Javi Martinez dhe Xavi Barcelona ka befasuar botën e futbollit me barazimin e ‘rastësishëm’ ndaj Athletic Bilbaos në kuadër çerekfinales së Copa del Rey.
Natyrisht, Blaugranët e dominuan këtë ndeshje me posedim maksimal dhe me raste të panumërta, mirëpo ishte një mbrojtje heroike ajo e Bilbaos që parandaloi golin e Barcelonës. Kjo e fundit filloi takimin me maturantë, por e vazhdoi në pjesën e dytë me superyjet si Messi dhe Villa.
Përkundër këtij barazimi pa gola prej 0-0, Barcelona ka rastin që në ndeshjen kthyese që zhvillohet në Baski ta sigurojë kualifikimin më tutje, edhe pse ky pritet të jetë një mision mjaft i vështirë marrë parasysh tifozerinë e zjarrtë baske.
Interi nuk do të shndërrohet në atë ekip si sezonin e kaluar, pasi Jose Mourinho nuk e ka në plan ta lë Real Madridin për ta shpëtuar skuadrën e tij të zemrës, pohon Eladio Parames, zëdhënësi i portugezit.
Mourinho është thënë se po mban takime me Massimo Morattin për një rikthim sensacional në Meazza, por spekulimet i ka hedhur poshtë zëdhënësi i superstrategut portugez.
“Nuk kishte kurrfarë takimi dhe nuk do të ketë kontakt në Madrid mes Mourinhos dhe Morattit. Nuk ka kurrfarë domethënie. Mourinho ka kontratë me Real Madridin dhe do ta respektojë atë. Interi? Spekulim. Mendoj se është e vështirë, por kurrë mos thuaj kurrë. Varet nga klubi, sezoni, por Mourinho kurrë nuk u largua nga ndonjë klub pas vetëm një viti”, theksoi agjenti.
Leonardo do të rikthehet në San Siro në janar, por si trajner i Interit, njoftojnë mediumet nga Apeninet.
Gazeta torineze Tuttosport pohon se ish-trajneri i Milanit është takuar me Massimo Morattin dhe do të emërohet si trajner i Interit shumë shpejtë.
Plani i Morattit është që ta vë Leonardon në krye të Interit, pasi ta shkarkojë Benitezin. Përkundër deklaratave se kjo nuk është bërë, mediat tjera italiane njoftojnë se tashmë Benitez është shkarkuar.
Iker Casillas ka pohuar se Real Madridi nuk ka pse të frikësohet nga Barcelona, pasi që me kohë Los Blancos do të bëhen sipas tij po aq të suksesshëm sa Blaugranët.
“Dallimi mes Real Madridit dhe Barcelonës është koha. Ata janë përshtatur me njëri tjetrin me kohë, ndërsa ne kemi nevojë për këtë kohë. Sidoqoftë, kjo është e pamundur t’i thuash Bernabeut, pasi që Reali gjithmonë duhet të jetë më i miri”.
“Sidoqoftë, unë ndjej se jemi duke përparuar, në mënyrë të qetë, pasi kemi mjaft kohë për t’u përgatitur për hakmarrjen e disfatës prej 5-0, e cila natyrisht se na dhemb”, theksoi Casillas.
“Unë nuk kam frikë nga Barcelona. Numrat ekzistojnë, ata janë në vendin e parë dhe unë i respektoj ata për këtë, por ne do të luftojmë. Real Madridi është institucion”, përfundoi Casillas.
Paolo Bergamo, planifikuesi i gjyqtarëve të Serie A në vitin 2006 dhe shkaktari i Calciopolit, e ka vënë në pikëpyetje Calciopolin si proces, pasi që thotë se ajo ishte një farsë për shkak se bisedoi me të gjithë drejtuesit e klubeve.
Bergamo ishte thirrur të martën nga prokurori federal i FIGC (federatës italiane) Stefano Palazzi për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me gjyqin e Calciopolit që po mbahet në Napoli. FIGC është duke menduar hapjen e një hetimi të pavarur pas kërkesës së Juventusit për kthimin e Scudettos së marrë nga Interi në vitin 2006.
“Calciopoli i vitit 2006 nuk ishte proces i bazuar në fakte solide, ishte farsë. Unë fola me të gjithë sepse FIGC na ka thënë të mbajmë kontakte me të gjithë, për t’ua tërhequr atyre maksimalisht vërejtjen. Unë jam këtu për të ndihmuar në zbardhjen e asaj që ndodhi. Interit t’i merret Scudetto? Nuk më intereson”, theksoi Bergamo.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, thotë se është shumë e rëndësishme që Carlos Tevez ka anuluar kërkesën e tij për largim nga klubi.
