Festa e zikaltërve Skuadra kampione e Evropës, Inter, ka dalë fituese e përballjes gjysmëfinale në kuadër të Kupës së Botës për Klube (KBK), duke e mposhtur ekipin jugkorean, Seongnam Ilhwa.
Takimi i zhvilluar të mërkurën mbrëma në stadiumin Zayed Sports të Abu Dhabit përfundoi me fitoren e Nerazzurëve me rezultat 3-0.
Me dy gola të shënuar në pjesën e parë dhe një në pjesën e dytë, ekipi italian ia siguroi vetes vizën për në finale.
Me ndihmën e Samuel Eto’o dhe Diego Milito, mesfushori serb Dejan Stankovic shënoi golin më të shpejtë në historinë e Kupës së Botës për Klube (3’) duke kaluar Interin në epërsi.
Për dyfishimin e avantazhit të zikaltërve, u përkujdes kapiteni Javier Zanetti (32’), ndërsa edhe në këto gol ishte i përfshirë Milito.
Pas dy asistimeve të suksesshme, i erdhi radha edhe golit për sulmuesin argjentinas Diego Milito (73’), i cili trefishoi rezultatin, ndërsa këtë radhë asistues ishte Eto’o.
Në finale Interi do të përballet me ekipin afrikan TP Mazembe, i cili eliminoi gjigantin brazilian Internacional.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka kontestuar pohimet e menaxherit të Arsenalit, Arsene Wenger, i cili tha se fusha e Old Trafford në derbin e zhvilluar të hënën nuk ishte në standardet normale.
“Nuk mendoj se fusha ka të bëjë me humbjen e Arsenalit. Ne thjesht ishim ekipi më i mirë”.
“Fusha ishte e mirë. Nuk kam ndonjë problem me fushën dhe të gjithë janë befasuar që kjo ishte përmendur pas ndeshjes”, ka thënë Ferguson për The Guardian.
Samir Nasri beson se Arsenali duhet ta sakrifikojë lojën e bukur për të shfaqur një lojë më të ndyrë, vetëm e vetëm për t’i fituar ndeshjet, të cilat mund ta vendosin në fund titullin në Ligën Premier.
“Ishte betejë taktike ajo ndaj Unitedit dhe ne është dashur të jemi të vëmendshëm, sidomos në krah me Park dhe Rooneyn. Ne kemi qenë të mirë, por humbëm ndeshjen për detaje të vogla”.
“Unë nuk e kam problem të mos e luajmë lojën tonë të bukur, përderisa ekipi fiton. Ne kemi dëshmuar se jemi ekip i mirë, por nuk është mirë të flasim për këtë tani. Le ta diskutojmë këtë në maj dhe të shohim më pas se kush është kampioni”, deklaroi mesfushori i Arsenalit.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, thotë se ndeshja ndaj Milanit dhe fitorja e mundshme ndaj Rossonerëve do ta hapte edhe më shumë luftën për Scudetto.
“Një fitore për ne do të thoshte se jemi aty pari dhe do ta bënim kampionatin më interesant. Është ndeshje e rëndësishme, ne jemi dhjetë pikë prapa, por ne jemi ngritur pas startit të keq. Ne po kalojmë nëpër fazë pozitive dhe do të luajmë ndaj liderëve. Unë pres ndeshje të madhe”.
“Ibra? Ai është stratosferik. Ai gjithnjë gjen magjinë kur të tjerët e kanë të pamundur”, u shpreh Ranieri.
Sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, besohet se i ka shkruar Manchester Cityt një letër ku ka shprehur interesimin e tij për t’iu bashkuar skuadrës nga Liga Premier.
Sipas The Guardian, Dzeko i ka shkruar letër Cityt më herët gjatë sezonit, ku ka shprehur dëshirën për të kaluar te klubi anglez. City atëkohë ishte i interesuar në boshnjakun, por nuk deshi të paguante 40 milionë eurot e kërkuara nga gjermanët e Wolfsburgut.
