përpjekur të ri-nënshkruajë me 32-vjeçarin gjatë verës, Deschamps ka thënë: “Po. Është e komplikuar. Ndoshta një ditë ai do të rikthehet, por secilin vit që kalon, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë”, ka thënë Ddeschamps.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, thotë se ai është i lehtësuar pas fitores ndaj Barit.
Juan shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 në Olimpico dhe Francesco Totti huqi një penalti.
“Ne vërtet kishim nevojë për këta tre pikë. Gota është gjysmë e mbushur, derisa ne vazhduam të mbajmë portën e pastër, por po ashtu dështuam të shohim Tottin dhe Jeremy Menez në listën e shënuesve”, ka thënë Ranieri.
Trajneri italian po ashtu ka thënë se ai është i shqetësuar për golat që ekipi pranon në çastet e fundit të ndeshje, gjë që ka ndodhur në dy ndeshjet e kaluara në Serie A dhe në një të fundit në Ligën e Kampionëve, atë ndaj Cluj.
Disa biznesmenë nga Katari janë duke menduar të blejnë klubin anglez Manchester United.
Mail on Sunday ka shkruar dje se disa biznesmenë të Emirateve të Bashkuara, të cilët tashmë kanë siguruar të drejtat për të organizuar Kupën Botërore 2022, mund të ndihmojnë që familja Glazer të pastrojë borxhin prej 220 milionë funtesh.
Zëdhënësi i familjes së fundi refuzoi të konfirmojë ose mohojë se sheikët e Katarit kanë fshirë borxhin për të pasur opsion të blejnë United, dhe se asnjë aksion nuk është shitur. Por i njëjti zëdhënës ka lënë punën te Glazers, dhe nuk ka shenja të zëvendësimit të tij, që le të kuptohet se Glazers përgatiten ta shesin klubin.
Qatar Foundation së fundi nënshkroi një marrëveshje sponsoruese me Barcelonën në vlerën e 125 milionë funteve.
Barcelona vazhdon formën e mahnitshme golashënuese, me fitoren 5-0 ndaj Real Sociedad, që s’ka si të mos e bëjë të kënaqur edhe trajnerin Pep Guardiola.
Lionel Messi shënoi dy herë, ndërsa nga një shënuan David Villa, Andres Iniesta dhe Bojan Krkic, derisa Barcelona shënoi edhe një fitore impresive në Nou Camp, me të njëjtin rezultat me të cilin mposhti edhe Real Madridin dy javë më parë.
“Avantazhi që kam mbi çdokënd tjetër është se arrij ta shoh ekipin çdo ditë në fushën stërvitore dhe se si ata punojnë. Është një privilegj të punoj me ta. Ky është një vit kur luajmë më mirë se kurdoherë. Po ashtu ne përmirësohemi sa më shumë kohë që kalojmë së bashku. I admiroj këta djelmosha për qëndrueshmërinë që tregojnë”, ka thënë Pep Guardiola.
Besiktas pritet që gjatë ditës të zbulojë nënshkrimin me anësorin e Atletico Madrid, Simao Sabrosa.
Agjenti Ahmet Bulut ka qenë në gjendje të arrijë një marrëveshje në mes të të gjitha palëve, që është nënshkruar të premten, ndërsa klubi turk pritet ta bëjë publike sot.
Simao ka qenë në biseda me Atletico rreth kontratës së re, me marrëveshjen aktuale që skadon në muajin qershor. Por Atletico e ka detyruar Simao të pranojë një ulje të pagës, dhe oferta që ka arritur nga Besiktas është shumë më e leverdishme për lojtarin se ajo që i ka ofruar ekipi aktual i tij.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ishte i kënaqur me rikthimin e mesfushorit Frank Lampard në fushë në barazimin e djeshëm ndaj Tottenhamit.
Lampard bëri një paraqitje në pjesën e dytë të takimit dhe Ancelotti shpreson ai të jetë i gatshëm për ndeshjen e javës së ardhshme ndaj Manchester United.
“Ne kemi një ndeshje miqësore në fushë të enjten dhe ai do të jetë në gjendje të startojë në ndeshjen e ardhshme. Ai ka thënë se dëshiron të jetë më shumë i përfshirë në ekip, të fillojë nga stoli dhe kjo është mirë për ne”.
“Është shumë e rëndësishme pasi ai është një lojtar i rëndësishëm dhe është në gjendje ta menaxhojë këtë moment me përvojën dhe personalitetin e tij”, ka thënë Ancelotti.