“Mendoj se ky është lajm i rëndësishëm. Është lajmi i vetëm i mirë. Është me rëndësi për skuadrën dhe për të. Është lajm i mirë sonte (e hënë)”.
“Nuk dua të flas për këtë situatë. Nuk është me rëndësi se si ia arrita ta bindi për të qëndruar. Situata u sqarua këtë mëngjes, gjithçka shkoi mirë”, theksoi Mancini pas humbjes së Cityt të hënën mbrëma nga Evertoni në shtëpi me rezultat 2-1.
Antonio Cassano do t’u bashkohet bashkëlojtarëve të tij te Milani më 27 dhjetor për një udhëtim në Dubai, pasi kompletoi marrëveshjen me Sampdorian për kalim te skuadra më e trofeshme italiane.
Zyrtarisht Cassano do të regjistrohet më 3 janar, por atij do t’i lejohet përgatitja dhe stërvitjet me Rossonerët një javë më herët.
Sipas mediave italiane, Cassano zyrtarisht do të prezantohet si lojtar i Milanit më 4 janar në Romë, ku Milani pritet të rikthehet nga udhëtimi, kjo para duelit në Serie A ndaj Cagliarit më 6 janar.
Pas aprovimit të Sampdorias të hënën për transferimin e Cassanos te Milani, sulmuesi italian pritet të nënshkruajë kontratë trevjeçare me liderin aktual në Serie A.
Gianluigi Buffon beson se Liga Premier mund të jetë opsion i tij për të ardhmen, pasi nuk garanton qëndrimin te Juventusi.
“Liga Premier më fascinon, pasi që shumë lojtarë të mëdhenj luajnë aty. Unë ende mendoj për Serie A, kampionatin më të vështirë për t’u fituar”.
“E ardhmja ime? Tani nuk është koha për të biseduar për këtë”, potencoi Buffon për BBC.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se skuadra e tij është në pozitë të mirë për ta fituar Ligën Premier.
“Unë besoj se kampionati është shumë i hapur. Ne kemi luajtur te Manchester Unitedi, te Chelsea, te Manchester City dhe te Liverpooli, ndërsa pozita në të cilën jemi është shumë e fortë”.
“Çfarë kemi mësuar në ndeshjet tona si mysafir ndaj ekipeve të mëdha është se kemi cilësinë. Pjesa tjetër e sezonit tonë do të vendoset nga ajo se çfarë kemi mësuar, sa shumë do të përmirësohemi dhe sa besim do të kemi që nga tani”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, e ka kërcënuar Arsenalin para duelit derbi të fundjavës, duke thënë se do të shohim një Didier Drogba ‘tjetër’ ndaj Topçinjve.
“Unë e kuptoj se ai nuk ka qenë në gjendje të mirë. Ai e pati të vështirë të luajë me malarie, ai ishte i lodhur, ai nuk ishte 100 për qind i gatshëm dhe e pati të vështirë të stërvitej. Unë e kam vënë në lojë në ndeshjet e fundit edhe pse nuk ishte plotësisht i përgatitur, sepse kemi nevojë për personalitetin e tij”.
“Por, tani gjendja e tij është më e mirë. Ai ka reaguar mirë pasi erdhi si zëvendësues në ndeshjen e kaluar. Pas golit ndaj Tottenhamit, do të shohim një Drogba tjetër në ndeshjen e ardhshme”, u shpreh Ancelotti.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, ua ka tërhequr vërejtjen tifozëve të klubit që të mos presin një rikthim të shpejtë të The Reds në Ligën e Kampionëve, pasi ky proces sipas strategut anglez është afatgjatë.
“Unë bëj thirrje për durim. Natyrisht, ne duam që Liverpooli të jetë ai Liverpool i së kaluarës. Ne duam që çdo vit të luajmë në Ligën e Kampionëve”.
“Por, ne duhet të pranojmë se do të në marrë kohë më shumë se sa disa muaj. Ky do ishte çmimi i vogël për t’u paguar nëse duam ta bëjmë këtë. Vetëm shikoni ekipet që kanë tentuar të hynë në top katërshe”.