Nga ana tjetër Goal.com shkruan se Manchester City është edhe më tej i interesuar për ish-sulmuesin e Teplices, të cilit do t’ia ofrojë një kontratë 7 milionë euro për sezon.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Folan, ka lëvduar në një intervsitë për Goal.com portierin Iker Casillas dhe sulmuesin gjerman Thomas Muller.
Forlan foli për kënaqësinë që pati gjatë Botërorit, sidomos pas fitimit të çmimit për lojtarin më të mirë të Kampionatit Botëror, duke thënë se ai kurrë nuk do ta harrojë atë që ndodhi në Afrikën Jugore. Më pas, ai u shpreh edhe për lojtarin më të mirë të ri dhe portierin më të mirë të Botërorit.
“Thomas Muller është lojtar shumë i mirë i ri që ka pasur një Botëror të mirë dhe shënoi gola kyç për ekipin e tij. Sa për Casillasin, të gjithë e njohim, apo jo? Ai është portier i madh, gjendet në portë në momentet vendimtare”, theksoi Forlan.
Sipas agjentit të sulmuesit Carlos Tevez, Kia Joorabchian, spekulimet se klienti i tij nuk do të luajë tash e tutje për Cityn, janë të pavërteta.
“Unë dua të jem i qartë se Carlos kurrë nuk ka thënë se nuk do të stërvitet apo nuk do të jetë profesional. Kështu, këto spekulime janë të pavërteta. Ai do të luajë nëse ftohet dhe do të bëjë më të mirën”, theksoi agjenti i Tevez.
Ai akuzoi drejtuesit e Cityt për mos transparencë në këtë çështje, pasi që ata sipas tij nuk kanë përmbushur premtimet e bëra ndaj sulmuesit argjentinas, që kërkoi largimin gjatë verës.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, është i përgatitur për gjysmëfinalen e Kupës së Botës për klube ndaj Seongnam Ilhwa.
“Ne po luajmë në gjysmëfinale dhe duam ta fitojmë atë, por nuk do të jetë e lehtë. Ne duhet të fokusohemi që gjithçka të kalojë mirë. Ne jemi duke u stërvitur për këtë. Fusha është në gjendje të mirë dhe ne mund të kemi posedim. Erdhëm për të fituar dhe do të bëjmë më të mirën”, theksoi Sneijder.
Fituesi i ndeshjes Seongnam Ilhwa –Inter do të përballet në finale me TP Mazemben, që dje mposhti skuadrën braziliane Internacional.
Massimo Moratti ka porositur lojtarët e Interit të mos përfundojnë si ekipi brazlian Internacional, viktimë e një humbje befasuese nga TP Mazembe, kur ata përballen sonte me Seongnam Ilhwa.
Interi në gjysmëfinale ndeshet me ekipin jug-korean, të cilët tashmë kanë bërë zhurmë në prag të takimit të sotëm, duke u zotuar se do ta befasojnë kampionin e Evropës.
“Tash është radha jonë [pas TP Mazembe - Internacional]. Do të jetë një ndeshje e vështirë kundër ekipit jugkorean, dhe ne duhet ta marrim këtë me seriozitet. Mësimi i djeshëm [fitorja e Mazembe], mund të jetë e dobishme. Shpresoj se gjithkush është i gatshëm për ndeshjen e sotme, ashtu që ne mund ta shohim karakterin tonë dhe talentin e ekipit”, ka thënë presidenti i klubit italian.
Adriano ka një marrëveshje verbale me Corinthians, ka pohuar drejtori sportiv i klubit brazilian.
Javën e kaluar, Adriano ka deklaruar se ai do të dëshironte të rikthehej në Brazil nëse situata e tij te Roma nuk përmirësohet. Braziliani ka vetëm një start për klubin italian që kur është transferuar nga Flamengo.
Presidentja e Romës, Rosela Sensi, ka deklaruar se Adriano nuk do të largohet nga klubi, por informatat nga Brazili thonë të kundërtën.