“Klubet janë shkatërruar virtualisht nga njerëz që merrnin vendime të këqija. Nuk është se pronarët kanë dhënë paratë apo mbështetën menaxherët. Kjo është për shkak se ata sollën njerëzit e gabuar. Nëse pronarët duan të investojnë shumë para, atëherë është në dorën e tyre. Nëse i gjejmë lojtarët e duhur, atëherë nuk do t’u them atyre mos e bëni. Nuk jam aq i marrë. Unë dua të punoj me lojtarët më të mirë”, deklaroi Hodgson.
Alberto Aquilani beson se Juventusi është në gjendje ta fitojë titullin e kampionit të Italisë dhe të shmangë rrezikun e kundërshtarëve më të rrezikshëm.
“Nëse Luigi Del Neri flet për Scudetto, atëherë kjo nuk bëhet pa ndonjë arsye”.
“Mendoj se duhet të shkojmë ndeshje pas ndeshje. Ne po kalojmë periudhë të mirë dhe duhet të konsolidohemi javë pas jave. Ne do të shohim çfarë do të ndodhë pas disa javësh”, tha Aquilani.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është në dyshim për t’u paraqitur ndaj Levantes në ndeshjen e të mërkurës në Copa del Rey, kjo për shkak të ftohjes së superyllit portugez, që e ka lënë atë jashtë stërvitjes së mëngjesit të së martës.
Sulmuesi portugez mori pjesë në stërvitjen e mëngjesit ashtu si të gjithë kolegët e tij të tjerë, por u detyrua që ta ndërpriste, pasi që u ankua se ishte i sëmurë, ndërsa tani pritet që Mourinho të mos e përfshijë atë në ekipin e tij ndaj Levantes.
Nëse ndodh që Ronaldo të mos luajë ndaj Levantes, atëherë do të jetë vetëm ndeshja e parë këtë sezon në të cilën nuk ka luajtur CR7 këtë sezon.
Drejtori sportiv i Bayern Munichut, Chirstian Nerlinger është duke zhvilluar bisedime me anësorin kosovar të Baselit, Xherdan Shaqiri- njofton sport.ch.
Thuhet se takimi është mbajtur në Munih, në restorantin La Baracca, për të finalizuar marrëveshjen para transferimit në janar. Shaqiri ka thënë personalisht në të kaluarën se ëndërron një kalim te Bayerni, përkundër faktit se në ndjekje të tij janë jo më pak se 10 skuadra evropiane.
Xherdan Shaqiri si talent sensacional dhe anësor me potencial të jashtëzakonshëm për të ardhmen, shihet si zgjidhje perfide në rast të lëndimeve të Riberyt dhe Robbenit.
Top gazetari sportiv në Angli, Andy Gray, ka vënë sensacionalisht në pikëpyetje aftësitë e Lionel Messit, duke thënë se argjentinasi do të vuante ndaj ndonjë skuadre si Stoke City, ndërsa shtoi se Barcelona nuk do t’ia dilte në Ligën Premier, pasi kurrë nuk ka luajtur ndaj Stoke Cityt.
I pyetur nga bashkëkomentatori i tij në ndeshjen Manchester City – Everton për atë se a do të shënonin Messi dhe Ronaldo në Ligën Premier, po aq sa në La Liga, Gray tha:
“Messi do të vuante në një natë të ftohtë në Britannia Stadium të Stoke Cityt. Barcelona poashtu do të vuante në Ligën Premier, pasi kurrë nuk është përballur me Stoke Cityn”.
55 vjeçari vazhdoi me kritikat e tij të ashpra për Kampionatin spanjoll, duke thënë se në krahasim me Kampionatin anglez, La Liga nuk e ka cilësinë e njëjtë, duke aluduar se Ronaldo dhe Messi mund të shënojnë atje në mënyrë të vazhdueshme, përkundër faktit se ishte pikërisht Ronaldo ai që shënoi 31 gola në 34 ndeshje për Manchester Unitedin në Ligën Premier gjatë sezonit 2007-2008.
Për më shumë, Gray foli edhe për Ronaldon, duke e kritikuar FIFA-n për lënien e tij jashtë finales për Topin e Artë, ndërsa shtoi se superylli i Real Madridit nuk do të ishte lojtari që është sot po që se nuk do të kishte luajtur në Ligën Premier.
Pikëpamjet e Gray kanë shkaktuar polemika dhe kritika të shumta në qarqet mediatike.
Rafael Benitez është në pritje të komunikatës nga Interi për shkarkimin e tij, një gjë kjo që ende nuk ka ndodhur sipas agjentit të teknikut spanjoll Manuel Garcia Quilon.
“Unë nuk kam marrë ndonjë komunikatë për momentin. Për çdo rast nuk mund të them më shumë sepse jam tejet i zënë”, theksoi Quilon.
Nga ana tjetër, La Gazzetta dello Sport dhe Il Corriere dello Sport shkruajnë se Benitez tashmë është shkarkuar. Në fakt, problemi qëndron te Interi, që po kërkon ndonjë mënyrë që të mos i paguajë Benitezit dëmshpërblimin prej tetë milionë eurosh. Për të shmangur një gjë të tillë, Interi pritet të shfrytëzojë si shkas dëmtimin e imazhit të klubit para mediave.
Gremio shpreson ta bindë Ronaldinhon që të largohet nga Milani pas transferimit të Antonio Cassanos, në mënyrë që gjeniu brazilian të kthehet në vendlindjen e tij, pikërisht te klubi ku e nisi karrierën.
Presidenti i klubit brazilian, Paulo Odone, shprehet tejet optimist për transferimin e Ronaldinhos, kjo për shkak të transferimit tashmë të konfirmuar të Antonio Cassanos në San Siro dhe pas prishjes së marrëdhënieve mes Dinhos dhe Berlusconit.
“Jam optimist. Ka gjasa që ta finalizojmë transferin dhe ta kthejmë Ronaldinhon te Gremio. Sidoqoftë, nuk mund të bëjmë asgjë përa janarit. Ne duhet ta presim Ronaldinhon për të zgjidhur problemet e tij me Milanin dhe më pas do ta bëjmë lëvizjen tonë përfundimtare”, theksoi Odone.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ka dobësi në ekipin e tij të cilat ai mund t’i përmirësojë gjatë afatit kalimtar të janarit.
“Nëse është e patjetërsueshme do të blej në janar. Por ky është një problem. Njerëzit dëshirojnë që unë të zhvilloj lojtarë të ri si Jack Wilshere, Kieran Gibbs, Theo Walcott dhe po ashtu të blej lojtarë”.
“Por të dyja nuk shkojnë së bashku. Duhet të luani lojtarët në një moshë të caktuar, ose i humbi ata. Ne do të përpiqemi të jemi të suksesshëm. Nëse gjejmë lojtarët e nevojshëm të cilët mund t’i japin diçka më shumë ekipit, atëherë do ta bëjmë këtë [do të blejmë]”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, e vlerëson Tottenhamin si një kërcënim serioz për titull.
“Është një ligë e vështirë. Dëshironi United dhe Chelsea ose Arsenali të kryesojnë ligën çdo sezon? Mendoj se publikut i pëlqen ajo që sheh tash, të gjithë humbin pikë”.
“Keni pasur një ngritje të Spurs, ata kanë qenë fantastik që kur Harry është aty. Ka një përmirësim të ndjeshëm te ta. Siç ka thënë Harry, pse ata të mos mund ta fitojnë ligën, dhe këtë tashmë mundohen të bëjnë lojtarët e tij”, ka thënë Ferguson.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka dalë kundër trajnerit të Real Madridit, Jose Mourinho, duke thënë se portugezi nuk do të mbahet mend në historinë e futbolli, pasi ai nuk është ndonjë inovator.
“Jam i sigurt se Mourinho është një trajner i madh, por ai nuk do të depërtojë në historinë e futbollit. Për t’u shkruar në histori duhet të bëni gjëra më ndryshe dhe ai nuk sjell gjëra të reja në këtë lojë”.
“Kjo është një gjë që Pep Guardiola e ka bërë, ai ka ridizajntuar futbollin, siç ka bërë Arrigo Sacchi, (Sir Alex) Ferguson dhe (Johan) Cruyff, i cili po ashtu ka kontribuar në diçka të re. Mourinho fiton, pasi ai ishte në Chelsea dhe Inter, dhe jam i sigurt se ai është një trajner i madh, por ai nuk sjell asgjë të re”, ka thënë Xavi.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se dallimi në mes atyre dhe sistemit të Real Madridit është se ata iu japin të rinjve shans edhe të luajnë.
Guardiola beson se ka disa talentë të shkëlqyeshëm edhe brenda Realit, por ata nuk fitojnë rastin e tyre.
“Sistemi i të rinjve te Barcelona është i mirë, por po ashtu i mirë është edhe ai i Real Madrid, Atletico, Villarreal dhe Espanyol. Dallimi është se ne i angazhojmë ata këtu”, ka thënë Guardiola.