“Kemi një marrëveshje verbale me Adrianon dhe kontrata është e gatshme për t’u nënshkruar. Ajo që na mungon është vetëm marrëveshja me Romën”, ka thënë drejtori sportiv i Corinthians, Roberto de Andrade.
Përzgjedhësi U21 i kombëtares italiane, Ciro Ferrara, ka kritikuar ish-klubin e tij Juventus, se nuk ka qenë i durueshëm gjatë kohës sa ai kishte drejtuar klubin.
Ai u shkarkua nga Biankonerët në shkurt të këtij viti, derisa ata tash janë në pozitën e dytë të tabelës nën drejtimin e trajnerit Gigi Del Neri.
“Statistikat tregojnë se Juventus ka po aq pikë tash sa kishte në këtë kohë sezonin e kaluar. Gara për Skudeton këtë vit është më e hapur. Kjo pasi avantazhi prej gjashtë pikësh i Milanit mund të ngushtohet me vetëm dy ndeshje”.
“Besoj se Napoli, Juve dhe Lazio janë që të gjitha në garë për titullin e Serie A”, ka thënë Ferrara.
Edhe pse ishte lënë jashtë ekipit që udhëtoi në Kupën e Botës, mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri, është emëruar Lojtari i Vitit në Francë.
Nasri u mendua se nuk ishte mjaft i mirë për të qenë pjesë e 23 lojtarëve të Raymond Domenech që udhëtuan në Afrikën e Jugut gjatë verës, por kjo mbase funksionoi në favor të lojtarit, pasi juria e revistës France Football votoi pikërisht për të.
Nasri ka kryesuar në votime para Florent Malouda, i cili po ashtu pati një vit të shkëlqyeshëm me Chelseat, por mban edhe një pjesë të barrës së dështimit në Kupën Botërore. Franca u turpërua në Botërorin e sivjetmë pasi u eliminua që në rundin e parë, atë të fazës grupore.
Me dyshen e përjashtuar, si sulmuesi i Chelseat, Nicolas Anelka dhe mbrojtësi i Manchester United, Patrice Evra, portieri i Lyonit, Hugo Lloris, është renditur i treti.
Mesfushori brazilian Ronaldinho mund të largohet nga Milani, dhe Brazili është një prej opsioneve, thotë agjenti i tij.
Ronie po dështon të gjejë veten nën drejtimin e trajnerit Massimilliano Allegri dhe ka startuar vetëm një prej tetë ndeshjeve të fundit zyrtare.
“Futbolli evoluon në një mënyrë shumë të shpejtë. Sot një transferim nga Milani duket i vështirë, por unë e di se çfarë mund të ndodhë në disa ditët e ardhshme. Gjithçka mund të ndryshojë papritmas”, ka thënë agjenti dhe vëllai i Dinhos, Roberto de Assis.
Ronaldinho vazhdimisht është lidhur me një mori klubesh nga vendlindja e tij, mbi të gjitha Palmeiras dhe Flamengo.
“Rikthimi në Brazil do t’i lejonte atij të fitojë dy titujt që i mungojnë, Libertadores dhe Brasileirao. Do të ishte shumë e rëndësishme për t’i shtuar këto trofe në kabinet. Ku mund të shkojë? Një marrëveshje e mirë varet nga klubi, trajneri dhe projekti që i propozohet atij”, ka thënë De Assis.
Portieri i Arsenalit, Wojciech Szczesny, thotë se Manchester United nuk janë favorit i madh për të fituar titullin.
Szczesny thotë se goli i fitores i Park Ji-sung ishte më shumë fat se sa një gol i merituar i United dhe është i bindur se Arsenali edhe më tej është një prej top ekipeve dhe kandidat për të fituar titullin.
“Goli i tyre ishte vërtet fat. Nuk mendoj se Park mendoi ta godasë me kokë topin, vetëm se topi e goditi atë dhe shkoi në këndin lart”, ka thënë portieri.