Sevilla dëshiron ta forcojë ekipin duke transferuar dy lojtarë të Realit të Madridit si huazim në afatin kalimtar të janarit.
Dy klubet u përballën me njëri-tjetrin gjatë vikendit dhe presidenti i Sevilla, Jose Maria del Nido e ka kaluar shumicën e kohës duke pyetur për lojtarët e lirë të Realit.
Mediat spanjolle raportojnë se Del Nido është veçanërisht i interesuar në mesfushorin argjentinas Fernando Gago dhe Esteban Granero, të cilët që të dy kanë dështuar të sigurojnë minutazh nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho.
Juventusi pritet të bëjë ofertë për të transferuar në formë huazimi sulmuesin e parrehatuar të Arsenalit, Nicklas Bendtner.
Burime nga Torino thonë se Juve tashmë ka kontaktuar me Arsenalin për të marrë danezin si huazim në janar dhe Arsene Wenger aktualisht është duke vrarë mendjen rreth propozimit.
Bendtner së fundi është rikthyer nga lëndimi që e mbajti atë jashtë fushe një kohë të gjatë dhe dje edhe një herë shprehu pakënaqësinë e tij që nuk aktivizohet sa duhet këtë sezon.
Juve e sheh danezin si një mbulesë ideale për sulmuesin e qendrës Amauri.
Derisa shumica e klubeve synojnë të blejnë dhe përforcohen në afatin kalimtar të janarit, Roma duket se do të jenë në treg si shitës.
Megjithatë Claudio Ranieri thotë se në listën e shitjeve nuk do të jetë sulmuesi brazilian Adriano.
“Adriano nuk do të largohet nga këtu. Sa u takon të tjerëve [Cicinho, Baptista dhe Doni], ne presim zhvillimet. Ne do të përpiqemi të bëjnë atë që nuk bëmë në qershor, po ashtu për shkak se kemi kampionë në këtë ekip, të cilët meritojnë të luajnë”, ka thënë Ranieri.
Pep Guardiola është i bindur se mbrojtësi Daniel Alves do të nënshkruajë kontratën e re me klubin.
Alves dhe Barcelona nuk po arrijnë të gjejnë një pikë të përbashkët për vazhdimin e kontratës, derisa Manchester City është duke pritur për të transferuar brazilianin.
“Pres që kjo të zgjidhet së shpejti. Kam kuptuar se çfarë kërkojnë të dyja palët. Mendoj se njerëzit së shpejti do të lehtësohen nga rezultati”, ka thënë Guardiola.
Real Madridi raportohet se është duke e përcjellë sulmuesin e Hoffenheimit, Vedad Ibisevic.
Trajneri i Realit, Jose Mourinho, nuk e ka mbajtur sekret dëshirën e tij për të siguruar një sulmues të qendrës në muajin janar dhe është lidhur me një mori emrash të mëdhenj.
Ibisevic është i fundit që është përmendur si cak i mundshëm i Realit në ditët e fundit. 26-vjeçari boshnjak ka qenë në një formë të qëndrueshme këtë sezon, por pritet të largohet nga Hoffenheim në vitin 2011 me një mori klubesh nëpër Evropë që tregojnë interesim për të.
Bojan Krkic duket i kënaqur me nënshkrimin e kontratës së re me Barcelonën dhe që do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij klubi edhe për pesë vitet e ardhshme.
Kontrata aktuale e Bojan skadonte në vitin 2013, ndërsa me nënshkrimin e ri ai lidhet për Camp Nou deri në qershor të vitit 2015, me klauzolën blerëse që është ngritur nga 80 milionë në 100 milionë euro,
20-vjeçari debutoi për Barcelonën tre vite më parë dhe ka shënuar 38 gola në 146 paraqitje me seniorët e klubit.
“Jam i lumtur për qetësinë që kjo më ka dhënë dhe për shansin të vazhdoj të zhvillohen në klubin e jetës time. Ajo çfarë është e rëndësishme për mua, është çfarë ndodh në fushë, por fakti se klubi ju lejon juve të nënshkruani kontratë për aq shumë vite, tregon se ata kanë besim te ju”, ka thënë Krkic për ueb faqen e klubit.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, mendon se Topçinjtë kanë fuqi për t’u përballur me Barcelonën në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve në muajin shkurt.
Këto dy skuadra u takuan edhe vitin e kaluar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, me ç’rast Blaugranët vazhduan tutje me fitore të përgjithshme prej 6-3 (2-2 në Emirates dhe 4-1 në Camp Nou).
Mirëpo, përkundër formës së jashtëzakonshme që po kalon aktualisht Barca në La Liga, mesfushori spanjoll mendon se ekipi i tij mund ta eliminojë nga Liga e Kampionëve.
“Ky nuk është mision i pamundur. Ne mund të fitojmë, Barcelona nuk është e pamposhtshme. Po të ishin të pathyeshëm, atëherë do ta fitonin Ligën e Kampionëve çdo vit”, citohet të ketë thënë 23-vjeçari nga ESPNSoccernet.
Rafael Benitez ka mohuar spekulimet se ai është shkarkuar nga posti i trajnerit të Interit duke thënë se ai është ende në detyrë, porse ka pranuar se ka pasur disa tensione.
Spanjollit aktualisht gjendet në Liverpul, ndërsa mediat evropiane kanë spekuluar se presidenti i zikaltërve, Massimo Moratti e ka shkarkuar atë nga posti i trajnerit.
“Jam ende trajner i Interit. Jam në pushim dhe jam i befasuar nga lajmet për shkarkimin, jam ende trajner i Interit”.
“Nuk jam i lumtur me situatat nëpër të cilën po kaloj me Interin, por unë vazhdoj të jem trajneri dhe do të kthehem në Itali”, ka thënë Benitez për Radio Onda Cero.
Samuel Eto’o ka fituar çmimin kryesor në ceremoninë e CAF Awards që u mbajt të hënën mbrëma në Kajro të Egjiptit, duke u emëruar si ‘lojtari më i mirë afrikan i vitit’.
Sulmuesi i Interit dhe Kamerunit kishte konkurrentë Didier Drogban (Chelsea dhe Bregu i Fildishtë) dhe Asamoah Gyan (Sunderland dhe Gana), mirëpo ata nuk grumbulluan pikët e nevojshme për ta mposhtur Eto’o-n.
Përkundër dështimit të Kamerunit në Kampionatin Botëror, trofetë e grumbulluara me Interin (Scudetto, Kupa e Italisë, Superkupa e Italisë, Liga e Kampionëve, Kampionati Botëror për Klube) bënë që Eto’o të ishte fituesi i këtij çmimi.
Sulmuesi i Romës, Adriano, do të vazhdojë të luajë në Serie A, pasi që agjentët e tij përjashtojnë ndonjë skenar të rikthimit të tij në Brazil.
“Nuk ka asgjë për t’u vendosur. Unë gjithmonë kam thënë se ai do të qëndrojë, por njerëzit kurrë nuk më besuan”, theksoi agjenti Gilmar Rinaldi.
“Ai do të luajë për Romën deri në fund të kontratës dhe do ta respektojë atë deri në fund. Nuk ka gjasa që ai të rikthehet në Brazil. Unë gjithmonë kam mohuar një marrëveshje me Corinthians”, përfundoi Adriano.
Ish- trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka bërë shaka me Rafa Benitezin, duke thënë se tekniku spanjoll nuk e falënderoi atë për titullin e Kupës së Botës të fituar me Interin ditë më parë.
“Mendova se Benitez do të më falënderonte që ia dhurova këtë titull (Kupën e Botës për Klube)”, theksoi Mourinho.
Ai shtoi se tifozët e Interit e mbajnë ende në zemrat e tyre dhe e vlerësojnë shumë më shumë se trajnerin aktual.
“Pyesni interistët, ata do të t’u tregojnë çfarë mendojnë për mua e çfarë për Benitezin”, përfundoi Mou deklaratën e tij për Il Corriere dello Sport.
Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, ka tallur superyllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, për deklaratën e këtij të fundit para ndeshjes ‘el Classico’, kur tha se Barca nuk do të ishte në gjendje të shënonte tetë gola ndaj Realit si ndaj Almerias.
“Tetë golat ndaj Almerias janë dukur si dhuratë për Barcelonën dhe dikush shumë i mençur, e ripërsëris, dikush shumë i mençur, pyeti nëse Barca do të mund të shënonte tetë gola ndaj Real Madridit”.
“Dhe shikoni, ata arritën të shënojnë vetëm pesë ndaj tyre, por shumë lehtë ka mundur të jenë tetë. Kjo është për shkak të urisë së skuadrës së Pep Guardiolas...”, shkroi Cruyff në kolumnën e tij në Il Periodico di Catalunya.