“Ne jemi të bindur se jemi një top-ekip në Ligën Premier. Manchester United është ekip që mposhtet. Gjithkush është. Liga Premier është shumë e ngjeshur këtë vit. Ata kanë një katërshe shumë të qëndrueshme në mbrojtje, e pranoj këtë, por ata mund të mposhten”, ka shtuar Szczesny.
Diego Milito është i vendosur të ndihmojë Interin të fitojë Kupën Botërore të Klubeve.
Sulmuesi argjentinas ishte figurë kyçe në fitoren e tre titujve sezonin e kaluar, duke shënuar në finalet e Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Italisë, si edhe në ndeshjen vendimtare për Skudeton.
“Kupa Botërore e Klubeve është një garë unike për të gjithë ne. Ju nuk e dini nëse do të luani përsëri në karrierën tuaj. Ne duhet të përpiqemi të kënaqemi me këtë përvojë dhe të arrijmë një objektiv të rëndësishëm, për të cilin jemi shumë të interesuar”, ka thënë Milito.
Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves, ka lëshuar një varg kritikash në yllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo.
Braziliani ka përmendur arrogancën si të metë të mesfushorit portugez.
“Të jesh lojtari më i mirë në botë, nuk duhet vetëm të luash mirë, duhet po ashtu të pëlqehesh nga njerëzit tjerë, dhe unë e kuptoj se prirja e tij përfundon duke e lënduar, ca, të vërtetën se ai është lojtar i madh”.
“Unë nuk dyshoj se Cristiano është një prej më të mirëve në botë, dhe ai ka shumë aftësi, por në të njëjtën kohë ai po ashtu ka të meta. Mendoj se lojtari më i mirë në botë duhet të jetë i qetë, modest, dhe miqësor. Lionel Messi i ka të gjitha këto, derisa Cristiano shpesh i mungojnë disa prej këtyre kualiteteve”, ka thënë Alves.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, shpreson se ekipi tashmë e ka kaluar fazën e dobët në të cilën dështoi të fitojë në pesë ndeshje të ligës.
Blutë bërë një paraqitje më të përmirësuar në barazimin 1-1 ndaj Tottenhamit gjatë të dielës, dhe Terry shpreson se ata tashmë mund të mendojnë për tu kthyer në garë për titull.
“Shpresoj se ky është fundi i saj. Ne kemi kaluar nëpër një rënie, siç kemi parë ta bëjnë këtë edhe ekipet tjera. Ne kemi një ndeshje të madhe në shtëpi dhe tash është e rëndësishme që fansat të mbeten me ne, edhe gjatë ndonjë periudhe të keqe në ndeshje prej 10 ose 15 minutash, pasi kur luani kundër një ekipi kualitativ, ata kanë prirje për të pasur një posedim të lartë të topit”.
“Por derisa jemi të qëndrueshëm në fushë dhe fansat janë me ne, jam i sigurt se nëse luajmë kështu, do të kthehemi në formë”, ka thënë kapiteni në prag të ndeshjes së vikendit përballë Manchester United.
Gjykata e Calciopolit në Napoli ka vazhduar seancat dëgjimore edhe gjatë ditës së martë, me ç’rast gjykatësja Teresa Casoria ka kërkuar që verdikti të shpallet me procedurë të përshpejtuar.
“Ne duhet të shkojmë përpara në shpejtësi”, theksoi gjykatësja.
Sipas prokurorit Giuseppe Narducci, seancat dëgjimore pritet të marrin fund në janar, ndërsa verdikti pritet të shpallet në mars.
Gjykata ende është në pritje të transkriptimit të 300 telefonatave nga Roberto Porto.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka hedhur poshtë spekulimet se ai do të transferohet te Interi në një të ardhme të afërt.
“Për momentin nuk po mendoj për Interin”.
“Moratti? Më pëlqejnë komplimentet e tij, ai është president i mrekullueshëm dhe njeri i mirë”, u shpreh Messi për Sky Sport 24.